Nga PIERLUIGI BATTISTA/
Ndërmjet gjërave të cilat i dua më shumë e që nuk do të donja kurrë t’i humbisnja është një copëz e Murit të Berlinit, i shkërmoqur në nëntorin 1989, plot tridhjetë vjet të shkuara, që një gjerman, atëherë i ri si un, më kishte sjellë si një trofe të mrekullueshëm të lirisë së rigjetur. Ai që sot nuk ka së paku dyzet vjet nuk mund të kuptojë se me çfarë ndijesie të lirimit kemi jetuar drejtpërsëdrejti goditjet e kazmave që po dërmonin, në një festë të madhe prekëse, një monument të vajtueshëm të shtypjes e të totalitarizmit. Turmat e berlinësve të Lindjes vërshonin të dehur nga lumturia në dyqanet e quajtura nga komunizmi në pushtet si simbole të konsumizmit të urryer perëndimor. Mjeshtri Mstislav Rostropoviç i binte violonçelit të tij përpara Murit të sulmuar nga të rinjtë, më së fundi të lirë për të festuar rënien e një barriere që, thonte, “më coptonte zemrën”. Ndigjohej zhurma e çekanëve, sepse secili gjerman që gjindej aty donte të jepte ndihmesën e tij në shkatërrimin lëndor të një makthi. Ishin emocione të pashlyeshme, që i kam gjetur vite më pas kur së bashku me bijën time jemi mallëngjyer në Muzeun e Checkpoint Charlie përpara shëmbëlltyrave të shumë gjermanëve të burgosur të Berlinit Lindor që kërkuan të kalonin kufirin në mënyrat më të kuturisura, për të shpëtuar nga Vopos-it, qitësit e diktaturës së RDGJ, mbretërisë së Stasit.
Një emocion që nuk duhet të pakësojë ndiesinë e turpit që shumë prej nesh duhet të kenë provuar, për të qenurit, në dhjetëvjeçarët para të lavdishmit ’89, në “anën e gabuar”, në anën e xhelatëve që ndërtuan atë mur e jo n’atë të John Fitzgerald Kennedy-t që, pak metra larg Murit, thërriste “Jam qytetar berlinez” para një grumbulli berlinasish të Perëndimit të lirë. A nuk është e vërtetë? Ndoshta ishim nga ana e gabuar “pa dijeninë tonë”, pa dalë kurrë në sheshe për lirinë e Evropës Lindore të mbytur nga muret e tankset? Apo ndoshta kemi bërë sikur nuk shikonim për të mos jetuar krizat e ndërgjegjes? Madje qarkullon edhe tani në Perëndim një farë malli për rendin botëror të luftës së ftohtë. Mallëngjehuni, por me një kusht: këtë herë nga ana e errët e murit të shkoni ju, me Vopos-ët të keni të bëni ju. Nga pak për secilin, me rradhë. Me një këshillë letrare: “Qentë e zinj” të Jan McEwan, për të mësuar diçka nga ajo shëmbje e mrekullueshme e Murit të turpit.
“Corriere della Sera”, 20 tetor 2019 E përktheu Eugjen Merlika