NGA ALFONS GRISHAJ/
Europa përsërit Jo-në për Shqipërinë! /
Politikanët perëndimorë, pas cikloneve bëjnë bilancin e dëmit…, politikanët shqiptarë kurrë! Po vallë çfarë bënë gjithë këto vite politikanët shqiptarë për të bindur partnerët që populli i tyre është i gatshëm të shijojë frytet e lirisë, filozofisë dhe prosperitetit europian? Zeroooo!!! Enden poshtë e përpjetë me një pafytyrësi rrugaçësh dhe pastaj kur dikush i pyet, kërcejnë duke ngritur zërin.
Fajtori për t’u mbrojtur numëron një sërë arritjesh si në kohën e qoftëlargut: 1-2-3… Ndërsa partnerët numërojnë një sërë dështimesh, 4-5-6-7-8-9 etj., dhe këto numra rreshtorë kanë të vërteta, por dhe mangësi, sepse vetë partnerët nuk e kanë përsosmërinë e shifrave, porse ndalen tek rregullat bazë që konsolidojnë vlerat e shtetit dhe qytetërimit europian, të cilat u mungojnë përfaqezinjëve tanë.
Analiza dhe kritikat janë të domosdoshme për rregullat e demokracisë, sepse rasti sjell nevojën e korrigjimit, pasqyrën e reflektimit të një përgjegjësie të lartë morale dhe shpirtërore të përfaqësimit. Po ku janë ato burra që përpiqen për të sakrifikuar nderet dhe privilegjet e veta për të mirën e popullit dhe atdheut?! Asgjëkundi !!!
Një klasë plaçkitëse e pamoralshme ka marrë fatet e kombit në dorë. Nën drejtimin e tyre plaga e shoqërisë po hapet përditë e më madhe. Nuk i vret ndergjegjeja dhe as nuk u kuqet fytyra për pisllëqet dhe dëmet që i sjellin Shqipërisë. Kur janë pranë partnerëve europianë dhe botërorë, shtiren si delfinë shpëtimtarë mbi dallgët që sajojnë vetë. Aktorllëku, rryshfeti dhe servilizmi i kthen nga delfinë shpëtimtarë në kalina me shalle pionieri pa u mbetur asnjë pikë personaliteti. E vetmja gjë që i mbetet për të justifikuar grykësinë dhe paaftësinë janë lehjet për njëri-tjetrin…, gjë që i bën në sytë e botës së qytetëruar dhe më të vegjël se ç’ janë. Pas këtyre lehjeve të turpshme, partnerët tanë i shohin shqiptarët si hije e zezë plumbi mbi hapësirat e tyre qiellore.
Mjerisht, më duhet të ilustroj këtë rast me historinë e dy qytetarëve që kishin shpëtuar djalin e Vezirit. Qeverisësi i thirri dy qytetarët dhe në shenjë mirënjohje kërkoi t’i shpërblente. Njërit ia plotësoi dëshirën, por kur e pyeti tjetrin çfarë shpërblimi dëshironte, qytetari duke u përkulur ia ktheu Vezirit: “Nuk du asgja pasha Allahun! Por njata që i premtove shokut tem mos ia jep dhe kështu jena t’ lam!”
Urrejtja dhe cmira për oponentin nuk i lejon të shohin të vërtetën që i shërben kombit, por vetem banderolat e bordellove që përfaqësojnë. Kështu mjerimi i inteligjencës politike shkon deri në neveri, kur përfaqësuesi mburravec dhe mediokër rreshton hiçin në murin e paçimentuar të demokracisë. Politikani kokëbosh fryhet para kamerave dhe shpërthen një lum llumi pornotaresk, duke i vënë fajin gjetheve të rëna në vitet e shkuara. Diplomati partiak mbron asetet e përçudnuara të partisë dhe jo vlerat e shtetit. Gjykatësi i çnderuar në peshoren e drejtësisë vendos trastën e vet! Qeveritarit kleptokrat në kalkulatorin e telefonit i mungojnë dy apo tre vila. Pjesa gazetareske pa integritet tjerr pezishkën e merimangës për pagesat më të mira, ku e bëjnë të zezën të bardhë dhe të bardhën të zezë… Kulmi i dekadencës dhe ironisë së demokracisë degjeneron në qeverisjen monopartiake! Dhe më e tmershmja dhe e turpshmja: strategjia e spastrimit të popullatës për të siguruar qeverisje afatgjatë! Të gjitha këto minuse në pluset e Europës bëjnë të pabesueshme votën pro Shqipërisë.
E pra, të gjithë këtë zallamahi e bëjnë “intelektualët” dhe jo klasa punëtore! Mbase gaboj…, por këto lloj karakteresh janë mjerimi i inteligjencës dhe varrëmihësit e kombit. Mendje të tilla nuk i çuan asnjëherë kombet drejtë përparimit, por vetem drejt varfërisë dhe rrënimit. Puna e tyre shkëlqen vetëm në kapjen e momentit abuziv.
E kam thënë dhe më parë, disa zëra të paktë të ndërgjegjes së mirëfilltë intelektuale bien copë për t’i shpjeguar shoqërisë shqiptare rrugën e të vërtetës, që vendi të dalë nga impakti i një çerek shekulli, por më kot! Sepse kur fusha e betejës është mbushur me çakej, as dy apo tre luanë e luanesha nuk kanë çfarë të bëjnë më… se në të rënë të muzgut u duhet të lënë fushën e betejës (mbase dhe duke braktisur atdheun), për të mos u rrëzuar si palmat pas stuhisë, ndërsa pajtuesit e realitetit të hidhur përkulen si degët e shelgut lotues.
“Homos Deus” i Hararit është një ëndërr e bukur që mund të gënjejë ëmbël për të ardhmen e largët, porse njeriu i sotëm (shqiptari im) zvarritet i sëmurë dhe vdes i pashpresë për të ardhmen e afërt ! Unë nuk kërkoj tek “vëllau” im fajtor, “Five Minds for the Future” siç shkruan autori Howard Gardner në librin e tij, por kërkoj mendje të pasur dhe të zhdërvjellët me një shpirt të kristaltë për të nxjerrë nga balta Shqipërinë e shekullit XXI.
Paratë e pista apo të pastra nuk do i marrë askush me vete në varr, por ashtu siç vdiq Gobseku me krye mbi florinjtë e mbuluar me hi, dhe të tjerëve si ai nuk do u bëhen mburojë metalikët në frymën e fundit (ashtu dhe si dhe faraonëve nuk i ndihmoi gjë para pesëmijë vjetësh), sepse shpirti e braktis trupin e njeriut, për të cilin ai është mburrur gjithë jetën. Pra, personi ka mundësi të çlirohet prej vesit para se të mbesë peng i territ të çthurur të materies, këtij frymëzuesi fatal të vulës së turpit në histori!
Sot, shqiptarët i kanë të gjitha mundësitë për të shkëlqyer përkrah kombeve tjera, duke braktisur flamujt e rremë, dhe si formulë, sjell dy mendime të thjeshta për të hyrë në Europë:
1-Në mungesë arsyes së kulluar dhe argumentit ndërtues, shahuni sa të mundni me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe, por kurrë në gjuhë të huaj…!
2-Punoni bashkë për kallirin e pjekur dhe jo për tokë të djegur!