• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Martirët e Lirise dhe Demokracisë

January 12, 2018 by dgreca

Në 70 vjetorin e ekzekutimit/

Nga Reshat  Kripa/

Nata e 14 janarit të vitit 1948. Një natë e zezë. Qielli qante papushim. Retë nxinin mbi Gjirokastër. Gjëmimet ushtonin me forcë. Dukej sikur Zoti me këtë donte të ndalonte gjëmën që po ndodhte. Por djalli në ato kohëra ishte më i fortë. Ai e kishte futur në kthetrat e tij Shqipërinë e gjorë. Ajo nuk kishte më zë. Kishte vetëm urdhëra monstruozë, të dhënë nga njerëz monstruozë. Në të gjithë vendin hidheshin vallet e vdekjes.

14 janar, katërmbëdhjetë burra ecnin me kokat lart të lidhur dy nga dy. Rreth e rrotull një tufë hienash të kuqe, me sytë e skuqur nga etja për gjak dhe uria për mish kufomash. Zoti me gjëmimet dhe vetëtimat e tij mundohej t’i ndalonte, por ata nuk besonin në Zot.  Zoti i tyre ishte vetë djalli.

Në krye të kollonës qëndronin krenarë Syrja bej Vasjari dhe Zenel Shehu, dy ish udhëheqës të luftës kundër pushtuesit, i pari  komandant i batalionit ballist “Tafil Buzi“.ndërsa i dyti komisar i batalionit partizan “Baba Abaz“,  Ecin dhe kujtojnë betejat e zhvilluara së bashku kundër pushtuesit italian në Mogila dhe Miricë, në Qafën e Kiçokut dhe në Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz.. Dy familje të mëdha të krahinës, dy miq të mëdhenj që nuk mund të luftonin ndryshe veçse në krah të njeri tjetrit, pavarësisht  nga  bindjet  e  secilit  prej tyre. Nuk kishin si shkonin ndryshe edhe në vdekje.

– Po shkojmë në varr së bashku! – foli Syrjai.

– Si në luftë. – u përgjigj Zeneli.

– Pushoni, nuk keni të drejtë të flisni! – u ndie zëri i  njerës prej hienave.

– E ç’mund të na bëni më tepër? – u përgjigj i qetë Zeneli.

Pas tyre vinin të lidhur dy robër të Zotit, At Gjergj Suli dhe Baba Shefqeti. Edhe ata ecin dhe kujtojnë. At Gjergjit në  ato momente i kujtohen vargjet e një kënge të vjetër:

Papa Kristonë e vranë,

Dhe për të s’ra një kambanë!

Ndryshimi i vetëm ishte se ndërsa Papa Kristonë e helmuan andartët grekë, At Gjergj Sulin po e vrisnin vëllezërit e tij shqiptarë. Edhe për vdekjen e tij nuk u dëgjua asnjë kambanë. Thuhet se një prift i Leklit i ra kambanave në një orë jo të zakonshme Një gjë e tillë i kushtoi disa vite burg.

Baba Shefqeti ecte i menduar. Jo se i vinte keq për vdekjen. Tashti  i  kishte  kaluar  të pesëdhjeteshtatat. Në dorën që e kishte të palidhur, mbante një  palë  tespie ,  të  cilat  i  numëronte duke u lutur. Edhe në vdekje donte të shkonte me bekimin e Zotit, të cilit i kishte shërbyer për gjithë jetën. Një nga hienat e pa, ia rrëmbeu  dhe i vërviti në errësirën e natës.

– Zoti ta faltë gjynahun, se edhe ti vetë nuk di se ç’bën! – i tha babai me qetësi.

Në rreshtin e tretë ecte i qetë Baba Aliu, një tjetër shërbëtor i devotshëm i Zotit. Kur shkuan ta marin për ta pushkatuar një roje u përpoq ta mbante për krahu. Mendonin se Babai do të trembej para vdekjes. Kurse ai i qetë i tha:

– Mos kij merak se mbahem vetë, biri im!

Ja  si  e  përshkruan momentin e ekzekutimit të Baba Aliut historiani dhe shkrimtari Novruz Shehu:

Njeri nga pushkatarët rrëzohet, i bie të fikët. Nuk mund të qëllojë.

– Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!… Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.

Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.

– Do të të heq taçin Baba

Eshtë dervish Resuli.

– Hiqe bir!

Dervishi u ul, I puthi këmbët.

– Falmë Baba!

– Të kam falur bir!

– U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!

– Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!

Një batare tjetër u dëgjua dhe Baba Aliu ra me emrin e Shqipërisë në gojë. Ishte ora dy pas mesit të natës të dates 14 janar 1948. Cili ishte qëndrimi i këtyre burrave në natën e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të Gjirokastrës? Lexojmë librin e Ibrahim Vasjarit, birit të Syrja Beut:Sapo kishte kaluar mesnata. Errësirë. Jashtë, nëpër qiellin e grisur, përpëliteshin mes resh të largët, të ftohtë. Palcë dimri – Kot   vrasim   mendjen    Syrja!    –    tha     Baba   Shefqeti.  –   gjithçka   është ëndërr. E vërteta është vetëm Perëndia., që është “Një“ dhe shokë tjetër nuk ka.

– Ashtu është Baba, kemi bërë gjumë të keq, – tha Syrjai.

– Gjumë? Pothuaj e kemi harruar fare gjumin, – tha Zeneli – sa shokë na janë vrarë?

– Dhe sa do të vriten akoma! – tha me një ironi të hidhur At Gjergji.

– Po kjo është ndryshe,krejt ndryshe, – iu përgjigj Zeneli – kjo është e pakuptueshme.

– Nuk ia vlen të kërkosh arsye, – tha Baba Shefqeti, – e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.

Të katër heshtën për një çast të mbyllur secili në veten e tij.

Çome Cini, një veteran ish komunist, kujton në vitin 2005 tregimin e Misto Papajanit, një i dënuar tjetër me vdekje nga ky grup, që iu fal jeta:Mistua më tregoi edhe episode të tjera. Ishte mesnatë  kur trokiti roja.

– Syrja Vasjari, – tha ai – hajde se të kërkojnë në zyrë.

Syrjai u ngrit dhe filloi të vishej.

– Mos u vish – i tha roja – se pesë minuta punë ke në zyrë.

– E di se ç’punë kam, – i tha  Syrjai  –  prandaj  do  të vishem. Nuk vij kështu.

– Mos na vono, – nguli këmbë roja, – se pesë minuta punë ke dhe do të kthehesh prapë.

– E di për ku jam nisur, – vazhdoi me qetësi Syrjai, – atje nuk shkoj i zhveshur.

Ne u përlotëm. Syrjai u vesh dhe u  rregullua  qetë qetë si për ceremoni. Pastaj  u  kthye nga ne, na pa të përlotur dhe duke u ndarë  tha: – Mos qani, bëhuni të fortë, se vdekja pesë  minuta është. Mbeçi me shëndet dhe mos na harroni! Të fala atyre që lemë pas! U thoni që nuk i kemi tradhëtuar ndonjë herë.

Kaq ishte dhe u ndamë për jetë me Syrjain.

Po kush ishin këta burra që shkonin kaq krenarë drejt vdekjes?

Syrja Bej Vasjari  lindi në Vasjar të Tepelenës më 13 tetor 1898, në një familje me tradita të pasura patriotike.  Stërgjyshi i tij Veiz Vasjari ishte një nga kapedanët më në zë të kryengritjeve antiosmane të viteve 30 dhe 40 të shekullit të XIX-të.  Nëna e Syrjait vdes e re duke e lënë jetim në moshën shtatë-tetë vjeçare. Babai, Abazi pas disa vitesh detyrohet të martohet përsëri, për të rritur fëmijët jetimë, tre djem dhe dy vajza. Abazi u kujdes që t’i shkollonte fëmijët e tij. Syrjai mbaroi arsimin fillor dhe atë unik në qytetin e Tepelenës. Pastaj i ati e dërgoi në Gjirokastër dhe më pas në liceun e Korçës, ku u regjistrua në klasën e shtatë. Kjo ndodhte në vitin arsimor 1922-1923.

Duke studiuar në Korçë ai ra në kontakt me idetë iluministe franceze që ishin shumë të përhapura në atë qytet. Këto bënin që të binte shpesh herë në kundërshtim me idetë konservatore dhe patriarkale me të cilat ishte  ushqyer  deri  atëherë.  Si   mbaroi   liceun,  në  vitin 1924  i  kërkoi  të  atit  të vazhdonte studimet e  larta  në  Francë.  I  ati  ia plotësoi dëshirën.

Studioi dhe u diplomua për inxhinieri agrare në universitetin e Alfortit, pranë Parisit. Franca e asaj kohe ishte një vend i preferuar për studentët shqiptarë. Ajo ishte simboli i lirisë, demokracisë dhe qytetërimit botëror.

Kthehet në Shqipëri në vitin 1932 dhe filloi punë si kryeagronom i nënprefekturës së Tepelenës Bie në kontakt me intelektualë progresistë të qyteteve Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Fier. Me ta ndante pikpamjet e tij republikane. Për këtë arsye arrestohet dhe mbahet disa muaj në burg, i akuzuar si pjesëmarrës i lëvizjes së Fierit, gjë që nuk ishte e vërtetë. Në përgjithësi ishte kundër dhunës revolucionare.

Pushtimin fashist e priti me indinjatë të thellë. Shpejt ra në kontakt me eksponentë të Ballit Kombëtarë në krahinë. Filloi me organizimin e çetave nacionaliste të zonës Krahës-Tepelenë, deri sa arriti të marrë detyrën e komandantit të batalionit “Tafil Buzi“. Të gjitha këto i bënte sipas udhëzimeve të mara nga qendra, duke patur lidhje sidomos me Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon në Vlorë. Ai ishte njeri me ndjenja patriotike. E konsideronte si mik të tij çdo njeri që luftonte për lirinë e atdheut, pavarësisht nga bindjet politike. Kështu mbante lidhje të ngushta me batalionin partizan “Baba Abaz“ , ku komisar ishte miku i familjes së tyre Zenel Shehu. Të dy batalionet së bashku kanë  luftuar  krah  për  krah  në  disa beteja, të cilat i kam përmendur më sipër.

1-2 gusht 1943. Në Mukje zhvillohet takimi i njohur midis përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar. Pjesëmarrësit e saj janë figura të njohura të të dy palëve. Shquhen emrat Mit-hat Frashërit, Hasan Dostit, Thoma Orollogait, Hysni Lepenicës, Skënder Muços, Isuf Luzit nga Balli Kombëtar. Ato të Abaz Kupit, Ymer Dishnicës, Mustafa Gjinishit, Myslym Pezës, Omer Nishanit e të tjerë nga Fronti Nacional-Çlirimtar. Rezultatet e këtij takimi historik tashmë njihen: luftë të përbashkët kundër okupatorit, Shqipëri etnike dhe vendosja e pushtetit me anën e votës së lirë.

Komunistët shqiptarë nuk ishin të kësaj mendjeje. Ata kishin vendosur që pushtetin ta mbanin për vete. Pa u tharë boja e marëveshjes së Mukjes, e braktisën atë. Një parullë e re filloi të dëgjohet në Shqipëri. Pushteti nuk buron më nga vota e lirë. Ai buron nga gryka e pushkës. Ishte parulla e hedhur nga  krerët  e  Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në Shqipëri filloi lufta vëllavrasëse. Masakra të tmerrshme bëheshin në çdo skaj të saj. Më lejoni të permend disa: atë të Libohovës me 105 viktima, të Gjirokastrës me Boço Kalon në krye me 17, të Myzeqesë me 65 bujq të pafajshëm, të Tiranës në nëntorin e 1944 me 38 intelektualë të vrarë.

Prishja e marëveshjes së Mukjes, vrasja e Hysni Lepenicës me tridhjetepesë trimat e tij dhe fillimi i vëllavrasjes, e detyruan Syrjan të shpërndante batalionin dhe të hiqte dorë nga kjo luftë që tashmë ishte kthyer në luftë civile. Shtabi i forcave të Zonës së Parë Operative i propozoi të bashkohej me forcat partizane. Ai nuk pranoi.

– Nuk u largova nga Balli, por nga vëllavrasja. Bindjet politike nuk i ndryshoj. Me ju nuk mund të vij se nuk mund të  bëhem  komunist. –  i  tha  Dr.  Ibrahim  Dervishit që kishte ardhur për t’i  bërë propozimin.

U largua dhe u vendos familjarisht në Lushnje. Me mbarimin e luftës kthehet përsëri në fshat. Ishte njeri i nderuar dhe respektuar. Kryesonte Këshillin  e Gjërë Popullor  të Rrethit Tepelenë dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Nisi ndërtimin e shtëpisë së djegur nga italianët, por nuk arriti ta mbaronte. Në muajin tetor arrestohet me të njëjtën akuzë si miku i tij Zeneli dhe më 17.11.1947 dënohet me vdekje me pushkatim, vendim që ekzekutohet më 14 janar 1948.

Edhe për familjen e Syrjait filloi përndjekja e zakonshme. Për t’i shpëtuar sado pak kësaj, nëna e tij Miriami, bija e Arshi Selfos nga Kanina, së bashku me djemtë shpërngulet në qytetin e Vlorës, ku kishte edhe përkrahjen e njerëzve të saj. Duke përfituar nga zbutja e luftës së klasave për pak kohë, si pasojë e kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1956, djali i madh Ibrahimi, mundi të vazhdonte fakultetin pedagogjik me korespondencë. Që nga ajo ditë dhe deri në vendosjen e demokracisë u end nëpër fshatrat më të humbur duke u mësuar gjuhën dhe letërsinë nxënësve të shkollave. Këtë fat nuk e pati djali i vogël, Devi.  Kohët  kishin  ndryshuar.  Lufta  e   klasave   kishte rifilluar përsëri dhe ai u detyrua të ushtronte profesionin e muratorit.

Zenel Shehu  lindi në vitin 1918 në fshatin Toç të Tepelenës. Ishte djali i madh i Sheh Beqirit, Babai i teqesë së Toçit, e njohur në gjithë krahinën. Në këtë teqe ai mbante krahas kuranit edhe abetaret e para shqipe me të cilat mësonte nxënësit në shkollën e parë shqipe të krahinës, të hapur prej tij në vitin 1913. Ishte një burrë i rrallë, një atdhetar i vërtetë. Më 28 nëntor 1912 është një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë, përkrah firmës së Plakut të Vlorës, Ismail Qemalit. Në janar 1920 zgjidhet dhe mer pjesë në Kongresin e Lushnjes, së bashku me patriotin tjetër Arshi Shehun. Po atë vit organizon dhe mer pjesë në krye të çetës së tij në luftën patriotike të Vlorës, kundër pushtuesve italianë që kishin zaptuar atë qytet. Vlora e kërkoi për të dytën herë nëntëmbëdhjetë vjet më vonë. Vendi ishte pushtuar përsëri nga italianët, por ai i kishte mbyllur sytë, duke ia dorëzuar stafetën të birit Zenelit.

Zenel Shehu shkollën fillore e zhvilloi në Krahës dhe atë unike në Tepelenë. Pastaj vazhdoi mësimet me bursë shteti në shkollën tregëtare në Vlorë. U dallua si një nxënës i shkëlqyer, por më tepër si një njeri me mendime përparimtare. Iu përgjigj me zjarr profesorit italian të lëndës së “moralit fashist“, që zhvillohej në atë kohë në shkollë, kur ai fyeu flamurin tonë kombëtar. Deshën ta përjashtonin nga shkolla, por ishte ndërhyrja e Qazim Koculit që e shpëtoi nga një gjë e këtillë. Gjesti i djaloshit tepelenas bëri jehonë në të gjithë Vlorën.

Me mbarimin e shkollës tregëtare  shkon  në  Itali, ku vazhdon universitetin e Romës në degën e financës. Në vitin 1939, me rastin e pushtimit të Shqipërisë, detyrohet të ndërpresë studimet në vitin e tretë dhe të kthehet në Shqipëri. Këtu e mobilizojnë ushtar dhe e dërgojnë në Pukë. Por ai nuk mund të pranonte të shërbente në ushtrinë fashiste. Së bashku me disa shokë të tjerë braktis shërbimin ushtarak dhe hidhet në ilegalitet, në rradhët e çetave partizane. Zotësia e tij e dallon nga të tjerët. Në vitin 1942 emërohet komandant i çetës së Verzivollit, me luftëtar të zonës së Krahësit dhe Buzit. Me formimin e batalionit “Baba Abaz“ në Donie të Kalivaçit, emërohet komisar i tij. Me këtë detyrë  bashkëpunon dhe luan një rol kryesor me luftëtarë të tjerë partizanë dhe ballistë si Syrja Vasjari, Asaf Dragoti, Hajri Zaçe, Abaz Shehu, Fejzo Ismaili e të tjerë duke krijuar një shtab të përbashkët për të drejtuar luftën. Këto luftra përfunduan me sukses në Mogila dhe Miricë, në Qafën e Kiçokut dhe Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz. Të tërbuar italianët, rikthehen me forca të shumëfishuara dhe djegin shtëpitë e fshatarëve kryengritës, midis të cilave ato të Zenel Shehut dhe Syrja Vasjarit.

Me prishjen e Marëveshjes së Mukjes krahu i djathtë i forcave partizane, filloi ta kuptojë lojën aspak të ndershme të udhëheqësve të tyre. Një ndër këta ishte edhe Zenel Shehu. Në Kongresin e Përmetit pati kurajon t’u drejtohej udhëheqësve me fjalët:– Ne morëm armët dhe dolëm në mal dhe vumë në dispozicion të luftës pasurinë dhe jetën tonë e të familjes, për të hequr spatat e fashizmit nga flamuri ynë dhe jo për të vendosur në vend të tij simbolin sllav të yllit të kuq.

Pas fjalës së tij Tahir Kadareja e tërhoqi mënjanë dhe i tha:-Çfarë bëre kështu  more  Zenel?  Nuk  luftohet  kështu  si ti, se të merr plumbi ose në ballë ose prapa koke.  

Tahir Kadareja e njihte strategjinë e hienave.

Pas   mbarimit   të   luftës   emërohet  nënprefekt  i Tepelenës. Propozohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, por hiqet nga lista nga organet drejtuese në Tiranë. Në fillimin e vitit 1946 heq dorë nga detyra e nënprefektit. Arrestohet   në  shtatorin  e  atij  viti. Me  vendimin  Nr. 242  datë 17.11.1947 dënohet me pushkatim, me  akuzat  false  se  gjoja  paska kundërshtuar të gjitha ligjet dhe reformat e pushtetit popullor, ka patur takim me të arratisurit kriminelë lufte, ka patur kontakt me përfaqësuesit e shteteve imperialiste si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe e të tjera. Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948.

Përndjekja dhe terrori do shoqëronin familjen e Zenel Shehut pas pushkatimit të tij. Vëllai katërmbëdhjetë vjeçar Mehmeti arrestohet dhe dënohet në të njëjtin gjyq si korier i grupit me katër vjet burg. Në vitin 1967 arrestohet përsëri dhe dënohet me njëzetetre vjet, nga të cilat kryen nëntëmbëdhjetë. Vëllai tjetër Ismaili dënohet me pesë vjet burg, ndërsa Haxhiu vritet në mënyrë misterioze, pa u zbuluar  kurrë  shkaku  i kësaj vrasjeje.

E shoqja e Zenelit, Erveheja mbetet e vetme me dy djemtë dhe  vajzën. Një  kujdes  të veçantë për ta tregoi i ati i saj Arshi Shehu, i cili i mori dhe i futi nën mbrojtjen e tij. Djali i madh Eqeremi mundi të regjistrohej në fakultetin e mjekësisë. Por në vitin 1962, në bazë të relacionit të dërguar nga pleniumi i partisë së Tepelenës, përjashtohet nga shkolla, në vitin e fundit, si biri i një armiku të popullit. Por më e rënda do të ndodhte shumë vonë, kur mendohej se diktatura ishte përmbysur. Dora e pasardhësve të atyre që vranë Zenelin do qëllonte edhe mbi Ademin, djalin e dytë të tij, më 14 shtator 1998.

At    Gjergj    Suli    u    lind   në   fshatin  Lekël  të Tepelenës më 12 mars 1893, në një familje me bindje të thella të besimit ortodoks. Arsimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmin në gjimnazin “Zosimea“ të Janinës. Në vitin 1922 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendoset në Boston dhe Filadelfia. Bie në kontakt me shqiptarë të tjerë dhe bëhet anëtar i shoqërisë “Vatra“. Ishte nën ndikimin fetar të imzot Fan Nolit. Kreu një shkollë fetare dhe pas saj shungurohet prift. Zotëronte gjuhët angleze, frënge, greke dhe italiane. Në vitin 1934 kthehet në Shqipëri. Vendoset në fshatin e tij ku, nëpërmjet shërbesave fetare, u mësonte njerëzve rrugën e drejtë që duhet të ndjekin. Ishte njeri i respektuar. Ai ndodhej kudo, në hidhërime dhe gëzime dhe me fjalën e tij u pakësonte dhimbjen ose u shtonte gëzimin. Ngrinte dollitë sipas zakonit dhe ia merte këngës labe me atë zërin e tij të ëmbël. I pëlqenin më tepër këngët e trimave.

Pushtimi fashist e gjeti në fshatin e lindjes. Besnik i parimeve të tij, bekonte të gjitha forcat, si ato partizane ashtu edhe ato nacionaliste, për fitoren mbi fashizmin. I qëndronte besnik parimeve të demokracisë amerikane.

Në dhjetorin e vitit 1946 arrestohet si dy të mësipërmit dhe dënohet me vdekje me  pushkatim  më  17.11.1947.  Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948.

Familja e  tij  trajtohet  në  mënyrë  barbare.  Gruaja  e   tij Vasilia mbetet e vetme me dy djemtë, Josifin dhe Thomain dhe vajzën Jetën, të cilëve u mohohet arsimimi. Si rezultat i  presionit psikologjik të ushtruar mbi ta Josifi pëson një traum nervor. Sot ata jetojnë në Greqi.

Baba  Shefqeti i Koshtanit   lindi në vitin 1885. Shërbeu për një kohë të gjatë në teqenë e Koshtanit, që ishte kthyer në vatër të shqiptarizmës. Mik i ngushtë i Shehut të Toçit, Babait të Gllavës dhe Baba Ali Tomorit, me të cilin do pushkatoheshin në të njëjtën natë.  Ishte një antifashist i vendosur. Teqeja e tij u bë një qendër ku kuroheshin partizanët apo nacionalistët e plagosur. Por ishte gjithashtu një antikomunist i vendosur. Si besimtar ndaj Zotit, nuk mund të pranonte ata që ishin bashkuar me djallin. Dhe kur ky e pushtoi vendin, jeta e tij nuk kishte  më  kuptim.  Ai  duhej  të  vdiste  sepse  nuk  gjente arsye për të hyrë në diskutime boshe dhe që nuk të nxirrnin gjëkundi. Ai ishte i bindur se Zoti ishte i madh dhe se syrit të tij nuk i shpëtonte asgjë. Me këtë besim përballoi momentet e fundit të jetës. Arrestohet në dhjetorin e vitit 1946 dhe dënohet më 17.11.1947. Ekzekutohet më 14 janar 1948.

Baba  Ali  Tomori   ka lindur në vitin 1893 në fshatin Shalës të Buzit. Ishte i biri i Abazit, që kishte mbaruar shkollën e lartë për mësues në Stamboll dhe emëruar në Kozare të Selanikut, ku shërbeu për 23 vjet. Në vitin 1913 kthehet përsëri në teqenë e Prishtës, ku vazhdon rrugën e të atit. Pas masakrës së vitit 1914 nga ana e grekëve, detyrohet të marrë rrugën e emigrimit, së bashku me Baba Shabanin, i cili vdes në Kajro ku ishin vendosur.

Aliu vazhdon studimet për njerëzit e mëdhenj. Këto studime, rreth 300 faqe, i përmbledh në vëllimin ”Mësime margaritarësh“, një pjesë e të cilave do të botoheshin në vitin 1934. Kthehet përsëri në Shqipëri dhe vendoset si Baba në teqenë e Kulmakut, ku mori edhe titullin “Baba Ali Tomori“. Në vitin 1924 mer vesh lajmin e vrasjes së Avni Rustemit. Si republikan që ishte, niset për në Vlorë, ku në varrimin e tij  mban  një  fjalim në të cilin thotë:

– Fli i qetë Avni! Prehu në gjirin  e  kësaj  Vlore  kreshnike, pranë  Ismail  Qemalit  të

ndjerë, pranë Lekës, pranë Pirros, pranë Kastriotit, pranë Vaso Pashës, pranë Jani   Vretos,   pranë   regjimentit   apostolik   të   rilindjes shqiptare .

Pushtimi i Shqipërisë edhe prej tij u prit me indinjatë të thellë. Si të gjithë bektashinjtë e

tjerë edhe teqeja e tij u bë çerdhe e djalërisë kryengritëse. Kohët e fundit shërbeu në teqenë e Zallit në Gjirokastër. Arrestohet në janarin e vitit 1947 dhe dënohet më 17.11. 1947. Si shokët e

tij ekzekutohet më 14 janar 1948.

Këto  ishin  figurat  kryesore  të  asaj  masakre  që  u zhvillua atë natë janari në Gjirokastër. Por sa të tilla janë zhvilluar gjatë regjimit totalitar? Shkoni në sallën e genocidit të këtij muzeu dhe do të shihni fotografitë e disave nga mbi gjashtëmijë burrave të masakruar. Një pjesë prej tyre, gjatë periudhës kur vendin e qeveriste Partia Demokratike, kanë fituar titullin “Martir i Demokracisë“. Për të tjerët  vazhdon  heshtja.  Ndërmjet  tyre  edhe  për heronjtë e këtij shkrimi.

A është e moralshme një gjë e tillë? Unë mendoj se jo. Hidhini një sy teksteve të historisë që studjohet nëpër shkolla dhe do të shihni se për këta burra dhe për këtë terror as që flitet fare. Atëhere kur do ta mësojë të vërtetën e këtij vendi brezi i ri që po rritet në atdheun tonë?

Dua t’iu drejtohem partive politike, deputetëve dhe qeveritarëve, këshilltarëve të bashkive dhe komunave, shoqatave të ndryshme , qofshin të djathta apo të majta:

– Kur do e gjejnë vendin e tyre figurat e harruara të kombit shqiptar? Përse të mos marrë emrin e “Apostullit të Shqiptarizmës“ Mit-hat Frashërit, Biblioteka Kombëtare në Tiranë? Përse të mos marrë emrin e Abaz Kupit, organizatorit të rezistencës antifashiste, sheshi kryesor i Durrësit? Përse të mos marrë emrin e heroit të Termopiles shqiptare Hysni Lepenicës, një lagje e Vlorës? Lista mund të zgjatet në pafundësi që nga Patër Mëshkalla e Gjon Shllaku, Jusuf Vrioni e Kudret Kokoshi, Isuf Hysenbegasi e Haki Karapici, deri te martirët për të cilët jemi mbledhur.

Ne   sot   po   jetojmë   epokën   e  ndryshimeve  të mëdha.  Dhe unë besoj se kjo do të jetë koha e rehabilitimit të plotë të nacionalizmit shqiptar. Një gjë e tillë do të bëjë që të  fitojmë    Shqipërinë    e    ardhshme,    Shqipërinë    demokratike, Shqipërinë e qetë.

Një problem tjetër është edhe ai i gjetjes dhe rivarrimit të eshtrave të të rënëve tanë. Ata janë pa varr, ashtu si çifutët dikur që mbetën në shkretëtirë gjatë shtegtimit të tyre për në malin e Sinait. Mendoj se kjo duhet të jetë një detyrë parësore e shtetit shqiptar. Shkoni në Hungari apo në Gjermani dhe do të shihni se krahas varrezave të dëshmorëve të atdheut, janë edhe ato të viktimave të komunizmit.

Së  fundi  më   lejoni  të  tregoj  një  ngjarje  intime,  lidhur  me  personazhet  e  kësaj kumtese. 

Po shkonim për në Libohovë për të kremtuar 80 vjetorin e lindjes së mikut tonë Tomor Alikos. Isha me mikun tim Eqerem Shehun, djalin e Zenelit. Në të dalë të Gjirokastrës, Eqeremi i foli Fejzit, që drejtonte makinën:

– Ndale pak të lutem!

Makina ndaloi dhe ne zbritëm.

– Këtu është pushkatuar babai me shokët e tij, – tha Eqeremi

Ne qëndruam në heshtje në formë respekti. Në atë vend tani ishte ngritur një hotel. Një gjë e tillë sepse më kujtoi legjendën e Rozafës. Edhe në themelet e atij hoteli ishin bërë kurban njerëz. Tregojnë se në kohën kur filluan punimet për ndërtimin e tij, punëtorët gjetën eshtra njerëzish. Lajmëruan organet kompetente se dyshuan mos ishin varreza të gjirokastritëve. Por përgjigja erdhi të vazhdonin punën se ato ishin eshtra të “armiqve të popullit“.

– Fejzi, bjeri bories! – foli përsëri Eqeremi.

Dhe boria ushtoi në ato brigje në kujtim të martirëve të lirisë dhe demokracisë.

Filed Under: Politike Tagged With: "Martirët E Lirisë", dhe Demokracisë, reshat kripa

Konkurrencë mercenarësh mediatikë!

January 11, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/ Në fund të shekullit XV nga familja e Shpatajve në Çamëri përmendet dhe emri I Merkur Bua Shpatës. Duke folur për këtë figurë të shquar, në librin e tij “Elenika Anegdhoda”, autori grek K. Satha shkruan se “Ky shqiptar i lavdishëm… ktheu balancën e fitores drejt atyre që e kërkuan për ndihmë dhe aleancë, kundër flandrinëve, bavarezëve, spanjollëve, francezëve , duke rrëmbyer kaq e kaq flamuj kundështarësh…”. Kur luftonte përkrah bavarezëve, fitorja i takonte mbretit të Bavarisë. Kur luftonte përkrah vendikasve, fitorja ishte e tyre. Po kështu kur u gjend në krah të spanjollëve, francezëve e me radhë fitorja u takoi këtyre të fundit. Dhe forca e këtij shqiptari me namë u shpërblye gjithnjë me florinj. Psh Mbreti Maximilian i Bavarisë i vuri një kollan të artë, i cili kushtonte 1000 florinj dhe e veshi gjithashtu me një pallto floriri. Thelbi i asaj që mbetet nga kjo histori është mercenarizmi klasik, i përhapur në shumë popuj, jo vetëm te shqiptarët. Jemi në kohën kur nuk kishte ende kufij nacionalë, identitete nacionale, kur principatat qenë bërthama e shteteve. Ndërsa sot, në kohët moderne, ndonëse jemi në kulmin e zhvillimeve politike, kulturore, sociale dhe civilizuese, shihet qartë se mercenarizmi është shndërruar në një virus tradicional të bastarduar. Media është modeli i parë dhe kryesor i mercenarizmit në Shqipëri, por me nuance të dukshme edhe në vendet e zhvilluara. Paraja, përfitimet financiare jo ligjore, madje përfitimet nga paratë e pista të krimit, të trafiqeve, të drogës, të prostitucionit dhe korrupsionit, janë leva e Arkimedit që ve në lëvizje mediat në Shqipëri. Ndjesë për ato pak media që rezistojnë me shpirt ndër dhëmbë, thjesht me një lloj idealizmi, sikur “do ta çlirojnë botën e sotme nga padrejtësitë”! E kam fjalën për mediat kryesore dhe pronarët e fuqishëm të tyre. Mediat në Shqipëri do të duhej të etiketoheshin si mjet publik, që kanë mision dhe detyrë të informojnë publikun, të shfaqin hallet e shqetësimet e publikut dhe të mbrojnë interesat e publikut. Megjithatë “interesi publik” është thjesht një slogan, që i tremb pronarët e mediave në vendin tonë. Interesi financiar,, paratë, “xherdani i florinjtë”, palltoja prej ari”, “shpata prej argjendei”, janë trofetë e medias shqiptare! “Qeni leh aty ku ha”! Mediat lehin për padronin e tyre, jo për shërbëtorët e padronëve të këtij vendi, jo për qytetarët! Publiku është fasada, thelbi mbetet interesi financiar! Mercenarizmi është tipari kryesor i gazetave, televizioneve, radiove, shumicës së portaleve online, sepse që në themelim këto janë sponsorizuar nga paratë e krimit, të drogës, të trafikut, të pushtetit të kriminalizuar dhe të të paudhëve. Publiku paguan vetëm për një television, për Televizionin Publik Shqiptar. Por as ai nuk i shërben publikut, i shërben padronit politik. Konkurenca e medias në Shqipëri nuk është konkurencë mediatike e tregut, por konkurencë mercenarizmi! Ajo që dallon mercenarizmin e Merkur Buo Shpatës nga mercenarizmi i kapove të medias shqiptare ka të bëjë me disa aspekte: Së pari, Merkur Buo Shpata vuri forcën e tij si dhe mbështetjen e miqve të si bast të shpërblimeve të majme në betejat e kohës. Si i tillë ai i meritoi ato shpërblime. Pra kishte dinjitet dhe meritokraci në atë lloj mercenarizmi. Pronarët e mediave të sotme janë mercenarë të padinjitet. Nuk kanë asnjë lloj integriteti. Nuk njohin asnje limit bashkëpunimi me këdo që ofron para dhe pasuri. Pasuria është qëllimi kryesor dhe në emër të saj shkelin mbi dinjitetin e gazetarëve e bashkëpunëtorëve. Së dyti, mercenarizmi i luftëtarëve të kohëve të ndryshme ishte rezultat i një pakti midis gjeneralit dhe ushtarëve. Mercenarizmi i mediave shqiptare është rezultat i vullnetit të vetëm të pronarëve të mediave dhe një grushti gazetarësh e moderatorësh oligarkë, e shumta e një “shtabi qendror” të medias përkatëse! Këta dallohen lehtë. Shihni psh kur lëvdojnë publikisht në ekrane sponsorët e tyre me pushtet! Së treti, mercenarët në mesjetë përballeshin me sakrificën më sublime të rënies në luftë, pra rriskohej me jetën. Mercenarët mediatikë në Shqipëri në kohët e sotme moderne nuk sakrifikojnë asgjë nga vetja e tyre, përkundrazi sakrifikojnë lirinë qytetare, barazinë qytetare, të drejtën e qytetarëve, të cilëve media e ka mision dhe detyrë t’u shërbejë. Së katërti, atëherë mercenarët rrjeshtoheshin në formacion luftimi për të mundur kundërshtarin në betejën ushtarake, sot rrjeshtohen mercenarët në ekranet televizive më së shumti për të mbrojtur baronët e drogës e të krimit, politikanët, prokurorët dhe gjyqtarët e lidhur me bandat. Ka plot dallime të tjera midis marcenarizmit mesjetar dhe mercenarizmit bashkkohor të medias në Shqipëri. Dhe sa kohë do të kemi këtë media e këta pronarë mediash mercenarë të padinjitet, aq kohë shqiptarët do të lëngojnë midis kënetës së qeverisjes të diktuar nga bandat e drogës e të krimit! Tiranë, më 10.01.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Konkurrencë, mercenarësh mediatikë

Ismail Kadare, fituesi i çmimit prestigjioz “Nonino”

January 10, 2018 by dgreca

Shkrimtari Ismail Kadare merr një tjetër çmim, kësaj radhe në Itali. Në Udine, Kadare u vlerësua me motivacionin si rapsod i dashuruar, por dhe kritik i popullit të tij.

1 Kadare Fransua HollandShkrimtari shqiptar Ismail Kadare është fituesi i çmimit prestigjioz Nonino për vitin 2018, edicioni i 43 i këtij evenimenti që promovohet nga distileritë e Perkotos në Udine dhe që i shkon personazheve të mëdhenj të kulturës me gjykimin e një jurie të drejtuar nga nobelisti V.S. Naipaul.

«Një rapsod i dashuruar, por edhe kritik me popullin e tij.

Mes realitetit historik dhe legjendave që rikujtojnë madhështitë dhe tragjeditë e të shkuarës ballkanike dhe osmane, Kadare krijoi tregime të mëdha – shkruhet në vlerësimin e jurisë. Shkrimtari shqiptar merr kështu vlerësimin e radhës që i shtohet vargut të gjatë të vlerësimeve ndërkombëtare për të.

Juria në Udine gjithashtu vlerësoi me çmimin ‘një mjeshtër i kohës sonë’ filozofin italian Giorgio Agamben, krijuesi i konceptit Homo Sacer, qenia njerëzore për të cilin jeta është e shenjtë. Ceremonia e dhënies së çmimeve do të zhvillohet në distileritë Nonino Di Ronchi në Perkoto, në Udine, më 27 janar.

Filed Under: Politike Tagged With: fituesi i çmimit, Ismail Kadare, prestigjioz "Nonino"

OPOZITA, Protesta në 27 janar

January 9, 2018 by dgreca

1 basha-3Mesditën e 27 janarit opozita do të udhëheqë përballë kryeministrisë protestën kundër qeverisë Rama. Pas takimeve me aleatët, kreu demokrat, Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar dhe drejtuesit e PD-së në rrethe për organizimin e protestës. Prej muajsh opozita bashkohet rreth një kërkesë, largimin e qeverisë Rama, dhe krijimin e një qeverie antimafia

 “Gjithçka nis nga kthimi i ligjshmërisë në vend. Nëse sot kemi një narko-shtet, siç thuhet në raportin e sapopublikuar të CIA-s, ai është ndërtuar mbi paligjshmërinë në vend, që nis me blerjen e votës dhe që ka çuar në një parlament të paligjshëm dhe një kryeministër të paligjshëm”, tha Basha.

Basha po vazhdon edhe thirrjen nga baza duke i shpjeguar protestat si mjet për të shkëputur vendin nga kriza ekonomike dhe bashkëqeverisja me krimin. Për këtë të fundit Kreu i PD deklaroi se nuk është përgjëgjës vetëm Haki Çako, tashmë ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë Së Shtetit. Basha ka nëj skenar tjetër për arsyen e lirimit të tij nga detyra.

“Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qënit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua t’jua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë.”, tha ai.

Takimet me krerët e degëve zhvilloi edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ku ka folur për rezistencë kundër qeverisë në cdo familje dhe shesh. Thelbi i takimit ishte organizimi me strukturat e Partisë Demokratike në bazë. Opozita ndërkohë do të jetë në Parlament më 15 janar, kur çelet sesioni i ri parlamentar, duke u dhënë fund opsioneve për bojkot apo djegies së mandateve të deputetëve.

Basha: Largimi i Haki Çakos, pakt mafioz mes tij dhe Edi Ramës

Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim në Kamzë, ku është shprehur se largimi i Haki Çakos është veçse një pakt mafioz midis tij dhe Edi Ramës.“Kjo është një qeveri thellësisht antipopullore. Edhe largimi i sotëm i Haki Çakos nuk është gjë tjetër veçse plotësimi i një pakti mafioz midis tij dhe Edi Ramës. Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qënit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua t’jua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë”, tha Basha.

Kreu i opozitës u shpreh se për shkak të një qeverie të bërë njësh me krimin, sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Europë. Për të treguar se qeveria e Edi Ramës përdor dy standarde për qytetarët e pamundur dhe për kriminelët.

Lulzim Basha tha se demokratët dhe opozita është e vendosur të mos e lërë Shqipërinë peng të një qeverie të ardhur në pushtet nga pakti me krimin. Kryetari i Partisë Demokratike i inkurajoi shqiptarët të mos heshtin, të mos ulin kokën, të mos pajtohen me të keqen, por të protestojnë për të larguar qeverinë e krizës dhe për t’i dhënë vetes mundësinë të zgjedhin të lirë një qeveri që i shërben interesit të tyre. “Këto protesta – tha Basha do të mundësojnë krijimin e një qeverie që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”. Basha theksoi se në kushtet e një loje të barabartë, Partia Demokratike, me programin e saj, del fituese.

Reagon PS: Opozita, interesat e ditës, mbi ato kombëtare

Socialistët kanë vendosur të forcojnë radhët. Kryesia e partisë së vetme në pushtet, ka diskutuar për zgjedhjet e drejtuesve në bazë, ndërsa në asamble ishte shprehur pakënaqësia për disa prej drejtuesve. Në përfundim të mbledhjes zëdhënësja e kryesisë socialiste iu referua protestës së paralajmëruar nga opozita.

“Pavarësisht zhurmës, pavarësisht përpjekjes së vazhdueshme të opozitës për të krijuar zhurmë në vend, por edhe kur flasin anglisht me Bashkimin Europian dhe me funksionarë të tjerë, ne padiskutim vëmë përpara axhendën e Shqipërisë, përpara axhendës politike të ditës. Kjo fatkeqësisht nuk është dhe retorika apo politika e opozitës. Ata kanë vendosur të vënë interesin e tyre politik të ditës, mbi interesin kombëtar”, u shpreh Elisa Spiropali.Me dyer të mbyllura kryesia socialiste ka diskutuar për qeverisjen dhe prioritetet në muajt në vijim.(Kortezi: Top Channel)

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Basha, Protesta në 27 janar

Tre shtete e një rezolutë, pa llogaritur Bushatin

January 8, 2018 by dgreca

1 Genc Pollo

Nga Genc Pollo, deputet/

Për të përshkruar si e shpjegoi qeveria firmën e saj në dokumentet antimerikane të samitit të Organizatës së Bashkepunimit Islamik (OBI) në Stamboll si dhe votën e saj në Asamblenë e Pëgjithshme pro rezolutës, që dënonte vendimin e Presidentit të ShBA për të transferuar ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, të vjen në ndihmë edhe humori i novelistit anglez Jerome K. Jerome, romani i të cilit “Tre vetë në një barkë, pa llogaritur qenin”,  shumë popullor në Tiranë në vitet 80′, shpalos groteskun njerëzor me ironi të pamëshirshme dhe shembuj të pakohë. Por kujt nuk i ka rënë rasti të shfletojë këtë libër mund t’i ketë vajtur mendja tek një personazh edhe më i njohur e popullor ndër breza, tek Shvejku i shkrimtarit çek Hashek me batutat e tij alogjike e naïve, teksa dëgjonte Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Europiane të Republikës tonë të deklaronte më 22 dhjetor se rezoluta në fjalë “nuk ishte votë kundër ShBA”; përkundrazi ishte votë në linjë me “konsensusin ndëkombëtar” si dhe me vendet anëtare të plot organizatave ndër të cilat edhe “NATO”!  Po ky ministër, më 14 dhjetor në Kuvend e quajti “mungesë gjigandomanie” sulmin ballor  kundër Amerikës, që i dërguari i qeverisë kishte nënshkruar të djeshmen në Stamboll, në fund të  samitit urgjent të OBI. Lipset mbase t’i kërkohet ndjesë për krahasimin jo shumë të merituar personazhit Shvejk, të cilin shumëkush e kujton si shejtan-budalla simpatik. Në fund të fundit, të qenit ministër i Republikës është diçka shumë serioze edhe pse publikut, nën dritën e gjërave që ka parë së fundmi, mund ti ketë dalë nga mendja ky fakt. Edhe më serioze është se si vepron qeveria në të tilla raste në raport me ShBA-në e me shtete të tjera.  Këtë do të orvatem të shtjelloj, duke u nisur fillimisht jo nga nga paradigma e debatit të deritashëm, “a i bëmë apo jo pabesi aleatit të madh përtej oqeanit“, por nga merita e çështjes në vetvete. Dhe si do të lipsej të formulohej  qëndrimi i Shqipërisë edhe sikur, ruajna Zot, të mos ishte në lojë luajaliteti historik i yni ndaj Amerikës.

Izraeli, Palestina e Jeruzalemi 

Shteti i Izraelit u themelua pas nje vendimi  të OKB në vitin 1947 që parashikonte dy shtete: Izrael e Palestinë duke synuar, nën efektin e Holokaustit, korrigjimin e një  padrejtësie mijëvjeçare e zgjidhjen e një problemi aktual. Por në Tokën e Premtuar e të caktuar, hebrenjtë hasën armiqësinë e fqinjëve arabë. Pas konfliktesh me armë, Izraeli, ushtarakisht i suksesshëm, arriti të kontrollonte Jeruzalemin Perëndimor (1948) dhe dy vite më vonë, pasi vendosi aty selinë e parlamentit e të qeverisë, e shpalli kryeqytet të shtetit. Po ashtu në 1967 zgjeroi kontrollin mbi të gjithë qytetin e më tej deri në lumin Jordan. Por ambasadat e huaja në Izrael të vendosura fillimisht në Tel Aviv mbetën atje në pritje të një zgjidhje të negociuar e akorduar të konfliktit izraelito-palestinez. Por meqë kjo zgjidhje nuk ka ndodhur dhe nuk dihet se kur mund të ndodhë, Presidenti Trump vendosi të bëjë atë që i kërkonte Kongresi prej dy dekadash dhe që qysh atëherë e kishte premtuar çdo President amerikan para tij. Pra që të njihte realitetin faktik dhe të transferonte ambasadën aty ku ajo kishte punën, dmth pranë selisë së qeverisë izraelite. Bëhet fjalë për Jeruzalemin perëndimor që sido që të jetë zgjidhja e ardhshme e akorduar mes palëve, me të gjitha gjasat do të mbetet pjesë e shtetit të Izraelit, gjë që sot pranohet nga palesinezët si „kufijtë para 1967“. Ky veprim është qartazi  një gjest miqësie dhe demonstrim përkrahjeje për një shtet aleat të ShBA-së dhe që ka ekzistuar  nën kërcënimin e fqinjëve Disa syresh deri vonë (disa ende sot) kishin në kushtetutat e tyre një nen për  shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe hedhjen e hebrenjve në det. Indirekt bazohet edhe në argumentin historiko-fetar, për aq sa vlen ky, se pretendimi i hebrenjeve mbi Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit është gati tremijëvjecar nga koha e mbretërve izraelitë David e Solomon, të cilët e përzgjodhën kryeqytet të Izraelit të unifikuar dhe ndërtuan aty të parin tempull judaik. Ndërsa ringjallja e Krishtit tre ditë pas kryqëzimit, që përbën thelbin e doktrinës së krishterë, ka ndodhur aty në të sotshmen Kisha e Varrit të Shenjtë pas 9 shekujsh. Edhe ngjitja në qiell e shpirtit të Muhametit ka ndodhur 15 shekuj më vonë aty ku është xhamia Al Haram al Sharif, çka e bën Jeruzalemin për muslimanët qytetin e tretë më të shenjtë pas Mekës e Medinës.

Kritikët shohin këtë veprim si një shkëndijë të mundëshme për shpërthimin e dhunës në territoret palestineze, në Izrael dhe ndoshta në Lindjen e Mesme dhe si një rrezik, apo të paktën pengesë, për procesin e paqes dhe gjetjen e zgjidhjes së akorduar pasi palestinezët e kampi pro tyre do të ndjeheshin të provokuar e do të ishin më pak të gatshëm të negocionin

Përkrahësit vënë në dukje se ShBA e ka bërë të qartë se transferimi i ambasadës amerikane në Jeruzalem nuk kushtëzon a paragjykon statusin e ardhshëm të ketij qyteti në një zgjidhje të negociuar dhe as vetë përmbajtjen e zgjidhjes, pra kryesisht territoret ku do të shtrihet shteti palestinez në të ardhmen. Gjithashtu një muaj pas shpalljes së vendimit, megjithë reagimet pro-palestineze e kritikat nga një tufë vendesh e aktorësh, nuk është regjistruar as dhunë e as trazirë e madhe përjashto akte sporadike në territoret palestineze; i vetmi hap mbrapa në procesin e paqes është pezullimi i kontakteve me ShBA nga ana e Autoritetit Palestinez, por edhe kjo konsiderohet e përkohshme.

Në fakt ShBA gjithmonë e ka mbrojtur Izraelin e përballur me kërcënime ekzistenciale nga fqinjët dhe ka bërë gjënë e duhur! Por Amerika ka qenë edhe ndërmjetës  i ndershëm midis dy palëve si përshembull gjatë negociatave finale 17 vjet më parë nën kujdesin e Presdentit Clinton në Camp David, ku  paqja e shumëpritur nuk u arrit në rradhë të parë për faj të intranzigjencës së liderve palestinezë. Kjo qasje e skajshme nuk buron nga populli palestinez, i cili meriton patjetër një arranzhim të qëndrueshëm e territore të mjaftueshme. Ajo është injektuar nga shtetet arabe, më së shumti nga regjimet baathiste e filosovjetike nga Algjeri në Bagdad, të cilët çështjen palestineze e përdornin si gur shahu për interesat e veta. Fakti është që sot udhëheqësit palestinezë e mbështetësit e tyre kërkojnë me ngulm pranimin e kufijve të para 1967, të cilat vetë i refuzuan dhunshëm që nga viti 1947. Sa për pretendimin e njëanshmërisë amerikane le të kujtojmë edhe se bisedimet e paqes prej gati dy dekadash ndërmjetësohen nga Kuarteti i Lindjes së Mesme ku veç ShBA bëjnë pjesë OKB, Bashkimi Europian por edhe Rusia me preferencat, në mos njëanshmëritë e saj.

Shqipëria, Izraeli, Palestina 

Dhe tashti po orvatem të përkufizoj premisën mbi të cilën mund të formulohet qëndrimi i Republikës së Shqipërisë. Së pari po bëj një digresion historik të shkurtër duke sjellë në kujtesë që Shqipëria komuniste ishte përkrahëse absolute dhe e pakushtëzuar e luftës “me të gjitha mënyrat” të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP). Regjimi i Enver Hoxhës, përveçse trajnonte ushtarakisht militantët e OÇP-së famëkeqe për terrorizëm në v. 70-80, votonte rregullisht pro rezolutave anti Izrael në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Këto rezoluta  miratoheshin në sajë të shumicës së numrave që arrinin në Asamble, shtetet e Traktatit të Varshavës, ish kolonitë me regjime filosovjetike e marksiste në Afrikë, Azi e gjetiu e sidomos vendet e Lëvizjes të të Paangazhuarve duke i lënë në minorancë anëtarët e NATO-s e aleatët e tyre. Edhe këtyre rezolutave u referohet ministri ynë kur deklaron seriozisht se ai është “në linjë me “konsensusin ndërkombëtar historik”, me shtetet e NATO-s (!?) dhe se kurrsesi nuk doli “kundër SHBA-së”!

Në periudhën çerekshekullore të demokracisë tonë ndodhi që në fillim një ballancim i pozicionit duke vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin e duke shkëmbyer vizita të nivelit të lartë. Do të veçoja shkembimet e viteve të para, si pjesëmarrjen e Shimon Perez, asokohe ministër i punëve të jashtme i Izraelit në ceremoninë zyrtare të 28 nëntorit në Tiranë si dhe vizitën tek ne të liderit palestinez Jaser Arafat. Në OKB, vota e Tiranës në tërësi ka qenë pro rezolutave që kërkojnë avancimin e procesit të paqes dhe zgjidhje të drejtë për çështjen e Palestinës.  Por kur iniciativat atje kishin gjuhë ekstreme apo përmbajtje përjashtuese dhe hapnin konflikt me Washingtonin vota jonë në kthehej në abstenim siç ishte dhe rasti i shpeshcituar i vitit 2012.

Premisa e pozicionimit të Shqipërisë mund të shqyrtohet përmes prizmit të katër parimeve:

1- Parimi humanitar; shumëkush, edhe javët e fundit, ka përmendur vuajtjet e popullit palestinez në kampet e refugjatëve në rajon si arsye e justifikim për një qëndrim të qartë pro palestinez të Tiranës madje edhe të pozicionimit akut gjatë dhjetorit në Stamboll e New York. Është njerëzore të ndjesh empati për vuajtjet njerëzore dhe e drejtë ta demostrosh atë; por është më e dobishme të kontribuosh, qoftë edhe modestisht, për ti lehtësuar vuajtjet. Një zgjidhje kompromisi larg intranzigjencës “ose të gjitha, ose asgjë” do të kishte shërbyer më mirë për njerëzit në Cisjordani, Gaza apo kampe.  Është shumë e diskutueshme, ta themi butë, që rezoluta e OKB-së dhe akoma më pak komunikata e OBI-së do të sjellë një përmirësim qoftë edhe minimal. Për më tepër problemi palestinez duhet vënë në perspektivë: shekulli i 20 fatëkeqësisht ka parë me bollëk zhvendosje popullsie e valë refugjatësh si pasojë e luftrave ndërshtetërore e civile, dhunës qeveritare apo të faktorëve të tjerë. Armenët gjatë Luftës së Parë Botërore, çamët e pas Luftës së Parë e të Dytë Botërore, gjermanët e Sudeteve, Silezisë e Prusisë Lindore pas kapitullimit nazist,  boshnjakët në vitet 90 madje deri në ditët tona sirianët që lanë pas tmerret e dhunës pa kufi e rohingat  e përzënë nga ushtria birmaneze, janë shembuj nga një listë e gjatë dhe tragjike. Por zor se gjen ndër ta ndonjë rast tjetër që të ketë marrë më shumë vëmendje nga opinioni botëror, më shumë përpjekje për zgjidhje nga aktorët ndërkombëtarë e më shumë ndihma humanitare se sa palestinezët që nga viti 1948!

2- Parimi Kopenhagen: demokracitë pëlqejnë e përkrahin njera tjetrën! Ato bazohen në të njëtat vlera të cilat edhe i promovojnë në botë. Prandaj edhe mbështetja reciproke e bashkëpunimi i ngushtë janë të vetëkuptueshëm.  Kështu të paktën besojnë në Europë. Si dhe që regjimet shtypëse nuk i duan demokracitë pasi i shohin si rrezik: ekspozimi ndaj tyre shkakton procese politike me pasojë humbjen e pushtetit. Tiparet e demokracisë si votën e lirë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut e ekonominë e tregut (BE i quan Kriteret e Kopenhagenit), në Lindjen e Mesme i përmbush vetëm Izraeli. Ndoshta i afrohet deri diku Libani. Ndërkohë që shtetet arabe janë autokratike e teokratike, ku liderët ndërrohen kur vdesin ose kur rrëzohen me dhunë. Kurse në Izrael vetëm pasi voton populli  merret vesh tamam se kush është lideri. Pakica arabe 20 përqindëshe në Izrael mund të dëshëroje ose jo të jetojë në një shtet palestinez. Por të drejtat politike e civile të saj në Izrael përmbushen shumë më mirë se në çdo shtet arab. E kështu me rradhë. Prandaj nëse besojmë tek demokracia është rasti për të konsideruar qëndrimet tona me vendet e Lindjes së Mesme bazuar në parimin Kopenhagen.

3- Parimi i interesit shtetëror si me i vjetri e klasiku është mbase edhe më i thjeshti për të shyrtuar në rastin tonë. Republika e Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik, është 1800 km larg në vijë ajrore nga Jeruzalemi prandaj nuk mund të ketë, dhe faktikisht nuk ka, interesa thelbësore aty. Shkëmbimet ekonomiko-tregtare me biznesin palestinez janë minimale nëse jo zero; me Izraelin diçka më shumë por përsëri jo domethënëse. Mund të shtojmë këtu një komunitet të vogël por plot gjallëri të hebrejve shqiptarë që emigruan në Izrael në vitin 1991, nderimin në Yad Vachem të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë L2B (një nga gjërat tona për të cilat mund të krenohemi) e kështu me rradhë por prapë kandari nuk lëviz e parimi në shqyrtim do të rekomandonte ekuidistancë. Por nëse shohim si janë punët me Kosovën atëherë kandari lëviz përpjetë. Tirana e ka konsideruar njohjen ndërkombëtare të Kosovës si detyrim kombëtar e si kontribut për stabilitetin rajonal dhe ka bërë sa ka mundur në këtë drejtim. Pa sukses me Izrealin e Palestinën pasi asnjë syresh nuk e ka njohur. Por ka një dallim: mosnjohja nga Izraeli është e natyrës inerciale, pa ndonjë motiv të qartë dhe prandaj mund të ndryshojë. Por nga ofiqarët palestinezët kur janë në Beograd, prej Ambasadorit deri tek Presidenti, dëgjojmë vetëm betime patetike se kurrë nuk do e njohin Kosovën si shtet dhe se Serbinë e njohin në kufijtë e paraluftës.  Peshqesh nga nostalgjia për Titon e të Paangazhuarit.  Në këtë perspektivë parimi i interesit shtetëror flet vetë.

4- Parimi fetar është përmendur këto javë nga persona afër qeverisë njëlloj si ai humanitar: si arsye për një qëndrim të qartë pro palestinez të Shqipërisë, pasi kemi popullsi myslimane në shumicë, dhe si justifikim për Stambollin e New York-un. Është hera e parë që shprehet si motiv!  Unë nuk e kam dëgjuar as në luftën e NATO-s në Afganistan (2001), as në luftën e ShBA në Irak (2003), as në luftën kundër Al Qaedas (2001-2015) dhe as në atë kundër Kalifatit Islamik DAESh ose ISIS (2015-2017) ku Shqipëria u rreshtua me unanimitet politik, e sipas ratit me kontribute konkrete, përkrah Fuqive Perëndimore. Do të ishte me interes të hulumtonim pse ndodh kështu. Është hera e parë që tentohet të konfesionalizohet politika e jashtme e një shteti laik me popullsi multifetare. Do të ishte shumë mirë po të ishte edhe hera e fundit. Pasi nuk sjell asgjë të hajrit vetëm se do të nxisë radikalizimin fetar, instrumentalizimin politik të tij e do të trondisë orientimin euroatlantik çerekshekullor të republikës tonë. Pastaj askush nuk mori mundimin t’i pyesë qytetarët tanë, ata që janë besimtarë myslimanë por edhe të tjerët, se çfarë mendojnë apo ndjejnë për këtë çështje;  nëse vërtet mendojnë a ndjejnë diçka të qartë e të ndryshme nga politikanët e zgjedhur prej tyre.

Le të kthehemi një çast tek Kosova, me popullsi myslimane në përqindje më të larta se Shqipëria.  Nëse parimi fetar është i vlefshëm,  atëhere ai duhet të jetë edhe reciprok. Por si shpjegohet që nga 57 vendet anëtare të OBI-t, ata që kanë njohur Kosovën janë gati gjysma? Edhe këta në përgjithësi pas disa vitesh e pas shumë përçapjesh diplomatike? A është kjo nga dashuria nostalgjike për Jugosllavinë e Titos e Beogradin e sotëm? A e bëjnë këtë për inat të Amerikës dhe të Europës? Përgjigjen e këtyre pyetjeve mund ta lëmë për më vonë ashtu si dhe një debat të shtruar mbi dobinë kombëtare të antarësisë në OBI. Por një gjykim i qetë mbi qëndrimin zyrtar tonin në raportet Izrael-Palestinë e çështjet e nxehta të Lindjes së Mesme nuk do të çonte në llogore pro palestineze. Normalisht kandari i diplomacisë do të anonte disi nga Izraeli apo me pak sforco do të rrinte në barazpeshë.

Po me Amerikën ç’patën? 

Komunikata Finale pesëfaqëshe e samitit të OBI-së që siç thotë preambula e saj “u mblodh në Stamboll, Republika e Turqisë, në 25 Rabi’ Awwal 1439 AH (sipas hixhres, kalendarit islamik; shën. i autorit) – 13 dhjetor 2017 (sipas kalendarit a la frënga; shën. i autorit) përmban këto pasazhe:

Pika 1: Samiti OBI refuzon e dënon në mënyrën më të ashpër vendimin unilateral të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të njohur Al Kuds-in (emri arab i Jeruzalemit; shën. i autorit), si të ashtuquajturin kryeqytet të Izraelit, të fuqisë pushtuese….  

Pika 9: Samiti OBI ….dhe dënon, përsa i përket kësaj çështjeje, njëanshmërinë e plotë e të pajustifikuar të Kongresit të ShBA-ve në favor të politikave imperialiste e raciste të Izraelit, fuqisë pushtuese. 

Rezoluta  e këtij Samiti,  pika 6: Konsideron Administratën e Shteteve të Bashkuara plotësisht përgjegjëse për të gjitha pasojat e mosanullimit të kësaj deklarate ilegale dhe e sheh atë si një deklarim të tërheqjes së Administratës së Shteteve të Bashkuara nga roli që ka luajtur në dekadat e fundit si një sponsor i paqes. 

Ndërsa në pikën 3 bëhet thirrje për të bojkotuar anëtarët e Kongresit të ShBA, të cilët mbështesin Izraelin, dmth shumicën e stërmadhe të legjislatoreve amerikanë

Nëqoftëse këto deklarata nuk janë antiamerikane, siç na siguroi ministri përgjegjës atëherë çfarë mendon ai se janë të tilla? Vetëm thirrjet për të vrarë amerikanë kudo që të jenë e me çdo mjet që nga thika e deri tek kamioni?!

Kurrë ndonjëherë Bashkimi Europian shtetet anëtare të  tij nuk do të nënshkruanin komunikata si kjo!  Le të gënjejë ministri me “linjëzimet” e tij, por një shtet që aspiron anëtarësinë në BE dhe që miraton këto tekste, vetëm e dëmton aspiratën e tij.  Edhe për rezolutën në OKB nuk kishte vendim të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së që do të ishte detyrues për ne si shtet kandidat.  E tregoi numri jo i vogël i vendeve abstenuese, ndoshta me kujtesë të freskët të kontributit amerikan në lirinë e tyre e të ndërgjegjshëm për rolin aktual të ShBA-së në sigurinë e tyre. Rezoluta në OKB nuk ishte nismë e amerikanëve arrogantë për t’ju imponuar gjithë botës që të ndiqnin shembullin e tyre e të çonin ambasadat në Jeruzalem sikurse e paraqesin propagandistët sofistë. Kjo rezolutë e iniciuar nga Turqia e Jemeni (mirë Turqia, po Jemeni copë-copë, në luftë civile e pa qeveri ç’neh?!) megjithëse jo me tonet e Stambollit përsëri është si një lloj fletë-rrufeje e kohës së Enverit që pasohet me një mbledhje ku i kritikuari bëhet qepaze para kolektivit e në fund duhet të bëjë autokritikë të thelluar! Pse kështu Amerikës? Sepse ambasadën e vet diku e lëvizi nga qyteti A në qytetin B. Këtë lloj poshtërimi publik jo Amerika por as vetë Jemeni nuk kishte pse ta toleronte. Ambasadorja e ShBA-së në OKB Nikki Haley, siç deklaroi vetë, i ka dërguar dy herë email çdo misioni shtetëror në New York duke i paralajmëruar se rezoluta ishte e papranushme për qeverinë e saj.  Ky shënim I fundit edhe në vemendje të apologjetëve të qeverisë tonë që pëshpërisin se Washingtoni nuk i kishte kërkuar Tiranës  të mos votojë pro teksti turko-jemenit. Dhe Nikki Haley është në të drejtën e saj pasi ShBA nuk ka ndonjë detyrim hyjnor të financojë shtetet që në mëngjes e shohin nga duart dhe mbasdite ja pështyjnë ato duar.
Rrugës për tek bananet

Një lavdërim që i bëhet me të drejtë Shqipërisë demokratike është se, që nga mesi i viteve 90 kur PS e kapërceu sindromin e bartur antiperëndimor, ka patur konsensus ndërpartiak të qëndrueshëm për politikën e jashtme e të sigurisë të bazuar në vektorin euroatlantik. Kritikat në Kuvend e më gjerë  mbi këto tema më së shumti kanë qenë për paaftësinë qeveritare për të arritur synimet e shpallura e jo për vetë synimet. Në këtë kontekst, konsultimet parlamentare kanë peshë politike relative. Por në rastin e mësipërm kur shfaqet një deviacion serioz çdo qeveri e mençur do të tentonte një dialog me palët e tjera edhe po të mos kishte shpresë për ujdi. Deputetët e Komisionit për Punë të Jashtëme, të majtë e të djathtë, gjatë dhjetorit e ftuan ministrin të shpjegohej e të konsultohej. Jo për të marrë leje siç thonë zëdhënësit e tij, por për të informuar ligjvënësit e për të dëgjuar mejtimet e tyre për temën. E njëjta vlen për Presidentin e Republikës, i cili u la qëllimisht në errësirë edhe pasi kërkoi informacion. E këtu trashet zullumi: nga praktika e keqe shkohet tek shkelja ligjore. Jam i sigurt që konsultimi me palët edhe në rast se nuk do të ndryshonte pozicionet, (abstenimi në New York e distancimi në Stamboll do të kishte qenë rrugëdalje), të paktën mund të moderonte reagimet që pasuan. Dhe që i treguan gjithkujt që kemi qeveri bananesh e cila edhe marrëdhëniet ndërshtetërore i vë në dispozicion të autokratëve të huaj e në shërbim të interesave të veta personale e partiake.

Filed Under: Politike Tagged With: Genc Pollo, pa llogaritur Bushatin, Tre shtete e një rezolutë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 500
  • 501
  • 502
  • 503
  • 504
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT