• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deputeti i PDIU Rakipi aksidentoi me vdekje një këmbësor

August 12, 2017 by dgreca

1 Rakipi

Aksidenti i mëngjesit të sotëm në aksin Vorë-Tiranë me pasojë vdekjen e një qytetari dhe ku rezulton i implikuar deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, nuk është ngjarja e parë ku një ligjvënës ndodhet në pozitën e të dyshuarit apo edhe të akuzuarit, qoftë politikisht apo edhe të opinionit publik.

aksidente

Nëse i referohemi ngjarjeve të tilla, historia e aksidenteve të shkaktuara apo ku kanë rezultuar të përfshirë zyrtarë të shtetit apo deputetë janë disa, por më pasoja të rënda si humbje jetësh rezultojnë vetëm 4, me gjithë aksidentin e mëngjesit të së shtunës.

Pavarësisht se deri më tani asnjë prej të akuzuarve, qoftë edhe politikisht si autorë aksidentesh, nuk është marrë nën hetim për të provuar ose jo fajësinë e tyre, ndoshta ngjarja e sotme mund të shënojë një pikë kthese edhe për rastet kur në ngjarje të tilla të rënda janë të përfshirë zyrtarë të shtetit.

Nëse një qytetar i zakonshëm, me automjetin e tij përfshihet në një aksident, ai nuk falet, as moralisht e as ligjërisht.

Brenda pak minutash policia publikon të dhënat, masën e marrë ndaj tij, pamjet filmike, fotot dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me ngjarjen. Ndërsa në ato raste kur të implikuar në aksidente rrugore janë zyrtarë apo ligjvënës të shtetit, gjithmonë ka një hezitim apo një përpjekje për të mbuluar me një mister atë që ka ndodhur, duke shmangur jehonën dhe duke u munduar deri në fund të ruhet anonimati i personit të përfshirë.

Kështu ndodhi edhe sot me komunikatën zyrtare të policisë, e cila jepte me iniciale si shtetasin që kishte humbur jetën, ashtu edhe drejtuesin e mjetit të përfshirë në aksident. Por vetëm kaq, pasi për të nuk thuhej as pozicioni që mban, as mosha dhe asnjë e dhënë tjetër.

Nëse ky është një standard, atëherë e njëjta praktikë duhet të ndiqet me çdo qytetar tjetër në këtë vend që sot, nesër, apo në ditët në vijim mund të përfshihet në një aksident, të cilat në Shqipëri shkaktojnë viktima më tepër sesa çdo vepër tjetër.

Çështja nuk është nëse policia po tenton sot të mbajë disi të fshehur një ngjarje të zbuluar nga mediat, por ky është një mentalitet që mbizotëron ndër vite; ndërsa aksidente të tilla ose janë denoncuar nga partitë politike ose janë hulumtuar nga mediat, por në fund të fundit, institucionet ligjzbatuese nuk kanë lëvizuar as majën e gishtit për të thënë një version mbi atë që ka ndodhur, qoftë edhe pa përcaktuar fajtorë.

Gjithçka është tentuar të mbahet larg vëmendjes, transparencës, madje duke ngritur dyshime të forta për mbylljen e çështjeve pa u hapur asnjë hetim.

Aksidentet ndër vite me pasojë vdekje

Nëse i referohemi statistikave, rastet kur në aksidente janë të përfshirë zyrtarë dhe kur ka pasur pasoja të rënda, janë të pakta.

Sokol Nako, ish-ministër i Transporteve, është përfshirë në një aksident të rëndë, ku humbi jetën një qytetar, ndërsa ai më pas dha dorëheqjen. Aksidenti, që u mbajt fillimisht i fshehtë, dhe më pas u tha se ministri i atëhershëm ishte në një inpektim rrugësh, ndodhi në aksin dytësor Tiranë-Durrës. Në atë kohë, opozita akuzoi ministrin si të përfshirë drejtpërsëdrejti në aksident, por vetëm ditë më pas pati një reagim, kur Nako dha dorëheqjen nga pozicioni ministror dhe më pas u largua nga politika. Në atë kohë çështja u mbyll, ndërsa ish-ministri i Transporteve, duket se zgjodhi rrugën për të “ndëshkuar” veten duke lënë mënjanë karrierën politike.

Rreth një vit më pas, mediat raportuan për një tjetër aksident me makinë, ku edhe sipas denoncimeve të opozitës së atëhershme (PD) akuzoheshin ish-Kryeministri Nano dhe Blendi Klosi, aktualisht deputet. Aksidenti ndodhi në shkurt të 2001-it, pranë Shkallnuerit, fshat në Durrës, ndërsa viktima ishte një shtetas 81 vjeç, që u tha se po ecte anës rrugës. Në atë kohë u raportua se trupi i pajetë i të aksidentuarit përfundoi në një kanal anës rrugës, në rrethana që nuk u zbardhën asnjëherë nga policia dhe prokuroria, por akuzat publike nga opozita fajësonin dy politikanët e lartë që kishte PS në atë kohë. Edhe në këtë rast hetimi u mbyll pa nisur mirë, me pretendimin se autorët nuk dihen, ndërsa asnjë nga emrat e akuzuar nga opozita e atëhershme nuk u thirr në Prokurori. Madje për të zbardhur aksidentin e Shkallnuerit, PD kërkoi në dhjetor të 2003-it, ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që nuk u miratua nga mazhoranca socialiste.

Një tjetër denoncim i bërë nga PD është aksidenti i korrikut 2014, ku u akuzua Kryeparlamentari Ilir Meta, aktualisht President i Republikës për fshehjen e ngjarjes.

PD akuzoi se një 19-vjeçar u aksidentua për vdekje nga eskorta e Kryetarit të Kuvendit, që drejtohej nga Ilir Meta, duke vijuar më tej se Ministria e Brendshme dhe policia po manipulonin ngjarjen.

Aksidenti ndodhi në fshatin Bilalas në Manëz, ndërsa viktima ishte kalimtar. Në atë kohë, Ministria e Brendshme, tha se oficeri i gardës që ishte përfshirë në aksident ishte arrestuar, por ai po udhëtonte me automjetin e tij, duke përgënjeshtruar akuzat e PD për një përfshirje në aksident të eskortës së Kryetarit të Kuvendit, apo fshehjen e ngjarjes prej tij.

Aksidenti i fundit që ka ndodhur me përfshirjen e një zyrtari është ai i mëngjesit të 12 gushtit 2017, ku një shtetas 53 vjeçar humbi jetën, ndërsa makina drejtohej nga deputeti Aqif Rakipi, i cili është vetëdorëzuar në polici pak minuta pas ngjarjes.

Filed Under: Politike Tagged With: Deputeti Rakipi. aksident

Haradinaj: Kosova brenda 10 ditësh do ta ketë Qeverinë

August 11, 2017 by dgreca

1 Haradinaj

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova brenda 10 ditëve të ardhshme do të ketë institucionet e reja. Haradinaj thotë se me mbështetjen e partisë politike Aleanca Kosova e Re, Kosova do të ketë një Qeveri gjithëpërfshirëse. Ai thotë se kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është Kadri Veseli.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit, pasi deputetët e koalicionit PAN nuk po paraqiten në seancë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pse nuk jeni prezent?

Ramush Haradinaj:Në seancën e parë konstitutive u kërkua një pauzë. Ishte e nevojshme kjo pauzë për konsulta të ndërsjella edhe rreth kandidaturës edhe rreth votës, jo vetëm për kryetarin por edhe për trupat e tjerë të Kuvendit, nënkryetarët. Konstituimi i Kuvendit pa një dakordim të partive politike është i pamundur.

Pra, dallon konstituimi i Kuvendit nga formimi i Qeverisë për shkak se është një formulë shumë strikte, që buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që vetëm koalicioni fitues ose forca fituese politike, që në këtë rast është PAN-i. Gjendja e krijuar është rezultat i një mosdakordimi nga partitë tjera, në këtë rast nga LVV dhe LAA, që të respektojnë këtë situatë ose këtë të drejtë të fituesit, që të votohet kryeparlamentari.

Radio Evropa e Lirë: Ku qëndron tani problemi sipas jush. Ka pasur një periudhë bukur të gjatë kohore për t’u kryer konsultime.

Ramush Haradinaj: Mendoj se tani ky është vullnet politik i Vetëvendosjes dhe i LDK-së. Pra, është në vullnetin e tyre që a të lejojnë një të drejtë që PAN-i e ka nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke marrë pjesë në votim. Pra, mos marrja pjesë në votim ose mosvotimi i kryeparlamentarit është bërë shkak i kësaj gjendjeje. Për fat, gjendja ka evoluar, pra nuk jemi në atë gjendjen e ngurtë. Është vërtetë e mirëseardhur, një pozicion i ri i AKR-së, edhe i zotit [Behgjet] Pacolli, një gatishmëri që t’i jepet edhe një afat kohor kësaj gjendjeje dhe një afat kohor të caktuar, për të zhbllokuar krijimin e institucioneve në vend, në këtë rast, konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë.

Radio Evropa e Lirë: A është i gatshëm koalicioni PAN të ndryshojë kandidatin e nominuar për kryetar Kuvendi?

Ramush Haradinaj: Kandidati, është e drejt ekskluzive, kandidatura dhe përzgjedhja e kandidatit. Pra, nuk është ndonjë kategori përzgjedhja e kandidatit. Kushtetuta jonë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka paraparë të drejtën e koalicionit fitues që të kandidojë [kryetarin e Kuvendit]. Pra, ta quaj ashtu, interferimi në përzgjedhje nuk është e drejtë e partive tjera, është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve.

Pra, nuk ekziston kategori kushtetuese ose nuk ekziston rregull e paraparë, që i jep të drejtën partive të tjera të interferojnë në përzgjedhje. E ka thënë gjykata, është e drejtë ekskluzive e PAN-it. PAN kishte mundur të vendosë, në një mënyrë apo në një tjetër, por e ka paraparë, e ka kandiduar zotin Veseli dhe ai është kandidati për kryetar Parlamenti.

Radio Evropa e Lirë: Këto ditë keni pasur disa takime me deputetë të partive të tjera, që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, por edhe me kryetarin e AKR-së. Për çfarë është biseduar?

Ramush Haradinaj: Tani, është vërtetë, është domethënëse, është një situatë e re, pozicioni i presidentit Pacolli, në këtë rast kryetarit të Aleancës Kosova e Re. Ai është deklaruar se e ndjen përgjegjësinë si AKR dhe si Behgjet për gjendjen në vend dhe që nuk dëshiron të rri duarkryq gjithë kohës pa vepruar.

Pra, që do t’i japë një afat kohor zhbllokimit të institucioneve dhe do të veprojë. Kjo është një situatë e mirëseardhur dhe dihet mirëfilli se një situatë e tillë, një rol dhe platformë që e shprehu presidenti Pacolli, për një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe një platformë qeverisëse janë interes i vendit sot, dhe ne jemi të hapur për këtë qasje të re të zotit Pacolli dhe e mirëpresim.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë se keni marr një premtim nga AKR se do ta jap votën për kryetarin e Kuvendi dhe formimin e Qeverisë?

Ramush Haradinaj: Ajo që mund ta konfirmoj është një ndjenjë e përgjegjësisë nga vet zoti Pacolli, pra e ndjen përgjegjësisë që gjendja nuk mund të shkojë në pa kufi kështu.

Nuk guxojmë të hyjmë në ato situatat e vitit 2014, e të vonesave pa kufi. Pra, ai e ndjen përgjegjësinë para popullit, vendit, para aleatëve të Kosovës dhe që zoti Pacolli dhe AKR nuk do të presin pa kufi për të ndihmuar në konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, po edhe t’i marrin përgjegjësitë.

Vetë Pacolli e ka një përvojë të jashtëzakonshme në shumë çështje, qoftë në marrëdhënie me jashtë, qoftë temave ekonomike që është i njohur për këtë, po ka edhe kolegë të zotët dhe jam i bindur se ai do ta japë kontributin e vet edhe në konstituimin e institucioneve dhe qeverisjen në vend.

Radio Evropa e Lirë: Deri më tash nuk keni dëshmuar se si koalicioni keni numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e kryetari të Kuvendit dhe Qeverisë, derisa më herët e keni thënë se i keni votat. Çka po ndodh?

Ramush Haradinaj: Kishte një lëkundje të caktuar në seancën e parë, pra edhe për ne ka qenë pak e habitshme gjendja.

Na erdhi keq për gjendjen e krijuar në pjesën e parë të seancës konstituive. Ju thash dhe e kam përsëritur disa herë, se situata vetëm votë 61, nuk është e parealizuar dhe nuk është joreale çdo ditë, por i kemi dhënë edhe në të kaluarën përparësi një mundësie të një qeverisje me bazë më të gjerë.

Për fat, po rezulton se kemi pasur të drejtë, pra për këtë se vet fakti se presidenti Pacolli, pra të AKR-së, flet se nuk janë shterur mundësitë ende që të kemi konstituimin e Kuvendit, që të kemi një Qeveri me bazë më të gjerë. Dhe mendoj se edhe koha që na ka humbur, nuk mund të quhet krejt kohë e humbur sepse po fitojmë me argumente, pra do të kemi institucione me bazë më të gjerë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, si do të veproni tash e tutje?

Ramush Haradinaj: Tani është një situatë e ndjeshme. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, zoti Mikullovci është edhe ai në një situatë jo të lehtë, pra është një precedan, pra gjithë zhvillimi me seancën.

Me gjasë ai nuk e vlerësoi drejt mbylljen e seancës, çka nënkupton mbyllja herën e parë. Tani jemi në tendencë ose në përpjekje që ta rikthejmë seancën. Seanca rikthehet pas dakordimit të partive politike, por nuk mund të kthehet njëanshëm. Dhe mendoj se duhet të shfrytëzohen konsultat për dakordim për seancë.

Ka terren, pra në 10 ditë nga sot, ka terren për mbajtjen e seancës, por nxitimi edhe thirrja e seancës njëanshëm nuk është zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kur mendoni që Kosova do t’i ketë institucionet e reja?

Ramush Haradinaj: Tani besoj se është pak më e qartë gjendja. Pra, ka një reflektim të spektrit politik, ashtu siç e thash më herët, dhe besoj që në këto ditët që po vijnë, në këto 10 ditë do të jemi në gjendje që t’i marrim vendimet e duhura për të konstituuar Kuvendin, t’i zgjedhim organet e Kuvendit dhe njëkohësisht edhe formimin e Qeverisë.

Intervistoi: Arton Konushevci/

Filed Under: Politike Tagged With: 10 dite, Haradinaj, Kosova me qeveri

Tillerson-Rama, Biseda 20 minutshe qe pushtoi mediat

August 9, 2017 by dgreca

Prapaskenat e bisedës 20-minutëshe Tillerson-Rama: Tirana, qendër politike për opozitën iraniane?/Tillerson

Edi Rama ka zhvilluar një bisedë të gjatë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, e cila ka qenë një konfirmim i kontaktit të qeverisë së Donald Trump drejtuar Tiranës zytare por që ka të bëjë pikërisht me një çështje që më shumë se me Shqipërinë ka të bëjë me planet amerikane në Lindje të Mesme.Zyra e Shtypit e Kryeministrit ka shpërndarë një tekst të shkurtër jo zyrtarisht për këtë bisedë, ku thuhet se:

“Sekretari Tillerson e ka uruar Kryeministrin për fitoren kuptimplotë në zgjedhje.

Ai ka shprehur bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partine Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit.

Duke i shprehur Kryeministrit të gjithë mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, Sekretari i Shtetit i ka përcjellë Edi Ramës përshtypjet shumë pozitive të Zëvendës Presidentit Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe ka rikonfirmuar vullnetin amerikan për një vëmendje të përqwndruar në zhvillimet në rajon.

Kryeministri Rama e ka falënderuar bashkëbiseduesin për telefonatën dhe i ka bërë një pasqyrë të plotë të situatës rajonale nga këndvështrimi i vendit tonë, duke u përqendruar kryesisht tek dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë”.

Nw pjeswn e fundit biseda wshtw shtrirw tek roli i Shqipwrisw nw NATO, kontributi i saj nw luftwn kundwr ekstremizmit tw dhunshem, ku Sekretari Tillerson wshtw shprehur me konsideratat mw tw larta.

Ndërsa Kryeministri Rama ka kërkuar intensifikimin e bashkepunimit me SHBA ne sektorin e energjise dhe posacërisht tw naftws e tw gazit, çka është pritur me shume interes nga bashkebiseduesi.

Biseda telefonike mes te dyve ka zgjatur mw shumw se njwzetw minuta”.

Por burime të tesheshi.com nga pjesëtarët e opozitës iraniane që ndodhen në Tiranë prej katër vjetësh tashmë, bëjnë të ditur se ka gjasa që roli muxhahidinëve iranianë në Shqipëri të ketë një zgjerim edhe drejt politikës kundër regjimit të Teheranit, fakt ky që është mjaft delikat dhe mund të komplikojë problemet mes Shqipërisë dhe Iranit.

Një vizitë misterioze në Teheran e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, gati gjashtë muaj më parë, u fol se kishte qëllim që t’i jepte mesazh të qartë Tiranës që të ndalonte deri tek kufiri humanitar dhe jo për t’u bërë një shesh i politikës kundër regjimit aktual.

Sipas të gjitha gjasave, në Tiranë do të transferohet e gjithë qendra e iranianëve opozitarë. Edhe vetë portali kryesor i Teheranit e pohon këtë.

Në një shkrim pamflet të botuar së fundmi, thuhet:

“Kulti i Raxhavi po përpiqet të krijojë një vend të izoluar dhe të largët si Ashraf në Shqipëri dhe të transferojë të gjitha forcat e saj atje, në mënyrë që me anë të metodave sektare të mund të kontrollojë mendjet dhe lidhjet e anëtarëve me botën jashtë.

Aktualisht, pjesëtarët e MEK në Shqipëri kryesisht janë të vendosur në Kashar të Tiranës në komplekset e banimit që quhet “vendi i dobishëm”, ku në një farë mënyre mund të kenë një marrëdhënie të ngushtë me njerëzit e zakonshëm dhe banorët vendas dhe madje me disa nga të distancuarit e këtij kulti. Çështja e transferimit të kultit në pjesët e jashtme të qytetit ka qenë prej kohësh e vendosur në axhendën e sektit dhe vendndodhja e saj është caktuar dhe përgatitjet për transferim janë bërë dhe por transferimi ende nuk është bërë. Cila është arsyeja?

Disa besojnë se Ministria e Brendshme e Shqipërisë, e cila është përgjegjëse për strehimin e këtij grupi, është kundër transferimit. Disa thonë se Organizata “Shërbimet Shqiptare Për Refugjatë Dhe Migrantë” (RMSA) është kundër këtij transferimi. Natyrisht, pas gjithë kësaj kohe kulti thotë se përgatitjet përfundimtare ende nuk kanë përfunduar”.

Qorrsokaku i vendosjes në Shqipëri në çdo aspekt është bërë shkak për fundosjen e kultit dhe shumë shpejt pritet që shumë anëtarë të kultit të ndahen prej tij dhe të bashkohen me personat e distancuar, gjë e cila është një prej problematikave kryesore të kultit Raxhavi”. /tesheshi.com/

Filed Under: Politike Tagged With: Biased 20 minutshe, opozita Iraniane, Rama-Tillerson

Takimi i dytë konstultativ, nuk ka konsensus, nesër Seanca e Kuvendit

August 9, 2017 by dgreca

U mbajt takimi i dytë konstultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike/1 Takim Konsultativ

Është zhvilluar sot takimi i dytë konsultativ midis përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare, i cili u drejtua nga Adem Mikullovci, kryesues i seancës konstituive, lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Legjislaturës VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Takimi përfundoi me njoftimin e kryesuesit Mikullovci se vazhdimi i seancës, ashtu siç është thirrur, do të mbahet nesër, në orën 10:00. Nuk pati konsensus lidhur me propozimin që vazhdimit të seancës t’i paraprijë një takim tjetër konsultativ të mërkurën e ardhshme, më 16 gusht 2017.

***

Mikullovci: Nesër seanca e Kuvendit, nuk anulohet/

-Takim konsultativ i partive për vijimin  e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës/

-VV: Takimet konsultative janë të panevojshme, prandaj nuk morëm pjesë/

PRISHTINË, 9 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ U zhvillua sot takimi i dytë konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas të parit të zhvilluar në 4 gusht, ftuar nga deputeti më i vjetër Adem Mikullovci, kryesues i seancës. “Nesër seanca në orën 10:00, nuk anulohet”, e përfundoi kështu takimin kryesuesi, ndërsa nga përfaqësuesit e koalicionit PDK-AAK-Nisma u kërkua edhe një takim konsultativ të mërkurën e pas një jave dhe caktimin e seancës më pas në dy ditët në vijim, në 17 a 18 gusht. Ky koalicion shprehu qëndrimin se nesër nuk merr pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.

Mungoi Lëvizja Vetëvendosje, e cila që më parë ka deklaruar se, “nuk do të marrë pjesë në takimin konsultativ të ditës së mërkurë”.

“Takimet konsultative janë të panevojshme, prandaj nuk morëm pjesë”, tha Lëvizja Vetëvendosje, duke shtuar se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit është në kompetencë të kryesuesit.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e nisur para një jave, në 3 gusht, e mbetur e papërfunduar, është ftuar për të vijuar nesër me axhendë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, ndërkohë që po bëhen dy muaj nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit e ka kaluar një muaj nga çertifikimi i rezultateve në 8 korrik.

Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, në një komunikatë të dërguar “shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte” dhe thekson se, “qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën”.

Në zhvillimet e seancës konstituive në 3 gusht, gjatë një votimi të propozimit për shtyrjen për dy orë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, u pa mungesa, të paktën edhe e një vote, pasi rezultati ishte rrëzim me barazim – pro 60 dhe kundër 60.Pas kësaj, koalicioni PDK-AAK-Nisma u largua nga salla e seancës, e cila më tej nuk mund të vazhdonte pasi sipas një vendimi të para tre viteve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vetëm subjekti fitues i zgjedhjeve ka të drejtën të propozojë kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk mund të kalohent në votimin e kryeministrit e qeverisë.Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë nuk i kanë dhënë numra të mjaftueshëm koalicionit fitues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Poashtu, rezultatet e zgjedhjeve, nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, që do ishin të dytat brenda vitit 2107, kur janë edhe zgjedhjet e rregullta lokele në 22 tetor. Ka analistë që shprehen edhe të sigurt se në Kosovë do ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, madje se mund të jenë në të njëjtën ditë me lokalet.

NJOFTIM NGA LDK

Sot në vazhdën e takimeve që po mbahen me përfaqësuesit e degëve të diasporës dhe degët tjera, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, z. Ismet Beqiri priti në takim kryetaren e Degës së LDK-së në Suedi znj. Qibrije Hoxha dhe kryetarin e nëndegës Nordrein Wesffalen në Gjermani, z. Jakup Gërguri.

Gjatë këtij takimi përfaqësuesit nga diaspora u informuan për përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, poashtu është shtruar nevoja që degët tona në diasporë të jenë më aktive në njoftimin e bashkatdhetarëve tanë për mëyrën e regjistrimit në mënyrë që ata të kenë mundësi të votojnë në këto zgjedhje lokale, duke pasur parasysh përmbushjen e afateve kohore nga KQZ-ja. Nga znj. Hoxha dhe z. Gërguri u shpreh gatishmëria e sa më shumë bashkatdhetarëve tanë të informohen për këtë proces zgjedhor dhe që sa më shumë të votojnë nga diaspora për LDK-në duke pasur parasysh faktin se është një numër i madh i bashkatdhetarëve që njëkohësisht janë edhe antarë të LDK-së.Beqiri i informoi mysafirët për zhvillimet e fundit dhe qëndrimet e LDK-së, poashtu falenderoi të gjithë aktivistët e LDK-së në diasporë të cilët po japin kontribut për LDK-në dhe vendin.

Filed Under: Politike Tagged With: never Kuvendi, U meant taking consultative

GEGNISHTJA DHE NJË PROVERB IDHNAK PËR GJUHTARËT TANË

August 8, 2017 by dgreca

1 Traboini_Kukel_Kisha_Ndre_Mjedes_2014

Nga  Kolec TRABOINI/Një proverb shkodran sa historik aq dhe aktual për gjuhëtarët tanë thotë: “Asht idhnue Drishti e s’po na bjen ma qepë”. Sepse Drishti, anipse me një histori të lavdishme deri në kohë të Skënderbeut dhe Venecianëve, që e kishin nën protektorat, ka kenë degradue si qytezë duke u kthyer në një fshat me një lavdi të perëndueme brenda një kështjelle, rrënojat e të cilës janë ende; pra që nuk përmendej ma veç për qepët e veta. Me një fjalë, mbillnin qepë e shihnin andrra me lavdi. Fati tragjik i një sundim-pushtimi afro 500 vjeçar…

Shkodranët, sipas tahmisë tonë, e kanë nxjerrë këtë batutë të bukur, të lëmueme prej kohnave, me nënkuptue se nëse Drishti në idhnim s’po na i shet ma qepët e veta, shkue pas këtij tarbjati pra, ma shumë se neve po damton vedin, sepse tjetër zanat e të ardhuna nuk kanë veç mbjelljes e shitjes së qepëve.

Kjo shprehje e bukur është e ngjashme me të njohurën “Ufulla e fortë then enën e vet”. Nuk e di a ka ndonjë kuptim tjetër që mund të dalë prej kësaj proverbe shkodrane.Kap pas ksaj rrfane, po na duket se kjo përkon aq bukur me Gjuhëtarët e Tiranës (ky Drisht me lavdi mbi rrënoja) që idhnohen nga se nuk po duen me e afrue të bukurën, gegnishten tonë as në fjalor e as në sintaksë e i gëzohen veç një Drejtshkrimi të cunguem e Fjalori mjeran, që ma shumë e turpëron se e nderon Gjuhën Shqipe. Sepse në të leksiku ka 35 mijë fjalë që po të pjestohen me 6 (sepse 6 fjalë janë veç me termin parazit – kooperativë, që nuk e përdor ma kurrkush prej alergjisë kooperativiste enveriane), atëherë përfundimi krejt mjerueshëm na del se jemi në kufinjtë e 6 mijë fjalëve.

Që pra mbrothësia e përparimi ynë për t`u qarë me lotë: gjuha ma e vjetër me rranjë tek etruskët e pellazgët, në ilirishte e mandej po na shfaqet si ma e varfëra gjuhë në Europë, e kjo falë gjuhëtarëve të epokës pa lavdi të Enver Hoxhës.

A thue këta dijetarë të piskatuem nëpër foltore e kanë lexue Fjalorin e Gegnishtes të albanologut e gjuhëtarit të pushkatuem në një shpellë në Gegni në vitin 1946, Dom Nikoll Gazullin? Si nuk po gjendet ky fjalor nëpër librari ku po ngjeshen stivë librat për Enver Hoxhën. Kështu që edhe vepra e viktimës mbetet viktimë edhe pas vdekjes së autorit….e kjo deri në pafundësi. Pse pra?- a ka kush me u përgjigj në këtë vend për këto zezona.

Se kanë pushkatue jo veç poetë, xhelat-padronët e gjuhëtarëve tanë, por edhe gjuhëtarë të vërtetë gegë, që gegnishtja e vrame të mos nxirrte krye ma kurrë. Edhe vorrin me ia hupë, siç banë me Nikoll Gazullin, që falë kujdesit të njerëzve, vendvarrimi u ruajt në kujtesë e eshtnat ma së fundi iu gjendën. A thue edhe me eshtnat e gegnishtes së pushkatueme po ndodh kështu, të lanuna në një varr të harruem.Më këtë nuk mohojmë çfarë është arritur, por atë çka qëllimisht asht anashkalue duke e damtue deri në âsht të bukurën Gjuhën tonë Shqipe.

Nuk hymë në probleme të gjuhësisë se nuk na takon ne, por spjeguem një proverb idhnak, po aq idhnak sa gjuhëtarët tanë që, edhe pse dhuna mbi gjuhën si mbi popullin ka tejkalue tashma, nuk po duen me dalë prej llogoreve të një kohe të perëndueme bashkë me lavdinë e Drishtit, që përdhunshëm zgjedha e historisë e vuni të prodhojë e të shesë vetëm qepë.
*      *      *

Për të shkuar edhe më tej nuk besoj se zhvillimet gjuhësore të një vendi, në kushte moderne vendosen nga poshtë. Nga poshtë nuk vjen kurrgja. “Jeni ju pa jemi ne, o popull” është veç një përrallë tinzare tiranësh, cinizmi i të cilëve nuk ka fund. Demagogjia se vendos populli është një mënyrë e stërhollueme për t`i hedhur hi syve vetë popullit e për ta përgjumur atë sepse ai nuk vendos për kurrgja mbi faqe te dheut. Madje edhe kur thërritet për një kauzë në bulevarde a në sheshe, populli shërben thjesht si mish për top. Nëse nuk mësojmë asgjë nga 21 janari, ku ithtarët e partive kacafyteshin si qentë, tregon se jemi të papërgjegjshëm ose më e pakta mediokër që nuk shohim përtej dy pishave që i lëshojnë halat e tyre përmbi trupa njerëzish.Pra për gjithçka në këtë vend vendoset nga lart. Ashtu si legjislacioni i një shteti vendoset nga lart, nga organet Legjislative, Kuvendi e tjerë edhe Gjuha që është një institucion, nuk mund të vendoset kurrqysh ndryshe. Nga poshtë mund të bëhet vetëm presion nëpërmjet formave mediatike, si për çdo problem tjetër. Po ka një të vërtetë, nëse poshtë heshtet, çështja e inkludimit të gegnishtes në gjuhën e njësuar shqipe anashkalohet e lihet në harrim. Prandaj duhet folur e shkruar anipse bien në vesh të shurdhër. Rreziku më i madh është se si të ikë edhe ky brez, që janë ende afër me gegnishtën, krijohet një hendek e mjegullnajë dhe kjo kauzë do të humbë njëherë e përgjithmonë. Gjuhëtarët e vjetër që janë ithtarë të tosknishtes nga pozicione fanatike, këtë kërkojnë, ta shtyjnë problemin deri në kalandat greke e kjo çështje të vijë duke u shue nëpër vite, deri në harrim. Në fund të fjalës, brezat nisin të mësohen me një trajtë, qoftë kjo edhe e gabueshme dhe shkojnë si tufa atje ku i çon dashi me kumonë i keqqeverisjes..

Falë zotit jemi ende gjallë dhe është koha që me një presion nga poshtë t`i detyrojmë gjuhëtarët e llogoreve të dalin e paqësisht të pranojnë që ata vetë të bajnë korrigjimin e fajit që kanë ba ndaj gegnishtes. Nuk themi që çfarë është arritur të prishet, se nuk jemi në ’91-in, por me urtësi e mençuri të rishikohen gabimet historike, e të mos shkojmë po aq gabueshëm në udhën e përçarjes që na vuri Enveri kur shpalli luftën e klasave edhe në gjuhë, sepse gegët e gegnishtja u shpallën botërisht reaksionare, armike, bashke me Kanunin e Lek Dukagjinit, që ishte pjesa ma e çmueme e kulturës arbërore e që tregonte përpjekjet për civilizim të malësoreve nëpërmjet një kodi që aso kohe nuk e kishte as Europa e zhytur në errësirën e feudalizmit – para se të vinte Rilindja e madhërishme që nxorri titanë.

Sot nuk ka ma asnjë shkak që të ngulmojmë me frymën e imponimit të dhunshëm edhe në fushë të gjuhës, e cila kurrsesi nuk guxon të bahet fushëbetejë klanesh, krahinash, partish apo ideologjish shterpë, aq ma tepër fush përçarjesh jug-veri.

© Kolec P. Traboini

Filed Under: Politike Tagged With: GEGNISHTJA DHE NJË PROVERB IDHNAK, Kolec Traboini, PËR GJUHTARËT TANË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 533
  • 534
  • 535
  • 536
  • 537
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT