• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TAKIMI NË WORCESTER- MINISTRI MAJKO NUK ERDHI PËR TË KRIJUAR LIDHJE TË SINQERTA BASHKËPUNIMI

February 8, 2018 by dgreca

TAKIMI NË WORCESTER- MINISTRI MAJKO NUK ERDHI PËR TË KRIJUAR LIDHJE TË SINQERTA BASHKËPUNIMI/

1-1-768x576

LETËR NË REDAKSINË E DIELLIT /

Z.Editor/

Isha në takimin që u organizua Worcester, por nuk  do të të shkruaj gjatë për takimin  me z. Pandeli Majko, ministrin e Diasporës dhe zonjën Floreta Faber, ambasadore e RSH në SHBA, por sa për informim mund të të them se z. Majko nuk erdhi për të krijuar lidhje të sinqerta bashkëpunimi me gjithë shtresat e diasporës. Nga ato që pashë e dëgjova  mendoj se edhe ky socialist është i papendueshëm, nuk i kritikon dot krimet që ka bërë nëna parti (PKSH / PPSH).

Aty nga ora 6:00 PM, grupi që organizoi pritjen në godinën “Illyrian Gardens” ma solli mua në apartament z. Majko, z-njën Faber dhe nja dy shoqërues të tyre dhe një gazetar të “Telegram & Gazette” për vizitë që të shihnin si janë apartamentet e kësaj godine, ku jetojnë dhe shumë pensionistë shqiptarë me 30 % të të ardhurave. Pasi e qerasëm sipas zakonit i dhurova një kopje të librit tim të ri, duke i shkruar si dedikim: “Z. Pandeli Majko me respekt një dhuratë për të njohur më mirë disa vlera të diasporës sonë”.

Me gojë i thashë: Këtu ka shkrime për Ismail Kadarenë, Visar zhitin, Pëllumb Kullën, për Dritëro Agollin e të tjerë”. Urdhëroni dhe këtë letër ku keni disa pyetje e kërkesa që mendoj t’u përgjigjeni sonte në darkë. E mori letrën dhe e futi në xhep, kurse librin ia kaloi dikujt për ta ruajtur.

Ai tha: “E more vesh që vdiq Dritëroi.”

“Po i thashë, por bëri gabim që nuk falet, vdiq i papenduar. Nuk shkoi në Librazhd të vinte një tufë me lule tek monumenti, që u krijua për dy poetët e pushkatuar nga diktatura kur ai ishte kryetar i Lidhjes”.

Për ta justifikuar Dritëroin, shtoi: “Po, ishte i sëmurë.”

“Memoriali ishte krijuar 7 vjet para se të sëmurej Dritëroi, shtova unë. Po të mos evoluojmë ne që u formuam gjatë diktaturës është mëkat, se rinia ecën në rrugë pa krye.”

Deshi të ngrihej, por ime shoqe i nxori librin e poetes Luljeta Lleshanaku “Negative space” botuar tani shpejt në Londër dhe i tha: “vajza jonë e ka përkthyer këtë libër në anglisht dhe është vlerësuar me “English PEN Award”.

“E kam dëgjuar Luljeta Lleshanakun, tha ai, pastaj na uroi për vajzën dhe u ngrit e iku”.

Në darkën qi iu dha tek kisha “Fjetja e Shën Marisë” m’u afrua z-nja Irisa Arizi, Drejtore e kabinetit të tij (ajo që mori librin tim për ta ruajtur e për t’ia dhënë më vonë Majkos). I thashë kësaj zonje: “Ministria juaj duhet të jetë e depolitizuar, nuk duhet të ketë aty asnjë socialist e ish komunist. Duhet të merrni në punë edhe djem e vajza nga diaspora që mund të punojnë shumë mirë për t’ju ndihmuar seriozisht.” Ajo nuk u përgjigj.

Pastaj i fola për gazetarin e talentuar Astrit Lulushi, që shkruan shkurt dhe me përmbajtje filozofike. Ajo tha se nuk e kishte dëgjuar emrin e tij. I thashë të lexonte te “Dielli” shkrimin tim për Lulushin. Më tha se z. Majko ka në plan të shkojë në Washington DC dhe te jape nje interviste dhe ne VOA…

Gjate darkes, z. Majko tregoi si u prit andej këtej, iu bënë pyetje dhe ai u përgjigj, por pyetjeve të mia nuk iu përgjigj asnjërës. Kur dikush i tha se fëmijët tanë kanë frikë të vijnë në Shqipëri mbasi dëgjojnë në lajmet për shumë vrasje, vjedhje e krime të ndryshme. Z. Majko tha: Mos ua vini veshin lajmeve, edhe këtu në Amerikë ndodhin vrasje e krime, po Amerika vizitohet pa asnjë pasojë të keqe. Kështu dhe në Shqipëri askush nuk do të pësojë gjë, ejani se do të kënaqeni!

Po z. Majko harron se në Amerikë ndodhin vrasje e krime, por në raport me popullsinë e Shqipërisë, ato janë shumëfish më të pakta se vrasjet e krimet që ndodhin në Shqipëri.

Darka kaloi mirë dhe të ftuarit u larguan të kënaqur, por mendoj se z. Majko u zbulua se është soc-komunist i parinovueshëm. Nuk bëri autokritikë për ato fjalët “Kolaboracionistë e syretër” si e ka quajtur diasporën dikur, përmendur prej Frank Shkrelit dhe prej meje në shtypin shqiptar të këtushëm të këtyre ditëve. Më duket se Ambasada jonë i kushton shumë pak vëmendje materialeve që botohen në gazetat “Dielli dhe “Illyria” dhe nuk vë në dijeni qeverinë shqiptare për mendimet e rëndësishme që publikohen në këto dy gazeta.

Në rast se do ta ftoni në shoqërinë Vatra, mendoj që ta pyesni:

“Pasi bëtë vizitat në Greqi, Itali e SHBA a jeni penduar që i keni quajtur bijtë e diasporës “kolaboracionistë dhe suretër”?

“A është ministria juaj e depolitizuar, pa anëtarë të Partisë Socialiste?”

“A keni në plan të kërkoni elementë të aftë për të punësuar në ministrinë tuaj nga bijtë e bijat e diasporës?”

Gjithë të mirat,

Thanas L. Gjika

***

Ja si e  paraqiti faqa zyrtare e Ministrit të Diasporës vizitënb në Worcester

***

Vizita në Worcester, z. Majko nderohet me Çelësin e qytetit/

Në shenjë mirënjohje për kontributin e komunitetit shqiptar në qytetin e Worcester në Massachusetts ,  kryebashkiaku i këtij qyteti z. Joseph Petty  e nderoi Ministrin e Shtetit për Diasporën me Çelësin e Qytetit. Z. Pandeli Majko vizitoi të martën qytetin ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë ne SHBA, znj. Floreta Faber.

‘Është kënaqësia ime t’ju dorëzoj juve Çelësin e Qytetit të Worcester, në shenjë mirënjohjeje për vizitën tuaj në këtë qytet. Shpresoj të jetë e qartë se banorët shqiptarë të Worcester janë një pjesë jetësore dhe me shumë vlerë e qytetit tonë dhe ne ju falenderojmë që na nderuat me praninë tuaj këtu”, thuhej në deklaratën e dorëzimit të Çelësit simbolik të kryebashkiakut të Worcester.

Aty theksohej se shkëmbimet kulturore janë tepër të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe prosperitetin.

Ministri i Shtetit për Diasporën shprehu mirënjohjen për vlerësimin dhe falenderoi autoritet lokale të qytetit për përpjekjet e tyre në mbështetje të komunitetit shqiptar. Gjatë qëndrimit në Worcester, z. Pandeli Majko vizitoi qendrën ‘Ilirian Garden’, e konceptuar si një shtëpi për brezin e tretë pikërisht nga emigrantë shqiptarë. Ministri u takua me drejtuesin e qendrës, z. Gregory Stefan, i cili vlerësoi kontributin e dhënë nga komuniteti shqiptar në ndërtimin e shtëpisë për të moshuarit.

Më pas, delegacioni shqiptar zhvilloi një vizitë në Kishën Ortodokse të shqiptarëve St. Mary’s Assumption.

Filed Under: Politike Tagged With: Leter Diellit, Ministri Majko, ne Worcester, Thanas L Gjika

Isa Ndreu & Lec Shllaku, beteja për sheshin “Skënderbej” në Paris

February 6, 2018 by dgreca

1 Placa ScanderbegNga Ylli Polovina /

Me radiogramin e koduar “Tepër sekret” dhe numër 3387 të datës 26 tetor 1978 drejtuesi i Misionit të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se “Gazeta “Liria” boton një letër të Lec Shllakut që thotë se ka siguruar nga bashkia e Parisit autorizimin që një sheshi t’i vihet emri “Skënderbeu” dhe se për këtë do bëhet një ceremoni”.

Shtonte më pas: “Leci, me sa dimë, është i arratisur”.
Pastaj Misioni Shqiptar në Nju Jork, gjithnjë referuar gazetës së botuar nga një pjesë e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksonte: “Ai ka ftuar “Lirinë” të marrë pjesë në ceremoni”.

Në vijim e dhëna e vendndodhjes aktuale të autorit të shkrimit qe: “Leci banon në 84 Rue de Fontaine, në Paris 16”.
Në përfundim të këtij radiogrami tepër sekret dhe mjaft të shqetësuar për çfarë po ndodhte, qenë fjalët: “Ndoshta duhet ndërhyrë që veprime të tilla autoritetet franceze të mos i bëjnë në bashkëpunim me këtë person”.

2 PerurimiSheshitSkenderbejParis

Kundërvepron Tirana
Kjo qe e dhëna e parë që po vinte në Tiranë për vendosjen e emrit të Gjergj Kastriotit të një sheshi në Paris. Nuk pati ndodhur asnjëherë më parë, qoftë në linjën e shërbimit diplomatik, qoftë edhe në atë të zbulimit politik shqiptar që punonte i kamufluar në ambasadën shqiptare në kryeqytetin francez, të merrej vesh kjo ngjarje.
Doemos në Tiranë pas kësaj qenë zënë në befasi. Diaspora antikomuniste, ajo kundër regjimit të Tiranës, me të cilën përlesheshin në vazhdimësi që pas 29 nëntorit 1944, ishte në prag të një fitoreje të saj politike, madje të bujshme.
E kishin mundur Partinë e Punës të Shqipërisë dhe vetë Enver Hoxhën me anë të Skënderbeut, kryeheroit kombëtar.

Rruga e vetme që prej këtij çasti të goditjes së bërë në piken e dobët të qeverisë së Tiranës, për këtë të fundit ishte kundërveprimi.
Të pasnesërmen, në 28 tetor 1978, me radiogramin e shifruar nr. 1409 Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë vuri në dijeni ambasadën e saj në Paris “se i arratisuri Lec Shllaku kishte mundur të siguronte autorizimin e Bashkisë së Parisit që një sheshi të tij t’i vihej emri “Skënderbej”.
Në këtë radiogram urgjent udhëzohej ambasada “të interesohej për këtë çështje dhe të ndërhynin pranë MPJ franceze për ta anuluar”.

Rritje e tensionit përplasës në prag të Ditës së Flamurit

Mbetet shumë e pashpjegueshme se si ndodhi që Tirana e mori vesh nga “Liria”, pra prej Nju Jorkut, çfarë sfide në fushën patriotike po i bënte në Paris, në “syrin e botës”, diaspora antikomuniste shqiptare jo vetëm e këtij qyteti dhe e tërë shtetit të Francës, e Belgjikës po ashtu, e cila bashkëpunonte intensivisht, por edhe ajo më e madhja e vendosur në supershtetin e SHBA-ve

1 Sheshi

Këtë herë kuptuan se me imazhin e Gjergj Kastriotit kundërkomunistët po mobilizonin kundër tyre gjithë bashkësinë, në fakt, tepër të përçarë politikisht, të të emigruarve shqiptarë që nuk e donin regjimin e Tiranës. Skënderbeu, gjykonin, mund t’ua forconte unitetin.
Kur Lec Shllaku e pati publikuar lajmin se kishin siguruar zyrtarisht të drejtën që një sheshi të Parisit t’i vihej emri zulmmadh i Skënderbeut, qe fundtetori i motit 1978. Ndërkaq vendimi i Bashkisë së kryeqytetit francez (i Këshillit Bashkiak) bërë mbi propozimin e Komisionit të tij Kulturor, qe i 10 korrikut. Ishte marrë, ndoshta për një simbolikë të rastësishme, në përvjetorin e 100-të të Lidhjes së Prizrenit. Më pas, në betejën me Tiranën zyrtare, antikomunistët këtë hollësi do ta mëshonin fort, si një element tjetër ngadhënjimtar mbi regjimin. Por nuk dhanë kurrë një provë se kombinimi ishte një aftësi organizimi i tyre.
Megjithatë siç të lë pa gojë se si asnjëri nga informatorët e njësisë së zbulimit politik të shtetit të Enver Hoxhës nuk e kishte interceptuar këtë lajm sfidues, të habit edhe ritmi i plogët i dhënies së tij nga pala kundërshtare. Sigurisht, për ta shmangur sa më tepër një përplasje me ambasadën dhe kokëfortësinë e faktit se Franca nën lëkurë ruante një lloj tolerance ndaj Hoxhës si kryetar shteti me kulturë filofranceze, nismëtarët e marrjes së autorizimit patjetër kanë zbatuar një lloj mosdërdëllitjeje të tepërt.

Në kuadrin e shkurtimit të kohës për ambasadën që të kundërvepronte, Lec Shllaku e shpalli publikisht, me anë të një letre dërguar emigracionit kundërkomunist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mes të tetorit dhe këta do ta botonin, siç bënë, në rastin më të parë. Patjetër edhe si një inkurajim për festën e madhe të një muaji më pas: 28 Nëntorit.

Por ndërkaq përhapje të lajmit për sigurimin zyrtar të së drejtës që në një shesh të Parisit, atje ku në vendimin e Bashkisë së Parisit thuhej se territori quhej “Villa Lumiere”, do të emërtohej një shesh me emrin e Skënderbeut, e kreu edhe veprimtari antikomunist shumë i njohur Isa Ndreu, krahu i djathtë i Lec Shllakut (ose edhe e anasjella, sepse qenë një çift i pandashëm, dy shpirtra e dy mendje në një).
Ky jetonte në Firence dhe qe botuesi dhe financuesi i revistës “Koha Jonë”, një e ilustruar me cilësi të lartë teknike si edhe profesionalisht e mbushur me analiza mjaft të kualifikuara. “Koha Jonë” qe media shqiptare e shkruar në emigracion më elitë e kohës (Për këtë ishte meritë e Lecit, intelektual dhe albanolog i vlerave të larta).

docum

Isa Ndreu në “Koha Jonë” ditëve të para të tetorit 1978, ka shumë të ngjarë ende pa e publikuar lajmin në “Liria” Lec Shllaku, botoi një shkrim të tij, në të cilin mes të tjerash thuhej: “Edhe në Paris, në Kryeqytetin e Francës, do të kemi “SHESHIN SKËNDERBEG”. Vendimi u muer prej Këshillit Bashkijak, i cili më datë 10 korrik 1978 dha pëlqimin e vet dhe vendosi që Sheshi AZ/19 të pagëzohet me emrin e Heroit tonë Kombëtar. Për të mbërri në këtë përfundim, që ka gëzue të gjithë Shqiptarët, janë dashtë gati dhjetë vjet, historikun e të cilit do ta botojmë në një vëllim të veçantë ma vonë”.
Në vijim: “Nga letra që zoti Lec Shllaku, iu ka drejtue bashkëatdhetarëve, kuptohet se si janë zhvillue bisedimet dhe korrespodenca në mes Bashkisë dhe tij, dhe sa vullnet të mirë dhe durim i asht dashtë bashkëatdhetarit tonë, deri sa ia ka arrijtë qëllimit: me përjetësue kujtimin e Skënderbeut në Paris”.

Mes Bashkisë së Parisit dhe Ministrisë së Jashtme Franceze
Pas radiogramit të shifruar të Ministrisë së Punëve të Jashtme drejtuar ambasadës në Paris, bërë në 28 tetor, në datën 31, me radiogram 1491 ambasadori shqiptar ktheu këtë përgjigje: “Tuajit numër 3409. Morrëm kontakt me MPJ për problemin e emërtimit në Paris të “Sheshit Skënderbeg”. Më thanë se nuk kanë dijeni dhe çështjen do ta shikojnë. Na thanë se mund ta bënit kërkesën edhe me notë, por meqë erdhët vetë, po mbajmë shënim dhe do t’u njoftojme”.
Por ditët kalonin dhe në Tiranë prej përfaqësisë së tyre diplomatike në Parisit nuk vinte asnjë njoftim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit. Shënohej se ende nuk u kishin dhënë një përgjigje. Këtë gjendje pa rrugëdalje e sqaroi më në fund radiogrami që iu dërgua Tiranës nga ambasadori. Ishte 23 nëntor.

Mbante numrin 1592.
Në të komunikohej: “Lidhur me tuajin Nr. 3409. Me që deri sot nuk na u dha përgjigje nga MPJ franceze për sa i përket ceremonisë për dhënien e emrit të Skënderbeut një sheshi të Parisit me iniciativën e të arratisurve dhe të bashkisë së Parisit, sot Idajeti shkoi përsëri në MPJ për të marrë përgjigje. I thanë se do të përgjigjen sot ose nesër, por lanë të kuptohet se në disa raste bashkia e Parisit vetëvepron. Në këtë situatë mendoj të kërkoj vetë takim me drejtorin politik dhe të shtroj çështjen duke kërkuar që kjo ceremoni të mos bëhet, sepse Skënderbeu është hero i popullit shqiptar dhe jo i një grushti të arratisurish. Pres gjegje shpejt sepse nga disa të dhëna del se ceremonia mund të bëhet në 28 nëntor”.
E firmosur nga nënministri i Jashtëm Ksenofon Nushi mbi këtë radiogram u shënua me shkrim dore ky udhëzim: Nr 3784, tuajit 1592. “Dakord të shkoni në Ministrinë e Jashtme juve vetë”.

Radiogramin me këtë porosi MPJ e Tiranës, regjistruar me numrin 3784, ia nisi Dhimitër Lamanit në Paris. E udhëzonte që ai personalisht të merrte takim në MPJ franceze “dhe ta ngrinte edhe njëherë këtë çështje”.
Në 27 nëntor 1978 ambasadori njoftonte eprorët: “Në mungesë të drejtorit mora takim të shtunën me zv.drejtorin e MPJ, z. Bochat, dhe i shtrova çështjen e emrit të sheshit Skënderbe, duke kërkuar që të anullohet çdo veprim me “kriminelët e arratisur”. Ai tha se ju keni të drejtë dhe se do të përpiqeshin si ministri pranë bashkisë, por pa na garantuar asgjë se bashkitë janë të pavarura. Na tha se do na përgjigjeshin sa më shpejt si qëndron puna. Sot e hënë Bochati më komunikoi se në 28 nëntor nuk do të bëhet asnjë ceremoni nga bashkia e Parisit dhe kjo është e konfirmuar. Njëkohësisht si më sugjeroi që të marrim pas disa ditësh me bashkinë për të parë mundësinë për bashkëveprim për emërtimin e ndonjë sheshi me emrin e Skënderbeut. Unë mendoj se anulimi është si efekt i ndërhyrjes tonë dhe më tutje do të shohim mundësinë tjetër”.
Lajmi diversiv i radios “Zëri i Amerikës”
Në 2 dhjetor 1978, ambasadës së Parisit i mbërriti nga Ksenofon Nushi radiogrami: “Radio “Zëri i Amerikës” njoftoi se me rastin e 28 Nëntorit “Kolonia Shqiptare” me Lec Shllakun në krye mundi të sigurojë lejen nga Shiraku dhe Komisioni Kulturor i Bashkisë së Parisit për të pagëzuar me emrin e Skënderbeut një shesh të Parisit. Ndërhyni përsëri dhe sqaroni çështjen. Presim”.

Dy ditë më pas, në 4 dhjetor 1978, me radiogramin nr 1866, MPJ në Tiranë informohej nga ambasadori Lamani se “Lidhur me çështjen e venies së emrit të një sheshi në Paris siç ju kemi njoftuar me ndërhyrjen tonë pranë MPJ dhe të kësaj pranë Bashkisë, kjo u anulua. Ne kontrolluam vendin dhe ky shesh është një qoshe e prapambetur e Parisit ku do të ishte shumë keq të vihej emri i heroit tonë përveç anës tjetër që kjo ishte inisiativë e larove që sillen në këto anë”.
Në vijim: “Jemi të mendimit që në një kohë oportune ne të marrim kontakt vetë me Bashkinë e Parisit dhe të kërkojmë vënien e emrit “Skënderbe” të ndonjë sheshi apo rruge të denjë për këtë emër dhe kjo të bëhet me ne që përfaqësojmë vendin tonë në Francë. Lutemi na njoftoni dhe presim mendimin tuaj”.
Pesë ditë më vonë, në 9 dhjetor 1978, ambasadori i përgjigjej Tiranës: “Tuajit Nr. 3859. Nga të dhënat e nga kontaktet tona dhe nga verifikimi edhe njëherë në vend rezulton se nuk është bërë asnjë ceremoni lidhur me “Skënderbenë”. Pra, lajmi i dhënë është fallco dhe i bërë me qëllim për të larë faqen përpara njerëzve që janë mashtruar dhe të cilëve mund t’u kenë marrë edhe para. Vetë lajmi siç e pamë në axhanset ishte i dyshimtë”.
(Historia e betejës mes antikomunistëve të emigracionit politik shqiptar në Perëndim, veçanërisht atij të vendosur në Francë, dhe qeverisë komuniste të Tiranës zyrtare është tepër e gjatë në kohë dhe shkon prej vitit 1968 deri dy dekada më pas, ku një kulm tjetër e ka në motet 1980-1982, periudhë kur u krye ceremonia e vendosjes së emrit “Skënderbej” një sheshi të Parisit.

Vazhdimin dhe plotësimin e kësaj historie për lexuesin autori i këtyre radhëve do ta përmbushë së shpejti, por duke e mbyllur këtë pjesë të tërë intrigës së porsarrëfyer, ngul këmbë të saktësojë dy rrethana:
As Lec Shllaku dhe as Isa Ndreu nuk qenë të arratisur. I pari kishte ndjekur studimet e larta në Firence për pedagogji dhe në të njëjtën kohë i dyti po në këtë qytet për filozofi. U diplomuan me rezultate të shkëlqyera universitare. Çlirimi i Shqipërisë i gjeti në Itali dhe ata, thjesht duke parë veprimet e regjimit të ri si edhe përndjekjeve që po u bënte familjeve të tyre, nuk u rikthyen më.

Personi i ambasadës që u ngarkua të shkonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Franës për të komunikuar qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ishte konsulli Idajet Hoxha, punonjës me kontribut për rritjen e kontakteve kulturore mes Shqipërisë dhe Francës, shtimit të veprimtarive artistike dhe botimit të librave të autorëve shqiptarë. Ai qe njëkohësisht edhe zbulues politik. Krahas dokumenteve nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me burim atë, sepse jeton dhe kujtesën e ka në gjendje shumë të kthjellët, do të kemi rast më vonë të plotësojmë pamjen e kësaj ngjarjeje historike).

Filed Under: Politike Tagged With: Isa Ndreu & Lec Shllaku, Place DE SKanderbeg, Ylli Poloviva

Kosova 10 vjet pavarësi, Presidenti i adresohet Qeverisë

February 5, 2018 by dgreca

-Kosova 10 vjet pavarësi, presidenti Thaçi në mbledhjen e qeverisë: Rrugëtimi ynë është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik/

1 Qeveri President

  -Presidenti bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë/

2 Thaci-qeveri

 -Kryeministri Haradinaj ka theksuar angazhimin e qeverisë që tre propozimet e presidentit t’i procedojë në një afat sa më të shpejtë/

1 Behlul Kamera

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 5 Shkurt 2018/ Rrugëtimi ynë, i Kosovës, është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik, tha sot presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkohë që nisin aktivitetet festës së 10 vjetorit të pavarësisë/

“Qeveria e Kosovës e ka pasur, e ka dhe do ta ketë mbështetjen  time të plotë në thellimin  e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, në konsolidimin e brendshëm e ndërkombtërar si shtet”, u shpreh presidenti.Duke theksuar të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit ai tha se, “është momenti i duhur që Bashkimi Evrlopian të konfirmojë se i përket tërë Evropa Juglindore”.
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës presidenti Thaçi bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë.Duke folur për këto tre propozime presidenti i Kosovës, Thaçi tha:“Në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë dhe dekadat e ardhshme, duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.

Në shërbim të këtij qëllimi, kabinetit qeveritar i bëra tri propozime, të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të vendit tonë.Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e Kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore, si domosdoshmëri e kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës.

Së dyti, e dimë se vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por ,kjo nuk mjafton. Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë ‘Muzeu i Pavarësisë’, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Dhe, së treti, kryeqyteti i Kosovës, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e Obeliskut të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilët do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota”.

Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ishte ftuar që me një fjalë t’i adresohej Qeverisë në mbledhjen e sotme.Në vijim të mbledhjes, pas adresimit të presidentit Hashim Thaçi për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar angazhimin e qeverisë që tre propozimet e presidentit t’i procedojë në një afat sa më të shpejtë.Kryeministri njoftoi kabinetin qeveritar me zhvillimet e përgatitjeve për shënimin e dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë që mbahen nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Kosova në 10 vitet e pavarësisë ka bërë progres të gjithanshëm, ka vlerësuar presidenti Thaçi, në fillimin e këtij muaji, kur kremtohet jubileu i dhjetëvjetorit të 17 Shkurtit historik 2008.

 “Këto kanë qenë 10 vite të progresit të gjithanshëm, të konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm shtetëror të Kosovës, të 115 njohjeve ndërkombëtare, të anëtarësimit në shumë e shumë organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi në takim me mediat, ku ishte edhe korrespondenti i akredituar i Gazetës DIELLI.

Kosova e pavarur deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Presidenca e Kosovës është duke bërë akreditimin e gazetarëve për mbulimin medial të aktiviteteve për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

“Në kuadër të manifestimeve për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nga 8 deri më 18 shkurt 2018, do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, sportive dhe politike. Në këto aktivitete do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare”, theksojnë në Presidencë.

Presidenca e Kosovës bën të ditur se ndonëse shumica e aktiviteteve do të jenë të hapura për mediat, aktivitetet e planifikuara në 17 dhe 18 shkurt 2018 do të jenë më të kufizuara, prandaj për të lehtësuar punën  dhe për t’iu mundësuar qasje në këto aktivitete, gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët, si vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë, duhet të pajisen me kartelat e veçanta të akreditimit për shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Me mbështetje e organizim nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme, gjatë fundjaves së kaluar në Prishtinë janë mbledhur dhjetëra wikipedian vullnetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, ndërkohë që javën tjetër do të ketë edhe nga Evropa për ta pasuruar enciklopedinë e lirë wikipedia me artikuj dhe fotografi mbi Kosovën.

Ky aktivitet, është organizuar me rastin e shënimit të vitit jubilar të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që synohet që të vazhdojë të shtrihet në gjithë Kosovën, duke përfshirë vullnetarë të ri dhe kreativë.

Wikipedianët vullnetarë nëpërmjet Wiki-Academy Kosovo 2018, vetëm gjatë fundjaves së kaluar kanë pasuruar enciklopedinë Wikipedia me qindra artikujt dhe fotografi, ndërkohë që po aq pritet të shtohen edhe gjatë ditëve të ardhshme të punës dhe brenda dy punëtorive të radhës, që do të mbahen në fundjavën e ardhshme,  në 10 e 11 Shkurt 2018 në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK).

FILLOJNË PËRGATITJET PËR MANIFESTIMIN “EPOPEJA E UÇK-së”

Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria e Kosovës miratoi vendimin për t’i rekomanduar presidentit të Republikës që të autorizojë ministren e Integrimeve Evropiane për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit zhvillimor të asistencës teknike në procesin e integrimeve evropiane.U miratu edhe vendimi për t’i rekomanduar presidentit të Republikës që të autorizojë ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Erasmus Plus”, program i Bashkimit Evropian për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.Qeveria mirtoi edhe nismat për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të grantit në mes Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për financimin e projektit për menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe projektit për shërbime profesionale të pranuesit në kuadër të Programit II të menaxhimit të mbeturinave.Me kërkesë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës qeveria vendosi që të përjashthet nga procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik  blerja e pajisjeve të ndjeshme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.Kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Ministria e Forcës së Sigurisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Zyra për çështjen e kategorive të dala nga lufta, të fillojnë përgatitjet për manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, që do të zhvillohet në javën e parë të marsit nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.

***

-Fjalimi i plotë i presidentit Hashim Thaçi drejtuar kabinetit qeveritar për nder të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës -5 Shkurt 2018/

I nderuari Kryeministër Haradinaj
Të nderuar zëvendës-kryeministra, ministra
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj

Ju faleminderit shumë i nderuar kryeministër Haradinaj për ftesën që të marr pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Jemi në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, që për mua, për secilin nga ju, e mbi të gjitha për qytetarët tanë, duhet të jetë një moment krenarie për rrugën tonë të shtet ndërtimit.Gjithashtu, jemi në prag të publikimit të strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor e cila patjetër që duhet të krijoj mundësi unike për anëtarësim në BE për Kosovën dhe tërë rajonin.Është momenti duhur që Bashkimi Evropian të konfirmojë se tërë Evropa Juglindore i përket BE-së, e jo ideologjive tjera që cenojnë vlerat dhe parimet perëndimore. Nënshkrimi i MSA-së për ne ka qenë mirënjohje për reformat që kemi bërë në të gjithë sektorët: në ekonomi, në politikë dhe në sundim të ligjit.Por është edhe udhërrëfyes për rrugën tonë integruese në BE.Duke ju uruar dhe përgëzuar për punën i nderuari kryeministër dhe kabinetin tuaj, unë ftoj qeverinë që të punoj më intensitet të madh për zbatimin e MSA-së dhe të Agjendës Evropiane të Reformave. Në kuadër të kësaj edhe të gjitha institucionet, edhe Presidenca, edhe Parlamenti, edhe nivelet lokale në një bashkëpunim të ngushtë edhe me shoqërinë civile, edhe me mediat, personalitet publike dhe me të gjithë njerëzit kontributdhënës.Natyrisht, fokus i vazhdueshëm i yni duhet të jetë zhvillimi ekonomik, ishte historike nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re nga Qeveria e Kosovës, për çka ju uroj dhe përgëzoj i nderuari kryeministër për rolin tuaj udhëheqës.Rritja e mirëqenies së qytetarëve, rritja e cilësisë së arsimit, shërbimeve mjekësore, rritja e kujdesit për familjet e dëshmorëve dhe kujdesi i vazhduar për veteranët e UÇK-së, hapja e vendeve të reja të punës, e shumë e shumë çështje tjera mbeten prioritete të të gjitha institucioneve të vendit.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Kabinet qeveritar, 
Qytetarë të Republikës së Kosovës, 

Mua më vjen mirë që në këto dhjetë vjet të shtetit tonë kemi shënuar progres të vazhdueshëm, edhe pse jo gjithmonë aq sa meritojnë qytetarët tanë.

Kërkesat e qytetarëve kanë qenë  shumë më të mëdha, se mundësitë që kemi pasur si shtet.

Por trendët janë pozitive dhe një gjë e tillë duhet të na motivoj të gjithëve që të ecim përpara.

Shtet-ndërtimi për ne, nuk ka qenë aspak një proces i lehtë për arsyet që ne të gjithë i dimë.

Kosovës i është dashur që të përballet me sfida shumë të mëdha për të konsoliduar shtetësinë tonë jo vetëm në arenën ndërkombëtare por edhe në planin e brendshëm.

Vetëm para dhjetë vitesh, pjesa veriore e Kosovës ishe nën kontrollin e strukturave ilegale të Serbisë.

Ndërsa realiteti i sotëm atje është krejt ndryshe. Kemi arritur të mbajmë zgjedhje komunale dhe qendrore, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, përmes të cilave qytetarët tanë kanë zgjedhur liderët e tyre që janë të përfaqësuar në Parlament, në Qeveri dhe në institucionet lokale.

Kemi instaluar policinë dhe gjyqësorin tonë.

Në pikat kufitare në veri të Kosovës janë policët dhe doganierët kosovarë.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Brenda kësaj periudhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me shtetet e rajonit.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ka dhënë rezultate pozitive, ani pse ka mbetur për tu bërë edhe shumë.

Tani jemi futur në fazën përmbyllëse të këtij procesi dhe jemi duke punuar që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare e cila nënkupton normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe pajtim nder shtetëror.

Pa asnjë dyshim, sot jemi shembull i mirë i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira me të gjithë.

Për një shtet të ri, të vogël, të shkatërruar nga lufta, këto të arritura, për një kohë kaq të shkurtë, janë inkurajuese.

Derisa po përgatitemi të festojmë ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, jemi krenar me të arriturat e njerëzve tanë në shumë fusha.

Medaljet në sport, shpërblimet në art e kulturë, të arriturat në shkencë e inovacion të të rinjve kosovarë e bëjnë krenar çdo qytetar të Republikës sonë.

Sukseset e tyre meritojnë edhe më shumë vend në hapësirën tonë publike dhe vëmendje më të madhe të institucioneve tona.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, 

Derisa numërojmë të arriturat e shtetit të Kosovës, sigurisht që nuk mund të mos i përmendim edhe aspiratat për të ardhmen si dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi.

Edhe pse e dimë se cili është destinacioni ynë, rruga deri në NATO e BE nuk është e lehtë dhe e shpejtë.

Kjo kërkon përkushtim dhe punë të përqendruar në përballimin e sfidave, atyre të menjëhershme si dhe të atyre afatgjata.

Sfidat e menjëhershme mbesin plotësimi i të gjitha kushteve për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, transformimin e shpejtë e të suksesshëm të Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, luftimi i radikalizmit dhe ekstremizmit si dhe ruajtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative.

Por duhet qenë inkurajues në angazhimet që kemi bërë deri më tani, sepse kemi plotësuar kriteret për liberalizim, natyrisht duke mirëpritur dhe janë shumë të mirëseardhur përpjekjet e fundit që të gjendet një rrugëdalje për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Është për lëvdatë edhe puna e pjesëtarëve të FSK-së që të përfshijnë të gjitha komunitetet dhe të shtojnë nivelin e profesionalizmit, ndërtimin multietnik të kësaj ushtrie, duke bërë të mundur  themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Si shoqëri kemi qenë të vendosur dhe kemi vepruar bashkë, në nivel institucional dhe në nivel të përgjithshëm shoqëror, që ta parandalojmë depërtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në shoqërinë tonë.

Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë aktive e luftës antiterroriste, pra e koalicionit global antiterrorist.

Duke qëndruar prapa obligimeve tona ndërkombëtare, nga njëra anë demonstrojmë  përgjegjësi të lartë para bashkësisë ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, ruajmë dhe forcojmë partneritetin me aleatët tanë ndërkombëtarë.

Ndër sfidat afatgjate janë ato të njëjtat që kanë qenë sikur të gjitha shtetet tjera fqinje – zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Edhe sa i përket gjykatës speciale ani pse e padrejtë historikisht, Kosova ka marrë obligimet e veta dhe do t’i kryej me përpikëri marrëveshjet që kemi arritur.

Edhe ky vendim është bërë për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n.

I nderuari kryeministër Haradinaj,  
Kabinet qeveritar

Është e vërtetë që në historinë tonë, nocioni shtet shumë gjatë ka qenë sinonim  i një trupi të huaj dhe armiqësor.

Por, fatbardhësisht, prej çlirimit të Kosovës, e sidomos dekada e fundit dëshmon faktin që për herë të parë në histori kemi shtetin tonë, që punon për paqe, siguri dhe mirëqenie të qytetarëve tanë.

Ndërtimi i shtetit kërkon sakrifica dhe punë të përhershme.

Ne e kemi për detyrë që të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë.

Për këtë qëllim, ne duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.

Qeveria e Kosovës, e ka pasur e ka dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë.

Do ta ketë mbështetjen time të plotë në thellimin e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, konsolidimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si shtet.

Prandaj, ju uroj i nderuari kryeministër Haradinaj ju dhe ekipin tuaj, për hapat që i keni ndërmarrë në këtë periudhë të shkurtër kohore.

Jam shumë i vetëdijshëm për lëshimet, dobësitë, sfidat që mund të ballafaqohemi në punët tona ditore, por rrugëtimi ynë është i qartë i saktë, dhe me vizion euroatlantik.

Në shërbim të këtij qëllimi, si presidenti i Republikës së Kosovës, duke ju falënderuar edhe njëherë për ftesën tuaj që të marrë pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë në prag të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, duke përfituar nga kjo mundësi e sotme, por edhe traditë e re që uroj që të vazhdon edhe në të ardhmen, unë dua të bëj sot me mirëkuptimin tuaj tri propozime të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e kabinetit qeveritar dhe të qytetarëve të vendit tonë.

Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore si domosdoshmëri e kohë dhe prezantimit real të  zhvillimit të Kosovës.

Së dyti, vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por kjo nuk mjafton.

Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë Muzeu i Pavarësisë, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Dhe së treti, kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e një Obelisku të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilit do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota.

Unë dua të besoj së shteti ynë, përkundër sfidave të mëdha që kemi, do të gjej mënyrën e duhur për t’i bërë realitet këto projekte të rëndësishme, të cilat do të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë historike pozitive.

I nderuar kryeministër Haradinaj, 
Kabinet qeveritar,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Këto dhjetë vite kanë qenë vite të suksesit por edhe të mësimit me përgjegjësitë dhe obligimet që kemi përballë institucioneve tona shtetërore.

Kemi ecur shumë dhe kemi arritur suksese të pamohueshme.

Jemi mirënjohës për sakrificat e bëra nga gjenerata të tëra për shtetin tonë.

Pas pak do të shënojmë edhe 20 vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe Epopejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E dimë se cili është destinacioni ynë, integrimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO, për këtë na nevojitet punë dhe përkushtim i të gjithëve, i Qeverisë, Presidencës, Parlamentit, partive opozitare, shoqërisë civile, mediave, të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë dhe mbështetjen e diasporës, por unë kam besim se bashkë do t’ia arrijmë.

Kam besim tek qytetarët tanë, ne duhet ta kultivojmë besimin e qytetarit tek politika dhe institucionet që duke punuar së bashku dhe me përkushtim, jo vetëm që do të ecim me hapa të sigurt drejt familjes euro-atlantike, por do të forcojmë edhe më tepër dashurinë dhe respektin për shtetin tonë, për të kaluarën tonë, por para së gjithash për të ardhmen tonë.

Edhe njëherë Gëzuar dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës juve kryeministër i nderuar, juve Kabinet qeveritar, qytetarë të Republikës së Kosovës, është një nder dhe kënaqësi e veçantë që kisha këtë mundësi që t’ju drejtohem sot dhe ju falënderoj për këtë mundësi edhe njëherë i nderuari kryeministër.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova 10 Vjet Pavaresi, Presidenti Thaçi, qeveria

Çështja Çame, Varrezat greke, kufiri detar-Kryediplomati qumështor & ministri riosh

February 1, 2018 by dgreca

Ditmir Kotzias

*Kryediplomati qumështor ministri riosh, Dhimitër-Ditmir Bushati me deklaratat e tij në Komisionin e politikës së jashtme se çamët t’i gëzojnë pronat e tyre, u bë qesharaku më i madh që ka njohur diplomacia shqiptare. Pas kësaj deklarate, tre herë brenda pak orësh reagoi ministri grek i punëve të jashtme Nikos Kotzias duke mohuar kategorikisht mikun e tij të “pagëzuar” nga ai vetë nga Ditmir në Dhimitër. Kotzias shkojë edhe më tej duke deklaruar se i morëm Shqipërisë 12 milje det, varrezat, shkollat, ndërtimin e disa kishave greke, si dhe përgatitjen e teksteve shkollore të arsimit në jugun e Shqipërisë në Greqi./

1-arben-llalla-250x299

Nga Arben Llalla/

Deri para dy vjetësh Edi Rama ulërinte në Kuvendin e Shqipërisë, nëpër media se Çështja Çame ekziston dhe ai vetë do i jepte zgjidhje, ndërsa shpallej si udhëheqës mbarëshqiptare: “Nëse nuk është Çështje Çame, atëherë po ju them që është Çështje Shqiptare”. Rama i drejtonte gishtin Tsipras-it që çamët duhet të rikthehen në bazë të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në Çamëri.

Por, i gjithë ai fjalor i fryrë i Edi Ramës paska qenë një rrenë, e folme jo prej politikani, por prej skizofreni duke nxjerrë në pah anët e brendshme psikologjike të dosjes së çmendurisë së Dinçit, e botuar dikur nga Merua.

Strategjia për izolimin e Çështjes Çame dhe të përfaqësuesve të saj politikë të grupuar në PDIU ka qenë e përgatitur në tinëzisht në bashkëpunim me zbulimin dhe kundërzbulimin grek. Nuk ishte rastësi shtyrja e orës së votimit, ku Saimir Tahiri mbushi kutitë e votimit në Tiranë dhe i quajtën qëllimisht të pavleshme qindra vota të PDIU-së, në mënyrë që Shpëtim Idrizi të mos ishte sot deputet. Është e qartë që ka patur një dëshirë të Asfalisë që zëri i Çamërisë mos të ishte as në Kuvendin e Shqipërisë, por mbi të gjitha në forumet ligjvënëse të Brukselit. Shpëtim Idrizi ishte kthyer halë në sytë e grekëve, por edhe pengesë për zbatimin e platin Megalo Idesë së Greqisë, e cila tani rrëmbeu 12 milje pjesë të detit shqiptar, varrezat bosh të ushtarëve grekë në jug, mbylljen e Çështjes Çame. Strategjia “përça e sundo” që u përdor nga marrëveshja e fshehtë Rama-Basha e arriti suksesin e saj duke keqpërdorur besimin e shqiptarëve, në veçanti atyre me origjinë nga Çamëria, të cilët një pjesë u vunë në shërbim edhe të Vangjel Dules.

(Ka të dhëna filmike për masakrat e votave të çamëve nga ana e përfaqësuesve të ngushtë të Ramës.)

Skizofrenia e Ramës është zgjeruar andej dhe këtej kufirit shqiptaro-shqiptar. Ai rrahu gjoksin se kishte nënshkruar platformë kombëtare me partitë shqiptare në Maqedoni, por doli një pikë uji në oqean. Thërriti me sa kishte zë që pati zyrtarizuar gjuhën shqipe në Maqedoni, por mjerani, mjeran mbetet. Kujton se gjuha shqipe kishte qenë ilegale deri dje në Maqedoni? Por shqiptarët në Maqedoni si njerëz luftarak e themeluan universitetin në gjuhën shqipe qysh më 1994. Gjuha shqipe ka qenë zyrtare, por u avancua, falë Marrëveshjes së Ohrit, Komisionit të Venecias dhe zemërgjerësis së Zaevit. (Duan apo nuk duan shqiptarët Zaevi ka një kontribut të veçantë në avancimin e çështjeve shqiptare në këtë qeveri).

Kryediplomati qumështor ministri riosh, Dhimitër-Ditmir Bushati me deklaratat e tij në Komisionin e politikës së jashtme se çamët t’i gëzojnë pronat e tyre, u bë qesharaku më i madh që ka njohur diplomacia shqiptare. Pas kësaj deklarate, tre herë brenda pak orësh reagoi ministri grek i punëve të jashtme Nikos Kotzias duke mohuar kategorikisht mikun e tij të “pagëzuar” nga ai vetë nga Ditmir në Dhimitër. Kotzias shkojë edhe më tej duke deklaruar se i morëm Shqipërisë 12 milje det, varrezat, shkollat, ndërtimin e disa kishave greke, si dhe përgatitjen e teksteve shkollore të arsimit në jugun e Shqipërisë në Greqi.

Sa herë që zhvillohen bisedimet greko-shqiptare midis Kotzias dhe Bushatit, shqiptarët i kanë mësuar se çfarë u bisedua nga Kotzias dhe midiat greke, ndërsa Bushati ka heshtur duke deklaruar se jemi në rrugë të mbarë.

Por, përse kaq marri dhe rrena nga Rama dhe Bushatit? Nga bisedat në rrethin e ngushtë të PS, Rama thotë që jam i interesuar vetëm për hapjen e bisedimeve në BE që të shkruaj historinë e suksesit. Por, Rama duhet ta dijë se shqiptarët nuk kanë nevojë për votën greke me çmimin e sakatimit të çështjeve kombëtare dhe të Shqipërisë. Pra, ne duhet të shkojmë në Europë si shqiptarë me duar e këmbë dhe jo sakatë, sepse sakati nuk i hyn punë kujt.

Filed Under: Politike Tagged With: arben llalla, ceshtja came, Kryeminstri qumeshtor

ALEATЁT E NEVOJSHЁM PЁR SH.B.A.

January 31, 2018 by dgreca

1 SERGIO ROMANO

Shkruar nga SERGIO ROMANO/

1-eugjen-merlika

E shqipёroi Eugjen Merlika/

Fjalёt e Donald Trump-it nё Davos – “Amerika para sё gjithash nuk ёshtё njё Amerikё e izoluar” – i pёrkasin pohimeve tё gёnjeshtёrta e pak qetёsuese. Izolacionizmi nuk ёshtё i huaj pёr historinё e Shteteve tё Bashkuara. Qe izolacionist Washingtoni, babai i kombit kur, duke u ndarё nga jeta publike, i porositi bashkatdhetarёt e tij tё mos pёrziheshin nё andrallat e Shteteve evropiane. Ishin izolacionistё senatorёt qё nuk pranuan tё miratojnё traktatet e Versailles dhe nuk i lejuan Vendit tё tyre tё bёnte pjesё nё Shoqёrinё e Kombeve (njё organizatё e konceptuar nga presidenti i tyre). Ishte izolacionist Kongresi qё do tё kishte penguar Franklin D. Roosevelt tё hynte nё luftё, nё fund tё 1941, nёse sulmi japonez i Pearl Harbor-it nuk do tё kishte shkaktuar zёmёrimin dhe acarimin e popullit amerikan. Ka gjurmё tё izolacionizmit edhe nё ngasjet e njёanёshme, tё cilave shpesh  Amerika i ka lёshuar pe nё rrjedhёn e historisё sё saj.

Por Shteti  nё tё cilin Trump-i ёshtё shpallur president, mbas votimeve tё 2016, ёshtё krejt ndryshe nga Amerika e atёherёshme. Ёshtё njё Vend qё, gjatё shtatёdhjetё viteve tё fundit,  e ka fuqizuar hegjemoninё e saj duke ndёrtuar njё rrjetё tё dёndur aleancash, shoqatash, bashkёpunimesh, institucionesh mbikombёtarё dhe pёrgjegjёsìsh tё pёrbashkёta. A beson me tё vёrtetё Trump-i se do tё mundet t’a bёjё Amerikёn “great again” (pёrsёri tё madhe), nёse heq dorё nga kёta instrumentё ?

Dokumenti vjetor i sigurisё kombёtare, i botuar nga presidenza e sotme nё dhjetorin e shkuar, tregon se Trump-i dhe shtatmadhoria e tij kanё njё koncept global tё sigurisё amerikane ; dhe nga teksti pёrceptohet vazhdimisht ndiesia se Shtetet ambiciozё dhe pak tё prirur pёr tё pranuar udhёheqjen amerikane, duhet tё trajtohen si armiq tё mundshёm.

Ёshtё e vёshtirё tё pёrfytyrohet qё njё njeri i nxitur nga tё tilla ndjenja do tё donte tё hiqte dorё nga bazat e shumta ushtarake (disa dhjetra nё pesё kontinentet) qё ka trashёguar nga paraardhёsit e tij. Por kёto baza janё krijuar nё njё epokё, nё tё cilёn Vёndi pritёs dhё Vёndi mik kishin interesa tё pёrbashkёta dhe nё rastet e jashtzakonёshme tё njёjtit armiq.

A mund tё kenё mё interesa tё pёrbashkёta, kryesisht mbas mbarimit tё Luftёs sё ftohtё, nёse Trump-i do tё vazhdojё t’i trajtojё rregullat e shumanёshme tё tregёtisё ndёrkombёtare si hekura tё njё burgu qё Vendi i tij don t’i kёpusё ? Trump-i do tё pёrgjigjej si nё Davos, duke lёvduar pasojat e reformёs sё tij fiskale dhe duke mbrojtur idenё se kur Amerika rritet rriten tё gjithё. Por nё tё vёrtetё tё gjithё rriten sё bashku vetёm atёherё kur çdo Vend, duke ndjekur objektivat e tij, ёshtё i vetёdijshёm pёr kёrkesat e atyre me tё cilёt do tё arrijё njё marrёveshje. Ashtu si nё vitet Tridhjetё proteksionizmi mund tё pjellё vetёm tё tjerё proteksionizma.

Nё fund tё fundit problemi ёshtё para sё gjithёsh amerikan. U takon zgjedhёsve tё Shteteve tё Bashkuara tё vendosin nёse mbas strategjive tё Trump-it fshihet perspektiva e njё rёnieje pёrparuese tё Vendit tё tyre, apo nёse ёshtё interesi i Amerikёs tё ndryshojё rrugё.

“Corriere della Sera” , 30 janar 2018

E shqipёroi Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: ALEATЁT E NEVOJSHЁM PЁR SH.B.A., perktheu Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 499
  • 500
  • 501
  • 502
  • 503
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT