• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ditari Shkencor Arbëria

August 18, 2017 by dgreca

Besmir HoxhaBesmir Buranaj Hoxha dhe Dael Dervishi jane dy konceptuesit dhe themeluesit e ditarit shkencor “Arbëria” me qëllim për të zhvilluar një debat profesinal midis akademikëve dhe shkencëtarëve shqiptar. Sipas tyre kjo formë është efikatësë për shpërndarjen e dijes, rritjes së edukimit dhe ngritjen e imazhit të Shqipërisë sipas standarteve parimore.

Besmir Buranaj Hoxha është një shkenctar studiues pranë Universitetit të Teksasit në Austin duke u specializuar në lëngjet për cpimin e puseve, automatizimin e lëngjeve dhe mekanikat shkëmbore. Ai është i dipllomuar në kimi me bazë inxhenjerike dhe ka master në Operation Research. Gjithashtu, ai është një këshilltar Teknik pranë PetroFluids shpk, një shoqëri e specializuar në shërbime teknike në fushat e naftës, studime fixibiliteti Teknik dhe projekte planifikimi. Në kohën e lirë, Besmiri është recensor për JGNSE, MDPI Journal dhe redaktues për revista të të ndryshme shkencore ndërkombëtare.

Dael Dervishi Foto nga Diar Xani

Dael Dervishi është ish-Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në Shqipëri. Në rolin e tij Z. Dervishi ka mbikëqyrur shfrytëzimin e burimeve natyrore të Shqipërisë duke përfshirë minierat, hidrocentralet, dhe naftën. Me profesion jurist, ai ka qenë më parë Sekretar i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Z. Dervishi është tani pjesë e programit të McCain Institute në Washington DC, Next Generation Leaders.

Intervista me Besmir Buranaj Hoxha dhe Dael Dervishi

Bisedoi: Ermira Babamusta

Si lindi ideja për revistën shkencore?

Dael Dervishi: Ideja ishte e Besmirit dhe mua më pëlqeu shumë, pasi në Shqipëri ka një vakum profesional dhe shkencor në lidhje me diskutimet e kësaj natyre. Kështu që kjo ide do të kontibuonte për të çuar përpara inavacionin dhe shkencën në vendin tonë

Besmir Buranaj Hoxha:  Tema për ditarin shkencor shqiptar lindi kur unë me Daelin po shkruanim artikullin tonë të parë (të përbashkët) sa i përket teknologjisë së transformimit të mbetjeve në karburant. Unë vura re qe shumica e publikimeve që janë shkruar nga ana shkencore (brenda Shqipërisë) jan shkruar tek disa revista të panjohura edhe të shpërndara. Madje, edhe shumica prej tyre nuk ishin shkruar në standard të lartë sa i përket strukuturës edhe shkrimit të një publikimi të tillë shkencor. Duke marrë parasysh që problemi më i madh ne Shqiperi është “brain drain”, propozova idenë që të krijonim një revistë shkencore ku shkrimet shkencore ose teknologjike sa i përket Shqipërisë, të jenë tek një revistë ku redaktorë dhe recensues të jenë profesionistë nga çdo lloj industrie, plus edhe disa te jenë profesionistë të njohur, shqiptarë edhe të huaj. Kështu, kjo krijon mundësinë që shkrimet sa i përket Shqiperisë të jenë në një revistë me arkivën e saj dhe në të ardhmen, kush do të kërkojë për një shkrim profesional me besueshmëri, mund të kërkoj tek revista dhe arkivat e saj.

Cilat fusha do përfshishen në këtë Journal?

Besmir Buranaj Hoxha: Kjo është pjyete me vlerë. Duhet të bëjmë një studim ku të shqyrtojmë se cila do të ishte tema më me vlerë për Shqiperinë. Por në përgjithësi, inxhenjeri, shkencë, kimi, biologji, mjedsi, mjeksi dhe pse jo albanologji, e kam me shumë pasion këtë të fundit dhe me është bërë kërkesë nga disa alabanlogë nga çdo anë e botës. Per shembull, jemi duke bërë një shkrim tjeter me disa studiues shqiptarë ne Amerik sa i perket ADN-së Shqiptare, duke përcaktuar edhe disa ADN tek disa fise Shqiptare

Çfarë roli luan edukimi në zhvillimin dhe nxitjen ekonomike në vend?

Dael Dervishi: Edukimi, përvec se një e drejtë njerëzore, është edhe një e mirë publike. Edukimi duhet të nxitet dhe inkurajohet në të gjitha format e mundshme, qoftë brenda apo jashtë sistemit arsimor. Kjo revistë është një formë fantastike për te shpërndarë dije.

Cili është qëllimi dhe synimi i këtij projekti?

Besmir Buranaj Hoxha: Të rrisim nivelin profesional në Shqipëri. Të risjellim brain-gain, se paku në publikime serjoze me besueshmëri. Ka shumë shkrime nëpër portale që janë qesharake edhe jo serioze. Me tepër, ka shumë shkrime në internet të shkruar nga dashakeqës që prishin imazhin e Shqipërisë. Për shembull, në Wikipedia shumica e faqjeve sa i përket Shqipërisë (ato të shkurara në Anglish) janë krijuar nga Serbë ose Sllavë te ndryshëm që japin pamje jo aq të mirë dhe nga një këndvështrim jo-shqiptar. Vetëm shumë pak njerëz e dinë kete çeshtje. Të rinj shqiptarë në disaporë i lexojnë dhe i besojnë këto perralla gjoja sikur janë të vërteta edhe kjo duhet të ndryshojë.

Çfarë ju nevojiet për realizimin dhe suksesin e këtij projekti? Si mund të angazhohet komuniteti shqiptar?

Dael Dervishi: Kjo revistë është një formë debati shkencor i hapur për të gjithë profesionistët e fushës. Ne do të nxisim zhvillimin e këtij debate brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjëja kryesore që nevojitet është pasioni, pastja cdo rezultat tjetër do të vijë vetë.

Besmir Buranaj Hoxha: Ky projekt eshtë i vështirë, por mund të bëhet. Disa revista ndërkombëtare që unë marrë pjesë (jam redaktor dhe recensues tek disa revista) janë për tu marrë si shembull. Edhe krijuesit e këtyre revistave do të na ndihmojnë në punën tonë. Madje do kemi edhe ndihmë nga profesionistë (si per shembull Meti Tmava) nga Amerika që do të na ndihmojë që të krijojmë database për arkivat.

Cilat janë disa nga aktivitet që keni marrë pjesë në Amerikë për kauzën shqiptare?

Besmir Buranaj Hoxha:  Shumë te tilla. Ato me afër zemrës time jane te komunitetit tim në Houston, Arberia. Pastaj është parada shqiptare ku marrim pjesë çdo vit me shoqatën Albanian Roots. Kur kam më shumë kohë, përpiqem të marr pjesë tek shoqata AACL e Joe DioGuardi.

Cilat janë disa nga arritjet tuaja me të cilat ju krenoheni?

Dael Dervishi: Kam krijuar një familje të mrekullueshme dhe tashmë janë bërë disa muaj që jam larg saj. I përmalluar, në këtë moment kjo më duket arritja ime më e madhe.

Besmir Buranaj Hoxha: Kam marrë pjesë në lojrat ndërkombëtare në not dhe përfaqësuar Shqipërinë në 2010 – European Swimming Championships. Gjithashtu edhe kontributin tim tek sporti i Hendbollit, Basketbollit, edhe Futbollit. Mbi te gjitha, sportin e kam në zemër edhe të parin përpara çdo profesioni tjeter.

Mesazhi juaj për diasporën dhe Shqipërinë.

Dael Dervishi: Personalisht mendoj që ndryshimi pozitiv më i madh, Shqipërisë do ti vijë vetëm falë diasporës, pasi kjo më duket kategoria shqiptare me më shumë atdhe-dashuri.

Besmir Buranaj Hoxha: Shqiptar mos rri, po duku! Veprimet jehojnë më shumë se fjalët.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Besmir Buranaj Hoxha, Dael Dervishi, Ditari Shkencor Arbëria, Ermira Babamusta

Kryeministër në çekuilibër!

August 18, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/ Ekuilibri është raport midis sasisë dhe cilësisë. Kualiteti lidhet me aftësitë, talentin, trajnimin, kuantiteti me masën si volum. Ekuilibri është gjithnjë rezultat logjik dhe logjizmi është përherë produkt i disa principeve të pranuara nga shoqëria. Në këto dy-tri fjali u përpoqa të përmbledh idenë e ekuilibrit, si një domozdoshmëri për harmoninë shoqërore. Por me keqardhje vërej se kryeministri i Shqipërisë, zoti Rama, e ka humbur ekuilibrin, e ka kaluar masën, është shndërruar në një lider çekuilibrues në politikat e brendshme dhe ato rajonale e të jashtme në përgjithësi. Kjo ndodh se ne kemi një kryeministër pa parime, pa asnjë lloj principi. Në emër të liberalizmit ai i ka fshirë të gjithë kufijtë e sjelljes së tij formale e joformale. Brenda vendit ka prishur ekuilibrin që krijon ligji e shteti me qytetarin. Shteti për të është një sllogan, që shërben si maskë e si propagandë. Sepse shteti praktikisht është vetë Edi Rama. Ai vret, pret e falë kë të dojë e si të dojë! Ai planifikon fonde, investime e shpenzime sipas dëshirës së tij personale, madje në shkelje të kushtetutës amendon dhe buxhetin e shtetit pa pyetur për parlamentin. Ai përcakton kush duhet dënuar e kush duhet falur, kush duhet persekutuar e diskriminuar e kush duhet të favorizohet me tendera, para publike e gjithçka tjetër. Çdo lider është i prirur të vendosë autoritetin e tij personal mbi ligjin dhe interesat e shtetit, por prishja e ekuilibrit shtet-lider, shtet-qytetar si në këtë qeverisje zor që të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Më e rrezikshmja ndër të gjitha është prishja e ekuilibrit rajonal.Të vetmit udhëheqës të rajonit të Ballkanit Perendimor që luftojnë për të krijuar politikisht e ekonomikisht një Jugosllavi të Re janë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç. Asnjë lider tjetër ballkanik nuk është kaq entuziast sa këta të dy. Vuçiç është legjitim dhe në hullinë e ekuilibrit të vet gjeopolitik në këtë rrugë. Ndërsa Rama ka prishur edhe atë ekuilibër të krijuar rastësisht apo qëllimisht të pasviteve 1960, të cilin e kishte krijuar diktatura komuniste. Eshtë adresuar te përvoja e viteve të para të Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria dhe Jugosllavia gati u bashkuan në një shtet federativ. Marrëdhëniet e ngusta Rama-Vuçiç kanë shkuar përtej pritshmërive të sponsorëve të kësaj lidhjeje. Fuqi të Mëdha dhe shtete të rëndësishme e me kontribut të jashtëzakonshëm për ekzistëncën e kombit shqiptar kanë filluar të tronditen nga ajo çfarë po ndodh në marrëdhëniet Tiranë-Beograd. Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë dje deklaroi se për SHBA-të kufiri i Kosovës është përcaktuar në vitin 2008, dmth kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës, duke i dhënë përgjigje kështu deklaratave të Beogradit për ndryshimin e kufijve të Serbisë me Kosovën. Ndërsa Edi Rama i sponsorizuar nga qarqe të tjera ndërkombëtare gati sa nuk u shpreh solidar për të lehtësuar dhimbjet e mikut të tij, Aleksandrit, dhe për të bërë kurban për këtë një pjesë të territorit të Kosovës. Kjo sjellje çekuilibruese, e cila do të hapte kutinë e pandorës dhe do të sillte një konflikt të ri në Ballkan, ka shkaktuar kokëdhimbje të mëdha në Perendim. Dhe natyrshëm shqetësimi vjen nga prishja e ekuilibrave, një politikë kjo qorre, e cila e çon Shqipërinë drejt një pasigurie totale. Liderët shqiptarë të mëparshëm kanë patur difektet, sukseset e mossukseset e tyre në këto 27 vite postkomunizëm, por asnjëri prej tyre nuk ka guxuar të prishë harmoninë e sjelljes në parim në asnjanësi të Shqipërisë me vendet fqinjë. Sigurisht që asnjëri prej tyre, në kushte shumë më të pafavorshme, nuk ka mundur të shmangë të gjitha konfliktet, por çakordimin diplomatik të kësisoj e ka realizuar vetëm kryeministri i sotëm dhe kjo ka ndodhur thjesht për atë se kemi një kryeministër pa masë, pa ekulibër, pa parime, pa norma, pa rregulla, të shfrenuar në të gjita pikëpamjet. Kemi gjithashtu kryeministrin që meritojmë, kryeministrin e atleteve, por jo të parimeve, kryeministrin e xhinseve në samite me protokoll, por jo edhe kryeministrin e ekuilibruar. Kemi kryeministrin e batutave pa fund, por jo edhe kryeministrin serioz që shqetësohet seriozisht për fatin e kombit të vet e të qytetarëve të tij. Kemi kryeministrin urdhërave për ndëshkime kolektive si në kohëne Mehmet Shehut, por jo edhe kryeministrin që krijon harmoni midis shtetit e qytetarit, midis ligjit dhe shkelësit të tij. Nuk kemi parë gjë akoma!

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Kryeministër në çekuilibër!

NË KUJTIM TË ARBËN XHAFERIT

August 17, 2017 by dgreca

Me rastin e 5-vjetorit të vdekjes /

1 ekipi i xhaferrit Nga Frank Shkreli/

1 Frank Arber

Ne Foto:Autori me Arbën Xhaferin, Tetovë, 2005/

Pesë vjetë më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi.  Në jetë, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë dhe personalitete të njohura dhe jo aq të njohura dhe pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja që kanë lënë nga takimet sa do të shkurtëra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit dhe çfarë e   dallon nga të tjerët.  Për disa shprehemi duke thënë se falënderojmë Zotin që m’u dha mundësia t’i takoj,  Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pasë fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja, ka qenë edhe Arbën Xhaferi, i njohur si i tillë, anë e mbanë trojeve shqiptare, 5-vjetori i vdekjes së të cilit bie këtë javë.

Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me kryepolitikanët shqiptarë dhe me përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në rajon dhe për raportuar mbi gjëndjen — me të këthyer në Washington – organizatës që përfaqsoja KKSHA-në, si dhe zyrave e personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, të interesuar për çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Qëllimi i vizitës në Tiranë, në Prishtinë, Shkup e Tetovë — me kolegun tim David Scotton, këshilltarin e lartë të KKSHA-s – ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon.

Pjesë e këtij turneu ishin, natyrisht, takimet me udhëheqsit politikë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqsit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë.  Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam në Amabsadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e ytre për gjëndjen në rajon dhe pastaj takimin e parë me përfaqsuesit politikë shqiptarë  në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me Z. Arbën Xhaferi.  Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret — e që zgjati gati një orë, në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë — ndonëse sëmundja kishte filluar t’a rëndonte.  Megjithse dukej i lodhur fizikisht dhe i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, ishte i këthjelltë dhe i thellë.  Pas përshëndetjeve të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.

Pyetjes time mbi gjëndjen aktuale politike, Z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullësisë shqiptare dhe asaj maqedonase në atë vend.  Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqsuesit etjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës, të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq dhe kundër partive të tjera ose liderëve të tyre – gjatë atij takimi, Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare anë e mbanë trojeve, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqsues të tjerë politikë shqiptarë.   Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, por që është aq e nevojshme sot për një diskurs të qytetëruar në radhët e udhëheqësve politikë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare.  Ndonëse nuk tha gjë, specifikisht, mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua mu duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë.  Ai në të vërtetë, ndryshe nga të tjerët, është shprehur vazhdimisht për një politikë ndryshe në diskursin politik ndër-shqiptar.   Respekti për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyesë dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijt ndër-shqiptarë dhe si i tillë ka lënë mbresa të thella edhe ndër të huajt, me të cilët ishte takuar – mbi të gjitha, për diplomacinë dhe karakterin e tij, në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj, me përvojë ndërkombëtare.  Njëri prej këtyre liderve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, Z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota, se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do t’a kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.”  Një atribut shumë me vend ndaj kujtesës së Arbën Xhaferit, në këtë 5-vjetor të vdekjes.

Në vazhdim e sipër të bisedës në Tetovë me 2005, Z. Xhaferi u ankua se kontrata midis dy popujve, Marrëveshja e Ohrit, që ishte arritur midis shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila si dukej, nuk kishte marrë seriozisht dhe nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra.  Si përfundim, shtoi ai, ajo marrveshje midis dy palëve nuk po zbatohej, sipas planit, nga ana e autoriteteve maqedonase – marrveshje  që e kishin nënshkruar në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare.  Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjëndjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbajë mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë.  Shpjegoi se, si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.

E mbyllëm bisedën dhe takimin tonë me Zotin Xhaferi duke dëgjuar mendimet e tija, edhe mbi gjëndjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjëndjen në Kosovë.  E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan, Shtetet e Bashkuara — në parim — kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë, para se të bënin publik njoftimin zyrtar të Washingtonit.  Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë – e priti me një buzqeshje të sinqertë — dhe tha se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne, në këto troje tona, u shpreh ai.

U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin për t’u njohur dhe për të biseduar me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të kombit shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave.

Filed Under: Politike Tagged With: 5 vjetori, Arber Xhaferri, Frank shkreli

Rreziku i propozimit serb për Kosovën dhe “keqardhjes” së Ramës për Vuçiç!

August 16, 2017 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sapo bëri betimin për kreun e shtetit serb, shpalli në një gazetë të Beogradit se do të nisë një diskutim brenda vendit të tij për Kosovën. Këtë lajm e morën dhe e përhapën mediat dhe gazetat europiane, përfshirë dhe atë gjermane, duke theksuar se “tashmë Serbia do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet e saj me fqinjët, sidomos me shqiptarët”! E përshëndetën deklaratën e presidentit të Serbisë mediat proqeveritare në Shqipëri si dhe vetë kryeministri i vendit, zoti Rama! Ky I fundit dha para dy ditësh një intervistë në gazetën beogradase “Blic” dhe shprehu keqardhjen që “Vuçiç gjendet në një pozitë të vështirë” për shkak të kësaj iniciative. Duke “e vendosur veten në këpucët e Aleksandrit”, Rama u shpreh se “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiqit për ta zgjidhur problemin e Kosovës”, duke shtuar gjithashtu një superlativë lavdëruese për presidentin serb “Iniciativa e Aleksandar Vuçiq për ta nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovën është një akt i lidershipit me të cilin ai e shpalosi një vizion kurajoz për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë”. (http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Në Kosovë vetëm ministry I Jashtëm Hoxhaj ka reaguar ndaj disa deklaratave të homologut të tij serb, Ivica Daçiç, por ende nuk ka një deklaratë serioze, e cila të shprehë qëndrimin e institucioneve të prishtinës për iniciativën e presidentit të Serbisë. Ndërkohë shtypi e media e Kosovës po e kalon në heshtje këtë nismë të Beogradit, vetëm sa transmeton lajmet dhe deklarimet reciproke. Në Shqipëri askush, përveç ndonjë diplomati jo në detyrë, si Shaban Murati, nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’iu qasur analizës për “iniciativën Vuçiç”. Zoti Murati para pak ditësh tërhoqi vëmendjen në faktin që politika shqiptare, diplomacia, mediat dhe opinion publik shqiptar nuk kanë pse entusizmohen nga një nismë e tillë.
E vërteta është se ne e kemi entusiazmin ashtu dhe dëshprimin si drogën! Menjëherë zgjohemi dhe qeshim, sapo dikush që ka një histori tragjike në marrëdhëniet me ne na ofron diçka dhe po aq lehtë dëshprohemi e hidhërohemi, sa herë dikush i tillë na provokon! I gëzohemi madje më shumë ndonjë iniciative në dukje pro nesh të kundërshtarëve dhe armiqve të kombit tonë dhe jo aq aksioneve politike të miqve tanë! Entusiazmi ynë është shpesh herë i pakufi, kur ata që në i quajmë armiq të shqiptarëve hedhin ndonjë dorashkë, që duket si e favorshme për ne. Nga mesi i viteve 2000 presidenti rus Putin i thoshte presidentit tonë shqiptar se “Ne nuk kemi gjë me shqiptarët”! Nënteksti: -“Ne nuk jemi armiq”! Dhe presidenti ynë ishtë shumë entuziast e i ngazëllyer nga kjo deklaratë e kreut të Kremlinit! Një entusiazem foshnjarak, sepse një president dhe lider duhet të ketë kapacitetet e formimit politik të atij niveli që realitetin ta përceptojë me shqisat e liderit!
Nga naiviteti apo miqësia e ngushtë me presidentin Vuçiç, zoti Rama u përfshi gjithashtu në një eufori që I kapërcen kufijtë e Serbisë, duke bërë thirrje që dialogu serb për Kosovën të shtrihet edhe në Kosovë e në Shqipëri, sigurisht në inversin e tij, si “dialog shqiptar për marrëdhëniet me Serbinë”!
“Ajo që është e domosdoshme në këtë fazë është vërtet ajo që presidenti juaj e ka nisur si dialog të brendshëm, i cili, meqë ra fjala, nuk do të ishte i parëndësishëm të ndodhte edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri”, shprehet kryeministri ynë për “Blic-in: e Beogradit. (http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Ne nuk kemi dhe nuk e dijmë saktësisht se çfarë fshihet në Hintergrund të iniciativës “Vuçiç”, por planin e presidenti të Serbisë po e shpalos çdo ditë ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daçiç. Ai e nisi shpalimin e planit serb për Kosovën, duke thënë se “Përpiqem të propozoj një zgjidhje afatgjatë, sepse ajo bazohet në të drejtën historike e etnike që vetëkupton caktimin e kufijve të asaj që është serbe dhe të asaj që është shqiptare”. (http://zeri.info/aktuale/157188/daciq-ne-rajonet-ku-ka-serbe-kosova-mund-te-jete-e-pavarur-vetem-me-tanke/ Madje ministri i Jashtëm i Beogradit kërcënon se nëse nuk ndodh kjo, ndarja e Kosovës, atëherë hyjnë në veprim tanke.
Sipas zotit Daçiç, duhet të përcaktohen kufij të ri për Kosovën dhe Serbinë, shkurt duhet që një pjesë e territorit të Kosovës të kalojë nën sovranitetin e Serbisë. Veriu i Mitrovicës është pikëshënjestra e kryediplomatit të Serbisë. Kjo për dy arësye, njëra “demografike”, sepse në këtë pjesë të Kosovës shumica e banorëve janë të etnisë serbe dhe tjetra gjeopolitike, sepse “Fuqitë Perendimore synojnë që nëpërmjet veriut të Mitrovicës të krijojnë një lidhje territoriale të Kosovës me Sanxhakun dhe Bosnjën”, me qëllim izolimin e Serbisë nga Mali i Zi dhe pjesa perendimore e Ballkanit, shkruan Daçiç. Për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai shprehet se “Një lidhje e ‘Kosovës së islamizuar’ me Sanxhakun, do të ishte një dështim më i madh për popullin serb, më i madh se të gjitha dështimet e popullit serb në shekullin e 20-të.”
http://lajm.net/gazeta-gjermane-u-jep-hapesire-deklaratave-te-daciqit-per-shqiperine-e-madhe.html
Ndërsa sot shefi i diplomacisë së Beogradit ishte në Këshillin e Sigurimit dhe ka hedh dy “argumente” të tjerë në përpjekje për ta sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për ta mbështetur opcionin e tij të ndarjes së Kosovës. Në replikë më ambasadoren Vlora Çitaku, Daçiç thoshte sot se “në Kosovë nuk ka kosovarë, por ka shqiptarë” dhe se “kryeqyteti i parë i Serbisë ka qenë Prizreni”! Dy teza këto në ndihmë të argumentit historik dhe aktual, me qëllim që t’i thuhet botës se “Kosova duhet të ndahet”!
Nëse analizojmë gjithashtu interesat politike, gjeopolitike, ekonomike, financiare të Serbisë, atëherë nuk është vështirë ta zgjidhim ekuacionin “e panjohur” se cili është projekti i diskutimit të brendshëm serb për Kosovën. Këto na i zbulon zoti Daçiç dhe synimi është e mbetet ndarja e territorit. Eshtë e njëjta strategji si ajo e dy shekujve të fundit, me objektiv krijimin e Serbisë së Madhe. Kjo strategji ka lënë pasoja tragjike në Kosovë, masakra masive, djegje e shkatërrime, përdhunime, burgosje, vrasje, pushkatime, për të cilat as është bërë as nuk do të bëhet ndonjë dialog i brendshëm në Serbi. Dialogu do jetë përsëri nga pozitat e shovinizmit serbo-madh! Në tavolinën e diskutimit të brendshëm do të jenë territoret e shqiptarëve në Kosovë!
Se do të këtë në Beograd e në Serbi një dialog të tillë na e dha sinjalin vetë kryetari i Bashkisë së Beogradit kur para katër ditësh i dha një bulevardi emrin provokativ “Heronjtë e Koshares”! Nuk ka nevojë të jesh kryeministër a president që ta lexosh mesazhin e kësaj sjelljeje diversioniste të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ndërkaq qeveria serbe nuk hezitoi të dërgojë zjarrfikësit e saj “për shuarjen e zjarreve në Shqipëri”. Veçse të gjitha veprimet e saj në vijim të deklaratës së Vuçiç dëshmuan se angazhimi në terren për shuarjen e zjarreve në Shqipëri ishte dhe mbetet në sytë e opinionit publik si perde për të mos parë ndezjen e zjarrit për Kosovën në Beograd. Ndarja e Kosovës nuk është diskutim i brendshëm për Kosovën, por është projekt i një luftë të re midis shqiptarëve dhe serbëve.
Me këtë projekt Serbia në vend të diskutojë me vetëveten, kërkon kompromis me palën shqiptare në stilin e Koshtunicës dhe të Tadiç se “Nuk mundet që njëra palë t’i marrë të gjitha dhe tjetra të mumbasë gjithçka”! Me dialog dhe “me kompromis” Beogradi kërkon zgjerimin e territorit të Serbisë, duke realizuar në paqe, atë që humbi në luftë! Nëse shqiptarët dhe institucionet e Kosovës pajtohen me këtë, atëherë do të jetë rasti i parë në histori kur në nënshkruajmë kapitullimin, sepse për çdo vend dhe shtet në botë territory është i shenjtë!
Që të mos ndodh kjo, institucionet e Prishtinës duhet të pozicionohen dhe t’i thonë jo Beogradit si dhe tolerancës së kryeministrit të Shqipërisë. “Patriotët e mëdhenj” që dogjen Kosovën për demarkacionin me Malin e Zi po heshtin në rastin e projektit serb për ndarjen e territorit të vendit. Këta “patriotë” ndoshta presin çastin që pasi të bëhet fakt ndarja e Kosovës të shijojnë ndonjë “referendum” për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe atëherë të thonë “Ja, ky ishte projekti ynë! Fitore! Rroftë Edi Rama”! Dhe mbas reziltatteve negative të një referendum të tillë të struken në atë shtetin e cunguar të Kosovës, simbilet e të cilit ende nuk I njohin e të thonë :Ne e bëmë tonën, ishte vendimi I qytetarëve JO-ja për bashkim”! Kjo JO është aq e sigurt, sa e sigurt është se kryeministri I Shqipërisë nuk e dëshiron në asnjë rrethanë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 1998 epskpertë të partisë së tij i kishin propozuar bashkësisë ndërkombëtare shkëputjen e veriut të Shqipërisë dhe bashkimin e tij me Kosovën, me qëllim që në rastin e ndarjes së Kosovës të kompensohej ajo.
Pra të gjitha shenjat tregojnë se prapa indicativës së Vuçiç fshihen dy djajë: Njëri ka të bëjë me atë që në Europë e në SHBA të besojnë në një Serbi “tolerante”, “të gatshme për dialog e lëshime” dhe tjetri ka të bëjë me dremitjen e shqiptarëve, e kam fjalën të politikës, elitës akademike, shoqërisë civile, aktorë këta që shohin “ëndërrën e gomarit”!
Lëvizja e re politike e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është lëvizja më e rrezikshme e këtyre dy dekadave të fundit. Ajo bazohet në platformën e të gjithë kryeministrave dhe presidentëve serbë të mëparshëm përfshirë Sllobodan Millosheviç, Zoran Xhinxhiç, Vojisllav Koshtunica, Boris Tadiç e Tomisllav Nikoliç. Kjo lëvizje bëhet akoma më e rrezikshme për shkak se në deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë nuk ka një përgjigje të prerë, pa ekuivok. Ai thjesht thotë se ndarja e Kosovës nuk është racionale e nuk na çon asgjëkundi, ndërkohë që Daçiç e thotë hapurr se “Mosndarja na çon ën përdorimin e tankeve”! Një disproporcion i madh në qëndrimet e palëve.
Keqardhja e zotit Rama për zotin Vuçiç, “për vuajtjet” e tij për këtë dialog të brendshëm serb, është ose hipokrizi, ose idiotësi! Zoti Vuçiç, megjithëse pjesmarrës aktiv në luftërat e Serbisë në Boanjë e në Kosovë, së paku në rastin e Kosovës asnjëherë nuk kërkoi ndjesë. Ndërsa kryeministri shqiptar “i kërkon ndjesë” atij, pse “qenka vënë në vështirësi” për nëj diskutim, të cilin e ndërmerr për interesat e tij e nga i cili dëshiron të rikrijojë në kushte paqeje Serbinë e Madhe, duke realizuar kështu ëndërrën e Milosheviçit.
Prandaj e shoh të domozdoshme që në Kosovë dhe në Shqipëri të ketë kohezion dhe institucionet tona të reagojnë përmes të gjitha mjeteve adekuate kundër politikës dhe projektit të tillë të Beogradit. Një diskutim brenda Kosovës ose brenda Shqipërisë është jo vetëm i panevojshëm, por madje i dëmshëm, sepse do të kanalizohej në drejtim të plotësimin të interesave të Serbisë në Kosovë. Thirrjen e zotit Rama për këtë lloj diskutimi e shoh si një prapavijë të politikës së presidentit të Serbisë, zotit Vuçiç. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që “keqardhjen” e zotit Rama për zotin Vuçiç, ta shndërrojnë në një aksion ndihme e solidariteti të shqiptarëve të Shqipërisë me serbët e Serbisë, kundër shqiptarëve të Kosovës!

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, për Vuçiç!, Rreziku i madh i propozimit serb për Kosovën dhe “keqardhjes”, së zotit Rama

Kush dhe si merr vendime të mëdha?

August 16, 2017 by dgreca

-Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?/

isa-Mustafa

Shkruan: Isa MUSTAFA/Si fëmijë shkoja kohëve të pushimeve shkollore nga Prishtina në fshatin tim Prapashticë, te axha im. Një herë, deri sa isha para shtëpisë, vërejta se po ecte ngadalë, si duke u hamendur, një fqinjë i yni me plis dhe maramë në pikun e verës. I u drejtova, hajde o bacë, a po vjen brenda. Ma ktheu “ jo biro, veç dola po eci, e po bej seri e po bej…deri sa mo s’po di si me bo”. Bacin e kishte rënduar varfëria, familja e madhe dhe kërkonte derë për zgjidhje.
Në këto ditë do të doja të shoh një të mençur të na thoshte sesi të marrim vendime të mëdha, të cilat u morën si pretekst për të ardhur në këtë situatë, që as Kuvendin s’po arrijmë të konstituojmë. Si të zgjidhim liberalizimin e vizave, për qytetarët tanë , të cilët të vetmit kanë mbetur të izoluar në Evropë, e që lidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kush do ti sigurojë 80 vota në kuvend. A do të votohet marrëveshja e cila është pajtuar me Malin e Zi apo do të kërkohet tjetër marrëveshje. A do të pajtohet Mali i Zi të bëjë një marrëveshje tjetër , pasi ka ratifikuar në Parlament marrëveshjen e pajtuar me ne. Nëse jo, sa do të zgjasin procedurat në arbitrazh ndërkombëtar dhe sa do të shtyhet liberalizimi, pasi që Komisioni Evropian ka konkluduar se ratifikimin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës e jo arbitrazhi ndërkombëtar.
Si do të procedohet me dialogun me Serbinë, me të cilin lidhet rruga jonë e integrimeve evropiane.
Si do të transformohet FSK në Forcë të Armatosur, dhe si do të ruhet partneriteti me NATO-n dhe me SHBA-të, në situatën kur serbet në kuvend refuzojnë të votojnë ndryshimet kushtetuese që lidhen me këtë materie, ndërkaq partnerët tanë thonë se kjo duhet të bëhet me pajtueshmëri të gjere dhe me ndryshime kushtetuese.
Si do të forcohet shteti ligjor, më konkretisht si do të luftohet krimi dhe si do të luftohet korrupsioni.
Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?
Kam dëgjuar deklarata të ndryshme se Kosovës i nevojiten liderë që marrin vendime të mëdha. Por për të marrë vendime të mëdha duhet pasur madhësinë e pasuesve, si qytetarë apo deputetë që përfaqësojnë sovranin. Në Kosovë, maksimalisht arrihet te një e treta.
Deri tani, ne kemi marrë vendime të mëdha, por të gjitha këto vendime i kemi marrë me mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të miqve tanë evropian. Vendimi për shpalljen e pavarësisë. Vendimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Marrëveshjet e dialogut me Serbinë. Njohjet e pavarësisë nga shtete të ndryshme.
Votat që LDK i ka dhënë në Kuvend deri sa ishte në opozitë, për disa vendime të mëdha, por jo të lehta, janë pajtime të arritura me faktorin ndërkombëtar, në rend të parë me SHBA për të quar përpara proceset e pavarësisë dhe të shtetndërtimit. Si LDK nuk kemi dhënë votë për zgjatjen e vendeve të rezervuara për përfaqësuesit joshumicë në Kuvend. Nuk e kemi përkrahur fusnotën.
Konsideroj se përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e kanë ata që e shkaktuan këtë gjendje . Ata tani duhet të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe, jo vetëm si me prishë, por si me ndërtua.

 

(Shkrim në ‘facebook’ i kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, 16 gusht 2017)

Filed Under: Politike Tagged With: Isa Mustafa, Kush dhe si, merr vendime, të mëdha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 531
  • 532
  • 533
  • 534
  • 535
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT