• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIASPORA…”NJË QEVERI E BASHKUAR NE MERGIM”?!

May 30, 2020 by dgreca

….nëse kryeministri është në gjendje t’a drejtojë vendin me anë të FB — pse Diaspora të mos krijojë një ‘Qeveri të bashkuar në Mërgim’ që do t’i bënte sfidë qeverisë së Tiranës dhe ndërkombëtarëve t’u kërkonte të rishikonin politikat e tyre ndaj kësaj province fanare?

– Qeveria ka frikë nga një nismë e tillë, prandaj edhe ka krijuar një ministri të veçantë të Diasporës, sepse përpiqet t’a pengojë duke e përçarë atë….

Nga Astrit Lulushi/DIELLI/

Në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, Shqipëria ishte e uzurpuar. Njerëzit prisnin çlirimin dhe në këtë rast, kush pret, merr atë që tepron ose s’merr hiç fare. Në fund nuk mbeti gjë për të marrë dhe shqiptarët iu nënshtruan zgjedhës së re, duke iu kthyer përsëri karakterit të dikurshëm (bë sikur bën, bëjmë sikur bëjmë), duke veshur maskën e indiferencës për të bërë lojën e sunduesit, që, me mashtrime të kombinuara me dhunë, kontrollon çdo aspekt të jetës në vend, si dikur PP.
Kjo parti Pune sot Socialiste, e cila u la në skenën politike shqiptare vetëm falë mëshirês a mirësisë së popullit për të shmangur luftën civile, vazhdon si dikur të diktojë çdo ditë e më shumë – duke lënë njerëzit të ndiejnë se janë pak më shumë se skllevër në sistemin që lejuan të rimëkëmbet – urtësia u muar për dobësi. Vetëm më të mirët ishin në gjendje të shkëputeshin, dhe jo pa përpjekje të konsiderueshme.
Por, nëse kryeministri është në gjendje t’a drejtojë vendin me anë të FB — pse Diaspora të mos krijojë një ‘Qeveri virtuale të bashkuar në Mërgim’ që do t’i bënte sfidë qeverisë së Tiranës dhe ndërkombëtarëve t’u kërkonte të rishikonin politikat e tyre ndaj kësaj province fanare? Qeveria ka frikë nga një nismë e tillë, prandaj edhe ka krijuar një ministri të veçantë të Diasporës, sepse përpiqet t’a pengojë duke e përçarë atë. Pa gjykata, me parlament një-partiak, popull të zemëruar dhe polici jashtë kontrollit, vendi po shkon drejt një protektorati.
Nëse Diaspora thotë se është e organizuar, ajoduhet tē marrë edhe përgjegjësi — Ishte një Diasporë që krijoi një shtet, Izraelin. Përndryshe, duhet ta quajmë veten thjesht ‘të ikur’ dhe që nuk i perkasim më atij vendi – – ‘Diasporë’ është emër i madh që i vëmë vetes.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, diaspora, Qeveria ne Mergim

KOSOVA HAS CHOSEN ITS EUROPEAN, PRO-AMERICAN PATH

May 29, 2020 by dgreca

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Kosva, Pro-American Path

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS DHE QEVERIA RAMA

May 27, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Ditë e fundit, lexova me vëmendje deklaratën që ka bërë Kёshilli Koordinues i Diasporёs (KKD) mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, deklaratë në të cilën anëtarët e këtij Këshilli shfaqin “shqetësimin” e tyre për shembjen ilegale të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe për gjëndjen aktuale politike në vend.  Siç dihet, ky institucion pёrfaqёson interesat e diasporёs dhe synon njëherazi të jetë edhe një urë urё lidhёse, kryesisht, me institucionet qeveritare, të pakën ashtu duket deri më tani.  Në deklaratën e lëshuar me 22 Maj, 2020 — KKD thotë se: “Ka ndjekur me shqetёsim tё veҫantё situatёn e krijuar nga shembja e godinёs sё Teatrit Kombёtar.  Mёnyra dhe momenti qё u zgjodh nga qeveria pёr tё prishur godinёn, shoqёruar me arrogancёn kundёr atyre me mendim ndryshe, n’a shqetёson pasi vihet seriozisht në diskutim e ardhmja e Shqipёrise si njё shtet demokratik.  Ështё e pakuptueshme se si nё ҫastet e rёnda tё pandemisё, një nga prioritetet e qeverisё ishte prishja e Teatrit Kombёtar.  Shoqёria shqiptare nё kёtё periudhë të paprecedent ka nevojё pёr qetёsi dhe unitet dhe jo veprime tё nxituara dhe konflikte të panevojsheme”, theksohet në deklaratën e Këshillit të përfaqsuesëve të diasporës shqiptare.  KKD me të drejtë i referohet edhe dhunës së përdorur kundër protestuesve ditën e shembjes së Teatrit, si “një akt i shemtuar dhe aspak demokratik”, ndërkohë që thekësohet se: “Ne dёnojmё pa asnjё rezervё veprimet e qeverisё pёr shёmbjen e Teatrit Kombëtar, mungesёn e transparencёs, shkeljet ligjore, dhe nxitimin nё marrjen e vendimeve”.  KKD u bën thirrje forcave politike nё Shqipёri qё tё zhvillojnё dialogun dhe jo arrogancёn e treguar deri tani dhe që të ndalohet menjëherё ndjekja penale kundёr personave tё arrestuar e dhunuar nё protestёn e datёs 17 Maj, ndërsa theksojnë se “ndjekje penale ndoshta duhet rezervuar pёr ata qё urdhёruan shembjen dhe ushtruan dhunёn”.

Dihet se Këshilli Koordinues i Diasporës është organizuar dhe miratuar nga qeveria e Kryeministrit Rama, por KKD thotë se megjithkëtë këtë lidhje, ky ent është një institucion i pavarur nga qeveria.  E përshëndes KKD-ën për këtë deklaratë mbi shembjen ilegale të Teatrit Kombëtar!  Por megjithëse kjo deklaratë e KKD-së kundër shembjes së Teatrit Kombëtar nga autoritetet shqiptare është mjaft e fortë në përmbajtje, për mua çdo organizatë që formohet dhe miratohet nga një qeveri — më bën të dyshojë për qëllimet dhe objektivat e cilësdo qeveri qoftë, përfshir edhe qeverinë e Kryeministrit Rama, për përdorimin e një orgnaiztae të tillë për qëllime politike personale dhe partiake.

Ç’prej fillimit, unë e kam mirëpritur “Samitin e Diasporës” dhe krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si një masë me vend megjithse e vonuar, për vëmendjen që meriton diaspora.  Më ka pëlqyer ideja e takimeve të organizuara për diasporën edhe nga Kosova dhe Maqedonia sepse takime të tilla merrnin një domethënje të rëndësishme kombëtare.  Të pakën në takime të tilla ishim të bashkuar, mendoja unë.  Samitin e parë të Diasporës në Tiranë e kam konsideruar si fillimi i një dialogu të mirëfilltë kombëtar, dialog i cili ka munguar për një kohë të gjatë midis diasporës dhe Atdheut.

Kjo ishte shpresa, por e vërteta është ndryshe.  Fatkeqësisht, Samitet e Diasporës i përngjanin më shumë një mitingu politik të Ramës dhe nuk pasqyruan dialog kombëtar as politik, siç pritej, midis diasporës dhe autoriteteve shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup.  Në këtë përfundim, besoj se mund të vinë edhe antarët e KKD-së, të cilët kanë marrë pjesë në ato samite.  Në deklaratën e tyre më sipër, KKD u bënë thirrje, “forcave politike nё Shqipёri qё tё zhvillojnё dialogun dhe jo arrogancёn e treguar deri tani”.

Unë i kisha menduar takimet e diasporës në Atdhe si tubime kombëtare, të shqiptarëve të diasporës nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha anët e botës.  Tubime që do të pasqyronin vlerat më të mira stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe vlerat perëndimore të tolerancës politike dhe traditave stërgjyshore dhe do të shërbente si një rast për të bashkrenduar forcat për një bashkpunim më të ngushtë, për të mirën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. 

Në gusht, të vitit 2016 duke folur në New York para disa përfaqsuesve të komunitetit në lidhje me planet për samitet e ardhëshme të diasporës, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama ishte shprehur duke njoftuar mbajtjen e samitit të diasporës se samiti, sipas tij, ishte  “Një moment për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, gjuhës dhe identitetit tonë unik shqiptar.  Një moment për të diskutuar mbi rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit me shembuj suksesi nga heronjtë e diasporës”. Ka thënë ai.   Zoti Rama ishte shprehur gjithashtu se Samitet e Diasporës duhej të “promovonin edhe imazhin e vlerave tona më të mira”.

Shumë prej nesh jashtë Atdheut për një gjysëm shekulli ose më shumë, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, u jemi përshtatur vlerave politike perëndimore, demokracisë, tolerancës për kundërshtarin dhe respekt ndaj mendimeve të kundërta, respekt për të drejtat e njeriut në përgjithësi, lirisë së fjalës dhe të shtypit në veçanti, e të tjera.  Andaj këto vlera perëndimore, Z. Rama, ne të diasporës shqiptare jemi munduar t’i gjërshetojmë me vlerat tona tradicionale kombëtare stërgjyshore.  Më vjen keq të them por nga ajo që kemi parë deri sot, ne të diasporës shqiptare nuk kemi asgjë të përbashkët me ju.  Z. Kryeministër, shembja e stilit terrorist nga autoritetet shqiptare e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe qeverisja juaj aktuale –siç ve në dukje edhe deklarata e Këshillit Koordinues të Diasporës më lartë – tregon se nuk kemi asgjë më, të përbashkët me ju sa u përket vlerave politike e morale – qofshin ato stërgjyshore, qofshin ato perëndimore.  Shembja e Teatrit Kombëtar është vetëm një çeshtje shqetësimi për diasporën.

Si përfundim, urat po prishën dhe lidhjet shpirtërore po pakësohen gjithnjë e më shumë midis diasporës shqiptare dhe Atdheut tonë të shtrenjtë, pikërisht për arsye të qeverisjes tuaj autoritare, siç u pasqyrua kohët e fundit edhe me shembjen e ilegale të Teatrit Kombëtar, si vetëm një nga ngjarjet shqetësuese, që sipas deklaratës së Këshillit Koordinues të Diasporës është, “me karakter të rrezikshëm për demokracinë e vendit”.

Filed Under: Politike Tagged With: diaspores, Frank shkreli, keshilli kordinues, Rama

E VËRTETA HISTORIKE DHE STRATEGJIA E MASHTRIMIT: TOTALITARIZMI KOMUNIST

May 27, 2020 by dgreca

Nga RENATO CRISTIN/Përktheu:Eugjen Merlika/

“Ajo që më shumë i ka befasuar studjuesit që kanë shqyrtuar me vëmëndje regjimet komuniste, nuk është aq  thelbi apo përbindshmëria e krimeve të kryera se sa gjërësia e bashkëpunimit dhe heshtja miratuese që ata gjithmonë kanë arritur të gjejnë në Vendet perëndimore”. Në fakt, “komunizmi ka arritur të kushtëzojë, në sajë të gjatësisë së kohës dhe përhapjes së tij, jetën politike e shoqërore të mjaft popujve e të nënështrojë me mënyrat e gënjeshtrat e tij, kontinente të tërë”, por “ndikimi i tij ka qënë i pamasë edhe sepse ishte i mbështetur nga një organizim i shkëlqyer ndërkombëtar”, që qëndronte në një fuqi ideologjike të pakrahasueshme dhe në një përkrahje shumë të gjërë të mjediseve kulturore, akademike e gazetare perëndimorë. Kështu shkruante Sandro Fontana, dhjetë vite më parë në një libër të titulluar Gënjeshtrat e mëdha të historisë bashkëkohore (Botimet Ares, Milano 2009).

         Si madhësi shtetërore, me përjashtim të disa vendeve të parëndësishëm ngulmues (Kina, edhe se e drejtuar nga partia komuniste, është një dukuri më e ndërlikuar dhe e papërcaktueshme hë për hë), komunizmi është shëmbur, por ideja e tij, e shpërthyer sot në shumë shndërrime, ka mbijetuar, dhe mbështetja kësaj ideologjie gjaksore (më shumë se njëqind milionë të vdekur, simbas studimeve më të përpikta, si ai nën kujdesin e R. Conquest, Çmimi njerëzor i komunizmit, Botimet e Borghezes, Romë 1973), është ende e fuqishme në të gjithë mjediset që janë në gjëndje të formësojnë opinionin publik perëndimor.

         Format e kësaj mbështetjeje janë të ndërrueshme e me shumë ngjyrime, por kanë të të përbashkët pohimin e një epërsie të hamendësuar intelektuale dhe synimin për të fuqizuar pushtetin, institucional kur të jetë e mundur dhe kulturor në çdo rast. Simbas kësaj logjike, thënë shkurt, ideologjia komuniste dhe prodhimtaria kulturore janë bërë sinonime: atje ku është njëra zorile duhet të jetë edhe tjetra. Mbi këtë aksiomë janë bazuar për dhjetëvjeçarë të tërë, shumë nga renditjet politike t’Evropës perëndimore e përmbi atë kanë fituar partitë e së majtës evropiane. Ajo në vetvete është një gënjeshtër  që ka mundur të kalojë për një të vërtetë vetëm sepse ideologjia që e ka përhapur ka një karakter të brëndshëm të dhunshëm e totalitar, siç e kishte parë përsosmërisht bullgari Cvetan Todorov: “ndërsa Vëndet perëndimore ndërmorrën rrugën e demokracisë, të zgjedhur si pasojë e një vendimi të shumicës së popullsisë, intelektualët e tyre parapëlqyen regjimet e dhunëshme dhe tiranikë. Nëse n’ata Vende do të kishin patur të drejtën e votës vetëm intelektualët, sot do të jetonim nën regjimet totalitare”.

         Kësaj prirjeje ideologjike duhet t’i shtohet fakti që me retorikën kobzezë që themelohet, pothuajse gjithmonë, mbi mashtrmin, sepse, po citoj përsëri fjalët e Sandro Fontanës, “me gënjeshtra është e lehtë të shkatërrosh kundërshtarin politik e madje të fitosh pushtetin”. Megjithatë mashtrimi, sado i madh e i degëzuar qoftë, nuk lejon të qeverisen Shtete të një shumllojshmërie të spikatur e të një vetëdijesimi të madh si ata evropianë, pra caku i asaj ideologjie qëndron në vetë strategjinë e saj. Për të patur sukses  strategjia e gënjeshtrës duhet të shtyjë çdo kuvendim në dalldi, duhet të shpjerë çdo situatë në skajshmërinë e saj, duhet të përdredhë të folurit për qëllime sofistike. Nëse nuk zbulohet, kjo teknikë sjell përfundime pragmatike të gjata, por nëse asaj i hiqet maska, mbulesa e kokës bie, tymi shpërndahet dhe zbulohet e vërteta.

Përjashtimi dhe ligji

Një fije e kësaj dredhie varet sot në një rrahje mendimesh që të majtat, përgjithësisht të përcaktuara kështu, kanë hedhur kundër administratës rajonale të Friuli – Venezia Giulias, Presidenti i së cilës, Massimiliano Fedriga, ka vendosur të pranojë një propozim të miratuar nga Këshilli që ka si synim “të pezullojë çdo ndihmesë financiare ose të çfarëdo natyre tjetër në dobi të subjekteve publikë e privatë që, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, ndihmojnë me çfarëdo mjeti a në çfarëdo mënyre për të përhapur veprime të prirura për të mos pranuar qënësinë e ndodhive si Foibet apo shpërngulja, apo për t’u zvogëluar rëndësinë”.

Në çfarëdo pjese të botës një propozim i tillë do të renditej në veprimtarinë e zakonshme ligjvënëse: është normale që politika të japë ndihmesën e saj për të ruajtur kujtesën historike, duke e mbrojtur nga gënjeshtrat e mashtrimet. Është normale që krimi, ndoshta më i neveritëshmi që ka goditur italianët si bashkësi etniko – kombëtare në gjithë historinë e tyre, të përcaktohet i tillë, e si i tillë të kthehet në një farë unicum një veçanti që nuk mund t’i bashkëngjitet të tjerëve, edhe se të rëndë. Nëse ai spastrim etnik kundër italianëve, si të tillë, ka karakterin e një përjashtimi historik, i përveçëm duhet të jetë edhe gjykimi që i përket, pra edhe pushteti ligjvënës duhet t’a trajtojë në formë përjashtimi.. Me këtë kërkimi historik nuk kundërshtohet në lirinë e tij, por njësoj siç ndodh në ligjëshmërinë gjermane për çështjen e Shoah-ut, duke ruajtur të gjithë ndryshimet për përmasa e për pasoja ndërmjet këtyre dy tragjedive historike, kur skërfitet perimetri që mbron përjashtimin thyhet një cak. Që këtu rrjedh propozimi dhe vendimi i presidentit Fedriga.

Është e natyrshme që një përjashtim të trajtohet veçmas nga rastet e tjera. Por n’Itali, e veçanërisht në Trieste, duket se kjo natyrshmëri nuk pranohet nga ata që nuk mendojnë se ajo tragjedi e llahtarëshme përbën një përjashtim, dhe e rivlerësojnë duke e zvogëluar. Format e këtij rimohimi (term psikanalitik mjaft i përshtatëshëm) janë të larmishme: nuk pranohet e vërteta historike (por sot rastet e kësaj forme skajore nuk janë më shumë të shpeshtë), i mohohet dinjiteti, i mohohet dukshmëria, i mohohet kujtesa e plotë, i mohohet kahu i të qënit unik, por të gjithë këto pikëpamje shkëputen nga e vërteta që u bëkërka objekt i rrëzimit historik, jo të përvojës qënësore, sikur e vërteta duhet të përcaktohet nga historiografia e jo nga kujtesa e njerëzve, gjithmonë e gjallë, sepse e mishëruar në përvojën. A u takon historianëve të miratojnë përfundimisht të vërtetën e përvojës qënësore? Objektiviteti i historianit qënka përmbi përvojën e viktimës apo kujtesën e atyre që rijetojnë dëshminë? 

Njollosjes së drejtpërdrejtë i vihet pranë edhe shpotia: përtej mosnjohjes së një krimi të jashtzakonshëm në përmasën e tij etniko – politike, vërehet këtu një pozitivizëm dorështrënguar dhe totalitar, që mëton t’u imponojë individëve, popujve dhe shpirtit tabelat e njehsimit historiografik. Argumenti i epërsisë intelektuale të së majtës i zbatuar në truallin e përvojës së jetuar: ideologjia e së majtës na thotë se çfarë është politikisht e drejtë; historiografia e së majtës përcakton se si duhen ndërpretuar ngjarjet historike. Por meqë këto të fundit janë një gërshetim i pazgjidhshëm i fakteve të vërteta dhe i jetëve të jetuara, e vërteta e tyre – në kuptimin filozofik e pra në vështrimin prejardhësor – nuk është e përmbledhëshme në skemat historiografike. Në këtë vështrim rasti për të cilin po flas është shëmbullor.

Totalitarizmi i ideologjisë komuniste

Jemi përballë një fruti të helmuar të mendimit totalitar, sepse totalitarizmi prodhohet nëpërmjet mohimit të së vërtetës dhe detyrimit të skemave të paracaktuara. Me këtë qëllim thuhet se ai propozim dhe birësimi i tij i mëtejshëm do të ishin përçarës. Është një skemë aq e vjetër sa që duket e bezdisëshme, nëse nuk do t’ishte megjithatë gjithmonë e dëmëshme: vetëm ajo që propozon apo detyron e majta është përbashkuese, gjithshka tjetër është përçarëse. Nëse pranohen normat e së majtës ka paqe, përndryshe shpërthen lufta. Kjo përzjerje e sofizmës me frikësimin është vdekjeprurëse, por prej pak kohësh shihen disa krisje në mburojën politikisht pa gabime, fillojnë të shihen gënjeshtrat që e ndërtojnë; italianët po e kuptojnë dhe shpesh e kanë treguar me ushtrimin demokratik të votës, që ajo retorikë ka si qëllim përfundimtar mashtrimin. Në fakt, nën maskën e lirisë së kërkimit shkencor duan të imponojnë skema ideologjike, e shumë më poshtë, sisteme financimesh që mbrapaushqejnë ato skema, në një qark që shërben për të bërë të qëndrueshëm e madje për të fuqizuar pozita të fituara gjatë dhjetëvjeçarësh zotërimi kulturor. Në lojë janë pra, pushteti që në dhjetëvjeçarë e majta, retorika e saj e historiografia e saj kanë arritur t’i imponojnë opinionit publik.

Kufiri lindor vazhdon të jetë i sulmuar nga një ideologji që, me gjithë kalimin e kohës, me gjithë shpalljen e të vërtetave historike, me gjithë dështimet e tij planetare, duket e njëjta e shtatëdhjetë viteve më parë, me të njëjtën strukturë logjike e me të njëjtat formula. Është prova që, thënë shkurt, komunizmi si teori e si veprimtari praktike, është i gjallë, e nuk është i kufizuar vetëm në qoshen e Verilindjes, por është i përhapur në të gjithë Vendin, e në forma të ndryshme, kudo në botë. Mbas një shekulli sulmesh gojore (për të mos folur për dhunimet fizike e shfarosjet në masë) idhtarët e kësaj ideologjie, sot të maskuar në mirëdashës e të shtuar në galaktikën përparimtare, kanë paturpësinë  të duken si kreshnikët e fjalës së qetë e si fshikullues të papërkulshëm t’atyre që, ata dhelpërisht quajnë “bisedat e urrejtjes” e që, në fakt janë argumenta teoriko – politikë në kundërshtim me politikisht korrektin vërshues, ose herë herë shprehje të thjeshta të gjykimit të shëndoshë. Me fodullëkun që vetëm profesionistët e gënjeshtrës e të shtirjes arrijnë t’a kenë, lëvduesit e mirëdashjes kanë zaptuar një hapësirë të rëndësishme në rrahjen e mendimeve publike, në media e në social dhe e përforcojnë me sulmin sistematik kundrejt çfarëdo shprehjeje që sado pak mund të verë në krizë ideologjinë e tyre. Është lëvizja e zakonshme dhe e shumënjohur e sulmit paraprak: nga një pikpamje politike, gjithshka që kërcënon themelin e shtyllës së tyre etiko – gjuhësore, mbi të cilën ngrihen këta qortues ogurzinj duhet të sulmohet me padi të rënda edhe se të pathemelta: kombëtarizmi, populizmi, ksenofobia, fashizmi etj.; nga pikpamja psikologjike duhet prozhmuar cilido njeri e ose çfarëdo lloj ideje që mund t’i heqë maskën gënjeshtrës mbi të cilën qëndron politikisht e ndershmja. Që kjo ideologji mizore, në më shumë se një shekull jete, nuk ka ndryshuar kurrë këtë skemë, është një fakt shqetësues e në të njëjtën kohë qesharak. Teza absurde e epërsisë etike e politike të së majtës, edhe se është dukshëm e gabuar, është e përhapur kaq shumë sa është bërë diçka e zakonshme.

Megjithë rënien e miratimeve për partitë e së majtës, në sajë të përhapjes së ideve liberale, të liberal – konervatorizmit e të katoliçizmit të së majtës, megjithë punën për heqjen e maskimit ideologjik  që nga 1994 qëndra e djathtë italiane ka sendërtuar (së cilës duhet t’i japim vlerësimin e drejtë historik dhe teorik), letrat vazhdojnë t’i shpërndajnë përfaqësuesit e asaj ideologjie: politikanë, intelektualë, gazetarë, profesorë që japin patenta demokratizimi, të kundërfashizmit e të çfarëdo përkufizimi të dobishëm për qëllimet e tyre. Një pjesë e madhe e popullsisë, shpesh e pavetëdijshme ose për një ndrojtje nderuese, me një nënështrim të kuptueshëm por të paarsyetueshëm i pranon këto renditje, këto kategori që mëtojnë të rregullojnë proçeset kulturore, marrëdhëniet shoqërore, madje edhe zhvillimet psikologjike të njerëzve: një mëtim qartësisht totalitar.

Bëhet fjalë për një dramatizim ideologjik, aktorët e shumtë të të cilit kanë luajtur e vazhdojnë të luajnë tmerrësisht me seriozitet: një kohë vepronin për llogari të ndërkombëtares komuniste, mbi fillin e hollë e përvëlues që lidhte zotimin politik me terrorizmin; sot veprojnë n’emër të ndërkombëtares mirëdashëse (maskim i asaj së mëparëshmes), jo më puq me rrymat terroriste, por me të njëjtin qëndrim të terrorizmit psikologjik e gjuhësor të një kohe. Nëse, siç thoshte Guglielmo Ferrero, terrori është grykëderdhja e pashmangëshme e revolucionit, nëse ai vihet në jetë jo vetëm me dhunën fizike por edhe me atë gjuhësore, terrori i epokës sonë është ai bllok kulturor që quajmë “politikisht i ndershëm”, trajta e ndryshuar dhe e përditësuar e revolucionarizmit komunist.

E drejta demokratike për të qeverisur

Nëse sofistika klasike, e urryeshme por e shkëlqyer, e çon në skaj çdo arsyetim, sofistika e urryeshme e sotme, që është një brumë i përsosur leninizmi dhe pasmodernizmi (e që, në rastin tonë të veçantë, është stërholluesja me të cilën veprojnë mohuesit, zvogëluesit dhe ortakët e tyre, në të gjithë ngjyrimet e tyre), birëson të  njëjtën normë eristike,  por që objektivisht është shumë më poshtë se niveli i asaj të lashtë, nuk arrin t’a mbajë bisedën në skaj, duke tradhëtuar një vullnet që, nënë retorikën e re stërholluese – shkatërruese, vazhdon të riprodhojë mëtimin e hershëm të epërsisë, prirjen drejt mujshisë, idesë totalitare. Është e vështirë të qëndrosh në skaj pa e kaluar, nëse je i krekosur me sipërani ideologjike, kulturore, politike e madje morale. Vesi i hershëm i së majtës gjen në vetvete shkakun e dështimit të tij.

Kjo ndodhi e fundit, e cila nga kronikat vendore u shtri  në skenën kombëtare, qoftë sepse me që ka të bëjë me spastrimin etnik kundër – italian, prek një nyje shumë të ndjeshme të ndërgjegjes kombëtare, qoftë sepse ndërmjet kundërshtarëve t’atij propozimi të qendrës së djathtë ka institucione të rëndësisë kombëtare, tregon që në një rritje të mërisë, e majta, që mbledh studjues të njimendtë së bashku me shakllabana, që grumbullon të urtë e të skajshëm, njerëz të ndershëm e xhambazë në keqbesim, mohues e zvogëlues, e ka kapërcyer atë skaj. Ndoshta as e ka parë, duke u vetëquajtur e pagabueshme dhe përmbi çdo lidhnije morale,  por në të vërtetë ka kaluar çdo vijë ndarjeje: tragjedia e foibeve është e paprekëshme. Ky është skaji i pakapërxyeshëm, përtej të cilit hapen skenarë rrënqethës, që na bëjnë të rizhytemi në epoka kur ideologjia komuniste sundonte. E ndoshta është ky malli i fshehtë që shtyn gjithënjë e më përpara cakun e bisedës në një dëshirë vetëpohimi që kërkon të shkatërrojë, të heshtojë apo t’a mohojë kundërshtarin politik e kulturor.

Mbi krimin e foibeve nuk mund të ketë ujdi, siç nuk mund të ketë ujdi mbi rravgimin kriminal të Shoah. Përtej kësaj vije ka ndalim, sepse hyhet në zonën e errët në të cilën gjithshka është e mundur, edhe Auschwitzi, në një truall të pëgërë në të cilin mohohet thelbi i të qënurit njeri. Me këtë ndalesë liria e kërkimit shkencor nuk ndalohet, aspak nuk preket e qëndron në përgjegjësinë shkencore e morale të secilit, që mund të vendosë lirisht nëse do t’a kalojë apo jo cakun. Por politika, kur ka përgjegjësinë e qeverisjes, ka edhe të drejtën të vendosë se si mund të ndiqet në mënyrën më të mirë e mira e përbashkët, sepse pushteti demokratik mbështetet mbi këtë të drejtë. Me që koncepti i së mirës së përbashkët nuk është vetëm objektiv, por përcaktohet edhe në bazë të idesë së shoqërisë e të botës së njeriut që është zgjedhur për të qeverisur, ai vendos si t’i adresojë investimet publike për t’arritur atë që quhet e mirë publike. Ky është kuptimi i ligjëshmërisë së pushtetit, t’atij kushtetues e t’atij të zakonshëm, sepse në atë qëndron parimi i demokracisë në zbatimin e tij të plotë. Mund të kundërshtohet një vendim, edhe kjo është një pamje e dialektikës demokratike, por nuk mund të diskutohet e drejta për të vendosur, sepse nëse pushteti është i ligjësuar nga shumica e zgjedhësve, të mohohet kjo e drejtë është një veprim rrënues.

Krimet e komunizmit

Të folurit është një armë me dy presa, siç e dinte mirë Freudi . Në fakt mund të tradhëtojë synime të fshehta, si në rastin e një dokumenti të fundmë të një instituti studimesh historike, në të cilin fjala ”krimet”, që është më e përshtëshmja për të vizatuar ndodhitë e foibeve e përqark, përdoret vetëm  për “krimet italiane të luftës”. Krimet e foibeve quhen “ploja”, me një term neutral, semantikisht me dy kuptime, ideologjikisht i përshtatëshëm. E përsëri në një letër kundërshtimi kundrejt propozimit të Këshillit rajonal FVG, do t’ishin “përmallime helmuese” përpjekjet që administrata rajonale dhe shoqatat në mbrojtje të kujtesës së tragjedisë istriano-dalmate po bëjnë që paprekshmëria e asaj kujtese të ruhet në tërësinë e saj. Në të vërtetë ajo shprehje është një fjalë, froidisht, e rënë, që tradhëton vullnetin për të riprodhuar mashtrimet ideologjike mbi të cilët janë ndërtuar trajtat e pushtetit kulturor që, pra ndjell mallin e një mbizotërimi pjesërisht të dëmtuar e që urohet të jetë në mbarim. Ky po, është një mall, madje helmues.

Në këtë vijë semantike hyn edhe një shuplakë nxirëse e hedhur kundër Legës Kombëtare, shoqatë e dekoruar për merita italianizmi, që në të njëjtën letër proteste përcaktohet “një ent pa besueshmërinë e nevojshme të kompetencave e seriozitetit në truallin e kërkimeve historike”. Edhe njëherë praktika e nxirjes, por Lega Kombëtare nuk ka nevojë për mbrojtës: historia e saj, pesha e saj shkencore dhe integriteti moral mjaftojnë të vetme, për të topitur çfarëdo sulmi, çfarëdo prozhmimi. Formulari është gjithmonë i njëjti: më të mirët rrijnë majtas, kushdo tjetër i vetëm apo shoqatë, që vendoset nga ana tjetër, është për përcaktim më i keq.

Kështu zbulohet thelbi teorik dhe ideologjik prej të cilit rrjedhin, si pasoja të zbatueshme, të gjitha praktikat të përshkruara shkurt këtu dhe shumë të tjera të pashqyrtuara. Krimet e komunizmit qënkeshin, për arsye të ndryshme, më pak të rëënda se sa ata të nacionalsocializmit: kjo është logjika, t’a quajmë kështu, që ende sot duket se drejton, nganjëherë edhe si një të shkrepur të kushtëzuar (të detyruar nga dhjetëvjeçarë shplarjeje ideologjike të trurit), lëvizjet e intelektualëve të së majtës, e më në përgjithësi veprimi i politikisht korrektit i zbatuar në histori. Kundër thelbit krimprodhues dhe përfundimeve kriminale të nacionalsocializmit, kemi thënë,të gjithë, jo vetëm e majta fjalë përfundimtare, që përmblidhen në një shprehje pak të vjetëruar por krejtësisht të përshtatëshme: e keqja absolute. E njëjta duhet thënë, e mbi këtë një pjesë jo anësore e së majtës vazhdon të mos jetë e një mëndjeje, kundrejt thelbit e përfundimit, njësoj kriminalë të komunizmit, edhe se në ndryshueshmëri të skenarit, të ndërlikimeve e të pasojave. Që këtu  vjen nevoja , tashmë e pashtyeshme, për t’i vendosur sot  pranë  të të shenjtit Gjyq të Nuremergut (dhe të gjithë nëngjyqeve që kanë lejuar kapjen e dënimin e të tjerëve kriminelë nacionalsocialistë; një për të gjithë: proçesi që në Jeruzalem ka vënë mbrapa hekurave Aihmanin) një Nuremberg të komunizmit, sigurisht në trajtat që epoka jonë mund të lejojë. Ose pranohet të qëndrohet në këtë rrafsh kulturor, shkencor dhe etik, ose qëndrohet nga ana e komunizmit: tertium non datur (rrugë të tretë nuk ka).

L’opinione delle libertà

Filed Under: Politike Tagged With: Eugene Merlika, Renato Cristin, Totalitarizmi

CORONAVIRUS COBID-19 – REFLEKSIONE

May 25, 2020 by dgreca

     Shkruan:  Sami Repishti, Ph.D./

Ridgefield, CT.- Këtu, fillimi i vitit të ri 2020, ka qenë i qetë; por, shpejt u çfaq nji kercënim me përmasa shkatërrimtare. Simbas të gjithë përshkrimeve, besohet se zanafilla e kercënimit, nji virus pak i njohun ma parë dhe që u quejt “coronavirus COVID-19” ka qenë krahina kineze Wuhan, ku virusi u përhap shpejt dhe alarmoi botën mbar.

    Sot, ma shumë se 38.6 miljonë amerikanë kanë humbë punën pa pritmas. Qeveria ka vue në dispozicion 2.2 trillion (2.2 + 12 zero) për ndihmë, dhe demokratët kërkojnë me shpenzue edhe ma shumë për lehtësimin e vuejtjeve, sidomos të klasave të vorfna. Miljona qytetarë të tjerë kanë humbë sigurimet shëndetsore në pamundësi me pague kuotat mujore, dhe luftojnë me sigurue mbijetesën e familjeve të tyne me shumë fëmijë. Sot numrohen afërsisht 98.000 viktima nga smundja dhe 1.6 miljonë të infektuem. Ekonomia ka pësue nji ramje të shpejtë e të randë. Pyetja: çka duhet të bajmë aper rimekambje ashtë ba subjekti kryesor i diskursit publik, tue fitue përparësinë mbi problemin e pandemisë. Që tani duket se do të gjindemi para nji situate ku do të detyrohemi jo me rindertue ekonominë por “me ndryshue”, frazeologji revolucionare jo e zakontë për Shtetet e Bashkueme. Ka mundësi që ky qendrim do të jetë rezultati final i pandemisë që përjetojmë sot…

   Disa shtete, si Koreja e Jugut dhe Taivani (ish Formosa) përballuen me guxim virusin që në fillim dhe dolën me sukses. Të tjerë, sidomos kolosët e ekonomisë botënore, SHBA, Rusia, dhe Kina ndoqën dy rrugë të ndryshme. Kina dhe Rusia, dy shoqëni të mbylluna, preferoinë me mshehë sekretin e virusit nga bota e jashtëme për arsye politike. SHBA preferoi mos me e përfillë fillimisht. Presidenti Trump e neglizhoi fare, pohoi se kishte vetëm 1 të infektuem që mbahej nen kontroll, ma vonë vetëm 15 veta të infektuem. Ndërsa Kina ka pasë nji dozë suksesi ma vonë, SHBA përballohet sot me nji pandemi që kalon çdo parashikim. Perspektivat janë dëshpruese, dhe frika e popullsisë mbulon vendin. Ekspertët në mjekësi parashikojnë se në fillim të muejit Gusht numri i viktimave do të arrijë rreth 150.000….. 

   Si do të përfundojë kjo krizë? “Simbas historianëve,”shkruen analistja Gina Kolata e NYTimes, “pandemitë përfundojnë në dy tipa: sherim “mjeksor” që rezulton në pakësimin e viktimave dhe të masave të infektueme deri në shumje të plotë; ose, përfundim “social”, kur pandemia arrinë kulmin e zhvillimit me dame të mëdha, dhe mbyllet në shumje, bashkë me frikën e përgjithëshme të popullsisë.  

   Suedia paraqet nji solucion të tretë: imunitetin e masava (“herd immunity).

   Në përgjithësi, rruga e ndjekun nga SHBA ka marrë karakter politik të imponuem nga Presidenti Trump, me rrjedhime të frikëshme. Arsyeja e këtij qendrimi ashtë dami i madh që i ka kushtue ekonomisë, sot të mbyllun, amerikane dhe shumave marra-mendëse që shpenzohen me furnizue organet qeveritare: vendore, shtetnore e federale, Sot, SHBA ashtë e mbytun në borxhe publike, pagesa e të cilëve do të nxirret nga taksat e reja për popullsinë tashma të lodhun…..!  

   “Përfundimi i pandemisë zakonisht ashtë shumë, shumë i vështirë”. shkruen                                                 Prof. Dora Vargha (Exeter U.). Për cilin përfundon pandemia? Sigurisht jo për të vorfnit që mbeten të vorfën…! Punëtori, bujku, nëpunsi i vogël, polici, zjarrfikësi, pastruesët e tjerë punëtorë krahu ose të dalun krejtësisht të vorfnuem dhe në nevojë ndihme urgjente shtetnore të përjetëshme!. Ka shumë mundësi që kërkesa kryesore e klasave të vorfënueme do të jetë sigurimi shtetnor afatgjatë për rastet e vështira, siç janë mungesa ose humbja e të ardhunave të zakonshme. Punëdhanësit dhe ruejtësit e pasunive të mëdha do të gjinden para presionit me bashkënda nji pjesë të pasunisë tyne me vuejtësit e vorfën, me anë taksash mujore, ose taksash me përqindje ma të naltë, për krijimin e fondeve të asistancës së përgjithëshme 

    Ish presidenti Barak Obama e përcaktoi këte situatë në SHBA “absolutely a chaotic disaster”. Edhe sot, udhëheqsit politikë dhe institucionet tona janë të pa aftë ose pa deshirën me zgjidhë problemin racial në Amerikë, miljonët e denuem me vorfëni të përjetëshme; me zgjidhë problemin e qytetarëve të moshuem dhe pa mjetet e nevojshme me përballue jetën e përditëshme, dobësimin e berthamës familjare që krijon batalionet e fëmijve dhe të rinjve pa strehë, dobësimin e arsimit, sidomos ate foshnjor dhe fillor veçanërisht për të vorfnit, dhe kaosin ekonomik  që deshmojmë çdo ditë për arsye të punës shfrytëzuese. ”Atëherë, pyet analisti Matthew Walther, pse duhet të veprojmë sikur nuk kemi deshmue të përditëshmen, ramjen tonë të vazhdueshme?”(The Nation,13 maj ’20)

   Akademikët dhe specialistët e mjeksisë mendojnë se fundi i pandemisë do të jetë “social” para se të deklarohet “i sheruem” nga medicina. Prof. Naomi Rogers (Yale U.) mendon se “…elementi psikologjik i lodhjes dhe kufizimeve shtërnguese do të përfundojë në nji moment kur populli do të thotë:’Mjaft!’. Na meritojmë me u kthye në jetën tonë normale”. Me nji popullsi prej ma se 38 miljonë kryetarë familjesh të pa punë ”stomakët e zbraztë” do të rrezikojnë me përfundue në deshprim. Atëherë, arsyeja humb autoritetin e saj; uria predominon mendimin e aksionin tonë!

   Keqësimi i situatës në çdo vend të botës, detyroi organizatën ndërkombetare UNICEF, që kujdeset veçanërisht për femijtë, me deklarue botënisht me 15 maj se ”nji rrezik i ri kercënon fëmijtë dhe nji valë smundjesh mendore vjen pastaj”. Qeveritë e vendeve të ndryshme kanë vrejtë edhe nji rrjedhim të mbylljes mbrenda mureve të shtëpisë dhe kufizimeve tjera: dhunën në familje…..Miljona fëmijë janë të rrezikuem nga vdekja, njoftoi UNESCO, jo nga COVID-19 por nga shkaqe që mund të evitohen. Në pamundësi me shkue në spitale për kurim, sepse janë të zanuna vendet nga të smurët me virus, ma shumë se nji miljon fëmijë (në botë) nen moshën pesëvjeçare do të vdesin çdo gjashtë muej,” shkruehet në Raportin e UNICEF-it.(The NYTimes,15.V.2020)

    OBSH (WHO), grupi për shëndetsi që punon me koordinue përpjekjet globale që luftojnë smundjet e virusit, paralajmëron nji krizë nga smundjet mendore, si rezultat i “izolimit, frikës nga vdekja, pasigurisë dhe kaosit ekonomik”. Zhvillim dëshprues!

*****

   Në nji Editorial nga fletorja The Neë York Times, e datës 1 maj, dedikue rolit të udhëheqsit në momente kritike të historisë thuhet: “Shprehja ‘udhëheqje’ ashtë e vështirë me u përcaktue në kohë krize, por ashtë e lehtë me u identifikue. Ajo gjindet aty ku ka kurajo, vendosmëni, empathi, respekt për shkencën, dhe nji ndershmëni elementare. Kështu dhimbja e popullit në krizë  pakësohet…” Nji fenomen i këtill u përjetue me qendrimin e vendosun të disa udhëheqësve në të katër anët e globit: Zelanda e Re, përjetoi  kufizimet ma të mëdha në historinë moderne nga populli, dhe të imponueme nga Zonja Jacinda Ardern  kryminister, sepse ky ishte shansi ma i mirë me ndalue zhvillimin e virusit. Njikohësisht, ajo kërkoi: ”Ju lutem, bahuni të fortë, të njerëzishëm, dhe të bashkuem kundër Covid-19”. Të njajtën shembull ndoqi edhe KM Scott Morrison i Australisë. Të dy vendet dolën me sukses. Me 25 maj, Sllovenia deklaroi fitoren mbi virus COVID-19 si rezultat i masave kufizuese.

   Shembuj të këtill udhëheqje treguen edhe Gjermania (KM Angela Merkel), Norvegjia (KM Erna Solberg). Taivan (KM Ing-ëen), Danimarka (KM Mette Frederiksen), Finlanda, (KM 34 vjeçare Sanna Marin), Islanda (KM. K. Jakobsdottir), Koreja e Jugut, Greqia, etj. Ajo që tërhoqi vemendjen e publikut botënor ashtë fakti se pothuejse të gjitha këto vende drejtohen nga zonja të edukueme e të kushtueme mirëqenies së vendeve të tyne (nji dëshirë e ime e vazhdueshme!). Ata u duertrokitën në vendet e tyne dhe në botën mbar për aftësitë e tyne udhëheqse. Edhe në Greqinë fqinje, KM Mitsotakis mori masa energijke që në fillim dhe shpëtoi vendin nga katastrofa njerëzore dhe ekonomike. “Karakteristikë e përbashkët: shtete kompakte, homogjene dhe të përparueme”,shkruen gazeta. Edhe Kosova meriton  mirënjohje me gjithë situatën e saj të ngarkueme politikisht. 

   Vendosmënia me marrë masa të forta dhe të menjiherëshme pa marrë parasyshë çmimin që mund të paguhet “politikisht” ashtë padyshim nji cilësi superiore e nji udhëheqje të vertetë. Kjo cilësi spjegon arsyen pse Kina dhe Rusia ruejnë sekretin e smundjes që të mos damtojë prestigjin e udhëheqjes së vendit para syve të botës, me rezultate shkatërrimtare per popujt e tyne. E kundërta ashtë me KM Angela Merkel të Gjermanisë: e thjeshtë, modeste, e ndershme në qellimet e saja, në mendime e në aksion. Në nji fjalim lamtumire ajo u shpreh:” Kujdesohuni për vehten tuej, dhe dueni të afërmit tuej!’ Thjeshtësi madhështore që nuk blihet me dollarë….!

    Kështu ngjau me Great Depression të viteve të para 1930-ës. Fenomeni i depresionit hodhi në rrugë miliona, dhe zbuloi thyeshmëninë e ekonomisë dhe pabarazinë e viteve mbas-1920 qartësisht të dhimbëshmë. Por Amerika u përgjegj me rishikimin e rregullave në punë e afarizëm, dhe na mund ta bajmë përsëri” shkruen Prof. Margaret O’Hara. Ashtë imperative! Na duhet të përfitojmë nga kjo tragjedi e pameritueme të pakëten dobinë e rishikimit të terrorit të L2B dhe akoma ma shumë terrorin e diktaturave te posa-kalueme. Koha po shlyen gjurmët fizike e kujtimet  që kalojnë në boten e harresës, dhe duhet të ndërgjegjsohemi se kemi ra në gjumin e nji epoke plot andrra të frikëshme, e duhet të zgjohemi. Polarizimi që dëshmojmë sot në Shqipëri ashtë në esencë ma shumë mosrespekt, nji valë e madhe urrejtje për njeni tjetrin. Ky qendrim ashtë nji lloj forme “dehumanizimi”,çveshje e kundërshtarit nga natyra e tij njerëzore. Sot gjindemi para derës së të ardhmes, pa asnji synim me u kthye mbrapa, “Me u rilindë”, pavarësisht se si kuptohet, ashtë ideja që na kemi për identifikimin e disa ideve unifikuese, siç ashtë p.sh. ideja e sherbimit kombëtar vullnetar, dhe përqendrimi rreth saj në këto ditë të vështira. 

    Prof. Gene C. Sperling, ish këshilltar i Presidentit W.J.Clinton quen deklarata të këtilla “qytetari universale akademike”. subjekti i të cilave ashtë shqetësimi për qytetarët me të ardhuna të kufizueme, sidomos qytetarët studentë, të cilët  janë potenciali për nji motor të fuqishëm me ngritë mobilizimin e vendit tonë, studentë të vorfën dhe  klasave punëtore. Na duhet të ndertojmë nji shoqëni me barazi, dhe bisedimet për nji orientim të këtill të fillojnë tashti, nen presionin e virusit që na mundon.

     Shtypi amerikan ashtë i mbushun me sugjerime dhe ide për të ardhmen post-virus, dhe shumica e ideve janë “progresive”, me theks përmirësimin e jetës së klasës së lanun mbas dore e të vorfnueme. Presioni publik ashtë sidomos për klasën politike udhëheqse, kryesisht për Partinë Demokratike Amerikane që mban flamurin e reformave. Udhëheqsit demokratë deklarojnë se në rastin kur ata marrin pushtetin (kallndor 2021) do të jenë të përgatitun me shpenzue shuma kolosale në ndihmë të ekonomisë së damtueme, me ndertimin e superstrukturës së vjetrueme (rruga, ura, hekurudha, aeroporte etj.) shumë ma shpejt se kanë veprue ma parë, me nji program progresiv për ndihmë punëtorëve dhe bujqëve, legjislaturën e nevojshme, me zgjanue rrjetin e sherbimeve mjeksore dhe sigurimet, në ndertimin e banesave për të pastrehët, si dhe programe sherbimesh për fëmijë. Nji shembull që meriton studimin tonë ashtë rasti i vendeve skandinave.

     Ashtë fjala për nji program të gjanë dhe “transformativ” që na kujton periudhën rooseveltiane të mbas krizës botënore (1929-1933). Qytetarët amerikanë që kanë nevojë për ndihmë, duhen ndihmue në se dëshirojmë me mbajtë të gjallë “the American dream”: liri e drejtësi për të gjithë! Në nji fjalim të mbajtun pak ditë ma parë, ish N/Presidenti Joseph Biden bani të qartë se pikësynimi i tij nuk ashtë me “rindertue ekonominë” por “me ndryshue ekonominë”. Tue komentue këte deklaratë, Lee Saunders, udhëheqsi i njenës nga sindikatat e mëdha amerikane tha: ”Unë mendoj se ai (Biden) dëshiron me përpunue nji plan,  dhe me përkrahë familjet punëtore, dhe se ashtë i interesuem me studjue programe. Ai (Biden) shpreson me ringjallë demokracinë liberale tue marrë inisiativa të mëdha për ndryshime të mëdha. Vemendje e veçantë u dedikohet përpjekjeve me përkrahë idenë e ‘nji të ardhmje të sigurueme për të gjithë’ ose “me ofrue të ardhuna për të gjithë të garantueme nga nji premtim federal”. Tue ndryshue rregullat e punës, kandidati Biden mendon me rritë sa ma shumë fitimet nga puna për punëtorët  tashti me të ardhuna të ulëta…..Senatori demokrat Michael Bennett (D.Colo) ish kandidat për President, shpreson se “Presidenti Biden do të ndjekë nji politikë ekonomike e cila do të fuqizojë punëtorët dhe klasën e mesme që u damtuen, e jo klasën “super-rich” shumë të pasun “, shkruen gazeta The New York Times e 18 majit .

    Vendi i parë industrial në botë, Shtetet e Bashkueme të Amerikës, duket si i paralizuem nga pandemia.  i pa aftë me furnizue landët e nevojshme për luftimin e virusit, pa orientim të studjuem, me nji presidencë që ka humbë inisiativën e organizimit –siç e shohim në vendet nordike. Me folë shtrue Amerika përballet sot me “nji anarki në terma politike” shkruen Prof. Walther – The Nation të 13 majit. “E gjithë kjo në Amerikën fortesë që gjatë L2B Presidenti F.D. Roosevelt mobilizoi të gjithë potencialin industrial të vendit në luftën kundër nazi-fashizmit gjerman e italian dhe militarizmit japonez, mobilizim që prodhoi katër aeroplanë luftarakë çdo orë, ditë e natë, deri në fitoren e plotë”.

     Ajo që kemi mësue nga eksperienca e jonë me COVID-19  në se dëshirojmë ballafaqimin e suksesshëm me virusin ashtë se kemi nevojë  për nji orientim të ri dhe udhëheqje ma të ndërgjegjshme e profesionalisht ma të aftë. Shpresojmë që populli i shgënjyem nga paaftësia federale të marrë mësimin e duhun: na duhen udhëheqës të pjekun, serioz dhe të pergatitun me udhëheq, udhëheqës që refuzojnë aventurën, që tregojnë kujdes dhe empathi, dhe që i dedikohen shërbimit të përgjithshëm. 

     Amerika ka nevojë për nji udhëheqje të këtill. Këtu, dhe tashti!

    Tue dëshmue para Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit Amerikan, drejtori i Autoritetit per Studime të Avancueme dhe Zhvillime Bio-mjeksore, Dr. Rich Bright, deklaroi:

   ”…Ne kemi shkencëtarët ma të mëdhej në botë e ata duhet të lejohen me udhëheqë. Ndërsa ashtë e frikëshme me pranue përmasat e sfidës (së pandemisë) me të cilen përballohemi aktualisht, fakti i pamohueshm ashtë se do të ketë nji ringjallje të COVID-19 këte vjeshtë, tue komplikue në masë të madhe sfidat e gripit sezonal, dhe tue vendosë nji tension të papamë në sistemin tonë të kujdesit shëndetsor. Pa planifikim dhe zbatim të qartë të hapave që unë dhe ekspertët tjerë shkencorë kemi parashtrue, viti 2020 do të jetë dimni ma i errtë në historinë moderne” raporton “Zëri i Amerikës”.

    Në situata të këtilla shkenca flet; na, të gjithë na, duhet të ndigjojmë mesazhin e saj, në se dëshirojmë me evitue rrjedhimet katastrofike që na kercënojnë. “Publikut duhet t’i thuhet e verteta, jo e filtrueme politikisht!”, përfundon Dr. Rich Bright. Nuk duhet të harrojmë: COVIC-19 ashtë ende nji mister për ne!

———–

(Shenim: Gazeta The NYTimes e datës 21 maj, f. 1, botoi shkrimin me titullin: “Ndersa pritshim për mbylljen me kufizime, na humbëm 36.000 jetë njerëzore”:“Sikur SHBA të kishin fillue masat e kufizimit të lëvizjeve, “distancën shoqënore” nji javë ma parë rreth 36.000 jetë njerëzore do te ishin kursye nga coronavirus, simbas vlerësimeve të bame nga Columbia U.

    Dhe sikur vendi të kishte izolue qytetet dhe të kishte kufizue kontaktet shoqënore me 1 Mars, dy javë para se popullsia filloi të vetë-izolohet , shumica dërmuese e viktimave- rreth 83 përqind- do të kishte evitue  vdekjen…..”Kjo ashtë nji diferencë e madhe. Ajo sasi kohe e shkurtë, po të kishim kapë në dorë fazën e rritjes së smundjes do te kishte qenë jashtëzakonisht kritike në pakësimin e numrit të vdekjeve” deklaroi  Prof. Jeffrey Shaman, epidemiologjist ne Columbia U. dhe udhëheqës i skuadrës së kërkimeve mjeksore……

Filed Under: Politike Tagged With: refleksione, Sami Repishti PhD

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT