• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E djathta në Shqipëri dhe ridimensionimi i saj

July 22, 2017 by dgreca

1 Basha MediuNga Fatmir MEDIU/

Sot bëhen votimet në PD. Pa dashur të hyj në polemikat e PD-së, por dhe si aleat i Partisë Demokratike do uroja qe PD të jetë sa më e fortë dhe e bashkuar.

Jo vetëm procesi i Bashkimit dhe forcimit të PD-së si forca kryesore e opozitës, por dhe riorganizimi i të djathtës është vendimtar

Partitë tradicionale si Legaliteti dhe Balli Kombëtar (të dy partitë) duhet të jenë pjesë e rëndësishme e këtij riorganizimi.

Të përndjekurit politik dhe pronarët janë jo vetëm historia e të djathtës për të cilët duhet të krenohemi të gjithë, por dhe një forcë e jashtëzakonshme politike dhe elektorale injorimi i të cilëve ka sjellë pasoja të mëdha në peshën politike të së djathtës. Marrëdhënia me ta duhet të ridimensionohet dhe ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe konkurrimit elektoral.

Po ashtu njëherë e mirë profili ynë në mbështetje të biznesit duhet jo vetëm të shpjegohet si mundësia e vetme e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe si një marrëdhënie e përditshme shumë solide që duhet të synojë në një angazhim të përditshëm për të fituar besimin dhe mbështetjen e tyre.

Rinia ka qenë forca e të djathtës dhe luftëtarët e lirisë, pragmatizmi i së majtës duke e kushtëzuar të ardhmen e tyre me pushtetin dhe punën e shtetit ka krijuar dhe do krijojë një hendek të madh në demokracinë tonë të manipuluar nga Etatizmi i së majtës, prandaj angazhimi i tyre si forcë lëvizje drejtuese dhe jo skalion mbështetës është domosdoshmëri.

Pushtetit i marrë i së majtës që po shkatërron çdo vlerë tradicionale dhe konkurruese, me blerjen e votës, varfërinë dhe largimin masiv nga Shqipëria kërkon një gjykim dhe politikë krejt ndryshe të së djathtës.

Rama po shkatërron çdo vlerë pozitive të shoqërisë sonë duke tentuar që korrupsionin e qeverisë dhe të majtës ta kthejë në një korrupsion të pranueshëm të shoqërisë.

E djathta duhet të jetë një strukture politike dhe organizative vendimmarrëse ndoshta në një organizim federativ ku gjithë faktorët e saj të jenë pjesë e gjykimit dhe vendimmarrjes.

E djathta është një mozaik vlerash që bazohet tek Liria dhe Besimi, në luftë me pushtetin që kufizon lirinë dhe vendimmarrjen tonë.(Syri.net)

Filed Under: Politike Tagged With: E djathta shqiptare, Fatmir Mediu, ridimensionim

SHQIPTARË, MOS KINI FRIKË NGA IDENTITETI JUAJ

July 21, 2017 by dgreca

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/ DIELLI

“Jeta është e shkurtër e studimi është i lodhshëm, njeriu është përtac nga mendja, publiku është i durueshëm dhe perdja është e siguruar kundrejt vërshëllimave, kështu që përse dikush të shqetësohet për faktet, kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym?”  Kjo thënje e të urtit Faik Konica m’u kujtua ndërsa po lexoja në shtypin shqiptar të ditëve të fundit, pohime sulmuese dhe reagime në lidhje me identitetin e nenës së Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

Ia lëmë fajin muajve të verës, pasi politikanët janë në pushime dhe si rrjedhim ka shumë pak lajme për të shkruar e për të diskutuar nga anlaistë e komentatorë, pasi duhet mbushur faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve m debate.  Por, a duhet që në këtë mungesë aktivitetesh politike të kësaj vere – me përjashtim të zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike — t’i kushtohet një diskutim i tillë një personaliteti të kombit siç është figura e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbe dhe etnicitetit të nënës dhe babait të tij.   Është ky një debat i mbrendshëm dhe i pa nevojshëm midis shqiptarëve por për më tepër është shumë i dëmshëm, pasi sjellë ujë në mullirin e atyre që historikisht dhe sidomos viteve të fundit, kanë  venë në pikëpyetje jo vetëm rolin e Gjergj Kastriotit Skenderbe, si Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, por edhe identitetin dhe madje edhe historinë e shqiptarëve në përgjithsi, të cilën ata kanë kërkuar  dhe kërkojnë që ta ndryshojnë, sipas interesave të tyre.  Këta protagonistë, shqiptarë dhe të huaj — të kësaj fushate për tjetërsimin e historisë së kombit shqiptar, ose të pakën për hedhjen e dyshimeve ndaj fakteve historike — nuk janë as historianë, as akademikë, por janë politikanë të huaj dhe veglat e tyre shqiptare për të cilët,     Faik Konica ka shkruar se nuk shqetësohen aspak për faktet historike, “Kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym?”   Përsa u përket të huajve, kjo nuk është për tu habitur, kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë të jetë qëndrimi I tyre ndaj historisë së kombit shqiptar dhe Heroit Kombëtar Gjergj Katsrioti Skënderbe.  Por që shqiptarët, të luajnë kartën e të huajve duke hedhur dyshime mbi historinë dhe herojtë e vet, kjo është pak e rëndë dhe e papërgjegjshme.  Në të vërtetë, ky ka qenë dhe është objektivi përfundimtar i të huajve, që të mbjellin dyshime në vetë radhët e shqiptarëve mbi identitetin e tyre kombëtar dhe mbi historinë dhe prejardhjen e tyre.  Kujt i intereson që në këtë moment të historisë të sulmohet figura e kombit shqiptar, sidomos nga njerëy që nuk kanë të bëjnë me historinë, por të cilët mund të kenë një platformë për të përhapur dyshime.

Mohimi i historisë dhe i identitetit kombëtar të shqiptarëve nga të huajt, historikisht, nuk është një subjekt i ri.  Në kohë të caktuara është bërë dhe bëhet për qëllimet e tyre anti-shqiptare.  Ne shqiptarët që kemi jetuar nën ish-Jugosllavinë e dimë mirë këtë lojë të armiqve të shqiptarëve, ndërkohë që regjimet e asj kohe bënin ç’mos që të ndryshonin identitetin e shqiptarëve në trojet e veta, me ndryshim emrash e mbiemrash, por edhe toponimesh.  Por që kësaj fushate t’i bashkohen vet shqiptarët, kjo është diçka e re.  Këto mohime të historisë dhe të heronjve kombit shqiptarë, përfshirë Gjergj Kastriotin Skendërbe dhe familjen e tij, i kemi dëgjuar vazhdimisht  nga qarqe politike, akademike dhe fetare, kryesisht nga qendrat historikisht anti-shqiptare: Beogradi, Stambolla e Athina.  Këta kanë mohuar dhe madje kanë kërkuar zyrtarisht edhe ndryshimin e historisë së shqiptarëve sipas orekseve të tyre politike, fetare, ideologjike dhe historike, të momentit. Këto pretendime disa prej udhëheqësve më të lartë të këtyre vendeve i kanë shprehur madje edhe zyrtarisht, jo vetëm nga larg por edhe gjatë vizitave zyrtare në Kosovë e në Shqipëri, ashtu siç ka bërë edhe Presidenti turk Erdogan në disa raste, ndërkohë që udhëheqsit shqiptarë nga të dy anët e kufirit  heshtin ndaj këtyre pretendimeve dhe sulmeve kundër historisë së shqiptarëve autoktonë në torjet e veta me mijëra vjetë.   Për arsye që nuk dihen dhe mbeten të pashpjegueshme, përfaqsuesit e kombit shqiptar sot — përballë këtyre sulmeve të vazhdueshme, të jashtme dhe të mbrendshme, ndaj historisë kombëtare dhe veçanërisht fushatat e herë pas hershme kundër Gjergj Kastriotit Skenderbe — nuk mbrojnë historinë, figurat historike dhe identitetin e kombit shqiptar.

Mbrojtja e historisë, e heronjve kombëtar si Gjergj Kastrioti dhe mbështetja e identitetit historik kombëtar janë çështje të shënjta të sigurimit kombëtar, të vet ekzistencës së kombit.  Përgjegjësia numër një e një shteti dhe e përfaqsuesve të tij është që të mbrohet historia dhe identiteti kombëtar ashtu siç do të mbrohej kufiri, në rast të një sulmi ushtarak.  Mbrojtja e interesave kombëtare historike dhe të identitetit kombëtar, kur ato sulmohen pa të drejtë dhe pa fakte nga kushdo qoftë, nuk është shprehje nacionalizmi, por është vet-mbrojtje e ekzistencës së një kombi. Kombi shqiptar nuk ka krizë identiteti dhe udhëheqsi shqiptarë nga të dy anët e kufirit duhet të mbrojnë interesat kombëtare madje edhe para udhëheqsve të huaj – para të cilëve shpesh bëjnë temena.

Sikur Shqipëria nuk ka probleme të tjera për të cilat analistë dhe komentuesit e gazetarët duhet të ndihmojnë në propozimin dhe gjetjen e  zgjidhjeve, në vend që të merren me  historinë  dhe identitetin e kombit.  Me historinë të merren historianët. Por me të gjitha këto halle të vet shkaktuara, shumica e shqiptarëve e dinë se cili është identiteti i tyre, cila është historia dhe kush janë heronjtë e saj, si dhe cili është roli i Gjergj Kastriotit Skennderbe në historinë e shqiptarëve ndër shekuj.  Shpresojmë se Shqipëria do të jetojë përgjithmonë me identitetin e saj unik në zemrat e bijve dhe bijave të saj më të mirë, të atyre shqiptarëve që sipas At Gjergj Fishtës nuk janë vetëm shqiptarë me fis e me trup, por që janë shqiptarë me shpirt.  “Shqiptarët me shpirt” të At Gjergj Fishtës, sot më shumë se kurrë, duhet të ruhen e të kenë kujdes  interesat kombëtare nga sulmet e “zuzarëve” të Faik Konicës që “u lindën në Shqipëri”, por të cilët luajnë lojën e dikujt tjetër

E fillova me fjalët e urta të Faik Konicës dhe po e mbaroj me Faik Konicën. O shqiptarë, nëqoftse nuk kini çka u bëni të hujave që sulmojnë historinë dhe heronjtë e kombit shqiptar, përfshirë Gjergj Kastriotin Skenderbe – atëherë Konica porositë shqiptarët që të pakën t’i luftojnë ata që janë të “lindur shqiptarë” por që punojnë kundër interesave të kombit, pasi “Eshtë turp prej kësi krimbash,Të mundohet një komb trimash!”


Tema: Poezi Për Atdheun

Flamuri

Skenderbeu kur jetonte
Shqipëria lulëzonte.

Ishe e fortë, ish e zonjë
Kish në flamur një shqiponjë
Një shiponjë me dy krerë
Ai lirisht hapej në erë.

Kur armiku na vërvitej
Flamuri i kombit ngrihej

Gjëmonin një mij trumbeta
Suleshin treqind mij veta.

Derdhjin gjakun si të marrë
Që të mbaheshin Shqipëtarë.

Derdhjin gjakun pa peshuar
Për flamunrin e bekuar.

Po trimat shkuan përjetë,
Shqipëria mbet e shkretë

Trimat shkuan edhe vanë
Kordhët po ndryshken mënjanë.

Kordhët ndryshkën e në baltë
Na ra flamuri i naltë!

Na ra flamuri i naltë
Mbeti e u kalb në baltë!

Sot kan dalë ca zuzarë
Që ulërtinë shqipëtarë,

Po këtë emër e lanë
U bashkuan me aganë

E punojnë nat’ e ditë
Që të mebtemi pa dritë,

O zuzar, o tradhëtorë
Ne na bëjtit shërbëtorë,

Na e vuatlitë lirinë
E na shkeltë Shqipërinë.

Rrëmbyet e po rrëmbeni
Gjith se ç’patmë e se ç’kemi!

Po mjaft! Koha ësht afër,
Kur të ndizet luft’e ashpër,

Lufta tri her’e bekuar
Që na ka pët të shpëtuar,

Jo luftë kundrë Turqisë,
Jo kundrë mbretit Shqipërisë,

Po luftë për ca zuzarë
Që u lindnë shqipëtarë

E, armiq të Shqipërisë,
I fryjnë dritës së lirisë,

S’na lënë dhe ne të tjerët,
T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash!

Ngrehuni, o shqipëtarë,
T’i shtypim këta zuzarë!

Faik Konica

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, MOS KINI FRIKË, NGA IDENTITETI JUAJ, shqiptare

Teuta Rugova, ‘për hir’ të Presidentit Rugova, mbështetje Haradinajt

July 21, 2017 by dgreca

Teuta Rugova: Jam keqkuptuar, nuk do të veproj kundër qëndrimit të LDK–së(KOHAnet)/

*LDK: Refuzim të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN/

1 ok Teuta RugovaDeputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, i ka dhënë mbështetje kandidaturës së Ramush Haradinajt nga koalicioni PAN, për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Përkundër deklarimeve nga LDK-ja se deputetët e kësaj partie politike janë unikë dhen uk do t’i bashkohen ndonjë koalicioni tjetër, Teuta Rugova, e bija e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, themeluesit të LDK-së, megjithatë ka konfirmuar se e mbështetë Haradinajn, nga koalicioni rival i LDK-së.

“Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Teuta Rugova në rrjetin social Facebook.

Paraprakisht familja Rugova ka pritur në shtëpinë e tyre Ramush Haradinajn.

“Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokoj proceset dhe të injoroj rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së”, është shprehur Rugova.(Europa e Lire)

KOHAnet

Teuta Rugova: Jam keqkuptuar, nuk do të veproj kundër qëndrimit të LDK–së

Deputetja e LDK-së, Teuta Rugova në një postim të ri në Facebook theksuar se “deklarata ime është keqkuptuar nga disa në raport me qëndrimin tim”, transmeton Koha.net.

“Unë jam deputete e LDK-së dhe as tash nuk do të veproj as edhe kurrë më parë nuk kam vepruar jashtë qëndrimit të LDK-së”, ka thënë ajo.

Në postimin paraprak ajo e kishte ftuar partinë e saj që ta votonte të nominuarin e PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinajn.

Ky është postimi i ri i Teuta Rugovës:

“Mendoj se deklarata ime e mëparshme është keqkuptuar nga disa në raport me qëndrimin tim sepse shumë thirrje e mesazhe më kanë ardhur me pyetje rreth votës time. Unë jam deputete e LDK-së dhe as tash nuk do të veproj as edhe kurrë më parë nuk kam vepruar jashtë qëndrimit të LDK-së”..

***

LDK: Refuzim të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN

PRISHTINË, 21 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen me kryetarë të degëve, të cilën e udhëhoqi kryetari i LDK-së njëherësh kryeministër i vendit, Isa Mustafa.

Njoftimi i dërguar thekson se, gjatë mbledhjes u diskutua rreth organizimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, përfshirë kriteret dhe orientimet rreth propozimeve për kryetar të komunave, për këshilltarë komunal si dhe programin të cilin LDK-ja do t’ua ofron qytetarëve në zgjedhjet lokale.

Kryetarët e Degëve të LDK-së, gjithashtu diskutuan dhe përkrahën fuqishëm kryetarin Mustafa dhe Kryesinë e LDK-së në qëndrimet e partisë në raport me formimin e qeverisë. Kryetarët e degëve siguruan kryetarin Mustafa se deputëtët e degëve përkatëse janë unik dhe të bashkuar rreth qëndrimeve të LDK-së dhe refuzimit të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN.

Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë ditëve në vijim do të mbaj edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, kur edhe do të miratojë orientimet dhe kriteret për propozimet për kryetarë të komunave./b.j/

 

Filed Under: Politike Tagged With: mbeshtetje Haradinajt, Teuta Rugova

NATO, E PËRKUSHTUAR TË QËNDROJË NË KOSOVË

July 21, 2017 by dgreca

-Komandanti Suprem i Aleancës për Evropë në vizitën në Kosovë takon Presidentin Thaçi, pritet edhe Ministrinë e FSK-së./1 NATO-Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti ka thënë se NATO është e përkushtuar të qëndrojë në Kosovë, për të siguruar paqe dhe stabilitet për krejt rajonin.

PRISHTINË, 21 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Komandanti Suprem i Aleancës për Evropë, Gjenerali Curtis M. Scaparrotti, po viziton sot Kosovën, ku shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori Giovanni Fungo, u prit në takim edhe nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi ka falënderuar gjeneralin Scaparrotti për mbështetjen që NATO i ka dhënë Kosovës në sigurimin e paqes në Kosovë dhe rajon.

Presidenti ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë ka qenë përcaktues jo vetëm në ruajtjen e stabilitetit dhe rritjen e sigurisë, por edhe në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Roli juaj në Kosovë, si dhe në rajon është i pazëvendësueshëm. Do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje”, ka theksuar Presidenti.

Presidenti Thaçi ka informuar atë për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Sipas tij, Kosova ka përfunduar me sukses procesin e zgjedhjeve, të cilat kanë qenë të lira, fer dhe demokratike.

“Tani jemi në proces të krijimit të institucioneve të Kosovës, të cilat do të jenë multietnike dhe me orientim të qartë euroatlantik”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur për bashkëpunimin me shtetet e rajonit, presidenti Thaçi ka përshëndetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke shpresuar që rrugën e njëjtë do ta ndjekin edhe shtetet tjera, duke kontribuar kështu për paqen afatgjatë në rajon.

Nga ana tjetër, komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti ka thënë se NATO është e përkushtuar të qëndrojë në Kosovë, për të siguruar paqe dhe stabilitet për krejt rajonin.

Presidenti ka theksuar se Kosova është duke punuar që të përmbyll procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. “Kjo do të ndodh në koordinim të plotë me ju dhe me përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe komuniteteve në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Kosova po ashtu do të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për bashkëpunimin rajonal dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore.

Sipas axhendave të njoftuara deri tash, Komandanti i Komandës së SHBA-ve për Evropë dhe Komandant Suprem i  Forcave Aleate të NATO-s,  Gjeneral Curtis M. Scaparrotti  do të vizitojë  edhe Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ministria në njoftimin e dërguar bën të ditur se,  ai do të pritet nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Orkestra frymore e FSK-së do të ekzekutoj Himnin e NATO-s si dhe Himnin shtetëror të Republikës së Kosovës.

 

KFOR ka ftuar përfaqësuesit e medieve të marrin pjesë në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur nga Gjenerali Curtis M. Scaparrotti, Komandanti Suprem i Aleancës për Evropë (SACEUR) dhe nga Gjeneral Major Giovanni Fungo, Komandanti i Forcës së Kosovës (COMKFOR) në aeroportin ushtarak të Sllatinës. Komandanti Suprem i Aleancës  për Evropë do të ndajë informacione me gazetarët mbi misionin e KFOR-it në Kosovë dhe operacionet e NATO-s.

Konferenca për shtyp do të pasohet nga një turne me helikopter, e ofruar nga Komandanti i KFOR-it për përfaqësuesit e medieve, thekson njoftimi dërguar nga forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë.

Para një viti, në 1 korrik 2016, Komandanti i posaemruar Suprem i Aleancës për Evropë (SACEUR), gjeneral Curtis M. Scaparrotti ishte për vizitë në Kosovë, e më pas në 21 shkurt 2017, me ç’rast në konferencën për shtyp  mes tjerash deklaronte se, “derisa Kosova ecë përpara dhe përqafon të ardhmen e saj, NATO mbetet e zotuar për të bërë pjesën e saj”.

Në vizitën e parë, në takimin para një viti me Presidentin Thaçi Gjenerali Curtis Scaparrotti e siguroi se stabiliteti i Kosovës dhe pjesës tjetër të Ballkanit mbetet prioritet i lartë i NATO-s.

“Jemi këtu në Kosovë që t’ju mbështesim për atë që keni bërë deri më tani si institucione të Kosovës. Ky është gjithashtu qëndrim NATO-s dhe i ministrave të brendshëm e të jashtëm. I mbështesim përpjekjet tuaja për normalizim të marrëdhënieve me Serbisë, për zhvillim ekonomik dhe do ta vazhdojmë edhe mbështetjen për FSK-në”, theksonte gjenerali Scaparrotti.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i rikonfirmonte Gjeneralit Curtis Scaparrotti se KFOR-i gëzon një respekt, besim dhe mbështetje nga të gjithë në Kosovë, pa dallim etnie apo përkatësie fetare.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, E PËRKUSHTUAR TË QËNDROJË, NATO, ne Kosove

Senatori John McCain diagnostikohet me kancer të trurit

July 20, 2017 by dgreca

Senatori amerikan John McCain është diagnostikuar me kancer të trurit, tha të mërkurën Spitali i Klinikës Mayo në Finiks të ArizonësTumori u zbulua pasi senatori iu nënshtrua një procedure të vogël javën e kaluar për të hequr një mpiksje gjaku mbi syrin e majtë.

“Patologjia e mëvonshme e indit zbuloi se mpiksja e gjakut ishte e lidhur me një tumor të trurit, të njohur me termin glioblastomë”, tha spitali.

“Mjekët e senatorit thonë se ai po e merr veten jashtëzakonisht mirë pas operacionit dhe shëndeti i tij i përgjithshëm është i shkëlqyer”, thuhej në një deklaratë të publikuar nga zyra e zotit McCain.

Glioblastoma është një tumor veçanërisht agresiv që formohet në indin e trurit dhe palcës kurrizore, sipas Shoqatës Amerikane të Trurit.

McCain, veteran i Vietnamit dhe ish-i burgosur i luftës, u zgjodh në Senat në vitin 1986. Ai ishte kandidati presidencial i Partisë Republikane në vitin 2008 dhe humbi ndaj Barak Obamës.

Ky është i njëjti lloj kanceri si ai që shkaktoi vdekjen e senatorit Ted Kennedy më 2009. (VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: diagnostikohet, me kancer të trurit, Senatori John McCain

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 534
  • 535
  • 536
  • 537
  • 538
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT