• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PUSHTETI (I PADUKSHËM) I PUTIN-IT NË PERËNDIM

August 3, 2019 by dgreca

Shkruar nga ANGELO PANEBIANCO-Corriere della Sera/

E përktheu per Diellin: Eugjen Merlika/

            Është e nevojshme të pyetet se çfarë ka kaq të kalbur në sistemin tonë, që të shtyjë një numur kaq të lartë njerëzish të simpatizojnë Rusinë.

            Sociologu francez Raymond Aron përmëndëte shpesh atë që ndoshta është I vetmi rast i dokumentuar i një takimi (në të vërtetë një ndeshje ballë për ballë) ndërmjet militantëve të lëvizjes së atëhershme studentore evropiano-perëndimore dhe mbështetësve të Pranverës së Pragës, një përpjekje për të liberalizuar një regjim komunist të shtypur nga autoblindat sovjetike më 20 gusht 1968. Në takimin – që   u mbajt, me gjasë, ndonjë muaj më parë asaj dite fatale – morën pjesë studentë çekosllovakë e studentë gjermanë. Çekosllovakët folën për dëshirat (e çiltëra?) të tyre: të mos ishin më të shtypur nga Brss e nga partia komuniste, të shliroheshin nga policia sekrete, të mos kërcënoheshin nga arrestimet arbitrare, të kishin të drejtën e fjalës etj. U përqeshën e u shanë nga studentët gjermanë, u paditën se kishin synime”të borgjezëve të vegjël” dhe, akoma më keq se ishin lakenj të pavetëdijshëm të imperializmit amerikan, se pengonin luftën kundër sistemit të kalbur e kriminal kapitalist. Takimi u mbyll papritmas kur njëri nga studentët çekosllovakë tha: ”Duhet të ketë vërtetë diçka të kalbur në sistemin tuaj derisa prodhon të marrë si juve”.

            E përshtatur në kohën tonë dh e shprehur me fjalë më të njerëzishme, pyetja bëhet: çfarë ka aq të kalbur në sistemin tonë që të shtyjë një numur kaq të lartë njerëzish të simpatizojnë Rusinë?Çfarë gjëje, në sistemin tonë të jetesës, krijon tek shumë prej bashkëqytetarëve tanë një ndijesi neverie, ndoti, aq të fortë sa që të ligjësojë simpatinë për Nënën e Shënjtë Rusi (dje në variantin sovjetik, sot në versionin putinian), ose për një botë që ende tani, pavarësisht nga të gjithë dallimet në krahasim me të shkuarën sovjetike, është krejt e ndryshme nga ajo perëndimore në të cilin kemi jetuar deri tashti? Përse aq bashkatdhetarë, sot e në të shkuarën, pësojnë joshjen fatale të “Despotizmit aziatik” (Federata ruse, si një kohë Brss, e akoma më heret perandoria cariste qëndron shaluar e në zgrip ndërmjet Evropës dhe Azisë)?

            Besoj se të kërkohet përgjigje për këtë pyetje është politikisht më e rëndësishme dhe interesante se të kërkohet të dihet nëse ka patur apo jo kalim rublash (apo një përpjekje n’atë drejtim) ndërmjet rusëve dhe Legës.Të vërtetojë si kanë shkuar punët, i takon një gjykatësi në fund të një proçesi të rregullt. Për të tjerat, kjo e rublave është një ndodhi që ngacmon kryesisht përfytyrimin e atyre që, prej Duarve të Pastra e mbrapa, janë mësuar të mendojnë politikën si një luftë e pandalëshme mes rojesh dhe hajdutësh.

Ajo që duhet të pyesim është pra pse le liasons dangereuses (lidhjet e rrezikëshme) ndëmjet rusëve dhe legistëve nuk i shqetësojnë aspak zgjedhësit e mësipërm. Mungesë njoftimesh? Për një pjesë të tyre ndoshta po. Por për një pjesë tjetër sigurisht jo. Janë mjaft që i njohin lidhjet ndërmjet Legës dhe Rusisë e i miratojnë. Përse? Duhet mbajtur parasysh fakti se është pikërisht simpatia e thellë e shumë bashkatdhetarëve tanëpër Rusinë i ka lejuar Legës të forcojë ato lidhje.

            Të kërkohet të shpjegohet simpatia për Rusinë është e barazvlerëshme shpesh me përpjekjen për të shpjeguar fuqinë e kundëramerikanizmit.Dy gjërat janë të lidhura: vlerësimi për Rusinë është pothuajse gjithmonë i bashkuar me armiqësinë për Shtetet e Bashkuara. Kundëramerikanizmi ka arsye të ndryshme në Vende të ndryshme evropiane. Në rastin italian sigurisht ka luajtur rol një paragjykim i lashtë me origjinë katolike kundrejt Vendeve protestantë. Por ka luajtur, mbi të gjitha, një armiqësi e fuqishme dhe e përhapur kundër atyre institucioneve të bashkëkohësisë perëndimore që janë ekonomia e tregut dhe demokracia përfaqësuese. 

            Natyrisht, një armiqësi e tillë nuk mundej të mos zbrazej mbi shoqërinë – simbol të asaj bashkëkohësie dhe Vendi udhëheqës i botës perëndimore. Për më tepër, në vartësi edhe mbi institucionet evropiane, të përceptuara me të drejtë si një kështjellë e dytë e asaj bote. Rusia, nga ana e saj, shihet si kampione e kundër bashkëkohësisë, e kundër – Perëndimit, e kundëramerikanizmit. Kur Putin, udhëheqës i një Vendi që demokracinë liberale nuk e ka njohur kurrë në gjithë historinë e tij, thotë se një demokraci e këtillë ka mbaruar, duke dashur të thotë se mënyra e jetesës perëndimore ka mbaruar, merr vlerësimin e atyre të shumtë që  e kanë urryer gjithmonë botën së cilës i përkasin.

            Me këtë është e qartë se nuk i jemi përgjigjur pyetjes: pse janë kaq të shumtë evropianët, e në rastin tonë italianët, të kundërt me shoqërinë e hapur e të lirë në të cilën jetojnë? Pyetje e vështirë. Për të rimarrë shprehjen e studentit çekosllovak, ku qëndron kalbësira? Ndokush mund të mendojë se është në karakterin “e panatyrshëm” të lirisë.

            Në këtë vështrim shumë njerëz parapëlqejnë që të jetë dikush tjetër që të mendojë për ta. Shumë kanë thjesht frikë nga liria (prandaj duhet t’a zhvlerësojnë në vetë sytë e tyre: t’a përcaktojnë si diçka të rreme, gënjyese). Parapëlqejnë shumë më tepër despotizmin se sa shoqërinë e lirë. Simbas këtij shtjellimi, do t’a ruajmë këtë shoqëri vetëm nëse arrijmë t’i mbajmë në mbikqyrje të gjithë kundërperëndimorët e shtëpisë sonë.

            Sido që të jetë, është një fakt që shemëri i Pjetrit të madh (cari aq i admiruar prej Putin-it, që modernizoi Rusinë për t’a bërë më agresive e të rrezikshme) mund të shfrytëzojë simpatitë e shtrira që gëzon. Do t’i shërbejnë atij dhe pasardhësve të tijnë garën që do të përcaktojë, ndërmjet fuqive të mëdha, zonat e ndikimit në kontinentin tonë të katandisur keq.

            Corriere della Sera, 14 korrik 2019      E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugen Merlika- Pushtet i Padukshem-Putini

LUTJA E SHQIPTARIT

August 1, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në botën ku jetoj unë dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare, gjatë gjithë vitit shënohen ditë në kujtim ose kushtuar personave të dalluar të historisë amerikane, çështjeve dhe subjekteve të ndryshme, llloj, lloj.  Një prej tyre është edhe Dita e Lutjeve, një ditë kjo që shënohet çdo vit të ënjtën e parë të muajit Maj.   Në këtë ditë, e cila e ka origjinën në vitin 1775, amerikanët inkurajohen të falënderojnë dhe t’i luten Zotit.   Kongresi Kontinental Amerikan kishte caktuar një lutje të përditshme, ndërsa themeluesit e këtij kombi po përpiqeshin të themelonin një shtet të ri.   Ç’prej asaj kohe, presidentët e ndryshëm gjatë historisë amerikane, u kanë kërkuar amerikanëve që t’i luten Zotit, sidomos në raste emergjente ose tregjedi kombëtare.   Por ishte viti 1952, atëherë kur Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi ligjin për Ditën Kombëtare të Lutjeve, nënshkruar nga Presidenti i atëhershëm demokrat, Harry Truman.   Ndërsa në vitin 1988 ka qenë presidenti republikan, Ronald Reagan, ai që ka nënshkruar një shtojcë ligjore, për të caktuar zyrtarisht të Ënjtën e parë të muajit Maj, si Ditën Kombëtare të Lutjeve.

Historikisht, çdo vit, presidentët e ndryshëm amerikanë kanë vazhduar këtë traditë duke shënuar Ditën Kombëtare të Lutjeve me një fjalim ose me ndonjë deklaratë të posaçme, ndërkohë që shumë amerikanë të feve të ndryshme, zakonisht, marrin pjesë në ceremoni fetare, në qendrat e tyre fetare të preferuara.

Në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtare të Lutjeve, Majin që kaloi në deklaratën e tij kushtuar kësaj dite, Presidenti  Donald Trump u shpreh se, “Sot në këtë Ditë Kombëtare të Lutjeve, të bashkuar, falënderojmë të Madhin Zot për bekimet e mëdha që Ai i ka dhënë Kombit tonë, ndërkohë që kërkojmë edhe ndihmën e Tij të përherëshme.   Ne gjithashtu pranojmë varësinë tonë në ndihmën dhe dashurinë e Zotit për të ndihmuar familjet, komunitetet dhe vendin tonë, për të na ruajtur nga e keqja dhe të fali begatinë dhe paqën…Sot lutemi gjithashtu që Perëndia të mbajë të fortë Atdheun tonë, të ruaj Forcat tona të Armatosura, ndërkohë që përballemi me sfida mbrenda dhe jashtë vendit.   Kjo traditë Kombëtare e lutjeve ka ruajtur dhe ka fuqizuar besimin tonë në Zotin dhe do të vazhdojë të na ndihmojë edhe në kohërat më të mira si dhe në momentet më të vështira.   Si Amerikanë që jemi, të mos harrojmë kurrë fquinë e lutjeve dhe madhështinë e Krijuesit tonë, ka thënë Presidenti amerikan, në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtare të Lutjeve, të ënjtën e parë të Majit që kaloi. 

Përballë kësaj historie dhe kulture fetare amerikane është e vështirë të marrim me mend politikanët e sotëm shqiptarë anë e mbanë trojeve –që përballë sfidave të mëdha me të cilët përballen sot shqiptarët — që në ditë të mira e të vështira — t’i drejtohen Zotit me lutjet e tyre për ndihmë dhe për bekim, për veten, për familjet e tyre e mbi të gjitha për Kombin e vet.   Që të pakën njëherë në vit të tregojnë përvujtërinë e tyre duke iu drejtuar Krijuesit për ndihmë dhe për bekim, siç ndodhë këtu në Amerikë me politikanët amerikanë, duke filluar nga presidenti.   Por duke shfletuar disa gazeta të vjetra të diasporës shqiptare të pas luftës, zbulova se — në një kohë kur Enver Hoxha ndonëse mohonte ekzistencën e Zotit, ai njëkohësisht i kishte deklaruar luftë Perendisë duke shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë – diaspora anti-komuniste shqiptare në Romë kishte Lutjen e saj për Ditën e Pavarësisë Kombëtare të të gjithë Shqiptarëve, pa dallim, “Lutja e Shqiptarit për Ditën e Flamurit”.   Nuk dihet autori i kësaj lutjeje që është botuar në gazetën e imigracionit politik shqiptar, “L’Albanie Libre” që botohej në Romë.   Është botuar në gazetën, ”L’Albanie Libre” me 28 Nëntor, 1961.  Është një lutje, që nuk i përket asnjë feje në veçanti, por është gjithëpërfshirse, pan-shqiptare, pa dallim feje, krahine e ideolgjie, drejtuar “Perendisë që është “Një për të Gjithë Shqiptarët e mbarë njerëzimin”, sipas lutjes.   Është një lutje drejtuar Zotit të Gjithëpushtetshëm, në atë periudhë historike, në kulmin e luftës së ftohtë.

E përzgjodha këtë lutje për lexuesin për dy arsye.   Një, sepse është një lutje gjithnjë aktuale edhe për gjëndjen e sotëme aktuale të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta, megjithëse është shkruar pothuaj 60-vjetë më parë.   Arsyeja tjetër është për të treguar dallimet në pikëpamjet dhe në botëkuptimet e këtyre burrave emigrantë antikomunistë shqiptarë në krahasim me regjimin e Enver Hoxhës që i kishte dëbuar nga Atdheu i tyre dhe i cili kishte filluar procesin e të ashtuquajturit “revolucion kulturor” alla kinezçe në Shqipëri, duke zhdukur nga faqja e dheut çdo ndikim dhe paraqitje fetare , pasi kishte eliminuar ose burgosur një numër të madh të klerikëve shqiptarë.   Një çmenduri vërtetë e një udhëheqsi të krisur dhe një tragjedi kombëtare!    Pason teksti i plotë i “Lutjes së Shqiptarit në Ditën e Flamurit”, drejtuar Perendisë nga përfaqsues të emigracionit antikomunist shqiptar pas luftës së dytë Botërore.   

Është një lutje që i kërkon falje por edhe ndihmën e Perëndisë për “fajet e merituara” pasi duke “mohuar urdhërat Tua, u armiqësuam ndërmjet veti na shqiptarët”, ndërkohë që na “mungojnë ndjenjat vëllazërore”, ndërsa “zemrat tona po kalben në urrejte, o Perendi”, duke i kërkuar Zotit të “përtërij zjarrin e dashurisë që vëllazëron, po deshte me na shpëtuar” dhe kërkon Afshin shelbues të vllaznisë Kombëtare”   Vijon teksti i plotë i “Lutja e Shqiptarit në Ditën e Flamurit”:

“O Perendi,që je Një për të gjithë Shqiptarë e mbarë njerërzimin,

Prire syrin Tëndë të mëshirshëm kah vuajtjet tona. 

Lehtëso peshën e mjerimeve që rëndon tash qindra vjetësh mbi kurrizin

e shpinës së kombit.

Ndoshta jemi fajtorë para Teje e Ti kërkon pastrimin tone nepër pendesën e merituar të fajeve.

Pra O Zot, mjaft jemi dërmuar e flijuar në rrokullim të motive,

Por megjithëkëtë jemi gati t’i shlyejmë mëktatet me dënesë e lotë,

Mjaft që përdëllesa e Jote ta ndrisë si rreze këndellëse fatin tonë të terratisur.

Çdo Arbnorit, Ti i falë dy gisht nderë në shteg të ballit.  Na u përpoqëm që dhuratën Tënde ta ruajmë nepër ndjekjen e gojdhanave stërgjyshore.

Por tepër gjat errësira na ka mbuluar errërsira. Tepër shumë rrufe zharritëse shkrepën mbi ne, tepër armiq prap na ndrydhin jetën anë e kand.

E jemi vetëm në këtë shekull, ku nuk punon e drejta dhe ku i shlyen gjurmët burrënisë.   Duke mohuar urdhërimet Tua, u armiqësuam ndërmjet veti na Shqiptarët, kështuqë na mungon, në çaste ngushtice, ngushullimi i ndiesisë vëllëzërore.  Ajli, zemërat tona u kalbën në resë e në urrejtje, o Perendi.

Përtërije Ti zjarrin e dashurisë që vëllazëron, po deshte me na shpëtuar.   Na jep në këtë ditë në të cilën kremtohen lidhjet e gjakut të përbashkët, afshin shëlbues të vëllazërisë kombëtare.   Bën që loti e vuajtja të ringjallin ndiesinë vëllazërore. Ban që ndiesija vëllazërore të jetë krypa e bukës tonë të përditëshme, drita e fjalëve që na burojnë në buzën e rreshkur  për krojet e humbura të atdheut, paalci I çdo veprimtarisë tone, flatra e deshirave flakruese kah  ka ato agime të bardha që Ti o Drejtësi e pambarueme, sigurisht na ke ruajtur në fund të stinave të mjerimit.

Na liro nga vneri i mënisë e i smirës dhe atëherë do të ngrehemi në dritën e kohërave të reja  për tu nisur me bekimin Tëndë kah vallja e agimeve fatbardha  që ngjallin pranverën mbi murana të Dëshmorëve të Lirisë, sjellin  hare lumnuese në prak të kasollave sot të mbytura në vaj dhe zgjojmë hymne galdimi në gojë të breznive të njoma për më të madhin lavd të Flamurit, tekembramja ngallënjyes  mbi çdo hije përdhunuese”.

Në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtre të Lutjeve në vitin 2015 këtu në Shtetet e Bashkuara, ish-Presidenti Barack Obama, është shprehur se, “Kur lutemi, kujtohemi se nuk jemi vetëm – dhe se shpresa jonë është një shpresë e përbashkët.   Lutja na kujton të ndajmë të mirën e të keqen me njëri tjetrin, na kujton gjithashtu se të gjithë jemi bij dhe bija të Perendisë….dhe se në periudha të vështira dhe përballë sfidave që shpesh duken të pa përballueshme, lutjet janë një forcë e fuqishme për paqë, drejtësi dhe për një të ardhme më të mire dhe më të ndritur….”

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-LUTJA E SHQIPTARIT

Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë

July 29, 2019 by dgreca

Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë/

*Nga Nebil Çika */

Tiranë 29 Korrik 2019/Kalvarit të të ashtuquajturës hapje e dosjeve të Sigurimit të Shtetit i është shtuar edhe një tjetër pengesë serioze. “Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” ka vënë në zbatim një VKM që detyron të përndjekurit politike antikomunistë, familjarët e tyre, studiuesit, gazetarët e të tjerë të interesuar për këto dosje të paguajnë para në se duan të marrin informacionin që kërkojnë.

Kjo VKM është në vazhdën e përpjekjeve që qeveria Rama, në konflikt interesi, po bën për të mbuluar me çdo kusht krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.

Ky akt është vazhdimësi e krimit komunist jo vetëm për faktin se po u kërkohet para nga shteti, viktimave për informacionin mbi krimet që vetë shteti ka kryer mbi ta dhe familjarët e tyre, por edhe për faktin se shumica e tyre nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë për të parë gjëmën e tyre.

Për ta bërë më të kuptueshme po ju sjell një shembull konkret. Familjarëve të Havzi Nelës poetit antikomunist të varur në 1988 ju duhen sot më shumë se 1 milionë lekë të vjetra rreth 1 mijë euro për të marrë dosjen e tij.

Bëhet fjalë për një dosje voluminoze rreth 4 mijë faqe pasi ka hetime për një arratisje, tre dënime politike, një internim; pra pesë dosje që përmbajnë brenda nga tre dosje secila. 1- dosje përpunimi. 2- dosje hetimore , 3-dosje gjyqësore, pra në total 15 dosje voluminoze. Për ti marrë të gjitha këto, përfshi edhe vendimin për varjen e tij të firmosur nga i ati i kryeministrit, Kristaq Rama, atyre do t’iu duhet ti paguajnë para shtetit shqiptar.

Aplikimi i kësaj praktike ka bërë që shumë nga të përndjekurit politike dhe studiuesit e krimeve të komunizmit të tërhiqen nga kërkesat e tyre për të marrë nga Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të dhëna mbi persekutimin dhe persekutorët komuniste, që ne besojmë se është edhe qëllimi kryesor i vendosjes së kësaj tarife kriminale nga qeveria.

Kjo sjellje e qeverisë me të përndjekurit politikë të komunizmit nuk është një risi, është vazhdimësi e qartë e politikave të luftës së klasave dhe përpjekjeve të persekutorëve komunistë në pushtet dhe pinjollëve të tyre politikë, juridikë e gjenetikë, për të bllokuar zbardhjen e krimeve dhe të autorëve të tyre.

Kjo VKM, praktikisht i jep fund çdo pretendimi se shteti shqiptar “po hap” dosjet e krimeve të komunizmit. Pas ligjit gjysmak të përgatitur nga kjo qeveri, po i shtohet edhe kjo “taksë gjaku” që xhelatët po ju vendosin viktimave të tyre duke i detyruar të blejnë informacionet për krimet, torturat, burgosjet, internimet, përndjekjet dhe autorët e tyre.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë e indinjuar nga kjo VKM i kërkon qeverisë anulimin e menjëhershëm të saj. Ndërsa Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i kërkon pezullimin e menjëhershëm të “taksës së gjakut”.

Ne i kërkojmë opozitës, opinionit publik dhe përfaqësive diplomatike të institucioneve e vendeve perëndimore, të ushtrojnë gjithë influencën dhe presionin e mundshëm, në ndalimin e këtyre politikave e praktikave të zbatuara nga qeveria Rama, si vazhdimësi e politikave komuniste të luftës së klasave ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë, duke bërë të pa mundur zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve që komunistët kryen ndaj tyre.

*Kryetar i Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë- DEKLARATE PËR SHTYP E SHOQATES

Filed Under: Politike Tagged With: Nebil Cika- taksa e Gjakut

MBROJTJA E TEATRIT KOMBETAR DHE LARGIMI I EDI RAMES

July 28, 2019 by dgreca

Shtëpia e Edgar Allan Poes 222 vjeçare mbrohet nga shteti ndryshe nga Teatri Kombëtar që në 80 vjetorin e ndërtimit rrezikon të shembet nga shteti !/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Një mikja ime e dashur në New York kishte vënë në rrjetin social foton e shtëpisë së Edgar Allan Poe-s, autorit të Korbit përkthyer nga Fan Noli, të Eurekës, poemës në prozë mbi Big Bang-n, kozmogoninë;  të Eldorados, që ka në qendër kalorësin në kërkim të qytetit të artë, të begatisë, që edhe kur vdes hija e tij vazhdon ta kërkojë këtë qytet që nuk e ka gjetur deri sot askush.

Edgar Allan Poe njihet edhe si mjeshtër i narracionit të shkurtër, horrorit dhe është nga shkrimtarët më të mëdhenj Amerikanë. Ai lindi në Boston më 19 janar 1809 dhe vdiq në Baltimora më 7 tetor 1849, ndërsa një pjesë të mirë të jetës e kaloi në shtëpizën që njihet me emrin Edgar Allan Poe Cottage dhe ndodhet pjesën veriore të Parkut, që mban edhe ky emrin e poetit, në Bronx, New York.

Mikesha ime e afërt që jeton në New York e kishte fotografuar shtëpizën e Edgar Allan Poe dhe pastaj kishte komentuar: “Këtu në park – ku ndodhet shtëpia e Edgar Allan Poe – Edgar Allan Poe Cottage, në Bronx, New York, është një vend shumë i mirë ku mund të ndërtohen dhjetë a njëzet pallate, por nuk i ka bërë kush!”

Bën ironi mikja ime e dashur, në përgjigje të çmendurisë dhe babëzisë kriminale që e ka kapluar kryeministrin shqiptar në ikje, të cilit ia ka marrë shpirtin e mendjen qoftë largu e ka vendosur  të shembë Teatrin Kombëtar, “si mbeturinë fashiste”! Por harron se “mbeturina fashiste” janë të gjitha ndërtesat në qendër të Tiranës, korpusi i Universitetit, Akademia e Arteve, kryeministria, selitë ministrore, bashkia e Tiranës etj.

Kryeministri ciniko-shallvaregjërë e kthen në zero kontributin treçerek shekullor të Artistëve shqiptarë dhe llogarit vetëm 4 vite, duke konfonduar në mënyrë të djalltë Duçen me ndërtesën! Mendoni se ku do të kantandisej Roma po të shembeshin ndërtesat e kohës së Musolinit prej 1922 deri më 1943, nëse do të shkonin pas mendjes të korruptuar e të çmendur të Edi Ramës.

Teatri ka mbushur 80 vjet këtë vit, por në vend të festimeve, Artistët i kanë dalë në mbrojtje ta shpëtojnë nga shembja, edhe duke u tërhequr zvarrë nga policia e kryeministrit të tërbuar, që  lejet e ndërtimit i jepte duke marrë “pizzo”. Në zhargonin italian “pizzo” quhet zhvatja që mafia i bën biznesit. Edi Rama ka marrë pizzo për 15 vjet sa ishte kryetar bashkie, por pizzo-ja në shkëmbim me shembjen e  Teatrit Kombëtar i ve kapakun si kulmi i të gjithë aferave korruptive të kryeministrit me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të lidhur me mafien.

Me logjikën e mafies kryeministri në ikje i është qepur edhe Teatrit Kombëtar, që sot e mbrojnë jo vetëm të gjallët, por edhe të gjithë ata artistë dhe artiste që kanë interpretuar në skenën e tij. Teatri Kombëtar duhet të rikonstruktohet me standartet bashkëkohore, por duke ruajtur gjithçka si ditën e inaugurimit në vitin 1939.

Ndryshe nga barbari në ikje, Amerikanët e mbrojnë shtëpizën e Edgar Allan Poes. Shtëpia është e zakonshme nga arkitektonika, fare e thjeshtë por me vlera të çmuara kulturore. Ajo e ruan pamjen që ka patur kur poeti banonte aty. Shtëpia ndodhet në park, ku mund të ishin ndërtuar plot billdingje dhe ndoshta mund të ketë patur shumë biznesmenë amerikanë t’ia kenë vënë syrin, por nuk ka mundur kush që t’ia prishë qetësinë vilëzës së poetit, që rri aty, në pritje të vizitorëve, në pritje të viteve e shekujve, e mbrojtur prej vitit 1975 nga Bronx County Historical Society, si pjesë e Institucionit te Besueshmërisë Historike – Historic House Trust.

Në këtë shtëpizë poeti ka jetuar me të jëmën, Marien dhe Virxhinian, gruan e tij të dashur që iku nga jeta shumë herët. Poemën “Annabel Lee”, përkthyer edhe kjo mjeshtërisht nga Fan Noli, Edgar Allan Poe ia ka kushtuar pikërisht Virgjinias.

Shtëpia besohet se është ndërtuar në vitin 1797, pra është 222 vjeçare, por askujt nuk i shkon mendja që ta shembi, përkundrazi. Nëse dikush do ta bënte, natyrisht që ose do të përfundonte në çmendinë ose në burg, pasi kjo shtëpi është pjesë e trashëgimisë kulturore të Amerikës dhe amerikanëve.

Dhe jo vetëm kaq. Ka disa Muzeume të Edgar Allan Poe-s. Për shembull, në Baltimore, shtetin Maryland, është kthyer në muzeum shtëpia ku ja jetuar poeti në vitin 1930. Edhe kjo shtëpi muzeale është pjesë e Historisë Kombëtare. Një tjetër muzeum i Poes është në Richmon, shtetin Virxhinia. Poeti nuk ja banuar në ndërtesën që është kthyer në muzeum, por ka mjaftuar fakti që ka jetuar një kohë në Richmon për ta kthyer atë kohë në thesar të kulturës dhe pikë të Referimit të Historisë Kombëtare, për të mos u harruar dhe për t’u kujtuar nga gjeneratat që vijnë.

Gjysma e shqiptarëve nga shteti amë  jetojmë në Perëndim dhe askush nuk i prek ndërtesat me vlerë historike apo kulturore, përkundrazi qendrat e qyteteve konservohen, vetëm rikonstruktohen, si kulturë materiale arkitektonike e identitetit kombëtar. Perëndimi do ta kishte shumë lehtë që t’i shembte qendrat e vjetra të qyteteve dhe të ndërtonte rokaqiejë modernë, por Perëndimi nuk është as mafioz, as i çmendur dhe as me ndergjegje sadiste si edi rama, largimi i të cilit nga politika është obligim kombëtar, sikur obligim kombëtar është edhe mbrojtja e Teatrit Kombëtar.

Fotografia e Irma Dega

Edgar Allan Poe Cottage

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj-Mbrojtja e Teatrit-Largimi-Edi Rames-Edgar Poe'

LE TË NISEMI SË BASHKU!

July 27, 2019 by dgreca

NGA NEXHAT PESHKEPIA*/

Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji. Po të nisemi nji nga nji, mund t’a humbasim rrugën, do të mërzitemi nga vetmia dhe do të dëshpërohemi.

         Po të jemi vetëm, kush do të na mbrojë shpinën? Dhe anmiku asht djallzor: ai shtie mbas shpine.

              Por, po të nisemi së bashku, rrugën nuk do t’a humbasim, nuk do të mërzitemi sepse do të këndojmë së bashku kangët e trimnisë.

          Beteja e fundit do të jetë e jona, sepse kur të hidhemi në zjarrin e ndeshjes, zemra nuk do të na lëshojë.

        Nuk duhet të thomi:”Atdheu ka humbë”, ose  “Trathtarët e shitën Atdheun”. ….     Fjalë pa kuptim sepse Atdheu as humbet as shitet.

Atij që thotë:

“Atdheu asht larg dhe s’arrihet dot”, atij ne duhet t’i thomi:”Nuk asht Atdheu që asht larg teje, por asht zemra tande që asht larg Atdhut”

             Ka dhe nga ata që thonë: “Për ne, Atdheu ka vdekë”.

       Atij që thotë ashtu, gjaku i asht bamë ujë. Kur t’a shifni, ndërroni rrugë. Përveç që bajnë mëkat, sepse Perëndia, Atdheun, e ka krijue të përhershëm….Por ne duhet të thomi:”Atdheu sot po vuen. Disa ia kanë grabitë Lirinë, dhe përpiqen t’ia marrin edhe shpirtin”. Ata, që në shpirt nuk besojnë.”

   Por ne duhet të thomi:

              Le të nisemi së bashku e t’ia zgjidhim zinxhirët, Atdheut. Ta lirojmë nga zgjedha e t’a kthejmë Zot më vete, siç ka qenë dhe siç i ka hije. Së bashku t’a stolisim Atdheun me rrobat më të çmushme, t’i vëmë në kryet Kunorën e Lirisë, t’a ulim në Fronin e artë plot lavdi, të gjunjëzohemi te kambët e tij e t’i falemi.

Oh, ju lutem, dëgjomëni!

Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji.

         Le të nisemi së bashku e të bashkuem, dhe do t’a shifni se do t’ia arrijmë qëllimit:

– DO T’A LIROJMË ATDHEUN!

*Ripublikuar sot tek Gazeta “DIELLI”

….një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, më 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth Atdheut, jo një nga një, por të gjithë së bashku. (Frank Shkreli)

Filed Under: Politike Tagged With: Nexhat peshkepia-Le te nisemi se bashku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 395
  • 396
  • 397
  • 398
  • 399
  • …
  • 655
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT