• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gëzuar Pavarësia e Kosovës, Populli Shqiptar!

February 12, 2019 by dgreca

Nga Magjister Agim Aliçkaj */

1 Agim Aliçkaj

“To be or not to be” – “Të jesh apo të mos jesh” është pyetja më aktuale për Kosovën dhe Kombin Shqipëtarë sot, me rastin e 11- Vjetorit të shpalljes së pavarësisë së “mangët” të Kosovës.

Pavarësia!

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt të vitit 2008, padyshim, ishte ditë e madhe për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Edhe pse me mungesa të mëdha, ishte e vetmja mënyrë që Kosova, të bëhet e pavarur, dhe të njihet qysh në fillim nga vendet më të fuqishme të botës dhe vendet demokratike perendimore, përfshirë SHBA, dhe të tjera.

Kjo, u pëforcua edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Pa hyrë në një analizë të tij, plani i Ahtisarit përbën në vete koncesionet më të mëdha të mundshme të popullit shqiptar të Kosovës për t’a arritur pavarësinë. Pas 11 vitesh të kësaj pavarësie, ngjarjet e fundit, fatëkeqësisht na bëjnë më shumë të brengosemi se sa të gëzohemi. Edhe, sa koncesione tjera në dëm të interesave të veta duhet t’i pranojë populli i Kosovës? Me punën këmbëngulese të armikut tonë dhe plotësisht me fajin tonë, Kosova rrezikon të shuhet si shtet.

Bisedimet me Serbinë dhe sanksionet e qeverisë së Republikës së Kosovës

Shtrohet pyetja se çka fitoi Kosova nga bisedimet me Serbinë prej shpalljes së pavarësisë deri më sot ?! Përveç disa çështjeve të vogla që ishin me shumë në interes të serbëve, Kosova, fitoi fusnota dhe zvogëlim të metutjeshëm të sovranitetit. Tashti kemi ardhë në pikën mê kritike të humbjes përfundimtare. Pse duhet të bisedohet me Serbinë kur ende nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, kur ende nuk ju kethen të pagjeturit familjeve shqiptarë në vuajtje të tmerrshme dhe të pafund, kur ende nuk pranon reparacionet për dëmet e shkaktuara. Nëse jemi shtet, pse duhet të bisedohet me Serbinë për çështje të mbrendshme të Kosovës?! A e kemi të qartë se për serbët e Kosovës duhet biseduar me përfaqësusit e sërbeve të Kosovës e jo me Sërbinë. Pse nuk ngritet çështja e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës lindore në nivel të drejtave të minoritetit serb të Kosovës.

Cili shtet demokratik mund t’a mohojë këtë të drejtë?

Sankcionet e fundit ekonomike të Kosovës kundër Serbisë na dhanë krenari dhe shpresë se, më në fund, edhe Kosova e mori veten dhe se edhe ajo “ ka një grusht të fortë”. Kjo, ka edhe një element tjetër shumë pozitiv, edhe pse me mundime, ekonomia e Kosovës orientohet nga Shqipëria dhe vendet tjera mike. Pse tashti duhet t’i nënshtrohemi presionit ndërkombëtare dhe fatëkeqësisht edhe atij të mbrendshëm për tërheqjen e tyre?! Serbia e thotë haptas: “ në pranojmë të hyjmë në bisedime vetëm nëse shqiptarët bëhen të arësyeshem dhe heqin sankcionet, por në kurrë nuk do t’a njohim pavarësinë e Kosovës”. Pas kësaj deklarate, çfarë kuptimi ka heqja e sankcioneve ?! Çfare kuptimi kanë bisedimet me Serbinë kur ajo po të tregon që më parë se nuk do të njeh si shtet kurrën e kurrës. Për ma keq, është e qartë se Serbia, përfaqësuesit e Kosovës dhe shqiptarët nuk i njeh as për njerëz e lërë më për bashkëbisedues të barabartë. Sankcionet nuk duhet të hiqen derisa Serbia, nuk i plotëson kushtet e lartëpermendura dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Asnjë shtet demokratik nuk ka të drejtë morale të ja mohojë këtë të drejtë legjitime Republikës së Kosovës. Pas njohjes së pavarsisë, marrëdhënijet ekonomike dhe ndërshtetërore me Serbinë duhet të rishqyrtohen, varësisht nga interesat e Kosovës dhe të bazuara në reciprocitet të plotë. Historia na mëson se Serbia nuk lëshon pe kurrë me bisedime. Ajo e njeh dhe respekton vetëm forcën dhe presionin e vërtetë ndërkombëtare. Nuk duhet bërë lëshime të panevojshme në dëm të vendit tonë për të ju hyrë në hatër ndërkombëtarëve.

Shkëmbimi i Territoreve

Të dhëmb zemra kur dëgjon disa politikan apo mendimtarë shqiptarë që thonë së populli i Kosovës nuk humbë asgjë me shkëmbimin e teritoreve me Serbinë dhe se kjo punë mund të kryhet “shumë lehtë”. Edhe më keq, ka nga ata që thonë se veriu i Kosovës është edhe ashtu “i humbur”. A është ky naivitet, budallëllek i kulluar, apo diçka tjetër që nuk dua ta besoj?! Edhe pse, me fajin tonë, një pjesë e teritorit të Kosovës kontrollohet nga minoriteti serb, kjo nuk është tokë e humbur pa u dhënë pëlqimi nga populli shqiptar dhe deri sa atë tokë, nuk e shkelë ushtria serbe. Nëse lejohet ushtria serbe të hyje në të, atëhere do të humbet përgjithëmonë. Për ta këthyer, do të duheshin bombardime tjera të Natos, dhe një luftë tjetër, gjë që nuk mund të ndodhë më. Në një shtet demokratik, askush nuk ka të drejtë të bëj pazarë me tokën e tij.

Askush!

Shihni shtetin më demokratik në botë, SHBA’të. Një President, që ka fuqi shumë më të madhe se cilido udhëheqës i Kosovës apo çfarëdo shteti tjetër, për dy vjet përpjekjeje, pa pëlqimin e opozitës, ende nuk arriti ta bëjë një murë dhe atë në tokën e vet, për mbrojtjen e kufirit të jugut nga ilegalet dhe trafikimi i drogave. Çfarëdo ndryshimi i kufijve të Kosovës do të shënonte zhdukjen e Kosovës si shtet dhe humbjen më të madhe të kombit shqiptare gjatë gjithë historisë së tij. Pse duhet të mashtrohet populli ynë i shtrenjtë i Kosovës Lindore, me qëllim të aresyetimit të ndryshimit të kufijve, se do të mund bashkohet lehtë me Kosovën. Serbia kurrë nuk do t’a pranonte këtë, me kurrfarë bisedimesh, vetëm me luftë. Me hyrjen e Natos në Ballkan, luftat kan mbaruar. Pse, për 11 vjet pavarësie nuk e gjetëm mënyrën t’a bëjmë Kosovën Shtet të mirëfillëtë të pavarur dhe sovran? Dhe tashti, në vend se të merremi me mbrojtjen e vëllezërve tanë në tokat e veta, në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, ne edhe mëtutje duhet të mbrohemi në Kosovë?

Përkrahja e SHBA-ve, dhe Shteteve Demokratike Perendimore

Rroli i SHBA’ve në arritjen e rezultatit final për Kosovën është i pa-zëvendësueshëm . Eshtë gjë e njohur, se populli Shqipëtarë i don SHBA-të, me zemër dhe pa hile. Kemi arësye të forta, Amerika(nënkupto SHBA-të) na shpëtoi disa herë nga zhdukja si komb. Ne duhet dhe do të vazhdojmë t’a duam dhe respektojmë Amerikën përjetë. Amerika dhe NATO investuan shumë në Kosovë. Ishin faktor vendimtar në çlirimin, krijimin dhe njohjen e Kosovës si shtet me kufijtë ekzistues. Eshtë absurd të mendohet se do të çojnë dorë lehtë nga përkrahja e Kosovës. Mirëpo, Amerika nuk ka kohë të merret me neve në pafundësi. Ka shumë punë tjera më të vështira dhe më të rëndësishme. Në duhet vetë ta ndërtojmë shtetin tonë. Nëse jemi të organizuar, të fortë dhe të vendosur, përkrahja nuk do të mungojë. Eshtë i dëmshëm dhe i pabazë tentimi i disa politikaneve që ta përdorin faktorin Amerikan për aresyetim të qëndrimeve të tyre të gabueshme, shpesh antikombëtare siç është shkëmbimi i territorit me Serbinë apo heqja e sankcioneve ekonomike.

“Po thotë Amerika” !
Èshtë shprehja e tyre më e preferuar dhe më e keqëpërdorur për t’jua mbyllur gojën kundërshtarëve. Amerika është gjithëmonë për bisedime, por nuk e urdhëron kurrë një komb t’ja falë territorin tjetrit. Ata që janë marrë me veprime legale lobiste në Amerikë e dijnë shumë mirë, se gjatë këtyre 30 viteve veprimi, ka ndodhë që qëndrimet amerikane, nuk kan qenë në të njëjtën vijë me interesat tona kombëtare. Êshtë dashur të punohet me senatorë dhe kongresmen Republikan dhe Demokrat, për t’a ndërruar qëndrimin amerikan në favor të çështjes sonë të drejtë. Dhe kur e ke çështjen e drejtë, kur punon me zell, përkushtim dhe vendosmëri, Amerika, të përkrahë pa rezervë. Shumë kongresmen dhe senator, luftëtarë të dalluar për të drejta të njeriut e morën çështjen e Kosovës dhe kombit Shqiptarë me zemër. Për të realizuar përkrahjen e plotë të Amerikës sot, duhet plotësuar dy kushte themelore: organizim dhe mobilizim të gjithëanshëm gjithëpopullor në vendlindje dhe përforëcim të veprimeve lobiste në Amerikë. Evropa, është çështje tjetër, është e ngërthyer me interesa të shumta nga të gjitha anët, me influence të madhe nga Rusia. Edhe pse e dinte se çështja jonë ishte e drejtë, Evropa, nuk ka qenë gjithëmonë në anën tonë. Gjermania, Britania, Austria dhe Brukseli, janë duke mbajtur qëndrim parimore. Ne duhet të bashkëpunojmë me Evropën sepse jemi pjesë e saj, por pa i dëmtuar interesat tona kombëtare. Dhe, nuk duhet të harrojmë se fati i popullit tonë vendoset në Amerikë.

Në mbrojtje të çështjes kombëtare

A është e mundur që populli jonë të reagojë edhe njëherë si komb, si në kohën e bombardimeve të NATO-s dhe luftës së Kosovës? Ishte një gjë madhështore. Sot, ka ardhur koha ta bëjmë të njëjtën gjë, të ngritemi të gjithë në këmbë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Të gjithë në mbrojtje të Mitrovicës, me të gjitha metodat e mundëshme demokratike. Duke mbrojtur Mitrovicën, mbrojmë Prishtinën dhe Tiranën, mbrojmë Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Novi Pazarin, mbrojmë Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin, mbrojmë Plavën, Gucinë dhe Tuzin, mbrojmë Çamërinë dhe mbarë kombin Shqiptarë anëkend botës. Eshtë e pakuptueshme, e çuditëshme dhe e frikshme, indiferenca e popullit tonë në këto ditë vendimtare për kombin tonë. Duke i shkruar këta rreshta, erdhi lajmi se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, më në fund, u prononcua publikisht për situatën. Ishte një deklaratë e qëlluar dhe e fuqishme. Nuk kam informata të plota por shtrohet pyetja, ku janë të tjerët? Ku është ASHA e Shqipërisë dhe forcat politike të gjitha trojeve tona, ku janë organizatat jo-qeveritare, ku jan institucionet fetare të një kombi tolerant, ku janë të gjithë tjerët, ku është mbarë populli ynë? Varet nga të gjithë në se a do të fitojmë dhe t’a këndojmë sëbashku këngën “Sa e madhe është Shqiptaria” apo do të humbim me turp dhe të vajtojmë me vargjet e Pashko Vasës “ O moj Shqipni e mjera Shqiptari”.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro Amerikane dhe Anetar i Keshillit te VATRES

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Gëzuar Pavarësia e Kosovës, Populli shqiptar

RILINDJA, GAZETA HISTORI E NISUR PARA 74 VITEVE

February 12, 2019 by dgreca

-Në 12 Shkurt 1945  në Prizren nisi të dalë gazeta historike e tradicionale shqiptare e Kosovës Rilindja, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana/

 1 Rugova 20056 Rilindja3 Rilindja Pavaresia4 Behluli5 Rilindja 20022 Rilindja 31 Dh 2019

 -Gazeta Rilindja në 74 vjetor, në pritje të së drejtës  e ridaljes 17 vjet pas dëbimit nga administrata e UNMIK-ut/

 -Në 23 Tetor 2018 Qeveria e Kosovës mori vendim për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën dhe të realizojnë të drejtat e ligjëshme…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 12 Shkurt 2019/ Në këtë 12 Shkurt 2019 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja do të festonte 74 vjetorin në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë.

Por, në këtë Kosovë, në këtë vit të jubileut të 20 vjetorit të Lirisë e 11 vjetorit të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen plot 17 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK  dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm…

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 74 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Si në filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”…

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në shtojcën monografi të gazetës së 22 Shkurtit 2008  “Rilindja 63 vjet – Kosova në Rilindje drejt pavarësisë”.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

 Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Shkrimtari Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja më 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”

Më 11 Qershor 1950,  Rilindja (që rëndom dilte një here në javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’Ejtën dhe të Shtunen”.

Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltërt, që iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë të dielen e 17 Prillit të vitit 1966.

Gazeta historike Rilindja në 19 Nanduer  (Nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtypë në 5.000 ekzemplarë”.

Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.

Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 fruer (shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “Funksionojnë 2.485 kurse kundër analfabetizmit, ku janë përfshi 52.413 ndjekësa”.

Rilindja (e datës 1 janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohej për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 -1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.

Ndërkohë, krahas luftës kundër analfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qyetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindëra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet.

Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.

Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: “…Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…”

Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972…

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

 Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.

“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, shkruan në Monografi. 

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…

Rilindja e datës 6 Korrik 1962 shkruante se, Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

 Rilindja në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

Për këtë kishte angazhime e shkrime edhe vite më herët. Në Rilindja të 4 Dhjetor 1952, Idriz Ajeti (që në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) shprehej “(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…”

Rilindja më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. Rilindja pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

 Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit  mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar  mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe  delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante  kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…

 Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974,  e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…

Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua me ndërhyrje ushtarako-policore në shtypshkronjë nga regjimi okupues serb në 7 Gusht 1990, edhe kur u dëbua kundërlishëm e padrejtësisht nga shtëpia e saj – Pallati i Rilindjes në 21 Shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut…Nga 18 Janari 1991 doli edhe me emrin “Bujku” gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me përcaktim e orientim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Gazeta Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në kohën e dëbimit nga UNMIK e deri në numrin e fundit, pas datës 21 Shkurt 2002 deri kur doli përditë, doli me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm e protestues duke e bërë gazetën tradicionale edhe histori të Kosovës që nga koha e rreth një viti pas Konferencës së Bujanit, e nisur në 31 Dhjetor 1943 dhe e përfunduar në 2 Janar 1944,  deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare…

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të pavarësisë së Shqipërisë.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës shtet i pavarur.

Në këtë numër festiv të gazetës në shtojcën speciale monografi një nga titujt ishte: Presidenti Rugova: Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen. Në këtë shkrim citohet një pjesë e një prej intervistave ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me këtë rast për gazetën Rilindja të jubileut të 60 vjetorit – të 12 Shkurtit 2005, kur në Rezidencën Presidenciale në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorit të Rilindjes i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të  gazetës tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik  ku ka dalë numri i parë i gazetës. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të

Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjëshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

 Edhe në këtë 74 vjetor e shohim të nevojshme ripërsëritjen e një sqarimi për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi. 

 —

(Autori – kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes. Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm)

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, GAZETA HISTORI E NISUR, PARA 74 VITEVE, Rilindja

PARADOKSI : BASHKIMI ME SHQIPËRINË VJEN SI PATERICË PER NDARJEN E KOSOVËS!

February 12, 2019 by dgreca

Paris, 12 shkurt 2019/

Nga Klara BUDA-Shefe e Këshillit për Promovimin e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë/

Në këtë moment preçiz, trumpetimi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është një patericë e idesë së ndarjes së Kosovës dhe si rezultat është kundër interesit kombëtar shqiptar.

E kam shprehur edhe më herët pozicionin[1]tim në lidhje me bashkimin Kosovë – Shqipëri.

Së pari, Kosova është definuar si një shtet multietnik dhe jo shtet etnik shqiptar. Si rrjedhojë e këtij specificiteti në ndërtimin e parlamentit të saj, ky i fundit e ka të vështirë të marrë shumicën e votave për çështje të mbijetesës, e jo më të vendosë për bashkim e Kosovës me Shqipërinë.

Së dyti, bashkimi Kosovë-Shqipëri, një endërr e gjithë shqiptarëve që prej ndarjes së Kosovës nga trungu amtar, mund dhe do të duhet të realizohet vetëm kur të dy shtetet të jenë të pastruara nga krimi. Sot nën gangrenën e krimit, ato nuk janë funksionalë për të qeverisur problemet e brendëshme, e jo më të realizojnë bashkimin kombëtar.

Vërehet një hipokrizi dhe një manipulim i opinionit nga liderët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë që mbrojnë idenë e bashkimit me Shqipërinë. Ata nuk e sqarojnë se si do të zgjidhet kjo aspiratë e tyre praktikisht në parlamentin aktual të Kosovës dhe anashkalojnë pasojat që do të sillte kjo : kërkesën e serbëve të Kosovës për krijimin e asociacionit të komunave serbe, që do të institucionalizonte një “republika serbska” brenda Kosovës dhe do të shërbente si justifikim për kërkesën e bashkimin të veriut të Kosovës më Serbinë.

Por kjo nuk është tema e këtij artikulli, ai rreket të tregojë se kërkimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë pikërisht në këtë moment para zgjidhjes së problemit të Kosovë me Sërbinë, shkon në favor të ndarjes së Kosovës dhe kundër interesit kombëtar shqiptar.

Nëse pranojmë se bashkimi nuk mund të bëhët për shkak se të dy shtetet janë thellësisht të kriminalizuara dhe se kushtetuta e Kosovës nuk e mundëson një gjë të tillë atëherë është e qartë se deklaratat për bashkim në këtë moment kanë qellime të tjera. Ato, përveç se janë bomba tymëse për nevoja momentale të spektrit politik në të dyja anët e kufirit, të artikuluara në këtë moment kanë kryesisht një arsye tjetër : të ndihmojnë në pranimin e idesë për ndarjen e Kosovës.

Sado paradoksale që kjo mund të duket ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e hedhur paralelisht me korrigjimin e kufijve të Kosovës, i shërben pranimit të këtij të fundit nga opinioni publik dhe është kundër interesit kombëtar shqiptar dhe në shërbim të krijimi të Serbisë së madhe.

Cilat janë idetë që përpiqen të ndihmojnë në pranimin nga opinioni publik të idesë qendrore serbe për ndarjen e Kosovës?

I – Bashkimi i Preshevës me Kosovën[1].

Presheva, është një zonë të lënë në mëshirë të fatit prej pushtetit serb e nga ku shqiptarët janë larguar në atë masë sa që ka shumë pak fëmijë shqiptarë në një fshat për tu hapur klasa të shqipes, apo që të ketë një maternitet. Përpos kemi të bëjmë më një pjesë pa burime natyrore, të cilën Serbia e ka kokëçarje.

II – Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën

Nëse Veriu i Mitroviçës (Miniera e Trepçes dhe Liqenin i Ujmanit) do të bashkoheshin me Serbinë, Kosovës i hiqet pjesa më e madhe e burimeve të saj natyrore dhe si rezultat ajo nuk do të mund të mbijetonte ekonomikisht. Ndaj ndarja e veriut kalon me vështirësi tek opinioni publik. Atëhere hidhet karemi i bashkimit me Shqipërinë: vërtet aneksohet miniera e Trepçes dhe liqeni i Ujmanit, por bashkimi me Shqipërinë i jep Kosovës dalje në det dhe së bashku me Shqipërinë bëhet një vend që mund të mbijetojë!

Shtrohet pyetja, se pse pikërisht në këtë momënt, Serbia i ka harruar akuzat e saj të gjithëherëshme për Shqipërinë e madhe? Edhe ky fakt vjen e vërteton hipotezën se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është vetëm një patericë që i shërben idesë së ndarjes së Kosovës dhe aneksimit të veriut të saj të pasur nga Sërbia.

Si konkluzion bashkimi Kosovës me Shqipërinë në fakt nuk është ende një projekt serioz i liedershipit në Shqipëri e në Kosovë, por qartësisht vetëm një patericë e idesë për ndarjen e Kosovës e kurdisur në Beograd. Trumpetimi i tij në këtë moment i shërben ndarjes së Kosovën dhe krijimit të Sërbisë së madhe, të cilën askush në Ballkan e në Europë nuk e dëshëron.

[1]Nënvizojmë se nuk bëhët fjalë për gjithë zonën shqiptare ku përfshihet lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanovçi dhe këtu është një kurth tjetër; pse jo e gjithë pjesa shqiptare e jugut të Sërbisë, po vetëm Presheva?

[1]shih Rrokum Tv, nentor 2017

Filed Under: Politike Tagged With: bashkimi me Shqiperine, Klara Buda, kosova, ndarja, Paradoksi

Shitësit e ëndrrave dhe rreziku socialist për Amerikën

February 10, 2019 by dgreca

1-rafael

Nga Rafael Floqi/

Gjithmonë më ka shqetësuar pyetja, pse njerëzit gjatë kohëve u ka pëlqyer shprehja “do të hamë me lugë të florinjtë ?

Natyrisht njeriu është i prirur nga e mira dhe nga mirëqenia vetjake dhe e familjes. Ideja utopike e barazisë sociale e nisur që nga Marksi dhe e vazhduar edhe në ditët  tona që vazhdon ende në Kubë apo Venezuelë, edhe kur i janë parë e i shihen frytet e socializmit, është një ëndërr që josh, deri ne kufijtë e nonsensit. Ne si shqiptare që i kemi kaluar vitet e soc/komunizmit, e kemi përjetuar zhgjëndrrën.

Më kujtohet, Zejmen, Lezhë 1986, ku punoja si mësues, në prag të Vitit të Ri, Kooperativa e bashkuar shiste vetëm 500 gram mish derri, për frymë. Një plakë e vetme 75 vjeçare, i kërcente para fytyrës kryetarit e kooperativës Dodë Dodës me copën e mishit si shami, duke e tallur.  Një kujtim figurativ i një mjerimi proverbial, se ku të çon marksizmi ekstrem ka mbetur i mbërthyer në memorien time.  Ne që e kemi parë këtë ne që e  kemi përjetuar fundin ekonomik të socializmit. Ishin kohët e tufëzave, nxënësit e mi, vinin të lodhur në klasë, ata ishin ngjitur gjer ne mal, ku kishin fshehur ndonjë derr për të mbajtur frymën gjallë. Ato ishin ditët e fundit të mjerimit ekonomik të komunizmit dhe socializmit, te cilin as brezat e rinj te pas diktaturës ne Shqipëri nuk e njohin, dhe natyrisht, është afër mendsh, që as mijëvjeçarët amerikanë se dinë ku bie me shtëpi.

Po pse presidenti Trump ne fjalimin para kombit deklaroi se Amerika nuk do te behet kurrë një vend socialist?  Pse u detyrua ai ta përmendte këtë fjalë? A do të jetë kjo deviza e tij për zgjedhjet e 2020?

Kamerat në moment u përqendruan tek Bernie Sanders, ish kandidati presidencial shpresëdhënës demokrat, për të parë reagimin e tij kur Trump sulmonte senatorin e krahut të majtë të Vermontit pasi ata e kishin transkriptin e fjalës së Trumpit më përpara ngjarjes.  Dhe sikur për ti dhënë një goditje të gjatë Sanders erdhën fjalët: “Sonte, ne ripërtërijmë vendosmërinë tonë që Amerika kurrë nuk do të jetë një vend socialist”. Kaq për kronikë.

A ka një rrezik socialist për Amerikën ? Pse është i pëlqyeshëm socializmi për 30 vjeçarët e sotëm amerikanë? Pse janë mbushur TV-net me intervistat e kongresistes, demokrates nga New Yorku, Alexandria Ocasio-Cortez me deklarata aq ireale sa do t’i bënte me turp dhe komunistët shqiptarë të lugës së florinjtë, kur tha se edhe ata njerëz, që nuk duan te punojnë do të paguhen nga shteti në kuadër të platformës së re për marrëveshjen e blertë.

E menjëherë këtë thirrje të Presidentit Donald Trump, CNN që anon majtas i quajti një fyerje. “Ishte një fyerje pasi ai po sugjeronte se demokratët duan ta çojnë SHBA-në në socializëm, që për një kohë të gjatë mendohet se kjo fjalë ka konotacion negativ në politikën amerikane. Mësohuni me këtë temë, thekson CNN-i, Trump e përdori atë në mënyrë të përsëritur në nëntor, ndërsa ai bënte fushatë për kandidatët republikanë dhe përfshirja e saj në adresën e Shtetit të Bashkimit sugjeron se ai do ta sjellë atë përsëri kur fushata e 2020-ës të rritet. Këtu janë disa nga mënyrat që Trump ka përdorur fantazmën e socializmit, ( Në fakt Manifesti komunist fillon me këtë fantazmë), duke përfshirë edhe për Venezuelën, si një argument kundër rritjes së taksave, si pjesë e një premtimi për mbrojtjen e Medicare dhe si një ëndërr për kundërshtarin e tij ideal.”

Por a është kjo. kështu vetëm taktikë politike? A ka një rrisk dhe a ka parapëlqim të socializmit në Amerikë?

Shumica e mijëvjeçarëve amerikanë identifikohen si socialistë, sipas sondazheve si nga Reason-Rupe dhe nga Fondacioni Përkujtues i Viktimave të Komunizmit. Ky është lajmi i keq ka edhe një lajm te mirë se vetëm 32 për qind e mijëvjeçarëve mund të përcaktojnë se çfarë është socializmi e në këtë mes kongresistja, Alexandria Ocasio-Cortez, shpesh mund të karakterizohet te jetë zëri i gjeneratës së saj injorante.

Gjatë një interviste për “60 Minutat” e CBS, Anderson Cooper e pyeti Ocasio-Cortez, se “Kur njerëzit e dëgjojnë fjalën “socializëm”, ata mendojnë Bashkimin Sovjetik, Kubën, Venezuelën. A është kjo, ajo që ju keni në mendje? ” Ai i shpërfilli të përmendte regjimet socialiste të Shqipërisë, Kamboxhias, Etiopisë, Polonisë, Rumanisë, Koresë së Veriut dhe Kinës, ndër të tjera. Megjithatë ajo u përgjigj: “Sigurisht jo. Ajo që ne kemi në mendje – dhe ajo që është e mendimi im është se politikat e mia më së shumti i ngjajnë asaj që shohim në Britani të Madhe, në Norvegji, në Finlandë, në Suedi. »Në fakt, propozimet e saj ekonomike i japin pak ngjashmëri politikave publike britanike dhe nordike. Në fillim të viteve 1950, Britania filloi të privatizonte programet e saj të sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Deri në vitet 1990, ndërsa dekadat e socializmit shkaktuan rritjen e rritjes ekonomike, Suedia ndoqi shembullin. As Suedia dhe Norvegjia nuk kërkojnë një pagë minimale, dhe Britania kërkon një pagë minimale si AOC 15 dollarë në orë. Britania dhe Finlanda ofrojnë një normë më të ulët tatimore të korporatave sesa Shtetet e Bashkuara, dhe të gjitha kombet që ajo emrat kanë norma më të ulëta se propozimi i saj prej 28 për qind. Askush nuk ka një regjim të kujdesit shëndetësor si socialist si skema e propozuar e saj Medicare-For-All, e cila përbën një marrje të plotë të kontrollit federal të kujdesit shëndetësor.

Po ju jap një shembull praktik, ku vini re radhë të gjata në Amerikë? Vetëm në Sekretarinë e Shtetit dhe në Postë. Pra në institucionet shtetërore pasi ajo janë inefektive për shkak të mungesës së konkurrencës.

Padituria e Aleksandrisë Ocasio-Cortez për ekonominë dhe çështjet e jashtme karakterizon gjeneratën e saj. Megjithë mbajtjen e diplomave të shtrenjta si në Ekonomi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Bostonit, Ocasio-Cortez iu kundërpërgjigj me zemërim gjatë një interviste në programin “Firing Line” të Margaret Hoover, duke qeshur, “Unë nuk jam eksperte e gjeopolitikës”.  Pra ajo nuk është eksperte. Por a është ajo eksperte e The New Green Deal, e  Marrëveshjes së Re të Gjelbër, që duhet të bëhet në 10 vjet, kur në një deklaratë të mëparshme pat deklaruar se kështu, siç është bota nga ndotja do të shuhet në 12 vjet (Sic?).

Dokumenti në fjalë thekson investimet masive publike në prodhimin e energjisë së erës dhe të diellit, automjetet pa emetime gazrash dhe hekurudhat me shpejtësi të lartë, që do të eliminonin fluturimet ajrore dhe rindërtimin e te gjithë ndërtesave efikase për energji dhe rrjeteve të zgjuara të energjisë, si duke “punuar në bashkëpunim” me fermerët dhe fermerët për të lëvizur drejt teknikave bujqësore të qëndrueshme dhe shmangur rritjen e gjedhit, pasi plehu i lopëve çliron gazra. (sic !)
Rezoluta gjithashtu fsheh diçka që ka qenë thelbësore për idenë e Marrëveshjes së Re të Gjelbër që nga fillimi: Heqja e padrejtësive historike ndaj të varfërve dhe njerëzve me ngjyrë. Investimet publike duhet t’i japin përparësi asaj që rezoluta e quan “vijës së frontit dhe komuniteteve të rrezikuara”, të cilat përfshijnë njerëzit në zonat rurale dhe të paindustrializuara, si dhe ato që varen nga industritë me intensitet të lartë të karbonit, si nxjerrja e naftës dhe gazit që do të mbyllen.
Dhe në një masë që mund të mbështetet nga një gamë e gjerë e grupeve të mbështetjes, rezoluta shtrihet në gamën e plotë të prioriteteve progresive: ofrimin e kujdesit shëndetësor universal dhe strehimit të përballueshëm, duke siguruar që të gjitha vendet e punës të kenë mbrojtje sindikale dhe paga familjare mjedisi i biznesit pa konkurrencë monopoliste.
Përderisa te mos vijmë tek problemi i kostos, kjo është një utopi e bukur, pasi kurrkund nuk tregohet se si dhe nga e ku do të vijnë paratë për t’i paguar këto investime, madje kjo teori bie në kundërshtim edhe me ligjet e shkëmbimit energjetik të fizikës.

Por siç duket Socializmi është një sëmundje ekonomike e lindur nga zilia dhe injoranca. Për fat të keq, të dyja kanë shumë bollëk në politikën tonë të tanishme. Sëmundja ka gjetur një zëdhënëse tërheqëse – ndoshta, fatkeqësisht, zërin e gjeneratës së saj.

Duket se socializmi është si një sëmundje infektive që të gjithë duhet të sëmuren për të zhvilluar imunitetin. Siç theksoi Aleksandër Solzhenicin, “Për ne në Rusi, komunizmi është një qen i vdekur, përderisa për shumë njerëz në Perëndim është ende një luan i gjallë”.

Ky qen i vdekur, i dëbuar nga Rusia, fitoi një jetë të re në Shtetet e Bashkuara dhe rifitoi vitalitetin për t’u bërë një luan i gjallë brenda Partisë Demokratike.

Fitorja Demokratike e vitit 2018 në mesfushat solli ardhjen e re marksiste në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët po interpretojnë zgjedhjet si një mbështetje për politikat socialiste. Ata hoqën të gjitha pretendimet – pa liberalë, pa progresistë – ata janë krenarë që janë marksistë-leninistë të nxitur nga ideologjia dhe të përkushtuar për ta kthyer këtë vend në Shtetet e Bashkuara të Socialistëve të Amerikës.

Kjo turmë militante përbëhet nga njerëz të painformuar dhe të keq informuar që e shohin veten si viktima të pafat, nën paguar, nënvlerësuar të kapitalizmit, të mbingarkuar me xhelozinë se ka njerëz që janë gjithçka që nuk janë. Më vendin e të verbërve, ai me një sy është mbret; dhe mes një brezi të rinjsh injorantë, aktivistja e flaktë por “arsimuar cekët “ AOC, është kongresiste.

Nga këndvështrimi i demokratëve, Presidenti Donald J. Trump është një ndërprerës i asaj që ka qenë një tranzicion i butë ndaj së ardhmes së ndritshme socialiste. Në një përpjekje të bashkërenduar për të denigruar Presidentin dhe për të paralizuar autoritetin ekzekutiv, ata janë duke e quajtur atë një racist dhe në mënyrë flagrante ka shkatërruar çdo program në agjendën e tij.

Megjithatë, duke konsideruar se shumica e demokratëve që konkurrojnë për president janë të pasur, ose shumë mirë, krahasuar me njerëzit që synojnë të përfaqësojnë.

Michael Bloomberg, ish kryebashkiaku i Nju Jorkut është një miliarder, siç është Howard Schultz, ish CEO i Starbucks i cili po mendon të kandidojë si një i pavarur. Këta dy, që tashmë kanë akumuluar pasurinë e tyre masive, janë kritikuar nga  kandidatët e tyre demokratë / socialistë të cilët dëshirojnë të marrin pasurinë e tyre në emër të pabarazisë në të ardhura. Ky i fundit këto ditë propozoi një semantikë të re të fjalës milioner “ Me njeri që ka mjaftueshëm mjete ekonomike”. Politika tashmë është kthyer në semantikë.

Fuqia shtytëse e Partisë Demokratike është “pabarazi” ekonomike – argumenti që socialistët kurrë nuk lodhen qysh nga agimi i kapitalizmit është ideja joshëse e rishpërndarjes së pasurisë për masat e pakënaqura nga pabarazitë. Filozofia e zilisë dhe e zhdukjes së të pasurve i bën thirrje në një segmenti të madh të popullsisë që nuk e kupton se përkufizimi i “pasurit” është një spiralja e evolucionit që eventualisht do të arrijë çdo biznes dhe çdo individ që punon për të jetuar. Shteti pastaj në teori do të duhet ta  rishpërndante atë pasuri për të varfrit, ashtu siç qe dikur ne Shqipëri, ashtu siç bëhet sot në Kubë dhe Venezuelë, ku të gjithë – përveç politikanëve – janë po aq të uritur dhe të mjerë.

Ky është socializmi. S’ka iluzione. Ne shqiptarët që e kemi provuar mbi shpinë dhe i kuptojmë më mirë se të rinjtë e mijëvjeçarit, tregtarët e ëndrrave me lugën e florinjtë, jo pse qemë më të ditur por se e kemi pësuar.

Por Amerika qe dhe është Amerikë, pasi s’u besoi këtyre ëndrrave, por punës.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe rreziku, Rafael Floqi, Shitësit e ëndrrave, socialist për Amerikën

NË LUDWIGSHAFEN-GJERMANI, PËRKUJTOHET PRESIDENTI RUGOVA

February 10, 2019 by dgreca

1 LDK GjermaniPamja nga salla: Nga e djathta: Xhevat Berisha, nënkryetar i Nëndegës/
 
NGA XHEVAT BERISHA & IDRIZ ZEQIRAJ
 
     Nëndega e LDK-në në Rheinland Pfalz, organizoi Akademi Përkujtimore, kushtuar Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Ludwigshafen, Gjermani. Bie në sy pjesëmarrja në rritje, nga viti në vit, e mërgimtarëve, në Akademitë për Presidentin Rugova. Shprehja nostalgjike: “Rugova na mungon”, – gjithnjë e më aktuale. 
 
     Moderatorja e shkathtë dhe simpatike, Labinote Syla, uron mirë se ardhjen të pranishmëve mergimtarë dhe mysafirëve nga Kosova, në Akademinë Përkujtimore, në përvjetorin e 13-të të shuarjes fizike të Presidentit Rugova. Të pranishmit nderojnë, me ngritje në këmbë, intonimin e Flamurit Dardan: “Kur ka ra kushtrimi n`Kosovë”.
  Nën përkujdesjen babë e djalë, përkatësisht, Alush dhe Getoar Zeqiraj, në ekran shpaloset Dokumentari, kushtuar jetës dhe veprës të Dr. Ibrahim Rugovës. Ishte një kronologji filmike shumë mbresëlënëse.
2 drejtuesitKryetari Fazli Hajdaraj dhe moderatorja Labinote Syla/
     Moderatorja Labinote, fton në skenë nikoqirin, kryetarin e Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Rheinland Pfalzit, Fazli Hajdaraj, për një fjalë rasti, i cili përshëndeti Familjet e Dëshmorëve, të pranishme në sallën e Akademisë: Familjet Rugova, Çekaj, Hajdaraj dhe Zeqiraj. 
     Kryetari Hajdaraj, në emër të Organizatorit, përshëndeti mysafirët të ardhur enkas nga Kosova, Akademik Frashër Demajn, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe Dr. Naser Rugovën, deputet dhe profesor në Universitet; Degën e LDK-së në Beneluks, me kryetar Bahtir Kastratin, Lidhjën e Krijuesëve Shqipëtarë në Mërgatë, të përfaqësuar nga Mentor Thaqi e Neki Lulaj; Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjermani, Kryesitë e Nëndegëve të Landeve në Gjermani. 
     Veprimtarët e vjetër Florije Hysenaj, Xhafer Lecin, Zymer Lulaj, ish-deputet në Parlamentin e Kosovës, Mejdi Laçaj, Shege Selmanaj dhe Ramë Dreshaj, me shokë  shumë.
Shoqatat: ” Kadri Zeka” në Kirchheim-Teck, me kryetar Nderi Xhafer Lecin; ” Dardania ” në Wiesbaden, me kryetar Hajdar Nitaj më bashkëpuntorë; “Kosova” në Aschaffenburg, më profesor Niman Mulliqin;  “Dardania” në Pforzheim, me kryetar Xhevdet Nikçi; Lidhja Shqipëtare në Botë, dega në Gjermani, me kryetar Sebastian Nuiqi; “Salih Çekaj ” në Zvicër, e përfaqësuar nga Dinë Gashi e Saim Tahiraj; “Sali Çekaj ” në Gjermani, me kryetar Osman Ferizin; drejtuesin e Bibliotekës Popullore “Mark Krasniqi”, në Pilsting, Maxhun Smajlin; këshilltarin komunal në Mannheim, Tefik Ramadani, ish i burgosur politik; mësueset e Shkollës Shqipe, në Mannheim e Kaiserslautern, përkatësisht,  Ramadani e Krasniqi; “Dardania” në Mannheim, me kryetar Naser Hoxhën; “Djemtë e Skenderbeut”, të kryesuar nga Arben Zeqiraj; “Çamëria”, me kryetar Ismet Xhaka; Pleqnarin e mirënjohur të katër shteteve, Haxhi Rrahman Lajçin, mysafir nga Kosova, i kudondodhur në organizimet e ndryshme kombëtare.
    Veprimtarët veteranë e dominonin sallën e Akademisë Përkujtimore, madje, ata sfidojnë moshën dhe nuk llogarisin as rrugëtimet e gjata, për të qenë pjesë e veprimtarive të Mërgatës: Sebastian Nuiqi, Ragip Prapashtica, Rashid Nikçi, Ahmet Kolgeci, Sefer Zeqiraj, Haxhi Kurti, Rexhep Rexhepi, Ali Lutolli-Baca, Skënder Alimetaj, Feriz Lukaj, Sali Uka, Durak Ahmetaj, Bekë Dreshaj me shokë.
      Tradita vazhdon edhe tek brezi i mesëm, të cilët janë të shumtë në numër. Ndërkohë, ne përmendim vetëm disa syrësh, që janë të pa mungueshëm në aktivitetet e Mërgatës: Agim Aliçkaj, Cenë Berisha, Smajl Çekaj, Tahir Buçolli, Gani Blakaj, Demë Kelmendi, Mustaf Luli, Selami Morina, Tahir Zeqiraj, nga Zvicra, Xhafer Fetahaj, nga Brukseli dhe të tjerë.
     Bashkëluftëtarët dhe ushtarët e Heroit Sali Çekaj: Saim Tahiraj, Osman Ferizi, Zymer Lulaj, Isuf Qetaj, Florim Blakaj, Bujar Lajçi, tani, veprimtarë të LDK-së dhe të Shoqatave të zëshme.
     Si gjithmonë, edhe kësaj radhe po u mbetëm borxh botës femërore, duke i anashkaluar dhe harruar ato, edhe pse prania e tyre vërehet në organizimet e ndryshme, sidomos në datat e shënuara festive, por, nuk mungojnë as në përkujtime, siç ishte kjo Akademi.
3 shoq S Cekaj
 Haxhi Rrahman Lajçi, Xhafer Leci, Smajl Çekaj, Dinë Gashi-nga Shoqata “S.Çekaj”, në Zvicër /
Në fjalën e tij të rastit, kryetari Fazli Hajdaraj, përgëzoi Këshillin Organizativ të kësaj Akademie dhe anëtarët e Kryesisë të Nëndegës, si dhe anëtarët aktivistë të LDK-së në Landin e Rheinland Pfalzit.
     “Ndër shqiptarët shquhen tri përsonalitete: Gjergj Kastrioti Skenderbeu – luftarak, që luftoi Perandorinë Osmane dhe pengoi invadimin osman në Europë; Nëna Tereza – humaniste e madhe në botë, dhe Ibrahim Rugova – intelektual, në fushën e letrave, më vonë, edhe burrështetas e politikan, që udhëhoqi Lëvizjen për Pavarësi. Ky intelektual atdhetar i shqiptarëve, ishte dhe mbeti më i shquari, që nga epoka e Gjergj Kastriotit, duke bërë histori në kohë moderne.
     Ne, si dëshmitarë dhe veprimtarë, krenarë që i përkasim kohës së Rugovës, kemi obligim kombëtar e moral, ta ruajmë e kultivojmë veprën, filozofinë dhe trashëgiminë e begatë të Dr. Ibrahim Rugovës. Dhe, këtë që bëjmë sot për Atë, është gjëja më e vogël, në raport me veprën madhore kombëtare, të bërë nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.
     Respekt dhe mirënjohje për të gjithë juve që jeni prezent në këtë Akademi Përkujtimore”,- tha, veç tjerash, kryeorganizatori, Fazli Hajdaraj.
     Folësi i radhës është nënkryetari i Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz, Xhevat Berisha, i cili, në emër të Kryesisë së Nëndegës, mbajti referatin, për jetën dhe veprën e Presidentit Rugova. Ai, ndër të tjera, tha: “Të gjithë ata që menduan se Dr. Ibrahim Rugova iku pak para se ta bënte realitet ëndrrën e tij për pavarësi, u gabuan. U gabuan, sepse dita e fundit mbi dhe e Dr. Ibrahim Rugovës, ishte, de-fakto, ajo, pavarësia e vërtetë e Kosovës. 
     Në një kryeqytet ende të pa shënuar, në asnjë hartë të botës, si kryeqytet shteti, brenda një dite, zbritën nga fluturakët, mbi 40 burra shtetësh, nga vendet më të fuqishme të botës, për ta nderuar Presidentin Dr. I. Rugova. Në asnjë rrethanë tjetër, në asnjë vend tjetër të botës, apo, më mirë me thënë, në asnjë shtet të njohur ndërkombëtarisht, vdekja e një presidenti nuk është përcjellur, dhe nuk besoi kurrë se do të përcillet, me një ceremoni të tillë mortore.
     Ai na befasoi edhe ditën e fundit të Tij mbi tokë, dhe na dëshmoi se ç’fuqi kishte edhe i vdekur, për t’i dhënë Kosovës të gjitha elementet e shtetësisë të saj. Jeta e tij, vërtet, ishte e shkurtër, por ishtë e mbushur ma shumë me vepra, se sa me ditë të jetës së Tij. Pra, sado i madh që ishte pikëllimi ynë përballë asaj humbjeje, rrespekti dhe krenaria, për këtë Njeri, sa vjen e shtohet…
 
     Unë jam i bindur se emri i Dr. I. Rugovës, do të përfshihet në gjurmët e historisë së ndritur të kombit tonë, sepse ai vet ishte historia. Si duket edhe Zoti e pa si të padrejtë, që ta ndajë nga Burrat e Janarit, dhe e rradhiti në listë përkrah tyre, ku tani pushojnë, së bashku, në përjetësi. 
 
     Sot, në karrikën e Tij është i ulur një argat i shantazhuar, i cili përveç që po i valvitë flamujtë e Çubrilloviçëve, ai po e shpenzon edhe buxhetin e shtetit, duke bërë propagandë kundër Dr. I. Rugovës, përmes disa shkrimtarëve, të cilët shitën si lavire! Por, pavarësisht këtyre rrethanave, profili i Perlës kombtare, do të mbetët i pa ndryshuar, për deri sa bota të këtë njerëz, sepse Dr. Ibrahim Rugova, është një provë e pavdekësisë. 
Lavdi Presidentit Rugova, për veprën madhore që la pas, për brezat shqiptarë”, – pëmbylli fjalën e tij, nënkryetari Xhevat Berisha.
4 salla1
     -Pamje nga salla, në ballorën e mesit – Akademik Frashër Demaj dhe deputeti Naser Rugova/
Moderatorja Labinote Syla, fton në skenë Idriz Zeqiraj, për të evokuar kujtimet për shokun e klasës, Ibrahim Rugova. Veç tjerash, ai rrëfeu: “Emrin e nxënësit Ibrahim Rugova e dëgjova në valët e Radio-Prishtinës, ku lexoheshin hartimet edhe poezitë e tij, kur ai ishte në Shkollën 8-vjeçare.
      Bursa e akorduar, për shkollarin e zgjuar – Rugovë, nga gazeta “Rilindja”, me inrteresimin e redaktorit isniqas, Haki Hoxha, me shokë, për të vazhduar Shkollën Normale në Prishtinë, u ndërpre, me relacionin biografik të Familjes Rugova, dërguar Këshillit Krahinor të Kosovës, nga Byroja e partisë të komunës të Istogut.  
     Në Shkollën Normale në Istog, ishim shokë klase. Ishte nxënës i shkëlqyer në mësime, buzagaz, i dashur, i heshtur. Lexues i pasionuar, veç gjuhës amëtare, edhe në gjuhën serbokroate, ruse dhe frenge, të cilat i mësoi  mrekullisht mirë, përgjatë shkollimit së mesëm.
     Në një eskursion të bërë nëpër Jugosllavi, Ibrahimi huazoi kostumin nga asrsimtari i gjuhës shqipe, Izet Jakupi. Ndërsa nuk pranoi të mbathte këpucët, por, preferoi opingat e “Batës”, siç quheshin llastiqet e fabrikës “Bata”. Ndoshta ishte shenjë proteste figurative, për Kosovën e lënë në varfëri, nga pushtuesi serbo-sllavë.
     Në Gjimnazin e Pejës, ku përfshihej edhe Normalja e mësuesisë, Ibrahimi dhe Jusuf Gërvalla shquheshin, i pari për lexime në gjuhë të huaja, kurse i dyti, në artet e bukura.
     Edhe në Prishtinë, u shqua, madje, qysh në vitin e parë. Këshilli studentor e zgjodhi drejtues të shtypit të studentëve, oponencë e shtypit zyrtar të kohës. 
     Në vitin 1971 Ibrahim Rugova, së bashku me shokun e tij të studimeve, Rexhep Ismajlin, vizitojnë Shqipërinë, me ftesë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhë Letërsisë Shqipe, si dhe nga gazeta “Studenti” e Universitetit të Tiranës.
    Kur djali i vetëm i Eqrem Çabejt, bëri vetëvrasje, ne, një grup studentësh, ikanak nga Kosova, vajtëm për ngushëllime. “Nuk jam babë i pa djalë. Kam djemë Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismajlin me shokë”,- na tha profesor Çabej. Dhe, për habi, profesor Çabej, botimin e veprës së Tij shkencore dhe jetësore, ua besoi, pikërisht, Rexhep Ismajlit dhe Ibrahim Rugovës!
          Amaneti i pa thënë i Ukë Rugovës
     Në shkrimin e biografive dhe evokimin e kujtimeve, duhet përkujdesje e besnikëri. E vërteta duhet thënë pa lakime. Shtrembërimet, ndonjëherë, janë edhe të pa qëllimshme, për mungesë të informacionit. Për shëmbull: Së fundi, është thënë e shkruar se fëmiu Ibrahim Rugova është rritur ke dajtë; se ka filluar Shkollën fillore me vonesë, për shkak të varfërisë; se ka qenë shumë i varfër gjatë shkollimit dhe si student është detyruar të punojë mësues.
     Realisht, Ibrahim Rugova është rritur e shkolluar nën përkujdesjen e axhallarëve të tij, Shaban dhe Ali Rugova. Kunata Shahë, nusja e Ali Rugovës, më ka thënë se Nëna Sofë e Ibrahimit, më ka ndihmuar me i rritë fëmijtë e shumtë. 
      Fillimi dy vjet me vonesë i shkollës, nuk ka qenë varfëria. Por, gjyshja e Tij, nusja e Rrustë Rugovës, ka pasur pushtet në familje. “UDB-a i vret shqiptarët me shkollë”,- thoshte ajo. Sepse, Uka i saj, kishte qenë më i shkolluar në fshat dhe shteti e kishte vrarë. Në mini-bibliotekën e tij familjare, kishte edhe libra në gjuhë italiane e gjermane. Kur Rrustemi, djali i axhës Shaban, u bë 7 vjeç, filluan shkollimin së bashku, për 13 vjet radhazi, në një klasë. Thjeshtë, Ibrahimi, si djalë hasreti dhe jetim, bonjak, nuk duhej lënë asnjëherë vetëm, i pa shoqërim. Ky ishte edhe vendimi i gjyshës me djem.
     Ibrahim Rugova nuk ka qenë i varfër, në raport me shkollarët tjerë. Xhaxhai, Ali Rugova, ishte i arsimuar i lartë, i punësuar në komunë. Megjithatë, asnjëherë shteti nuk i dha pushtet, edhe pse kishte qenë pionier i luftës. Atë e ndoqi hija e babait Rrustë dhe vëllait Ukë, të ekzekutuar pa gjyq, në janarin e vitit 1945. Megjithatë, ai kishte rrogë mujore, plus vëllai Shaban që merrej me bujqësi e pak blegtori. 
      Përgjatë kohës që unë kam jetuar në Kosovë dhe duke qenë afër Familjes Rugova, dy xhaxhallarët e Tij, kanë pasur përkujdesje të veçantë për nipin Ibrahim. Dhe, mund ta sakrifikonin cilindo nga fëmijtë e tyre, për të mbijetuar Ibrahimi, si i vetmi kujtim, shenjë dhe – amanet i pa thënë -, i vëllait të tyre Ukë Rugova. Gjithëçka që mund të kenë thënë e bërë, xhxhallarët e Ibrahimit, në kohët furtunë, qëllimi ka qenë ndjenjësor e fisnik, për ruajtjen e qenjes fizike të nipit të hasretit, deshirit. Përndryshe, Çarshia mund të flasë pa doganë fare!
     Ibrahim Rugova nuk ka qenë as student i varfër. Vërtet, konvikti-barake, ku Ai me Teki Dervishin me shokë banonin, si brucoshë, ishte vjeturinë e skajshme. Ndërkohë që konviktet e reja, kishin standard evropian. Por, kjo nuk do të thotë se ai ishte i varfër. Ai filloi të bashkëpunonte  me “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit; revistat letrare e  gazeta “Bota e re” të Kosovës. Madje, Ibrahim Rugova ka qenë i vetmi student i kohës, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, i cili, me aftësitë e tij krijuese, ka arritur ta këtë faqen e tij në javorën letrare “Fjala”. Duke qenë shtetërore, honorari paguhej mirë. Pastaj ka punuar edhe mësues në Obiliq, siç kanë bërë edhe studentë të tjerë.
          Ibrahim Rugova ideator i lirisë,paqës dhe pavarësisë së Kosovës/
1 Frasher Demaj
Akademik Frashër Demaj mbanë kumtesën në Akademi/
      Organizatorët e Akademisë Përkujtimore, ishin përkujdesur për përzgjedhjen e mysafirëve të ftuar. Akademik Frashër Demaj dhe deputeti Naser Rugova, kanë një mbështeteje solide edhe në Mërgatën shqiptare. Prania e tyre, në këtë përkujtesë domëthënëse, ishte admiruese dhe me paraqitjet tyre, qoftë në një takim paraprak me veprimtarët, qoftë në sallën e Akademisë, ishin mbresëlënëse.
     Prof. Dr. Frashër Demaj, një intelektual i kompletuar, i dashur dhe i rrespektuar, në Kosovë dhe Mërgatë, u prit me dashamirësi e durtrokitje. Kumtesa e tij, për ideatorin e lirisë, paqës dhe pavarësisë, ishte plotore, argumentuese. Por, ne po shkëpusim nga ajo copëza fragmetesh: “Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cërrcë të Istogut. Ai u lind rreth dy javë pas hyrjes së brigadave partizane të Malit të Zi – Brigadave Boka që nga populli quheshin Brigada e Zezë, për shkak të krimeve që ata kishin bërë mbi shqiptarët.

Më 10 Janar 1945 kur Ibrahim Rugova nuk ishte as gjashtë javësh, brigadat partizane e kishin arrestuar të atin Ukën (27 vjeç), dhe gjyshin Rrustën (67 vjeç) të cilët i kishin ekzekutuar pa asnjë proces gjyqësor.Kështu Ibrahimi u rrit jetim në Cerrcë të Istogut, nën përkujdesjen e nënë Sofës. Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Më pas vijoi studimet në letërsi në Universitetin e Prishtinës,  ku diplomoi më 1971. Ai qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, (në Ecole Pratique des Hautes Etudes), nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku i thelloi studimet e veta në fushën e letërsisë.

Ibrahim Rugova doktoroi në Universitetin e Prishtinës, më 1984, në degën e letërsisë.

Dr. Rugova për afro dy dekada punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në degën e letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës shkencore “Gjurmime albanologjike”, që e botonte ky Institut.

Në vitin 1988 Dr. Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Angazhimet e tij në shkencë u kurorëzuan më 1996, kur ai u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe në të njëjtin vit u shpall “doktor honoris causa” i Universitetit të Paris VIII, në Paris. Ai botoi 10 vepra autoriale si dhe shumë artikuj shkencor e kumtesa në periodikë dhe revista të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë saj.

Rugova shquhej si një burrë i urtë, largpamës, fisnik dhe i traditës. Ishte i ndikuar nga idetë përparimtare e liridashëse të kohës. Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që e sfidoi drejtëpërdrejtë regjimin komunist të Serbisë dhe Jugosllavisë, në një kohë dramatike dhe shumë të vështirë për shqiptarët.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe me forcat e tjera politike dhe me Kuvendin e atëhershëm të KSAK, nxitën dhe miratuan Deklaratën e Kushtetuese të 2 korrikut 1990. Deklarata e 2 korrikut i parapriu akteve tjera shtet-formuese si: Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990, Referendumit për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991 dhe Zgjedhjet e para Parlamentare dhe Presidenciale, në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

Në këto zgjedhje LDK-ja fitoi shumicën absolute të votave të shqiptarëve, kurse Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, me një votim plebishitar. Ai u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Pas përfundimit të luftës nën udhëheqjen e dr. Rugovës, LDK-ja në zgjedhjet lokale, në tetor të vitit 2000, fitoi 58% të votave të elektoratit kosovar.

Në lidershipin e Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave edhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. Dr. Rugova fitoi edhe zgjedhjet nacionale të vitit 2004.

Profesor Demaj tha se Presidenti Rugova duke qenë personalitet i rrallë dhe me vlera të veçanta mori edhe çmime dhe tituj ndërkombëtarë, duke i cituar me radhë.

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të presidentit Rugova dua të rikujtoj disa fjali të thëna nga vet ai, të bazuara në traditën, nacionalen, politiken dhe vizionin rugovian, për një shoqëri demokratike dhe me vlera nacionale.

“Mbrojtja e pragut të shtëpisë”, ishte bazament i traditës nacionale të shqiptarëve… që kërkonte Presidenti Rugova.

Kërkojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur i integruar në bashkimin evropian dhe anëtar i NATO-s dhe në miqësi të përhershme me SHBA, thoshte presidenti, para rreth 26 vjetësh, kur askush nuk e imagjinonte dot. Sot vizioni rugovian po bëhet realitet.

Pavarësia e Kosovës është me të gjitha kuptimet zgjidhja më e mirë, që do të sjellë paqe e qetësi në të gjithë rajonin.

Kosova është një vend i vogël, thoshte presidenti, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri, që janë dhënë për ne nga Perëndia.

Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë. Pra presidenti këshillonte që feja dhe politika të jenë të ndara dhe secila në natyrën e vet, pa pretendime, për të ndërhyrë në njëra tjetrën, meqë përzierja e religjionit në politikë, dëmton interesat kombëtare.

Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.

Serbia nuk dëshiron ta njohë vendin tonë në mënyrë paqësore, prandaj ajo dëshiroi të na shkatërronte ne. Të gjitha përpjekjet tona, për të gjetur një zgjedhije paqësore, ishin të pamundura. Në mënyrë që ta shpëtojë popullin, NATO-s iu desh të ndërhyjë.

– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor. Kurse sot, pushteti i izolon, i anashkalon, i poshtëron, i fyen dhe i margjinalizon intelektualët.

Akademik Frashër Demaj tha se për vlerat humane, politike, diplomatike dhe akademike të Presidentit Rugova, kanë dhënë mendimet e tyre shumë figura të shquara botërore. Ilustrojmnë vetëm me ca syrësh:

Sali Berisha, ish- President dhe Kryeministër i Shqipërisë

Ibrahim Rugova, është prijësi dhe legjenda e qëndresës qytetare, misionar i madh i paqes, pavarësisë së Kosovës, mikut të madh, të çmuar të perëndimit në Ballkan. Doktor Ibrahim Rugova për 18 vjet udhëhoqi qëndresën legjendare të qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi, dinjitet. Ai u shndërrua në mishërimin e aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të qytetarëve të Kosovës, të cilat i mbrojti me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qendresë epike, me sukses të madh.

Ismail Kadare, shkrimtar

Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat e pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që e dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje, që nuk do të jete veçse e mirë, na përkujton angazhimin tonë dhe premtimet tona. Pa të, pa këmbënguljen e tij, pa rezistencën e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë as shpresë për lirinë. Ai ishte një erudit, i paparashikueshëm dhe fleksibël, njëkohësisht, njeri i dialogut, luftëtar këmbëngulës, shumë popullor, gjithnjë i sjellshëm, aq sa druajtja e tij, kultura e tij e thellë dhe maturia e bënin krenar.

Bob Doll, senator shumëvjeçar amerikan

Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta sheh vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shoh më në fund në Prishtinë pa shallin e tij!

(Riçrad Hollbruk, diplomat i njohur amerikan)

Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik, që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës, për një shtetet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoja në aspektin profesional me Dr. Rugovën dhe ta konsideroja atë një nga miqtë e mi më të ngushtë, gjatë rreth dy dekadave, që kur u njoha me të. Përpjekja e madhe e Presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka të njëjtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.

Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006. Ai kaloi në amshim, por vepra e tij politike e patriotike e fitoi pavdekësinë dhe do të skalitet në shekujt e historisë. Ai është personalitet rrallë i papërsëritshëm në historinë tonë. Sa më shumë kohë që kalon aq më shumë do të spikasin vlerat njerëzore, intelektuale, akademike dhe patriotike të njeriut që u lind dhe jetoi për paqen, lirinë, shtetin dhe demokracinë e Kosovës dhe të shqiptarëve”, – përmbylli fjalën e tij, Prof. Dr. Frashër Demaj.1 Abaz ImeriNga e majta: Abaz Imeri, Reshad Murati, Mentor Thaqi, Naser Rugova, Fazli Hajdaraj, Bahtir Kastrati/

     Deputeti i Parlamentit të Kosovës, njëherësh, profesor në Universitet, Naser Rugova, në emër të Familjes emblematike Rugova, përgëzoi organizatorët e kësaj Akademie dhe përshendeti e falenderoi për pjesëmarrje, të gjithë të pranishmit në sallën me dekor artistik dhe historik.
 
     “Ndjehem i nderuar, i privilegjuar dhe shumë i emocionuar, për ftesën e bërë, nga Nëndega strukturë e Degës të LDK-së të Heroit Sali Çekaj. (Dhe, emri i Sali Çekajt i përlotë mërgimtarët). Ju, mërgimtarë të rrespektuar, edhe pse larg, keni qenë gjithmonë pranë Atdheut në nevojë, qoftë përgjatë mbijetesës në paqen relative, qoftë në luftën për liri. Mirënjohja për ju, është obligim moral i shqiptarëve,  në trojet dardane dhe mëtej”, tha, veç tjerash, Dr. Naser Rugova
 
     Naser Rugova, i shkolluar dhe i edukuar pranë familjarit të tij, Ibrahim Rugova, ka mësuar dhe trashëguar shumë nga cilësitë dhe sjelljet e njeriut, ikonë e Kosovës. Modestinë, çiltërinë, qartësinë politike dhe përkushtimin për demokracinë, si vlerë supreme e një shoqërie të emancipuar, me synimin për t`u bërë pjesë e denjë e familjes evropiane.
 
     Akademinë Përkujtimore, kushtuar Presidentit Rugova, e përshëndetën edhe Bahtir Kastrati, kryetar i LDK-së në Beneluks; Abaz Imeri, ushtrues i detyrës së kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani; Osman Ferizi, në emër të Shoqatave, të pranishme në Akademi; Xhafet Leci, veprimtar veteran prej gjysëm shekulli, përshëndeti në emër të veprimtarëve të hershëm të Mërgatës shqiptare. 
 
     Pleqnari i mirënjohur i katër shteteve, Haxhi Rrahman Lajçi, i cili, veç përshëndetjes, dha edhe mesazhin e paqës, të harmonisë vëllazërore dhe të pajtimit ndërshqiptar, për ta ruajtur të pacënueshme hapësirën tokësore të Republikës së Kosovës. Sepse ky është edhe amaneti i dëshmorëve dhe i mijëra viktimave, të luftërave të përgjakshme ndër dekade e mote.
 
     Krijuesi dhe aktori i ndjeshëm dhe i zellshëm, Mentor Thaqi, vazhdon t´i emocionojë dhe mrekullojë mërgimtarët shqiptarë, në Gjermani dhe shtetet tjera të Evropës. Përveç deklamimit artistik të krijimeve të tij, si: balada, monologje dramatike, e tjera, ai krijon vargje e poezi për nxënësit e mërgatës, të cilat i recitojnë në organizimet festive, përkujtimore dhe të rasteve tjera.
Kësaj radhe, deklamoi monologun, për Dr. Rugovën, që vijon:

“Ah bre Bablok, po ngusht ishe kenë e nuk e kishim pas ditë,

n´njai an´ tuj t´gjua mas shpine,

e n´tjetren n´shpi tonë tuj t´a pi duhânin tinëz,

hë marrja i mloftë e dheu i vorrit i shploftë,

bre, Zoti paftë e pagoftë, po keq gjujshin gur e mshef dur´…!”

     Moderatorja e talentuar prishtinase, Labinote Syla, recitoi, me ndjenjë e mjeshtërisht, poezinë hymn të Fan Nolit: “Hymni i Flamurit”.

     Ndërsa mbesa e deputetit Hero Smajl Hajdaraj, Erza Hajdaraj, emocionoi të pranishmit, me poezinë e poetit Mentor Thaqi, kushtuar të rënëve dëshmorë të muajit janar, me titull “Kallnor Arbnor”:

“Po bre, po,

jam Maja e Hajlës e Ibrahim Rugovës,

e mbështjellun me shallin e tij

dhe shoken e bab´s në roje brezi,

Gryka e Rugovës e Smajl Hajdaraj

hapave të bab´s Arif Reku me zjerm ner dhambë,

Gjeravica dhe Maja e Strellcit e Tahir Zemaj

me nip e djalë mes dy krahësh e mes dy krenash!

Më thërrasin edhe Albert e Kosovë Podguri,

dy cepat e një Flamuri…”

     Kjo intermexo artistike e trinomit të sipërthënë, ngjalli emocione e dhembje krenare, tek të pranishmit në sallën e Akademisë Përkujtimore.

      Këngëtarët e muzikës popullore, Besnik Shuti dhe Florim Thaçi, kënduan për Presidentin Rugova dhe Heroin Sali Çekaj. Teksti, muzika dhe zëri kumbues i binomit, bukur të harmonizuar, për disa çaste, largoi ndjesinë mortore, duke ngushëlluar të pranishmit me dhimbjen krenare.

     Një mirënjohje dhe falenderim shkon për ekipin informativ artistik, si: Kameromanin i RTK-së, Ahmet Konjusha, fotografët e kudondodhur, në organizimet e Mërgatës, Rashid Murati dhe Gani Kryeziu, me regjistrimet filmike dhe fotografimet, si dhe kolegu i tyre, kameroman e gazetar profesionit, Halil Rrustemaj, i cili, mungoi, për arsye të përcjelljes të një aktiviteti tjetër, tashmë, janë bërë krijuesit e një arkivi viziv dhe artistik të Mërgatës shqiptare. Ne shërbehemi, madje gratis, me fotografitë e tyre, për ilustrimin e shkrimeve-reportazhe, në pasqyrimin e veprimtarive të Mërgatës.

     Dikur, në Koperativat socialiste, në Shqipërinë tonë, kuzhinat quheshin “shpirti i repartit”, sepse pas një pune normative e garuese të mundimshme, vetëm kuzhina, ishte shpresa shpëtuese. Familja Ramadani nga Ferizaj, me shefin e kuzhinës dhe të sallës, Nehat Ramadani, meriton çdo lavdatë, sepse, veç sjelljes dashamirëse, cilësisë të ushqimit, për Akademitë Përkujtimore, favorizojnë, madje ndjeshëm, koston ushqyese dhe shërbyese.

Me porosi të organizatorit, një falenderim publik të veçantë!

     Duke rrespektuar një traditë, jo vetëm të shqiptarëve, por, edhe të popujve evropjanë, në raste përkujtimesh mortore, shtrohet  drekë, natyrisht, me numër më të kufizuar. Por, Organizatorët kishin vendosur të shtrohet drekë, për të gjithë të pranishmit në Akademinë Përkujtimore.

    Kryesia e Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz, e përbërë nga: Fazli Hajdaraj-kryetar, Xhevat Berisha e Riza Zeqiraj-nënkryetarë, Lush Cana- sekretar, Nexhmedin Syla-arkatar, Rashid Nikçi, Nezir Gjonbalaj, Ibrahim Rexhaj, Bujar Lajçi, Alush Zeqiraj, Sherif Haxhijaj, Shaban Nikçi, Fatmir Lajçi- anëtarë, tashmë, janë aktivistë të dëshmuar dhe veprojnë në kuadrin e Landit të tyre, si dhe bashkëpunojnë me Nëndegët simotra dhe Shoqatat numerike, brenda Gjermanisë dhe mëtej në Evropë.

     Për organizimet e kësaj natyre dhe të tjera, konsultohen dhe marrin vendimet përkatëse. Shpenzimet i përballojnë me forcat vetanake. Por, prijnë në shuma më të mëdha ata që kanë biznese. Edhe kësaj radhe, gjysmën e shpenzimeve i mbuluan treshja: Bujar Lajçi, Lush Cana dhe Fatmir Lajçi. Ndërsa për gjysmën tjetër, u përgjigjën, proporcionalisht, anëtarët e Kryesisë të Nëndegës.

     

Filed Under: Politike Tagged With: Idriz Beqiraj, Ludwigshafen, presidenti Ibrahim Rugova, Xhevat Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 421
  • 422
  • 423
  • 424
  • 425
  • …
  • 655
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR VITIN E RI 2026
  • Për bij e bija të denja të kombit shqiptar!
  • Kastrioti, me firmë e me vulë
  • Qoka si zhanër letrar: Një histori “suksesi” pa lexues
  • Kartolinat festive si dëshira të shkruara
  • SHQIPTARËT DHE KRISHTENIZMI NË TROJET E TYRE – HERSHMËRIA APOSTOLIKE, DËSHMITË ARKIVORE DHE TRASHËGIMIA EVROPIANE
  • Vota e Kosovës nuk ishte kundërshti — ishte dinjitet
  • Kosova, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare dhe beteja për sovranitet në rendin ndërkombëtar
  • LE SOIR ILLUSTRÉ (1963) / “NË KOHËN QË JETOJMË, PUNA E FISNIKËRON NJERIUN…” — TAKIMI ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Nëna e Isës dhe naçallniku serb
  • Fishta, orakull i shqiptarizmit në kohët moderne
  • Gezim Muhaj: “Tv Iliria, 13 vite transmetim dhe ruajtje e kulturës shqiptare në Çikago”
  • Rudyard Kipling, ky endacak tragjik dhe ëndërrtar i jetës, ai që predikoi “Në mundsh… të ruash arsyen kur bota humb fillin…”
  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT