
-Nesër zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe. Garojnë tre parti, dy shqiptare e një serbe: Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe/
-Bashkimi Evropian (BE) pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor/
-Zgjedhjet e jashtëzakonshme u shpallën pasi kryetarët e katër komunave veriore, të gjithë serbë, kanë dhënë dorëheqje në 27 nëntor 2018, sipas tyre, si reagim pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat e Serbisë/
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 18 Maj 2019/ Nesër, të dielën e 19 majit 2019, mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës. Garojnë tre parti, dy shqiptare e një serbe: Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe (Srpska Lista).
Gjithësej 57 983 qytetarë kanë të drejtë vote, 970 më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017. Numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 22 055, në Zubin Potok 8 535, në Leposaviç 18 164 dhe në Zveçan 9 229. Në katër komunat gjithësej janë 44 qendra të votimit me 87 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dizajnin, përmbajtjen dhe formatin e fletëvotimeve me emrat e kandidatëve për krytarët, të veçanta për secilën nga katër komunat. Fletëvotimet janë me Stemën e Republikës së Kosovës dhe logon e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.
Numri i vëzhguesve të akredituar sipas KQZ është: 464 dhe përfaqësojnë 2 parti politike, 2 misione ndërkombëtare, 1 Komision Evropian, 2 misione diplomatike, 12 ambsada, 1 OJQ ndërkombëtare, 4 OJQ vendore dhe 15 media.
Bashkimi Evropian ka kërkuar respektimin e integritetit të procesit në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore.
“Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme që ofrojnë një përzgjedhje domethënëse të kandidatëve janë themeli i demokracisë”, është shprehur Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorja Nataliya Apostolova në deklaratën e dërguar.
Ajo thekson se, BE-ja pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor.
“BE-ja thekson rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të BE-së nga zgjedhjet e kaluara. Puna duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjen e fundit të arritur në mes të gjitha partive politike në Kuvend”, përfundon deklarata.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka, në 8 prill ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe, të shpallura një ditë më parë nga presidenti i Republikës Hashim Thaçi, për t’u mbajtur në 19 maj 2019.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme u shpallën pasi kryetarët e katër komunave veriore, të gjithë serbë, kanë dhënë dorëheqje në 27 nëntor 2018, sipas tyre, si reagim pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat e Serbisë.
Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan, qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare për Komisionin Qendror Zgjedhor 471,484 euro dhe për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa 18,618 euro.
Në Kosovë komuniteti serb përbën 1.47 % të banorëve sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, kur u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, prej tyre 92.93 % shqiptarë, pa përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.
Në Kosovë, që ka gjithësej 38 komuna, nga10 komunat me shumicë serbe 5 janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Paketës Ahtisaari. Po sipas kësaj Pakete, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.