• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

„Fire and Fury“: Kush është autori Michael Wolff?

January 6, 2018 by dgreca

Libri i Michael Wolff me zbulime për presidentin, Donald Trump ka zënë vendin e parë në listën e bestsellerëve në Amazon. Por kush është personi pas këtij libri?1 autori i librit

Të shtunën (06.01), autori i librit që po ndiqet më vëmendje në të gjithë botën, Michael Wolff është shprehur për BBC, se me gjasa libri i tij me zbulime, mund të shënojë edhe fundin e presidencës së Donald Trump, shkruan agjencia Reuters.

Pasi ka punuar 40 vjet si gazetar, Michael Wolff bëhet brenda natës një njeri i famshëm me librin „Fire and Fury- „Zjarr dhe zemërim – brenda Shtëpisë së Bardhë të Trumpit”. Libri i tij tregon një Shtëpi të Bardhë disfunksionale nën qeverisjen e keqe të Donald Trump. Interesi për librin e tij është kaq i madh, saqë shtëpia botuese, Henry Holt dhe Company e nxorri botimin më shpejt se pritej, të premten.

Kush është Michael Wolff?

USA Washington Buch Fire and Fury: Inside the Trump White House (Reuters/C. Barria)

64 vjeçari ka qenë gati i panjohur për peizazhin mediatik amerikan. Wolff ka lindur në New Jersey dhe ka studiuar në Universitetin Columbia. Karrierën si gazetar ai e filloi në New York Times si asistent. Ai ka shkruar disa libra, ndër më të njohurit portreti „Moguli mediatik: Bota e Rupert Murdoch.” Edhe Murdoch ishte i pakënaqur, si Trump me prezantimin e portretit të tij. Të habit fakti që Trump i lejoi gazetarit të lëvizë lirisht nëpër Shtëpinë e Bardhë, të pyesë dhe të vëzhgojë. Sipas të dhënave të tij, Wolff ka intervistuar mbi 200 vetë.

Sa i besueshëm është Wolff?

Trump vërtet shpesh i ka emërtuar artikujt kritikë kundër tij si „fake news”, por në rastin e Wolf edhe kolegët gazetarë kanë shtruar pyetjen, se sa vëmendje i kushton ky gazetar të vërtetës. Një artikull i njohur për të është shkruar nga Michelle Cottle. Në revistën politike „New Republic”” ajo shkroi se „vetë Wolff pranon se raportimi konvencional nuk është gjë për të. Ai thith më shumë atmosferën, thashetheme, qofshin këto në party apo në rrugë, sidomos në drekat e shtruara mirë.” Wolff megjithatë është nderuar dy herë me Çmimin National Magazine të SHBA, njërin çmim për një seri të shkruar për luftën në Irak.

Trump e cilësoi gazetarin pas botimit të librit si „dështak total”. Sipas tij ai ka „shpikur histori për të shitur librin e tij të mërzitshëm dhe me gënjeshtra.” „Fire and Fury” është plot zbulime që tërheqin vëmendjen. Madje disa nga komentet më të habitshme vijnë nga vetë Steve Bannon, kryestrategu i mëparshëm në Shtëpinë e Bardhë, që tani drejton sërish „Breitbart News”.

Filed Under: Politike Tagged With: „Fire and Fury“, Michael Wolff

Donald Trump dhe Shqiptarët

January 6, 2018 by dgreca

1 Genc Tirana.jpg

Nga Genc TIRANA/ Kanada/*

Vota e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara pro resolutës që ra ndesh me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit hapi një debat të nxehtë mes politikanëve të dy krahëve të kundërt tek ne dhe mediave që janë të lidhura në një mënyrë apo në një tjetër përkatësisht me këto grupime politike. Përplasja e tyre në Parlament apo në mediumet përkatëse është praktikë e njohur dhe duket se në esencë ka pak të bëjë me dilemën nëse ne duhet të jemi pro Izraelit apo Palestinës.Çfarë ra më shumë në sy nga debati i fundit ishte numri më i madh i prononcimeve pro apo kundra kësaj vote nga ata që nuk janë të angazhuar në politikë, por gjithsesi shprehen rregullisht dhe kanë një zë në mediat sociale. Madje duket se kësaj here prononcimet pro Presidentit Trump ishin në rritje në një kohë që ishte bërë si e modës që në mediat sociale të ripostoheshin pa rezervë shkrime apo video anti-Trump të huazuara nga mediat e huaja. Duke menduar se Trump bëri plot një vit në dhomën ovale dhe se gjatë kësaj periudhe priteshin edhe qëndrime pozitiviste ndaj tij ngelesh me përshtypjen sikur ne jemi zgjuar nga një gjumë i thellë letargjik.

Në qendër të këtij debati palët vërtiten më tepër rreth pyetjes se pse autoritetet shqiptare duhet të jenë kundra Amerikës dhe duket se anashkalohet një çështje më thelbësore: Përse një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë janë pozicionuar kundër Presidentit të Amerikës Donald Trump? Fakti që ne i jemi mirënjohës popullit amerikan i cili ka qenë historikisht në krahun tonë bie ndesh me qëndrimin tonë kundra Presidentit që amerkanët zgjodhën legjitimisht me shumicë vote.

Pozicionimi anti-Trump i një pjese të mirë të qytetarëve tanë e ka zanafillën në fushatën elektorale të zhvilluar më shumë se një vit më parë ku shumëkush u angazhua emocionalisht si në një lojë ku tifozët bëhen me njërin ekip kundër tjetrit. Ishte disi e natyrshme që pjesa më e madhe u rrjeshtua përkrah Hillary Clinton për faktin që Amerika nën administratën e Presidentit Bill Clinton bëri aq shumë në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë në favor të shqiptarëve. Tani që Trump është në detyrën e Presidentit çështja e angazhimit tonë pro apo kundër tij është më delikate dhe kërkon një shqyrtim më të mirë.

Për hirë të vërtetës duhet thënë se prej dy vitesh gjendja e politizuar në Shtetet e Bashkuara është e mbarsur me demagogji më shumë se herë të tjera. Mediat kryesore për shumë arsye mbështetën fushatën e mirëfinancuar të Hillary Clinton. Rrjetet televizive si CNN, MSNBC, etj si dhe shtypi i shkruar New York Times, Washington Post dhe shumë e shumë media në linjë si dhe mediat sociale kanë anatemuar kandidatin Trump dhe vazhdojnë si asnjëherë tjetër në historinë e këtij vendi me të njëjtin intensitet kundër tij edhe tani që ai është President. Nga një studim i Universitetit Harvard rrjetet televizive CNN, NBC gjatë 100 ditëve të para të Presidentit Trump në detyrë transmetuan në 93 për qind të kohës në dispozicin për aktivitetin e tij në mënyrë negative. Në një hulumtim më të gjërë studiuesit vëzhguan se mediat në tërësi përfshirë The New York Times, The Wall Street Journal, The Washington Post etj ishin vetëm 20 për qind pozitivistë dhe 80 për qind negativistë ndaj Presdientit çfarë është shkelje flagrante e parimit të paanshmërisë, raportimit me drejtësi dhe në mënyrë të ekuilibruar që është guri i themelit të mediave të pavarura dhe lirisë së shprehjes.

Kjo makinë e fuqishme propagandistike duket se ka ndikuar në opinionin Evropian edhe më tepër se në Amerikë për arsye të ndryshme. Për rrjedhojë po të njejtin drejtim ka marrë opinioni mbi Trump në Shqipëri, Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare. Në shtypin e shkruar dhe elektronik tonin e për rrjedhim në mediat sociale gjënden me shumicë lajme dhe opinione të huzuara nga mediat amerkane të lartpërmendura si dhe ato të Europës, kryesisht të vendit fqinj Italisë që për fat të keq politikanët aty dhe propaganduesit që i pasojnë vitet e fundit nuk dijnë mirë se ku e kanë kokën e tyre dhe çfarë po ndodh me fatin e qytetarëve në atë vend e jo më të dijnë të drejtëpeshojnë dhe të gjykojnë qartë për Presidentin e Amerikës. Në kushtet e kësaj kakofonie duket se ripostimi i një posti anti-Trump në Facebook hera herës i shoqëruar me një koment ripërsëritës të postit vetë duket si argument i pamjaftueshëm për të marrë një pozicion të qartë e të thelluar mirë kundër tij. Përpara se sa të pozicionohemi e të mbajmë një qëndrim kritik është e udhës të hulumtojmë së cilat janë shtyllat krysore me të cilën kundërshtarët e Presidentit mbajnë ngrehinën anti-Trump. A janë argumentat që përdoren kundër tij të mbështetura mirë që ne të jemi negativistë ndaj Presidentit të Amerikës?

Propaganda kundër Trump u kap fort mbas deklaratave të tij për luftën që i duhej bërë emigracionit të jashtëligjshëm nga Meksika dhe u përpoq ta paraqesë atë si racist e që nuk i donte emigrantët. Është e kuptueshme që prapa kësaj propagande fshihej qëllimi që spanjikët, afroamerikanët dhe pjesa më e madhe e popullsë me ngjyrë të mos votonin Trump. Duhet thënë qysh në fillim se kjo nuk u eci kundërshtarëve të tij, pasi një pjesë e mirë e spanjikëve mbështetën Trump. Nga vëzhgimet e një institucioni të specializuar për zgjedhjet presidenciale Edison Research rezulton se Trump pati tregues më të mirë të votës së spanjikëve se Obama dhe Bill Clinton.

Kjo propagandë ndikoi dukshëm opinionin shqiptar gjithashtu ngaqë në dekadat e fundit një pjesë e mirë e jona ka kaluar përmes emigracionit. Fakti është se Trump nuk kishte në fokus emigrantët në tërësi, por vetëm ata që hynin ilegalisht nga kufiri e që ishin përfshirë në aktivitete kriminale. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve të ardhur në Amerikën e Veriut i janë nënshtruar rregullave të emigracionit dhe kanë ulur shpinën për të punuar ndershmërisht në këto vende dhe tani kanë zenë vend dinjitoz në kalsën e mesme të shoqërisë. Po kështu kanë bërë edhe emigrantë të ardhur në rrugë ligjore nga vende të tjera përfshirë dhe Meksikën, por jo të gjithë. Ka plot prej tyre që kalojnë kufirin dhe përfshihen në aktivitete kriminale që ishin dhe janë në shënjestrën e Trump. Parë në këtë këndvështrim nuk ka pse ne të paragjykojmë një veprim të ligjshëm të deportimit të atyre që shkelin ligjiin dhe dëmtojnë imazhin e atyre që emigrojnë në mënyrë të rregullt. Trump nuk hoqi dorë nga motoja e tij “Amerika e Para” dhe me të drejtë këmbënguli duke përsëritur se përderisa Amerika mbron kufijtë e plot vendeve të tjera në botë nuk ka pse të mos mbrojë kufijtë e sajë. Ku është e keqja këtu dhe pse duhet anatemuar Trump për këtë gjë? Përse duhet të sensibilizohen emigrantët shqiptarë nga ky qëndrim kur mënyra se si kanë emigruar ata është krejt e pranueshme për Trump dhe administratën e tij?

Trump u konsiderua anti-musliman nga kundërshtarët e tij dhe kjo duhet se ka ndikuar ndjeshëm te shqiptarët në vendin amë dhe Kosovë e gjtetkë, përderisa një pjesë e konsiderueshme e jona është e lidhur me fenë islame. Të shtjellosh këtë çështje do duhet së pari të risjellësh në mendje periudhën në të cilën Trump doli me idenë që të ndalohet hyrja në Amerikë e atyre që jetojnë në vendet që nxisin terrorizmin islamik nga ku morri nxitje sulmi kundër tij.

Duke mos nënvleftësuar çfarë President Obama ka pozitive dhe çfarë ka bërë për Amerikën duhet pranuar se në periudhën e presidencës së tij ISIS arriti të pushtonte territor si kurrrëherë ka ndodhur me një organizatë terroriste. Fushata elektorale ku Trump ngrinte zërin po zhvillohej pikërisht kur ISIS priste kokat e qytetarëve Amerikanë dhe Evropianë në mënyrë publike dhe Amerika zyrtare i dënonte këto akte vetëm me retorikë boshe si të ishte një organizatë joqevereritare e jo si shteti më i fuqishëm i botës. Ishte e dukshme se Obama ishte larg nivelit të burrave të shtetit amerikan në raste konflikti. Një pjesë e mirë e elektoratit që ishte lodhur me sjellje prej ‘bura vogla’ të Presidentit të asaj kohe e vlerësuan vendosmërinë e Trump më shpresëdhënëse.

Koha e provoi se në më pak se një vit pasi Trump mori detyrën ISIS u shpartallua duke humbur 98 për qind të territorit që kishte në Irak dhe Siri. Për ironi kundërshtarët e Trump në atë periudhë u jepnin më shumë peshë idesë se terrorizmi nuk ka të bëjë fare me fenë islame. Në esencë kjo gjë është e vërtetë dhe për më tepër Trump nuk mendonte ndryshe. Vetëm se kundërshtarët e tij ia shtrëmbëronin fjalët dhe kërkonin që t’i atribuonin me pa të drejtë nofkën si anti-musliman. Ai ndryshe nga kundërshtarët e tij donte të ishte më i artikuluar dhe i drejtpërdrejtë dhe nuk linte pa përmendur shprehjen terrorizmi radikal islamik, që në fund të fundit nuk fajson këtë fe në vetëvete përderisa këta radikalistë në shumë raste ushtrojnë terror mbi popullsinë muslimane gjithashtu. Në një konferencë shtypi që mbahet mend nga shumëkush në nëntorin e vitit të shkuar ai pohoi se unë e di të flas me një gjuhë politikisht korrekt dhe mund të isha përgjigjur ndryshe pyetjes mbi terroizmin radikal islamik por problemet nuk zgjidhen pa e përmendur se kush është problemi. Ishte pikërisht kjo gjuhë e drejtpërdrejtë që e bëri Trump më të besueshëm për votuesit e që nuk ka pse të mos jetë i besueshëm edhe për opinionin tonë publik.

Akuza që Trump ka bashkëpunuar më Rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale ishte dhe mbetet dhe sot e për një kohë më të gjatë një nga vegjet ku janë kapur fort kundërshtarët e tij. Kjo është tjerrur aq shumë njësoj si me ato kukllat ruse të drurit (матрёшка) që shiteshin sukseshëm në troturaret e qyeteve evropiane vitet e para mbas shëmbjes së Murit të Berlinit, ku brenda kukullës me fytyrën e Gorbaçovit dilte ajo e Berzhnjevit, Hrushovit, Stalinit e me radhë. Në rastin e sulmit ndaj Trump kjo nuk ngjan si lojë kukllash pasi FBI po merret seriozisht me hetimin e çështjes së ngritur aq me forcë nga kundërshtarët e tij.

Deri tani nuk po del që ekziston një marrveshje e fshehtë me rusët që ta implikojë Presidentin Trump. Madje në të kundërtën, përditë e më tepër po del se hetimi i posaçëm i Drejtorit të FBI Robert Mueller nuk po mban erë të mirë. Një pjesë e hetuesve të tij janë direkt të lidhur më Clinton kundër Trump çfarë i ve një pikpyetje të madhe ndershmërisë së hetimit. Është fakt që Peter Strzok, nënkryetari i kundërzbulimit në FBI që para pak kohësh punonte për Mueller në këtë hetim kishte shkëmbyer mesazhe me një avokat ku kritikonte ashpër Trump dhe përmëtepër ka përgjegjësi direkte në zbutjen e përkufizimit të akuzës që iu bë Clinton në mënyrën si ajo kishte vepruar me email-et sekrete. Ky fakt e kompromenton ndjeshëm paanshmërinë e hetimit ndaj Trump. Tjetër fakt që tregon se hetimi kundër Trum është i njëanshëm është se se disa prej hetuesve në ekipin e Mueller kanë dhënë mbi 62,000 dollarë kontribute për demoratët. Punonjësi i FBI që heton Trump, Jeannie Rhee i ka dhuruar më shumë se 16,000 dollarë demokratëve e për më tepër ka mbrojtur Fondacionin Clinton në një padi që i është bërë. Ai ka qenë gjithashtu avokat i Clintonin vetë për ta mbrojtur nga akuzat në çështjen e emaileve. Ben Rhodes, zëvendës këshilltar i sigurimit kombëtar nën Presidentin Obama, gjatë Komisionit Selektues të Shtëpisë së Bardhë mbi hetimin e Bengazit ku akuzohet së tepërmi Clinton është gjithashtu pjesë e grupit që hetojnë Trump. Si mund të jenë të paanshëm këta hetues pra kur i përkasin kryekëput atyre që kanë stisur histerinë kundër Presidentin Trump?

Një sulm frontal kundër Trump ishte dhe mbetet përpjekja për ta zhvleftësuar figurën e tij morale. Pikërisht në ditët e fushatës elektorale tejmase të elektrizuar dolën 19 femra që e akuzonin Trump për ngacmime dhe sjellje të padenja seksuale. Deri tani asnjëra prej tyre nuk e ka provuar dot fajsinë e tij dhe akuzat ngjajnë si të fabrikuara përderisa bëhen pikërisht në ditët që mund ta dëmtonin fushatën e tij e për më tepër janë zbuluar qëllime të hapura përfitimi material. Këto ditë në mediat amerikane përcillet lajmi që avokatja Lisa Bloom ka kërkuar pagesa nga donatorët për femrat që akuzojnë Trump. Zonja Bloom ka deklaruar për gazetën The Hill se i është drejtuar mediave tabloid që botojnë ngjarje rozë që të paguajnë femrat që akuzojnë Trump në shkëmbim të intervistave që ato eventualisht mund të japin. Sipas praktikës së saj avokatore Zonja Bloom merr deri në 33 për qind të parave që marrin klientët e saj sipas kësaj gazete. Më konkretisht sipas gazetës The Hill, avokatja Bloom po ndihmon aktivisht Jill Harth, një nga femrat që akuzojnë Trump, duke grumbulluar deri tani 2300 dollarë në një llogari në linjë GoFundMe.com me pretendimin për të bërë 30000 dollarë për kredinë e apartamentit të saj. Sa të besueshme janë këto femra kur qëllimi i hapur i tyre dhe i atyre që i orkestrojnë nga mbrapa është përfitimi material?

Strategjia tjetër e fushatës së mirëfinancuar të Clinton për të denigruar personalitetin e Trump, që nuk duket se eci gjithashtu, ishte ndërsimi i artistëve dhe këngëtarëve të famshëm kundër tij. Ndryshe nga fushatat e tjera kur artistë seriozë mbështesin një kandidat duke dhënë një koncert për votuesit, kësaj here u zëvendësua me sharje vulgare që më shumë ulën figurën e vetë artistëve e të organizatorëve prapa tyre se sa figurën e Trump. Këngëtari i muzikës Hip Hop, Jay Z në një koncert që dha në favor të fushatës së Clinton rrjeshtoi sharje të ndyra ndaj Trump në mes të mijëra shikuesve që është turp të ripërsëriten në këtë shkrim. Muaj më vonë kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë aktoria e komedisë Kathy Griffin bëri publike një fotografi ku ajo mbante në dorë një imitim të kokës së prerë të Trump që ishte gjithësesi pamje makabër dhe për pasojë një provokim fizikisht i rëndë ndaj Presidentit. Tre muaj më parë prezantuesi i CNN Anthony Bourdain tha publikisht se ai mund ta helmonte Trump nëse ai do të gatuante për të. Komentet dhe shakatë e këtyre figurave publike të nxitura nga kundërshtarët mund të kenë kuptime alegorike por padyshim që i hedhin benzinë zjarrit që i është ndezur Presidentit Amerikan që duhet të na bëjë ne më sy hapur në gjykimin pro apo kundër tij.

Sulmet nga të gjitha anët ndaj Trump lidhen kryekëput me faktin se ai hyri në arenën e politkës Amerikane me premtimin se do të thajë kënetën duke nënkuptuar luftën pa kompromis kundër tërë institucionit politik në Capitol Hill pa dallim si Demokratë ashtu edhe Republikanë. Natyrisht që kjo gjë u bie ndesh interesave të atyre që kanë fuqinë ekonomike në dorë e financojnë luftën kundër tij. Ata e kanë kuptuar se Trump po i mban premtimet që bëri në fushatë. Në një kohë relativisht të shkurtër ai implementoi reformën në uljen e taksave, mundi ISIS, doli nga marrëveshje që sipas tij janë bërë jo në interes të Amerikës e duhen rinegociuar si marrveshja e Parisit për ambientin, marrveshja NAFTA mes Amerikës, Kanadasë e Meksikës, etj, etj. Nëse ai vazhdon kështu duke disiplinuar emigracionin dhe nëse u ve fre kapitaleve amerikane që të eksportohen në Kinë, Meksikë dhe vende të tjera për kundërshtarët e tij fitimet nga fuqia punëtore me çmim të ulët që lakmojnë do të shkojnë poshtë. Kjo e bën që Trump merr sulme nga të dy krahët.

Natyrisht që ne shpiptarët jemi larg këtyre skenave a prapaskenave të fuqishme me shumë aktorë e intersa të ndërthurura në të njëjtën kohë. Veçse edhe ne jemi të prononcuar në grupime e përkatësi të ndryshme politike dhe kjo e bën padashje pozicionimin ndaj Trump jo të lehtë. Fakti që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti hapur anën e Clinton ndaj fushatës elektroale në Amerikë ndikoi që pjesa e elektoratit të majtë shqiptar të prononcohet në një farë mënyre kundër Trump. Çështja është se ndryshimi i pikpamjeve të majta e të djathta në Shqipëri nuk i ngjan shumë atyre në Amerikë. Kur Edi Rama u prononcua kundër Trump pothuajse e gjithë bota mendonte se do të fitonte Clinton dhe shumë burra të tjerë shteti lujatën si në një lojë bixhozi që duke ditur se kush do të zgjidhej kërkonin të fitonin më shumë pikë përpara Presidentit Amerikan të ardhshëm. Fitorja e Trump ia dogji kartën në duar por ky nuk është fundi i botës për politkanët. Shumë burra shteti e uruan Trump për fitoren dhe përpiqen të rivendosin me të marrëdhënje të mira. Nuk është çudi që dhe Zoti Rama të ndjeki të njejtën praktikë. Para ca kohësh ai ka bërë një fotografi duke qeshur me Trump e ndërsa përpara disa ditësh votoi kundër tij pasi niset nga iteresa të caktuara për momentin dhe nesër mund të bierë përsëri dakord nëse intersat ndërrojnë kah. Radarët e politikanëve funksionojnë në frekuenca që shumë herë është e vështirë të kapen nga masa e gjerë. Nërsa ndërgjegja jonë kombëtare që kësaj here është përpara një prove të vështirë morale përballë popullit mik amerikan funksionon me parime të tjera më të larta siç është kodi i nderit dhe Besa.

Genc Tirana

genctirana@hotmail.com(Kortezi-Panorama)

Filed Under: Politike Tagged With: dhe shqiptaret, Donald Trump, Garibaldinet dhe shqiptaret, Genc Tirana

Akademia e Shkencave në gjëndje gjumi letargjik

January 5, 2018 by dgreca

Ndërhyrja me bisturi nga pushteti politik, që e ndau Akademine nga institutet, e ҫoi atë në gjëndje kome, ose siҫ thotë populli e vdekur dhe e pakallur./1 Akademia-ShkencaveNga  Besnik  Imeri/ Viti 2018 në Shqipëri është viti i reformave dhe këtu nuk bën përjashtim as Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Fillimisht duhet thënë se Akademia e jonë megjithëse e krijuar vonë (në mesin e dytë të shekullit të XX)  kundrejt simotrave të saj,  deri në vitet 90-të ka pasur suksese të jashtëzakonshme. E ngritur mbi bazën e institutive, të cilat ishin krijuar shumë kohë para saj, ajo ishte e mirëorganizuar dhe me rezultate konkrete, si dhe me një financim të kënaqshëm. Këtu mund të përmendim financimet për kërkimet arkeologjike dhe studimet në fushën e historisë, ku edhe pati rezultate të shpejta, të suksesshme dhe me një bilanc pozitiv.

Pas viteve 90-të, si kudo në administratën shtetërore, drejtimin e saj e uzurpuan të paaftët, studjuesit e nivelit mesatar dhe ata që nuk kishin shkëlqyer më parë në fushat e tyre. Rrjedhimisht puna e Akademisë, vit pas viti, filloi të bjerë dhe të kalojë në stanjacion dhe përfundoi në një gjëndje gjumi letargjik. Ndërhyrja me bisturi nga pushteti politik, që e ndau nga institutet, e ҫoi atë në gjëndje kome, ose siҫ thotë populli e vdekur dhe e pakallur.

Aktualisht reformimi i saj është si një emergjecë shëndetësore për ta risjellë atë në jetë. Për këtë mendoj se duhet marrë parasysh përvoja europiane, por edhe e vëndeve të tjera, natyra e problematikave të të cilave përafron me atë të vendit tonë. Mendoj se prioritet strategjik i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (pa përjashtuar edhe atë të Kosovës) duhet të jenë shkencat humane me renditje në rradhë të pare, shkencën e historisë dhe atë të gjuhësisë, si dhe me një punë drejtuese dhe njëkohësisht bashkëpunuese me institutet përkatëse.

Pse unë mendoj se këto dy shkenca duhet të jenë në rradhë të parë? Sepse të dyja ato lidhen me vetëdijen kombëtare dhe identitetin tonë si shqiptarë. Shqipëria dhe shqiptarët nëqoftëse nuk mësojnë se nga vijnë, kush janë parardhësit e tyre, ҫfarë gjuhe kanë folur ata, asnjëherë nuk do të bëjë përpara dhe nuk do të jetë një vend me një zhvillim normal.

Përvoja në këtë drejtim nuk na mungon. Atë na e japin paraardhësit tanë të ndritur, rilindasit: Jeronim De Rada, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Jani Vreto,etj etj, të cilët për të Rilindur Kombin Shqiptar që kishte 500 vjet në robëri dhe nga pikëpamja e memories historike ndodhej në gjëndja kome, zgjodhën pikërisht historinë e vendit tonë, etnogjenezën e tij, si dhe gjuhën shqipe, etnogjenezën e saj. Këtu ekziston edhe nje bashkëdrejtim forcash, pasi forca qeverisëse që është sot në pushtet ka shpallur në programin e saj, se do të rilindë Shqipërinë dhe meqënëse bëhet fjalë për Rilindje, apo për Ringjallje, sytë me dosmodo duhet t’i kthejmë nga Rilindasit tanë të shekullit të XIX dhe fillimshekullit të XX dhe të mësojmë prej tyre.

Por kemi përvojë edhe nga jashtë, pasi ne shqiptarët e kemi atë cen që besojmë më shumë atë që na thonë të huajt, se sa atë që thonë njerzit tanë. Rasti është Gjermania. Në kulmin e revolucionit francez në vitet 1792-179, kur Prusia ndodhej edhe ajo në prag revolucioni, pasi lëvizjet revolucionare janë infektuese, lindi një lëvizje reformatore. Njëkohësisht Prusia në këtë kohë ishte mbrapa vendeve europiane si Franca dhe Anglia për nga zhvillimi ekonomik dhe politik. Në këto kushte lindi si domosdoshmëri Rilindja e kombit gjerman.

Ishte gjenia e një personi, aristokratit të pasur Vilhelm von Humboldt me një kulture të gjërë, i cili mendonte se rilindja e kombit gjerman do të vinte nëpërmjet kulturës dhe veҫanërisht nëpërmjet njohjes së historisë së lashtë. Nxënësit dhe vecanërisht studentët medomosdo duhej të mësonin në shkolla historinë antike si dhe gjuhët e vjetra. Mëndje të ndritura gjermane të asaj periudhe që ju bashkangjitën Humboldtit ishin historiani Barthold Niebuhr, Ministri Prusian në Vatikan, Christian Bunsen, Ministri Prusian në Angli dhe Karl Ottfried Muller. Këta pranuan deshifrimin e “Gurit të Rozetës” nga francezi  amator Jean Francois Champollion, zbulimi i të cilit nuk u pranua nga qarqet akademike franceze të asaj kohe. Kësaj lëvizje ju bashkuan edhe poeti aristokrat Heyne dhe filozofi Hegel.

Humboldt dhe Niebuhr ishin edhe politikanë të rëndësishëm në skenën gjermane. Humboldt u bë edhe ministër i arësimit në qeverinë prusiane. Ata refomuan sistemin arësimor, sidomos pas shpartallimit të Prusisë nga ushtria e Napoleonit në Jena në vitin 1806, duke vendosur në qëndër të kësaj reforme formimin arësimor dhe reformimin e institucioneve arësimore. Në arësimin e lartë Humboldt vuri si prioritet shkencat humane, historinë dhe gjuhësinë;  kundrejt francezëve që në sistemin arësimor kishin si prioritet shkencat e sakta, politeknikumin francez me theksin tek matematika dhe shkencat e natyrës. Qëllimi i kësaj reforme ishte që të reformohej vetë Prusia nëpërmjet kulturës gjermane, duke shmangur tmerret e Revolucionit Francez. Humbold dhe miqtë e tij e shihnin studimin e antikitetit në përgjithësi dhe atij grek në veҫanti si një mënyrë për integrimin e studentëve dhe nëpërmjet tyre të të gjithë shoqërisë gjermane në jetën moderne europiane. Institucionet arësimore dhe arësimi që krijuan ata u bënë shtyllat e rendit shoqëror prusian dhe gjerman të shekullit të XIX.

Shëmbullin e Prusisë e ndoqën Franca dhe Anglia. Pas vitit 1830, në periudhën e Lui Filipit, filozofi francez Victor Cousin themeloi arësimin elementar francez sipas modelit prusian dhe ashtu si Humboldt, ai në të gjithë sistemin arësimor rezervoi një vend të veҫantë për të lashtët dhe vecanërisht për grekët. Ndërsa në Angli, studimi i antikitetit si një shkollim moral dhe intelektual për elitën, u shfaq në gjysmën e parë të shekullit të XIX duke ndjekur modelin gjerman.

Nisur nga sa u parashtruan më lart, mendoj se Akademia e Shkencave në përgjithësi dhe shkenca e historisë dhe gjuhësisë në veҫanti, pas një vegjetacioni gadi 30 vjeҫar, ka kaluar në një gjëndje sklerotike nga e cila mund të dalë me një riorganizim të përgjithshëm, ku ҫdo gjë duhet të ringrihet nga e para që nga themelet. Kjo punë do kohë. Ajo nuk bëhet me një muaj, as me një vit, madje as me dhjetë vjet.

Për këtë Shqipërisë i duhet të krijojë shkencëtarët e saj qysh në vezë. Kjo realizohet nëpërmjet ngritjes së strukturave të veҫanta, të cilat do të gjurmojnë dhe qëmtojnë talentet  inteligjente qysh në arësimin fillestar. Mëndjet më të ndritura me prirje të tërheqjeve të forta drejt shkencave humane duhet të përzgjidhen, veҫohen dhe trajtohen me programe të veҫanta mësimore. Pasi të kenë kryer një arësimim të mesëm ekselent të dërgohen për studime në universitetet më të mira të botës sipas fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, antropologjisë, etnografisë, emblematikës, heraldikës, numizmatikës, ikonografisë etj, ku njëkohësisht të marrin njohuritë e plota deri në arritjet më të fundit në të gjitha nga këto fusha. Kjo pasi nuk mund të jesh një historian i mirë pa qënë një gjuhëtar i mirë. Nuk mund të jesh një arkeolog i mirë pa qënë një historian dhe gjuhëtar i mirë. Pra të jenë të kompletuar me njohuritë më të përgjithshme dhe më kryesore të arritura në të gjitha shkencat e mësipërme.

Pas realizimit të kësaj të filloj specializimi i tyre deri në imtësi në fushat përkatësë. P.sh. gjuhëtari jo vetëm të  njohë mirë gjuhën shqipe dhe dialektete saj, por të njohë të gjitha nëndialektet dhe të folmet e krahinave, madje edhe të fshatrave të veҫantë me interes për këtë fushë. Të mësojë mirë gjuhët e vdekura si sanskritishtja, latinishtja, greqishtja e vjetër, aramaiken, koptiken, hebraishten e vjetër, keltishten,  persishten e vjetër, gjermanishten e vjetër, sllavishten e vjetër etj. Të futen në imtësira tek fjalë të gjuhëve që kanë folur sumerianët, tokarianët, baskët, iberët, ligurët, sardët, sikanët, kalabrët, umbrianët, tirrenët, oskët, latinët, etruskët, enetët, venetët, galët, mesapët, japigët, akadianët, skithianët, baltianët, mizianët, panonianët, paionanët, dakianët, getianët, tesprotianët, argianët, tesalianët, jonianët, lelegët, peleshtianët, dorianët, eolianët, minoanët, kalkidianët, eubeasit, beotianët, aigalianët, hititët,  asirianët, akadianët, karianët, hiksosit, frigjianët, likjanët, lidjanët, kananianët, jebusianët etj etj.

Kështu p.sh. Humboldt (që e përmëndëm më lart) arriti ato rezultate në ngritjen kulturore të gjermanisë si ministër arësimi, pasi ishte një personalitet në fushën e historisë dhe gjuhësisë, madje Martin Bernal në veprën e vet “Athina e Zezë” e quan një gjeni. Ai ngriti bazat e gjuhësisë Baske dhe Malajo-Polineziane. Pati një tërheqje të madhe drejt sanskritishtes dhe studjoi bazat e shkrimit kinez. Sot në Gjermani për nder të tij një universitet mban emërin Humboldt.

Ndërsa Jean Franҫois Champollion deshifruesi i “Gurit të Rozetës”, një nga zbulimet më të mëdhaja të kohës së vet, në moshën 20 vjeҫare mësoi greqishten demotike, hebraishten, arabishten dhe koptiken (një dialekt i gjuhës pellazgë të Egjiptit të lashtë).

Pas kësaj pune, krijimi i një plejade studjuesish të rinj, të jini të sigurtë që kini formatuar një shkencëtar klasi në gjuhësi që do të realizojë zbulime të jashtëzakonshme. Ajo që tani ne na duket një fantashkencë; si fakti që shqiptarët flasin gjuhën më të vjetër në botë, një gjuhë që e kanë folur zotat, pra Thoti, Zeusi, Poseidoni, Amoni etj, një gjuhë kozmike që ndoshta ka ardhur në tokë nëpërmjet jashtëtokësorëve pasi është aq e zhvilluar dhe aq e përsosur saqë nuk duket se është krijuar nga njeriu por nga hyjnitë; kjo do të jetë një realitet.

Po kështu në fushën e etnografisë të përgatiten specialist që të jenë në gjëndje të zbërthejnë simbolet kozmike të xhubletës shqiptare. Në fushën e historisë të vërtetojnë se pellazgët janë pararadhësit e racës së bardhë, të cilët ndoshta janë ardhacakë në tokë. Por që janë edhe të parët e drejtëpërdrejtë të shqiptarëve, sidomos nëpërmjet gjuhës  shqipe, por edhe të popujve të  tjerë europianë, si grekët, italianët, francezët, spanjollët, gjermanët, uellsianët, skocezët, anglezët, turqit, sirianët, armenët përfshirë edhe kaukazianët etj etj.

Këta do të jenë akademikët e ardhshëm të Shqipërisë. Po për përgatitjen e tyre duhen dhjetra vjet dhe të jini të sigurtë të paktën deri në 30 vjet. Dikush mund të të thotë se kjo punë do para. Shqipëria nuk bëhet pa sakrifica, pra edhe pa para. Psh tek “Veljera’ në Durrës kam dëgjuar  se do të hidhen 8 miljon euro për beton. Sikur këto para të mos hidheshin për beton, por për trurin e shqiptarëve, a nuk do të ishte një veprim më me mend?!!!

Vetëm kështu mund të reformohet Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Çdo reformim tjetër, sidomos ao me karakter politik (siҫ janë bërë më parë), do të ishte një veprim abuziv dhe një mashtrim i rradhës.

5 janar 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Akademia e Shkencave, Besnik Imeri, në gjëndje .gjumi letargjik

PËR NJË BESËLIDHJE TË RE SHQIPTARE

January 3, 2018 by dgreca

1_Beselidhja-e-ShqiptareveNË VITIN KUSHTUAR GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBE – PËR NJË BESËLIDHJE TË RE SHQIPTARE /

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Ja edhe një Vit i Ri filloi, një vit dhe një fillim i ri që gjithmonë ofron shpresa se viti i ardhëshëm do të jetë më i mirë se viti që kaloi. Pritëshmëritë janë gjithmonë për jetë e shëndet për të afërmit tone, për familjen dhe miqtë dhe kolegët.  Shpresojmë dhe lutemi në këtë stinë, për paqë e përparim, begati dhe bashkpunim për shoqërinë ku jetojmë në veçanti dhe për botën në përgjithësi.

Fundi i vitit që kaloi dhe fillim Viti i Ri, është gjithmonë një kohë për të reflektuar mbi vitin që kaloi, të bëmat dhe të pa bëmat — sukseset dhe dështimet — si dhe ç’duhet bërë më mirë në Vitin që posa filloi.  Reflektimi mund të jetë i një individi, i një shoqërie, i një shteti, i një qeverie, ose një kombi.  Me shembjen e komunizmit dhe me çlirimin e Kosovës dhe pavarësisë së saj – arritje të cilat me të drejtë mund të cilësohen si historike për kombin shqiptar — mendonim se kombi shqiptar do të merrte hovin e pritur aq shumë drejtë përparimit, mbrenda trojeve shqiptare dhe në arenën ndërkombëtare.

Pjesës e reflektimit me këtë rast të Vitit të Ri është pranimi i sinqertë se punët nuk po shkojnë mirë shqiptarët as në Shqipëri as në Kosovë dhe as në trojet tjera ku ata jetojnë.   Mosmarrveshjet dhe konfliktet politike aktuale midis kësaj klase politike që sundon sot shqiptarët në Tiranë dhe në Prishtinë, përbëjnë rrezikun më të madh që i kanoset sot kombit shqiptar. Rrezikohet që konfliktet politike aktuale të këthejnë mbrapa arrijtjet e deritanishme të shqiptarëve në Ballkan, duke u dhënë një goditje të rëndë interesave kombëtare afat-shkurta dhe afat-gjata – jo vetëm anë e mbanë trojeve shqiptare por edhe një goditje të rëndë të imazhit të shqiptarëve në botë, e sidomos në radhët e miqëve të tyre historikë, sidomos atyre që në momentet më kritike të historisë së tij e kanë ndihmuar kombin shqiptar, pa kurrfarë interesi.

Ndonëse mqitë e shqiptarëve mund të mos jenë të kënaqur me situatën aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë, si rezultat i grindjeve dhe mosmarrveshjeve në radhët e politikanëve sidomos siç pasqyrohet nga seancat në dy parlamentet shqiptare — janë vetë shqiptarët në të dy anët e kufirit, ata që fajësojnë drejtë për drejtë këtë klasë politike dhe të cilët janë të revoltuar me gjëndjen e krijuar politike dhe ekonomike – dhe si rrjedhim po braktisin trojet shqiptare duke marrë rrugët e botës, shpresë e pa shpresë, për një jetë më të mirë e më normale. Fatkeqsisht, gjëndja e krijuar në trojet shqiptare nga kjo klasë sunduese politike, po krijon gjithashtu një fushë të pjellëshme për ndërhyrjen dhe provokimet nga jashtë, duke përdorur grindjet midis shqiptarëve në shërbim të interesave dhe politikave të tyre, historikisht, të njohura anti-shqiptar
1 ArberorjaFatkeqsisht, ky vakuum politik, po shfytëzohet me përpikmëri nga provokimet dhe përpjekjet e putinëve dhe erdoganëve të kësaj bote, në bashkpunim me Serbinë, në përputhje me interesat e tyre afat gjata, duke nxirë imazhin e shqiptarëve, sidomos në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke i shkaktuar dëme të riparueshme emërit të mirë shqiptar.

Viti i ri kërkon reflektim dhe ofron shpresa. Shpresa ime për Vitin e Ri – në këtë Vit kushtuar heroit kombëtare Gjergj Kastriotit-Skenderbe mund të interpretohet ndoshta si një thirrje e kotë, si një thirrje në shkretëtirë, kur të merren parsyshë antagonizmat politike që ekztistojnë në radhët e kësaj klase politike.  Por, u takon këtyre poliitkanëve që në këtë vit të Heroit Kombëtar, të lënë mënjanë interesat vehtjake, partiake dhe ekonomike dhe të tregohen të guximshëm dhe të denjë të Besës së Skenderbeut, në këtë vit që vet e kanë shpallur si Viti kushtuar atij. Le të jetë ky pra, një fillim i ri i Besës dhe Bujarisë në radhët e kësaj klase politike shqiptare. Mos na zhgënjeni më!

Para-ardhesit dhe rilindasit e vërtetë të kombit, të cilët shkrinë jetën për të venë në dritë bujarsinë e kombit shiptar në momentet më kritike të historisë kombëtare, sidomos karshi njeri tjetrit dhe ndaj të tjerëve, nuk presin as më pak as më shumë, ashtuqë politikanët e sotëm të tregojnë atdhedashurinë e tyre me sjellje të mira dhe respekt ndaj njëri tjetrit dhe   vetdije të përgjegjësive shoqërore e kombëtare dhe detyrave që kanë marrë përsipër në emër të popullit shqiptar dhe kombit.

Lutemi pra dhe shpresojmë që në këtë vit të shënjtë, kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit –Skenderbe, politikanët dhe partitë politike në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan,  në këtë Vit të Ri historik –të lidhin me njëri tjetrin, besa-besën dhe të bejnë një këthesë historike duke u angazhuar me atdhedashuri dhe kurajo politike për të zgjidhur   konfliktet dhe mosmarrveshjet midis tyre dhe në traditën historike kastriote, të lidhin besën për një dashuri, në mos ndaj njëri tjetërit, atëherë ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, duke çuar kështu përpara idenë e besës së Krye-Heroit të Kombit Shqiptar, bazuar në pajtim të pikëpamjeve të ndryshme politike, në interes te kombit. Për ndryshe, shpallja e Vitit 2018 kushtuat Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbe, nga autoritetet e Tiranës dhe të Prishtinës, nuk ka asnjë kuptim.  Në këtë Vit të Ri, këte ia kini borxh kujtimit të Skenderbeut, historisë, fëmijëve, nipave e mbesave tuaja si edhe brezave të ardhëshëm të kombit shqiptar, ashtuqë ai të jetojë në paqë me vetveten dhe me të tjerët.

Toka arbërore nuk duron më!  Siç është shprehur me një rast ish-Arkimandriti Minishi i Abacisë së Arbëreshve të Italisë në Grotaferratë, “Tepër gjak ka skuqur plisat e tokës së Atdheut, shumë zira kan shkëputur zemrat e popullit tone, tepër familje janë shkatërruar dhe prishur tragjikisht prej plumbit e shpatës, prej urrejtjes, prej mërgimit.  Sytë e motrave tona dhe të vëllezërve tanë janë tharë, s’kanë më asnjë lot për të derdhur. Të gjitha lotët kanë rënë dhe kanë njomur tokën e Shqipërisë. Bëftë Perëndia që nga ajo tokë e vaditur të lëshonjën përjetë lulet e Lirisë dhe mirësisë e dashurisë dhe vëllazërisë,  gëzimit dhe pajtimit”, ka thënë Arkimandriri arbëresh Minishi.

Në fillim të këtij Viti të Ri, lutja dhe shpresa ime, nga kjo anë e oqeanit Atlantik është, që  Viti kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe – të jet një vit që kombit shqiptar, i Madhi Zot t’i falë jetë, paqë e shpëtim, përparim dhe begati, si dhe fitore kundër atyre që nuk ia duan të mirën. I lutem Zotit gjithashtu që ta ruaj gjithmonë këtë popull trim e bujar, i dinjitetshëm ndaj traditave dhe lavdisë së Prijsit të tij dhe Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

 Ky është Viti pra që autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë – me një Besëlidhje të Re të Shqiptarëve — të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit – duke u këthyer në bazë të traditave arbërore, të Besës dhe vlerave të trashëguara nga Gjergj Kastrioti — Skenderbeu!

 

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, PËR NJË BESËLIDHJE, TË RE SHQIPTARE, Viti i Skenderbeut

HEROI ABAZ KUPI DO TE PERKUJTOHET ME 13 JANAR

January 3, 2018 by dgreca

1-abazkupitv-300x168

TE SHTUNEN,  13 JANAR 2018, PËRKUJTOHET NE NJU JORK, ABAZ KUPI/

1-major-abaz-kupi-1940

Gazeta Dielli ka marre kete njoftim nga kiyetari i Partise Levizja e Legalitetit, z. Hakik Mena: Partia “Lëvizja e Legalitetit”- Dega e SHBA-së në bashkëpunim me familjen Kupi ka nderin të njoftojë komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike, mbretërorët shqiptarë, anëtarët e partisë “Levizja e Legalitetit”, miqtë dhe dashamirët e familjes Kupi se edhe sivjet, si cdo vjet, ditën e Shtunë me datë 13 Janar 2018, në orën 11 e 30-2.00 paradite do të mblidhemi tek varri i Gjeneral Abaz Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së udhëheqësit të nacionalizmit shqiptar, burrit që, në krye të trupave të Mbretit Zog, i zbardhi faqen Shqipërisë më 7 Prillin e 1939, dhe themeluesit të Organizatës Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit.

Të gjithë shqiptarët janë të mirëpritur.

Salla ku do të mbahet përkujtimorja ndodhet :ADRESA:127-15 Kew Gardens Road, Kew Gardens, New York 11415

Kryetari

Hakik Mena

Filed Under: Politike Tagged With: abaz kupi, me 6 Janar 2018, perkujtohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 501
  • 502
  • 503
  • 504
  • 505
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT