• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROTESTE PARA KONSULLATES SHQIPTARE NE NEW YORK

February 20, 2019 by dgreca

TE RINJET SHQIPTARO-AMERIKANE PROTESTOJNE TE ENJTEN/

1 Rinia

  • 21 Shkurt 2019, Ora 5.00-7.00 PM PARA KONSULLATES SE SHQIPERISE-

Nje grup te rinjesh shqiptaro-amerikane kane njoftuar se te Enjten me 21 Shkurt 2019, ne Oren 5.00 PM-7.00 PM do te protestojne kunder Qeverise Shqiptare . Ata u kane bere thirrje shqiptareve te Amerikes , organizatave dhe individeve, qe te dalin ne proteste jo per te treguar solidaritet me ndonje parti politike, por thjeshte per te protestuar per keqeverisjen e Kryeministrit Edi Rama, kriminalizimin e politikes, shtetit dhe shoqerise, rritjen e varferise dhe vrasjen e shpresave per te jetuar ne vend.Adresa:320 EAST,79 Street, NY

Filed Under: Politike Tagged With: New York, PARA KONSULLATES, proteste, Të rinjtë

PROF. DR. REXHEP KRASNIQI: BIR SHPIRTI I BAJRAM CURRIT

February 18, 2019 by dgreca

Me rastin e 20-vjetorit të largimit nga kjo jetë/

1-Frank-shkreli-

Nga Frank SHKRELI/

Në bisedë e sipër me mikun dhe kolegun tim Idriz Lamaj, ai më kujtoi se ky muaj shënon 20-vjetorin e kalimit në amshim të njërit prej udhëheqsëve më të dalluar, më të nderuar dhe për shumë dekada ndër më të respektuarit e diaporës shqiptaro-amerikane, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi. Për më tepër, Idrizi më njoftoi se me këtë rast, në Kosovë është botuar një libër për jetën dhe veprimtarinë e këtij burri të madh të Kombit shqiptar. Nuk e kam lexuar ende librin, por mund të them se një vepër e tillë na mungonte ne këtu në diasporë, megjithse kemi pasur nderin dhe fatin ta njihnim Dr. Krasniqin, por më shumë besoj se kjo vepër u nevojitet lexuesve anë e mbanë trojeve shqiptare – e sidomos brezit të ri, të cilët, për arsye që dihen, mund të mos kenë dëgjuar fare për Dr. Rexhep Krasniqin.

Libri i autorit Dr. Besim Muhadri: “Prof Dr. Rexhep Krasniqi Një Jetë në Shërbim të Shqipërisë Etnike”, botuar kohët e fundit në Kosovë

Por kush ishte Prof Dr. Rexhep Krasniqi? Ai lindi në Gjakovë në vitin 1906 ku edhe mbaroi shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme e kreu në akademinë e njohur “Theresanium” të Vjenës, një ndër entet më të njohura dhe aristokrate të para Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Siç shkruan – në vend të parathënies — edhe autori i librit, “Prof. Dr. Rexhep Krasniqi -Një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike” – në artikullin e botuar ditët e fundit në gazetën Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, “Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbëshme, sepse që në moshën 8 vjeçë mbeti jetim, pa të dy prindërit. Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri, ose siç do ta quajë Noli ynë i madh, Tribuni i vegjëlisë, personalisht atë do ta adoptojë si “Bir shpirti”. Në mungesë të prindërve Bajram Curri do ta shoqëronte atë për herë të parë me rastin e regjistrimit në shkollë në Vjenë”, shkruan autori.

Në vitin 1934 Rexhep Krasniqi ka marrë titullin akademik “Doktor Fillozofie” nga Universiteti i Vjenës, teza e të cilës ka qenë, “Kongresi i Berlinit dhe Shqipnia Verilindore”, nën mbikqyrjen e Profesorit austriak Karl Patsch, Kryetar i Institutit për studime ballkanike pranë Universitetit të Vjenës dhe njëri prej albanologëve dhe historianëve më të njohur të asaj kohe në Evropë. Pasi përfundon studimet universitare në Vjenë, Rexhepi i ri këthehet në Atdhe dhe emërohet menjëherë profesor i historisë dhe gjeografisë pranë gjimnazit në Gjirokastër, ku edhe shërbeu si zëvendës drejtor deri në vitin 1938. Po këtë vit, Rexhep Krasniqi emërohet Drejtor i Arsimit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë dhe më vonë Inspektor Epruer pranë kësaj ministrie. Më 1941, ai caktohet Komisar i Lartë i Shkollave të Mesme në Kosovë dhe Drejtor i Gjimnazit të parë në gjuhën shqipe në Prishtinë. Dr. Rexhep Krasniqi në një numër të revistës “Shëjzat” të vitit 1974 e përshkruan kështu emërimin e tij në Gjimnazin e Prishtinës nga Ministri i atëhershëm i Arsimit shqiptar, Prof. Ernest Koliqi: “Për organizimin e Internatit ku do të banojshin 200-studentë – shumica e të cilëve do të studjonin me bursa të qeverisë shqiptare – Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi, emëroi Prof. Vasil Andonin me titull rektor dhe si ndihmës mësues, Lirak Dodbibën, të cilët qenë dërguar në krye të detyrës (në Kosovë) në Tetor, 1941. Për drejtimin e gjimanzit të Prishtinës ishte caktuar një arsimtar i merituar Kosovar që ishte në Tiranë. Por ky për arsye personale në çastin e fundit u tërhoq. Ministri Koliqi, që i kishte dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme, zhvillimit të arsmit kombëtar në krahinat kosovare, u gjënd në njl pozitë të vështirë për zevëndsimin e tij. Më në fund, me pëlqimin e plotë të tij, ai i ofroi Prof Krasniqit drejtimin e shkollës në fjalë si Komiser i Ministrisë, i cili njëkohsisht do ruante pozitën që kishte në atë kohë edhe si Inspektor Epruer në Ministrinë e Arsimit, bashkë me arsimtarët e njohur si Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Anton Deda, Kolë Kamsi e Kostaq Cipa.”

Për t’i ra shkurt, fati i këtyre burrave gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dihet. Megjithëse, me këto koka, jo vetëm atëherë, por edhe sot, Kombi shqiptar mund të krenohej para botës së qytetëruar dhe me të cilët – atëherë dhe sot – për nga përgatitja e tyre akademike, politike dhe njerëzore, e sidomos për nga atdhedashuria e tyre, do të krenohej çdo popull. Pas luftës, Dr. Rexhep Krasniqi pësoi të njëjtin fat me të tjerët — ndër më të mirët e Kombit – duke u detyruar të largoheshin nga Atdheu i tyre. Edhe ai merr rrugën e mërgimit, duke u vendosur së pari në Siri pastaj prej aty shkon në Australi, ku për mungesë të gjuhës anglisht detyrohet të bëjë lloj punësh, përfshirë fabrikën e automjeteve, për të siguruar bukën e gojës.

Për fat të tij, por më shumë për fatin e komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Rexhep Krasniqi ftohet në vitin 1957 nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të vinte në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qëndër në New York. Dr. Krasniqi e drejtoi këtë ent shqiptaro-amerikan, të financuar nga Amerika, deri në shëmbjen e komunizmit. Ishte në këtë rol që Prof. Dr. Rexhep Krasniqi siguroi admirimin e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim. Komiteti Shqipëria e Lirë shërbente në atë kohë, si ambasadë dhe si konsullatë, por edhe si zyrë ndihmash për shërbime të ndryshme për të gjithë shqiptarët në nevojë, pasi nuk ekzistonin marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa për Kosovën dihej pak ose aspak. Për çfardo nevoje qoftë, shqiptarët e arratisur nga regjimi komunist i drejtoheshin Komitetit “Shqipëria e Lirë” për ndihmë.


Dr Hamdi Oruçi duke i dorëzuar pllakën e artë Dr. Prof. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, New York, 28 Nëntor, 1975

Ishte pikërisht për aktivitetin e tij në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, që Dr. Hamdi Oruçi, një tjetër kolos i diasporës shqiptare të pas luftës në Amerikë, i dorëzoi Dr. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, pllakën e artë – simbol falënderimi jo vetëm për punën e tij të palodhur për të ndihmuar shqiptarët e shpërndarë, por edhe për veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare, në fushën e ruajtjes së gjuhës dhe të kulturës shqiptare në këtë vend, të drejtave bazë të njeriut dhe për përpjekjet e tija për liri e demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar.

Unë e kisha takuar disa herë Rexhep Krasniqin dhe me çdo rast, ashtu si edhe disa të tjerë të kalibrit dhe të brezit të tij, gjithmonë na jepte zemër e kurajo ne të rinjve në atë kohë, që të vazhdonim punën e tyre në komunitet, që të mos harronim gjuhë e kulturë, e prejardhje. Në vitin 1972 kisha filluar një broshurë tepër modeste për të rinjët, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, e cila i kishte rënë në dorë Doktorit të nderuar. Dhe në karakteristikën e tij që e dallonte, për një nismë megjithse tepër modeste, Prof Krasniqi kishte gjetur kohë të më shkruante një letër duke më dhënë kurajo për të vazhduar ndërsa me porosiste: “I kam lexue rishtas edhe të dy numrat e së përkohëshmes “Rinia Shqiptare në Mërgim”. Secili fillim ashtë i vështirë, por nga përmbajtja e artikujve që keni botue deri tashti më duket se jeni në rrugë të mbarë e që përputhet me moton e juej, “Lux et Veritas” (Drita dhe e Vërteta”. Të shpresojmë se me kohë, broshura juej ka me u ba një përmbledhje e fuqive të reja të kulturës dhe virtyteve të Kombësisë Shqiptare në këtë vend të lirisë dhe të përparimit.” Në të njëjtën letër, Doktor Krasniqi më jepte kurajo gjithashtu për vazhdimin e shkollës, dhe të mësoja anglishten, ashtuqë, sipas tij të, hyja “në radhën e shqiptarëve të paktë të kësaj kategorie, në këtë vend.”

Fjalët dashamirëse, porositë, këshillat, guximi, por edhe ndihmat që nuk i kursente për të gjithë, e dallonin atë nga shumë të tjerë. Në këtë përvjetor, kujtimet e mia më të sinqerta, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë përfituar nga ndihmat dhe nga këshillat e tija në nivel personal — janë të shumëta dhe të përzemërta dhe vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në ditët e sotëme. Për kontributet e tija të panumërta dhe për arritjet jetësore në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Atdhe, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur falënderimet e veta Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975 duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jasht Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit për shenjë nderimi dhe falënderimi, sot me 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”

Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të madhe kulturore dhe historike me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë Shëjzat dhe sidomos me shkrimet e tija në organin e entit që ai drejtonte, gazetën Shqiptari i lirë. Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjërë, për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjëndjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asja kohe. Si përfaqsues i lartë i komunitetit shqptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjëndej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët nga i cili — përsonalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës — kërkonin këshilla dhe të dhëna mbi gjëndjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.

I zgjedhur nga vet Heroi i Dragobisë, si “Bir shpirti” i tij – ai kishte mbetur jetim pasi kishte humbur prindërit që në vegjëli – Bajram Curri e kishte shoqëruar Rexhepin e vogël në udhëtimin e tij të parë për në Vjenë të Austrisë, ku Dr. Rexhep Krasniqi mbaroi studimet e larta dhe prej ku është doktoruar nga Universiteti i Vjenës.

Në këtë 20-vjetor të vdekjes së të “Birit në shpirt”, caktuar si i tillë nga vet heroi i Dragobisë — me mall e respekt e kujtojmë këtë muaj Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, njërin prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit të shëndoshë shqiptar, i cili me bashk-kohasit e tij, të të njëjtit mendim e qëllim — po tu ishte dhënë mundësia — do ta kishin “bërë Shqipërinë”, ashtu siç e donin ata atëherë dhe siç ende e dëshirojmë edhe ne sot për mbarë Kombin — të bashkuar, të lirë dhe vërtetë demokratike, të integruar një herë e mirë në organizmat politike, ekonomike dhe ushtarake verio-atlantike të botës perëndimore. Kjo ishte ëndërra e Dr. Rexhep Krasniqit dhe e shokëve të brezit të tij – një ëndërrë për realizimin e të cilës ata jetuan e vepruan gjithë jetën e tyre në mërgim, por që fatkeqësisht mbetet ende endërra jonë e pa realizuar krejtësisht edhe sot, në çerekun e parë të shekullit 21.

Filed Under: Politike Tagged With: Bir shpirti, Frank shkreli, i Bajram Currit, Prof. Rexhep Krasniqi

KRYEMINISTRI HARADINAJ: NUK KA KTHIM MBRAPA!

February 18, 2019 by dgreca

– KOSOVA E 17 SHKURTIT 2008 NUK BËN KTHIM PRAPA/
1 a Ramushi lule1 b ramushi1 c ramushi
-Kryeministri Haradinaj në Gllogjan: Kosova e 17 shkurtit 2008 është e arritur e të gjithë shqiptarëve, nuk bën kthim prapa, njohja nga Serbia vetëm me kufijtë ekzistues/
GLLOGJAN, 18 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova e pavarur, e 17 shkurtit 2008, është e arritur e të gjithë shqiptarëve, nuk bën kthim prapa, njohja nga Serbia duhet të ndodh vetëm me kufijtë ekzistues, tha sot kryeministri Ramush Haradinaj pasi bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit”, në Gllogjan, vendlindjen e tij në komunën e Deçanit.
 “Sot është një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, jemi në Gllogjan, në njërin nga vendet që e ka nderuar vendin tonë për rrugëtimin në liri. Jemi në Gllogjanin e lëvizjeve të hershme, të luftëtarëve të zot jo vetëm të kësaj lufte. Pra jemi që të nderojmë dhe të shprehim respektin për të rënët për liri ashtu si dje e kishim nderin të jemi në Prekaz e në vende të tjera të shenjta”, u shpreh ai.
Kryeministri Haradinaj pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, posaçërisht familjet e të rënëve, që, siç tha ai, mbajnë plagë në zemër e në vete për rrugëtimin deri në liri e shtet, theksoi se tashmë është e ditur që proceset e shtetndërtimit nuk janë të lehta.
“Nëse kthehemi në vitin 1912 dhe e shohim se si është konsoliduar shteti shqiptar e hetojmë që nuk ka qenë një proces i lehtë sikurse edhe për shumë shtete të tjera”, shtoi kreu i Qeverisë së Kosovës.
Njëkohësisht, kryeministri Haradinaj foli edhe për dialogun me Serbinë për një marrëveshje për njohje, por që siç theksoi ai duhet të ndodhë me kufijtë ekzistues të Kosovës, sepse Kosova e 17 shkurtit është e arritur e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, sikurse edhe e arritur e aleatëve të Kosovës dhe kësisoj nuk do të bëhen hapa mbrapa.
“Kur them hapa mbrapa, them se ne nuk lejojmë hapjen dhe tjetërsimin e Kosovës së Pavarur të 17 shkurtit. Një popull ndaj të cilit është ushtruar gjenocid dhe është përndjekur i gjithë populli, rreth 20 mijë gra të dhunuara e rreth 15 mijë të vdekur u dashka të japim diçka për njohje. Në fakt e drejta politike e çdo norme do të ishte që njohja nga Serbia të vjen si kërkim falje për atë që i ka shkaktuar Kosovës jo vetëm në lufën e fundit por edhe në përpjekjet e mëhershme”, deklaroi kryeministri Haradinaj, cituar në njoftimin e dërguar nga Zyra e shtypit e Qeverisë.
Poashtu, kryeministri Haradinaj e bëri të qartë se nuk do t’i falë tokë e territore Serbisë dhe se me këtë shtet njohja duhet të ndodh vetëm me kufijtë ekzistues.

Filed Under: Politike Tagged With: Nuk ka kthim mbrapa, Ramush Haradinaj

Delegacioni i senatorëve dhe kongresistëve amerikanë në Kosovë

February 17, 2019 by dgreca

 -Presidenti Thaçi priti një delegacion të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë/

1 b delg senat11 a deleg2 b senator.JPG

 PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë të udhëhequr nga senatori Jim Inhofe.Presidenti Thaçi falënderoi senatorët dhe kongresistët amerikanë për kontributin e tyre në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

 “Vizita e juaj pikërisht në 11 vjetorin e pavarësisë është dëshmia më e mirë e marrëdhënieve tona të shenjta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”, ka thënë presidenti Thaçi.Në anën tjetër, senatori republikan Jim Inhofe e ka uruar presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës për 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

 “Jam i nderuar që udhëheq delegacionin e Kongresit Amerikan në Kosovë. Kosova është një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe për NATO-n, pasi që punojmë së bashku në ndalimin e rritjes së agresionit rus në rajon”, ka thënë senatori Inhofe. Presidenti Thaçi shtoi se Kosova gjatë tërë rrugëtimit të saj e ka pasur përkrahjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Delegacioni i senatoreve amerikane, ndodhen en Kosove

Akuzat e Ramës dhe protesta e nesërme

February 15, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sot Edi Rama akuzon publikisht Berishën dhe familjen e tij si persona non grata në shtetet e bashkuara. Akuzon opozitarizmin për masakrimin e vendit dhe ankohet publikisht se po ndreq gabimet e qeverisjes së mëparshme. Sot Edi Rama publikon foto nga meremetimi i një qendre shëndetësore diku në Durrës, pa harruar të ankohet për paraardhësit etj. Sot Edi Rama ka organizuar një batalion webesh me përpjekjen për t’i dhënë protestës së nesërme fytyrën e një gogoli, 97-te, a një tjetër Gërdeci. Sot ai dhe sejmenët e tij ofrojnë me gërma të mëdha numrin anonimat 112, policinë e fryrë nga udhëzimet e selive të rilindjes mavi. Madje tentavitat arrijnë deri tek dyert e ambasadave. Një model tashmë bajat se çfarë këshillon përshembull ambasada amerikane e Tiranës për qytetarët e saj. Duke e ditur fare mirë se 95% e shqiptarëve e adhurojnë ikjen. Sot Edi Rama shpërndan video kundër protestë…, një lloj karantine qeveritare kjo e tipit Maduro në Venezuelë, se çfarë planifikojnë të bëjnë opozitarët, thuthuqët, rrugaçët, çeçenet, antikombëtarët etj. Fjalori ai atij sojit që mendon se me metoda të bulizmit mund të jetë magjepës dhe superior hollywoodi. Sot Edi Rama po përgatit një miting anti protestë mbi ”arritjet” e tij si lungo maret a zona të tjera relaksi ku të vriten sa më mirë vlonjatët e lodhur nga droga, gomonet, lufta e karteleve dhe zhdukja e kufomave. Në Vlorën që sot është totalisht një vazhdë e kulturës kamorriale të qyteteve të jugut të Italisë. Sot Edi Rama ka filluar publikisht fushatën elektorale të qershorit, shkon në ato bashki opozitare dhe fyen publikisht kryetarët aktualë, duke kërcënuar qytetarët aty se nuk ndreqen po nuk votuan kandidatin e tij. Sot ky, ka një Shqipëri të tërë, me numër të trefishuar mëkatesh mbi kokë.

Por kurrë nuk dha llogari vetë, për aleancat e errëta me krimin dhe drogën. Kurrë nuk i kërkoi falje shqiptarëve për kaçatorrët a mushkonjat urbane që ngecnin sa në Divjakë e sa në Lezhë. Përkundrazi kërkoi publikisht që shqiptarët t’i kërkojnë falje esnafëve të kësaj bote, esnafër të cilët ai i bëri deri ministra e kryetarë kuvendi. Kurrë nuk u dha llogari shqiptarëve për prurjet në parlament, të elementit kriminal, të pistolerëve a bandave që vodhën e i blen shqiptarët e rrethinave me para kesh, duke dërrmuar shpirtin e demokracisë. Kurrë nuk dha llogari për këto fakte të publikuara tashmë me pamje, e që gjënden kudo, mjaft të kërkosh në internet. Por i përmblodhi të gjitha në një terminologji diktati si kazan, kadri, thu-thu, rrumpallë, më ha atë që s’thuhet, etj. 

A kanë arsye nesër opozitarizmi të protestojë?

Pa diskutim që po. Madje jo vetëm ata, por gjithë shqiptarët. Dhe lum ata shqiptarë që e kuptojnë. Dhe dhëntë Zoti qofshin më të shumtë në numër se ata që adhurojnë praktikat me 3p (partneritetin publik privat). Dhe që u rëndohet fakti se 85% e territorit social shqiptar, sot është një konçesionar me fatura të kripura, fakt që do ta mbaj Shqipërinë një vend ku edhe ata që nuk kanë lindur do jenë adhurues të ikjes drejt perëndimit dhe lindjes së mesme.

Pa llogaritur këtu konçesionet peng, si teatri, bota artistike përçudnuar, sepse është fakt që komuniteti artistik është i përçarë. Dhe nuk ka si ndodh ndryshe kur shikon një figurë teatri a kinemaje, që edhe pse ka kapur të gjitha majat, prapë lakmon ngjitjen përmes makinerisë propogandë të Edi Ramës a rilindjes së tij. Nuk ka se si shpjegohet fakti që deri shkrimtarë me emër angazhohen të suportojnë emra për poste ministrash etj. Një rënie kombëtare që me të drejtë shqiptarët jashtë territorit të shtetit amë ndihen të fyer kur flaket boja në parlament, kur Tirana dhe Prishtina nuk bisedojnë, por i shqyejnë sytë njëra-tjetrës me dosjet e sigurimit dhe pseudonimet e tyre. Por duhet protestuar edhe për një opozitë më efikase, e cila nuk ofron sfida, nuk ofron parimin e së të drejtës së të të zgjedhurit. Nuk ofron sfida të mëdha deri djegje mandatesh, nuk hapet. Ka mijra arsye për të protestuar, ndaj protestoni për vendin tuaj, për të ardhmen tuaj jo për karriken e njëri apo tjetrit. Bëni mirë që me protesta të kufizoni sa më shumë mandatet e shefave. Sepse sa më pak do u vjedhin. Sa më gjatë ata rrinë në pushtet, jo vetëm që ju vjedhin, por ta dini .., ju kanë dënuar me burgim të tipit të përjetshëm.

Filed Under: Politike Tagged With: Akuzat e Ramës, dhe protesta e nesërme, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 420
  • 421
  • 422
  • 423
  • 424
  • …
  • 655
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR VITIN E RI 2026
  • Për bij e bija të denja të kombit shqiptar!
  • Kastrioti, me firmë e me vulë
  • Qoka si zhanër letrar: Një histori “suksesi” pa lexues
  • Kartolinat festive si dëshira të shkruara
  • SHQIPTARËT DHE KRISHTENIZMI NË TROJET E TYRE – HERSHMËRIA APOSTOLIKE, DËSHMITË ARKIVORE DHE TRASHËGIMIA EVROPIANE
  • Vota e Kosovës nuk ishte kundërshti — ishte dinjitet
  • Kosova, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare dhe beteja për sovranitet në rendin ndërkombëtar
  • LE SOIR ILLUSTRÉ (1963) / “NË KOHËN QË JETOJMË, PUNA E FISNIKËRON NJERIUN…” — TAKIMI ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Nëna e Isës dhe naçallniku serb
  • Fishta, orakull i shqiptarizmit në kohët moderne
  • Gezim Muhaj: “Tv Iliria, 13 vite transmetim dhe ruajtje e kulturës shqiptare në Çikago”
  • Rudyard Kipling, ky endacak tragjik dhe ëndërrtar i jetës, ai që predikoi “Në mundsh… të ruash arsyen kur bota humb fillin…”
  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT