Teuta Rugova: Jam keqkuptuar, nuk do të veproj kundër qëndrimit të LDK–së(KOHAnet)/
*LDK: Refuzim të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN/
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, i ka dhënë mbështetje kandidaturës së Ramush Haradinajt nga koalicioni PAN, për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Përkundër deklarimeve nga LDK-ja se deputetët e kësaj partie politike janë unikë dhen uk do t’i bashkohen ndonjë koalicioni tjetër, Teuta Rugova, e bija e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, themeluesit të LDK-së, megjithatë ka konfirmuar se e mbështetë Haradinajn, nga koalicioni rival i LDK-së.
“Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Teuta Rugova në rrjetin social Facebook.
Paraprakisht familja Rugova ka pritur në shtëpinë e tyre Ramush Haradinajn.
“Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokoj proceset dhe të injoroj rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së”, është shprehur Rugova.(Europa e Lire)
KOHAnet
Teuta Rugova: Jam keqkuptuar, nuk do të veproj kundër qëndrimit të LDK–së
Deputetja e LDK-së, Teuta Rugova në një postim të ri në Facebook theksuar se “deklarata ime është keqkuptuar nga disa në raport me qëndrimin tim”, transmeton Koha.net.
“Unë jam deputete e LDK-së dhe as tash nuk do të veproj as edhe kurrë më parë nuk kam vepruar jashtë qëndrimit të LDK-së”, ka thënë ajo.
Në postimin paraprak ajo e kishte ftuar partinë e saj që ta votonte të nominuarin e PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinajn.
Ky është postimi i ri i Teuta Rugovës:
“Mendoj se deklarata ime e mëparshme është keqkuptuar nga disa në raport me qëndrimin tim sepse shumë thirrje e mesazhe më kanë ardhur me pyetje rreth votës time. Unë jam deputete e LDK-së dhe as tash nuk do të veproj as edhe kurrë më parë nuk kam vepruar jashtë qëndrimit të LDK-së”..
***
LDK: Refuzim të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN
PRISHTINË, 21 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen me kryetarë të degëve, të cilën e udhëhoqi kryetari i LDK-së njëherësh kryeministër i vendit, Isa Mustafa.
Njoftimi i dërguar thekson se, gjatë mbledhjes u diskutua rreth organizimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, përfshirë kriteret dhe orientimet rreth propozimeve për kryetar të komunave, për këshilltarë komunal si dhe programin të cilin LDK-ja do t’ua ofron qytetarëve në zgjedhjet lokale.
Kryetarët e Degëve të LDK-së, gjithashtu diskutuan dhe përkrahën fuqishëm kryetarin Mustafa dhe Kryesinë e LDK-së në qëndrimet e partisë në raport me formimin e qeverisë. Kryetarët e degëve siguruan kryetarin Mustafa se deputëtët e degëve përkatëse janë unik dhe të bashkuar rreth qëndrimeve të LDK-së dhe refuzimit të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN.
Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë ditëve në vijim do të mbaj edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, kur edhe do të miratojë orientimet dhe kriteret për propozimet për kryetarë të komunave./b.j/