• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arrestimet e para pas sulmit në Mançester

May 23, 2017 by dgreca

Policia britanike identifikoi autorin e sulmit vetëvrasës në Mançester, 22 vjeçarin Salman Abedi. Ndërkohë milicët terroristë të IS-it morën përsipër sulmin me së paku 22 viktima, dhe kërcënuan me sulme të tjera./

UK Manchester nach dem Anschlag (Reuters/D. Staples)

Një ushtar i „Shtetit Islamik”vendosi një bombë në mesin e një turme njerëzish -bëri të ditur organizata xhihadiste e të ashtuquajturit „Shteti Islamik” duke marrë përgjegjësinë përmes rrjeteve të saj sociale dhe agjencisë, Amak. Në deklaratën e xhihadistëve janë bërë kërcënime të reja. SHBA ende nuk ka bërë një lidhje mes sulmit në Mançester dhe milicëve ekstremistë të IS-it, megjithëse ky i fundit e reklamoi sulmin si të tijin.Bomba e Mançesterit, ku humbën jetëm 22 vetë e plagosën 59 të tjerë duket se ka qenë artizanale, sepse sipas dëshmitarëve në holl u gjendën mjaft vida dhe gozhdë. Qytetarët e Mançesterit janë shprehur të shokuar, por edhe me besimin se ky qytet multukulturor nuk do të dorëzohet e nuk do të humbë atë ”spirit” karakteristik që ka, është shprehur reporteri i DW-s në Mançester, Lars Bevanger.

UK Manchester nach dem Anschlag (Reuters/S. Wermuth)

May: Një nga sulmet më të rënda terroriste

Më parë kryeministrja britanike, Theresa May e cilësoi sulmin në një koncert të muzikës pop në Mançester si një nga sulmet më të rënda terroriste kundër Britanisë së Madhe. “Nuk ka asnjë dyshim, se populli në Mançester dhe në këtë vend është bërë viktimë e një sulmi të pashembullt terrorist”, tha May në Londër para selisë në Downing Street Nr.10 pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit të sigurisë.

Sulmuesit në Mançester kanë goditur me „llogari të ftohtë” fëmijët, tha May.  Autori ka dashur të kryejë “gjakderdhjen më të madhe të mundshme”, u shpreh kryeministrja britanike. Policia ka të dhëna për identitetin e tij. Të martën pasdite, May udhëtoi drejt Mançesterit për të parë nga afër gjendjen.

Merkel shpreh hidhërimin e thellë

Großbritannien PK Theresa May zum Anschlag in Manchester (Reuters/T. Melville)

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh të martën e tronditur për sulmin ndaj publikut në një koncert pop. „Me hidhërim dhe tronditje të thellë po i ndjek raportimet nga Mançesteri”, deklaroi Merkel të martën, duke theksuar se „është e paperceptueshme, që dikush shfrytëzon një të koncert të gëzueshëm pop për të sjellë vdekje dhe lëndime të rënda për kaq shumë njerëz.” Merkel shprehur hidhërimin për viktimat dhe i shprehu ngushëllimet familjeve të tyre. “Ky akt i dyshuar terrorist do të forcojë vendosmërinë tonë, edhe më tej tek së bashku me miqtë tanë britanikë të veprojmë kundër atyre që planifikojnë e kryejnë akte të tilla”, tha Merkel. Gjermania është në krah të britanikëve.

Arrestimet e para

Policia britanike identifikoi atentatorin e Mançesterit, 22 vjeçarin Salman Abedi. Autoritetet po hetojnë, nëse në sulmin e Mançesterit janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Sipas policisë, autori hodhi veten në erë menjëherë pas përfundimit të koncertit të këngëtares amerikane, Ariana Grande në hapësirat e brendshme të arenës. Viktima më e re e këtij sulmi terrorist është një vajzë tetëvjeçare. Dëshmitarët raportuan, se menjëherë pas shpërthimit shpërtheu paniku në arenën që mbledh rreth 21.000 vetë.

UK Manchester nach dem Anschlag (Reuters/S. Wermuth)

Policia ka kryer arrestimet e para. Në lagjen jugore të Mançesterit policia shoqëroi në polici një person 23 vjeçar, por nuk u bënë të ditura të dhëna të tjera. IS ka shpallur si të vetat sulmet e fundit në Europë, edhe atë para dymuajsh në zonën qeveritare në Londër, ku humbën jetën pesë vetë.Ndërkohë policia e Londrës bëri të ditur, se do të rishikojë imtësisht konceptet e sigurisë për organizimet publike në të ardhmen. Bëhet e ditur, se do të rritet prezenca e policisë në tubime publike, ndeshje sportive apo aktivitete të tjera.(Kortezi-DW)

Filed Under: Politike Tagged With: Akti terrporist, arrestimet e para, Maschester

PARLAMENTI I PARË DHE PARLAMENTI I ARDHËSHËM SHQIPTAR

May 22, 2017 by dgreca

KOMBI KA NEVOJË PËR FILIZA TË RI NË TRUNGUN E VJETËR POLITIK/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1majko4

Nga Frank Shkreli/Ndërkohë që përzgjidhen kandidatët për deputetë në Shqipëri dhe në Kosovë, kujtojmë parlamentin e parë shqiptar. Pas marrëveshjes Rama-Basha, partitë politike shqiptare kanë filluar konsultimet me bazën për të përzgjedhur kandidatët e mundëshëm për në parlamentin e ardhëshëm që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri.  Gjatë këtij procesi, merret me mend, se të pakën, sa për sy e faqe, partitë do të përpiqen të evidentojnë persona kandidatë, që përveç besnikërisë së tyre ndaj partisë dhe posedimit të aftësive bazë që kërkon detyra për të kryer punën e parlamentarit, kandidatët potencial për në parlamentin e ardhëshëm, të jenë edhe njerëz me integritet dhe të cilët gëzojnë njëfarë reputacioni si individ dhe si shqiptarë, në fushën e veprimtarisë së tyre, në rrethin ku jetojnë.

Kështu shpresohet, ndërsa partitë politike kanë deklaruar se do të zgjedhin njerëzit më të mirë, më me reputacion dhe pa konflikte interesi.  Thuhet se partitë e mëdha po përpiqen të zgjedhin edhe kandidatë në moshë të re, të cilët mund të jenë të aftë të mendojnë dhe të veprojnë, “outside the box”, jashtë përcaktimeve të politikës së partive, njerëz të cilët ndoshta nuk e ndjejnë veten edhe aq shumë të lidhur me partinë, por që mund të veprojnë edhe pavarsisht partisë. Por, fatkeqsisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe.

Në këtë periudhë parazgjedhore, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është një rast i mirë ndoshta për të provuar diçka krejt ndryshe nga e kaluara në përzgjedhjen e kandidatëve të ardhëshëm për në kuvendet e dy shteteve shqiptare.  Që besnikëria ndaj partisë të mos jetë kualifikimi kryesor për një kandidat në parlament, por të jetë aftësia profesionale, mbi të gjitha, dashuria për Atdheun si dhe vullneti për tu shërbyer të gjithë shqiptarëve dhe të mirës së përbashkët, ndërtimit të shtetit të lirë e demokratik, ku të marrin pjesë të gjithë në sofrën e përbashkët, pa dallime politike dhe partiake. Fatkeqsisht, deri tani, devijimi nga vija politike e partisë nga individë memendime ndryshe, është ndëshkuar rëndë nga partitë.  Por, pa liri mendimi dhe veprimi nga antarët e parlamentit të ardhëshëm, qoftë mbrenda partive politike, qoftë pavarësisht tyre, vendi nuk do të ketë liri të plotë as në fusha të tjera në shoqërinë e gjërë shqiptare.  Me këtë mentalitet, Shqipëria dhe Kosova do vazhdojnë të jenë midis vendeve që konsiderohen si gjysëm të lira.Megjithse shpresa vdes e fundit, fatkeqsisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe. Kemi pasur të bëjmë me parlamente jo funksional, të njohur për mosmarrveshje, sharje, debate të denigruara, konflikte politike, që madje kanë përfunduar edhe konflikte fizike. Edhe më keq, vërejtësit shpesh u janë referuar si parlamente krimi.  Si përfundim, në këtë periudhë parazgjedhore parlamentare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ndoshta ia vlenë që nëqoftse jo partitë, atëherë votuesit shqiptarë — ndërkohë që po vlerësohen kandidatët e ardhëshëm për parlament — të pyesin veten: a duam një parlament ndryshe, në krahasim me parlamentet e periudhës post-komuniste të deritanishme, dhe cilët janë njerzit që duan t’i përfaqësojnë ata në tempullin e demokracisë.

A do të kërkojnë votuesit shqiptarë me këmbëngulje një parlamentarizëm të ri, që do të pasqyronte vullnetin dhe interesat e zgjedhësve shqiptarë dhe jo ato të padronëve partiakë dhe të klaneve të tyre politike?  Partitë politike dhe votuesit shqiptarë duhet të reflektojnë seriozisht që të vijnë në përfundimin se gjërat deri tani nuk kanë shkuar aspak mirë dhe njëkohsisht të pyesin veten:  Cilët duhet të jenë parlamentarët e ri që do të përfaqësojnë vërtetë interesat e kombit shqiptar dhe të cilët, me punën e tyre, mundësisht do të lindin pranvera të reja shqiptarizmi të vërtetë dhe tradicional, bazuar në vlerat historike të kombit, përfshirë edhe ato të trashëguara nga disa prej antarëve të parlamentit të parë shqiptar, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, pa dallime politike, fetare ose krahinore.

Gjenerata e re aktuale politike e shqiptarëve, mund të marrë shembull nga breznitë e vjetëra politike të kombit, përfshirë edhe anëtarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920.  Mund të thotë dikush çfarë na duhet të shikojmë pas, duhet të shikojmë drejtë ardhëmërisë sonë.   E vërtetë, por po t’u hedhim një sy emrave të burrave që përbënin parlamentin e parë shqiptar, është e pamundur të mos vlerësojmë sot se ata ishin jo vetëm interpretuesit por edhe praktikuesit më të spikatur të atdhedashurisë dhe të shpirtit të fisit arbënor.  Ata ishin gjithashtu edhe promovuesit dhe realizuesit e fortë të shprehjes së vullnetit të popullit nëqoftse këto vlera kanë ndonjë rëndësi për politikanët e sotëm ose të ardhëm.

Sot, kombi shqiptar ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër të politikës dhe të atdhedashurisë, për të vazhduar zhvillimin natyral politiko-historik të shqiptarëve, të ndërprerë nga regjimi komunist 50-vjeçar dhe nga trashëgimia e tij gjithnjë aktuale në politikën shqiptare.  Parlamentarët e ri që do të zgjidhen muajin e ardhëshëm — si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri — kanë shembuj për të ndjekur, për mirë.  Janë shembuj, antarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920.  Këta patriotë ishin kryesisht mbrojtës të vlerave shpirtërore dhe të trashëgimisë kombëtare.  Politika e shqiptarëve sot duhet të jetë tepër e kujdesshme që të ruhet nga influencat e huaja djallëzore antishqiptare– që me sjelljet e tyre, sidmos në marrëdhëniet politike me njëri tjetrin, të mos sjellin ujë në mullijtë e atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën kombit shqiptar.  Si Tirana ashtu edhe Prishtina duhet të kenë kujdes nga ata që trumbetojnë vëllazërim me popullin shqiptar në emër ideologjishë dhe interesash ekonomike. Ata mund të kenë ndryshuar për nga mënyra e veprimit, por jo qëllimet e tyre të influencës dhe të zotërimit.  Mesazhi i parlamentit të parë shqiptar është: “Merrni fatin e vendit në duartë tuaja”, duke krijuar një gjëndje politike, ekonomike, shpirtërore dhe shoqërore, që e bëjnë jetën të denjë për tu jetuar nga të gjithë shqiptarët në trojet e veta.

Parlamenti i parë shqiptar (27 mars 1920 – 20-dhjetor 1020), u krijua nga Kongresi i Lushnjes, si organ legjislativ, përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga delegatët e Kongresit, të cilët “në mënyrë të organizuar politike shprehën vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta”.  Ishte kjo një brezni plot dinjitet patriotësh shqiptarë që hapi rrugët e lirisë dhe e cila filloi — nën kushte tepër të vështira — ndërtimin e shtetit shqiptar.  Siç tregon edhe fotografia më poshtë, shumë prej tyre janë ndër kolosët e historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilët gjithnjë vazhdojnë të hedhin rreze ndriçimi patriotizmi dhe diturie për të gjithë brezat e shqiptarëve.

Le të shpresojmë se një brez i ri politikanësh shqiptarë – mundësisht filiza të ri në trungun e vjetër – të cilët do të zgjidhen në parlamentin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës muajin që vjen si përfaqsues të popullit, të shprehin vullnetin dhe interesat e shqiptarëve tashmë të lodhur nga politika e oligarkëve dhe interesat e tyre.  Që të marrë në duartë e veta fatin e vendit dhe njëkohsisht të ndjekin shembullin e antarëve të parlamentit të parë shqiptar për patriotizëm dhe atdhedashuri, duke hapur kështu udhë të reja në historinë moderne të shqiptarëve, si trashëgues dhe ndjekës të traditës dhe të vlerave kombëtare që shumë prej këtyre burrave të dalluar të kombit të fillim shekullit të kaluar, u lanë pasë trashëgimi shqiptarëve për të gjitha kohërat.

majko4

PARLAMENTI I PARË SHQIPTAR:   Emrat sipas rreshtave, nga e djathta në të majtë:

1¬Llambi Goxhomani, Bahri Omari, Ali Koprenca, Milto Tutulani

2¬Luigj Gurakuqi, Atë Gjergj Fishta, Shefqet Vërlaci, Osman Haxhia, Ahmet Zogolli, Eshref Frashëri

3¬Shefqet Daiu, Ali Këlcyra, Kolë Thaçi, Halit Rroji, Banush Hamdi Bega, Qemal Vrioni, Ahmet Hastopalli, Dom Ndre Mjeda, Maliq Bushati, Pandeli Cale, Anton Beça

4¬Spiro Koleka, Shuk Gurakuqi, Masar Këlliçi, Rexhep Mitrovica, Spiro Papa, Agatokli Xhitoni, Leonidha Frashëri, Syrja Pojani, Stavri Vinjau, Patuk Saraçi, Taqi Buda, Ibrahim Xhindi

5¬Leonidha Koja, Koço Tasi, Mustafa Kruja, Qazim Kokoshi, Loni Kristo, Bajram Fejziu, Mustafa Maksuti, Qemal Mullaj, Sejfi Vllamasi, Bektash Cakrani.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe Parlamenti i ardhshem, Frank shkreli, Parlamenti i pare

SASHA

May 21, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nuk ka më PSD, po ka Gjinush. Mbeti studiove burri duke u ankuar se nuk i lane një vend. Ia bën me hile të mëdhenjtë.

PSD-së i ka mbetur veç hiri. Po Sasha, komenton. Gjithnjë të tjerët. Edhe pse PSD nga një forcë e tretë dikur. Në ato fillimet e demokracisë sonë. Sot është katandisur në një vagon cargo. Mallrash. Aty në trenin e së majtës. Ose vagoni i njezeteshtatë. Poshtë, e me sukses. Vit më vit. Sasha prapë është kryetar. Prapë kërkon një vend në kuvendin e shqiptarëve. Prapë nuk pushon, gërr, vërr. Përplaset me inat, si ai harabeli brenda kafazit. Bam, bërrdam, lart poshtë, këlthet, thyen krahët, rripet, skuqet. Flet për liri e parime. Edhe pse dera e kafazit është e hapur. Sasha nuk e shikon. I thonë marrëveshja u bë për të mirën e vendit. Fitoi vendi, Shqipëria. Sasha inatçor, hakërrohet. Ç’më duhet mua Shqipëria. Karrika ime ku është, më vodhët votat. Shpjegon sistemet zgjedhoret, formulat. Magjia e Sashës. Ka një fill me rruzka. Formul pas formule. Një qëmtues thërrimesh. I ka mbetur një përfaqësues këtu aty. Gërrvërret. Votat e mia.
PSD-të simotra në europë qeverisin. Hapin krahun. Zgjedhin, zgjidhen. Kurse kjo e Sashës ka mbetur si beteja e lugëve në një tavë orizi. Po Sasha ama kryetar. Dhe gykon se i takon një vend. Sasha profesori. Ndofta ajo aradha më e keqe e profesorëve, doktorëve, akademikëve. Që nuk dine të hapin krahun. Sasha që edhe një here që e vunë si kryetar kuvendi, I bëri vendit shërbimin më të madh. I rriti vetes numrin e badigardëve. Sasha figure. Vlerë kombëtare, duhej ruajtur.
Vaslav Havel i Çekisë rrëzoi diktaturën, erdhi, drejtoi e iku… pa asnjë badigard. Kurse Sasha vazhdon. Nuk rrëzoi asnjë diktaturë. Atë e rrëzuan të tjerët. Shqyen dyer ambasadash. Pushtuan Italinë dhe Greqinë. Kurse Sasha e gjeti gati. Profesor, madje filozof ishte dhe ky Haveli. Por iku. Kurse këta të Shqipërisë jo që nuk ikin. Por shqyhen në debate pështymash me të rinjtë. Me kalamajtë e tyre. Fara më e keqe e këtyre viteve demokraci. Baballarët më të praptë. E ka të drejtë ai Blushi, kur thotë se duhet rritur shpërblimi për lindjet. Pasi është e zorshme ta largosh Sashën. Po plaket Shqipëria, kurse Sashët jo. As ua varin thinjave fare.
Se do më pyesni pse e quan Sasha. Nuk e quaj unë. Ashtu e ka pasur emrin. Lindi në ato vite të dashurisë së madhe me sllavët. Kur hodhëm në tokë Titon. E hoqëm nga muret, nga kopertinat e librave shkollor. Dhe vendosëm baba Stalinin. Atëhere ishte në mode kur na lindnin fëmijët tu vendosnim emrat rusë. Ndaj kemi kaq me shumicë Vladimira, Sasha, Aliosha, Dimitrovër etj. Dhe ia lëruam nënën kulturës e traditës sonë. Megjithëse kishim kohë, që mbyteshim në emrat turq. Ata tanët ta shpifnin. Dardan, Genti, Pleurant, Enkelejda, Olimpia, Etleva…, për besë ta shpifnin. Kështu edhe Sasha. Por… kur u prishëm me rusët, Sasha, fësht, e bëri Skënder.
Votojeni Sashën. Dhe lërini reformat. Se me ‘të e sojin e shushunjave si ai. Jo 27 vjet vendnumëro, po 270 të tjera i keni hak. Me firmë e me vulë.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, SASHA, Skender Gjinushi

Humbësit e zgjedhjeve

May 21, 2017 by dgreca

1 Anton Marku 2Nga Anton Marku/Vjenë/

 Mbi shitësit e mjegullës, përbuzësit e lirisë, mbledhësit e kokrrava, guralecët dhe gurët që ndrrojnë vend përditë.

 Ja që sipas të gjitha parashikimeve ndodhi ajo që pritej: Qeveria e Kosovës nuk arriti të përfundojë mandatin e saj dhe zgjedhjet e parakohëshme do të mbahen me 11 qershor 2017. Në këtë kontekst tashmë ka filluar gara, jo në atë se kush është më i zëshëm në mbrojtje të shtetit dhe interesave të qytetarëve të tij, por kush bërtet më shumë. Kush ulurinë më gjatë.E të shkumbëzojnë po shkumbëzojnë të gjithë.

Arrat, pjeshkat dhe shalqini

Koalicionet e krijuara me këtë rast për shumëkënd kanë qenë befasi. Për njohësit e zhvillimeve politike në vend jo. Tani definitivisht, kur mjegulla u hoq dhe maskat ranë, secili pe gjeti lëmshin që i takon. Dhe që e meriton. Në njërën anë kemi ‘‘Të fortit’’, në tjetrën ‘‘Të butët’’. Mes tyre ‘‘Thuprat’’. Pra ‘‘Arra’’ (PDK-AAK-Nisma) që janë të fortë nga jashtë e të butë nga brenda, ‘‘Pjeshka’’ të butë nga jashtë, të fortë nga brenda (LDK-AKR-Alternativa) dhe ‘‘Shalqini’’ (VV), i gjelbërt nga jashtë dhe plot nacionalizëm të kuq nga brenda.

Për dikë këto koalicione mund të ndahen në neopesimistët (PDK & Co), postoptimistët (LDK &Co) dhe light-anarkistët (VV). Aty janë bërë bashkë liberalët me socialistët, konservatorët me modernistët, globalistët me nacionalistët dhe fanatikët fetarë me ateistët.

Ajo që bie në sy është se kësaj radhe duket se listat zgjedhore janë më ndryshe se sa deri më tash. Megjithatë, edhe aty mund të bien në sy anomalitë e tipit: djali i një kryetari komune në Drenicë (PDK), gruaja e një ish-futbollisti (AAK), mbesa e shtatë vllezërve (LDK), bashkëshorti i lideres partiake (Alternativa), zonja me shami (AKR), etj.

Sidoqoftë, bashkësia ndërkombëtare duhet siguruar se këtë radhë, në krahasim me vitin 2010, çdo votë do të numërohet. Dhe atë vetëm një herë. Jo më shumë se kaq.

Interneti nuk harron

Politikanët i kanë shndërruar konfliktet konceptuale në një betejë të ashpër, në të cilën, pas aktit të fundit, askush nuk do të jetë fitues. Kufinjtë e gjuhës së tyre janë kufijtë e botës së tyre. Ata mohojnë gjithë atë që deri më tani kanë deklaruar. Kur nuk kanë nga të ja mbajnë nuk turpërohen fare të thonë se, mbase edhe ‘‘në një çast ligësie’’ edhe mund të kenë pohuar ashtu, por se në fakt nuk kanë menduar ashtu. Tek ata ajo që duket e pabesueshme nuk është dhe e pamundur. E në anën tjetër, po të mundnin, dje dhe sot, do t’i hanin njërit-tjetrit kokën. Dhe atë pa kripë.

Kjo vlen sidomos për liderin e AAK, por jo vetëm për të. Kryetari i kësaj partie në vitin 2014 ishte kundërshtari më i ashpër i PDK duke lidhur marrëveshje paszgjedhore me LDK. VV dhe Nismën. Nga aty vazhdoi vetëm me këto dy të fundit, për t’i ndarë rrugët edhe me ta dhe përfundimisht t’i hidhet në përqafim ish-oponentit kryesor. Ky ishte pra një rrugëtim plot kthesa në vetëm 3 vite kohë. Për më tepër, gjatë nënshkrimit të koalicionit ‘‘Shefi’’ nuk duhej asgjëkundi por të gjithë e ndjenin prezencën e tij. Ai nuk u pa. Edhe ashtu është kjo një marëveshje për armëpushim. Jo dhe për paqe.

Komandantët po ja japin krahun edhe një herë njëri-tjetrit. Moto e bashkimit të tyre dikur ishte ‘‘Vendlindja thërret’’. Tash çdo ditë e më tepër ‘‘Gjykata troket’’.

Në këtë ambient kontaminues është vështirë të mbetesh normal. Lajm i mirë është se interneti nuk harron. Kurrë.

E aty mund të gjendet mjaft. Për të gjithë nga pak.

U gabove Veton

Është mendim i përgjithshëm se nëse proceset në Kosovë vazhdojnë me këtë ritëm, atëherë nuk do të kemi liberalizim vizash para vitit 2020. Dhe atë, për fat të keq, jo vetëm për shkak të demarkacionit.Shumë nga ne ishin optimist kur menjëherë pas luftës Veton Surroi bashkë me një grup intelektualësh, krijuan ‘‘Forumin 2015’’ me shpresë se ky do ishte viti i aderimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Por, nëse vazhdohet të ecet kështu, më shumë prapa se para, atëherë e vetmja që do të mund të ndodhë është që dy numrat e fundit të ndrrojnë vendet: nga 2015 në 2051. Kësaj radhe do doja të gabohem. Pra, qofsha i gabuar!

Ështe afër mendësh të pritet se demarkacionin dhe asociacionin do i miratojnë mu ata që i kundërshtuan me kaq këmbëngulësi deri më tash. Po ashtu ata do gjejnë edhe ‘‘formatin’’ e duhur që të vazhdojë edhe dialogu me Serbinë në Bruksel, i cili asesi të prodhojë epilog, si dhe të bashkëpunohet me Gjykatën Speciale. Këtu bën pjesë dhe gjendja në veri të vendit, i cili ka mbetur pak Serbi e pak Kosovë. Më së paku Mitrovicë.Zjarri shuhet në dy mënyra: Duke i hedhur ujë apo duke e lënë të vetdigjet. Duket se ndërkombëtarët kanë përzgjedhur këtë të dytën.

Dita tjetër

Një nga skenarët e mundshëm është se kriza politike do të vazhdojë edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve pasi që asnjëri bllok nuk do të arrijë të ketë numra të mjaftueshëm për të krijuar qeverinë. Një mundësi mund të jetë që VV të arrijë të mbledhë rreth 20% të votave dhe me këtë të luaj rol përcaktues të fatit të mëtejshëm të vendit. Në tërë këtë matematikë po harrohet edhe fakti se serbët dhe minoritet tjera mund të kenë një rol edhe më qenësor duke bërë që koalicioni i cili fiton më pak se gjysmën e votave të popullsisë shqiptare të udhëheqë me qeverinë e ardhshme. Në rast të kundërt shteti do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kriza kështu do të hyj në një fazë të re. Nëse po, do të jetë ky edhe një vit i humbur për Kosovën.

Mrrekullitë ju ndodhin vetëm atyre që besojnë në to. Shumë nga ne kemi hequr dorë prej tyre. Me shumë duam të besojmë se ajo që po na ndodh është ëndërr, e mira e së cilës do të qëndronte jo në gjatësinë por në bukurinë e saj.

Edhe pse ka tentativa për të ndryshuar diçka në këtë relacion, sidomos nga aktivistët e VV, e të cilat duhet vlerësuar, mbase diaspora, si dhe tërë viteve të pasluftës, do ta vazhdojë të qëndrojë pasive dhe indiferente në raport me zgjedhjet në Kosovë. Pjesërisht ajo do i gëzohet më shumë hapjes së ndonjë xhamie të re, siç ishte rasti ky i ditëve të fundit në Gjenevë, i cili entuziazmoi shumë mërgimtarë tanë në Zvicër.

Shteti dhe Kombi edhe mund të presin. Deri në ndonjë shi tjetër.

Humbësit më të mëdhenj kësaj radhe do të jenë ata që nuk do dalin në zgjedhje. Pra, dil e voto!

Jepi frymë zërit tënd!

Vjenë, 21 maj 2017

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Marku, Humbësit e zgjedhjeve

Presidenti Thaçi: Kosova drejt njohjeve të reja

May 20, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi takoi krerë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën/

1 Presidenti Thaci1

AMAN, 20 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Jordani me ftesë të Mbretit të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, mori pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror për Lindje të Mesme dhe Afrikë të Veriut, që këtë vit organizohet nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë.Në margjinat e këtij Forumi, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime me shumë krerë të shteteve të ndryshime të botës, me të cilët ka biseduar për promovimin dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

2 ThaciPresidenti Thaçi ka takuar Mbretin e Spanjës, Felipe VI, me të cilin ka diskutuar për promovimin dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.1 ok Thaci 1Presidenti Thaçi po ashtu ka falënderuar Mbretin Felipe VI për mbështetjen që Spanja i ka dhënë Kosovës në kuadër të KFOR-it, në sigurimin e paqes dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.Në një tjetër takim, presidenti Thaçi ka zhvilluar një bashkëbisedim edhe me presidentin e Qipros, Nicos Anastasiades. Presidenti Thaçi ka theksuar se shtetet e vogla duhet të bashkëpunojnë më shumë, sidomos në shkëmbim të përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fusha tjera.Ai ka kërkuar nga presidenti Anastasiades që të fillojë një etapë e re në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, të cilat do të ndikojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka takuar edhe presidentin e Irakut, Muhammad Fuad Masum, me të cilin ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Presidenti Thaçi në këto takime ka kërkuar nga krerët e këtyre shteteve që sa më parë të marrin vendimin e njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim edhe presidentin e Republikës së Nigerit, Mahamadou Issoufou,  me presidentin e Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmoud Abbas dhe me shumë krerë dhe përfaqësues tjerë të shteteve, pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, njohje te reja, Presidenti Thaçi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 548
  • 549
  • 550
  • 551
  • 552
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT