• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RISHKRIMI I HISTORISË- NEVOJË DHE DOMOSDOSHMËRI HISTORIKE PËR SHQIPTARËT

May 5, 2020 by dgreca

Deri kur vrasësit dhe terroristët do të mbajnë tituj ”Hero i Popullit”, deri kur rrugët sheshet, institucionet do të emërtohen me emra të rremë heronjësh e dëshmorësh? Edhe sa kohë u duhet shqiptarëve që të shkruajnë historinë e vërtetë  Kombëtare?

NGA PELLUMB LAMAJ/ Ribotohet me rastin e 5 Majit/ 

Menjëherë pas marrjes së pushtetit me dhunë duke nxjerrë jashtë ligjit të gjitha forcat luftuese,duke shkelur me këmbë vullnetin e popullit shqiptar për ta zgjedhur të ardhmen e tij në formë demokratike,organizata terroriste me emrin P K SH e krijuar dhe drejtuar nga emisarët serbë, përveç gjenocidit dhe krimit ndaj popullit të vet,do të kryente edhe një nga krimet më të mëdha të të gjitha krimeve,shkatërrimin e historisë tonë kombëtare.Të gjitha institucionet që do të krijoheshin më vonë do të kishin vetëm një devocion; shkatërrimin e të gjitha vlerave shpirtërore,morale e kombëtare të shqiptarit.Kjo ishte deviza serbe që kishte filluar të zbatohej në Shqipëri që gjatë luftës.Vetëm kështu Titua do ta kishte më të lehtë domininin e Kosovës dhe vet Shqipërinë.Ekzekutimi i firmëtarëve të Pavarësisë,inteligjencës kombëtare,klerit e deri te hedhja në lumë e eshtrave të të madhit Fishta e hedhja në erë e kishës ku kishte lidhur martesë heroi ynë kombëtar Skënderbeu,do të ishte shërbimi më i madh që banda bolshevike e Hoxhës do t’i bënte armiqëve tanë shekullor e në këtë mënyrë Shqipëria do të mbushej me kampe pune të detyruar,burgje e internime dhe në emër të dëshmorëve ,për të justifikuar pushtetin,ndihmat nga jashtë e luftën,mbi shtresën më patriote të kombit do të niste mortaja me emrin ”lufta e klasave”.
Me urdhër direkt të diktatorit historia jonë duhej të fillonte vetëm pas 1941.Janë të shumta krimet që kjo organizatë terroriste kryeu jo vetëm ndaj kundërshtarëve politik, por dhe të vetëve dhe po kaq të shumta janë dhe fabrikimet e falsifikimet që historiografia sllavokomuniste bëri ndaj historisë.

Pas viteve 1990 kur u mendua e shpresua se kishte arrdhur koha që të krijohej jo vetëm shteti i munguar i së drejtës së mohuar, por dhe të shkruhej historia në bazë të ngjarjeve dhe fakteve e kriminelët të silleshin para drejtësisë,për ironi të fatit, kjo jo vetëm nuk ndodhi përkundrazi në pushtet erdhi përsëri klasa neokomuniste e përbërë nga hibridët sllavokomunist të ish bllokut.Gjenocidi dhe krimi gjysëm shekullor jo vetëm nuk u dënua,përkundrazi klasa politike neokomuniste nisi të shfaq jo vetëm nostalgji për të shkuarën vrastare, por dhe ti thurë lavdi.
Mediat e shkruara e vizive qe kontrolloheshin nga politika do të shndroheshin në uturakë të saj e kështu do të vazhdonte e njëjta histori në shkolla e institucionet përkatëse.Rrugët,institucionet jo vetëm që do të mbanin emrat e vrasësve ordinerë komunistë, por klasa politike neokomuniste do te ndërrmerte aktin më të turpshëm historik duke përdorur dhunën kundra të burgosurve politik që endeshin rrugëve dhe u ngritën në grevë urie.

ÇDO LEGJENDË KA NJË FILLIM 

Janë luftërat ato që lindin heronjtë dhe është populli ai që i shndron ata në legjendë edhe pse diktatorët nga frika mundohen nëpërmjet terrorit ti shuajnë ata nga kujtesa kolektive e ajo historike.
Lufta e Gjormit 1942-1943 që do të ishte një përsëritje e Epopesë së 1920 ës do të censurohej e tjetërsohej me urdhër të vet diktatorit.Në këtë betejë të pabarabartë luftëtarët shqiptar përball ushtrisë së motorizuar të pushtuesit italian dhe bandave të mercenarëve që kishin arrdhur për të plaçkitur do të shkruanin një nga faqet më të lavdishme të luftës dhe rezistencës kundra fashizmit.Përkrah Heroit të Gjormit sikundër do ta quante populli Hysni Lepenicën i cili nuk e lëshoi urën edhe kur u gjend përball autoblindave të armikut,do të spikaste edhe emri i komandantit të Çetës Plakë ,djaloshit njëzetë e tre vjeçar Neki Ymeri i cili do ti qëndronte pranë deri në fund Komandant, Hysni Lepenices, e jo si Hysni Kapua që ja mbathi malit dhe e la Lepenicën vetëm përball armikut sikundër thotë dhe kënga që këndohej pas betejave nëpër odat e shqiptarëve.
Hysni Abaz (Kapo) o trim / Mos ki frik / Se atje përposh te ura / Lufton burri përmbi burra / Lepenica mbi gjithë burra / dhe pasi erdhi në pushtet Hysni Kapua e dënoi me vdekje autorin e këngës.
Lufta e Gjormit do të pasohej nga beteja të tjera ku Çeta partizane Plakë dhe Çeta nacionaliste Shqiponja do të luftonin në krahë të njera tjetrës.Natyrisht kjo frymë vllazërore që u shfaq në llogoret e luftës ku të gjitha zemrat rrahin njësoj,ku gjaku që shlyen robërinë dhe fiton lirinë nuk njeh emra partish ,nuk do të shikohej me sy të mirë nga organizata terroristë P K SH dhe emisarët serb.Pas denoncimit të Kuvendit të Mukjes që do të ishte jo vetëm akt lufte nga ana e PKSH, por dhe preludi i luftës vëllavrasëse, emisarët serb filluan përpilimin e listave për eleminimin pas shpinë të kundërshtarëve politik, por dhe të vetëve. 

VRASJA QË ENDE VRET 

Për vet odisenë e familjes time në shtëpinë tonë flitej hapur për ato që kishin ndodhur gjatë luftës ku xhaxhai i babait Neki Lamaj drejtues i çetës nacionaliste dhe kushëriri Ismet Lamaj ishin vrarë me pushkë në dorë kundër pushtuesit të tradhëtuar nga komunistët dhe Manush Myftiu,po kështu xhaxhai nënës Xhelal Lepenica në luftë kundër komunistëve.Një nga historitë që flitej shpesh në familje ishte dhe ajo e Neki Ymerit, e cila më ishte ngulitur në mendje qysh fëmijë
Pas viteve nëntëdhjetë pata fatin të takoja në USA një nga protagonistët kryesor të asaj ngjarje Feti Premten që u plagos në pritën që bënë komunistët .Si mik familje më ftoi për darkë e unë pata privilegjin ta dëgjoja, por dhe ta shkruaja atë çka ndodhi gjysëm shekulli më parë e që mbahej e fshehur nga historiografia sllavokomuniste.

Ishte Shtatori i zi 1943 . Them Shtator i zi se atë muaj jo vetëm ne, bashkëluftëtarët e miqtë, por gjithë Vlora humbi dy nga bijtë e saj më të mirë që e kishin shkruar historinë e tyre maleve e u këndoheshin këngë Hysni Lepnicën dhe Neki Ymerin.
Pas denoncimit të Kuvendit të Mukjes të frikësuar nga fryma vllazërore që mbretëronte midis forcave të Ballit dhe çetës partizane Plakë,PKSH nëpërmjet Hysni Kapos i dërgon një letër Komandant Nekiut që kur forcat e Ballit të kalojnë në Gjorm, të hapi zjarr mbi to e të vras Hysni Lepenicën. Kuptohet që për ne kjo ishte një goditje e madhe pasi ne jo vetëm që ishim miq, por dhe ndaheshim me kufi me Lepenicën e deri atë ditë e kishim luftuar bashkë pushtuesin. Komandant Nekiu i dërgon letër Hysni Lepenicës dhe e sqaron për urrdhërin e PKSH, por Hysni Lepenica iu përgjigj; dy duar për një kokë dhe koka për atdhe dhe kaloi të nesërmen.Ne dolëm nga pozicionet dhe u përqafuam me forcat balliste. Dy ditë më vonë dy korierë partizanë erdhën dhe i thanë komandant Nekiut se e kërkonin në Shtabin e Përgjithshëm në Mallakastër. Kur u kthye që andej nuk ishte më Nekiu me çika që ne e kishim njohur dhe buzëqeshja karakteristike i ishte shuar. Na sqaroi që i kishin bërë një gjyq partizan dhe presion psikologjik deri në asgjësim. Tani e kishin urrdhëruar që të vriste kunatin e vet Sadik Premten.

Nga fundi Gushtit, kur provokimet e komunistëve shtoheshin dita ditës, në shtëpinë e gjyshit tënd Refat Lepenica u mbajt një mbledhje ku u vendos të bashkonim forcat dhe të ndalnim luftën vëllavrasëse. Moren pjesë Hysni Lepenica, Skënder Muçua dhe komandantë çetash.Për ti dhënë një mesazh vllazëror popullit dhe vet komunistëve,komandant i përgjithshëm u caktua Neki Ymeri.
Mbaj mend gjyshi jot Refati shtroi gjithë atë mish e Skënder Muçua i tha që u harxhove shumë Refat dhe gjyshi jot ju përgjigj; më mirë t’i hani ju që luftoni për Shqipëri se ata horrat e kuq që luftojnë për Serbi e do na hanë dhe ne.

Pasi mbaruam darkë u nisëm për tu kthyer në Gjorm dhe pa ecur shumë dëgjuam krisma automatikësh.Të parët u rrëzuan nga plumbat Komandant Nekiu dhe Dalan Xhaferi.Edhe unë u shtriva dhe në çast ndjeva një therje në këmbë dhe e pashë që kisha marrë plumb.Nisëm të qëllojmë dhe ne .Në Lepenicë u dëgjuan krismat dhe ata bën rrethimin e kur u zbardh ,kapëm të gjallë një partizan të ri që qante dhe lutej e thoshte se nuk kishte qëlluar. I gjall u kap dhe Shyqyri Alimerkua nga Tragjasi,ndërsa Sadik Zotua nga Smokthina ishte vrarë gjatë natës.Një partizan nga Bolena shpëtoi ngaqë njihte terrenin.Partizanin e ri e lanë të ikte e tu thoshte atyre në shtabin partizan se ne nuk duam vëllavrasje ndërsa Shyqyri Alimerkon e egzekutuan në vend.


Të nesërmen varrosëm komandant Nekiun dhe Xhaferin me lot e dhimbje të thellë. I jati Nekiut me grushta shtërguar ju drejtua trupit të të birit; Bëre si të kisha porositur biri babait fale jetën dhe nuk e tradhëtove mikun !

Hysni Lepenica u nis për në Grehot 
Mbas dy javësh morëm vesh që dhe Ai ishte vrarë në pusi nga italianët në bashkëpunim me komunistat .Pas vrasjese së Hysniut ,Brigadat e Parë dhe e Pestë filluan terrorin mbi kundërshtarët e tyre , duke djegur dhe barbarizuar gjithçka që gjenin përpara.

Pas disa ditësh ne filluam tërheqjen drejt Vlorës duke shpresuar në ndërhyrjen e anglezëve për të ndalur luftën vllavrasëse, por ata na e kishin ngulur thikën nga prapa. Gjithë ndihma materiale,njerëzore dhe propagandistike ishte në favor të komunistëve. Babai Nekiut doli në mal pasi komunistët dogjën shtëpitë tuaja në Lepenicë ku u vra dhe Xhelali në luftë kundër tyre dhe pastaj dogjën tonat në Gjormë. Një natë dy partizanë shkuan në kasollen e tij ngaqë bënte shumë ftohtë.Pasi u bëri të hanë për darkë ju bëri dhe pak ushqim për të nesërmen.Kur ikën ,njeri partizan e pyeti.Xhaxha pse s’shkon në shtëpi ? Është shumë ftohtë në kasolle. Dhe babai Nekiut iu pergjigj: – Në cilën shtëpi,në atë që ma dogje ti !

Edhe pse kanë kaluar tre dekada kjo e vërtetë historike ,kjo pabesi komuniste ende mbahet e çensuruar dhe rrugët e shkollat mbajnë emrat e Shyqyri Alimerkos dhe Sadik Zotajt! A nuk është ky një turp e krim historik ?Edhe sa kohë do u marrë shqiptarëve të shkruajnë historinë e vërtetë ?

Filed Under: Politike Tagged With: historia

AT GJERGJ FISHTA, NJERIU QË KA FRYMËZUAR HEROIN E KOMBIT, AGIM RAMADANI

May 3, 2020 by dgreca

AT GJERGJ FISHTA, NJERIU QË KA FRYMËZUAR HEROIN E KOMBIT, AGIM RAMADANI/

                                                    Nga Frank Shkreli/

3 Maji shënoi ditëlindjen e Heroit Kombëtar, Agim Ramadani.  I lindur me 3 Maj, 1963, ai sot do mbushte 57 vjeç.  Çdo vit kjo ditë është shënuar me manifestime tradicionale kulturore në sheshin e lirisë në fshatin Zheger të Gjilanit, aty ku edhe ka lindur heroi. Shënohej kjo ditë në vendlindjen e tij dhe jo vetëm në vendëlindjen e tij por edhe në Mirditë, nga ku thuhet se ai dhe familja e tij kanë origjinën – për të nderuar dhe kujtuar veprën e tij heroike për çlirimin e trojeve shqiptare.  Siç duket, për arsye të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, sivjet nuk u mbajt ndonjë manifestim për të shënuar ditëlindjen në vemdlindjen e tij ku kishte kryer edhe shkollën fillore, të mesme.  Pasi kreu shkollën e mesme, Agim Ramadani vazhdoi mësimet në Akademinë Ushtarake në Zagreb, ku siguroi përvojë ushtarake, të cilën e përdori me mjeshtri më vonë, në luftën për çlirimin e Kosovës, anë e mbanë zonës së Rrafshit të Dukagjinit.

Nga biografia e tij lexojmë gjithashtu se ai kishte dezertuar nga ushtria ish-jugosllave dhe me familje është larguar për në Zvicër ku kishte gjetur strehim.  Por, ndonëse e kishte rregulluar jetën në Zvicër me statusin e emigrantit, në vitin 1998 atij nuk i rrihej dhe iu përgjigj thirrjes së Atdheut duke u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, megjithëse iu desh të linte pas bashkshorten Shukrijen me tre fëmijë.

Perëndia i kishte falur atij talente edhe për për art, letërsi, humor e aktrim.  Por mbi të gjitha, Agim Ramadani është njohur në luftë si një strateg i dalluar ushtarak, shumë i dashur dhe i pëlqyer nga ushtarët e tij, me të cilët, historia do shënojë se ai së bashku me bashkëluftarët e vet, thyen kufirin shqiptaro-shqiptar.  Shokët e tij kanë thënë se Agim Ramadani ishte njeriu i parë që hoqi, me duart e veta, piramidën kufitare në Kosharë, midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë.  Fatkeqësisht për të, për familjen e tij, për Kosovën dhe për mbarë shqiptarinë, pas aktit heroik të thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, Heroi i Kombit Shqiptar, Agim Ramadani ra heroikisht në luftën për çlirimin e trojeve shqiptare – për të mos vdekur kurrë – si njëri prej heronjve më të njohur të historisë moderne të Kombit shqiptar. 

Sot me 3 Maj, 2020, bashkshortja Shukrije e kujtoi të dashurin e saj dhe Heroin e Kombit, në 57-vjetorin e lindjes së tij me një deklaratë të fortë dashurie e kujtese, por dhe mjaft kritike ndaj gjëndjes aktuale në Kosovë, duke thënë se ideali i dëshmorëve si Agim Ramadani, është shkelur dhe harruar.  Në një shpërthim emocional por plot të arsyeshëm, që siç duket i referohet bisedimeve rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve — si pjesë e të ashtuquajturit dialog midis Kosovës dhe Serbisë – Zonja Shukrije Ramadani, kujton ditëlindjen e të dashurit të saj në një postim në faqen fejsbuk duke thënë se,  “Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë më anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë, e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra juaj”, shënon ndër të tjera Shukrije Ramadani në postimin dedikuar bashkshortit të saj, aq prekës sa që meriton të botohet i tërë: “Për ditëlindjen tënde — si ta uroj ditëlindjen shpirti im?!  Në lulen e rinisë me gjakun tënd lave ëndërrat tua për Shqipërinë e Bashkuar. Shumë gjëra u bënë ndryshe që 21 vite të mungesës sate!  Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë ma anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra e juaj.  Po harrojnë se gjaku i derdhur ecë lirshëm damarëve të tokës së lashtë pellazge e cila nuk falet aq lehtë, se frymon dhembje, krenari e trimëri!  Ti prekësh ata damarë, e prek shpirtin e epokave të qëndresës.  Ndoshta më mirë që na u mbyllën rrugët kah ju, e.lulet u vyshkën në duar, se do të habiteshe me pamjen e përçudnuar të botës njerëzore që do të vizitonin”.  “Njerëz pa fytyra, veç me sy.  Kishin ardhur aq shumë sy e ua kishim prishur qetësinë.  Ti ke ditur t’i lexosh sytë e njerëzve, të zbulosh të fshehtat e tyre e thikat pas shpine, që t’i ruanin.  Po tash janë shumuar thikat shpirti jem, në çdo anë secili therë secilin, e fshehet pas maskave të liderëve.  Ideali u shkel e u harru, si të zhdukurit e luftës.  Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës.  Asesi s’po e gjejmë kush është Diogjeni, kujt t’ia besojmë shpirtin kur dreqërit me rroba engjëjsh po vishen e mbi kokat tona daullet e patriotizmit i rrahin në emër të dheut e atdheut.  Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon! Pusho i qetë shpirti im, se t’i vetëm ditëlindje ke! Pusho, me bindjen se ngjyrat e lirisë janë ashtu siç i ëndërrove e pikturove me dashurinë e përjetshme” përfundon bashkshortja e Agim Ramadanit kujtimin e saj në këtë ditëindje të dashurit të saj të renë heroikisht për çlirimin e Kosovës.

Siç thashë më lartë, viteve të kaluara janë gjetur mënyra për të shënuar denjësisht ditëlindjen e Heroit të Kombit, Agim Ramadani, përfshir mitingje kulturore madje edhe në Mirditë, nga ku thuhet se rrjedhë familja e Agim Ramadanit dhe në vendlinjen e tij në Zheger të Gjilanit janë mbajtur rregullisht manifestime tradicionale në kujtim të këtij heroi.  Përveç kujtimeve në mënyrë unikale, një manifestim i tillë tradicional kulturor është mbajtur dy vjet më parë, më 3 maj, 2018 në sheshin e lirisë të fshatit Zheger të Gjilanit, në përvjetorin e lindjes së legjendarit Agim Ramadani e ku morën pjesë Ansambli Mirdita “Mjeshtër i Madh” dhe artisti i Kombit Reshat Arbana, të ardhur nga Shqipëria: https://www.youtube.com/watch?v=X1XipE-3fSc

Ishte me atë rast, që bashkshortja e legjendarit Agim Ramadani, Zonja Shukrije Ramadani me mirënjohje të thellë, para mijëra vetave pjesëmarrës në atë manifestim, falënderoi organizatorin e tij manifetsimi, Besnik Pacin nga Mirëdita, duke iu drejtuar me këto fjalë: “I dashuri vëlla, kënaqësinë që na ofrove sot duke na nderuar me grupin e mrekulluellueshëm nga Mirdita dhe me të Madhin Reshat Arbana, është e papërshkrueshme.  Pak është të them faleminderit, por nuk mund të mos them që sot prania e mirditorëve më dha ndjenjen e Bashkimit Kombëtar.   Më ofroi ëndërrën e realizuar të Agimit.  Ne ishim bashkë sot dhe bashkë përkujtuam Agimin tonë.  A nuk është kjo liria për të cilën u flijua Agimi ynë.  Ai sot festoi bashkë me ne, në sheshin e lirisë. Qofshi me jetë të gjatë e të lumtur e këndofshi për lumturinë dhe dashurinë e gjeneratave të reja”, është shprehur ajo me përmallim. Ndërsa, njëkohësisht, në përshëndetjen e saj drejtuar artistit të madh Reshat Arbana, ajo do të fliste për lidhjen e bashkshortit të saj — legjendarit, Heroit të Kombit, Agim Ramadani — me zërin e interpretimit të vargjeve të Fishtës së Madhe nga artisti i Madh i Kombit, Reshat Arbanës.  Ajo zbuloi, me atë rast, dashurinë e bashkshortit të saj për poezitë e Fishtës duke thënë se para se të nisej për në betejën e fundit, Agim Ramadani, sipas saj, kishte marrë me vete kasetën me poezinë e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës.“Deshta me ju lanë një kujtim, kur e pashë të Madhin Reshat Arbana kur erdhi.  Agimi kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh.  Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha, shiqo.  Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut..Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë.  Dhe sot kur e shoh para nesh Reshat Arbanën, u them të drejtën se u emocionova pa masë” u ka thënë të pranishmve Shukrije Ramadani, se si bashkshorti i saj dhe Heroi i Kombit, Agim Ramadani, mbushej me frymëzim nga vargjet e At Gjergj Fishtës. 

Sa doemthenës ky kujtim i Shukrije Ramadanit, që e ndanë me të gjithë ne — respektin që kishte bashkshorti i sa Agim Ramadani për Poetin Kombëtar, At Gjergj Fishtës, i cili, siç shkruan At Danijel Gjeçaj, “qau me lotë gjaku kur padrejtësitë e të mëdhejve dhe dhuna e të fortëve ndau prej trupit të Atdheut, Kosovë e Çamëri, Hot e Grudë, Plavë e Guci”.

Mjerisht. At Gjergj Fishta, gjithnjë, “ashtë i mbuluem me mëni tradhëtie në Atdhe”, ka shkrua Gjeçaj.  Duke lexuar fjalët e Shukrije Ramadanit, “Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon”, në kujtimin sot të bashkshortit të saj, mu kujtua një shkrim i At Daniel Gjeçajt për Fishtën e Madh: “Perse, sakt Fishta, po të çonte kryet prej vorri, kish me na mallkue dhe me namë mal të thatë kish gjaku i Deshmorve, që krah për krah ranë flije që Bashkimin kombëtar me e ruejt.. se prej fjalorit të shqipes, Bashkimin duen me e shlye dhe në lojë vemë burrat që për ‘të veprojnë…”. Ndërkohë që sipas Shukrije Ramadanit sot, “Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës”.

Në 57-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, vet Agim Ramadani do t’i ankohej Perendisë me fjalët e frymëzuesi të tij, Poetit Kombëtar At Gjergj Fishtës: 

                    “O Perendi, a ndjeve? 

                    Tradhtarët na lanë pa Atdhe

                    E ti rrin e gjuen me rrufe,

                    Lisat nepër male, kot” (Gjergj Fishta)

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Ramadani, At Fishta, Frank shkreli

RREGULLAT DHE URTIA

May 3, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

“Sa i përket institucioneve dhe ligjeve, jam në mëdyshje se cili I vë më shumë në rrezik më të madh, ai që i sheh tepër format, apo ai që nuk i sheh mjaft.”/

Arturo Graf (1848 – 1913), poet, shkrimtar e kritik italian/

            Kaloi një muaj që nga dita kur grupi mjekësor shqiptar shkoi n’Italinë e goditur ashpër nga pandemia, për të ndihmuar mjekësinë italiane, të zotuar në një nga frontet më të vështira të asaj dukurie, n’atë të Lombardisë. Ata djem e vajza, vullnetarë në një sipërmarrje që nuk përjashtonte aspak rrezikun e përditshëm të infektimit, me të gjitha pasojat e tij, u bënë zëdhënës  të vlerave tradicionale shqiptare, duke i sjellë popullit mik italian solidaritetin e banorëve të bregut lindor t’Adriatikut, në një kohë të pazakontë të fatkeqësisë së tyre .

            Qe një muaj pune të heshtur e vetmohuese, së bashku me kolegët e koleget vëndase në spitalin e Breshias, që u kurorëzua me sukses, sepse korona-virusi u vu në rrugën e thyerjes. Gjatë atij muaji u shpëtuan qindra e mijra jetë njerëzore. Grupi i shqiptarëve dha ndihmesën e tij bujare e të ndërgjegjëshme, n’atë vepër tejet humanitare, duke e shoqëruar punën e tij edhe me dhimbjen e përditëshme të humbjeve njerëzore. Mbasi e mbaroi misionin e tij u bë gati të kthehej në atdhe, duke marrë me vehte përvojën e fituar, së bashku me mirënjohjen e pacientëve dhe të kolegëve.

            Mbasi i u nënshtruan kontrolleve mjekësore që vërtetuan, fatmirësisht, gjëndjen e tyre të mirë shëndetësore, një lajm ky tepër i gëzueshëm për shumë arsye, vetvetiu u lindi ideja t’a shfaqnin këtë gëzim me njëri tjetrin atje, para se të merrnin aeroplanin për në Tiranë. Në hotelin që i kishte mirëpritur për një muaj të tërë, ata “harruan “ se ishin në një gjëndje karantine që, me rregullat e saj “të pathyeshme” ndalonte zhurmat dhe grumbullimin e njerëzve. Bisedat, gëzimi, madje edhe ndonjë këngë shqiptare ishin shprehje spontane të gjëndjes shpirtërore të përbashkët të një grupi njerëzish, që kishin kryer një vepër fisnike, për të cilën ndjenin kënaqësinë e merituar.

            Por rregullat ishin thyer. Një “ushtar” i bindur i respektimit të tyre, pronari i hotelit, pa u thelluar aspak në domethënien e dukurisë lajmëroi organet e rendit. Megjithëse shqiptarët nuk po i jepnin askujt bezdi me këngët e Vendit të tyre, ruajtësit e rendit vërejtën shkeljen dhe morën masa me gjobitjen e tyre. Kjo qe, me pak fjalë, kronika e ngjarjes, lajmi i së cilës u përhap me shpejtësi nga mediat vëndase. Ky lajm për këdo, aq më tepër për bashkatdhetarët e tyre n’Itali, qe një motiv shqetësimi e, në një farë mënyre nxit përsiatjen për vetë përmbajtjen e tij.

            A e meritonin, nga ana njerëzore, ata shërbyes e shërbyese të mjekësisë shqiptare një masë të tillë ndëshkimi, sepse shkelën rregullin, duke kënduar këngë të Vëndit të tyre, me rastin e fundit të bukur të një detyre njerëzore e atdhetare, që shkonte në dobi të popullit italian, mik e dashamir i tyre, për të cilin nuk u kursyen, qoftë edhe me rrezikun e mundshëm mbi krye? Objektivisht si qytetar italo – shqiptar mendoj se jo. Me këtë nuk dua të them se jam kundër rregullave dhe zbatimit të tyre, larg meje ideja e një shoqërie e e një shteti pa rregulla të zbatuara e të detyrueshme për të gjithë. “Jemi skllevër të ligjeve për të mundur të jemi të lirë.”, shprehej më shumë se dymijë vite të shkuara letrari e gojtari i shkëlqyer romak, Ciceroni. Por si në çdo gjykim vështrimi i dukurisë duhet të shtrihet sa më gjërë e të mbajë parasysh rrethanat e prejardhjes së saj e pasojat që mund të shkaktojë në dëm të njerëzve të tjerë.

            Sikur ata italianë, që nuk qenë në gjëndje të kuptonin gjëndjen shpirtërore të atyre njerëzve që kishin “thyer” rregullat, të ishin thelluar pak më shumë, duke e shqyrtuar me më shumë mirëkuptim arsyen e dukurisë, pa plotësuar tekat e një pronari hoteli që në vënd të padisë duhej t’i kishte falënderuar ata njerëz se, në sajë të tyre ai u shpërblye në një kohë kur të gjithë hotelet e Italisë ishin të mbyllura, ndoshta nuk do të kishin marrë atë vendim gjobitjeje.

            Jam i bindur se 90 % e italianëve nuk janë në një mëndje me gjobvënësit e se e ndjejnë veten të fyer nga veprimi i tyre. Italianët të gjithë, që nga drejtuesit politikë, tek mediat e deri tek qytetarët e thjeshtë, shprehën mirënjohje e falënderim për qeverinë shqiptare, madje e quajtën atë dhuratë vullnetare të popullit tonë si një shënjë miqësie e mirkuptimi për Vendin e tyre. Sigurisht ajo gjobë nuk hyn në mendësinë e tyre, duke përfshirë këtu edhe respektimin e rregullave, por krijon një shqetësim të vogël në fundin e një vepre të bukur që shkruajtën vajzat e djemtë tanë, në muajin e fundit në Italinë mike.

            Ata dhe ne të gjithë duhet të jemi krenarë për punën e tyre, për qëndrimin, për lartësimin e vlerave tona, për gjithshka që përfaqësoi përvoja e tyre në këto tridhjetë ditë. Nuk ka asnjë veprim që të mund të cungojë vlerën e simbolikës t’asaj pune, për të cilën ata vajza e djem meritojnë gjithë mirënjohjen tonë.

            Por edhe kthimi n’atdhe, përsëri në sajë të rregullave, për një paradoks që nuk mban parasysh asnjë element të logjikës më fillestare, rrezikon të shkaktojë tek ata një tjetër zhgënjim, këtë herë nga Vendi i tyre. Ata duhet “të qëndrojnë në karantinë” edhe mbas një muaji që kanë luftuar fyt për fyti me koronavirusin e me vdekjen e mbasi testimi i kryer në Itali i ka nxjerrë krejtësisht të shëndoshë. Ky vendim që i mban larg jetës familjare e shoqërore, edhe për dy javë të tjera, më duket një tjetër shfaqje e ndërpretimit të ngurtë e shabllon të rregullave. Ata besoj se e kanë dhënë provën e tyre e janë shumë më të vetëdijshëm për detyrën e tyre profesionale se sa të gjithë autoritetet politike e shëndetësore që i venë në karantinë.

            Ata e kolegët e tyre në Shqipëri, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, të shpërndarë nëpër botë, të cilët punojnë në institucionet shëndetësore të Vëndeve më të përparuara, që japin përvojën e dijet e tyre në ekranet e kanaleve shqiptare të televizionit sot, në këtë kohë të vështirë pandemie botërore, janë përfaqësues të një populli të suksesëshëm, që ecën me hapin e të tjerëve, e duhet të shërbejnë si shembuj imitimi për ata që njëjtësohen me drejtimin politik të kombit e që, fatkeqësisht, çdo ditë e më tepër shfaqin mungesë të theksuar karakteri, aftësish, personaliteti, ndërgjegjeje kombëtare.

Maj 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Rregullat dhe urtia

THIRRJE AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË: MOS DERDHNI FONDE TË TJERA PËR TË SHPËTUAR NJË KAUZË TË DËSHTUAR

April 30, 2020 by dgreca

  “DON’T THROW GOOD MONEY AFTER BAD”/

  Nga Frank Shkreli/E vërteta është se e kam të vështirë të kritikoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, qoftë atë në Tiranë qoftë atë në Prishtinë.  Më vjen keq sepse si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan, për 50-vjet tani, por edhe si një shqiptaro-amerikan që kam patur privilegjin dhe nderin të punoj nga afër me shumë diplomatë amerikanë të akredituar në trojet shqiptare për disa dekada dhe për të cilët ruaj gjithnjë kujtime shumë të mira dhe respekt.  Kishim pritur për pothuaj një shekull – që Kombi amerikan, më në fund, të zyrtarizonte lidhjet historikisht mike me Kombin shqiptar, të ndërprera për një kohë të gjatë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës.  Falë nderës Zotit, sot kemi dy ambasada amerikane në trojet shqiptare: një në Tiranë e tjetra në Prishtinë — në Kosovën e çliruar, falë, kryesisht, ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë.  Për këto lidhje midis dy kombeve tona, unë si shqiptaro-amerikan dhe ne si komunitet këtu në Shtetet e Bashkuara, besoj se jemi shumë krenarë për punën e dy ambasadave tona në Tiranë dhe Prishtinë dhe në përgjithësi, gjatë tri dekadave të fundit kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në të gjitha fushat, ose në ndonjë rast të pakëndëshëm edhe kemi heshtur për ndonjë gjë, për hir të rrethanave të mbrendshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë. 

Por, kjo nuk do të thotë se ne si taksapagues amerikanë, me origjinë shqiptare, nuk kemi të drejtë të bëjmë vërejtje e madje edhe të kritikojmë mënyrat se si shpenzohen fondet e miratuara nga Kongresi amerikan, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Shtetet e Bashkuara, nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, për disa vite tani, kanë mbështetur fuqimisht me fonde dhe me ekspertiza të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, e cila sipas disa ekspertëve ka dështuar tanimë dhe sipas të tjerëve, në minimum, është e vonuar dhe nuk po zbatohet, megjithë derdhjen e fondeve të mëdha në këtë fushë nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Nuk kam asnjë dyshim se qëllimet e ambasadës amerikane në Tiranë, historikisht, kanë qenë dhe janë qëllim-mira dhe pa hile.  Por, ama sot në fillim të vitit 2020, pas shumë vjet përpjekjesh, duhet të pranohet se megjithë masat serioze të ambasadës amerikane për reformën në drejtësi në Shqipëri, ato përpjekje, sot për sot janë, fatkeqësisht, të deshtuara.  Jo se ambasada amerikane nuk ka bërë mjaft në këtë drejtim, por për arsye se kjo klasë politike, duke filluar nga kryeministri e poshtë, nuk e do këtë reformë dhe as nuk do e zbatojnë edhe po të arrihet në letër.

Prandaj u habita kur pashë një njoftim në faqen fejsbuk të Ambasadës amerikane në Tiranë sipas të cilit, në bazë të një Memorandumi të nenshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, është arrijtur një marrëveshje, “për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme”, me qëllim për të zgjidhur problemin e Gjykatës së Lartë e cila sipas njoftimit të ambasadës na paska aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura, për tu shqyrtuar.  Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt.”  More, vërtetë ka njerëz që besojnë se pas historisë së dështimeve të deritanishme në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tani do të identifikohet, “Një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë”, që do ta zbërthejnë njëherë e mirë sekretin e problemeve në sistemin juridik shqiptar, përfshirë dhe 35.000 dosjet e prapambetura dhe që nga puna e tyre të gjithë do të mbeten të kënaqur?  Beson njeri?  Ku ishin deri tani këta “juristë të zotë”?  Mos janë edhe këta pjesë e atyre juristëve të “zotë” që e kanë sjellur sistemin e drejtësisë në Shqipëri në këtë katastrofë, në të cilin gjëndet tani!  Keni ndonjë barometër të besueshëm për të matur pikëpamjet e shqiptarëve ndaj përpjekjeve për “reformën në drejtësi”, dhe ndaj juristëve të “zotë” shqiptarë në përgjithësi, megjithëse jam i sigurt se në radhët e tyre ka edhe të ndërshëm dhe profesionistë?

Vërtetë pret ambasada amerikane në Tiranë se me këtë Memorandum të nënshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, dhe me gjithë fondet amerikane që do të derdhën përsëri “për reformën shqiptare në drejtësi”, megjithëse shuma nuk përmendet në njoftim — numri i këtyre 35.000 çeshtjeve të prapambetura, do të zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur, siç thuhet në njoftim!?

Është një thënje amerikane, “throwing good money after bad”, që në thelb i referohet një situate kur dikush shpenzon fonde shtesë, në përpjekje për të shpëtuar një plan të mëparshëm të dështuar.  Si një taksapagues amerikan, më duket se kjo nismë nuk duhej të ndodhte në këtë rast.  E kuptoj se në të kaluarën janë harxhuar shumë fonde qeveritare amerikane dhe shumë kohë është kaluar nga eskpertë amerikanë gjatë viteve në Tiranë dhe se është shumë e vështirë të pranohet se të gjitha ato shpenzime e mundime gjatë viteve kanë shkuar kot.  Por shpenzimi i fondeve të tjera shtesë, siç propozohet me Memorandumin e lartë- përmendur, mund të jetë një aventurë tjetër e rrezikshme, jo vetëm e pa dobishme për objektivin e caktuar, por mund të jetë katastrofike për systemin e drejtësisë.  Pas 30-vjetë përvojë në Shqipërinë post-komuniste, duhet të jeni të vetdijshëm se dollarët në vetvete nuk do të zgjidhin problemet në Shqipëri dhe aq më pak problemet në sistemin juridik të atij vendi.  Po të kishte qenë një firmë private amerikane që do të kishte derdhur aq shumë fonde dhe investime pa sukses në fusha të ndryshme, sa ka derdhur qeveria amerikane në Shqipëri gjatë 30-viteve të marrëdhënieve dy-palëshe– dhe jo vetëm qeveria amerikane – një firmë e tillë do të kishte falimentuar me kohë. 

Kur flasim për vlera të përbashkëta, shqiptarët mund të jenë pro-amerikanë, por jo kjo klasë politike, megjithëse, sa për sy e faqe, ata shprehen se janë më pro-amerikanët në botë dhe u pëlqen të dalin në fotografi me zyrtarë të lartë amerikanë. Pretednimet e tyre pro-amerikane janë një hipokrizi e shekullit!  Të jesh pro-amerikan do të thotë të ndajsh të njëjtat vlera me Amerikën, përfshir sensin e drejtësisë dhe respektin për njerzit, të drejtat e tyre themelore, trajtimin e barabart dhe mirëqenjen e tyre.  Janë pra një serë idesh e parimesh dhe vizionesh që përbëjnë vlerat e përbashkëta.  Nëqoftse do të merret seriozisht kjo klasë politike shqiptare, ajo duhet të bëjë më shumë në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe jo vetëm të flasin për to.

Shumë prej këtyre politikanëve shqiptarë, nuk kanë asgjë të bëjnë me Amerikën, as me vlerat amerikane, fatkeqësisht.  Kam drojë se kjo klasë politike e ka përcaktuar tanimë veten se në ç’drejtim do ta çojë Shqipërinë duke e vrarë të ardhmen e brezave, ndonëse në përgjithësi, animet politike autoritare të udhëheqjes janë kundër vullnetit të popullit të saj, një pjesë e të cilit po voton me kembë duke u larguar nga vendi për në perëndim, për arsye të gjëndjes së krijuar ekonomike dhe politike – përfshir mungesën e një reforme të sistemit juridik.  Kryeministri i vendit shpreh haptas admirimin e tij për udhëheqsit autokratë të rajonit dhe për sistemet politike të kontrolluara prej tyre.  A është kjo një politikë që duhet të mbështetet me fondet e taksa paguesve amerikanë?  Së fundmi, qeveria e kryeministrit Rama i ka kërkuar KE-së që Shqipëria të tërhiqet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, sikur vetëm Shqipëria po përballet me pandeminë.  Është modeli i drejtësisë autoritare dhe jo ai i bazuar në sistemin amerikan, që kjo klasë politike po ndërton në Shqipëri.  Jo vlerat amerikane, të ndarjes së pushteteve, përfshir sistemin juridik dhe qeverisjen demokratike, “të popullit, nga populli dhe për popullin”.  Është e qartë se këta nuk kanë dashur as nuk duan reformë në drejtësi dhe as antarësim në Bashkimin Evropian.  Kjo marrveshje midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar më duket si një shpenzim i kotë.

Si një shtetas amerikan, i them këto fjalë në frymën e mesazhit që kishte ndarë me kolegët e tij ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në Munich në vitin 2104:

”Jemi krenarë”, ka thënë ai se -”Ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.”  Kështuqë, ka thënë ai, ne i bashkohemi këtij dialogu me ju këtu në Munih, “duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i shohim në vende të tjera, duke u bazuar në pikëpamjet dhe vlerat tona”.

Prandaj, është më mirë të pranohet pra se përpjekjet, sado të drejta dhe të nevojshme që janë për një reformë rrënjësore në drejtësinë shqiptare, kanë dështuar!  Jo për arsye të mungesës së vullnetit të ambasadës dhe ndihmës amerikane për reformën në drejtësi, por në saje të mos vullnetit të klasës politike e cila mbron me çdo kusht interesat e veta dhe të oligarkëve të tyre mbështetës, në kurriz të interesave dhe të drejtave dhe lirive të popullit.  Si një shtetas krenar dhe taksapagues amerikan protestoj që të vazhdohet në këtë mënyrë — që taksat e mia të përdoren për aventura dhe kauza të dështuara, për të mbajtur në pushtet një klasë politike të dështuar dhe moralisht të korruptuar e cila në thelb nuk ndanë asnjë vlerë njerëzore, morale, politike, as drejtësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e them me plot bindje por edhe me dhimbje në zemër për bashkatadhetarët e mi sepse shoh, që siç është shprehur John Kerry, 6-vjet më parë në konferencën e Munichut në lidhje me influencat e oligarkëve, sidomos në Ballkan, se 6-vjet më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në Shqipëri as në Kosovë. 

“Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave ndërkohë që përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar në ambientin e tyre”, ka thenë Xhon Kerri.  Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin e politikanëve dhe të zgjedhjeve — është një referencë e qartë se në këtë mes bota perëndimore nuk ndanë me këta politikanë dhe oligarkë pasurinë e përbashkët të vlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e Munihut.  Oligarkët dhe interesat e tyre i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe kanë helmuar e korruptuar klasën politike dhe median, për interes të tyre.

Prandaj është më mirë, që përsa i përket reformës së dështuar në drejtësi — dhe para se të derdhen fonde të tjera amerikane si në pus pa fund — të fillohet nga e para ose të hiqet dorë fare nga një përpjekje e tillë sado e dobishme dhe sado e nevojshme që të duket të jetë kjo nismë fisnike, por e gabuar.  Për ndryshe, si përfundim, rrezikohet që populli shqiptar të humbas besueshmërinë tek ambasada dhe shpresën tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si shumica e shqiptarëve e kanë humbur me kohë shpresën tek kjo klasë politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe gjithë spektrit politik shqiptar, pa dallim.  Mbaj mend një këshillë nga një redaktor i vjetër kur kisha filluar punën tek Zëri i Amerikës në fillim të 1970-ave — natyrisht në kontekstin e gazetarisë radiofonike të asaj kohe — i cili më pat thënë se do bëjsh gabime në karierën tënde, por kujdes e mos humb besueshmërinë tek dëgjuesit, sepse nëqoftse humb besueshmërinë tek dëgjuesit, ke humbur çdo gjë dhe të shkon mundi kot.

Frank Shkreli

U.S. Embassy-Tirana

6 hrs · 

?? | Gjykata e Lartë ka aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura. Për të zgjidhur këtë problem, USAID dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor Shqiptar nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi më 29 prill, për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme. Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara mbështetën fuqimisht miratimin e reformave gjyqësore, ashtu ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë dhe në kohë të këtyre reformave. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne presim të shohim numrin e prapambetur të këyre çështjeve që zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

?? | The High Court currently has a backlog of almost 35,000 cases. To address this problem, USAID and the Albanian High Judicial Council (HJC) signed a Memorandum of Understanding (MOU) on April 29 to provide necessary technical assistance. Under the MOU, a special team of bright Albanian lawyers will be hired to assist the court to operate more efficiently and allow judges to make decisions more quickly. Just as the United States strongly supported the adoption of judicial reforms, we strongly support the full, timely implementation of these reforms. Justice delayed is justice denied. We look forward to seeing the backlog of cases reduced as quickly as possible

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasades amerikane, Frank shkreli, thirrje, Tirane

KOSOVA KËRCËNOHET NGA SERBIA E MADHE

April 27, 2020 by dgreca

DY LIBRA NË ANGLISHT MBI KOSOVËN TË AUTORIT ENVER BYTYÇI/

                                                 Nga Frank Shkreli/

 Autori dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe të Evropës jug-lindore, Profesori i shkencave politike dhe i historisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, pati mirësinë të më dërgonte kohët e fundit dy librat e tija të përkthyera në anglisht: “Kosovo Threatened by the Greater Serbia” (Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe) dhe “Coercive Diplomacy of Nato in Kosovo” (Diplomacia e Imponuar e Nato-s në Kosovë).  Libri, “Diplomacia e NATO-s në Kosovë” e studiuesit dhe historianit Enver Bytyçi është botuar në anglisht në vitin 2015 nga Shtëpia Botuese Cambridge Scholars Publishing, ku trajtohet, siç sugjeron edhe titulli, diplomacia e NATO-s në Kosovë, duke i ofruar lexuesit një pasqyrë të gjithëanshme të ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës.  Por, po përqendrohemi tek libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, botuar kohët e fundit, në përgjigje të hedhjes së tezës për korigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, është botuar anglisht dhe shqip nga Instituti i Studimeve të Evropës Jug-lindore dhe është promovuar nga fundi i Janarit që kaloi në Tiranë dhe në Prishtinë.  Kjo monografi është një përmbledhje dokumentacioni mbi ngjarjet historike mbi Kosovën, ku në thelb, autori trajton çështjen e kufijve të Kosovës me Serbinë, duke argumentuar se ndryshimi, rishqyrtimi, korrigjimi i kufijve, rregullimi ose demarkacioni, ose sido që ta quajnë sot mbështetsit e kësaj teze ndryshimin e kufijve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë – është një precedent tepër i rrezikshëm për paqën dhe stabilitetin afat-shkurtë dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.  Profesor Bytyçi me të drejtë e konsideron ndryshimin e mundëshëm të kufijve midis dy vendeve, si një akt që është në interesin e Serbisë dhe që si i tillë kontribon drejt realizimit të planit afatgjatë dhe ëndërrës shekullore të Beogradit, për krijimin e Serbisë së Madhe.

Autori ka zgjedhur kohën më të përshtatëshme për të botuar në anglisht monografinë “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndërkohë që qendrat kryesore botërore – Washingtoni dhe Brukseli – po përgatiten të rifillojnë bisedimet e planifikuara, ose siç e qujanë ato, “dialogun” midis Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje “gjithëpërfëshirse”, e cila sipas shumë eskpertëve do të përfshijë edhe ndryshimin, ose të pakën rishqyrtimin e kufijve midis dy vendeve.  Megjithëse zëdhënës të ndryshëm, sidomos në Washington, pretendojnë se propozimi për ndryshim të kufijve nuk është në tavolinë, përfshir edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Ambasadorin Richard Grenell, ndërsa evropianët janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve midis dy vendeve.  Megjithkëtë, në këtë ndërkohë, duke parë se diçka po vlon në ketë mes, Kongresisti amerikan dhe mik i kahmotshëm i shqiptarëve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Dhomës së Deputetëve për Punët e Jashtme, ka shprehur, ditët e fundit, shqetësimet e tija mbi politikën aktuale amerikane ndaj Kosovës. 

Ndërkohë që Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e kryesuar nga ish-deputeti amerikan Joe Dioguardi, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të largojë ambasadorin Richard Grenell nga detyra e tij si i Dërguari Special i tij për dialogun Kosovë -Serbi,  “Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA).  Kjo organizatë lobiste shqiptaro-amerikane, njëkohësisht, kritikon ashpër edhe klasën politike të Kosovës në krye me Presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se nga një ndryshim i kufijve, jo vetëm që do të humbiste Kosova, por do të fitonte Serbia dhe jo vetëm Serbia, por edhe aleatja e saj historike, Rusia: “Pa dyshim, ndarja do të trimëronte si Serbinë ashtu edhe Rusinë dhe aspiratat e tyre hegjemone për dominim në Evropën Juglindore dhe hyrjen në detin Adriatik”, thuhet në letrën e hapur të LQSHA-s.  Me fjalë të tjera, punët shqiptare janë ndërlikuar shumë keq dhe për fat të keq, mund të keqësohen e dhe më shumë.  Libri i historianit Enver Bytyçi “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe” e përkthyer në anglisht, është një kontribut i vlefshëm në debatin aktual të këtyre çështjeve madhore në këtë moment të historisë së shqiptarëve.

Do të sugjeroja që të gjithë protagonistët në këtë mes — kombëtarë dhe ndërkombëtarë — të lexojnë monografinë e Profesor Enver Bytyçit.  Në debatin aktual, Enver Bytyci ofron, jo vetëm, fakte e dokumentacion të dobishëm për gjëndjen e krijuar por ofron edhe këshilla se si duhet të dilet nga ky qorrsokak i politikës shqiptare në Kosovë, por edhe politikës së ngatërruar ndërshiptare, midis Tiranës dhe Prishtinës.  Ndajë shqetësimin tim me autorin e nderuar dhe jam dakort me të — ashtu siç kam shkruar edhe disa herë në të kaluarën — se mungesa e këshillimeve dhe bashkrendimeve të qëndrimeve në radhët e udhëheqësve shqiptarë, për një politikë aq me rëndësi, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi dhe ndryshimi i mundëshëm i kufijve — është një politikë e papërgjegjëshme nga ana e kësaj klase politike, për të mos thenë edhe skandaloze, ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve.  Siç është i papërgjegjëshëm edhe i ashtuquajturi procesi “minishengen”, i udhëhequr nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, një proces ky që kundërshtohet nga Kosova pasi nuk merr aspak parasyshë shqetësimet dhe as interesat e Kosovës, në këtë proces. 

Ku është strategjia kombëtare e platformës mbarë-shqiptare për “minishengenin” ballkanik dhe ku janë këshillimet dhe bashkrendimet e politikave me institucionet përkatëse midis dy shteteve shqiptare?  Mos pasja e një politike të bashkrenduar midis Shqipërisë dhe Kosovës, për parimet e mëdha të interesit kombëtar, jo vetëm që është skandaloze, por mund të konsideorhet edhe kriminale ndaj interesave kombëtare.

Pajtohem edhe me mendimet dhe kritikat e Profesorit Enver Bytyçit, autorit të monografisë, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndajë politikës së gabuar të Tiranës përsa u përket shumë çështjeve të pazgjidhura Kosovë-Serbi – e sidomos, procesit ndaj procesit “minishengen” të kohëve të fundit, si një politikë e gabuara që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendos përsëri Beogradin në qendër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re”, e cila i shërben kryekëput interesave të Serbisë së Madhe, ndërkohë që njëkohësisht, i hap dyert edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës në Ballkanin Perëndimor.  Dikush prej këtyre udhëheqësve shqiptarë që mbështesin këtë proces, duhet të shpjegojë se si një rol i përforcuar politik, ekonomik dhe ushtarak i Rusisë në Balkan dhe në Evropën Jug-lindore, është në favor të interesave kombëtare të shqiptarëve?!

Për ata që duan të dinë se pse kjo politikë është e gabuar, le të lexojnë librin e posa botuar në anglisht dhe shqip të Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”.  Eksperti i politikës dhe i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare bën paralajmërimin e tij se Tirana zyrtare me politikën e saj, sidomos, me politikën minishengen për Ballkanin Perëndimor, po dëmton dhe mund të shkatërrojë pavarësinë shtetërore të Republikës së Kosovës.  Ai e quan këtë politikë si terësisht anti-shqiptare sepse, shkruan autori, ky proces thekson dhe mbështetë një politikë që drejtohet nga Beogradi dhe jo nga Brukseli, drejtë integrimeve të plota euro-atlantike të shqiptarëve, një ide dhe dëshirë kjo e kahmotëshme e shumicës së shqiptarëve. Tridhjetë vjet pas shembjes së komunizmit dhe pak më shumë se 20-vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pas 12-vjetë pavarësi, Kombi shqiptar, si asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe, gjëndet përballë një krize të një rreziku të përmbrendshëm, një rreziku të shkaktuar nga vet shqiptarët.

Kjo krizë për të cilën kanë kontribuar vet me politikat e tyre të papërgjegjëshme nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, fatkeqësisht, i gjenë udhëheqësit politikë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të pa përgatitur, të zbuluar krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, duke mos ditur se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide të re dhe pa asnjë strategji politike kombëtare, se si duhet shkuar përpara.  Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa ofruar asnjë marrëveshje as vizion të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht, aktualisht, pasi ka “hedhur gurin e tani fsheh dorën”.  E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare.  Ekziston pra një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë dhe jo vetëm kërcënimit, por edhe mundësisë së krijimit të një Serbie të Madhe, në kurriz të interesave të Kosovës dhe të shqitarëve në përgjithësi. 

Fatkeqsisht, për fatet tona, kriza shëndetsore botërore e shkaktuar nga koronavirusi vdekjeprurës, i ka ndërlikuar edhe më shumë punët e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe interesimin e miqëve tradicionalë të shqiptarëve, të cilët ashtu si e gjithë bota përballen me hallet e veta, si përfundim i kësaj epidemie dhe është vëshitër që ti kushtojnë vëmendje një zone të largët të Balalkanit, me të cilën edhe mund të jetë lodhur edhe opinion public amerikan dhe perëndimor. 

Prandaj, para se të fajësojmë amerikanët por edhe të tjerët për ngërçin e punëve tona, duhet që të drejtojmë gishtin e akuzës atje ku në të vërtetë duhet ta drejtojmë: ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare dhe politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme.  Libri i Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, furnizon në gjuhën anglisht — jo vetëm lexuesin e thjeshtë por edhe protagonistët ndërkombëtarë që merren me punët e Ballkanit Perëndimor — me analiza të dobishme, dokumentacion, fakte dhe ide, nga të cilat, sipas Wolfgang Grossruck, ish-presidenti Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, gjithashtu “do të përfitojnë edhe politikëbërsit rajonalë që të mendojnë dhe të veprojnë në mbështetje të demokracisë, paqës dhe sigurisë në rajonin e Evropës Jug-lindore”.

                              Autori i librit, Profesor Enver Bytyçi

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Frank shkreli, Kosova e Kercenuar nga Serbia e Madhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 364
  • 365
  • 366
  • 367
  • 368
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT