NGA EUGJEN MERLIKA/
“Sa i përket institucioneve dhe ligjeve, jam në mëdyshje se cili I vë më shumë në rrezik më të madh, ai që i sheh tepër format, apo ai që nuk i sheh mjaft.”/
Arturo Graf (1848 – 1913), poet, shkrimtar e kritik italian/
Kaloi një muaj që nga dita kur grupi mjekësor shqiptar shkoi n’Italinë e goditur ashpër nga pandemia, për të ndihmuar mjekësinë italiane, të zotuar në një nga frontet më të vështira të asaj dukurie, n’atë të Lombardisë. Ata djem e vajza, vullnetarë në një sipërmarrje që nuk përjashtonte aspak rrezikun e përditshëm të infektimit, me të gjitha pasojat e tij, u bënë zëdhënës të vlerave tradicionale shqiptare, duke i sjellë popullit mik italian solidaritetin e banorëve të bregut lindor t’Adriatikut, në një kohë të pazakontë të fatkeqësisë së tyre .
Qe një muaj pune të heshtur e vetmohuese, së bashku me kolegët e koleget vëndase në spitalin e Breshias, që u kurorëzua me sukses, sepse korona-virusi u vu në rrugën e thyerjes. Gjatë atij muaji u shpëtuan qindra e mijra jetë njerëzore. Grupi i shqiptarëve dha ndihmesën e tij bujare e të ndërgjegjëshme, n’atë vepër tejet humanitare, duke e shoqëruar punën e tij edhe me dhimbjen e përditëshme të humbjeve njerëzore. Mbasi e mbaroi misionin e tij u bë gati të kthehej në atdhe, duke marrë me vehte përvojën e fituar, së bashku me mirënjohjen e pacientëve dhe të kolegëve.
Mbasi i u nënshtruan kontrolleve mjekësore që vërtetuan, fatmirësisht, gjëndjen e tyre të mirë shëndetësore, një lajm ky tepër i gëzueshëm për shumë arsye, vetvetiu u lindi ideja t’a shfaqnin këtë gëzim me njëri tjetrin atje, para se të merrnin aeroplanin për në Tiranë. Në hotelin që i kishte mirëpritur për një muaj të tërë, ata “harruan “ se ishin në një gjëndje karantine që, me rregullat e saj “të pathyeshme” ndalonte zhurmat dhe grumbullimin e njerëzve. Bisedat, gëzimi, madje edhe ndonjë këngë shqiptare ishin shprehje spontane të gjëndjes shpirtërore të përbashkët të një grupi njerëzish, që kishin kryer një vepër fisnike, për të cilën ndjenin kënaqësinë e merituar.
Por rregullat ishin thyer. Një “ushtar” i bindur i respektimit të tyre, pronari i hotelit, pa u thelluar aspak në domethënien e dukurisë lajmëroi organet e rendit. Megjithëse shqiptarët nuk po i jepnin askujt bezdi me këngët e Vendit të tyre, ruajtësit e rendit vërejtën shkeljen dhe morën masa me gjobitjen e tyre. Kjo qe, me pak fjalë, kronika e ngjarjes, lajmi i së cilës u përhap me shpejtësi nga mediat vëndase. Ky lajm për këdo, aq më tepër për bashkatdhetarët e tyre n’Itali, qe një motiv shqetësimi e, në një farë mënyre nxit përsiatjen për vetë përmbajtjen e tij.
A e meritonin, nga ana njerëzore, ata shërbyes e shërbyese të mjekësisë shqiptare një masë të tillë ndëshkimi, sepse shkelën rregullin, duke kënduar këngë të Vëndit të tyre, me rastin e fundit të bukur të një detyre njerëzore e atdhetare, që shkonte në dobi të popullit italian, mik e dashamir i tyre, për të cilin nuk u kursyen, qoftë edhe me rrezikun e mundshëm mbi krye? Objektivisht si qytetar italo – shqiptar mendoj se jo. Me këtë nuk dua të them se jam kundër rregullave dhe zbatimit të tyre, larg meje ideja e një shoqërie e e një shteti pa rregulla të zbatuara e të detyrueshme për të gjithë. “Jemi skllevër të ligjeve për të mundur të jemi të lirë.”, shprehej më shumë se dymijë vite të shkuara letrari e gojtari i shkëlqyer romak, Ciceroni. Por si në çdo gjykim vështrimi i dukurisë duhet të shtrihet sa më gjërë e të mbajë parasysh rrethanat e prejardhjes së saj e pasojat që mund të shkaktojë në dëm të njerëzve të tjerë.
Sikur ata italianë, që nuk qenë në gjëndje të kuptonin gjëndjen shpirtërore të atyre njerëzve që kishin “thyer” rregullat, të ishin thelluar pak më shumë, duke e shqyrtuar me më shumë mirëkuptim arsyen e dukurisë, pa plotësuar tekat e një pronari hoteli që në vënd të padisë duhej t’i kishte falënderuar ata njerëz se, në sajë të tyre ai u shpërblye në një kohë kur të gjithë hotelet e Italisë ishin të mbyllura, ndoshta nuk do të kishin marrë atë vendim gjobitjeje.
Jam i bindur se 90 % e italianëve nuk janë në një mëndje me gjobvënësit e se e ndjejnë veten të fyer nga veprimi i tyre. Italianët të gjithë, që nga drejtuesit politikë, tek mediat e deri tek qytetarët e thjeshtë, shprehën mirënjohje e falënderim për qeverinë shqiptare, madje e quajtën atë dhuratë vullnetare të popullit tonë si një shënjë miqësie e mirkuptimi për Vendin e tyre. Sigurisht ajo gjobë nuk hyn në mendësinë e tyre, duke përfshirë këtu edhe respektimin e rregullave, por krijon një shqetësim të vogël në fundin e një vepre të bukur që shkruajtën vajzat e djemtë tanë, në muajin e fundit në Italinë mike.
Ata dhe ne të gjithë duhet të jemi krenarë për punën e tyre, për qëndrimin, për lartësimin e vlerave tona, për gjithshka që përfaqësoi përvoja e tyre në këto tridhjetë ditë. Nuk ka asnjë veprim që të mund të cungojë vlerën e simbolikës t’asaj pune, për të cilën ata vajza e djem meritojnë gjithë mirënjohjen tonë.
Por edhe kthimi n’atdhe, përsëri në sajë të rregullave, për një paradoks që nuk mban parasysh asnjë element të logjikës më fillestare, rrezikon të shkaktojë tek ata një tjetër zhgënjim, këtë herë nga Vendi i tyre. Ata duhet “të qëndrojnë në karantinë” edhe mbas një muaji që kanë luftuar fyt për fyti me koronavirusin e me vdekjen e mbasi testimi i kryer në Itali i ka nxjerrë krejtësisht të shëndoshë. Ky vendim që i mban larg jetës familjare e shoqërore, edhe për dy javë të tjera, më duket një tjetër shfaqje e ndërpretimit të ngurtë e shabllon të rregullave. Ata besoj se e kanë dhënë provën e tyre e janë shumë më të vetëdijshëm për detyrën e tyre profesionale se sa të gjithë autoritetet politike e shëndetësore që i venë në karantinë.
Ata e kolegët e tyre në Shqipëri, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, të shpërndarë nëpër botë, të cilët punojnë në institucionet shëndetësore të Vëndeve më të përparuara, që japin përvojën e dijet e tyre në ekranet e kanaleve shqiptare të televizionit sot, në këtë kohë të vështirë pandemie botërore, janë përfaqësues të një populli të suksesëshëm, që ecën me hapin e të tjerëve, e duhet të shërbejnë si shembuj imitimi për ata që njëjtësohen me drejtimin politik të kombit e që, fatkeqësisht, çdo ditë e më tepër shfaqin mungesë të theksuar karakteri, aftësish, personaliteti, ndërgjegjeje kombëtare.
Maj 2020