• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kolec Pikolini ndërroi jetë në Detroit

February 21, 2019 by dgreca

Ndërroi jetë në Detroit, në moshën 96-vjeçare kundërkomunisti Kolec Pikolini/

1 Kolec Pikolini

Nga Klajd Kapinova /

Miku im i vjetër Franz Llesh Grishaj me telefon më dha një lajm të hidhur, se miku ynë i përbashkët aktivisti veteran Kolec Pikolini, ndërroi jetë në Detroit të Michigan-it, në prani të familjes dhe miqëve të tij të dashur.

1 Libri KolecitShkodrani me tradita të hershme qytetare në Shkodër Kolec Pikolini, deri sa kaloi në amshim ishte një mik i dashur i familjes atdhetare dhe antikomuniste Grishaj në Detroit, familje e cila ka kaluar kalvarin komunist, mbasi qysh në fillim ishte krahu i djathtë i patriotit të shquar kundëkomunist Prekë Cali (1872–1945), për të cilin kam shkruar një studim të gjatë dhe hollësishëm shumë vite më parë…

Koleci, për shumë dekada punoi pa u lodhur dhe me pasion si elektricist në Detroit për Ford Motor Company deri sa doli në pension. Ai ishte një ndër themeluesit e zjarrtë të kishës katolike shqiptare të shën Palit dhe shën Pjetrit në Warren, Detroit, Michigan.
Aktivisti i palodhur i kishës Pikolini, ishte ai që për herë të parë gjeti tokën ose vendin se ku do të ndërtohet kisha e shën Palit dhe shën Pjetrit në Warren, Detroit, MI dhe shërbeu për shumë vite si antar i këshillit të kishës katolike shqiptaro amerikane.
Kundërkomunisti shkodran Kolec Pikolini, kishte një pasion të madh për artin e bukur të fotografisë. Ai kishte blerë disa aparate fotografikë, të cilat i përdorte për të fotografuar dhe fiksuar në celluloid historinë, aktivitet e ndryshme atdhetare, që organizonin shqiptarët emigrant për çështjen kombëtare të lirisë dhe çlirimin e Kosovës dhe lirinë e rrëzimin e komunizmit të zi në Shqipërinë e diktatorit Enver Hoxha.
Fotografi amator Pikolini, ishte i pari që i dhuroi kishës katolike shqiptare të shën Palit dhe shën Pjetrit fotot origjinale të Dedë Gjon Lulit dhe liberatorit demokrat Luigj Gurakuqit, të cilat, i zmadhoi dhe edhe sot perdoren në ambientet e kishës në fjalë, në Ditën e Flamurit dhe Pavarsisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorën historike dhe për përkujtimin e përvitshëm të ngjarjes më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, sikurse ka mbetur Kryengritja e Malësisë më 6 Prill 1911 e udhëhequr nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli.
Qysh nga dita që mbërriti në tokën e premtuar të SHBA, Koleci, ka marrë pjesë në të gjithë demostratat patriotike të shqiptarëve në SHBA, të cilat zhvilloheshin kundër pushtimit serb të Kosovës dhe kundër rregjimit komunist të Tiranës së kuqe.
Ai vazhdimisht deri në vitin 1991, ngriti zërin në mbrojtje të disidentëve shqiptarë që ishin në burgjet komuniste të diktatorit Enver Hoxha. Ai u takua disa here në qytetin e Shkodrës me ish antar të Shoqatës së ish të Persekutuarve Politikë të qytetit të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.
Ai e vizitoi disa herë Shqipërinë dhe qytetin e tij të lindjes Shkodërlocën. Librin me kujtime të hidhura të jetës së tij, nënës, villain e tij dhe shokët e mbijetuar të idealeve dhe veprimtarive kundërkomuniste, në kohën e diktaturës komuniste deri sa arratiset me shumë mundime nga burgu dhe Shqipëria komuniste…
Ai ishte një familjar i devoshëm, me parime konservatore tradicionale qytetare shkodrane. Fotografi Pikolini, ishte babai i tre fëmijëve: Antonio, Liliana dhe Kristina. Gruaja e tij fisnike Filja, është derë e fisit Kalaj nga Gruda e Malësisë në Mal të Zi.
Shumë vite më parë, Koleci në moshë të thyer ishte rikthyer nga Florida e ngrohtë për të jetuar sërisht në Detroit.
Nga familja dhe miqët e tij mësojmë, se trupi i tij do të prehet i qetë në jetën e pasosun pranë vorrezave katolike në qytetin e madh industrial të Detroit-it.
Ai ishte një aktivist i palodhur i komunitetit shqiptaro amerikanë në Detroit, një dashamirës dhe kontribues i palodhur për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.

Kolec Pikolini rrëfen historinë e ikjes nga burgu

Po sikur autori i librit me kujtime origjinale  rrënqetheëse “Rregjimi i hienave” Kolec Pikolini të ishte pushkatuar pas dënimit kapital dhënë në pretencën e gjyqit farsë, a do të binin në dorë të lexuesit kujtimet e gdhendur thellë në kujtesën e shkruesit!?
Familja e tij u përshkua vazhdimisht nga keqtrajtimi. Vëllau Paloka u masakrua nën tingujt e këngëve dhe valleve partizane, që kishin ardhur si pushtues dhe “triumfator” nga Jugu i Shqipërisë.
Me një urretje të thellë për banorët e qytetit kundërkomunist partizanët komunistë menjëherë vranë 8 martirë shkodran para Bashkisë së Shkodrës. Por dufi i tyre nuk soset me kaq. Fyerjet e komunistëve vijuan para turmës fanatike komuniste, që gëzohej, këndonte e hedhte valle para pamjeve horror… të kufomave shqiptarë…
O Zot çfarë po ndodhte kështu!? Historia, është një mësuese e mirë, por njerëzit që abuzojnë janë nxënës të këqinj. E për fat të mirë autori mbijetoi, për të dëshmuar, fakte dhune të tërmetit komunist, që hienat i ngrinë buzëqeshjen në buzë shkodranëve për shumë dekada deri në vitin 1990…

Drejtësia është burimi i përbashkët i virtyteve

Nëpër faqet e librit me kujtime të dhimbshme “Rregjimi i hienave”, kushdo e kupton se Pikolini, ka pasur parasysh Aristotelin e madh grek, i cili, ka thënë: “E dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën.”
Pse autori nuk i botoi kujtimet më 1990, kur Shqipëria e lodhur filloi të hapë dyert e shkatërruara!?
Pas bisedave të shpeshta me autorin, mësova, se Kolec Pikolini me zgjuarsi kishte pëlqyer qetësinë e njerëzve, që ngjarjet e së kaluarës të mos i përjetojnë emocionalisht dhe pa paragjykime.
Ai mendoi, që kujtimet të jenë pronë e bashkëvuajtësve kundërkomunist të kohës së rregjimit kundëshqiptar të Enver Hoxhës.
Në faqet e librit me kujtime, Pikolini përpiqet të japë një pasqyrë të zhvillimit të ngjarjeve të viteve 1938-1952, dhe më pas, kur bën realitet planin e ikjes apo arratisjes nga burgu komunist…
Vërtetë është një hark kohor i shkurtër, por ngjarjet që përfshihen në libër janë të ngjeshura me dramacitet.
Këtu nuk kemi të bëjmë me trillime artistike apo kompozicion vlerash narrative, por histori të përjetuara.
Në mbarështrimin e problematikës, ai përfill dhe trajton hollësisht çdo ngjarje, që i ka ndodhur nga përsonazhet publikë ose jo të qytetit.
Duke kaluar episode të shpeshta, fare lehtë lexuesi mund të dalloj njerëzit të ndarë në dy anë të kundërta: kundërkomunistë e anasjelltas, të shoqëruara me fakte, dialogje origjinale për Shkodrën, qytet e katundet e ndryshme, që iu desh të kalonte, me shteg e pashteg, duke pasur kokën në rrezik nga asgjësimi fizik…, pasi ndiqej këmba-këmbës kudo.
Hapësirë e rëndësi në kujtime Pikolini i ka dhënë martirëve të klerit katolik në Shkodër e Shqipëri, në ruajtjen e qëndresës së popullit shqiptar gjatë historisë e në vitet e zeza të diktaturës.
Autori, sapo u arratis, me të mbërritur në Jugosllavi nisi të hedhë kujtimet në letër, duke krijuar kështu bllokun e shënimeve, një pjesë prej të cilave kujtonte ai nuk mundën të mbijetonin.
Ato janë përshkrime për njerëzit, që jeta i mundësoi të kishte kontakte në rrethana të ndryshme, fshatrave e fshatarëve, maleve e kodrave, shkurreve e anës lumenjve, që iu desht të kalonte çdo ditë, për të shkuar drejt “tokës së premtuar” (Jugosllavi), që shpesh do ta zhgënjente.
Autobiografi tregon haptas për jetën e tij, ku, frika e ankthi ishin bashkëudhëtarë gjatë ecejakjeve, se mund të zbulohej nga Sigurimi famkeq i Dullës së Gjirokastrës.
Dhe nëse ndodhte arrestimi, jeta e tij përfundonte përballë togës së zezë të ekzekutimit, që nuk e ndërronte me mishin e dashit.
Pikolini, bënte një jetë endacaku plot vuajtje. Shpesh iu desht që ditën të bënte gjumë letargjik, i mbuluar vetë me mjetet rrethanore, për të mos rënë në dyshim e zbulim nga njerëzit përreth.
Ai hapte strofën me këmesen e vogël që kishte me vete, dhe ngrysej pa futur asgjë në gojë.
Koleci, nisë të flasë për familjen, kur vendosën në Shkodër për herë të parë. Kujton me radhë fëmijërinë e lumtur, duke vlerësuar virtytet më të dobishme edukative të shkollës private.
Me freski e përkujton vizitën e parë në Podgoricë (Mal të Zi), atmosferën festive që ndiente, këngën që kishin kënduar kushtuar trimit të bjeshkëve Dedë Gjo Lulit…
Nga leximi i pjesëve ngjarjet, marrin një drejtim real dhe zbardhën pas shumë viteve në libër.
Autori, risjellë situatën e qytetit pas ardhjes së italianëve: “Karabinieria e Kuestura ishin të rreptë. Policia e fshehtë u shihte rrallë. Unë ditën shkoja në shkollën profesionale dhe në mbrëmje punoja në kinema. Më vonë u bëra operator dhe aty u njoha pothuajse me të gjithë shkodranët që vinin në kinema, sepse ishte i vetmi dëfrim për qytetarin…”
Jo larg vëmendjes nuk ka mbetur në analizën e ngjarjeve politike botërore, ku përplaseshin dy rryma politike e ushtarake: boshti fashist Romë-Berlin-Tokio dhe forcat e rezistences kundërfashiste brenda e jashtë vendit.
***

Dy familje ebreje shpetohen nga familja Pikolini
Dy familje ebrej janë shpëtuar pa bujë e zhurmë nga familja Pikolini dhe media komuniste 1944-2019, në vendlindje dhe diasporë vijon të hesht!
Fakti është fakt, se në familjen Pikolini, kanë qenë strehuar dy familje çifute. Dhe detajet e kësaj historie kanë domethënien e tyre.
Eshtë i habitshëm fakti, se edhe në Konferencën e zhvilluar shkurt të vitit 2019, në Selinë e OKB-së nga një nga organizatorët e saj ambasadorja e Shqipërisë Besiana Kadare, nuk ftoi asnjë pjesëtar të familjes Pikolini, për të marrë pjesë, ndonëse ata prej shumë dekadash jetojnë në Detroit, MI.
Kjo është bërë me paramendim, sikurse bëri nga viti 1949-1985 idhulli i tyre shpirtëror e ideologjikisht diktatori kundërisraelit Enver Hoxha, për të treguar se vetëm komuniteti musliman shqiptar ka shpërtuar ebrejt në ish vendin tonë.
Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Shqiperia socialiste votoi kundër SHBA dhe Izraelit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për vitin 1949, kur Shqipëria e njeh Izraelin si shtet të riformuar në vitin 1948, por flitet për vitin 2018, kur Qeveria socialiste votoi kundër SHBA, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, të cilin historikisht Libri i Shenjtë – Bibla e permend 95 herë si kryeqendër të madhe tregtare, administrative, kulturore, fetare të ebrejve autokton…
Shqipëria radikale socialiste, me perfaqsuesit e saj në New York, u kujdes që të ftoj më shumë komuniste, për ti treguar ebrejve dhe SHBA-së (Pjesëmarrës në takim), se ishin komunistët 1941-1944, që i shpëtuan ebrejt dhe nuk ka asnjë rast, që kundërkomunistët t’i kenë shpëtuar ebrejt… Kështu ka thënë Enveri dhe kështu vijon tradicionalisht edhe sot pasuesit e tyre me diplomacinë hipokrite dhe shumë fytyrëshe gjoja shqiptare…
Ebrejt, për t’i shpëtuar përndjekjeve nga gjermanët, kanë gjetur tek Pikolinët bujarinë shqiptare, besën, fisnikërinë e mikëpritjes shkodrane, deri sa çifutët vendosen vetë vullnetarisht, që të largohen në një shtet tjetër.
Autori shkruan: “Kaloi një kohë dhe u dha lajmi se dy civila e një ushtar gjerman janë gjetur të ekzekutuar diku jashtë qytetit. Gjermanët nuk dinin se në shtëpi ishin të strehuar dy familje çifute. Për këtë ishin në dijeni vetëm tregtari Tefë Pogu e familja Jani (komshiu)”.
Kolec Pikolini, trajton vitin 1945: “… mortaja bolshevike e përcjellur prej një të ftohtit të fortë, filloi një ofensivë me qëllimin e nënshtrimit të maleve të Veriut të Atdheut të Lekëve, që turku e sllavët asnjëherë nuk munden që t’i nënshtronin.”
Kelmendi i Norës dhe Malësia si krahinë pushke dhe rezistence kundërkomuniste bëhen personazh interesant në libër.
Hisgtorikisht, dihet se malësorët tanë ndër shekuj kanë luftuar kundër pushtuesit turk, sllav dhe u përballen me një armik tjetër (1941-1990), që mbante veshjet e armët angleze, por kishte gjuhë e gjak shqiptari.
U vranë me e pa gjyq, trimi i maleve, atdhetari i flaktë Prekë Cali, i cili, u pre në besë nga komunistët. Kështu 14 vetë u pushkatuan në varrezat e vjetra katolike të Rrmajit me poetin e ëmbëlsisë martiri i kishës dom Ndre Zadejën.
Duke iu rikthyer për së afërmi librit, vërejmë se aty ka përpjekje nga autori, për të nxjerrë sa më mirë në dritë figurat e fyer nga diktatura. Këtu për herë të parë mësojnë një sekret të rëndësishëm të familjes Pikolini, ku, nëna e tij, në acar dimri tërheq mes dhembjes kufomen e të birit, që ishte braktisur nga ekzekutorët dhe se njeriu roje që e ndiqte skenën ishte autori i kujtimeve.
Luftëtarët e lirisë kundërkomuniste krijuan lidhje të ngushta, në Mirditë, Dukagjin, Pukë, Malësi e Lumë. Luftëtarët e lirisë “ishin në lëvizje me aksione të vazhdueshme”, shkruan Pikolini.
Ai ndalet në elementët që i shërbyen me fanatizëm sistemit, duke i analizuar portretin e gjithsecilit, jo me fjalë të përgjithshme, por me veprime konkrete gjatë kohës që vuante në burg.
Eshtë i habitshëm fakti, se disa prej tyre kanë arritur të vijnë në SHBA dhe kanë fituar letrat dhe shtetësinë amerikane si të “persekutuar”…
Natyrshëm jepet i përshkruar çasti i arrestimit… Torturat mizore, që në ditën e parë ishin të vështira e ushtroheshin rregullisht. Ai kujton gjyqet e zhvilluar pak kohë më parë ndaj qytetarëve të ndershëm të qytetit.
Në kinema “Rozafat”, ku, kishte punuar, filluan seritë pambarim të gjyqeve farse.
Autori shkruan: “… Seancat vazhduan me atmosferen e terrorit në sallë… Një rast kur salla ishte duke u zbrazur, në momentin e daljes atë Gjon Shllaku, me zë të ulët na tha: “Kjofshi bekue se s’na keni lanë gojen me na u tha dhe na keni shërbye… Në shesh, grumbuj njerëzish, prindër dhe familjet e tyre donin t’i jepnin zemër të lidhurve dorë për dorë, të rrethuar me roje të shumta. Ata priteshin nga një turmë rrugaqësh, duke brohoritur e kënduar disa këngë “ala partizanshe”.
Këtu shfaqen të përjetuara torturat, të cilat autori është përpjekur t’i rishfaqë me korrektësi e detaje në kohën që vuante dënimin.
Çdo akuzë ishte shtim i torturave komuniste-naziste, që pa kursim rëndonin trupin e dobësuar. Krypa në gojë, lidhja e duarve, varja në çengela për shumë orë, grushtat e shqelmat, nuk e mposhtën.
Kolec Pikolini, nuk trathëtoi shokët e vet të idealeve antikomuniste. Edhe atëherë kur gjaku e pështyma i ishin trashur nga torturat dhe nuk kontrollonte vetën apo i sillnin dëshmitarë të rremë me plot provokime, asnjëherë nuk harroi se cilët kriminela kishte përballë dhe për inat të tyre mbijetoi.
Në burgje ai ka qëndruar e biseduar me njerëz të ndryshëm, duke njohur nga afër karakterin, burrërinë, gjakëftohtësinë, besën, sinqeritetin, miqësinë e tyre.
Edhe pse priste që të pushkatohej (u rrëfy tek prifti), ka patur në mendje një ide fikse, që të largohej me çdo kusht burgut.
Ishte 21 gusht 1952, kur Koleci me bashkëvuajtësin Gjovalinin ishin përgatitur përmes një plani të detajuar të iknin prej burgut të ofiçinës…
Koleci me dy gra të familjes së tij, hynë në qytetin e Shkodrës i veshur me rrobat e gruas. E rëndë ishte situata në popull, pasi frika kishte depërtuar thellë mes banorëve të qytetit. Ai njeri, familje që kapet duke strehuar “diversantë” (luftëtarë lirie), të ikur nga burgjet denohej ose syrgjynosej me internime pambarim.
Ankthi, frika, ferrat, shkurret me plot rreziqe, të lehurat e qenjve, lëvizjet e ushtarëve të Sigurimit, vështirësuan rrugën drejt Mal të Zi. Humbja e Gjovalinit gjatë ndjekjeve (pritë), ritakimi, humbja përsëri, janë pjesë të dhimbshme.
A nuk ngjasojnë ngjarjet me ikjet e skllevërve në kohën e Spartakut, për të shpëtuar nga masakrimi i gladiatorëve të Romën?!
Libri “Regjimi i hienave, me autor Kolec Pikolinin, është botuar nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “Camaj-Pipa” në Shtypshkronjën VOLAJ, Shkodër.

Filed Under: Politike Tagged With: Klajd Kapinova, Kolec Pikolini, nderroi jete

DEKLARATË E DEGËS SË FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA” NË MICHIGAN

February 20, 2019 by dgreca

QEVERIA RAMA E KA HUMBUR TË  DREJTËN MORALE PËR TË QEVERISUR SHQIPTARËT/

1 Mondi

Kryesia e Degës se Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA”  në Michigan, të shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Shqipëri, konstaton se:

-Përkeqësimi i rendit publik, rritja e korrupsionit në nivele të larta ministrore, parlamentare, vendore etj., dhe mbrojtja ligjore ndaj tij, rënia e tejskajshme e nivelit ekonomik dhe punës së ndershme, kriminalizimi i jetës së popullatës në përgjithësi, nëpërmjet lejimit të punës fiktive, kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike dhe i trafiqeve të tjera, rënia e frikshme e numrit të popullsisë nëpërmjet emigrimit masiv, janë tregues të qartë për një dështim total të punës së qeverisë në detyrën e saj për rritjen e mirëqenies së popullit të vet.

-Përceptimi mbarëpopullor i zaptimit të pushtetit nëpërmjet tjetërsimit dhe blerjes së votave, përcmimi, arroganca dhe gjuha e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë, instalimi në krye të parlamentit, të qeverisë dhe posteve ministrore, të ish-funksionarëve apo pasardhësëve të nomenklaturës komuniste dhe kapja e pushtetit të pavarur gjyqësor, shënon një degradim të demokracisë dhe vlerave euro-atlantike.

-Diskutimi nga kreu i qeverisë dhe vënia në tavolinë më fqinjët, historikisht me intersa grabitqare, të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe të Kosovës, të paguara me gjakun e martirëve dhe të pranuara botërisht; krijimi i klimës miqësore me Serbinë dhe klimës së mosmarrëveshjes me lidershipin e Republikës se Kosovës, bie ndesh me luajalitetin ndaj kombit, është në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar në vendin amë dhe Diasporë, si dhe krijon një situatë te rrezikshme me pasoja afatgjata rajonale.

Prandaj, dega e  Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” në Michigan, mbartëse e vlerave nacionaliste dhe demokratike, në linjën e saj për t’i shërbyer me dinjitet kombit, gjykon se qeveria aktuale e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama, e ka humbur të drejtën, detyrimin dhe privilegjin për t’i shërbyer popullit të vet. Në të njëjtën kohë, përkrahim pa rezerva aksionin e forcave opozitare dhe kërkesën për një qeveri të përkohshme, e cila do të normalizonte situatën sociale, politike dhe kombëtare në përgjithësi.

 

Dega e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA në Michigan

 

Filed Under: Politike Tagged With: deklarate, Mondi Rakaj, Vatar ne Michigan

PROTESTE PARA KONSULLATES SHQIPTARE NE NEW YORK

February 20, 2019 by dgreca

TE RINJET SHQIPTARO-AMERIKANE PROTESTOJNE TE ENJTEN/

1 Rinia

  • 21 Shkurt 2019, Ora 5.00-7.00 PM PARA KONSULLATES SE SHQIPERISE-

Nje grup te rinjesh shqiptaro-amerikane kane njoftuar se te Enjten me 21 Shkurt 2019, ne Oren 5.00 PM-7.00 PM do te protestojne kunder Qeverise Shqiptare . Ata u kane bere thirrje shqiptareve te Amerikes , organizatave dhe individeve, qe te dalin ne proteste jo per te treguar solidaritet me ndonje parti politike, por thjeshte per te protestuar per keqeverisjen e Kryeministrit Edi Rama, kriminalizimin e politikes, shtetit dhe shoqerise, rritjen e varferise dhe vrasjen e shpresave per te jetuar ne vend.Adresa:320 EAST,79 Street, NY

Filed Under: Politike Tagged With: New York, PARA KONSULLATES, proteste, Të rinjtë

PROF. DR. REXHEP KRASNIQI: BIR SHPIRTI I BAJRAM CURRIT

February 18, 2019 by dgreca

Me rastin e 20-vjetorit të largimit nga kjo jetë/

1-Frank-shkreli-

Nga Frank SHKRELI/

Në bisedë e sipër me mikun dhe kolegun tim Idriz Lamaj, ai më kujtoi se ky muaj shënon 20-vjetorin e kalimit në amshim të njërit prej udhëheqsëve më të dalluar, më të nderuar dhe për shumë dekada ndër më të respektuarit e diaporës shqiptaro-amerikane, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi. Për më tepër, Idrizi më njoftoi se me këtë rast, në Kosovë është botuar një libër për jetën dhe veprimtarinë e këtij burri të madh të Kombit shqiptar. Nuk e kam lexuar ende librin, por mund të them se një vepër e tillë na mungonte ne këtu në diasporë, megjithse kemi pasur nderin dhe fatin ta njihnim Dr. Krasniqin, por më shumë besoj se kjo vepër u nevojitet lexuesve anë e mbanë trojeve shqiptare – e sidomos brezit të ri, të cilët, për arsye që dihen, mund të mos kenë dëgjuar fare për Dr. Rexhep Krasniqin.

Libri i autorit Dr. Besim Muhadri: “Prof Dr. Rexhep Krasniqi Një Jetë në Shërbim të Shqipërisë Etnike”, botuar kohët e fundit në Kosovë

Por kush ishte Prof Dr. Rexhep Krasniqi? Ai lindi në Gjakovë në vitin 1906 ku edhe mbaroi shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme e kreu në akademinë e njohur “Theresanium” të Vjenës, një ndër entet më të njohura dhe aristokrate të para Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Siç shkruan – në vend të parathënies — edhe autori i librit, “Prof. Dr. Rexhep Krasniqi -Një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike” – në artikullin e botuar ditët e fundit në gazetën Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, “Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbëshme, sepse që në moshën 8 vjeçë mbeti jetim, pa të dy prindërit. Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri, ose siç do ta quajë Noli ynë i madh, Tribuni i vegjëlisë, personalisht atë do ta adoptojë si “Bir shpirti”. Në mungesë të prindërve Bajram Curri do ta shoqëronte atë për herë të parë me rastin e regjistrimit në shkollë në Vjenë”, shkruan autori.

Në vitin 1934 Rexhep Krasniqi ka marrë titullin akademik “Doktor Fillozofie” nga Universiteti i Vjenës, teza e të cilës ka qenë, “Kongresi i Berlinit dhe Shqipnia Verilindore”, nën mbikqyrjen e Profesorit austriak Karl Patsch, Kryetar i Institutit për studime ballkanike pranë Universitetit të Vjenës dhe njëri prej albanologëve dhe historianëve më të njohur të asaj kohe në Evropë. Pasi përfundon studimet universitare në Vjenë, Rexhepi i ri këthehet në Atdhe dhe emërohet menjëherë profesor i historisë dhe gjeografisë pranë gjimnazit në Gjirokastër, ku edhe shërbeu si zëvendës drejtor deri në vitin 1938. Po këtë vit, Rexhep Krasniqi emërohet Drejtor i Arsimit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë dhe më vonë Inspektor Epruer pranë kësaj ministrie. Më 1941, ai caktohet Komisar i Lartë i Shkollave të Mesme në Kosovë dhe Drejtor i Gjimnazit të parë në gjuhën shqipe në Prishtinë. Dr. Rexhep Krasniqi në një numër të revistës “Shëjzat” të vitit 1974 e përshkruan kështu emërimin e tij në Gjimnazin e Prishtinës nga Ministri i atëhershëm i Arsimit shqiptar, Prof. Ernest Koliqi: “Për organizimin e Internatit ku do të banojshin 200-studentë – shumica e të cilëve do të studjonin me bursa të qeverisë shqiptare – Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi, emëroi Prof. Vasil Andonin me titull rektor dhe si ndihmës mësues, Lirak Dodbibën, të cilët qenë dërguar në krye të detyrës (në Kosovë) në Tetor, 1941. Për drejtimin e gjimanzit të Prishtinës ishte caktuar një arsimtar i merituar Kosovar që ishte në Tiranë. Por ky për arsye personale në çastin e fundit u tërhoq. Ministri Koliqi, që i kishte dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme, zhvillimit të arsmit kombëtar në krahinat kosovare, u gjënd në njl pozitë të vështirë për zevëndsimin e tij. Më në fund, me pëlqimin e plotë të tij, ai i ofroi Prof Krasniqit drejtimin e shkollës në fjalë si Komiser i Ministrisë, i cili njëkohsisht do ruante pozitën që kishte në atë kohë edhe si Inspektor Epruer në Ministrinë e Arsimit, bashkë me arsimtarët e njohur si Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Anton Deda, Kolë Kamsi e Kostaq Cipa.”

Për t’i ra shkurt, fati i këtyre burrave gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dihet. Megjithëse, me këto koka, jo vetëm atëherë, por edhe sot, Kombi shqiptar mund të krenohej para botës së qytetëruar dhe me të cilët – atëherë dhe sot – për nga përgatitja e tyre akademike, politike dhe njerëzore, e sidomos për nga atdhedashuria e tyre, do të krenohej çdo popull. Pas luftës, Dr. Rexhep Krasniqi pësoi të njëjtin fat me të tjerët — ndër më të mirët e Kombit – duke u detyruar të largoheshin nga Atdheu i tyre. Edhe ai merr rrugën e mërgimit, duke u vendosur së pari në Siri pastaj prej aty shkon në Australi, ku për mungesë të gjuhës anglisht detyrohet të bëjë lloj punësh, përfshirë fabrikën e automjeteve, për të siguruar bukën e gojës.

Për fat të tij, por më shumë për fatin e komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Rexhep Krasniqi ftohet në vitin 1957 nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të vinte në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qëndër në New York. Dr. Krasniqi e drejtoi këtë ent shqiptaro-amerikan, të financuar nga Amerika, deri në shëmbjen e komunizmit. Ishte në këtë rol që Prof. Dr. Rexhep Krasniqi siguroi admirimin e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim. Komiteti Shqipëria e Lirë shërbente në atë kohë, si ambasadë dhe si konsullatë, por edhe si zyrë ndihmash për shërbime të ndryshme për të gjithë shqiptarët në nevojë, pasi nuk ekzistonin marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa për Kosovën dihej pak ose aspak. Për çfardo nevoje qoftë, shqiptarët e arratisur nga regjimi komunist i drejtoheshin Komitetit “Shqipëria e Lirë” për ndihmë.


Dr Hamdi Oruçi duke i dorëzuar pllakën e artë Dr. Prof. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, New York, 28 Nëntor, 1975

Ishte pikërisht për aktivitetin e tij në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, që Dr. Hamdi Oruçi, një tjetër kolos i diasporës shqiptare të pas luftës në Amerikë, i dorëzoi Dr. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, pllakën e artë – simbol falënderimi jo vetëm për punën e tij të palodhur për të ndihmuar shqiptarët e shpërndarë, por edhe për veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare, në fushën e ruajtjes së gjuhës dhe të kulturës shqiptare në këtë vend, të drejtave bazë të njeriut dhe për përpjekjet e tija për liri e demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar.

Unë e kisha takuar disa herë Rexhep Krasniqin dhe me çdo rast, ashtu si edhe disa të tjerë të kalibrit dhe të brezit të tij, gjithmonë na jepte zemër e kurajo ne të rinjve në atë kohë, që të vazhdonim punën e tyre në komunitet, që të mos harronim gjuhë e kulturë, e prejardhje. Në vitin 1972 kisha filluar një broshurë tepër modeste për të rinjët, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, e cila i kishte rënë në dorë Doktorit të nderuar. Dhe në karakteristikën e tij që e dallonte, për një nismë megjithse tepër modeste, Prof Krasniqi kishte gjetur kohë të më shkruante një letër duke më dhënë kurajo për të vazhduar ndërsa me porosiste: “I kam lexue rishtas edhe të dy numrat e së përkohëshmes “Rinia Shqiptare në Mërgim”. Secili fillim ashtë i vështirë, por nga përmbajtja e artikujve që keni botue deri tashti më duket se jeni në rrugë të mbarë e që përputhet me moton e juej, “Lux et Veritas” (Drita dhe e Vërteta”. Të shpresojmë se me kohë, broshura juej ka me u ba një përmbledhje e fuqive të reja të kulturës dhe virtyteve të Kombësisë Shqiptare në këtë vend të lirisë dhe të përparimit.” Në të njëjtën letër, Doktor Krasniqi më jepte kurajo gjithashtu për vazhdimin e shkollës, dhe të mësoja anglishten, ashtuqë, sipas tij të, hyja “në radhën e shqiptarëve të paktë të kësaj kategorie, në këtë vend.”

Fjalët dashamirëse, porositë, këshillat, guximi, por edhe ndihmat që nuk i kursente për të gjithë, e dallonin atë nga shumë të tjerë. Në këtë përvjetor, kujtimet e mia më të sinqerta, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë përfituar nga ndihmat dhe nga këshillat e tija në nivel personal — janë të shumëta dhe të përzemërta dhe vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në ditët e sotëme. Për kontributet e tija të panumërta dhe për arritjet jetësore në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Atdhe, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur falënderimet e veta Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975 duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jasht Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit për shenjë nderimi dhe falënderimi, sot me 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”

Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të madhe kulturore dhe historike me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë Shëjzat dhe sidomos me shkrimet e tija në organin e entit që ai drejtonte, gazetën Shqiptari i lirë. Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjërë, për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjëndjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asja kohe. Si përfaqsues i lartë i komunitetit shqptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjëndej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët nga i cili — përsonalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës — kërkonin këshilla dhe të dhëna mbi gjëndjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.

I zgjedhur nga vet Heroi i Dragobisë, si “Bir shpirti” i tij – ai kishte mbetur jetim pasi kishte humbur prindërit që në vegjëli – Bajram Curri e kishte shoqëruar Rexhepin e vogël në udhëtimin e tij të parë për në Vjenë të Austrisë, ku Dr. Rexhep Krasniqi mbaroi studimet e larta dhe prej ku është doktoruar nga Universiteti i Vjenës.

Në këtë 20-vjetor të vdekjes së të “Birit në shpirt”, caktuar si i tillë nga vet heroi i Dragobisë — me mall e respekt e kujtojmë këtë muaj Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, njërin prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit të shëndoshë shqiptar, i cili me bashk-kohasit e tij, të të njëjtit mendim e qëllim — po tu ishte dhënë mundësia — do ta kishin “bërë Shqipërinë”, ashtu siç e donin ata atëherë dhe siç ende e dëshirojmë edhe ne sot për mbarë Kombin — të bashkuar, të lirë dhe vërtetë demokratike, të integruar një herë e mirë në organizmat politike, ekonomike dhe ushtarake verio-atlantike të botës perëndimore. Kjo ishte ëndërra e Dr. Rexhep Krasniqit dhe e shokëve të brezit të tij – një ëndërrë për realizimin e të cilës ata jetuan e vepruan gjithë jetën e tyre në mërgim, por që fatkeqësisht mbetet ende endërra jonë e pa realizuar krejtësisht edhe sot, në çerekun e parë të shekullit 21.

Filed Under: Politike Tagged With: Bir shpirti, Frank shkreli, i Bajram Currit, Prof. Rexhep Krasniqi

KRYEMINISTRI HARADINAJ: NUK KA KTHIM MBRAPA!

February 18, 2019 by dgreca

– KOSOVA E 17 SHKURTIT 2008 NUK BËN KTHIM PRAPA/
1 a Ramushi lule1 b ramushi1 c ramushi
-Kryeministri Haradinaj në Gllogjan: Kosova e 17 shkurtit 2008 është e arritur e të gjithë shqiptarëve, nuk bën kthim prapa, njohja nga Serbia vetëm me kufijtë ekzistues/
GLLOGJAN, 18 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova e pavarur, e 17 shkurtit 2008, është e arritur e të gjithë shqiptarëve, nuk bën kthim prapa, njohja nga Serbia duhet të ndodh vetëm me kufijtë ekzistues, tha sot kryeministri Ramush Haradinaj pasi bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit”, në Gllogjan, vendlindjen e tij në komunën e Deçanit.
 “Sot është një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, jemi në Gllogjan, në njërin nga vendet që e ka nderuar vendin tonë për rrugëtimin në liri. Jemi në Gllogjanin e lëvizjeve të hershme, të luftëtarëve të zot jo vetëm të kësaj lufte. Pra jemi që të nderojmë dhe të shprehim respektin për të rënët për liri ashtu si dje e kishim nderin të jemi në Prekaz e në vende të tjera të shenjta”, u shpreh ai.
Kryeministri Haradinaj pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, posaçërisht familjet e të rënëve, që, siç tha ai, mbajnë plagë në zemër e në vete për rrugëtimin deri në liri e shtet, theksoi se tashmë është e ditur që proceset e shtetndërtimit nuk janë të lehta.
“Nëse kthehemi në vitin 1912 dhe e shohim se si është konsoliduar shteti shqiptar e hetojmë që nuk ka qenë një proces i lehtë sikurse edhe për shumë shtete të tjera”, shtoi kreu i Qeverisë së Kosovës.
Njëkohësisht, kryeministri Haradinaj foli edhe për dialogun me Serbinë për një marrëveshje për njohje, por që siç theksoi ai duhet të ndodhë me kufijtë ekzistues të Kosovës, sepse Kosova e 17 shkurtit është e arritur e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, sikurse edhe e arritur e aleatëve të Kosovës dhe kësisoj nuk do të bëhen hapa mbrapa.
“Kur them hapa mbrapa, them se ne nuk lejojmë hapjen dhe tjetërsimin e Kosovës së Pavarur të 17 shkurtit. Një popull ndaj të cilit është ushtruar gjenocid dhe është përndjekur i gjithë populli, rreth 20 mijë gra të dhunuara e rreth 15 mijë të vdekur u dashka të japim diçka për njohje. Në fakt e drejta politike e çdo norme do të ishte që njohja nga Serbia të vjen si kërkim falje për atë që i ka shkaktuar Kosovës jo vetëm në lufën e fundit por edhe në përpjekjet e mëhershme”, deklaroi kryeministri Haradinaj, cituar në njoftimin e dërguar nga Zyra e shtypit e Qeverisë.
Poashtu, kryeministri Haradinaj e bëri të qartë se nuk do t’i falë tokë e territore Serbisë dhe se me këtë shtet njohja duhet të ndodh vetëm me kufijtë ekzistues.

Filed Under: Politike Tagged With: Nuk ka kthim mbrapa, Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 434
  • 435
  • 436
  • 437
  • 438
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT