NË KUJTIM TË ARBËN XHAFERIT
Me rastin e 5-vjetorit të vdekjes /
Ne Foto:Autori me Arbën Xhaferin, Tetovë, 2005/
Pesë vjetë më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi. Në jetë, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë dhe personalitete të njohura dhe jo aq të njohura dhe pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja që kanë lënë nga takimet sa do të shkurtëra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit dhe çfarë e dallon nga të tjerët. Për disa shprehemi duke thënë se falënderojmë Zotin që m’u dha mundësia t’i takoj, Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pasë fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja, ka qenë edhe Arbën Xhaferi, i njohur si i tillë, anë e mbanë trojeve shqiptare, 5-vjetori i vdekjes së të cilit bie këtë javë.
Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me kryepolitikanët shqiptarë dhe me përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në rajon dhe për raportuar mbi gjëndjen — me të këthyer në Washington – organizatës që përfaqsoja KKSHA-në, si dhe zyrave e personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, të interesuar për çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës në Tiranë, në Prishtinë, Shkup e Tetovë — me kolegun tim David Scotton, këshilltarin e lartë të KKSHA-s – ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon.
Pjesë e këtij turneu ishin, natyrisht, takimet me udhëheqsit politikë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqsit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë. Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam në Amabsadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e ytre për gjëndjen në rajon dhe pastaj takimin e parë me përfaqsuesit politikë shqiptarë në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me Z. Arbën Xhaferi. Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret — e që zgjati gati një orë, në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë — ndonëse sëmundja kishte filluar t’a rëndonte. Megjithse dukej i lodhur fizikisht dhe i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, ishte i këthjelltë dhe i thellë. Pas përshëndetjeve të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.
Pyetjes time mbi gjëndjen aktuale politike, Z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullësisë shqiptare dhe asaj maqedonase në atë vend. Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqsuesit etjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës, të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq dhe kundër partive të tjera ose liderëve të tyre – gjatë atij takimi, Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare anë e mbanë trojeve, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqsues të tjerë politikë shqiptarë. Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, por që është aq e nevojshme sot për një diskurs të qytetëruar në radhët e udhëheqësve politikë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare. Ndonëse nuk tha gjë, specifikisht, mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua mu duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë. Ai në të vërtetë, ndryshe nga të tjerët, është shprehur vazhdimisht për një politikë ndryshe në diskursin politik ndër-shqiptar. Respekti për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyesë dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijt ndër-shqiptarë dhe si i tillë ka lënë mbresa të thella edhe ndër të huajt, me të cilët ishte takuar – mbi të gjitha, për diplomacinë dhe karakterin e tij, në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj, me përvojë ndërkombëtare. Njëri prej këtyre liderve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, Z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota, se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do t’a kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.” Një atribut shumë me vend ndaj kujtesës së Arbën Xhaferit, në këtë 5-vjetor të vdekjes.
Në vazhdim e sipër të bisedës në Tetovë me 2005, Z. Xhaferi u ankua se kontrata midis dy popujve, Marrëveshja e Ohrit, që ishte arritur midis shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila si dukej, nuk kishte marrë seriozisht dhe nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra. Si përfundim, shtoi ai, ajo marrveshje midis dy palëve nuk po zbatohej, sipas planit, nga ana e autoriteteve maqedonase – marrveshje që e kishin nënshkruar në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare. Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjëndjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbajë mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë. Shpjegoi se, si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.
E mbyllëm bisedën dhe takimin tonë me Zotin Xhaferi duke dëgjuar mendimet e tija, edhe mbi gjëndjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjëndjen në Kosovë. E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan, Shtetet e Bashkuara — në parim — kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë, para se të bënin publik njoftimin zyrtar të Washingtonit. Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë – e priti me një buzqeshje të sinqertë — dhe tha se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne, në këto troje tona, u shpreh ai.
U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin për t’u njohur dhe për të biseduar me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të kombit shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave.
Rreziku i propozimit serb për Kosovën dhe “keqardhjes” së Ramës për Vuçiç!

Nga Enver Bytyçi/
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sapo bëri betimin për kreun e shtetit serb, shpalli në një gazetë të Beogradit se do të nisë një diskutim brenda vendit të tij për Kosovën. Këtë lajm e morën dhe e përhapën mediat dhe gazetat europiane, përfshirë dhe atë gjermane, duke theksuar se “tashmë Serbia do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet e saj me fqinjët, sidomos me shqiptarët”! E përshëndetën deklaratën e presidentit të Serbisë mediat proqeveritare në Shqipëri si dhe vetë kryeministri i vendit, zoti Rama! Ky I fundit dha para dy ditësh një intervistë në gazetën beogradase “Blic” dhe shprehu keqardhjen që “Vuçiç gjendet në një pozitë të vështirë” për shkak të kësaj iniciative. Duke “e vendosur veten në këpucët e Aleksandrit”, Rama u shpreh se “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiqit për ta zgjidhur problemin e Kosovës”, duke shtuar gjithashtu një superlativë lavdëruese për presidentin serb “Iniciativa e Aleksandar Vuçiq për ta nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovën është një akt i lidershipit me të cilin ai e shpalosi një vizion kurajoz për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë”. (http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Në Kosovë vetëm ministry I Jashtëm Hoxhaj ka reaguar ndaj disa deklaratave të homologut të tij serb, Ivica Daçiç, por ende nuk ka një deklaratë serioze, e cila të shprehë qëndrimin e institucioneve të prishtinës për iniciativën e presidentit të Serbisë. Ndërkohë shtypi e media e Kosovës po e kalon në heshtje këtë nismë të Beogradit, vetëm sa transmeton lajmet dhe deklarimet reciproke. Në Shqipëri askush, përveç ndonjë diplomati jo në detyrë, si Shaban Murati, nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’iu qasur analizës për “iniciativën Vuçiç”. Zoti Murati para pak ditësh tërhoqi vëmendjen në faktin që politika shqiptare, diplomacia, mediat dhe opinion publik shqiptar nuk kanë pse entusizmohen nga një nismë e tillë.
E vërteta është se ne e kemi entusiazmin ashtu dhe dëshprimin si drogën! Menjëherë zgjohemi dhe qeshim, sapo dikush që ka një histori tragjike në marrëdhëniet me ne na ofron diçka dhe po aq lehtë dëshprohemi e hidhërohemi, sa herë dikush i tillë na provokon! I gëzohemi madje më shumë ndonjë iniciative në dukje pro nesh të kundërshtarëve dhe armiqve të kombit tonë dhe jo aq aksioneve politike të miqve tanë! Entusiazmi ynë është shpesh herë i pakufi, kur ata që në i quajmë armiq të shqiptarëve hedhin ndonjë dorashkë, që duket si e favorshme për ne. Nga mesi i viteve 2000 presidenti rus Putin i thoshte presidentit tonë shqiptar se “Ne nuk kemi gjë me shqiptarët”! Nënteksti: -“Ne nuk jemi armiq”! Dhe presidenti ynë ishtë shumë entuziast e i ngazëllyer nga kjo deklaratë e kreut të Kremlinit! Një entusiazem foshnjarak, sepse një president dhe lider duhet të ketë kapacitetet e formimit politik të atij niveli që realitetin ta përceptojë me shqisat e liderit!
Nga naiviteti apo miqësia e ngushtë me presidentin Vuçiç, zoti Rama u përfshi gjithashtu në një eufori që I kapërcen kufijtë e Serbisë, duke bërë thirrje që dialogu serb për Kosovën të shtrihet edhe në Kosovë e në Shqipëri, sigurisht në inversin e tij, si “dialog shqiptar për marrëdhëniet me Serbinë”!
“Ajo që është e domosdoshme në këtë fazë është vërtet ajo që presidenti juaj e ka nisur si dialog të brendshëm, i cili, meqë ra fjala, nuk do të ishte i parëndësishëm të ndodhte edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri”, shprehet kryeministri ynë për “Blic-in: e Beogradit. (http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Ne nuk kemi dhe nuk e dijmë saktësisht se çfarë fshihet në Hintergrund të iniciativës “Vuçiç”, por planin e presidenti të Serbisë po e shpalos çdo ditë ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daçiç. Ai e nisi shpalimin e planit serb për Kosovën, duke thënë se “Përpiqem të propozoj një zgjidhje afatgjatë, sepse ajo bazohet në të drejtën historike e etnike që vetëkupton caktimin e kufijve të asaj që është serbe dhe të asaj që është shqiptare”. (http://zeri.info/aktuale/157188/daciq-ne-rajonet-ku-ka-serbe-kosova-mund-te-jete-e-pavarur-vetem-me-tanke/ Madje ministri i Jashtëm i Beogradit kërcënon se nëse nuk ndodh kjo, ndarja e Kosovës, atëherë hyjnë në veprim tanke.
Sipas zotit Daçiç, duhet të përcaktohen kufij të ri për Kosovën dhe Serbinë, shkurt duhet që një pjesë e territorit të Kosovës të kalojë nën sovranitetin e Serbisë. Veriu i Mitrovicës është pikëshënjestra e kryediplomatit të Serbisë. Kjo për dy arësye, njëra “demografike”, sepse në këtë pjesë të Kosovës shumica e banorëve janë të etnisë serbe dhe tjetra gjeopolitike, sepse “Fuqitë Perendimore synojnë që nëpërmjet veriut të Mitrovicës të krijojnë një lidhje territoriale të Kosovës me Sanxhakun dhe Bosnjën”, me qëllim izolimin e Serbisë nga Mali i Zi dhe pjesa perendimore e Ballkanit, shkruan Daçiç. Për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai shprehet se “Një lidhje e ‘Kosovës së islamizuar’ me Sanxhakun, do të ishte një dështim më i madh për popullin serb, më i madh se të gjitha dështimet e popullit serb në shekullin e 20-të.”
http://lajm.net/gazeta-gjermane-u-jep-hapesire-deklaratave-te-daciqit-per-shqiperine-e-madhe.html
Ndërsa sot shefi i diplomacisë së Beogradit ishte në Këshillin e Sigurimit dhe ka hedh dy “argumente” të tjerë në përpjekje për ta sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për ta mbështetur opcionin e tij të ndarjes së Kosovës. Në replikë më ambasadoren Vlora Çitaku, Daçiç thoshte sot se “në Kosovë nuk ka kosovarë, por ka shqiptarë” dhe se “kryeqyteti i parë i Serbisë ka qenë Prizreni”! Dy teza këto në ndihmë të argumentit historik dhe aktual, me qëllim që t’i thuhet botës se “Kosova duhet të ndahet”!
Nëse analizojmë gjithashtu interesat politike, gjeopolitike, ekonomike, financiare të Serbisë, atëherë nuk është vështirë ta zgjidhim ekuacionin “e panjohur” se cili është projekti i diskutimit të brendshëm serb për Kosovën. Këto na i zbulon zoti Daçiç dhe synimi është e mbetet ndarja e territorit. Eshtë e njëjta strategji si ajo e dy shekujve të fundit, me objektiv krijimin e Serbisë së Madhe. Kjo strategji ka lënë pasoja tragjike në Kosovë, masakra masive, djegje e shkatërrime, përdhunime, burgosje, vrasje, pushkatime, për të cilat as është bërë as nuk do të bëhet ndonjë dialog i brendshëm në Serbi. Dialogu do jetë përsëri nga pozitat e shovinizmit serbo-madh! Në tavolinën e diskutimit të brendshëm do të jenë territoret e shqiptarëve në Kosovë!
Se do të këtë në Beograd e në Serbi një dialog të tillë na e dha sinjalin vetë kryetari i Bashkisë së Beogradit kur para katër ditësh i dha një bulevardi emrin provokativ “Heronjtë e Koshares”! Nuk ka nevojë të jesh kryeministër a president që ta lexosh mesazhin e kësaj sjelljeje diversioniste të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ndërkaq qeveria serbe nuk hezitoi të dërgojë zjarrfikësit e saj “për shuarjen e zjarreve në Shqipëri”. Veçse të gjitha veprimet e saj në vijim të deklaratës së Vuçiç dëshmuan se angazhimi në terren për shuarjen e zjarreve në Shqipëri ishte dhe mbetet në sytë e opinionit publik si perde për të mos parë ndezjen e zjarrit për Kosovën në Beograd. Ndarja e Kosovës nuk është diskutim i brendshëm për Kosovën, por është projekt i një luftë të re midis shqiptarëve dhe serbëve.
Me këtë projekt Serbia në vend të diskutojë me vetëveten, kërkon kompromis me palën shqiptare në stilin e Koshtunicës dhe të Tadiç se “Nuk mundet që njëra palë t’i marrë të gjitha dhe tjetra të mumbasë gjithçka”! Me dialog dhe “me kompromis” Beogradi kërkon zgjerimin e territorit të Serbisë, duke realizuar në paqe, atë që humbi në luftë! Nëse shqiptarët dhe institucionet e Kosovës pajtohen me këtë, atëherë do të jetë rasti i parë në histori kur në nënshkruajmë kapitullimin, sepse për çdo vend dhe shtet në botë territory është i shenjtë!
Që të mos ndodh kjo, institucionet e Prishtinës duhet të pozicionohen dhe t’i thonë jo Beogradit si dhe tolerancës së kryeministrit të Shqipërisë. “Patriotët e mëdhenj” që dogjen Kosovën për demarkacionin me Malin e Zi po heshtin në rastin e projektit serb për ndarjen e territorit të vendit. Këta “patriotë” ndoshta presin çastin që pasi të bëhet fakt ndarja e Kosovës të shijojnë ndonjë “referendum” për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe atëherë të thonë “Ja, ky ishte projekti ynë! Fitore! Rroftë Edi Rama”! Dhe mbas reziltatteve negative të një referendum të tillë të struken në atë shtetin e cunguar të Kosovës, simbilet e të cilit ende nuk I njohin e të thonë :Ne e bëmë tonën, ishte vendimi I qytetarëve JO-ja për bashkim”! Kjo JO është aq e sigurt, sa e sigurt është se kryeministri I Shqipërisë nuk e dëshiron në asnjë rrethanë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 1998 epskpertë të partisë së tij i kishin propozuar bashkësisë ndërkombëtare shkëputjen e veriut të Shqipërisë dhe bashkimin e tij me Kosovën, me qëllim që në rastin e ndarjes së Kosovës të kompensohej ajo.
Pra të gjitha shenjat tregojnë se prapa indicativës së Vuçiç fshihen dy djajë: Njëri ka të bëjë me atë që në Europë e në SHBA të besojnë në një Serbi “tolerante”, “të gatshme për dialog e lëshime” dhe tjetri ka të bëjë me dremitjen e shqiptarëve, e kam fjalën të politikës, elitës akademike, shoqërisë civile, aktorë këta që shohin “ëndërrën e gomarit”!
Lëvizja e re politike e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është lëvizja më e rrezikshme e këtyre dy dekadave të fundit. Ajo bazohet në platformën e të gjithë kryeministrave dhe presidentëve serbë të mëparshëm përfshirë Sllobodan Millosheviç, Zoran Xhinxhiç, Vojisllav Koshtunica, Boris Tadiç e Tomisllav Nikoliç. Kjo lëvizje bëhet akoma më e rrezikshme për shkak se në deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë nuk ka një përgjigje të prerë, pa ekuivok. Ai thjesht thotë se ndarja e Kosovës nuk është racionale e nuk na çon asgjëkundi, ndërkohë që Daçiç e thotë hapurr se “Mosndarja na çon ën përdorimin e tankeve”! Një disproporcion i madh në qëndrimet e palëve.
Keqardhja e zotit Rama për zotin Vuçiç, “për vuajtjet” e tij për këtë dialog të brendshëm serb, është ose hipokrizi, ose idiotësi! Zoti Vuçiç, megjithëse pjesmarrës aktiv në luftërat e Serbisë në Boanjë e në Kosovë, së paku në rastin e Kosovës asnjëherë nuk kërkoi ndjesë. Ndërsa kryeministri shqiptar “i kërkon ndjesë” atij, pse “qenka vënë në vështirësi” për nëj diskutim, të cilin e ndërmerr për interesat e tij e nga i cili dëshiron të rikrijojë në kushte paqeje Serbinë e Madhe, duke realizuar kështu ëndërrën e Milosheviçit.
Prandaj e shoh të domozdoshme që në Kosovë dhe në Shqipëri të ketë kohezion dhe institucionet tona të reagojnë përmes të gjitha mjeteve adekuate kundër politikës dhe projektit të tillë të Beogradit. Një diskutim brenda Kosovës ose brenda Shqipërisë është jo vetëm i panevojshëm, por madje i dëmshëm, sepse do të kanalizohej në drejtim të plotësimin të interesave të Serbisë në Kosovë. Thirrjen e zotit Rama për këtë lloj diskutimi e shoh si një prapavijë të politikës së presidentit të Serbisë, zotit Vuçiç. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që “keqardhjen” e zotit Rama për zotin Vuçiç, ta shndërrojnë në një aksion ndihme e solidariteti të shqiptarëve të Shqipërisë me serbët e Serbisë, kundër shqiptarëve të Kosovës!
Kush dhe si merr vendime të mëdha?
-Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?/
Shkruan: Isa MUSTAFA/Si fëmijë shkoja kohëve të pushimeve shkollore nga Prishtina në fshatin tim Prapashticë, te axha im. Një herë, deri sa isha para shtëpisë, vërejta se po ecte ngadalë, si duke u hamendur, një fqinjë i yni me plis dhe maramë në pikun e verës. I u drejtova, hajde o bacë, a po vjen brenda. Ma ktheu “ jo biro, veç dola po eci, e po bej seri e po bej…deri sa mo s’po di si me bo”. Bacin e kishte rënduar varfëria, familja e madhe dhe kërkonte derë për zgjidhje.
Në këto ditë do të doja të shoh një të mençur të na thoshte sesi të marrim vendime të mëdha, të cilat u morën si pretekst për të ardhur në këtë situatë, që as Kuvendin s’po arrijmë të konstituojmë. Si të zgjidhim liberalizimin e vizave, për qytetarët tanë , të cilët të vetmit kanë mbetur të izoluar në Evropë, e që lidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kush do ti sigurojë 80 vota në kuvend. A do të votohet marrëveshja e cila është pajtuar me Malin e Zi apo do të kërkohet tjetër marrëveshje. A do të pajtohet Mali i Zi të bëjë një marrëveshje tjetër , pasi ka ratifikuar në Parlament marrëveshjen e pajtuar me ne. Nëse jo, sa do të zgjasin procedurat në arbitrazh ndërkombëtar dhe sa do të shtyhet liberalizimi, pasi që Komisioni Evropian ka konkluduar se ratifikimin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës e jo arbitrazhi ndërkombëtar.
Si do të procedohet me dialogun me Serbinë, me të cilin lidhet rruga jonë e integrimeve evropiane.
Si do të transformohet FSK në Forcë të Armatosur, dhe si do të ruhet partneriteti me NATO-n dhe me SHBA-të, në situatën kur serbet në kuvend refuzojnë të votojnë ndryshimet kushtetuese që lidhen me këtë materie, ndërkaq partnerët tanë thonë se kjo duhet të bëhet me pajtueshmëri të gjere dhe me ndryshime kushtetuese.
Si do të forcohet shteti ligjor, më konkretisht si do të luftohet krimi dhe si do të luftohet korrupsioni.
Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?
Kam dëgjuar deklarata të ndryshme se Kosovës i nevojiten liderë që marrin vendime të mëdha. Por për të marrë vendime të mëdha duhet pasur madhësinë e pasuesve, si qytetarë apo deputetë që përfaqësojnë sovranin. Në Kosovë, maksimalisht arrihet te një e treta.
Deri tani, ne kemi marrë vendime të mëdha, por të gjitha këto vendime i kemi marrë me mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të miqve tanë evropian. Vendimi për shpalljen e pavarësisë. Vendimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Marrëveshjet e dialogut me Serbinë. Njohjet e pavarësisë nga shtete të ndryshme.
Votat që LDK i ka dhënë në Kuvend deri sa ishte në opozitë, për disa vendime të mëdha, por jo të lehta, janë pajtime të arritura me faktorin ndërkombëtar, në rend të parë me SHBA për të quar përpara proceset e pavarësisë dhe të shtetndërtimit. Si LDK nuk kemi dhënë votë për zgjatjen e vendeve të rezervuara për përfaqësuesit joshumicë në Kuvend. Nuk e kemi përkrahur fusnotën.
Konsideroj se përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e kanë ata që e shkaktuan këtë gjendje . Ata tani duhet të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe, jo vetëm si me prishë, por si me ndërtua.
(Shkrim në ‘facebook’ i kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, 16 gusht 2017)
Një politikan si Arbër Xhaferi,- Vazhduesi i Linjës Kombëtare të Hasan Prishtinës

Me rastin e 5 vjetorit të ndërrimit jetë të politikanit dhe ideologut të njohur Arbër Xhaferi po ribotojë një shkrimin tim rreth vlerësimit të figurës së tij. Me z.Xhaferi jam njohur në vitin 2002, kemi patur disa takime, por në vitin 2009, ai më kërkojë që të këshillohet me mua rreth disa çështjeve politike greko-shqiptare-sllavomaqedonase. Pata fatin të shkruaj në kompjuterin e tij, analizat, opinionet, kjo si pasojë e sëmundjes që e rëndonte viteve të fundit të jetës. Ruaj me fanatizëm disa letra që më dërgoj muajve të fundit para se të ndërronte jetë. Këto letra do jenë pjesë e historisë në një kohë më të përshtatshme, atëherë ku shumë figura politike të mos jenë më, me qëllimin e mirë që të mos keqkuptohen dhe keqpërdoren.
Nga Arben LLALLA*/
Të gjithë në ditët e zisë për vdekjen e parakohshme të Arben Xhaferrin nxituan të thonin fjalë të mira, por harrojmë që disa prej tyre që vajtonin e izoluan atë politikisht duke sabotuar idetë dhe programet e tij kombëtare duke u ulur me vasalitet në prehrin e kundërshtarit.
Arben Xhaferi në dukje duket se dështojë në fushën e politikës, por në të vërtetë ai arriti suksese duke mbrojtur themelimin e UT, krijoj kushtet për themelimin edhe të një universiteti tjetër shqiptar në Tetovë, atë të UEJL, është ideatori i themelimit të Institutit të Studimeve në Shkup “Pjetër Bogdani”.
Xhaferi denoncoj ndërkombëtarisht racizmin shtetëror të Maqedonisë të çdo gjëje shqiptare etj. Çdo kush ka patur mundësinë që të shohim deklaratën e z.Arben Xhaferit pas firmosje së Marrëveshjes së Ohrit, kur ai foli në gjuhën shqipe dhe ky veprim diplomatik i tij u pengojë politikanëve maqedonas të cilët u distancuan zyrtarisht.
Deklarata në gjuhën shqipe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ishte demaskim publik që Arben Xhaferi i bëri shtetit të Maqedonisë në sy të diplomatëve të huaj të cilët u habitën nga veprimet distancuese të drejtuesve shtetëror maqedonas për gjënë më të thjeshtë sepse Arben Xhaferi foli në gjuhën e tij kombëtare.
Arben Xhaferi ishte njeri modest dhe i kuptueshëm, që diti të lexonte mentalitetin dhe mendimet e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Pata rastin të bashkëpunoj ngushtë disa kohë me të, të këshillohej me mua rreth çështjes politike midis Greqisë dhe Maqedonisë. Ai pajtohej për çështjen e emrit të Maqedonisë me çdo emër, përveç që kjo Republikë të mos të kishte përmbajtje të emrit SLLAVË.
Në fund të vitin 2008, si anëtar i Forumit Imazh dhe Media propozoj që Arben Xhaferi të shpallej POLITIKANI I VITIT I TREVAVE SHQIPTARE nga ky Forum, një çmim që e meritonte, por që nuk mbërriti në dorën e tij ashtu siç e meritonte. Ai mu lut që mos të bëhej zhurmë për këtë vlerësim të madh që i bëhej.
Ai do mbetet njeriu që diti të bënte politikë me shqiptarët e Maqedonisë duke i njohur shumë mirë në kulturë dhe psikologji. Ishte nacionalistë që e vuante në shpirt përçarjen e shqiptarëve. Asnjëherë nuk u morr me shkrime të politikës ditore, nuk botoj asnjë shkrim që të kritikonte politikanët shqiptar andej dhe këtej kufirit edhe pse ata i meritonin kritikat për politikën e keqe që bënin.
Arben Xhaferi nuk besonte në religjione por në ZOT. Nuk ishte përkrahës i politikës nënshtruese të shqiptarëve ndaj Turqisë dhe Greqisë, por vështronte nga Perëndimi. Tek e fundit Arben Xhaferi mendonte dhe vepronte si Rilindasit me parrullën FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA. Ai ishte vazhduesi i linjës së politikës së Hasan Prishtinës.
Kush pati mend e kuptoj atë, kush nuk pati mend nuk e kuptoj dhe nuk ka për ti kuptuar asnjëherë Rilindasit.
Familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë i bënë nderime dhe një varrim të thjeshtë ashtu siç ishte vetë Arben Xhaferi. Shumica e politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës ishin atë të ditë për të përcjellë trupin e pa jetë të njeriut vizionar që edhe i mundur nga sëmundja prej vitesh nuk e ndali kontributin për çështjen kombëtare.
Atë ditë në varrim munguan dy figurat qendrore të Tiranës, Sali Berisha dhe Fatos Nano të cilët i kanë disa borxhe të pashlyera politike Arben Xhaferit. Ai nuk e meritonte mos ardhjen e tyre për të hedhur një grusht dhe, nuk ka asnjë justifikim për këta dy politikan që z.Xhaferi u është gjendur në ditë të vështira atyre.
* (Gusht, 2012)- Foto, zv.ministrja e Kulturës Suzana Turku duke i dhuruar të autorizuarit z.Arben Llalla, çmimin POLITIKANI I VITIT I TREVAVE SHQIPTARE, për z.Arbër Xhaferi i cili për arsye shëndetësore nuk mundi të vinte vetë të merrte këtë çmim.
- « Previous Page
- 1
- …
- 527
- 528
- 529
- 530
- 531
- …
- 667
- Next Page »


