• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kufiri i dhimbjes njerëzore

July 16, 2018 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

1 alfons 2

1-Prejardhja/

Sa afër… dhe larg  “Australopit”,  “Homo Habilis”,  “Homo Irektus”, krijesa  të Teorisë së Mohimit që zhvarrosën fosilet për të identifikuar vetveten me kafshën. Mohimi është dyshek heshtash që askush nuk do dëshironte të flinte mbi të. E pra, marksisto-darvinistët guxuan të eksperimentonin për të degjeneruar ndërgjegjen e kulluar njerëzore me profilin e një specie që nuk plotëson asnjë premisë cilësore humane. Asnjë nga ata nuk pyetën se kush janë paraardhësit e majmunëve që u dihet zanafilla por jo filli alogjik i emërtimit majmunit-njeri! Dikur, kinezët përhapën një lajm sensacional sikur gjetën në një shpellë kafkën e njeriut 5 milion vjet të vjetër. Sikur të vërtetohej kjo, teoria për majmunin-njeri do shuhej,  dhe bashkë me të do vyshkej dhe  penelata e teorive pa bosht. Por komunistët kinezë u kujdesën për ta fshirë sensancionin bashkë me antropologun zbulues.

Konkluzioni i fundit se fosilja e gjetur në Izrael është dy herë më e vjetër se teoria e mëparshme e “Homo Sapiensit”, i ka ngatërruar matrapazët, të cilëve u duhet të korrigjojnë çmendurinë e stisur jo më prej 100 vitesh, por prej 100 mijë vitesh. Siç shohim,  entuziazmi dhe ego bie në kufijtë e faktit . Fodullëku i marksistëve kundërshton qënien e shpirtit, duke e ditur se shpirti është  thelbi i stoicizmit  hyjnor, që sjell të pastër zanafillën  e zhvillimit dhe  xhentilesën njerëzore.

2-Të njëjtët

Siç besohet, njeriu u ndërtua si frymë dhe shpirt i papërsëritshëm. Pas largimit në jetën tjetër, shpirti ndërton folenë gjetiu dhe trupi i brishtë bëhet pluhur. Me këtë  privilegj tallen majtistët. Këtu fillon dhe honi i ndarjes së  dy botëve, egërsia e botës shtazore dhe brumi i njeriut. Pandjeshmëria e majtistëve përkon me “Teorinë e Mohimit”: E djeshmja “shtazore”,  udhërrëfyesi ideal i së tashmes, e sotmja mëkati i së nesërmes, dhe e nesërmja  preludi i hiçit. Nata e ndërgjegjes tyre ngjan me errësirën e trogloditit që mbrohej me kopan për supremaci në shpellën e zymtë.

Forca e logjikës dhe e prekshmja: njeriu rrjedh nga njeriu dhe krijuesi i tij, Zoti. Po,  kur shoh krijesat e indoktrinuara nga ide dhe veprime delirante, pyes veten, a mos vallë “politikanët” e sotëm janë produkt i teorisë Darviniste, që mbijetojnë falë tolerancës së një populli pa memorje? A nuk kanë sy e vesh të dëgjojnë që, punëtorët dhe intelektualët e ndershëm flejnë në kufinjtë e dhimbjes njerëzore, mbi jastëkun e fosileve që bekoi skeletoni i djallit?

Çfarë fyerjeje për një popull që vjen nga qielli dhe zvarritet drejtë  ferrit!

3- Pasoja

Pas kaq vitesh demokraci, populli nuk ka dalë ende nga  hipnoza e Wichkraftëve komunistë, të cilët ndihmohen pareshtur edhe nga disa të “persekutuar”,  shërbëtorë që  bëjnë rolin e moderatorit, gjoja si rrjedhojë logjike perëndimore. Në fakt, më shumë tradhëtarë që kanë shitur gjakun e familjeve të tyre për privilegje të shëmtuara, këta janë   shndërruar në armiqtë më të mëdhenj të shoqërisë, popullit, përparimit dhe demokracisë në përgjithësi. Prostitucioni i dyfytyrësisë kompromenton qëllimin e shenjtë të lirisë, përparimin dhe orientimin perëndimor. Hilet e tyre janë të lexueshme. Darkat e drekat me të majtët dhe lobimet në dëm demokracisë për t’i dhënë ampula adrenaline një qeverie grabitqare, tregon karakterin e tyre të shitur. Diaspora mund t’i kishte dërmuar mbeturinat e komunizmit në Shqipëri, Dardani dhe Maqedoni, por falë pabesisë së këtyre maskarenjëve, përçarjes së persekutuarve dhe nacionalistëve, jeton dhe lulëzon neokomunizmi  në Shqipëri.

4- Opozita

Opozita, gjithmonë e pezmatuar dhe e përçarë, mendon se rastësia është çelësi opurtun. Frymëzimi është i rastit dhe aspak i detajuar. Momenti noton në ujë të turbullt pa polombarin me oksigjen. Mungesa e duelit frontal dhe krahor ka sjellur mungesën e llogoreve  të sigurta. Disiplina demokratike ka nivelet më të ulta në 28 vite në pluralizëm. Shumë demokratë (e kam stërpërsëritur) të sakrificës heshtin ose janë larguar jashtë atdheut. Bajraktarizmi dhe autoriteti klanor ka paralizuar shpirtin e luftës për ndryshim. Disa nuk e shohin Partinë Demokratike si pasuri kombëtare, por si objekt për shërbim personal. Ata kanë harruar, ose nuk e kanë kuptuar kurrë sakrificën e brezit që lindi dhe rriti PD-në, i cili bëri luftën  për t’i shërbyer demokracisë dhe atdheut. PD lindi si pasojë e nevojës për ndryshim  dhe jo si bibëron i parazitëve që përtojnë  të trokasin në dyert e demokratëve të vërtetë për të ngritur formacionin e fitores. Me dhjetëra demokratë të vjetër janë (apo i kanë) larguar me pretekste fëminore. Rrjedhja vazhdon, asnjë pardon dhe asnjë strategji për këtë?! Respekt për lidershipin aktual, por ai duhet të ketë bindje absolute dhe vlerësim maksimal për pozicionin që ka në PD. Duhet të jetë shumë serioz dhe të derdhë shumë djersë për të arritur objektivin. Ai duhet të mbajë afër të gjithë njerëzit që kanë dhënë prova për mençuri e shpirt luftarak. Kundërshtarin me lëkurë të huazuar nuk e mund dot përtej limitit të kondicionuar me plane afatshkurte, por me strategji afatgjate.

5- Impakti

Të gjitha Kombet po përparojnë duke zbutur ndryshimet subjektive, vetëm ne jo?! Atëherë mos më gjykoni, por më duhet të bie pre e logjikës pesimiste, duke anonçuar me fjalët e kompozuara nga Mozart,  tek “Lacrimosa” :  Judicadndus homo reus! Fajtorë për këtë gjendje që ka çuar popullin në kufinjtë e dhimbjes është Pozita, dhe pjesërisht Opozita, e cila nuk gjen fuqinë demokratike për të dhënë leksion ndryshimi si,  91-92 (98). Dikush do më thotë, po tani ne jemi anëtarë të disa Organizatave dhe po presim që të futemi në Europë dhe nuk do ish e mira të përdorim fuqinë e shpirtit demokratik, i cili është dhe  uragani i sakrificës sublime. Por unë po u kujtoj dashamirësve ligjin  e kafshës në filozofi: Po e munde kafshën, tërhiqet  zvarrë,  po u zbrapse,  bëhesh pre e saj.

Qytetërimi Europian dhe Amerika, e njohin këtë situatë. Ata nuk e duan komunizmin, as kriptokomunizmin. Oborret e tyre janë pastruar me kohë nga kolera e kuqe që sjell varfëri e regres. Vetëm shqiptarët nuk e kanë dënuar ende. Mendoj se, po nuk  e dënove krimin, je i destinuar ta jetosh atë.  Qytetërimi përendimor  nuk ka dëshirë të bëjnë eksperimente me një popull trim e liridashës për të frymëzuar një përmbysje, por nëse populli e bën, ata respektojnë verdiktin. Europa dhe Amerika nuk do i mbyllë dyert, por as nuk do i hapë  për ta bërë pjestar familjeje  neokomunizmin  dhe  kleptokracinë e kuqe.

6-Pasqyra dramatike

Prej pyjeve e shpellave (sipas predikimit baballar për “paraardhësit…”) tek pantallonat e dokut kinez, çorapëve të shqyera plotë erë, dhëmbë palarë me djersë javore, sot kundërmojnë parfume nga më të shtrenjtat. Dikur shkundnin xhepat për të gjetur qindarkën e fundit për të pirë një kafe… ose  prisnin të rrëzohej në trotuar ndonjë  bythçe cigareje  për të shijuar nikotinën (aktualisht drogën). Tani, treni ekspres i mësoi se si të villnin përvujtërinë për ta bërë instrument mashtrimi. Të ngrehur me puro e llogari bankare marramendëse, ndihen të sigurtë. Ndërkaq, ata kanë menduar dhe për vullkanin e mundshëm popullor, i cili po vuan për bukën e gojës: “Luani me bark bosh sado i fuqishëm që të jetë nuk ka fuqinë e rezistencës aktive, se lodhet dhe tërhiqet i mundur!” Prandaj nismat e opozitës fillojnë me mijëra, rrallohen në qindra e përfundojnë në dhjetëra.

7- Vëmendje për t’u marrë në konsideratë.

Lexues! Vështroni me vëmendje fasadën e patinuar me pudër groteske dhe do hasni fallsitetin e neokomunisteve në çdo milimetër të jetës. Këndvështrimin nuk e pushojnë në syrin e tjetrit, sepse vështrimin e kanë kalimtar e grabitqar. Bisedat nuk u përkojnë me filozofinë e kohës. Humori çalaman rrjedh si jargët e një hijene kur sheh prenë e vet. Kruarja e kokës dhe e fytyrës është identike instiktive si e shimpanzeve. Origjinë e huazuar veshur me kostume njeriu?! Përpiqen të jenë “intelektualë” dhe xhentëlmenë multitaskë, por shkërmoqen si breshëri që shurdhon asfaltet dhe qorron pullazet …

Rrogat e tyre të japin mundësinë për të ngrënë bukë e gjalpë, po kurrë të bësh pasuri dhe jo më të flasësh për luks. Çdo gjë është e dukshme, por syri i pafuqishëm i viktimës  gëlltit lotët dhe  arkivon  dramën në breza.

Kapitullim! Fatalitet!  Viktimizuesi fërkon duart në ekstazë tek sheh degradimin dhe hopa, frymëzohet për të bërë reforma mirëqënieje duke  ngritur  rrogat një cent! Dhe populli rri në ferrin e hipnozës së kuqe. Autobuzi fizarmonikë, transportuesi i varrezës  shtet. Ky është kulmi i ironisë së fatit!

Të ndodhte kjo në një vend me demokraci të zhvilluar, politikanë të tillë do jepnin shpirt nga thonjtë e masës dhe nuk do kishin asnjë shans për trofe e riciklim pushteti. Po! Kjo ndodh vetëm në vendin tim. Po, po! Në vendin e shiponjave ku ligjin e bëjnë korbat!

Sinqerisht, mendja turbullohet nga ky peisazh i thyer si krisja e paneleve diellore që nuk  thithin dot më rreze drite dhe jo më të krijojnë energji të brendshme. Trilli i trurit më çon larg… në rrjedhën e logjikës curse, duke pyetur veten: a thua na ka mallkuar Zoti?

 

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Kufiri i dhimbjes njerëzore

JOZEFINA TOPALLI, ARIAN ÇANI DHE SOZIA IM I PANJOHUR

July 16, 2018 by dgreca

– Në tallavanë televizive “Zonë e lirë” : Çfarë rrengu kishte punuar Arian Çani që kishte thënë në emision se po intervistojmë autorin e shkrimit Kolec Traboini, kur unë kurrë nuk kisha folur me të në telefon!

  • Kush ishte ai që kishte folur në emrin tim kur unë isha në Boston? Nga cili shtet? Apo ishte thjesht nga një dhomë tjetër e televizionit dhe Arian Çani improvizonte si nëpër studiot e filmave vizatimorë ku dublohen zërat. Kush ishte dublanti im?!

1 Kolec Jozefina.jpg1 Zone-e-Lire-Arian-Cani

Nga KOLEC TRABOINI/

Ka histori që të vënë ndër mendime apo të bëjnë për të qeshur për tërë jetën. Një prej këtyre historive është ajo në mes meje e Arian Çanit. Dikush mund të me pyes që në krye a e njeh Arian Çanin? E them hapur se nuk e njoh. E kam parë, e kam soditur në emisione televizive ku më është dukur konfuz dhe i papërqendruar, me një dëshirë snobizmi, për të bërë shou artificialisht dhe kaq. Nuk kam pasur asnjëherë interes të takohem e flas me gazetarin e bujshëm të Tiranës, ku e tërë gazetaria televizive është në tollovi, ngjashëm me muzikën tallava.

Por ndoshta ai nuk ka pas të njëjtin mendim, sepse pasi ka kërkuar në internet shkrime për Jozefina Topallin ka gjetur shkrimin tim “Bukuri shkodrane” që kisha vite që e kisha shkruar kur Jozefina nuk kishte funksione shtetërorë. Arian Çani është marr me atë shkrim gjërë e gjatë. Ai shkrim i imi nuk ishte një shkrim emfatik, sepse nuk shquhem për emfazë, përkundrazi jam tepër skeptik, dyshues, por isha përpjekur të paraqisja një vizion fizik dhe një imazh tradicional të bukurisë së femrës shkodrane, si një prej bukurive tipike të këtij qyteti që niste me Teutën, tek Motra Tone e mrekullitë që Marubi e Idromeno i kanë fiksuar në xhamat fotografikë.

Pasi e lexoi atë shkrim, gazetarit Arian Çani i lindi ideja ta përdorte në një intervistë në studio me kryetaren e Kuvendit aso kohe Jozefina Topalli, të cilën e kisha përmendur si mjaft emra të tjerë si Jolanda Pogu, Lili Leka, Meri Topallaj, se thënë të drejtën edhe ajo, Jozi, ishte e vazhdon të mbetet një femër e bukur. E kisha njohur që në kohën e rinisë së saj, kur punonte në Institutin e Misrit  Dobraç. Atje shkoja shpesh se kisha disa miq të mi, Shyqyri Mollën, Ahmet Osen e Genc Drinin, atje punonte si specialist seleksioner edhe një komshi i imi në Shkodër nga një familja shumë e mirë gjakovare, Gjergj Dionizi, që kishte një vëlla të arratisur, si dhe Pjetër Logoreci. Por shkoja edhe si redaktor i kronikës në Kinostudio për xhirime. Por mua më intereson më se shumti bukuria fizike e gërshetuar me bukurinë e mendjes e jo thjeshtë fytyra të pispillosura që me i shti frikën edhe shejtanit.
Kësisoj duke shfrytëzuar shkrimin tim Arian Çani na e paska bërë emisionin në shoun e tij të radhës me Jozefina Topallin. Unë as e kam parë atë emision dhe as kam kërkuar nëpër arkiva televizionesh për ta parë. Shkaku kryesor se ndodhesha përtej oqeanit Atlantik, në Boston, që prej verës së vitit 1995.

Por një telefonim nga Tirana pas disa ditësh më vuri në mendime. Ime bijë që ishte në Tiranë e kishte parë emisionin e Çanit dhe intervistën e Jozefina Topallit ku qe përmendur disa herë edhe emri im. Çani e kish pyetur a e njeh Kolec Traboinin. Jozi kishte thënë jo. Dhe kjo qe e vërtetë. Anipse kisha qenë në institutin e Misrit në Shkodër dikur kur atje punonte edhe ajo. Ajo nuk më mbante mend. Por, gjatë një xhirimi në atë institut, në vitet 80 të shekullit të kaluar, pra rreth 30 vjet më parë,  një zë pak si dridhshëm më tha me një ton pëshpëritës, “mos e xhironi në fytyrë atë vajzë” dhe bëri me shenjë nga njëra prej vajzave me bluze të bardhë. I thashë se si të mos e xhironim kur ajo kishte fytyrën më të bukur ndoshta në tërë Shkodrën. E, tha ai i Partisë,…është si puna e mollës. Molla e bukur ka krimb. Ka biografi të keqe.

Ne vazhduam punën, në fund, nën vështrimin egërshan të sekretarit të Partisë që nuk na i ndante sytë,  me operatorin Ibrahim Kasapi shkuam e i takuam vajzat një e nga një, i dhamë dorën edhe asaj me “biografi të keqe” por me një portret të mrekullueshëm duke i bërë komplimente për bukurinë e saj. Ajo vajzë që na buzëqeshi me mirësi ishte Jozefina Çoba. Ende nuk ish martuar që të merrte mbiemrin Topalli dhe ende nuk ishte bërë kryetare kuvendi që të etiketohej soj-soj prej kundërshtarëve të vet politik siç bëjnë në këtë palo pluralizëm. Duhej të kalonin vite për këtë. Pikërisht për këtë shkodrane të bukur kisha shkruar pak rreshta, të cilat Arian Çani i kishte mbërthyer e zbërthyer shumë mirë sipas mendjes së vet. Madje i kish thënë thukshëm, ky Kolec Traboini të paska krehur mirë e mirë. Llafet e Çanit gjithmonë janë ilaritet.

Më mori ime bijë në telefon nga Tirana e më tha se më kishin intervistuar edhe mua në telefon. Por….e vajza e ndërpreu bisedën paksa, nuk e di bâ… por nuk mu duk si zëri yt.

Atëherë vendin e meditimit e zuri buzëqeshja. Çfarë rrengu kishte punuar Arian Çani që kishte thënë në emision se po intervistojmë autorin e shkrimit Kolec Traboini, kur unë kurrë nuk kisha folur me të në telefon!

Kush ishte ai që kishte folur në emrin tim kur unë isha në Boston? Nga cili shtet? Apo ishte thjesht nga një dhomë tjetër e televizionit dhe Arian Çani improvizonte si nëpër studiot e filmave vizatimorë ku dublohen zërat. Kush ishte dublanti im?!

Kjo është një çudi që kurrë nuk kam arritur ta kuptoj, një enigmë që është e bukur sa kohë që është e fshehtë.

Prandaj herë më vë ndër mendime e herë-herë më vjen për të qeshur.

Në fund të fundit unë kisha folur e nuk kisha folur me Arian Çanin. Ec e jepi zgjidhje  këtij lëmshi mediatik. Por kur pas disa kohe e takova Jozefina Topallin në zyrën e saj, nuk ja përmenda. Ajo më priti me përzemërsi me mendimin se kishim folur me njeri tjetrin nëpërmjet linjës telefonike ndërkombëtare të Arian Çanit. Nuk i thashë asgjë se nuk desha ta çmeritoj nga kënaqësia që kish ndjerë në emision “Zonë e lirë”, por edhe ajo modestish nuk më pyeti. Nuk e dija si do ta priste atë lojë që ishte bërë me atë ne një emision televiziv alla Çan.

Nuk i bëra të ditur as atë takimin tonë në Institutin Misrit. Ajo tashmë ishte në qiellin e shtatë, e kur ndodhesh aq lart, kujtesa është kthyer në pluhur. Pati mirësinë të më sillte në zyrën e saj, ku dikur kishte qenë ndenja e diktatori Enver Hoxha, një kafe që e piva me kënaqësi. E falënderova. E falënderoj edhe tani. Se e bukura, thënë të drejtën, e ka tagrin e vet, respektohet nga të gjithë, ani pse politika fëlliq gjithçka, si qentë borën e bardhë e të butë, të cilës vazhdojnë ti këndojnë pa nda, poetët.

Filed Under: Politike Tagged With: ARIAN ÇANI DHE, Jozefina Topalli, Kolec Traboini, SOZIA IM I PANJOHUR

Vdekja e hekurudhave

July 15, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/1 Heurudha

Rreth 85% e webe apo televizioneve shqiptare janë sot pro qeveritare. Nuk e di se sa janë të opozitës, një dy, tre apo katër, se të qytetarëve as që çohet nëpër mend, por shoh fare mirë që me përjashtim të ndonjërit të tjerët janë tërësisht të pandjekshëm. Dhe ndofta është kjo arsyeja që them se nuk e di, pasi nuk i shoh gjëkundi në këtë masë prej 85% të zhaurimës ditore prej proqeveritarëve në hapësirën e fjalës së lirë dhe informimit publik. Dhe nuk ka asnjë dyshim  që plot syresh e shohin këtë si një arritje kombëtare. Në fakt është e kundërta, regresi social më i madh këto 28 vite demokraci. Këto webet opozitare janë një frymë e pakët dhe ndofta ish qeveritarët partitë opozitare duhet të kenë nxjerrë mend nga fiaskot a firot me suportet karshi tenderimeve dhe ndarjen e fondeve nga taksa paguesit shqiptarë. Ata që sot i gjen me shumicë pranë Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Webet opozitare ose ndiqen sa për të thënë nga një grup fanatikësh militantë, të cilët janë objekt frustues për shoqërinë dhe që pozita po i përdor me mjaft efikasitet, ose nuk ndiqen e dëgjohen fare. Sot përshembull shoqëria jonë i ka nervat dhe sensin e ndijimit vetëm në atë se çfarë do thotë Edi Rama për ndonjërin prej tyre, që të qeshin, të fërkojnë barkun me votkë, se sa të kuptojnë kancerin social të vendit ku po e çon dyshja Rama Veliaj dhe kjo shpurë prej 85% e shkrusve që rrojnë jo me shitje dhe numurin e ndjekësve por me çfarë u jep qeveriu.

Mbrëmë disa televizione njoftonin njëherësh, përmes një kronike vizive, një emison mbi degradimin e hekurudhës shqiptare. Eshtë e çuditshme se si lajmet apo rubrika të tilla të transmetohen njëherësh megjithëse mund të kenë autorësi, janë pronë e dikujt që shkoi, filmoi, intervistoi etj.

Gjithë thelbi ishte ky se sot hekurudha shqiptare ka degraduar tërësisht. Dhe ku një zyrtar me specialitet partiak përmende fondet e pakta vjetore nga shteti për mirëmbajtjen dhe pagesa. Kjo sipas zotërisë për shkak të numurit të paktë të udhltarëve dhe për rrjedhoj transporti me tren nuk është fitim prurës. Në fakt kush dëshiron të udhëtoj në një tren të lodhur, dy vagonësh…, i cili i ngjan më shumë karvanit të ca mushkave të lodhura se sa lirizmit me fishkëllima mes natyrës. Një tren që duket sikur po hap shtigje mes gjerdheve, ecën e tështim, ku akoma paguhen trarista që lozin domino, firmosin, po trarët as i ulin e as i ngrenë…, nuk i lë dominoja. Një tren ku kalamajtë e kanë kthyer në gjueti me gurë pa gjykuar se brenda ata pak udhëtarë që i lodh gjumi dhe monotonia, janë hallemëdhenjtë e Shqipërisë. Dhe nesër mund t’i zënë vendin. Ata që nuk e kanë për turp, por nevojë, domosdoshmëri. Që nuk pordhën me makina shokësh, apo me më ço e të çojë, me ma mbush serbatorin, hidhi 10 mijë lekë. Janë shqiptarë, pjesë e gjallë e jona që jeta dhe të gjitha hallkat e tjera sociale i kanë baudallepsur nga marrëzia e sojit dhe e tipit tonë.

Kjo puna e hekurudhës është tashmë një plagë e hapur. Dhe unë do ta besoja plotësisht zyrtarin mbi mungesën e investimeve, numurin e paktë të udhëtarëve etj., sikur në ato daljet e qyteteve mos të shikosh njerëz që ngrijnë dorën. Ose në ato stacionet e autobuzëve a furgona të shohësh plot qytetarë të kënaqur, jo buzëplasur nga dhuna e thirrjeve, kush e ka dhe kush nuk e ka radhën i pari etj.  Degradimi i hekurudhës pa një e pa dy, është një nga ato planet kancerogjene të qeverive, të qëllimshme që nesër një nga asetet më të mëdha kombëtare të shitet për një copë buke. Duke varrosur pak nga pak vet të kaluarën e tyre, një punë krahu kolosale, e cila është pjesë në atë që quhet vitalitet social dhe që një diktaturë e përdoroi si deshi e për çfarë deshi. Eshtë një degradim i qëllimshëm që nesër të thonë nuk mbahet, nuk bëhet më dhe ta shesin sa për një kore buke. Ose t’ia japin ndonj ppp-je me koncesion, pa tenderim etj., me postulatin e gatshëm për shqiptarët se ai po hedh lekun, shteti nuk ka etj. Këto tashmë janë metoda kaq efikase për pasurim sa neve nuk na i ndjen më, nuk na bën asnjë përshtypje. Sepse jemi tl frustuar tek konferencat e shtypit të lali Erit dhe qeveriut me atlete adiddas kur ia ngjesh opozitarëve. Ne nuk na ndjen më asgjë …, punë transporti hekurudhor. Në të ardhëm do degradojmë dhe atë detar, se atij ajrorit ja kemi bërë në kokë. Të vdesësh sysh aeroporteve të botës të shikosh një kaçatorrr me flamurin e Shqipërisë. 

Sot kudo në botë transporti hekurodhor është prioritet i padiskutueshëm. Madje tepër efikas në shumë drejtime si transportin e mallrave, udhëtarëve apo dhe në turizëm. Sidomos në Europë, mbi tokë dhe nën tokë… 

Të vjen keq kur shikon se si ai i yni është katandisur ashtu. Por e thamë është pjesë e strategjive të qëllishme dhe në muajt e ardhshëm shqiptarët do grinden me njëri-tjetrin siç edhe po grinden sot për teatrin. Eshtë një investim historik me orë të pa paguara dhe me shpirt nëpër dhëmbë, kujtesa e gjallë e ca brezave që nga njëra i çonin të prishnin kishat dhe xhamitë, nga ana tjetër të shtronin trase, të hapnin tarraca. 

Megjithatë qeveritarët shqiptarë thonë se do ta bëjnë Shqipërinë si Zvicra, vendi me më shumë se kushdo tjetër transport hekurodhor. Mirë ata tallin bythën me ne, por ne, kur do pushojmë së talluri me vetveten.?. Nga ana tjetër Zvicra ruan deri dogovilet malore dhe korr flori me turizmin hekurodhor…, kurse qeveria Shqiptare nuk lidh dot Tiranën me Durrësin me një tren elektrik, ku sipas një ministri duhen 12 milion shtesë euro. A mund t’i besoni një qeveriu që diskuton 12 milion euro? 

Por kështu është kur 85% e webeve, e gazetave dhe televizioneve janë pro qeverisë, do flasin njëherësh për degradimin. Jo për menaxhim e keq e të qëllimshëm si me të gjitha asetet e tjera kombëtare. Një fund i hidhur social… 

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Vdekja e hekurudhave

Shteti “i së drejtës” në pikiatë! Rroftë integrimi!

July 14, 2018 by dgreca

2-enver-Bytyci-1Shkruan: Enver Bytyçi/

Parashtrimi i parë: Elvis Roshi, një nga eksponentët më në zë të krimit në Shqipëri, ish kryetar socialist i Bashkisë së Kavajës, u dënua dje nga gjykata me 60 orë “punë të detyruar në komunitet”?! Dënimi arësyetohet se “Roshi, me pesë emra të ndërruar për t’i ikur ndëshikimit të krimeve të tij, kishte përdhunuar në grup një femër shqiptare në Itali dhe për këtë ishte dënuar, por që e kishte fshehur veprën e tij kriminale”! Në vendimin e arësyetuar për këtë masë ishte “kërkesa për gjykim të shpejtuar” dhe “të qenit baba i dy fëmijëve”. Rrethana lëhtësuese e të qenit baba ishte e vetmja rrethanë e artikuluar në vendimin e gjykatës. Por këtë rrethanë, si dhe atë të gjykimit të shkurtuar e arësyetoi edhe prokurori i çeshtjes. Kontrasti: Djemtë e Kukësit që protestuan për një të drejtë të ligjshme, të pranuar verbalisht edhe nga kreu i ekzekutivit u arrestuan natën, u mbajtën në burgje dhe u keqtrajtuan nga policia. Ata u arrestuan në mesnatë në sy të fëmijëve, nipërve e mbesave, pa e arësyetuar asnjëherë këtë rrethanë. Shteti, gjykata, prokuroria, policia u sollën me këta djem sikur ata të ishin kapot e bandave kriminale! Në fakt ata janë hallexhinjtë më të mëdhenj të vendit e të Europës! Megjithatë “forca e ligjit” e proklamuar nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa, nuk i kursen hallexhinjtë, kursen vetëm përdhunuesit e trafikantët. Ylli Manjani thoshte se këta “dënojnë dikë që ngacmon seksualisht, e nuk dënojnë përdhunuesit”! Unë po shkoj më tej me disa fakte të tjera: Ndërkohë që kjo qeveri çoi në dyert e policisë e të burgjeve 38 mijë qytetarë për mospagimin e energjisë elektrike, nxori nga burgu me garancinë e kryebashkiakëve socialistë kapot e bandave vrasëse në disa qytete të vendit. Ndërkohë që kjo qeveri çoi në burg qytetarë, të cilët riparuan pa leje çatitë e shtëpive, nxorën nga burgu njerëz që kishin ndërtuar pallate pa leje dhe pastronin paratë e pista me këto ndërtime. Një prej tyre është deputeti Frroku! Ndërkohë që kjo qeverisje dënoi disa punëtorë mëditës në parcelat e hashashit, ka lënë të lirë dhe mbështetur në bisnesin e drogës kapobanda pa numër përfshirë Habilajt, Balilin e shumë të tjerë, të konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”! Ndërkohë që në qeli kanë gjetur vdekjen së paku 15 të dënuar varfanjakë për shkak të ndonjë shkeljeje të rregullit në qarkullimin rrugor, në pagesën e taksave dhe detyrimeve ose për atë që quhet konflikt verbal, bosët e drogës, të krimit dhe të bandave bëjnë jetë pashai në burgje dhe prej andej drejtojnë ende bandat e krimit në Shqipëri. Nëse një personi jo publik do t’i del emri në përgjimet e bandave, ai përfundon menjëhëre në qeli, por ministri i Brendshëm për të njëjtën arësye shetit i lirë, madje me karshillëk ndaj ligjit! Nëse një qytetar do i kishte dhënë makinën një banditi pa e çrregjistruar, do të shkonte në qeli, së paku për abuzim në shlyerjen e detyrimeve të taksës, por ministri i brendshëm për të njëjtën arësye nuk mban asnjë përgjegjësi! Nëse një qytetar strehon dhe mbron një kriminel, ose nuk dëshmon për krimin e kryer, dënohet me burg pa mëshirë. Ministri aktual i Punëve të Brendshme vazhdon i qetë detyrën shtetërore, edhe pse është objekt i kësaj akuze! Nëse një qytetar fyen rëndë një shtetas tjetër, qoftë ky dhe familjar, prokuroria dhe gjykatat e konsiderojnë këtë kërcënim për rendin. Por nuk konsiderohet i tillë kryeministri i vendit, kur publikisht i thotë deputetit se “nga cili p… vjen ky”! Nuk konsiderohet i tillë Edi Rama, kur fyen në grup gjithë deputetët e opozitës!!! Dhe nëse rendisim fakte të tjera, ato do të jenë pa fund! Vetëm se një gjë është e qartë: Në këtë vend shteti ka rënë! Shteti i së drejtës nuk ekziston më! Shqipëria është tashmë një diktaturë jo aq e fshehur! Integrimi është thjesht një demagogji, për t’i dhënë shije limonate diktaturës! Të integruar duket se janë trafikantët me pesë emra, por jo njerëzit me dinjitet, të cilët nuk pranojnë as t’ua shkurtosh emrin që kanë! Drejtësia në demokraci është kushti i parë për civilizim! Edhe në mesjetë forca e shteteve matej me shkallën e drejtësisë! Sot ky parim, së paku në Shqipëri nuk ekziston! Rroftë integrimi! Tiranë, 14.07.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Rroftë integrimi!, Shteti "i së drejtës" në pikiatë!

Diskursi kulturor- KULTURA GJITHNJË PA QASJE MBARËKOMBËTARE

July 13, 2018 by dgreca

Nënshkrimi i kalendarit  kulturor Shqipëri-Kosovë  për vitin 2018 për të pestën herë, paraqet  vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare. Organizmi i veprimtarive të tilla kulturore mundëson   prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj   veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi. Por, edhe ky  kalendar si ato   të  mëparshmit ka defekte, sepse janë anashkaluar shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Luginë të Preshevës e diasporë  që nuk është në favor të integrimit kulturor mbarëkombëtarë që është synim i kauzës sonë kombëtare.

1 Nail Draga

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Ditë më parë mediat elektronike dhe të shkruara njoftuan se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët kulturor për vitin 2018. Kështu  në Prizren në ambientet e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, nënshkruan Protokollin  e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi.

Përmes këtij akti, dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktivitete, i cili është i bazuar në “Deklaraten e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik  ndermjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014..

Bëhët më dijes se në sajë të kalendarit të përbashkët kulturor do të realizohën aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin  e trashëgimisë dhe trajnime dhe edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit, ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve, në fushën e teatrove do të mbahët festivali mbarëkombëtar i teatrit dhe do të realizohen  shfaqje teatrale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në fushën e filmit do te jepen premierat e pesë filmave.Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë në Shqipëri.Këto aktivitete  do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.

Nënshkrimi i  Protokollit paraqet një vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare duke e konsideruar si nxitje për veprimtari të tjera në nivel mbarëkombëtarë, ku kultura duhet të jetë model për të tashmën dhe të ardhmen.Organizmi i veprimtarive të tilla kulturore mundëson   prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj   veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi.Andaj,  një akt i  tillë është për t’u përshëndetur, sepse është në favor të bashkëpunimit ndërshtetëror në përgjithësi dhe integrimit kulturor mabarëkombëtar në veçanti.

Anashkalimi i shqiptarëve në Mal të Zi

Por, me të drejt bëhët pyetja ku janë shqiptarët në Mal të Zi,Luginë të Preshevës e Maqedoni, dhe pse ata nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje?  Mungesa e qasjes së tillë  edhe për keto mjedise shqiptare, del qartë se kjo marrëveshje është e mangët dhe nuk mund të gezojë epitetin e sintagmës mbarëkombëtare. Por, pse ka munguar një qasje  e tillë nga ministritë përkatëse nga Tirana e Prishtina, përgjigja duhet të jepet pikërisht nga këta dy adresa.

Mendoj se është dashur në mënyrë taksative të shënohen obligimet në kalendarin kulturor, në rastin konkret  edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Kështu shfaqje të ndryshme nga teatri,  ansamblet muzikore, apo ekspozitat e ndryshme artistike do të ishin të obligueshme të paraqiten para  shqiptarëve në Mal të Zi.

Në Ulqin si kryeqendra e shqiptarëve në Mal të Zi,  gjatë verës organizohen veprimtari  të ndryshme  kulturore  në mes tjerash siç janë: “Panairi i librit”, Festivali “Skena verore” dhe “Kalimera poetike”, ku të ftuar vazhdimisht  kanë marrë pjesë  trupa teatrale nga Shqipëria e Kosova, por edhe piktor dhe grupe të ndryshme muzikore, kryesisht në sajë të takimeve individuale apo të subjektëve të ndryshme kulturore por jo me institucionet qeveritare.

Duket ndoshta paradoksale por me sa jam i informuar deri me tash nuk ka ekzistuar ndonjë interesim  nga  institucionët përkatëse për ndonjë takim për çështje të tilla as nga Prishtina apo Tirana, nga del se shqiptarët në Mal të Zi thënë më së buti janë  anashkaluar vazhdimisht. Duhet thënë së takimet për çështje të tilla ishin kryesisht  individuale  jashtë institucioneve apo ministrive përkatëse, pra me subjektet e ndryshme kulturore apo nga  shoqëria civile, që kanë treguar interesim dhe gadishmëri  për pjesëmarrje ne veprimtaritë kulturore në Ulqin.

Qasje jo serioze apo mungesë e vullnetit politik

Duke marrë parasysh se  në të kaluarën në sajë të rrethanave shoqërore të kohës, ka qenë e pamundur një angazhim konkret në ketë drejtim,  tash në pluralizëm, pesha bie mbi institucionet  përkatëse  ne lidhje me  bashkëpunimin  ne ketë drejtim.

Andaj, mendoj se ka ardhur koha për  angazhim konkret ne ketë aspekt, sepse intergrimin kulturor nuk do të na bëjnë të tjerët. Inicues të kësaj çështjeje duhet të jetë Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, sepse një veprim i tillë është obligim profesional dhe kombëtar sepse  është i mbeshtetur edhe në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Anashkalimi nga kalendari kulturor  i   shqiptarëve  në Mal të Zi, Maqedoni dhe në  Luginë  të Preshevës dhe ato në diasporë, ndoshta nuk është bërë me qellim, por mungesa e kësaj hapësire kulturore ne kalendarin kulturor të publikuar me 18 qershor

2018 nuk arsyetohet më asgjë.

Andaj ka ardhur koha për një reflektim tjetër  e ate fillimisht në institucionet përkatëse si në Tiranë dhe në Prishtinë, sepse  nëse nuk angazhohemi vet në ketë drejtim punët tona nuk do të na i kryejnë të tjerët. Ndërsa qasja formale në këtë drejtim  thënë më së buti dëshmon joseriozitet profesional të titullarëve në institucionet përkatëse. Sepse, integrimi kulturor mbarëkombëtarë duhet të jetë mision parësor për ministritë përkatëse dhe institucionet shtetërore, ku me një koordinim të veprimeve nuk do të mungojnë as rezultatet konkrete, por fillimisht duhet të ndryshojë qasja dhe mentaliteti i personave përgjegjës në institucionet përkatëse.

Ndërsa deklarata  e ministrave se kalendari është i hapur dhe do të përfshihen te gjitha vendet ku ka shqiptarë, e vlerësojmë si deklaratë te rastit  e asgjë më shumë, sepse po të kishte ekzistuar qasje serioze dhe vullneti politik i pushtetëve, çështja e integrimit kulturor mbarëkombëtar do të kishte  përmasa tjera.

Drejtoria e veprimtarive kulturore mbarëkombëtare kërkesë e kohës

Në lidhje më integrimin kulturor mbarëkombëtar vite më parë kam propozuar që në favor të avancimit të integrimit kulturor është i nevojshëm të themelohet një subjekt i veçantë në kuadër të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Mendoj se subjekti duhet të emërtohej Drejtoria e veprimtarive kulturore mbarëkombëtare, që do të ishte përgjegjëse për veprimtaritë kulturore me karakter mbarëkombëtar.

Subjekti i tillë do të përfaqësohej nga individë kompetentë, që janë dëshmuar me punën e tyre profesionale. Nuk do të thotë se një subjekt i tillë të mos ekzistojë edhe në Prishtinë në kuadër të Ministrisë së Kulturës pranë Qeverisë së Kosovës, por Shqipëria duhet të jetë model për të tjerët, sepse ajo është atdheu i të gjithë shqiptarëve.
Një subjekt i tillë nuk duhet të jetë sa për formë, sepse të tillë ekzistojnë mjaft, por të jetë i veçantë dhe të dallohet me projekte të realizuara në mënyrë praktike.
Vetëm në këtë formë të impenjimit do të bëhet ndarja nga e kaluara, e cila në këtë aspekt ka qenë jo e favorshme dhe në kundërshtim flagrant të identitetit kulturor mbarëkombëtar.
Drejtoria përkatëse  do të bashkëpunonte  me subjektët kulturore nga hapësira mbarëkombëtare nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës e në diasporë, duke përgatitur program pune nga profesionistë të fushave të ndryshme.

Vetëm në këtë formë të organizimit  dhe me mbeshtetje financiare  nga Qeveritë e të dy vendeve tona mund të realizohet në praktikë integrimi kulturor mbarëkombëtar, që është synim i kauzës  sonë kombëtare.

(Korrik, 2018)

Filed Under: Politike Tagged With: Diskursi kulturor, DR. NAIL DRAGA, Pa qasje Kombetare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 456
  • 457
  • 458
  • 459
  • 460
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT