• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GEORGE ORWELL :“ËSHTË NJË AKT REVOLUCIONAR TË THUHET E VËRTETA NË KOHË GËNJESHTRASH”

January 30, 2018 by dgreca

1 George Orwell”Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon kohën e tanishme, kontrollon edhe të kaluarën.” (George Orwell,”1984”)/

1-Frank-300x212 

Nga Frank Shkreli/

 Në janar të vitit 1950 vdiq Eric Arthur Blair (25 Qershor 1903 – 21 Janar 1950) ose siç njihej më mirë me emrin George Orwell, novelisti, gazetari, kritiku dhe eseisti britanik, i njohur për veprat e tija mbi padrejtsitë shoqërore, për kritikat letrare dhe si gazetar polemik, ndërkohë që është dalluar sidomos për kundërshtimet e tija të forta ndaj totalitarizmit si dhe për shkrimet në mbështetje të socializmit demokratik. 

Por Xhorxh Orwell njihet më së miri për dy veprat e famshme klasike, “1984” dhe “Ferma e Kafshëve”, të cilat BBC-ja i ka cilësuar si novelat më të njohura në botë, të shekullit 20.  Ndërsa gazeta Times e Londrës e ka renditur Orwell-in të dytin në listën e 50-shkrimtarëve më të njohur britanikë ç’prej vitit 1945.   “Ferma e Kafshëve” është botuar në vitin 1945, dhe vepra tjetër, “1984” është botuar katër vjet më vonë. Siç le të kuptohet edhe titulli, kjo vepër është një fabul i shkurtër politik, por i bazuar në një të ardhme imagjinare totalitare.  Si mbrojtës i vendosur i lirisë së individit, George Orwell luftoi të gjitha dukuritë dhe çdo formë shtypjeje.  Kjo frymë përshkon pothuaj të gjitha veprat e tija kryesore.

Siç dihet, në romanin e titulluar thjeshtë “1984”, Orwell-i përshkruan një botë të ndarë dhe të pëçarë në konflikt të vazhdueshëm.  Konflikti justifikon sundimin e fortë të qeverisë me qëllim për të kontrolluar dhe për të shtypur individin duke përdorur zhvillimin e shkencës dhe teknologjinë.  Orwelli përshkruan, në këtë vepër, një botë ku jeta private e individit pothuaj nuk ekziston më.   Ndërsa në veprën tjetër të famëshme, “Ferma e kafshëve”, George Orwell I ofron lexuesit një gjëndje të krijuar, ku kafshët, ndërsa heqin qafe pronarin e vjetër njerëzor të tyre, shpresojnë se në këtë mënyrë do të krijojnë një jetë më të mirë dhe më të kënaqshme për veten e tyre.  Por, ndërkohë një elitë tjetër politike, më e mençur, më mizore dhe në mënyrë të vet më e djallëzuar, vjen në fuqi — kafshët e tjera zbulojnë se janë katandisur në një gjëndje edhe më të pa shpresë se përpara, ndërkohë që sundohen dhe kontrollohen me të njëjtat mënyra mizore si më parë.   Në të vërtetë, “Ferma e Kafshëve” është një libër që përshkruan komunizmin dhe totalitarizmin në përgjithësi, jo vetëm në Rusinë e asaj periudhe kur jetoi Orwell-i – por ishte një model që duhej të adaptohej dhe në “fermat”, vendet e tjera komuniste.

Ndonëse sillej si anarkist në 1920-at, me fillimin e dekadës së 1930-ave George Orwell e konsideronte veten si socialist.  Si i tillë, ai shkon në Spanjë për të luftuar në anën e republikanëve, kundër forcave nacionaliste të Francos. Nga Spanja, ai u detyrua të largohej prej frikës se do të vritej nga komunistët e mbështetur nga sovjetët, të cilët po zhduknin kundërshtarët e tyre revolucionarë socialistë, siç ishte Orwell-i — gjatë luftës civile në Spanjë.  Kjo përvojë, sipas BBC-së, e bëri George Orwellin një anti-stalinist të përbetuar dhe të përjetshëm.  Si rrjedhim, “Ferma e kafshëve” e shkruar pas kësaj përvoje të keqe që Orwell me komunistët sovjetikë, është një novelë alegorike e cila pasqyron, sipas tij, ngjarjet nga periudha para Revolucionit Rus të vitit 1917 e deri tek sundimi i diktatorit Stalin i Bashkimit Sovjetik.

Orwell-i e konsideronte Bashkimin Sovjetik si një diktaturë brutale, e themeluar mbi kultin e personalitetit dhe e mbështetur nga sundimi i terrorit.  Derrat si karakterë kryesorë në novelën e tij, “Ferma e kafshëve”, përfaqësojnë udhëheqjen komuniste dhe pjesa tjetër e kafshëve në fermë simbolizojnë pjesë të ndryshme të shoqërisë ruse dhe se si ardhja me dhunë në pushtet e komunistëve në Rusi — kishte prekur jetën e tyre të përditshme.  Dy karakterët kryesorë të novelës — derrat “Napoleoni” dhe “Snowball” — që simbolizojnë Trotskin dhe Stalinin, janë të mbërthyer në një luftë politike, pasi secili prej tyre dëshiron të udhëheq të gjitha kafshët e tjera në fermë.  Më në fund, dy derrat kryesorë konfliktohen me njëri tjetrin se cili prej tyre duhet të ketë më shumë pushtet në fermën e kafshëve.  Më në fund, derri “Napoleon” thërret nëntë qentë e fermës që t’i vërsulen derrit tjetër kundërshtarit “Snoball-it” për ta përzen nga ferma.  Krye-derri “Napoleon” bëhet udhëheqsi numër një në fermë, anullon çdo mbledhje e konsultim dhe deklaron se këtej e tutje vetëm derrat, dhe jo kafshët e tjera, do të marrin të gjitha vendimet për të mirën e përbashkët, ndërsa deklaron se është mik i ngushtë i njerëzve.  Ndërkaq, kafshët që dëgjojnë deklaratën e krye-derrit, ashtu të konfuzuar, nuk dinë se cilët nga ata që gjënden mbrenda fermës, janë njerzit e cilat janë kafshët.

Sa aktuale aq edhe e dhimbëshme dhe tragjike!   Megjithatë, George Orwell nuk ngarkon me faj vetëm klasën sunduese politike për krijimin e një gjëndjeje të tillë si Ferma e Kafshëve në shoqëritë moderne, por edhe ata që e votuan në pushtet elitat politike sunduese, duke thënë se, “Një popull që voton për të zgjedhur politikanë të korruptuar, mashtruesë, hajdutë dhe tradhëtarë, ai popull nuk është viktimë, por bashkëpuntor i tyre”. (George Orwell).

Fatkeqsisht, është e pamundur që mesazhet politike dhe paralajmërimet (1984) e Orwell-it për fund shekullin e 20-ët, të shkruara fillim shekullin e kaluar të mos lidhen me jetën e sotme shoqërore pasi tingëllojnë aqë aktuale me politikën kudo – diku më shumë e diku më pak — përfshirë botën shqiptare.   Si të tilla, megjithse në mënyrë allegorike, (Ferma Kafshëve) veprat e Orwell-it, na kujtojnë gjithashtu edhe aktualitetin politik post-komunist, që po përjetohet sot, edhe në Shqipëri dhe Kosovë — ku shpresohej se me shembjen e komunizmit enverist dhe me çlirimin e Kosovës nga komunizmo-fashizmi serb –duke hequr qafe njëherë e mirë derrat e vjetër të “Fermës së kafshëve”, — kombi shqiptar do të krijonte një jetë më të mirë dhe më të kënaqshme për veten.   Fatkeqsisht, shqiptarët sot e gjejnë veten përsëri në një gjëndje të pa shpresë, megjithse në pushtet është një elitë tjetër sunduese, ndryshe nga ajo e më përparmja, ndonëse gjëndja mund të ketë ndryshuar shumë pak për shumicën dërmuese.  Për të cituar Orwell-n, parulla ka ndryshuar nga, “Të gjitha kafshët janë të barabarta”, në parullën se “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se tjerat”.

Një tjetër shembull, sa për ilustrim, një citim nga vepra “1984” e Orwell-t: “Tani po ua jap përgjigjen ndaj pyetjes time. Partia kërkon pushtetin vetëm për përfitime të veta.  Ne nuk jemi të interesuar për të mirën e të tjerëve. Ne jemi të interesuar vetëm të kontrollojmë pushtetin, pushtetin e vërtetë dhe asgjë tjetër.  Çfarë do të thotë pushtet i vërtetë, ju do ta kuptoni tani.  Ne jemi ndryshe nga oligarkitë e së kaluarës, për faktin se ne dijmë ekzaktërisht se ç’jemi duke bërë.   Të gjithë të tjerët, madje edhe ata nga të cilët kemi marrë shembull, ishin frikacakë dhe hipokritë.   Nazistët gjermanë dhe komunistët rusë ishin shumë afër nesh për nga metodat që përdornin, por ata nuk mundën kurrë të identifikonin motivet e tyre.  Ata silleshin, e ndoshta edhe besonin sikur kishin marrë psuhtetin pa dashur dhe pa vullnet dhe për një kohë të caktuar dhe se së shpejti do të krijohet parasja, ku njerzit do të jetonin të lirë dhe të barabartë.  Ne nuk jemi si ata.  Ne e dijmë se kushdo që merr pushtetin me forcë, bën një gjë të tillë me qëllimin për të mos hequr kurrë më dorë nga pushteti.   Pushteti nuk është një mjet për të arritur diçka por është qëllimi përfundimtar.  Nuk themelohet diktatura për të ruajtur revolucionin. Jo, revolucioni bëhet për të mbështetur e ruajtur diktaturën.  Qëllimi i përsekutimeve, janë përsekutimet.  Objektivi i torturës është tortura. Objektivi i pushtetit është pushteti. Tani, ke filluar t’a kuptosh?”. (George Orwell, “1984”).

”Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon kohën e tanishme, kontrollon edhe të kaluarën.” (George Orwell,”1984”)

“Mënyra më efektive për të shkatërruar një popull është që atij t’i mohohet dhe t’i fshihet nga kujtesa, historia e vet.” (George Orwell)

“Për derisa njerëzit nuk janë të ndërgjegjëshëm, ata nuk do të rebelohen dhe pa u rebeluar, ata nuk do të bëhen të ndërgjegjëshëm.” (George Orwell, “1984”)

        George Orwell ka vdekur me 21 Janar, 1950 në Londër

Filed Under: Politike Tagged With: e verta, Frank shkreli, ne kohen e genjeshtrave

ATIK, HOLEK DHE BERAT, EFTIHIM XHIBLATI DHE HEBRENJTË

January 29, 2018 by dgreca

Shënime të lexuara, jo pa rast, edhe një herë tani vonë/

1 xhevair

Nga Xhevair Lleshi/

 U hodha edhe njëherë sytë shënimeve që kisha mbajtur në fundvitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, mëngjeseve e mbrëmjeve në hotel ‘Arbëria’. E filloja punën herët në mëngjes para se të hyja në kafe e pastaj në Arkivin Qendror deri nga ora gjashtë pasdite, me urinë e madhe për të gjetur gjithçka të veçantë që kishte të bënte me Beratin. Tryeza mbushej e rimbushej edhe qetë edhe zhurmshëm, tetë deri nëntë orë pa lëvizur dhe shtrëngueshëm me veten, deri në kapitje. Pastaj dreka e vonuar, kafe dhe pak dremitje në hotel. Një ritual i përjavshëm. Edhe tani vonë ashtu më ndodhi, veçse ulem më rehat në shtëpi, në moshën e kthyer përmbys dhe filloj të rishoh shënimet e një kujdestari kishe në Kalanë e Beratit më 1907-1908: EFTIHIM XHIBLATI. Po ai Xheblat i Xheblatëve të tanishëm. Ai nxinte letrat e katedrales me shkrimin e tij të hollë me shënime të çfarëdoshme. Ma tërhoqi vëmendjen takimi i tij me Vili Rudobin dhe Juso Alindarin, dy hebrenj nga Holeku, që në fillim dërdëllisnin fjalë shtëpie duke lehtësuar barrën e jetës, për drurët e punuar dhe gurin e gdhendur, për puplën që mblidhnin nga dëllinjën e zezë që sillnin nga Sulova (edhe për dru edhe për frytet që i donte shpirti i njeriut edhe aso kohe, gati të nisnin fluturimin e rrëmujshëm në të gjitha sferat e punëve në qeveri. Pastaj, në ikje Eftihim Xhiblati i kujton të shkojnë në kishën e Doksanit, aty ku ishte edhe ylli i Davidit. Juso dhe Vili qeshnin. Të dy tregtarë të njohur në qytet, të trembur pak nga shtrenjtësia dhe të ngjeshur nga dëshira.

Ulet edhe Eftihim Xhiblati shtrëngueshëm në një tryezë ku zien mendimet me përvëlim. «Një holekas dhe një atikas në kishën e Katedrales. Të dy të njohur. Holeku dhe Atiku kanë çifutë të vjetër në dy shekuj dhe tani kanë ngritur dy lagje. Por pa kishë. Ndaj vijnë në Kala te kisha e Doksanit. I pari me dy gisht ballë e me flokët pis të zinj, tjetri me flokët përpjetë si iriq. Kaherë s’i kam parë këtej pari, veçse i shoh me përdhunë kur më vijnë e më cërcërisin pranë, se nuk duan të takojnë dhespotin…»

Më ka vënë gjithmonë në mendime Eftihim Xhiblati. Edhe në emrat e banorëve, edhe në ngjarjet që ndodhnin, edhe kur shkruante për Sefe Guraziun apo për Elmas Kreshparin. Ky i fundit kishte dy hebrenj që i mbante në dyqanin dhe tregtizën e tij ku përdorte ar e serm për armët që zbukuronte dhe i shiste. Gjithnjë ia mbante të tregonte të vërtetën që bëhej në punët e përditshme, madje edhe në kuplara. «Trembem se këta të mitë t’i nxjerrin sytë me sqep zogu, kurse hebrenjtë e Atikut të japin dritë në sy me duart e tyre…»

Po ku shkuan hebrenjtë e këtyre dy lagjeve të Beratit që ishin vendosur herët dhe kishin dy lagje në shekullin e shtatëmbëdhjetë? Më duket sikur Eftihim Xhiblati shkruan netëve të vona, nën qirinj, me shkrimin e tij të rrumbullakët, duke kaligrafuar një copë herë me shije të hollë dhe lë pas dëshmi në dukje të parëndësishme. «Më dy të vjeshtës së parë, 1907 sipas kalendarit të ri. Ndërsa unë falënderoja me mend miqtë e paftuar që më hiqnin mendjen duke lëvizur lart e poshtë. Pa ikur birbot, që e them me bindje se fitonin shumë, aq shumë sa u dilnin nga sytë, vinin Jusoja me Vilin dhe mua më rrudhej dora… Ktheheshin nga vendi ku ishin falur në kurrizin e Kalasë afër Akropolit…»

«Nuk vonoi dhe të fundit e hebrenjve, miqve të mi, ikën për fare në Vlorë, atje ku kishin vajtur edhe të parët e tyre. Dhe nuk mbeti asnjë. Por s’kanë si t’i largohen strehës së këtushme në këtë qytetin tonë. Dhe dihet të tjerë do të vijnë, e di…»

Nuk mendoja vetëm për hebrenjtë e larguar dhe ata të ardhur. Kur më tha ati i Enisesë, Mikës, Mitatit dhe Xhikes, Isuf Qojlja, që do të flija në sobën e hebrenjve, asokohe më erdhi habi, por vonë-vonë thosha me vete se edhe në atë shtëpi të bukur e mikpritëse duhet të kenë ndenjur hebrenj që ashtu si dhe unë priteshin me bujë të heshtur, ku kurdoherë buçitnin shenjat dhe shqisat, ku ndiqte kafja kafen, po ajo histori e përditshmërisë në çdo qytet të atij shekulli.

Kështu, pa u kuptuar fare, kushdo mund ta pikaste hutimin dhe me të spërkaste shkrimet për historinë dhe për çifutët edhe në Berat si kudo në Shqipëri.

Ata udhëtojnë se u përket bota, kudo kanë biznese, si Jusoja dhe Vili në vitin 1907 nga Holeku dhe Atiku i Beratit në shënimet e të pavdekshmit Eftihim Xhiblati…

 

Tiranë, më 27 janar 2018

Filed Under: Politike Tagged With: ATIK, dhe hebrenjtë?, EFTIHIM XHIBLATI, HOLEK DHE BERAT, Xhevair Lleshi

Në Fort Lauderdale te Florides ka ndërruar jetë Gjergj MARKAJ

January 26, 2018 by dgreca

Lajm Mortor per Gjergj Markaj/1 Gjergj MarkajGazeta DIELLI- Njoftohet komuniteti shqiptar në SHBA dhe në vendlindje se në Fort Lauderdale te Florides ka ndërruar jetë ne North Broward Hospital te Merkuren mbrëma, më 24 janar 2018 z. Gjergj Markaj. Ai u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare, pak ore pas nje aksidenti.
Gjergj Markaj lindi me 7 Maj 1938 në Dedaj te Shkrelit, Shkoder. Gjergji me te shoqen u bashkuan me dy vajzat dhe familjet e tyre ne 15 vitet e fundit, pasi arritën të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dashnia per vajzat, nipat e mbesat, ky model I mrekullueshem i familjes shqiptare per trashegimine e gjuhes amtare dhe traditave, I ndare plot madh mes Amerikes dhe Shqipes Ame, eshte pasunia e pacmuar qe le pas ky prind shembullor.

Gjergji ishte edhe nje frymezues patriot mes vatranesh e komunitetit.
Federata Vatra dhe Gazeta Dielli ngushëllojnë Familjen Markaj.

Familja pret ngushëllime të Dielen me 28 Janar, ora 4 pm deri në 7 pm në Shtëpinë Mortore : McWhite’s Funeral Home, 3501 West Broward Blvd, Fort Lauderdale, FL 33312.
Varrimi bëhet ne Shkoder, sipas amanetit, ku do prehet afer djalit Rodenc Markaj (pritet konfirmimi).

***
Gjergj Markaj passed away at North Broward Hospital on Wednesday evening, January 25, 2018.

He is survived by his loving wife, Marie Markaj (Rudi), their daughters Esmeralda and Margerita, nieces Christiana, Martina and Athena, nephews Richard and Ethan, his sisters Tereza and Katrina. Also survived by many, many more nieces, nephews, great-nieces and great-nephews and cousings.
Family and friends are invited for Memorial Visits at McWhite’s Funeral Home, 3501 West Broward Blvd, Fort Lauderdale, FL 33312 on Sunday, January 28, 2018 from 4:00 – 7:00 PM.

Burial Services will be at Shkoder, Albania (time to be announced).

Filed Under: Politike Tagged With: florida, Gjergj MARKAJ, nderroi jete

KOSOVË-KUVENDI NIS ME SEANCAT E VITIT 2018

January 25, 2018 by dgreca

Kosove-Kuvend-Kuvendi i Kosovës sot në mesditë përfundoi seancën e 14 dhjetorit 2017, ku u diskutua e votua për 5 pika të mbetura të papërfunduara, ndërsa pasdite nisë seancën e parë plenare të vitit 2018 – të sesionit pranveror/

-Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me shumicë votash është procedua për mendim në Qeveri Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndërsa kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit u procedua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione/

-Në mbledhjen e  parë të vitit 2018 të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi  kishte vota të barabarta (5:5), prandaj për procedimin e mëtejmë do të vendosë Kryesia e Kuvendit të Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 25 Janar 2018/  Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot paradite vijimin e seancës plenare të 14 dhjetorit 2017 për 5 pika të mbetura të papërfunduara, ndërsa pasdite nisë seancën e parë plenare të vitit 2018 – të sesionit pranveror.Në fillimin e  vijimit të seancës u konstatua se marrin pjesë 62 deputetë nga Kuvendi 120 aëtarësh, të cilët me shumicë votash miratuan Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016.

Në vijim u kaluan, poashtu me shumicë votash, Raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016, kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa.

Në fillimin e seancës paradite dhanë betimin dy deputetë të rinjë nga Lëvizja Vetëvendosje, Shemsi Syla në vend të Mytaher Haskukajt i zgjedhur kryetar i Prizrenit e Salih Zyba në vend të Qëndron Kastratit i zgjedhur kryetar i Kamenicës në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë.

Në seancën e re të Kuvendit të Kosovës, mes 19 pikave në axhendë janë 6 projektligje – për kontrollin e brendshëm të financave publike; për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik; për trajtimin e ndërtimeve pa leje; për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe  Projektligji për Azil – në shqyrtim të parë, ndërsa në shqyrtim të dytë Projektligji për Standardizim.

Pjesë e axhendës janë edhe shqyrtimi i parë i Projekt Kodit të Drejtësisë për të Mitur, një interpelancë, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm – Axhenda 2030 për Kosovën, si dhe i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026.

Axhenda u përcaktua në 22 janar  në mbledhjen e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, e ftuar për në fillimin e sesionit pranveror në 15 janar, por e shtyrë për datën 17 dhe përsëri e shtyrë në mungesë kuorumi, e ku propozimet dhe kërkesat për shqyrtim kishin të të bëjnë edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Special.

Me shumicë votash u procedua për mendim në Qeveri Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndërsa kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit u procedua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Përfaqësuesit e LDK ishin larguar nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës sapo është përmendur nisma, që e kundërshtojnë, për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.Kuvendi i Kosovës nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, sipas njoftimit zyrtar, ishte në pushim dimëror, pasi me miratimin në shqyrtim të dytë të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve.

Përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh ka dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, ndërsa seanca konstituive me zgjedhjen e kryeparlamentarit me 61 vota dhe Kryesisë është mbajtur në 7 shtator, e në 9 shtator është zgjedhur me 62 vota Qeveria e re. Në mbledhjen e 4 dhjetorit 2017 Qeveria ka vendosur që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk janë në axhendë të seancave plenare.

Në nisjen e sesionit pranveror të hënën e 15 janarit në Kuvendin e Kosovës vijoi shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, në mbledhjen e  parë të vitit 2018 të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Projektligji u hodh në votim, i cili rezultoi me vota të barabarta (5:5), dhe në këtë rast, për procedimin e mëtejmë do të vendosë Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi.

Në 4 gusht 2016 Qeveria e  Kosovës, e mandatit të kaluar, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërsa, në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, Qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura kuvendore. Në ditën e parë të punës të Qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej propozimi për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe paralajmërohej krijimi i Komisionit të ri.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i Kosves per 2018, nis punimet

Flakëkashtizmi i protestave tek ne

January 24, 2018 by dgreca

*… E vetmja gjë që mund t’i thosha opozitarëve apo dhe protestuesve, sikur të më pyesnin, do të qe një formulë fare e thejshtë: radikalizmit të sunduesit fuqiplot mund t’i kundërvihesh vetëm me masa radikale/

1 andon Deda 2

nga Andon Dede, Nju York/

E ç’nuk është thënë e po thuhet për protestën e pritëshme të 27 janarit: se do të bëhet nami, do t’i tregohet vendi kryeministrit aktual dhe Shqipëria do të çlirohet më në fund nga kjo qeveri e korruptuar që mendon vetëm për vete dhe jo për popullin…

Qofsha i gabuar, madje edhe do të gëzohem po të dalë e kundërta, por unë po e them me keqardhje se nuk do të ngjasë asgjë pas kësaj proteste, ashtu siç ka ngjarë përherë pas protestave të tjera si kjo, përjashto ato të fundit të shekullit të kaluar që përmbysën Diktaturën e i hapën rrugën zhvillimeve të reja pluraliste. Por, të mos i bëjmë qefin vetes: edhe ato protesta as që mund të imagjinoheshin më parë, po të mos kishin ndodhur tërë ato përmbysje rreth e qark nesh, që filluan me ngjarjet në Rumani e shembjen e Murit të Berlinit. E keqja është se pas shëmbjes së atij muri, u ngritën të tjera “mure”, jo vetëm tek ne por dhe në gjithë Europën Lindore apo edhe më tej, pasojat e të cilëve kanë lidhje edhe me zhvillimet aktuale. Por, të kthehemi tek tema që nisëm.

E patëm fjalën pra, tek protesta e 27 janarit. Opozita, përmes liderve të saj Basha, Kryemadhi e të tjerë, u ngjir së foluri duke i bërë thirrje popullit që të marrë pjesë në të e duke vënë në dukje arsyet e kësaj pjesëmarrjeje. Ata premtojnë se duke përmbysur Ramën, si sinteza e të gjithë të këqijave tek ne, do t’i hapet rruga zhvillimeve të reja, duke i dhënë fund vuajtjeve që po i marrin frymën shumicës dërrmuese të popullit. Nuk ka mbetur epitet pezhorativ që përmban Fjalori i Gjuhës Shqipe, pa ia faturuar artist-sportist-politikanit që në sundimin e vet ia ka kaluar çdo para-ardhësi pushtet-mbajtës, jo vetëm tek ne por në gjithë Botën. Si zor të gjesh një të dytë, në tërë rruzullin, president, kryeministër, mbret, emir etj. që të vendosë vetë, pa pyetur askënd, jo vetëm për buxhetin e shtetit, detyrat e dikastereve, emërimet e ministrave, ambasadorëve, drejtorëve, presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm por dhe për palmat që do të mbillen rrugëve, për kalldrëmet që do të shtrohen shesheve, ngjyrat që do të lyhen muret e kështu me radhë. Çdo njeri që nuk e njeh realitetin shqiptar, me të drejtë do të mrekullohej nga pohimet e mësipërme e do ta kishte zili atë popull që ka në krye një individ të tillë polivalent. Por, këtij të mrekulluarit do t’i mjaftonin vetëm pak minuta informimi e njohjeje të Shqipërisë së sotme për tu zhgënjyer dhimbshëm: ai shumë shpejt do të kuptojë se ka të bëjë me vendin më të varfër të Europës, populli i të cilit, në shumicën dërrmuese të tij, mezi ngop barkun me bukë; se nga ky vend nisen për çdo ditë motoskafe me tonelata lëndësh narkotike; se të rinjtë e të rejat e këtij vendi po bëjnë ç’është e mundur që të largohen se nuk po gjejnë dot punë e kanë humbur çdo shpresë e plot mangësi të tjera që po t’i radhisnim këtu do të na mbushnin faqe të tëra. Shkurt muhabeti: Opozita ka plotësisht të drejtë në ato që thotë e në kërkesat që mendon të shpallë e trumbetojë më 27 janar. Po atëhere, ku është e keqja, mund të pyesë me të drejtë dikush. Fare e thjeshtë për ta kuptuar: se të gjitha këto i di jo më kryeqeveritari e tërë kasta e politikanëve tanë, në pushtet apo në opozitë, por edhe një fëmijë i kopshtit që sapo ka mësuar kuptimin e këtyre fjalëve. Ja, ky është problemi: protesta si kjo janë bërë sa të duash e nuk kanë sjellë asnjë ndryshim, nga që artist-sportist-politikani ynë as që do t’ia dijë për to. Hallet apo interesat e popullit janë gjëja më e parëndësishme për të. I vetmi rast që mund të më përmendë dikush do të jetë ai i anullimit të shkatërrimit të lëndëve helmuese siriane, por kjo iu imponua, sa nga rreziku që mbartëte pranimi i tyre aq dhe nga masiviteti i protestuesve, si rrallë herë, me që ishte fjala për pasoja katastrofike për jetën e tyre, se po të qe për vullnetin e mirë të kryeqeveritarit tonë, ai tashmë e kishte treguar veten përderisa i kishte pranuar. Ai është gati të bëjë gjithçka, vetëm të mos i kërcënohet karrigia ku është ulur. Ai e ka çimentuar aq fort pushtetin e vet sa që tallet e bën humor me tërë ata që ankohen apo që e kundërshtojnë. Jo vetëm kaq, por ai ka shumë të drejtë kur pohon se edhe nesër të zhvilloheshin zgjedhjet, do t’i fitonte përsëri. Unë e pranoj plotësisht këtë, jo se e meriton, por se e ka treguar me vepra se i zotëron tërë mekanizmat e duhura për t’i manipuluar ato siç ia do qejfi. Mjafton të ndaleh tek një fakt fare i thjeshtë: të gjithë po e pranojnë, madje dhe Rama vetë, se katër vitet e qeverisjes së tij qenë komplet dështim e megjithatë ai fitoi përsëri shumicën. Tjetër punë se në fitoren e tij dha ndihmesën e vet dhe opozita me qëndrimet e saj të papërgjegjëshme, veç të tjerash dhe me shkërmoqjen e saj vështirësisht të riparueshme, por kjo është një temë tjetër.

E, pra, ja pse them se dhe protesta e pritëshme do të jetë një flakë kashte dhe asgjë më tepër, sikur të marrin pjesë në të jo mijëra por dhe miliona veta e nga folësit të thuhen çudira që s’i kemi dëgjuar më parë. (Ndonëse, e përsëris, e kam shumë vështirë të gjej ndonjë gjë të pathënë deri tani, në mitingje e në Parlament).

Nga gjithë sa më sipër, mos duhet menduar se ka humbur çdo shpresë ndryshimi për mirë në atë vend e për atë popull?! E kam vështirë të pohoj të kundërtën. E vetmja gjë që mund t’i thosha opozitarëve apo dhe protestuesve, sikur të më pyesnin, do të qe një formulë fare e thejshtë: radikalizmit të sunduesit fuqiplot mund t’i kundërvihesh vetëm me masa radikale. Çdo rrugë tjetër më duket krejt humbje kohe e energjish. Por, për fat të mirë apo të keq, as që më pyet e aq më pak, as nuk më dëgjon njeri.

Nju York, 24 janar 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Andon Dede, Flakëkashtizmi, i protestave tek ne

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 500
  • 501
  • 502
  • 503
  • 504
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT