• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIZIMI I HISTORISË – KRIM KOMBËTAR

May 30, 2019 by dgreca

NGA THANAS L.GJIKA/

(Krimet e komunizmit filluan me formimin e PKSH-së) /

Kërkesa që iu paraqit parlamentit shqiptar për të njohur e dënuar 265 ish-kuadro të ushtrisë partizane që kishin kryer krime gjatë L2B, ishte një kërkesë e drejtë. Ajo ishte formuluar pas një studimi serioz të kryer nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK). Mirëpo ajo u hodh poshtë prej deputetëve të Partisë Socialiste, kurse Kryeministri i RSH, z. Edvin Rama kërkoi që ISKPK ta kufizojë periudhën e studimit të krimeve të komunizmit vetëm në vitet e sundimit të diktaturës së proletariatit. Mosaprovimi i kësaj kërkese dhe vendimi i z. Kryeministër të revoltojnë, por edhe më shumë të revolton qëndrimi i z. Spartak Braho, një ish-prokuror i kohës së diktaturës komuniste dhe sot deputet i Partisë Socialiste, i cili me arogancë dhe cinizëm e quan intelektualin e shquar z. Agron Tufa, drejtorin e këtij instituti, “neofashist e ballist, që hedh poshtë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”, etj. Të evidentosh dhe të dënosh krimet e disa kuadrove komunistë të ushtrisë partizane nuk do të thotë se e mohon Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, por se e çliron vlerësimin e saj prej politizimit, prej mbivlerësimeve që iu bënë prej udhëheqësit të Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH), i cili, nga një anë shumëfishoi çdo bëmë të saj dhe të ushtrisë partizane dhe nuk i kritikoi kurrë gabimet dhe krimet që këto kryen gjatë luftës e mbas saj. 
Për shkak të ekzistencës si dje dhe sot të shumë pushtetarëve nostalgjikë ndaj regjimit diktatorial dhe diktatorit, puna e ISKPK për gjetjen dhe dënimin e krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri ka ecur me hapa të ngadalshëm. Këtë proces vendet e tjera ish-komuniste të Europës Qendrore e Lindore, me përjashtim të Federatës Ruse dhe Serbisë, e kanë kryer me kohë. Më e keqja është se shumë ish-kuadro drejtues të luftës dhe ish-funksionarë të regjimit komunist, bashkë me bijtë e tyre, vijojnë të vuajnë nga nostalgjia ndaj asaj politike dhe atij regjimi që u siguroi karierë dhe poste të pamerituar. 
Realisht ish-partizanët dhe ish-komunistët shqiptarë kanë bërë dhe bëjnë pjesë në dy grupe njerëzish: njëri grup që përbën shumicën ka pasur dhe ka njerëz që kanë qenë e janë të ndershëm. Shumë prej këtyre ranë dëshmorë për lirinë e atdheut. Kurse grupi tjetër që përbën pakicën, ka pasur dhe ka njerëz që kanë qenë dhe janë karieristë e të pandershëm. Pikërisht këta me në krye Enver Hoxhën, morën drejtimin e luftës dhe ecën sipas porosive të Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës. Bënë plot krime gjatë Luftës Antifashiste, duke vrarë pa gjyq shumë njerëz të pafajshëm, për arsye se nuk iu bindeshin urdhërave të tyre, ose se iu dukeshin armiq sepse kishin formim të lartë arsimor ose gjendje të mirë ekonomike. Mbas luftës, pasi PKSH-ja mori pushtetin, të tillë njerëz vijuan të kryenin krime edhe më tepërt. Përmes luftës së klasave e ndanë popullin në dy kategori: njerëz me biografi të mirë dhe njerëz me biografi të keqe. Janë pikërisht këta karieristë që nuk kanë dashur dhe nuk duan të reflektojnë e të kërkojnë të falur për krimet që kryen gjatë L2B dhe gjatë sundimit të diktaturës së proletariatit. Ata nuk duan të pranojnë faktin e hidhur se gjatë jetës partizane ose më vonë, dëshira për karierë i transformoi nga fshatarë e punëtorë të thjeshtë e të guximshëm, që dolën malit për liri, në njerëz servilë që për të zënë një post dhe për ta mbajtur atë kryen verbërisht çdo urdhër që u vinte nga lart edhe pse shumë nga këto urdhëra ishin të paligjshëm e kriminalë. 
Duke i besuar dhe shërbyer verbërisht Enver Hoxhës për të fituar e mbajtur një post, këta njerëz u tranformuan në kriminelë. Frika se mos e humbnin postin e marrë dhe dëshira për të bërë karierë të mëtejshme, i shtyu ata nga krimi në krim. E zhdukën nga ndërgjegja e tyre të menduarit kritik dhe e zëvendësuan atë me drogimin ideologjik. Ata  besonin me naivitet se çdo mendim e çdo vendim që delte nga goja e E. Hoxhës ishte i drejtë dhe nuk duhej diskutuar. Ata nuk kërkonin fakte për të kuptuar se ishte apo jo armik ky ose ai shqiptar, qoftë dhe miku e kolegu i tyre, të cilin e shpallte armik partia e udhëheqësi i saj. Ky drogim i këtyre kuadrove u përhap si sëmundje edhe në popull, shumica e të cilit jetonte nën terrorin që ushtrohej dita ditës dhe fukarallëkun e skajshëm, Për të mbijetuar populli e mbylli gojën duke u pajtuar me të keqen. Kjo situatë solli një shkatërrim moral në mendësinë e popullit tonë, shkatërrim që nuk ishte përjetuar as gjatë sundimit osman disashekullor.
Pjesa dërmuese e njerëzve që kishin pozita të larta në parti, ushtri dhe administratë mendonin dhe propagandonin si robotë se “Enver Hoxha, komandanti legjendar” ishte njeri i drejtë që jepte dënime vetëm për të mirën e atdheut e të popullit. Kishte ndodhur që kur arrestoheshin disa prej këtyre shërbëtorëve robotë, këta nuk besonin se urdhëri i arrestit ishte dhënë prej vetë Enver Hoxhës. Ky lloj drogimi u kishte hyrë në palcë shumicës së kuadrove, madje dhe shumicës së popullit, sa që edhe sot pas gati 30 vjet nga kapitullimi i sistemit të diktaturës komuniste, kur iu tregohen krimet e asaj kohe, ka njerëz si deputeti Spartak Braho që nuk besojnë se gjatë Luftës Antifashiste u bënë krime ndaj shqiptarëve nga disa komandantë e komisarë çetash, batalionesh e brigadash partizane. 
Për të bindur deputetin Braho dhe përkrahësit e tij, si dhe zotin Edvin Rama, Kryeministrin e RSH, se gjatë Luftës Antifashiste u kryen shumë krime dhe se dënimi i krimeve të komunizmit duhet filluar që me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare, po rendis këtu disa fakte që dëshmojnë se Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt që nga themelimi i PKSH-së e në vijim kryen akte kriminale, që duhen cilësuar tradhëti kombëtare dhe që duhen dënuar sa më parë për të çliruar popullin nga nostalgjia komuniste. 
Këtë artikull nuk e shkruaj se dua të mohoj Luftën Antifashiste Na-Çl, as të mohoj trimëritë e partizanëve dhe as dëshmorët, dhe as të justifikoj gabimet dhe krimet që kryen ballistët pas 10 shtatorit 1943, pasi Shpati (Enver Hoxha) u dha urdhërin sektet organizatave bazë të PKSH-së që të shpallej Balli Kombëtar armik e të sulmohej prej forcave partizane si tradhëtar e bashkëpunëtor i pushtuesit edhe pse deri atëhere ballistët nuk kishin bërë ndonjë bashkëpunim me pushtuesit gjermanë.

Mohimi i Shqipërisë së bashkuar ishte tradhëti kombëtare.
Pas pushtimit gjerman të shtetit Serbo-Kroato-Slloven, ky shtet u shpërbë. Sllovenia dhe Kroacia u shpallën shtete më vete, Hungarisë iu bashkua Vojvodina që banohej kryesisht nga hungarezë, Bullgarisë iu dha pjesa më e madhe e Maqedonisë, kurse Shqipërisë iu bashkuan në gusht të vitit 1941 pjesa më e madhe e Kosovës dhe territore të tjera të banuara nga shqiptarët, që i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë më 1913.
Atdhetarët shqiptarë këtë ngjarje e quajtën fitore për popullin shqiptar, sepse pavarësisht se Shqipëria ishte e pushtuar dhe pavarësisht se kush e realizoi bashkimin, ky bashkim korrigjoi pjesën më të madhe të gabimit historik që i ishte bërë popullit tonë me vendimet e Konferencës së Londrës më 1913. 
Në radhët e atdhetarëve dhe në popull u krijua një psikologji optimiste. Mendohej se sido që të mbaronte L2B, Shqipëria e bashkuar me Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Dibrën, Gostivarin, Kërçovën, Tetovën, Strugën, Gucinë, Plavën, Ulqinin etj, pas mbarimit të kësaj lufte, do ta hidhte edhe një herë në det ushtrinë italiane si më 1920. Një numër i madh nëpunësish dhe mësuesish u dërguan në territoret e bashkuar me atdheun mëmë për krijimin e administratës shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe. Ata u pritën me dashuri prej banorëve vendës dhe punuan me përkushtim atdhetar.
Mirëpo Josif Broz Titua bashkë me udhëheqësit e Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ) nuk e pranonin faktin se më 1913 Serbisë i ishin dhënë më 1913, falë presionit të Rusisë Cariste, territore që banoheshin kryesisht ose tërësisht prej popullit shqiptar i cili ishte një popull autokton jo sllav. Ata filluan të thurrnin plane sesi këto territore t'ia rikthenin shtetit që do të krijonin mbas luftës me emrin Jugosllavi. Një situatë e favorshme për ta u krijua mbas sulmit të Gjermanisë naziste ndaj aleatit të saj Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) më 22 qershor 1941. Në korrik të atij viti, udhëheqësi i BRSS, J. V. Stalini, dha urdhër që në vendet e pushtuar nga ushtritë nazi-fashiste partitë komuniste të organizonin e të drejtonin luftën partizane kundër pushtuesve. Edhe atje ku nuk ekzistonin parti komuniste, këto duhej të krijoheshin sa më parë për të organizuar e drejtuar luftën partizane, me qëllim që Gjermania dhe Italia të mos i hidhnin të gjitha forcat ushtarake kundër BRSS. 
Futja e BRSS në luftë i nxiti dhe më tepët J. B. Titon dhe udhëheqësit e tjerë të PKJ, të mendonin sesi të realizonin synimet e tyre shoviniste nacionaliste, pra të shpërbënin edhe Shqipërinë tashmë të e bashkuar me një pjesë të madhe të territoreve që i ishin marrë padrejtvsisht më 1913. Ata krijuan me djallëzi emrin Shqipëri e madhe, për të ngjallur urrejtje ndaj këtij shteti, ndonëse ajo nuk i përfshinte gjithë territoret shqipfolëse, si pjesa veriore e Kosovës, që iu la Serbisë; pjesa veriore dhe jugore e Maqedonisë, qv iu dha Bullgarisë; dhe Çamëria që iu la Greqisë.
Sipas pikave 2 dhe 3 të Kartës (Paktit) të Atlantikut të firmosur më 14 gusht 1941 prej drejtuesve të SHBA dhe Anglisë, së cilës iu bashkau dhe BRSS më 24 shtator 1941, popullit shqiptar i takonte që në fund të L2B të krijonte shtetin e vet etnik, pra një shtet më të madh se ai që krijuan pushtuesit nazifashistë në gusht 1941. 
Pikat 2 dhe 3 të Kartës së Atlantikut shpallnin këto të drejta të popujve:
2. Territoret [e shteteve] duhet të jenë në përputhje me pretendimet e popujve që kanë probleme të ngatërruar nga padrejtesitë historike.
3. U lind e drejta të gjithë popujve për vetvendosje.
Mirëpo Titua filloi të punonte nën dhe pa marrë parasysh këto vendime të Kartës së Atlantikut edhe pse ato i firmosi dhe BRSS. Nga fundi i shtatorit 1941, ai dërgoi në Shqipërinë e bashkuar komunistin serb Dushan Mugosha, i lindur e rritur në Kosovë që dinte mirë shqip. Ky erdhi në Shqipëri dhe u lidh me anëtarët e kryesive të grupeve komuniste shqiptare. Pasi pa se këta synonin të krijonin një parti komuniste të pavaruru nga PKJ, një parti që të lidhej drejtpërdrejt me Kominternin dhe Moskën, Mugosha u njoh dhe me Enver Hoxhën dhe bisedoi me të. Duket se ky pranoi propozimin e tij se po të vihej në udhëheqje të partisë komuniste shqiptare do të bindej ndaj urdhërave të PKJ. 
Kjo marrëveshje kuptohet nga një intervistë që ish-koministi Ymer Dishnica dha në vitin 1994. Doktor Dishnica tregon aty se E. Hoxha disa javë para se të formohej partia komuniste u thoshte me mburje shokëve gjatë takimeve në Kafe Flora, se ai do të bëhej kryetar i partisë. 
Në mbështetje të marrëveshjes së D. Mugoshës me E. Hoxhën dëshmon dhe fakti se Miladin Popoviçi, si shkruan Y. Dishnica në intervistën e tij, u thoshte shpesh komunistëve shqiptarë “Keni fat që keni mes jush një Profesor si Enveri”, dhe sa herë e përmendëte emrin e tij midis komunistëve të tjerë, për t'ia ngritur prestigjin, e quante “Profesor Enveri”. Kurse komunistët si Koço Tashko, Ymer Dishnica, Zef Mala, Sejfulla Malëshova, etj, që kishin kryer shkolla të larta në Europë ose SHBA, i thërriste thjesht me emër, për t'i nënvlerësuar. 
Edhe kërkesat që formuloi M. Popoviçi në mbledhjen e themelimit të PKSH-së, për tiparet që duhej të kishte ai që duhej të zgjidhej kryetar i partisë komuniste shqiptare, zbulojnë se Enver Hoxha ishte piketuar prej Dushanit për këtë post përpara se të mbahej mbledhja. Miladini, pasi dëgjoi delegatët e grupeve komuniste, i kritikoi kryetarët e grupeve komuniste për separatizëm dhe dha disa këshilla orientuese. Midis tjerash ai tha: 
“Njeriu që duhet të zgjidhni për kryetar të përkohshëm të partisë duhet të jetë nga radhët e shqiptarëve myslimanë, meqenëse ata përbëjnë shumicën e popullit tuaj.
Ky person nuk duhet të jetë anëtar i asnjërës prej kryesive të grupeve ekzistuese komuniste, sepse do të sjellë frymën e grupit.
Ai duhet të jetë i pashëm që ta pëlqejë populli”. 
Koço Tashkoja me naivitet u ngrit e tha se e kishin një person që i plotësonte këto të dhëna, ishte Enver Hoxha, të cilin grupi komunist i Korçës e kishte punësuat si shitës te Kafe Flora. Ai ishte mysliman i pashëm dhe nuk ishte anëtar i asnjë grupi komunist. U dërgua një delegat, i cili pasi e takoi Enver Hoxhën, e shpuri në mbledhje. Mbas disa diskutimeve, këtë e zgjodhën sekretar të përkohshëm të partisë...
Në procesverbalet e kësaj mbledhjeje, Partia Komuniste Shqiptare u quajt parti kombëtare, por asaj iu caktua që të shtrinte veprimtarinë e saj politike, organizative e ushtarake vetëm brenda territorit të Shqipërisë së paraluftës. Askush nga diskutantët nuk përmendi të drejtat e popullit shqiptar për vetvendosje e rregullim të kufijve të saj nga padrejtësitë historike të bëra më parë, si kishte shpallur Karta e Atlantikut, karta e aleatëve të mëdhenj antinazifashistë. Nuk u përmendën fjalët Kosovë, Shqipëri ekzistuese, territore shqiptare të bashkuar me atdheun mëmë, Karta e Atlantikut, e drejta pë vetvendosje, etj.
Kuptohet thjesht se mospërmendja e shtetit ekzistues shqiptar, të drejtat e popullit shqiptar sipas kartës së Atlantikut dhe mosmarrja përsipër që kjo parti e re politike kombëtare, ta shtrinte veprimtarinë e vet vetëm brenda territoreve të Shqipërisë londineze, donte të thoshte se jo vetëm Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, por edhe Enver Hoxha dhe drejtuesit e grupeve komuniste nuk e donin Shqipërinë e bashkuar dhe as krijimin e Shqipërisë etnike (Shqipërisë së vërtetë), që synonin kërkesat e Kartës së Atlantikut. 
Pra, që në krijim PKSH ia dhuroi territoret shqiptare që i ishin bashkuar me të drejtë Shqipërisë në gusht të vitit 1941. Kësaj radhe këto territore i rijepeshin Serbisë pa presionin e Rusisë Cariste dhe të diplomacisë europiane, por prej partisë se re komuniste shqiptare, që u krijua si shërbëtore e PKJ. 
Partitë komuniste ruse, serbe e jugosllave prapa paritit të internacionalizmit fshihnin synimet pansllaviste për asimilimin e popujve jo sllavë, duke vënë në krye të partive të tjera komuniste njerëz të nënshtruar e të bindur ndaj politikës e synimeve të tyre ekspansioniste.
Të pranoje e të punoje për shpërbërjen e Shqipërisë ekzistuese, të mos përmendje të drejtat e popullit shqiptar sipas Kartës së Atlantikut, ishte krim kombëtar, tradhëti kombëtare. PKSH gjatë L2B dhe pas saj, punoi me rrugë të ndryshme që t'ua mbushte mendjen anëtarëve të saj dhe mbarë popullit shqiptar, dhe ua mbushi herë me fjalë e herë me dhunë, se nuk duhej të mendonin për pjesën e popullit që kishte mbetur jashtë kufijve të vitit 1913. 
Kjo tradhëti arriti kulmin në dhjetor 1947. Analisti Mërgim Korçës në bazë të dokumenteve të gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, ka vënë në dukje se në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “…tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…”
Për këtë fjalim Enver Hoxha nuk bëri kurrë autokritikë. Ai nuk pranoi kurrë të kritikonte dhe dënonte gabimet dhe krimet që kreu gjatë Luftës Antifashiste dhe më vonë, derisa vdiq. Kurse pushtetarët dhe historianët tanë pas vdekjes së tij dhe deri më sot i kanë fshehur dhe nuk i kanë botuar dokumentet ku dalin qartë në mënyrë të pakundërshtueshme gabimet dhe krimet që kreu Enver Hoxha që më 8 nëntor 1941 deri nga mesi i vitit 1948, kur J. V. Stalini e detyroi të shkëputej prej Jugosllavisë dhe të lidhej me BRSS. Nuk ka pse të mos pranohet se gjatë gjashtë viteve të para të qëndrimit në krye të PKSH, Enver Hoxha ishte një shërbëtor i bindur i PKJ dhe se udhëzimet dhe urdhërat e saj e kishin detyruar të kryente shumë krime, madje dhe tradhëti kombëtare. 

Mohimi i dëshmorëve të 7 prillit 1939.
Një tjetër tradhëti kombëtare e kryer prej PKSH është dhe mohimi i rezistencës që iu bë ushtrisë fashiste italiane më 7 prill 1939 dhe i dëshmorëve që ranë gjatë atyre luftimeve. Edhe pse pjesëmarrja ishte e pakët, forcat shqiptare të përbëra nga një pjesë e ushtrisë mbretërore, nga xhandarmaria dhe nga disa vullnetarë nga qyteti, ato kryen një rezistencë të denjë në Durrës. Ushtrisë italiane iu shkaktuan 124 viktima, kurse nga radhët e forcave shqiptare ranë nëntë dëshmorë, të cilëve gjatë mbasdites iu shtua dhe një qytetar ortodoks, i cili e leu dhe e dogji veten me benzinë te sheshi i qytetit para ushtrisë italiane që ishte renditur për të festuar fitoren. Emrat e këtyre dëshmorëve janë:
Mujo Ulqinaku, Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi (Kallço), Ibrahim Osmani, Isak Metalija, Ismail Reçi, Ramazan Velia (Lezha), Hamit Vesho, si dhe qytetari që dogji veten, por emri i tij deri sot nuk është verifikuar ende. 
Luftime u zhvilluan edhe në Sarandë ku ra dëshmor Mitro Dhimërtika; në Shkodër ku ra dëshmor Tonç Toma; në Berat ku ra dëshmor Zenel Blana dhe në Vlorë ku u ranë dëshmorë dy ushtarë, por emrat e tyre nuk janë verifikuar ende. Dëshminë se në Vlorë u kryen luftime më 7 prill 1939 dhe se aty ranë 2 dëshmorë na e ka dhënë Prof. Sami Repishti, i cili këtë fakt e kishte dëgjuar prej dy malësorëve ish-ushtarë të ushtrisë mbretërore që morën pjesë në ato luftime. Këta dy malësorë i treguar z. Repishti gjatë jetës në burgun e Burelit, ku ishin të dënuar bashkë me të. 
E vëreta është se asnjë prej këtyre 15 dëshmorëve nuk ishte pjesëtar i ndonjë grupi komunist.
Menjëherë pas kapitullimit të Italisë Fashiste në shtator 1943, koloneli i Xhandarmërisë shqiptare, Sami Koka, ish-luftëtar i rezistencës së 7 prillit në Durrës, i dorëzoi qeverisë shqiptare të kohës emrat e 13 dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe i bëri presion që ajo t'u lidhte pension partiotik. Ajo qeveri ua lidhi pensionin patriotik 13 familjeve të të rënëve. Sami Koka nuk i kishte emra e dy të rënëve në Vlorë dhe as emrin e qytetarit dursak që dogji veten. Këto familje e morrën pensionin patriotik deri në nëntor të vitit 1944. 
Qeveria komuniste që erdhi në pushtet, pas nëntorit 1944 në vend që të gjente emrat edhe te tre dëshmorëve të tjerë, mohoi 12 prej dëshmorëve dhe ua ndërpreu pensionin patriotik. Ajo njohu si dëshmor të 7 prillit vetëm Mujo Ulqinakun. 
Dëshira për ta politizuar historinë e shtyu Enver Hoxhën që më vonë të thoshte se Lufta Antifashiste filloi me formimin e PKSH-së. Për këtë arësye ai para se të mohonte 12 dëshmorët e 7 prillit, ia mohoi dhe kontributin luftarak majorit Abaz Kupi, i cili luftoi në Durrës si komandant i forcave të ushtrisë mbretërore. Abaz Kupin ai e shpalli armik e tradhëtar në shtator 1943, ndonëse delegatët e Konferencës së Pezës më16 shtator 1842 ia kishin njohur kontributin e 7 prillit dhe e kishin zgjedhur bashkë me E. Hoxhën anëtar të Këshillit të Përgjithshëm Nacional. 
Mohimi i dëshmorëve të 7 prillit 1939, si dhe mohimi i kontributit të Abaz Kupit në rezistencën e Durrësit e luftimet e mëvonshme kundër pushtuesve italo-gjermanë, e ka emrin tradhëti kombëtare.
Dëshmorët e 7 prillit 1939, si dëshmorët e parë të Luftës Antifashiste, e kanë vendin në Vorrezat e Kombit në Tiranë në një vend kryesor. Vendosja e tyre në atë panteon së bashku me disa dëshmorë të Rilindjes, të Luftës së Vlorës të vitit 1920 dhe  dëshmorë të tjerë të rënë për lirinë e atdheut, kërkon që ylli partizan të hiqet nga dora e monumentit Nënë Shqipëri. Duhet të hiqet, sepse ky yll përfaqëson vetëm ata partizanë anëtarë të PKSH që e dhanë jetën për lirinë e atdheut dhe për idenë komuniste të përhapjes së Komunizmit në pesë kontinentet e botës. Midis dëshmorëve partizanë, ata që ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe kandidatë partie, për të cilët mund të thuhet se e dhanë jetën jo vetëm për lirinë e atdheut por edhe për komunizmin, ishin një pakicë. Sipas statistikave të Komitetit Qendror të PKSH të vitit 1946, dëshmorë komunistë ishin gjithsej 1.057 dhe 60 kandidatë partie.  

Mohimi i Marëveshjes së Mukjes shënoi fillimin e luftës së klasave.
Më 1-3 gusht 1943 u mbajt Mbledhja e Mukjes, ku delegatët e forcave balliste, nacionaliste e komuniste u ulën si të barabartë në tavolinë dhe zgjodhën Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë. Ky komitet përbëhej nga 24 vetë prej të cilëve dymbëdhjetë ishin përfaqësues të Ballit Kombëtar, gjashtë të Partisë Komuniste (PKSh) dhe gjashtë të forcave nacionaliste. Ky komitet formuloi Marrëveshjen (Proklamatën) e përbashkët për vijimin e luftës kundër pushtuesit italian dhe çdo pushtuesi tjetër që mund të vinte. Proklamata e këtij komiteti ishte kjo:
Popull shqiptar!
Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.
Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës... Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:
  1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.
  2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.
  3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.
    Shqiptarë!
    Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.
    Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.
    Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!
    Jashtë armiku zaptues!
    Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!
    Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!
    Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore! Të dërguarit e Partisë Komuniste ia shpunë Enver Hoxhës Proklamatën e Mbledhjes së Mukjes në Vithkuq të Korçës, ku ishin mbledhur forcat partizane për krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese. Nesti Kërënxhi, njëri prej anëtarëve të delegacionit të PPSh-së, ka treguar se Enver Hoxha pasi e lexoi, e pranoi dhe tha: “Mirë e keni bërë”. Mirëpo në atë kohë doli nga çadra e tij Miladin Popoviç, i cili u afrua dhe kërkoi ta lexonte vetë proklamatën. Pasi mbaroi së lexuari pikën e dytë, ku përmendej e drejta për vetvendosjen e popujve dhe Shqipëria etnike, ai e grisi letrën dhe ia hodhi Enverit në fytyrë duke thirrur me inat: “Nanën Shqipnisë etnike! Enver mohoje!”
    Kështu u hodh poshtë Marrëveshja (Proklamata) e Mukjes, arritja më e rëndësishme e forcave të përbashkëta antifashiste. Enver Hoxha, si ushtar i bindur i M. Popoviçit, filloi nga veprimet për ta mohuar e hedhur poshtë marrëveshjen e Mukjes. Ai formuloi më 10 shtator 1943, dhe u dërgoi organizatave të partisë në bazë, një shkresë sekrete ku urdhëronte që të shpallej Balli Kombëtar tradhëtar dhe bashkëpunëtor i pushtuesit, kur ushtarët e kësaj organizate e kishin luftuar pushtuesin po ashtu si forcat partizane.
    Grisja e Proklamatës së Mukjes prej Miladin Popoviçit duhet dënuar prej historiografisë sonë si ndërhyrje në punët e brendshme të ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare Shqiptare, kurse mohimi i Proklamatës së Mukjes nga ana e Enver Hoxhës dhe udhëheqësit e PKSH duhet quajtur tradhëti kombëtare dhe duhet dënuar sa më rëndë. Ndërsa deri sot historiografia jonë e ka konsideruar thjesht si një nënshtrim ndaj emisarëve jugosllavë, pa gjykuar pasojat shkatërrimtare që solli ky vendim për të ardhmen e lëvizjes antifashiste të popullit tonë. Tek hedhja poshtë e vendimeve të Mbledhjes së Mukjes dhe te shpallja e Ballit Kombëtar armik, pa fakte e ka fillimet lufta e tmerrshme e klasave që filloi e zhvilloi PKSH e më vonë PPSH për të zhdukur gjithë ata shqiptarë që mendonin ndryshe, ose që partia i mendonte si kundërshtarë të saj.
    Eshtë e kuptueshme se hedhja poshtë e Marrëveshjes së Mukjes dhe urdhëresa sekrete e Shpatit (Enver Hoxhës) e datës 10 shtator 1943, për t’ua kthyer ballistëve pushkët e partizanëve krijoi një gjendje çoroditëse ndaj forcave të Ballit Kombëtar, të cilat pas disa javësh filluan të ndodheshin edhe përballë pushtuesve të rinj gjermanë. Të ndodhur midis dy zjarresh, mjaft reparte të forcave balliste filluan të bashkëpunonin me pushtuesit gjermanë, sepse këta shprehën gadishmëri për të mos i asgjësuar. Kështu Balli Kombëtar nga një forcë ushtarake antifashiste që kishte luftuar disa vjet për çlrimin e vendit nga zgjedha fashiste, u kthye brenda muajve tetor-nëntor 1943 në një forcë bashkëpunëtore me pushtuesin e ri nazist.
    Ky gabim i rëndë nuk mund t’i falet Balli Kombëtar, i cili ishte krijuar si një organizatë patriotike prej elitës intelktuale shqiptare që ishte edukuar në Europë e Amerikë, dhe që deri atëhere e kishte drejtuar me mençuri dhe kishte fituar simpati të madhe në popull, sidomos në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Por duhet kuptuar se në këtë gabim historik forcat e Ballit Kombëtar nuk i shpuri dëshira e tyre, por pushka partizane, politika armiqësore që nisi të mbante ushtria partizane. Udhëheqja e PKSH në shtator 1943 i shpalli edhe forcat prombretërore që drejtonte Abaz Kupi forca armiqësore, sepse ai luftëtarët e tij nuk mendonin njësoj si komunistët. Edhe pse këto forca nuk gabuan si forcat e Ballit Kombëtar, pra nuk bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë por i luftuan këta, Enver Hoxha dhe partia e tij i luftoi si forca kundërshtare dhe i shpalli tradhëtare, pa bërë ndonjë tradhëti. Abaz Kupi u detyrua të tërhiqte forcat e tij prej Frontit Nacional Çlirimtar edhe të delte si forcë më vete me emrin Partia e Legalitetit.
    Ndryshimi që ndodhi në forcat partizane duke u kthyer ato nga forca që luftonin për liri si aleate të forcave nacionaliste, prombretërorëve dhe të Ballit Kombëtar, në forca që filluan të luftonin kundër pushtuesit, por dhe kundër aleatëver të tyre, ishte tregues i pamohueshëm se PKSh-ja, e shtyrë prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, krahas luftës për liri, filloi dhe luftën për marrjen e pushtetit si forcë e vetme politike. Ky aspekt i ri i dha Luftës Antifashiste edhe tipare të luftës civile. Aspekt ky që duhet dënuar prej historiografisë sonë.
    Në Mbledhjen e Mukjes ishte vendosur që problemi i pushtetit të vendosej mbas çlirimit të vendit përmes votës së lirë të popullit. mirepo emisarët e Titos e mësuan Enver Hoxhën se komunistët nuk duhej ta ndanin pushtetin me askënd. Me një fjalë PKSh përqafoi që në atë kohë idenë e sundimit të Shqipërisë së nesërme si forcë e vetme politike, ashtu si sundonte Partia Komuniste Bollshevike në Bashkimin Sovjetik, përmes diktaturës komuniste. Që nga muaji tetor 1943 edhe pse forcat partizane kërkonin e merrnin ndihma nga Anglo-amerikanët dhe flisnin se aleatët e jashtëm antifashistë ishin tre: Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik, në fakt drejtuesit e PKSh-së filluan me zë të ulët të ngrinin lart Bashkimin Sovjetik, të flisnin me lavëdërime për Stalinin dhe Titon, por jo edhe për Çurçillin dhe Rusveltin.
    Kështu emisarët jugosllavë ia arritën qëllimit: i përçanë forcat e armatosura shqiptare antifashiste në tre grupe, të cilët nuk mund të bashkëpunonin më midis tyre. PKSH dhe forcat partizane i luftuan ashpërsisht gjithë ballistët dhe legalistët si armiq e tradhëtar të atdheut. Pas mbarimit të L2B PKSH / PPSH dhe forcat e Sigurimit e të Frontit Demokratik vijuan t’i luftonin ish-ballistët, ish-nacionalistët, ish-legalistët dhe intelektualët e pavarur të formuar në Perëndim, si armiq të atdheut pa bërë asnjë tradhëti. Shumica e tyre u burgosën e u internuan në vendbanime të izoluar. Këtu jetuan edhe pasardhësit e tyre, qenie të pafajshme që trashëgonin “fajin” e prindërve dhe gjyshërve të tyre, që ata nuk i kishin njohur kurrë.
    Për fat të keq psikologjia e luftës së klasave vijoi të sundojë edhe pas ndërrimit të regjimit më 1992. Komunistët, që brenda një dite u vetëquajtën socialistë, i luftonin nëpër artikujt e gazetave dhe në fjalime duke i quajtur armiq e tradhëtarë gjithë shqiptarët që u bashkuan në partitë e reja politike si Partia Demokratike, Partia Republikane, etj dhe simpatizantët e tyre. Po kështu edhe anëtarët e simpatizantët e Partisë Demokratike e ata të Partisë Republikane i quanin armiq socialistët dhe simpatizantët e partisë socialiste.
    Kjo psikologji nuk na le të bashkëpunojmë si bij të një populli për të mirën e Shqipërisë e të popullit shqiptar. Shumfishimi i numrit të partizanëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Na-Çl
    Fatkeqësisht shumë ish-partizanë e ish-prokurorë si Spartak Braho nuk duan të mësojnë të vërtetat dhe nuk pranojnë se partia shtet ka bërë shtrembërime të mëdha, pra krime, lidhur me shumë fakte të kohës së Luftës Antifashiste dhe pas saj. Të tillë shërbëtorë të diktatorit e diktaturës janë mësuar me gënjeshtra e shumfishim të trimërive të tyre. Kanë thënë e thonë se Ushtria Nacional Çlirimtare arriti në 70.000 luftëtarë. Kuse në të vërtetë, si kanë shkruar autorët e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (FESH), Vëllimi II, viti 2008 në zerin Brigadat e Ushtrise Na-Çl, këto formacione ushtarake deri më 24 prill 1944 kishin gjithsej 5.075 partizanë dhe se më 28 nëntor 1944 arritën të kenë 26.877 partizanë. Më 29 nëntor 1944 u shtuan dhe 1200 partizanë nga rrethi i Shkodrës që formuan Brigadën e XXVII Sulmuese, e cila pas disa muajve u shkri pa dhënë asnjë dëshmor.
    Kurse lidhur me numërin e dëshmorëve të rënë nga radhët e këtyre brigadave partizane, autorët e FESH-it duke u mbështetur në historikët që ishin shkruar për brigadat partizane, japin shifrat për dëshmorët e sejcilës brigadë. Duke i mbledhur numrin e të gjithë këtyre dëshmorëve arrihet numëri 1.967 dëshmorë. Duke menduar se në këtë numër nuk janë përfshirë dëshmorët e rënë nga formacinet e çetave partizane, mendoj se për numrin e përgjithshëm të dëshmorëve të Luftës Antifashiste nga radhët e forcave partizane duhet të mbështetemi në studimin e studiuesit Teodor Kareco “Jo 28.000 dëshmorë, vetëm 3.500” Tiranë 2014, 224 fq. Sipas këtij studiuesi, i cili ka verifikuar dokumente të disa arkivave të Shqipërisë, në vitin 1946 rezultojnë 2.396 familje dëshmorësh që merrnin ndihmë sociale. Nëse do të kishte dhe 25.604 familje të tjera dëshmorësh (28.000 – 2396 = 25,604), pyet me të drejtë studiuesi Kareco, si mundet ato të mos kërkonin e të mos merrnin ndihmën sociale? Dhe më tej sqaron se numëri prej 28.000 dëshmorësh është vetëm një shifër e sajuar prej Enver Hoxhës e thënë në Konferencën e Paqes në Paris, me qëllim që Shqipëria të merrte sa më shumë shpërblime (separacione) për dëmet e luftës prej Italisë e Gjermanisë.
    Studiuesi Teodor Kareco duke studiuar edhe dokumentet e Ministrisë së Financave ku jepet fondi për krijimin e 4.000 vorrezave të dëshmorëve në gjithë Shqipvrisë, ku do të vendoseshin dhe dëshmorë të rënë gjatë Rilindjes dhe Luftës së Vlorës (1920) dhe të rënë të tjerë për lirinë e atdheut, e llogarit numërin e përgjithshëm të dëshmorëve të Luftës Antifashiste gjithsej në 3.500.
    Zoti Spartak Braho me shokë nuk duhet të sulmojë studiuesit Agron Tufa, Kastriot Dervishi, Teodor Kareco, etj si ballist e neofashist, por të çlirojë bindjet e tij nga drogimi i propagandës së partisë shtet.
    Të gjithë duhet të punojmë për të nxjerrë të vërtetën dhe për ta pranuar atë, sepse me gënjeshtra e mburma të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë arritëm në greminë. Sado e hidhur të jetë e vërteta duhet pranuar, se ndryshe nuk shkohet përpara, por mbetemi atje ku ishim 75 vjet më parë. E verteta na çliron nga mendësitë e gabuara dhe na ndriçon rrugën e së ardhmes.

Filed Under: Politike Tagged With: Thanas L. Gjika- krimet e Partise Komuniste

VATIKANI DHE KOSOVA DARDANE

May 29, 2019 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Kishës Katolike Shqiptare janë aq të vjetra sa është edhe vet historia e Kishës Katolike Universale. Siç është shprehur vet Shën Pali: “Kështu, prej Jeruzalemit e deri në Iliri e kam kryer plotësisht detyrën time….”.  Këto marrëdhënie, historikisht, kanë pasur të bëjnë në veçanti edhe me Dardaninë e vjetër, me Kishën e Dardanisë dhe me besimtarët e saj gjatë shekujve, pasi Dardania konsiderohej si një krahinë e veçantë kishtare dhe administrative, me qendër në Shkupin shqiptar — sipas historianëve kishtarë të Dardanisë së vjetër, bazuar në dokumentat zyrtarë që pasqyrojnë komunikimet midis Vatikanit dhe ipeshkvijve katolikë dardanë, gjatë një historie shumë shekullore, e deri në ditët e sotëme.

Në vazhdimësi të këtyre marrëdhënieve historike, ditët e fundit, u njoftuan dy lajme të mira nga Prishtina që të bëjnë optimist se e ardhmja e lidhjeve të Vatikanit me Republikën Dardane të Kosovës, me Kishën Katolike Shqiptare dhe me besimtarët e saj atje, do të jetë edhe më e ndritshme.  Sipas një lajmi të botuar në revistën Drita, organ kulturoro-fetar i Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës,  Delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich dhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji njoftuan nga Katedrala Shën Nënë Tereza në Prishtinë se më 9 dhe 10 qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitojë Republikën e Kosovës.  Lajmi tjetër me rëndësi është shpallja zyrtarisht e asaj që quhet Bula Papënore e që është një dokument apo dekret zyrtar publik i lëshuar nga Kuria Romake dhe i firmosur nga Papa, me anë të të cilit merren vendime të rëndësishme për Kishën.  Vendimi me vlerë të veçantë dhe historik që bartë ky dokument është se Rrethin Kishtar në Kosovë, aktualisht i njohur si Administratura Apostolike e Prizrenit, e ngritë në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, me emërin Dioqeza Prizren – Prishtinë dhe njëkohësisht emron ipeshkvin e saj të parë, Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë Gjergjin.  “Ky nuk është thjesht një akt formal – juridik, edhe pse i nevojshëm.  Unë nuk jam këtu për të kryer një procedurë, por për të përkujtuar diçka më të rëndësishme.  Kjo Bulë na përkujton lidhjen e thellë mes kësaj Kishe vendore dhe Papës…Ky dokument tregon konkretisht që Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush si dhe rritjen tuaj shpirtërore.  Tregon gjithashtu edhe kujdesin e Bariut të përgjithshëm, si dhe afërsinë e tij me gëzimet dhe vuajtjet tuaja”, është shprehur Delegati Apostolik për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich   ndërsa njoftoi dekretin e ri për Dioqezën e re Prizren-Prishtinë, fund javën që kaloi.

“Ky akt i Kishës Universale, në krye me Papa Françeskun, ndaj Kishës sonë në Kosovë, që ishte bërë me dije me anë të një shkrese të Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, më 5 shtator 2018 dhe lexuar në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, nga ish Delegati Apostolik për Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, është akti më i rëndësishmi në pesë shekujt e fundit për Kishën Katolike në Kosovë, prandaj edhe historik, i cili do të shënohet në analet e historisë së krishterimit ndër ne”, shkruan Don Fatmir Koliqi, në revistën Drita.

Njoftohet se Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë vizitës së tij në Kosovë, përveç takimeve që do ketë me komunitetin katolik të Kosovës, do të zhvillojë edhe takime të tjera.  Është kjo një vizitë historike për shtetin e ri të Kosovës dhe për Kishën Katolike atje, pasi është hera e parë që një zyrtar i lartë i Vatikanit, në nivel të Sekretarit të Shtetit, viziton Prishtinën. Revista katolike Drita e cilëson vizitën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Palodin si, “Një akt historik i këtyre viteve dhe muajve që kanë karakterizuar realitetin e raporteve të Kishës dhe të Vendit tonë me Selinë e Shenjtë”.

Pa dyshim se vizita e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, Kardinalit Pietro Parolin në Kosovë, paraqet një rast të veçantë për komunitetin katolik të vendit, që sipas revistës Drita do të do të jetë edhe “një inkurajim për Kishën lokale ‘të vogël’, për të ecur gjithmonë në rrugën e besimit e të dashurisë vëllazërore”, duke “kontribuar për të mirën e mbarë shoqërisë së vendit si dhe për t’u sjellë të gjithëve afërsinë, dashurinë dhe bekimin e Papës Françeskut.”  Prandaj, komuniteti katolik i Kosovës e pret me gëzim e dashuri shtegtimin e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, kardinalit Pietro Parolin, ndërsa vendi e pret me një interes të veçantë.  S’ka dy dyshim se vizita e udhëheqsit të lartë të Vatikanit po tërheq një interesim të veçantë, jo vetëm në radhët e besimtarëve katolikë në Kosovë, por edhe mbarë vendit.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta bëri një vizitë të papritur në selinë e dioqezës së Kosovës në Prishtinë me rastin e ngritjes së Kishës Katolike të Kosovës nga Administraturë Apostolike në nivel dioqeze dhe të emërimit të ipeshkvit dioqezan, imzot Dodë Gjergjit.  Radio Vatikani njoftoi se gjatë takimit me udhëheqsit e Kishës Katolike në Kosovë, Presidenti Meta përshëndeti vendimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë, ndërsa vlerësoi përkujdesin e tij atëror për Kombin shqiptar.  Këshilltari i Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe diasporën, Ambasadori Flamur Gashi u shpreh për Radio Vatikanin se qëllimi i vizitës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë , Z. Ilir Meta në Prishtinë të hënën ishte për të, “Uruar përzemërsisht këtë vendim të Selisë së Shënjtë dhe të Papa Françeskut, si shenjë mirënjohjeje për të gjithë shqiptarët, që tregon Selia e Shenjtë dhe si një përkujdesje të veçantë ndaj Kosovës dhe ndaj popullit tonë. Presidenti Meta vlerësoi lartë gjithë përkujdesjen, që sidomos nën drejtimin e Papa Françeskut, Selia e Shenjtë, për Shqiptarët, të paharruara janë momentet e shënjtërimit të Nënë Terezës, emërimi i kardinalit shqiptar Ernest Troshanit, vizita e parë në Evropë që bëri Papa Francesku ishte në Shqipëri, lumturimi i martirëve shqiptarë, vizita në vendlindjen e Nënë Terezës në Shkup para disa kohësh e Papa Françeskut dhe së fundmi lajmi i gëzuar i krijimit të dioqezës së Kosovës dhe emërimi me kompetenca të plota i ipeshkvit por edhe vizita në qershor e Sekretarit të Shteteit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolini. Pra, Presidenti Meta ishte i entuziazmuar dhe tepër i gëzuar për këto që po ndodhin në raportet e shqiptarëve, në përgjithësi, me Selinë e Shënjtë nën drejtimin e Papa Franceskut”, tha për Radio Vatikanin në gjuhën shqip, Këshilltari i Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe për diasporën, Ambasadori Flamur Gashi.

Vendimi i Papa Françeskut për të themeluar Dioqezën Prizren – Prishtinë, emërimi i Shkëlqesisë së Tij Imzot Dodë Gjergjin, si Ipeshkvin e saj të parë dhe vizita, muajin që vjen, me 9-10 qershor në Kosovë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, janë në vetvete ngjarje me rëndësi në vazhdimësinë historike të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Vatikanit, në veçanti, dhe midis Vatikanit dhe Kombit Shqiptar në përgjithësi.  Hapi i natyrëshëm dhe i doemosdoshëm tani, për çimentimin e këtyre lidhjeve shekullore, është pa dyshim ngjarja madhore përfundimtare që të gjithë shqiptarët kudo presim me pa durim pa dallim feje a krahine në marrëdhëniet midis dy shteteve – njohja pra zyrtare diplomatike e Republikës së Kosovës nga ana e Vatikanit, si shtet i pavarur dhe sovran dhe shkëmbimi i ambasadorëve midis dy palëve.  

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta në takim me Ipeshkvin e dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ditën e hënë, 27 maj

Dekreti Papnor i Papës Aleksandrit VII dërguar argjipeshkvit Andrea Bogdanit me të cilin transferohet prej Ohrit në Shkup, në vitin 1656 — (Marrë nga libri i autorit Dom Gaspër Gjini, “Ipeshkvia Shkup-Prizren Nepër Shekuj”, botuar në vitin 1986)

Më lartë, në latinisht janë emërat e ipeshkvijve dardanë nga letra dërguar Papës Golazit në vitin 494 — (Marrë nga libri i autorit Dom Gaspër Gjini, “Ipeshkvia Shkup-Prizren Nepër Shekuj”, botuar në vitin 1986)

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli- Vatikani-Kosova Dardane

Presidenti Thaçi, bashkim me Shqipërinë…

May 27, 2019 by dgreca

-Thaçi inkurajon Parlamentin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë të nxjerrin deklaratën e bashkimit/

Sipas Europes se Lire, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Por po krijohen rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij”, tha Thaçi.Këto komente ai i ka bërë gjatë një fjalimi në njëzetvjetorin e operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik. Pas idesë për korrigjimin, përkatësisht ndryshimin e kufirit, sipas së cilës tri komuna në Serbinë jugore, Presheva, Bujanoci e Medvexha do t’i bashkoheshin Kosovës, presidenti Hashim Thaçi tani po lason idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.Për idenë e fundit, Thaçi i ka dhënë dy ide, atë të bashkimit nën “ombrellën e Bashkimit Evropian” apo të bashkimit “nën ombrellën shqiptare” të dy vendeve në një territor të vetëm. Ngjashëm me fjalimin në njëzetvjetorin e luftimeve në Pashtrik, Thaçi foli edhe të dielën në bashkinë e Hasit në Shqipëri, ku tha se Kosova dhe Shqipëria, në një të ardhme të afër të do bashkohen.”Ju keni qenë bashkërisht në istikame të luftë dhe bashkërisht do të jetojmë në liri e bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt, në një shtet të përbashkët Kosovë dhe Shqipëri”, tha Thaçi, pasi në Has, mori titullin “Qytetar Nderi”.Sipas tij, është më e lehtë të realizohet, siç ka thënë ai, kjo ëndërr, pra që të ketë një hapësirë mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova.

Deklaratat e Thaçit, nga analistët politikë në Prishtinë shihen si pjesë e retorikës, dhe pa një plan konkret.

Politologu Ramush Tahiri, thotë se presidenti deri tani nuk e ka paraqitur ndonjë program apo plan konkret për idenë e përmendur për bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet.

“Presidenti Thaçi bën deklarata politike, duket së është i frustruar me gjendjen ekzistuese në Kosovë edhe me dallimet e brendshme rreth çështjes themelore, por edhe me procesin e integrimeve evropiane si dhe me procesin e dialogut me Serbinë dhe për këtë e hedh opsionin që Kosova është krahinë e Shqipërisë dhe do të bashkohet me Shqipërinë”, tha Tahiri.

Tahiri deklarimet e presidentit me shumë i sheh si një lloj pakënaqësie me politikën e Bashkimin Evropian karshi Kosovës, sidomos me procesin e liberalizmit të vizave.

“Thaçi luan në një kartë kombëtare që më herët është konsideruar nacionaliste, por tash konsiderohet kombëtare dhe nuk thotë që me çdo mjet do të realizohet, por thotë se është një nga alternativat nëse Kosovës dhe kosovarëve u mbyllen dyert e Bashkimit e Evropian. Presidenti Thaçi ashtu siç po e shpjegon e konsideron se një bashkim i Kosovës më Shqipërinë do të ishte një zgjidhje për paqe dhe stabilitet”, tha Tahiri.

Kurse, analisti politik Artan Muhaxhiri, thotë se diskursi i presidentit Thaçi për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, është krejtësisht i pabazuar në realitetin politik.”Më shumë është një tendencë për të qëndruar i rëndësishëm në media dhe në biseda kafehanesh sesa që mund të ketë ndonjë gjë serioze dhe konkrete. Është absolutisht e qartë se si bëhen këto ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe gjerostrategjike në Ballkan dhe asnjëherë nuk janë bërë në këtë mënyrë. Pra, nevojitet një ndryshim i madh dhe një presion i madhe ndërkombëtar për tu bërë dhe për të dhënë efektet e tilla, gjë që tani nuk është 0.1% pra nuk ka asgjë konkrete”, thekson ai.Muhaxhiri, pos tjerash thotë se deklaratat e Thaçit janë populiste, por të cilat nuk dihet as kujt në fakt i drejtohen. “Nuk e kuptojmë se kë dëshiron ta shënjestrojë me këto deklarata se të gjithë qytetaret e Kosovës e dinë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet asnjëherë në ketë mënyrë tendencioze e pompoze”, tha Muhaxhiri.Presidenti i Kosovës vazhdon të mbajë në jetë, siç thotë ai, ‘përkushtimin jetësor’ të tij për bashkimin e Preshevës, Medvexhës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës.“Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës, pa u cenuar asnjë centimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës, si parakusht për bashkim kombëtar”, ka deklaruar Thaçi.Lidhur me deklarimet e presidentit Thaçi përndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa. Ai ka shkruar në profilin e tij në Facebook se presidentit Thaçi i ka thënë edhe personalisht se diskursin politik për korrigjim të kufijve e ka të gabuar dhe të papranueshëm.Kurse, Thaçi i është përgjigjur liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, se korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi i tiji pandalshëm.”Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyll dyert e saj për ne”, ka thënë Thaçi.

Deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si opsion, vijnë edhe në kohën kur Kosova dhe Serbia po përgatiten për takimin e radhës më 1 korrik, në Paris, i cili pritet të mbahet me ndërmjetësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Anglela Merkel.Takimi i 1 korrikut në Paris, është vazhdimësi e procesit të Berlinit të iniciuar nga kancelarja Merkel.(Kortezi-Arton Konushevci RFL)

Filed Under: Politike Tagged With: Presidenti Thaci-Haradinaj- Veseli-Aleanca e Atlantikut

RIKONFIRMOHET ANGAZHIMI I ATLANTIC COUNCIL PËR KOSOVËN

May 27, 2019 by dgreca

-Presidenti Thaçi, Kryeparlamentari Veseli, Kryeministri Haradinaj  priten zëvendëspresidentin e Atlantic Council, Damon Wilson/

PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zëvendëspresidentin e Atlantic Council, Damon Wilson, së bashku me një delegacion nga Senati dhe Kongresi Amerikan.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar zëvendëspresidentin Wilson për kontributin e vazhdueshëm të Atlantic Council në Kosovë për forcimin e strukturave të sigurisë.“Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës përjetësisht për rolin përcaktues të SHBA-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.Kreu i shtetit dhe delegacioni amerikan kanë biseduar edhe për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës, fillimisht në Partneritetin për Paqe, më pas edhe në NATO.Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe domosdoshmërinë e shfrytëzimit të momentumit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.

“Mungesa e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe i hapë rrugë elementeve antievropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti Damon Wilson ka rikonfirmuar angazhimin e Atlantic Council për Kosovën.

Presidenti Thaçi ka thënë se bashkë me SHBA-në do të vazhdojnë angazhimin maksimal për të ruajtur dhe zhvilluar paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon./b.j/

                            ***

MIRËNJOHJE E THELLË E KOSOVËS PËR MBËSHTETJEN  E SHTETIT AMERIKAN

-Kryeparlamentari Veseli takoi nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda SHBA-së për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës/

PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, i cili po qëndron në Kosovë në krye të një delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeparlamentari Veseli dhe nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Wilson, diskutuan për bashkëpunimin midis Kosovës dhe SHBA-ve dhe për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

Kryetari Veseli rikonfirmoi mirënjohjen e thellë të Kosovës e të popullit të saj për gjithë mbështetjen që shteti amerikan ka dhënë dhe po jep për vendin tonë në të gjitha fushat.

 Veseli e konsideroi të domosdoshëm vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën edhe në sfidat e tjera që ajo ka para vetes, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë në rrafshin ndërkombëtar.“Me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik dhe të administratës së Kongresit Amerikan pata një diskutim përmbajtjesor për Kosovën dhe zhvillimet rajonale. U fokusuam tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksova vendosmërinë tonë për t’u përpjekur në arritjen e një marrëveshje ligjore gjithëpërfshirëse që siguron njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe NATO. Për ta bërë këtë gjë, presim që SHBA-të të luajnë një rol më aktiv për të mbështetur këtë proces. Miqtë nga Këshilli i Atlantikut i falënderova për kontributin e tyre të deritanishëm dhe i kërkova mbështetje në fushën e informimit të publikut dhe planifikimit strategjik. Gjithashtu, i informova për nismën time në kuadër të drejtësisë tranzicionale duke shpjeguar se zbardhja e së kaluarës dhe vënia në vend e drejtësisë për krimet e kryera nga shteti serb i shërben përfundimit të konfliktit dhe pajtimit ndër-etnik”, ka thënë ndër të tjera Kryeparlamentari Veseli.Nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, tha se Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda SHBA-së për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës.Po ashtu, ai tha se do ta ndihmojnë Kosovën në ofrimin e ekspertizës më të mirë për të asistuar në procesin e dialogut.

***

AMERIKA, MARRËDHËNIA MË E RËNDËSISHME E KOSOVËS

-Kryeministri Haradinaj: Kosova ndan botëkuptimin e Amerikës në të gjitha çështjet kryesore. Takim me delegacionin nga North Atlantic, të prirë nga zëvendës presidenti ekzekutiv Damon Wilson/

PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim delegacionin nga North Atlantic, të prirë nga zëvendës presidenti ekzekutiv Damon Wilson.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj duke kujtuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se Amerika është marrëdhënia më e rëndësishme e Kosovës.

“Jam i nderuar që sot ju kemi për vizitë në Kosovë. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës dhe në linjë me Amerikën dhe shërbejmë si aleati dhe miku më i madh i Amerikës në Ballkan”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova ndan botëkuptimin e Amerikës në të gjitha çështjet kryesore.Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj shtoi se Kosova po ashtu ka bashkëpunim me ShBA-në në të gjitha fushat e sigurisë,  e po ashtu edhe marrëdhënie ekonomike.Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova e do paqen por edhe një marrëveshje përfundimtare, në mënyrë të drejtë, ligjore dhe se nuk ka shkëmbime të territoreve të cilat çojnë në luftëra të reja dhe zgjojnë tensione në të gjithë rajonin.“Ne jemi të gatshëm të bëjmë një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe të mos kemi parakushte”, theksoi kryeministri Haradinaj.Kryeministri Haradinaj i njoftoi delegacionin me të arriturat e vendit në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, reformave të përgjithshme dhe progresin në fuqizimin e ekonomisë së vendit.Nga ana e tij, zv.presidenti ekzekutiv Damon Wilson e falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme duke shprehur gatishmërinë se ShBA-ja do të jetë gjithmonë partnere e fuqishme e Kosovën në procese jetike të vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: Thaci, Veseli

Dorëheqja

May 26, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Një nga defektet më vrastare në këto vite demokraci ka qënë instalimi i institucionit të dorëheqjes. E ka bërë vetëm Fatos Nano më 2005 kur partia socialiste humbi zgjedhjet. Dha dorëheqjen dhe u largua nga politika. Kjo ndodhi pas shumë e shumë protestash me moton Nano ik. Atë kohë opozita me Sali Berishën kish ca ndihmë edhe nga lëvizja Mjaft e Erion Veliajt. Një lloj protestuesi hibrid që suportonte kryebashkiakun e Tiranës për të marrë drejtimin e Ps dhe postin e kryeministrit. Gjë që u vërtetua më pas dhe akoma dominon një mbështjetje e fortë karshi njëri-tjetrit. Por jemi tek Fatos Nano, ose më saktë institucioni i dorëheqjes. Nano iku dhe nuk u kthye më politikë. Por as nuk përfol për korrupsion! Qe një hapje krahu që në botën perëndimore është më se normale. Ai tentoi të kthehej da a tri herë, kjo për postin e presidentit pikërisht atëherë kur moduli me 84 vota dhe 3 raunde çonte vendin gjithnjë në ngërçe institucionale. Kjo më tepër për shkak të mungesës së një kulture demokratike në komunikim të faktorit politik, jo se nuk vlente ligji! Në fund të fundit ishte një tentativë me vlerë, pasi ruajtja e unitetit dhe ekuelibrave kërkon një përvojë të pasur politike. Nano e kishte, për më tepër ngritjen e institucionit të dorëheqjes. Se zakonisht në botën perëndimore njerëz me të shkuar të tillë kanë qënë dhe janë të suksesshëm por edhe të vlefshëm për vendin. Kjo për të hapur edhe një kapitull të ri për demokracinë tonë, ku ish presidentët, ish kryemintrat, ish ministrat, tu shërbejnë auditorëve në fakultete. Ose zyrave të institucioneve ku vepruan si këshilltarë. Kjo është shumë larg në vendin tonë, pasi të vjen për të vjell kur sheh një ish drejtues të lartë përshembull nga drejtësia, si avokat të karteleve të drogës dhe krimit. Eshtë një stil që u shkon për shtat shijeve të vendeve të botës së tretë, atyre me histori luftrash civile, shtet gangsterësh, deri në vrasje në masë. Mirëpo ambisjen e Nanos e vrau pikërisht partia nga ai vinte, tashmë e transformuar në një rilindje mjaftistësh të dirigjuar me kohë nga një person të cilin Fatos Nano ia bëri dhuratë Ps nga rrugët e Parisit. Nuk e ka dhënë tjetër kush një dorëheqje të tillë. Kjo e Berishës ishte gjysëm dorëheqje, sepse është akoma në politikë dhe shumë aktiv. Një gjysëm dorëheqje bëri edhe Fatmir Mediu me çështjen e Gërdecit, por jo hapje krahu. Mund të përmendim edhe emra të tjerë, por nuk kanë qënë të rëndësisë Nano a Berisha. Sot koha i ka dhënë një mundësi Ramës. Nuk ka për ta dhënë, mund të jetë duke bërë ecejake dhe më shumë se këshilltarët flet ai. Të palarat do i kujtoni më vonë kur dikush të filloj të shkruaj kujtimet, siç ndodh me rastin konkret të presidentit fasadë Bamir Topi me gjithë bashkëpunuesit e tij. Të gjitha ata që merren me kujtime shqiptare, harrojnë një gjë, se gracka e krijimtarisë këtu është më e madhe se në çdo rast tjetër. Pasi bie kollaj brenda në mbushjen e mendjes se vetëm ti ishe i papërlyeri dhe se të tjerët katran me bojë. Edhe ne në vitet që do vinë do shohim këtë kryeneçësi ramiste që pasi dështoi me tentativën për t’i dhënë vendit opozitë në kuvend, ka nisur këtë të letrave dhe dialogut. Pashë mbrëmë në një studio ku një intelektual vetëm pse mban syze firmato fliste për mungesën e dëshirës a dialogun e munguar me opozitën. Deri dje u thoshte qytetarëve se ajo ishte opozitë rruge, opozita reale është në kuvend. Ky është një nga detajet që tregon pikërisht atë që pashai i pallatit me piktura veç grup këshillmor nuk ka, nuk dëgjon, nuk pranon. Vetëm sa shpërndan direktiva. Ajo që e ka nervozuar Edi Ramën është pikërisht dhe fakti që opozita e mbrëmshme mbajti një protestë koncert, jo protestë – protestë. Megjithëse unë vetë këtij soji do i meritoja një lëvizje si ajo jelekëverdhëve në Francë. Kësisoj protesta koncert ia ka mbyllur ekranin për imazhin e Shqipërisë, megjithëse i kanë dhenë plot përgjigje për tu zgjuar nga mbushja e mendjes qytetarët në murin e FB të tij. Por edhe po u dorëhoq, nuk ka për tu larguar nga politika, pasi institucioni i hapjes së krahut është një ngrehinë pa themele, pa mure, pa çati.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Doreheqja-Edi Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 422
  • 423
  • 424
  • 425
  • 426
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT