• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përsëritja e frikshme e historisë!

October 11, 2018 by dgreca

-Kjo nuk është Shqipëria që duam!!!-/2 alma LiçoNga Alma LIÇO/Demokraci. Fjalë magjike. Si një mollë e ndaluar ka qëndruar e  fshehur në skutat e shpirtrave të munduar e keqtrajtuar për më shumë së gjysëm shekulli. Sa ëndërrimtarë të pafat mbyllën sytë pa mundur të prekin qoftë dhe një herë të vetme frutet e saj, në realitetin e xhunglës që ndërtuan dhe serviren me dhunë komunistët e djeshëm dhe ata të sotëm. Sa është abuzuar dhe vazhdon të abuzohet në emër të saj në vitet e tranzicionit të tejzgajtur të Shqipërisë post komuniste. Një mashtrim i madh që zhgënjeu shpresat naive të qindra mijëra shqiptarëve të drobitur, që aspiruan çlirimin nga kthetrat e robërisë së diktaturës.

Vallë, a mund të ketë demokraci një vend që nuk dënon krimet e diktaturës dhe individët e veshur me pushtet që i kryen ato?

A mund të ketë demokraci një vend ku drejtësia është mjë gënjeshtër e madhe e mbërthyer nga kthetrat e korrupsionit, një mall që shitet e blihet nga të “fortët” e politikës, që e kanë monopolizuar atë?

A mund të ndërtojë shtetin e së drejtës një vend që nuk respekton njohjen dhe rikthimin e pronave të vjedhura nga bandat komuniste, duke miratuar ligje që mundësojnë rigrabitjen e tyre nga vetë ata?

A mund të ketë demokraci një vend që nuk mbështet, dëmshpërblen  dhe rehabiliton viktimat e regjimit gjysëm shekullor?  Në mungesë totale vullneti, një proçes i zvarritur turpshëm, që u katandis në lëmosha mjerane dhe copëza letrash me vlerë që nuk arritën kurrë të kenë vlerë.

A mund të ndërtojë demokraci një vend, që në sferat më të larta të legjislativit dhe ekzekutivit së tij, drejtohet nga figura të spikatura e të urryera të diktaturës?

A mund të vendosë paqe sociale një vend që vazhdon me të njëjtën mendësi luftën e klasave? Sa dhimbje është të provosh pambarim se shqiptarët janë të përçarë nga e njëjta luftë e pafund, që përjashton dhe flak në rrugë ata që konsiderohen kundërshtarë politikë!

Dhe së fundi, a mund të aspirojë për demokraci një vend që nuk dëshiron të njohë dhe analizojë historinë e tij të afërt, e cila ka rrjedhur në lumenj lotësh dhe gjaku ende të patharë?

Si të mos mjaftonin skandalet e njëpasnjëshme të politikës së lidhur me krimin, bëma të denja këto për bandat me famëkeqe të historisë së njerëzimit, çdo ditë na paraqiten në mënyrë cinike fakte kokëforta që vërtetojnë fenomenin e pakundërshtueshëm se komunistët e djeshëm dhe pinjollët e tyre të sotëm në pushtet janë NJË. Janë të NJËJTËT dhunues të të drejtave njerëzore që përdorin të njëjtat metoda diktatoriale. Histori që përsëriten në mënyrë të frikshme, duke na kujtuar se pa njohur dhe ndëshkuar krimet e së kaluarës, fantazmat e tyre do sillen kurdoherë rrotull nesh, për të na zhytur në mjegull e helmuar të sotmen dhe të ardhmen.

Mbase nuk do isha ulur të shkruaja këto rradhë, nëse nuk do të isha impresionuar nga një publikim i Arkivës Online të Viktimave të Komunizmit në shqipëri, të  Fondacionit “Kujto”, themeluar disa muaj më parë. Falë punës së tyre të lavdërueshme, çdo ditë na serviren dokumente rrënqethëse që shpalosin genocidin dhe dhunën shtetërore ndaj pjesës më të pambrojtur të popullsisë, siç ishin familjarët e kundërshtarëve politikë.

Dokumenti autentik që më tërhoqi vemëndjen, është me Nr. 423/104 dhe mban datën 11.10.1950. Ky akt i rezervuar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, firmosur nga Tuk Jakova, urdhëron spastrimet dhe largimet e menjëhershme nga puna të elementeve armiq, duke i shtrirë këto spastrime deri në nivele tepër të parëndësishme, si shitëse në dyqane shteti apo kooperativa. Është gati i pabesueshëm fakti që gratë me prejardhje të padëshiruar politike për regjimin, nuk lejohej të punonin as si shitëse fshati. Por, lufta ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, nuk u ndal me aq. Në mënyrë permanente, ajo u pasua nga ndëshkime të mëtejshme, si burgime dhe internime familjare, të cilat vazhduan brez pas brezi.

Në pafundësinë e tmerreve që po publikohen, ndoshta ky akt i rezervuar nuk do më bënte aq përshtypje po të mos ishte pothuajse identik me një tjetër dokument të Partisë Socialiste të Shqipërisë, rrethi Korçë. Ky dokument i bërë publik dhe komentuar në Mediat e periudhës respektive, me nr.prot.26, mban datën 08.06.2013. Nëpërmjet tij, propozohen largime masive nga puna të kundërshtarëve politikë. Impresionon fakti se ky dokument është inicuar dhe firmosur nga një grua, një nënë. Ajo quhet Ana Verushi, me detyrë Kryetare e Partisë Socialiste, rrethi Korçë. Përtej çdo skrupulli dhe ndjenje njerëzore, përtej çdo norme ligjore që lidhet me funksionimin e shtetit demokratik, me një gjuhë tejet cinike, ajo ka kërkuar flakjen në rrugë, pa përjashtim, të katër mijë punonjësve të administratës së qytetit të Korçës, të konsideruar kundërshtarë politikë. Kjo grua, nënë, mizore manifeston barbarinë e etërve shpirtërorë së saj, dhe nuk shqetësohet aspak që mijëra fëmijëve të këtyre familjeve, t’u mohohet edhe buka e gojës. Dhe, për fat të keq, nuk ishte zë i izoluar ai i saj. Brenda disa muajve këto propozime dhe shumë të tjera që e pasuan, u bënë realitet. Në mënyrë të zellshme, ato u shoqëruan me shkarkime dhe largime të pamotivuara në të gjithë sektorët e administratës, anë e kënd Shqipërisë. Si kurrë më parë, mijëra specialistë që humbën punën, mbushën rrugët e sheshet, duke u endur në tubime, greva urie, institucione e gjykata. Madje shumë prej tyre, të pashpresë, me një valixhe zhgënjimi në duar, pa asnjë alternativë jetese, iu drejtuan rrugëve të botës.

Ndonëse më një diferencë gjashtëdhjetë e tre vjeçare ndërmjet tyre, dy dokumentat e mësipërme të dala nga funksionarë të lartë të partisë mëmë dhe asaj bijë, duket sikur i ka shkruar e njejta dorë. Ato kanë lëndë dhe përmbajtje rigorozisht të njejtë. Në mënyrë impresionuese, ato udhëhiqen nga e njejta filozofi përjashtuese, siçështë ajo e spastrimit dhe persekutimit të shtetasve që nuk janë mbështetës të ideologjisë së tyre.

Dhe dëmi i shkaktuar nuk mbaron këtu. Mes plagësh të tilla sociale, që politika nuk po i lejon të mjekohen e shërohen, po rritet dhe edukohet një brez i ri. Po rritet pa asnjë orientim të qënësishëm lidhur me të vërtetat rrënqethëse të historisë, të cilat siçe dëshmon rasti i mësipërm, po përsëriten barbarisht. Një brez që nuk gjen asnjë motiv të ndërtojë të ardhmen në Shqipëri. Një ç’popullim i frikshëm, që ngarkon me përgjegjësi politikën dritëshkurtër, që ka bllokuar frymëmarrjen, iniciativën e lirë,  konkurencën dhe pritshmërinë e fryteve të lirisë.

Kjo nuk është Shqipëria që duam!!!

Filed Under: Politike Tagged With: Alma LIÇO, e historise, Përsëritja e frikshme

Nikki Haley – largimi i një personi të pakompromis?!

October 10, 2018 by dgreca

Dorëheqja e ambasadores së SHBA në OKB paraqitet në shumë vende sikur qeveria Trump të kish humbur njërin nga zërat e paktë të moderuar të arsyeshëm. Kjo në një kohë që nuk është kështu./

 Nga Michael Knigge/
US-Botschafterin der Vereinten Nationen Nikki Haley (picture-alliance/dpa/S.Wenig)

Rasti Nikki Haley nuk është shkas për të kritikuar rëndë vajtje-ardhjet inflacionere, që mbizotërojnë prej kohësh në Shtëpinë e Bardhë. Vazhdon të mbetet e paqartë, nëse largimi në dukje miqësor i Ambasadores së SHBA në OKB qe planifikuar prej një kohe të gjatë dhe për të qe rënë dakord me Donald Trumpin, apo nëse përkundrazi nëse ajo planifikon që në zgjedhjet e ardhëshme më 2020 të kandidojë kundër Presidentit aktual.

Në fund të fundit, këto spekulime kontribuojnë pak për të gjykuar se si i janë imponuar SHBA botës. Në vend të kësaj le të përqendrohemi në atë që dimë, se cili është bilanci i Haleyt si Ambasadore në OKB.

E thënë e hapur: ky bilanc është më tepër i errët. Sigurisht: në periudhën e saj dyvjeçare në post ajo është angazhuar edhe për të drejtat e njeriut, aq më tepër që ajo ka qenë një ndër të paktat që edhe ka kritikuar njëherë Rusinë.

Përfaqësuese e ashpër e interesave të SHBA

Por për këtë ajo nuk do të mbahet mend. Nikki Haley nuk është vetëm njëra nga gratë më të profilizuara në kabinetin e Trumpit, por edhe një person, që thuajse si askush tjetër ka mbrojtur politikën e largimeve: me mbështetjen e saj SHBA u tërhoqën jo vetëm nga Marrëveshja e Klimës e Parisit, e mbështetur nga OKB-ja, por edhe nga Marrëveshja atomike me Iranin, nga UNESCO dhe nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Ajo do të mbahet mend që i kërcënoi përmes twitterit shtetet e tjera anëtare të OKB-së, të cilat mbështetën rezolutën thjesht simbolike kundër shpërnguljes së Ambasadës së SHBA në Izrael për në Jeruuzalem. Ajo do të mbahet mend, që imponoi një parim të ri dhe të rrezikshëm, në bazë të të cilit SHBA u ndihmojnë vetëm atyre kombeve, të cilat mbështesin plotësisht dhe në të gjithë linjën politikën e Trumpit dhe që në OKB votojnë gjithmonë njësoj si SHBA.

Michael Knigge Kommentarbild App Michael Knigge

Dhe duhet të kujtojmë që Uashingtoni, gjatë mandatit të saj ndërpreu financimin për Fondin për Popullsinë të OKB-së dhe futi në vend të tij të ashtuquajturin Global Gag Rule: ai e ndalon qeverinë e SHBA që të mbështesë financiarisht organizata ndërkombëtare të shëndetësisë, që angazhohen për aborte.

Krahu i zgjatur i Trumpit në OKB

Në tërësi, Haley ishte një mbështetëse pasionante e politikës së Trumpit “America First”, e cila angazhohet hapur për një mënyrë unilaterale të vepruari, e cila është në kundërshtim themelor me parimet bazë të OKB-së. Stili i saj personal vërtet që ndonjëherë e zbuti qëndrimin armiqësor të Trumpit përballë multilateralizmit në OKB. Por megjithatë, ky qendrim ka qenë gjithmonë i pranishëm.

Në mbrojtje të saj mund të thoje se ajo ka bërë maksimalen për ta penguar Trumpin që të bëjë edhe më shumë dëm. Mund të thuash edhe se pasardhësi i saj mund t’i bëjë gjërat edhe më keq – por ky tren ka kohë që ka ikur. Po të kesh parasysh dëmet që ka bërë qeveria Trump në shumë fronte, nuk mund të flasësh më për atë se “mund të bëhet edhe më keq.”

Sipas të gjitha standardeve tradicionale të partisë, Nikki Haley nuk mund të karakterizohet si republikane e moderuar. Ajo ishte përfaqësuese e politikës së Trumpit në skenën globale. Nuk ka asnjë shkak, që të derdhësh edhe një lot të vetëm për dorëheqjen e saj.

Filed Under: Politike Tagged With: Ikja e Nikki Haley, Michael Knigge

Militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor të vendit

October 10, 2018 by dgreca

“Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”./

                               Frederik Vilhelm/

1 fran-gjoka-2

Shkruan: Shkruar nga Fran Gjoka,Lezhë*/

Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive që kanë mbetur në letër, por një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe rrethesh të vendit. Në këtë kuptim, jo kushdo mund të bëhet drejtues, pavarësisht nga vullneti e dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, por që kanë vepruar ndryshe, duke i emëruar drejtuesit mbi bazën e kritereve të tjera si ato nepotike, partiake e, pse jo, edhe korruptive e servile, e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar mendimin e gabuar se drejtor arsimi dhe, për më tepër, drejtor shkolle, mund të bëhet kushdo. Në këtë kuptim është paradoksale dhe i ofrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit dhe të ardhmes së tij, kur drejtori, “që ka fituar” të ashtuquajturin konkurs, ka më pak arsim dhe përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e tjerë.

“Meritat”e tij ai le t’i shfaqë në një vend pune tjetër, por kurrsesi në fushën e arsimit, këtë sektor delikat, prioritar dhe shumë të ndjeshëm për shoqërinë dhe të ardhmen e saj.

Të shqetëson fakti se në mesin e vitit shkollor MAS bën ndryshime, duke ndryshuar strukturën e orëve dhe lëndëve mësimore. Pra tre lëndë të ndryshme në një ditë, nga gjashtë lëndë që bëheshin. Kjo demagogji afatshkurtër e peshës së çantës së lehtë do të zëvendësohet ngadalë  me dije të cunguara të nxënësve. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë e përligj me faktin se s’kemi shkollë e kushte minimale të domosdoshme për punë në shumë fshatra e qytete të vendit, prindërit s’kanë pasur ndonjë informacion paraprak për orët e ndryshuara, kuadrin ligjor dhe, mbi të gjitha, s’janë parë kushtet sociale dhe ekonomike të familjeve shqiptare.

                               Portali “Mësues për Shqipërinë”  i huazuar dhe formal 

I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë”,  është huazuar në formën më të  shëmtuar në arsimin tonë. Është paradoks i vërtetë, aplikimi i kësaj formule abstrakte, kur në Itali dhe vende të tjera europiane bazohet në meritë dhe është i vërtetë e kuptimplotë. Për Italinë mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë dhe jetesë. E kundërta ndodh në sistemin tonë arsimorë. Ky është portal që po shërben  si fasadë djallëzore e MAS–s, dhe Drejtorive Rajonale e ZA – ve,  për të mbuluar korrupsionin në këto drejtori të vendit, që si pasojë sjell një paligjshmëri të vërtetë që po bëhet  me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve. Vazhdojmë me metodën “alla shqiptarçe”. Me të drejtë Frederik Vilhelm thoshte “Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”. E kemi thënë edhe herë të tjera se kemi drejtorë shkollash që po e shkatërrojnë sistemin tonë arsimor, që nuk i shërbejnë vendit të punës, që janë nën nivelin e formimit shkencor – pedagogjik dhe profesional të mësuesisë në shkolla.

Me keqardhje shikojmë aty-këtu një liberalizim të theksuar të veprimtarisë mësimore dhe edukative. Në shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësit, ku mësuesi e sidomos nxënësi, fillon e mbaron ditën e mësimit duke lëvizur sa andej – këtej dhe, më keq akoma, duke e lënë vetëm klasën e tij në kujdestari. Në pikun e punës së ditës mësimore grupe mësuesish i gjen kafeneve, të ulur për shtatë palë qejfe, madje shpesh, bashkë me drejtuesin, ndaj ndodhin dhe ngjarje të pakëndshme në shkollat tona.

                     Drejtues shkollash dhe të ZA-ve  që janë kthyer në feudalë

Kemi drejtues shkollash që kanë mbi 25 – 30 vjet në drejtim dhe janë kthyer si feudalë, apo pronarë në shkollat e tyre. Ka ardhur koha të kemi një lidership të formuar në mënyrë të plotë, kundër konformist e racional, që me kurajë civile dhe guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor duhet ndryshuar, të gjenerojë intelekt e qytetari, duke iu larguar “lidershipit të tenderëve e bandave” të të gjitha niveleve që ka kapur për fyti sot shumë drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve të vendit.

Fatkeqësisht, sot kemi drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve, që kanë hyrë në vitin e gjashtë të drejtimit. Kjo zgjatje e pasuksesshme në drejtimin e arsimit ka dhënë mundësinë e pasurimit të tyre përmes emërimeve pa kriter. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive dhe korruptive, nga media e shkruar dhe ajo vizive. Me sa vëmë re, MAS nuk e ka pikën e impenjimit për të parë në se është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha nivelet në arsimin tonë. Si në çdo institucion tjetër, edhe administrata rajonale e arsimit ka nevojë urgjente për një reformim total të saj.Mendoj se duhet të vendosen në krye të arsimit rajonal, apo të ZA – ve drejtues që kanë guxim intelektual, persona apolitikë dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime të mëdha: aktin e pastrimit dhe të ndryshimit në administratën publike të arsimit. E themi këtë, se ka mbi 20 vjet që qëndrojnë  në një vend pune, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik, apo didaktik, në një kohë që kemi breza të rinjsh që janë të shkëlqyer e me një apo dy mastera shkencor e profesionalë, që i mbajmë larg institucionit të arsimit rajonal.

Kjo administrate, do të thosha e fryrë, po mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Nga ana tjetër, nuk ka një sistem të vlerësimit të performancës së punonjësve në nivel DAR dhe ZA-ve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore vartëse, gjë e cila le për të dëshiruar. Në çdo drejtori qarku apo dhe të ZA-ve të arsimit ka specialist, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkollë pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur vetëm në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesin, vështirësitë e punës së tij, nuk merret askush. Fatkeqësisht u hoq kontrolli i inspektoriatit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë për MAS-n. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore.

Sado të flasim, përsëri është politika që po e shkatërron sistemin arsimor,  sepse simpatizantët po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Ka ardhur koha që drejtorët e arsimit duhet të largohen, duke sjellë prurje të reja në drejtimin e arsimit në qarqet dhe rrethet e vendit. Vetëm kështu i bëjmë nder shkollës dhe komunitetit arsimdashës. Vetëm kur të heqim dorë nga preferencat politike dhe servilizmat në punën me kuadrin në arsim dhe të orientohemi vetëm nga ana profesionale, do të garantojmë disi realizimin me sukses të reformës dhe plotësimin e standardeve në arsim.

             Vijon formalizmi në përmbajtjen e shkollës.

Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit, për libra të mbingarkuar me material pa vlerë, për asimilim të vështirë të marrjes së njohurive nga nxënësit, për peshën e rëndë të çantës etj. Çfarë po ndodh me tekstet shkollore, ku janë vlerat intelektuale kombëtare që përçohen me anë të tyre? Po bota akademike pse është mënjanuar në mënyrën më të qëllimshme dhe më dashakeqëse përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë dhe vlerat tona të çmuara kombëtare. Të gjitha këto kanë ardhur si pasojë e lirisë së shfrenuar, në emër të liberalizimit të dijes, e cila ashtu si edhe në ekonomi, ka prodhuar fakte të renda në arsim. Me keqardhje janë krijuar në të gjithë vendin “një xhungël” e vërtetë shkollash e universitetesh private, që nga numri i tyre në raport me popullsinë zor se gjen në një vend tjetër të botës si Shqipëria, ku dihet se arsimi është një e mirë publike, e cila nuk mund te ndahet me privatin në këtë mënyrë. Aq më tepër që e ka të pamundur të kontrollojë nivelin e dijeve që merren tek privati. Fatkeqësisht nuk ka ende një standard shtetëror të dijeve që duhet të përvetësojnë fëmijët në çdo hallkë të sistemit arsimor.

Ne zgjedhjet politike të 2013-tës  Edi Rama e cilësoj arsimin si “emergjence kombëtare”. Dhe shpresuam se do t`ia ndryshonte faqen për mirë arsimit tonë kombëtar. Por realisht arsimi mbetet për t`u dëshiruar. Kjo ka ardhur edhe nga papërgjegjshmëria në vendosjen e dy mandateve radhazi të Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe kjo e fundit në mungesën e përzgjedhjes së individëve vizionarë për menaxhimin e së ardhmes së gjeneratës së re të vendit.

Nuk janë alternative dhe “frymë e re” as portalet e mësuesve, as tekstet e reja të future “an block” as provimet e mësuesve apo blerje kreditesh, as formularët e maturanteve dhe, ajo që e shqetëson më shumë komunitetin e prindërve, është rritja galopante e çmimeve të teksteve shkollore e shumë veprimtari të tilla. Fatkeqësisht, kemi në institucionet qendrore dhe rajonale me diploma fallco të marra në universitetet private si “Kristali” apo ndonjë tjetër të vendit, ku i shoqëron një brez sharlatanësh me diploma dhe servile të regjimit.

Në çdo takim që kryenin mësuesit, ku përbetoheshin se Rilindja do të rrisë këtë mandate pagën e mësuesit në masën 40%, pra çdo vit nga 10%. Por, korriku dhe gushti ikën me vapën e madhe, ndërsa rritjen e pagës se mësuesve nuk u kujtua askush. Duke qenë mësuesi i nëpërkëmbur, i denigruar dhe i keq paguar, të gjithë të rinjtë po i largohen sektorit të arsimit.

Për të shkuar në rrënjë të problemit, duhet të kthehemi te qëllimi themelor i menaxhimit intelektual të arsimit që, me keqardhje, themi se askush nga drejtuesit e arsimit në qarqe dhe ato të ZA – ve e shkollave se kanë marrë ende seriozisht dhe të kenë një përgjigje se si duhet drejtuar dhe administruar në të ardhmen arsimi ynë kombëtar. Ne na duhet gjithashtu, ta shndërrojmë këtë në mesazh sensibilizimi për shkollën, që arsimi ynë të jetë sakaq i pranishëm dhe frymëzues për të ardhmen e brezit të ri. Ai të mos jetë si riprodhim i një shoqërie të korruptuar dhe konfliktuale, por si institucion që gjeneron inteligjencë e qytetari.

*E falenderojme autorin per bashkepunimin me Gazeten “Dielli”, SHBA

Filed Under: Politike Tagged With: FRAN GJOKA, Lezhe, milatitantizmi, shkolla

Nikki Haley reportedly resigns as US ambassador to the UN

October 9, 2018 by dgreca

U.N.’s Nikki Haley resigns, Trump accepts/

CCslD4

Nikki Haley on Tuesday abruptly resigned as US ambassador to the United Nations.

The reasons for her departure are unclear and this was not expected. Haley reportedly had a discussion about her resignation with President Donald Trump during a visit to the White House last week.

The White House did not immediately respond to a request for comment from Business Insider.

Haley, the former governor of South Carolina, has been among the more moderate members of Trump’s administration. She had a tough job from the start representing the Trump administration’s agenda in the UN, a body the president has long criticized.

U.S. President Donald Trump has accepted the resignation of U.N. Ambassador Nikki Haley, Axios news site reported on Tuesday, citing two sources familiar with the matter.

Haley would not confirm the report to Reuters when asked about it during a visit to the White House on Tuesday. White House spokeswoman Sarah Sanders said Trump and Haley were scheduled to meet in the Oval Office at 10:30 a.m

Filed Under: Politike Tagged With: resigns, U.N.'s Nikki Haley

Nëse Kosova hyn në koncesione të reja me Serbinë,shteti shembet!

October 8, 2018 by dgreca

Profesori universitar dhe kryetari i Shoqatës së sociologëve të Kosovës, Fadil Maloku, në një intervistë ekskluzive për KosovaPost, flet për dialogun Kosovë- Serbi, arritjen e marrëveshjes historike siç thotë ai kjo marrëveshje do të ketë kompromise të “dhimbshme” të dyanshme. Tutje Maloku flet në vija të trasha se cilat do të jenë pikat ku do të arrihet kompromis ndërmjet palëve dialoguese Kosova-Serbi. Gjithashtu Maloku flet edhe për rrezikun që do i kanosej Kosovës në rast të hyrjes në dialog me Serbinë pa “vija të kuqe” dhe pa një platëformë konsensuale. Maloku flet edhe për konsensusin e brendshëm që duhet ta ketë Kosova para fillimit të dialogut  për transformimin e FSK- së e shumë procese të tjera politike që e presin Kosovën në ditët e muajt e ardhshëm.

1 Fadil Maloku ok.JPG

KosovaPost: z.Fadil Maloku, Kosova dhe Serbia, tashmë po hyjnë në fazën finale të dialogut. Sa e shihni të mundshme arritjen e një marrëveshjeje të obligueshme për të dyja palët që çon drejt normalizimit dhe njohjeve reciproke?

z.Maloku: Kam përshtypjen që këto bisedime që në fillim u nisen si teknike do përfundojnë me një marrëveshje, për të mos thënë historike, por gjithsesi një marrëveshje që do krijonte konditat e një sigurie dhe stabiliteti të ri në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shikuar me këtë dioptri këto bisedime janë shumë të dobishme edhe për disa arsye:

Do definohej qartë pozicioni i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si Projekt ndërkombëtar, e që me Rezolutën 1244, akoma ka problem, edhe për shkak se ajo akoma nuk është anëtare e KB.

Serbia do lirohej definitivisht nga presioni i brendshëm e më shumë i jashtëm për të definuar dhe kornizuar qartë dhe në mënyrë të theksuar se është një shtet që meriton joshjet për integrime qoftë rajonale po edhe ato evropiane.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, do qetësohej për ca dekada të ardhshme.

KosovaPost: Janë paralajmëruar edhe kompromise të vështira për të dyja palët. Nëse për Serbinë, kompromisi më i madh do të ishte njohja e shtetit të Kosovës, cili do të ishte kompromisi i Kosovës në raport me Serbinë?

z.Maloku: Po tani po kalkulohet shumë edhe në publik e edhe në medie se çfarë në fakte nënkuptojmë me “kompromis”? Në fakt, ne kemi një prononcim të Presidentit Thaçi, i cili shkarazi, por mund të jetë edhe i qëllimshëm, se “….Si Kosova ashtu edhe Serbia do bëjnë kompromise”. Ne nuk jemi në dijeni se çfarë nënkupton kjo gjuhë eufemiste e politikës, por në vija të trasha mund të nënkuptojmë që synimi është ky:

Serbia të pranoj që nga Preambula e Kushtetutës së saj të heqë sintagmën, ku figuron se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë.

Ndërkaq, Kosova ta avancojë pra ta mveshë thënë më thjesht ASOCIACIONIN me kompetenca ekzekutive. Kështu e kuptoj unë “kompromisin” e prejudikuar tashmë edhe në medie të Presidentit aktual të Kosovës

KosovaPost: Janë përmendur edhe vijat e kuqe të dialogut. Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar dialog pa vija të kuqe, ndërkohë që ka shumë mospajtime rreth deklaratave të tij. Si e shihni ju një dialog eventual pa vendosjen e vijave të kuqe në të?

z.Maloku: “Vijat e kuqe”, për mendimin tim nënkuptojnë koncesione të reja dhe padyshim të dhimbshme, ngase:  ‘Çdo “kompromis” i mëtejmë kompetitiv i palës kosovare në raport me Serbinë, do e fundos shtetndërtimin e Kosovës!” Kosova me juridiksion është shtet multietnik, ani pse në jetën reale multietniciteti kosovar me 95% shqiptar e 5% grupe tjera etnike është një improvizim banal…sepse, shtete multietnike në rajonin e Ballkanit mund të shquhen vetëm Bosnja dhe Maqedonia.

Tjetër është mosintegrimi i qëllimshëm i serbëve në sistem. Dhe për këtë fajtor duhet të jenë si qeveritë e Kosovës ashtu edhe të Serbisë

1.Themi të Kosovës, për shkak se asnjë qeveri e pasluftës nuk ka, ofrua: Projekte, as ide e as kurrfarë strategjiepër      t’i joshë e akomodua serbet vendas në sistemin e ri vlerorë.

Themi të Serbisë, shkaku se Serbia gjithnjë i ka manipuluar popullatën serbe të Kosovës, për qëllime të veta politike

Themi të mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare, shkaku se edhe ato më shumë kanë neglizhuar në gjetjen e zgjidhjeve për serbet kosovar, sidomos Brukseli, jo edhe aq të Uashingtoni), të cilët më shumë ishin të interesuar për të bërë “pazarin” e integrimit të serbëve, në raport me Serbinë

Por, në gjithë këtë projeksion, apo fushë debati dhe padyshim konflikti me Serbinë, duhet pasur parasysh që serbët lokal në gjuhën juridike kanë shumë privilegje. ”Mirëpo, kur ideja e”mbrojtjes” paragjykohet përmes superprivilegjeve (çfarë në të vërtetë janë edhe me Kushtetutë), atëherë ajo bëhet pengesë serioze edhe për rregullimin e raporteve tjera shoqërore.

Në rrafshin ndërkombëtar sot për sot ekzistojnë nisma dhe modele të llojllojshme të cilat janë në raporte konkurruese njëra me tjetrën, por për mbrojtjen e pakicave më së largu kanë shkuar shtetet perëndimore, ndërsa Evropa Lindore dhe ajo Juglindore ende janë në fazën e konstituimit të legjislacionit për grupimet etnonacionale pakicë”,…

KosovaPost: Ndërkohë, që dialogu po shkon drejt finales, në Prishtinë ende nuk ka një konsensus ndërmjet partive politike. Pse kaq e vështirë arritja e këtij konsensusi të brendshëm?

z.Maloku: Është i vërtetë konstatimi i juaj. Në ndërkohë, ”Serbia, ka kohë që është duke kërkuar një konsensus të brendshëm nacional, përkitazi “bisedimet finale” për Kosovën, qeveria jonë ka krijuar ad hoc një Platformë 9 pikëshe, me (një faqe e gjysmë!?), dhe mendon se do t’i rezistoj lehtë gjithë makinerisë diplomatike dhe konsensusit unik nacional serb!? Shpëtimi i vetëm i palës kosovare, janë interesat strategjike të miqve…. Të cilët falë ndihmës teknike dhe asaj këshillëdhënëse mund ta mbajnë dialogun. Ndryshe, në Ballkan edhe ashtu të trazuar në të ardhmen hapën opsionet tjera.., pse jo edhe ai i bashkimit të trojeve. Por, për këtë opsion kjo gjeneratë politikanësh nuk është e gatshme…Andaj duhet pasur shumë kujdes delegacioni i tanishëm qeveritar, se ku, çka dhe si po e bë ofertën e “kompromisit” në raport me Serbinë”,

KosovaPost: Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, thotë se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa konsensusin nacional.

z.Maloku: Jam dakord . Dhe ai dialog duhet të zhvillohet në Kuvend. Kuvendi është aula e debatit dhe marrëveshjeve të çfarëdo natyre qofshin ato

KosovaPost: Krasniqi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, thotë se Kuvendi i Kosovës si organi përfaqësues i qytetarëve të Kosovës duhet ta legjitimojë atë që duhet ta vazhdojë dialogun, pasi që, sipas tij, çdo veprim tjetër është antikushtetues. Cili eshte mendimi i juaj ?

z.Maloku: Nuk jam jurist ta gjykojë këtë konstatim, por , jam i sigurt që konsensusi ndërpartiak , s’bashku me shoqërinë civile, intelektualet, Akademinë etj.duhet të ndodhë

KosovaPost: Pse është pikërisht në këtë moment që Beogradi po ushtron presion mbi serbët e FSK-në?

z.Maloku: Thjesht për t’i disiplinuar dhe për të mbajtur në presion të interesave ekskluzive shtetërore e kombëtare serbe

KosovaPost: Si duhet vepruar për të realizuar kthimin e FSK-së në ushtri?

z.Maloku: Po, unë shoh që interesi i NATO-s është që edhe Kosova ta këtë një ushtri ekspeditive, sikurse të gjitha vendet e rajonit. Janë mundësia juridike që na i ka lidhe këmbët, sepse, pa pëlqimin e serbeve në Kuvend nuk mund të behet as edhe një germe e vetëm në sistem. Ose duhet ndryshuar Kushtetutën (qe unë jam pro), ose duhet me ndonjë ligj të ri me e bë…

KosovaPost: Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm. Qytetarët aktualisht po presin raportin e Komisionit dhe nëse kriteret janë përmbushur, sapo raporti të përfundoj, a do të ketë vendim pozitiv për liberalizim të vizave?

z.Maloku: Përralla e “liberalizimit te vizave” ishte një manipulim i llojit të vetë që politika vendase e konsumoi për t’u mbajtur në pushtet në tri legjislatura…

KosovaPost: A i ka plotësuar Kosova kriteret?

z.Maloku: Ekspertet e integrimeve evropiane thonë që i ka plotësuar…

KosovaPost: Pse është domosdoshmëri për Kosovën?

z.Maloku: Sepse të rinjtë kosovar janë të vetmit në rajon që janë të privuar të qarkullojnë shlirshem…kur dihet që konventat ndërkombëtare, lirinë e qarkullimit e kanë promotorë të shkalles së demokracisë

KosovaPost: A ka mundësi të ketë një emigracion masiv nga Kosova ?

z.Maloku: Gjasat janë reale, sepse sot në kohën e revolucionit teknologjik është vështirë t’i mbash në burg social të rinjtë. Ata donë jetë më të mirë, shkollim shumë më cilësor, punë dhe begati nga më të ndryshmet…Thjesht donë ta shijojnë mirëqenien për vete

KosovaPost: A ka zhgënjim dhe humbje shpresash nga rinia kosovare?

z.Maloku: Fakti dhe akti i dëshirës për të ikur nga Kosova (një studim i fundit tregon se mbi 48% të rinjve kosovar nëse do u jepej shans për tu punësuar diku në Evropë, do e lëshonin vendin pa asnjë hamendje…

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Fadil Maloku, Nëse Kosova hyn në koncesione të reja me Serbinë, shteti shembet!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 457
  • 458
  • 459
  • 460
  • 461
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT