• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Disa mësime nga rezultati i zgjedhjeve në Kosovë

June 13, 2017 by dgreca

1 zgjedhjet Kosove

Moralisht të drejtën për qeverisje do të duhej ta kishte Vetëvendosja, edhe pse ligjërisht PDK-ja bashkë me koalicionin e gjerë të saj ka më shumë vende në parlamment sesa Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zhgënjim i madh, sepse për herë të parë u rendit në vendin e tretë, pas PDK-së dhe Vetëvendosjes./

1 enver BytyciNga Enver Bytyçi/ Kosova e filloi dhe e përfundoi procesin e zgjedhjeve parlamentare në një hark kohor shumë më të shkurtër sesa Shqipëria. Edhe rezultati zgjedhor në Prishtinë iu njoftua publikut në një kohë rekord, çka deri më sot nuk ka ndodhur në Shqipërinë e një tranzicioni të gjatë e të vështirë. Kësaj radhe ankesat për parregullsi ishin minimale, gjë që i jep legjitimitet të plotë rezultatit zgjedhor, ndërkohë që Shqipëria asnjëherë nuk u shkëput nga sindromi i kontestimeve dhe dyshimeve për manipulimin e procesit zgjedhor. Të gjitha këto diferenca në kryerjen e zgjedhjeve çojnë edhe në krijimin e një hapësire diferencuese në sistemin e qevereisjes, sepse në përgjithësi zgjedhjet dhe legjitimiteti i tyre përcakton gjithashtu sistemin e qeverisjes në katër vitet e ardhshme . Ndërkaq rezultatet zgjedhore nxorën Lëvizjen për Vetëvendosje si parti të parë në Kosovë. Nisur nga kjo, moralisht të drejtën për qeverisje do të duhej ta kishte Vetëvendosja, edhe pse ligjërisht PDK-ja bashkë me koalicionin e gjerë të saj ka më shumë vende në parlamment sesa Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zhgënjim i madh, sepse për herë të parë u rendit në vendin e tretë, pas PDK-së dhe Vetëvendosjes. Kjo erdhi si rezultat i konsumimit të saj në një bashkëqeverisje të gjatë dhe si pasojë e një drejtimi jo efektiv nga ana e lidershipit të saj, drejtim që ka favorizuar grindjet e brendëshme dhe krijimin e disa fraksioneve. E vetmja gjë pozitive që mund të shënohet në këtë fushatë zgjedhjesh ishte kandidimi i një kryeministri të ri për zgjedhjet parlamentare. Asgjë tjetër nuk u pa si faktor inkurajues që LDK të ishte parti fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit. Por jo më pak humbëse mund të konsiderohen partitë e dala nga lufta. PDK e zotit Thaçi mori rezultatin më të ulët në dekadën e fundit, nën 30 përqind. Ndërkohq që një ulje të ndjeshme pësoi edhe AAK e zotit Haradinaj dhe Nisma e zotit Limaj. Koalicioni i partive të dala nga lufta nuk morën të gjitha së bashkë aq vota sa kishte marrë PDK e vetme në zgjedhjet e vitit 2014. Në këto kushte presidenti Thaçi është i detyruar që të mandatojë koalicionin e kryesuar nga partia e tij, me zotin Haradinaj si kryeministër. Natyrisht që ai këtë do ta bëjë me dëshirë të madhe. Por ky koalicion nuk ka numrin e nevojshëm të deputetëve që të krijojë qeverinë e re. LDK dhe Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në e zotit Thaçi. Mesa duket besueshmëria politike e nivelit të ulët në partneritetin me PDK-në ka zhbërë mundësinë e krijimit të një aleance midis këtij grupimi politik dhe dy partive që vijnë pas saj. Kurse votat e deputetëve minoritarë, sidomos atyre serbë mund të kushtëzohen me moskandidimin e zotit Haradinaj për postin e kryeministrit. Por edhe sikur ata të jepnin përkrahjen e tyre për koalicionin e PDK-së me partitë e tjera, numri i deputetëve shkon në 59, nderkohë që një koalicion i mundshëm Vetëvendosje-LDK me 61 deputetë do të siguronte votimin e një qeverie të re. Sipas të gjitha gjasave Vetëvendosja dhe LDK i kanë të gjitha shanset të krijojnë një qeveri të re me Albin Kurtin kryeministër. Por edhe në këtë rast mbeten dy çeshtje për diskutim: Së pari, nëse LDK mbetet në qeverisje ajo do të konsumohet edhe më tej dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të konsolidojë përfundimisht qenien e saj në vendin e tretë. Ndaj dhe interssi politik i LDK-së është e duhet të jetë të qëndrojë në opozitë, me qëllim që ajo të reformohet dhe të krijojë një bazë solide për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse ajo qëndron përsëi në pushtet rrezikon të mos reformohet e për pasojë të shndërrohet në një dekor të papërfillshëm për partitë politike të shumicës. Së dyti, një problem tjetër që dëmton këtë koalicion ka të bëjë me reagimin e pakicës serbe në parlament, sa e gatshme do të jetë ajo të bëhet pjesë e një qeverisjeje me kryeministër Albin Kurtin, i cili në platformën e tij politike është shprehur kundër dialogut me Serbinë, megjithëse nuk e ka kontestuar asnjëherë dialogun me serbët e Kosovës. Deputetët e pakicës serbe në fakt janë në dilemë: Aq sa nuk besojnë te zoti Haradinaj, thuajse në të njëjtën masë nuk i besojnë as zotit Kurti. Megjithatë LDK-në mund ta shohin si garanci për interesat e tyre e për këtë arësye mundet që bashkësia ndërkombëtare të imponojë një koalicion qeverisës, pjesë e të cilit të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Duke u ndalur te ndikimi i ndërkombëtarëve, mund të thuhet se ata do ta dëshironin kësaj radhe ta shihnin në qeverisjen e vendit koalicionin e PDK-së me zotin Haradinaj kryeministër dhe për këtë do të duhej t’i bënin presion LDK-së të merrte pjesë në këtë qeverisje. Kjo për shkak se një pjesë e komandantëve të luftës do të përfundojnë në gjyqin special dhe qenia në pushtet e partive nga ata vijnë e favorizon dhe lehtëson këtë proces. Por ndërkombëtarët do të pranonin edhe pjesmarrjen e vetëvendosjes, me kusht moderimin e qëndrimeve të saj sa i përket raporteve rajonale në politikën e jashtme. Zoti Kurti ka mundësi që të moderohet në këtë aspekt edhe për faktin se e njeh mjaft mirë teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por do t’i duhet të heqë dorë nga një vijë politike dalluese të përdorur në opozitë e për pasojë edhe të lëkundë besueshmërinë te qytetarët. Nga ana tjetër Vetëvendosje shihet si çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit në Kosovë. Në këtë kuptim ajo do ta luante këtë rol në paritet, nëse Albin Kurti do të merrte postin e kryeministrit të vendit. Kësisoj Vetëvendosja do të testohej për premtimet e saj në këtë aspekt. Vështirë është të thuhet se Vetëvendosje do ta luante këtë rol në një koalicion me PDK-në të akuzuar prej saj në vijimësi për abuzim me pushtetin, aq më tepër me një kryeministër të nominuar nga vetë PDK. Nga e gjithë ajo çfarë zhvillohet në periudhën postzgjedhore duhet besuar se natyrshëm, pas dështimit të zotit Haradinaj për të krijuar qeverinë e re, ky besim do t’i jepej automatikisht liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit. Nëse vijmë deri te ky akt ritunë të kërkuar nga ligji, atëherë natyrshëm do të rezultonte një koalicion i Vetëvendosjes me LDK-në. Këtë formulë do ta favorizonte edhe Isa Mustafa, sepse pjesmarrjen në qeveri do të shiste te anëtarësia e tij si sukses për t’i shpëtuar ndëshkimit për humbjen e tij të pakontestueshme. Tiranë, 13.06.2017

Filed Under: Politike Tagged With: Disa mësime nga rezultati, Enver Bytyci, i zgjedhjeve, ne Kosove

Kosova pas zgjedhjeve-Misioni nga BE prezenton deklaratën preliminare

June 13, 2017 by dgreca

-Zgjedhje vërtet konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës, por kërkohet vullnet politik për adresimin e dobësive të vjetra dhe frikësimit në rajonet e banuara me serbë/

–Elections genuinely competitive in most of Kosovo but political will needed to address long-standing weaknesses, and intimidation within Kosovo Serb areas/

-Procesohen 99,88% të vendvotimeve, asnjë subjekt vetëm s’mund ta formojë Qeverinë e Kosovës/1 kosove

PRISHTINË, 13 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian për Zgjedhjet Parlamentare 2017 në Kosovë sot në Prishtinë në një konferencë për shtyp prezentoi deklaratën preliminare, ku vlerësoi se ishin zgjedhje vërtet konkurruese në pjesën më të madhe të vendit, por kërkohet vullnet politik për adresimin e dobësive të vjetra dhe frikësimit në rajonet e banuara me serbë të Kosovës.

Shefi i Misionit, Alojz Peterle, deputet i Parlamentit Evropian, paraqiti gjetjet preliminare të Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë.

“Zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit 2017 ishin vërtet konkurruese dhe të qeta në pjesën më të madhe të Kosovës. Votuesve në përgjithësi ju ofruan informacione pluraliste për forcat politike që ishin në garë”, tha  Peterle në konferencën për shtyp në Prishtinë.

Megjithatë, vijoi ai, zgjedhjet u ndikuan negativisht nga dobësitë e vjetra, veçanërisht nga listat e pasakta të votuesve që janë të cenueshme ndaj mashtrimeve, një sistem zgjedhor që lë mundësi për abuzim, dhe një sistem me shumë të meta për votim jashtë Kosovës.“Këto çështje do të kërkojnë vullnet dhe përkushtim politik për të bërë reformat e nevojshme,” tha Peterle.EU EOM-i vlerësoi se, “në zonat me shumicë serbe, procesi zgjedhor u dëmtua nga frikësimi dhe rastet e dhunës brenda komunitetit serb të Kosovës kundër kandidatëve dhe votuesve. Po ashtu pati një reagim të pamjaftueshëm nga prokuroria dhe policia ndaj atyre incidenteve”.

“Kjo ngrit pyetje rreth besueshmërisë së procesit demokratik në këto zona”, tha PeterleMë tej u theksua se, dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe nuk u vërejt ndonjë incident i theksuar nga EU EOM, përfshirë edhe në veriun e Kosovës. Votimi në përgjithësi u vlerësua pozitivisht. Megjithatë, vëzhguesit vërejtën raste të shpeshta të votimit familjar, raste të ndihmës abuzive të votuesve, dhe pranisë së tepërt të vëzhguesve nga dy subjekte politike duke e shkelur ligjin. Procedurat e numërimit të votave nuk u përfillën gjithmonë, duke nënvizuar nevojën për trajnim më të mirë të stafit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u konsiderua nga EU EOM të jetë politikisht përfshirës, që kryesisht vepron në mënyrë transparente dhe që ka bërë përpjekje të zhvillojë një proces transparent dhe të mirëfilltë.

Igor Šoltes, udhëheqës i delegacionit nga Parlamenti Evropian, i inkurajoi autoritetet kosovare  që të veprojnë në adresimin e mangësive të identifikuara. “Ka pasur rekomandime të qarta lidhur me periudhën e nevojshme kohore për përgatitjen e zgjedhjeve”, tha ai.

Për vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda afatit më të shkurtër të mundshëm, Šoltes tha se, “pasojat e kësaj zgjedhjeje janë të dukshme, nga cilësia e listave të votuesve, te mundësia për votuesit jashtë Kosovës që të votojnë ose te gatishmëria e organeve për menaxhimin e zgjedhjeve”.Në ditën e zgjedhjeve, EU EOM ka shpërndarë rreth 100 vëzhgues gjithandej Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra. EU EOM do të mbetet në Kosovë për të përcjell procesin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe zgjidhjen e të gjitha ankesave dhe parashtresave, deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Në 19 maj 2017 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nënshkroi Memorandum Bashkëpunimi me Zyrën e BE-së në Prishtinë, për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.  Me këtë rast, u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës-Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me të gjitha votat pro ka miratuar Memorandumin e Mirëkuptimit sipas të cilit 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian përcjellin procesin zgjedhor në Kosovë.

KOSOVA PAS ZGJEDHJEVE, PROCESOHEN 99,88% TË VENDVOTIMEVE, ASNJË SUBJEKT VETËM S’MUND TA FORMOJË QEVERINË

Në zgjedhjet e parakohshme parlametare të së dieles së 11 qershorit në Kosovë, sipas rezultateve preliminare të 99,88% të vendvotimeve të procesuara deri sot në mëngjes nga KQZ, koalicioni i 13 partive shqiptare – Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 të tjerave ka 33,98% të votave, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme ka 27,12%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të riut drejt regjistrimit si parti – Alternativa e të Lëvizjes për Drejtësi ka 25,74% të votave.

Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti vota- 5,90% ka Iniciativa Qytetare Lista Serbe (Građanska Inicijativa Srpska Lista).

Duke bërë llogari nga rezultatet preliminare, shtypi i sotëm kosovar parashikon se koalicioni i PDK mund të ketë më së shumti 39 deputetë, VV 31 e koalicioni i LDK 30. Këta numra nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme me votat e Kuvendit 120 anëtarësh edhe nëse do të kenë mbështetjen e të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 të serbëve e 10 të tjerëve. Ka parashikime të ndryshme se kush me kend do formojë qeverinë e re të Kosovës me koalicione paszgjedhore dhe pikëpyetje se a do mund të formohet qeveria.

“Çelësi i qeverisë te LDK-ja”, është një kryetitull balline në shtypin e sotëm të Prishtinës.  Drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi  në një takim paszgjedhor, sipas një komunikate, kanë “përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja”.

Para një muaji, në 10 maj 2017,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve. Mocioni i opozitës u votua pro edhe nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK.

Të dielën e 11 qershorit  u votua  pasi sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.

Sipas të dhënave më të fundit nga KQZ,  numri i fletëvotimeve të pavlefshme është I madh – 52.522. Ndërsa, numri i fletëvotimeve të vlefshme është 696.684.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.

Elections genuinely competitive in most of Kosovo but political will needed to address long-standing weaknesses, and intimidation within Kosovo Serb areas

PRISTINA, 13 June 2017 – The Chief Observer, Mr Alojz Peterle, Member of the European Parliament, presented today the preliminary findings of the European Union Election Observation Mission (EU EOM) on the 11 June early legislative elections in Kosovo.“The 11 June 2017 early elections were genuinely competitive and peaceful in most parts of Kosovo. Voters were generally offered pluralistic information on the political forces in competition,” said Mr Peterle today at a press conference in Pristina.  “However, the elections were negatively impacted by long-standing weaknesses, in particular inaccurate voter lists that are vulnerable to fraud, an electoral system open to abuse, and a largely flawed system for Out-of-Kosovo voting.”

“These matters will require political will and commitment to conduct the necessary reforms,” said Mr Peterle.

The EU EOM assessed that “in Kosovo Serb majority areas, the election process was marred by intimidation and instances of violence from within the Kosovo Serb community against candidates and voters. There was also an insufficient response from prosecutors and police to these incidents.” Mr Peterle said that “this raises questions over the credibility of the democratic process in those areas.”

Election day was calm and no major incident was observed by the EU EOM, including in the north of Kosovo. Polling was overall assessed positively. Observers noted, however, a high incidence of family voting, instances of abusive voter assistance, and the excessive presence of observers from two political entities in breach of the law. The vote count procedures were not always followed, underscoring the need for better training of polling staff.

The Central Election Commission was considered by the EU EOM to be politically inclusive, operating largely transparently, and had made efforts to deliver a transparent and genuine process.

Igor Šoltes, the Head of the delegation from the European Parliament, urged the Kosovo authorities to act to address previously identified shortcomings: “There were clear recommendations regarding the timeframe necessary to prepare elections.” On the decision to hold early elections in the shortest possible timeframe, Mr Šoltes said: “The consequences of this choice are visible, from the quality of the voters’ lists, to the possibility for voters outside Kosovo to vote, or to the preparedness of the election management bodies.”

The EU EOM deployed around 100 observers across Kosovo on election day from EU Member States as well as Norway and Switzerland. The EU EOM will remain in Kosovo to follow the process at the Counting and Results Centre and the resolution of any complaints and appeals, until the declaration of final results.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova zgjedhjet, Misioni i BE

PRESIDENTI NISHANI, TAKIM LAMTUMIRE

June 12, 2017 by dgreca

Presidenti Nishani në takimin përshëndetës me Trupin Diplomatik: Në qendër të vëmendjes sime ka qenë promovimi i marrëdhënieve të mira, miqësore e fqinjësore, si dhe demonstrimi i angazhimit të Shqipërisë si vend partner e i besueshëm.

Tirane, 12 qershor 2017/

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani, dhanë një pritje për Trupin Diplomatik duke zhvilluar një takim përshëndetës, ku ishin të pranishëm Ambasadorët e vendeve mike dhe aleate dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të akredituar në Tiranë, Konsujt e Nderit si dhe ish-Ambasadorë të Shqipërisë ndër vite.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Kreu i Shtetit në fjalën e Tij përshëndetëse, pasi shprehu falënderimet për bashkëpunimin gjatë gjithë këtyre viteve, theksoi se: “Gjatë mandatit tim presidencial u kam kushtuar një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje, të rajonit të Evropës Juglindore, por edhe atyre me organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, në funksion të politikës së jashtme të fqinjësisë së mirë dhe të orientimit evropian dhe euroatlantik të vendit.”

Presidenti Nishani nënvizoi gjithashtu se: “Në përmbushje të njërës prej tri përgjegjësive të mia si President i Vendit, në të gjitha takimet apo vizitat e mia me homologë dhe autoritete të tjera të huaja, në qendër të vëmendjes ka qenë promovimi i marrëdhënieve të mira, miqësore e fqinjësore, si dhe demonstrimi i angazhimit të Shqipërisë si vend partner e i besueshëm në përballimin e sfidave e kërcënimeve, me të cilat po përballet bota e shoqëria njerëzore sot.”

Presidenti Nishani vuri në dukje gjithashtu se: “Sigurisht, që jo gjithçka ka shkuar ashtu siç do të dëshiroja dhe siç do ta kërkonte dhe meritonte interesi më i mirë i përfaqësimit të vendit e shqiptarëve jashtë. Me gjithë vullnetin e dëshirën time, Shqipëria ka mbetur fatkeqësisht peng i interesave meskine deri diku dhe ende e pa përfaqësuar në nivel Ambasadori në Selinë e Shenjtë në Vatikan, OSBE dhe në Këshillin e Evropës, tri seli shumë të rëndësishme për Shqipërinë. I kam siguruar drejtuesit dhe përfaqësuesit e këtyre selive se mungesa e përfaqësimit nuk lidhet aspak me një qëndrim politik të Shqipërisë ndaj tyre, por thjesht me aspekte të brendshme institucionale shqiptare. Shpresoj dhe besoj se kjo çështje do të trajtohet seriozisht nga Qeveria e re shqiptare që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit dhe pasardhësi im në detyrën e Presidentit të Republikës.”

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani në pritjen e lamtumirës me Trupin Diplomatik:

“I nderuar Dekan i Trupit Diplomatik, Zoti Ambasador Zarić,
Shkëlqesi Ambasadorë, zonja të Ambasadorëve, zotërinj të Ambasadoreve,
Të nderuar Konsuj Nderi të vendeve mike dhe aleate,
Të nderuar ish-Ambasadorë të Republikës së Shqipërisë ndër vite,
Zonja dhe zotërinj të pranishëm!

Së pari dëshiroj për pranimin e ftesës dhe praninë tuaj sonte në këtë takim përshëndetës! Ju siguroj se sonte nuk kam ndërmend që të bëj një analizë apo bilanc të bashkëpunimit diplomatik të Shqipërisë me vendet, popujt dhe organizatat që ju përfaqësoni, pasi këtë analizë dhe bashkëbisedim e kemi bërë shumë herë në raste të tjera. Por dëshiroj të shfrytëzoj këtë mbrëmje dhe praninë tuaj për të shprehur kënaqësinë dhe t’ju falënderoj, edhe stafet e Ambasadave dhe misioneve tuaja për bashkëpunimin e shkëlqyer që kam pasur gjatë këtyre viteve, si Kreu i Shtetit shqiptar me përfaqësuesit e vendeve mike dhe partnere.

Me disa prej jush kam pasur rastin e kënaqësinë që të njihem e bashkëpunoj që në ditët e para të mandatit tim Presidencial. Me të tjerët diçka më pak. Por ajo që mendoj se është shumë e rëndësishme është ajo çka së bashku kemi arritur në këto vite për t’i zgjeruar e forcuar më tej marrëdhëniet tona ndërshtetërore apo me organizatat ku Shqipëria bën pjesë e ato që ju përfaqësoni. Së bashku jemi takuar shpesh në evente të ndryshme tradicionale, por edhe në shumë aktivitete të veçanta e tematike dypalëshe apo edhe ato ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri. Sfidat dhe angazhimet gjatë këtyre viteve kanë qenë të shumta, si në kontekstin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar. Për përballimin e tyre me sukses, unë dëshiroj të falënderoj gjithësecilin prej jush sonte për bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer që më keni dhënë dhe keni ofruar.

Si Kreu i Shtetit shqiptar, kam pasur nderin dhe kënaqësinë që gjatë këtyre pesë viteve të pres letrat kredenciale të pothuajse të gjithëve Ambasadorëve të huaj që janë të pranishëm sonte në këtë pritje, me ndonjë përjashtim të rrallë, por njëkohësisht kam pasur kënaqësi edhe të vizitoj apo të mirëpres homologë e zyrtarë të lartë të vendeve e organizatave tuaja. Gjatë mandatit tim presidencial u kam kushtuar një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje, të rajonit të Evropës Juglindore, por edhe atyre me organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, në funksion të politikës së jashtme të fqinjësisë së mirë dhe të orientimit evropian dhe euroatlantik të vendit. Në përmbushje të njërës prej tri përgjegjësive të mia si President i Vendit, në të gjitha takimet apo vizitat e mia me homologë dhe autoritetet e tjera të huaja, në qendër të vëmendjes ka qenë promovimi i marrëdhënieve të mira, miqësore e fqinjësore, si dhe demonstrimi i angazhimit të Shqipërisë si vend partner e i besueshëm në përballimin e sfidave e kërcënimeve, me të cilat po përballet bota e shoqëria njerëzore sot.

Të nderuar të pranishëm,

Vizita ime e parë dhe e fundit shtetërore gjatë mandatit presidencial ka qenë në Kosovë, si dhe kam pasur kënaqësinë që edhe të mirëpres dy Presidentë të Kosovës në Tiranë gjatë kësaj periudhe. Kosovën e kam vizituar edhe në shumë raste të tjera, por përveç vizitave shtetërore, në mënyrë të veçantë kujtoj 5-vjetorin e Pavarësisë, si dhe ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Hashim Thaçi.

E paharrueshme për mua si President, si për nga përmasat ashtu edhe nga mesazhet e dhëna, ishte mundësia për ta mirëpritur në Shqipëri Papa Françeskun, në shtator 2014. Mesazhet e Atit të Shenjtë, krahas mesazheve apostolike, ishin një inkurajim i madh për shqiptarët. Por edhe vizita ime në Vatikan në kuadrin e shenjtërimit të Nënë Terezës, sot Shën Tereza e Kalkutës, do të mbetet e pashlyer në kujtesën time.

Në kuadrin e axhendës rajonale, me ftesë të homologëve të mi, gjatë kësaj periudhe kam zhvilluar vizita zyrtare, në Slloveni, Mal të Zi, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, ku edhe njëherë gjej rastin t’i falënderoj Kryetarët e këtyre shteteve për mikpritjen e ngrohtë që më rezervuan gjatë këtyre vizitave. Po ashtu kam patur kënaqësinë e veçantë të mikpres në Tiranë, Presidentët e Maqedonisë, Bullgarisë, Bosnje-Hercegovinës. Një vëmendje të veçantë u kam kushtuar vendeve të rajonit, ku jeton në minoritet popullsi shqiptare. Në bashkëpunim me autoritetet e larta të atyre vendeve, kam vizituar shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi dhe në Serbi, duke përcjellë mesazhe bashkëjetese e bashkëpunimi, pavarësisht përkatësisë etnike. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe dëshirë për të evidentuar kontributin e Shqipërisë për një të ardhme më të mirë të rajonit, kam marrë pjesë aktivisht në të gjitha Samitet e Procesit të Brdo-Brijunit dhe të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe, ku së bashku me liderë të tjerë të vendeve pjesëmarrëse kemi arritur që të përmirësojmë ndjeshëm frymën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit mes vendeve të këtij rajoni, që vetëm pak vite më parë përjetonte konflikte të dhunshme ndëretnike.

Drejtimi i Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në mbyllje të Kryesisë së Radhës së Shqipërisë, në maj 2015, ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë. Në këtë Samit, i cili u ndoq nga shumë krerë shtetet e qeverish të vendeve pjesëmarrëse në këtë Proces, Shqipëria demonstroi angazhim dhe përkushtim për çështjet e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të këtij rajoni.

Gjithashtu, vizita shumë të rëndësishme kam shkëmbyer me dy vendet fqinje anëtare të Bashkimit Evropian: Itali dhe Greqi si dhe në Turqi. Gjatë kësaj periudhë e kam vizituar dy herë zyrtarisht Italinë me ftesë të Presidentëve Napoletano dhe Mattarella dhe kam patur nderin t’i uroj mirëseardhjen në Tiranë Presidentit Napoletano. Kam pasur nderin gjithashtu të mirëpres në Tiranë Presidentin e Greqisë Karolos Papulias, si dhe të shkëmbej vizita zyrtare me Presidentin e Turqisë, Reccep Tayip Erdogan. Në Itali kam pasur kënaqësinë të vizitoj dhe komunitetin e vjetër arbëresh, që prej më shumë se 5 shekujsh ruan e promovon kulturën e traditat e të parëve të tyre shqiptarë. Sigurisht që një vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me vende të ndryshme evropiane, me të cilat Shqipëria ka pasur një miqësi historike e tradicionale, por edhe për shkak të axhendës evropiane dhe reformave të thella që do ta afrojnë me Bashkimin Evropian. Kam pasur gjithashtu kënaqësinë e veçantë të mirëpres në Tiranë, Presidentët e Austrisë, të Hungarisë dhe të Maltës, Kapitenët Regjentë të San Marinos, si dhe Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, etj. Por në vizita të ndryshme pune apo evente të ndryshme ndërkombëtare, kam pasur kënaqësinë të shkëmbej mendime me Presidentët gjermanë Gauck e Steinmeier, si dhe me Presidentin e Francës, François Hollandë, mesazhet e të cilëve kanë qenë shumë inkurajuese për mua, Shqipërinë dhe shqiptarët, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian. Një kujtim i veçantë dhe i paharruar do të mbetet ftesa dhe pjesëmarrja në 90-vjetorin e lindjes së Presidentit të Izraelit, Shimon Peres.

Kam pasur gjithashtu kënaqësinë që gjatë këtyre viteve të vizitoj institucionet më të rëndësishme evropiane, që janë të lidhura ngushtësisht dhe me ecurinë dhe progresin e Shqipërisë pas ndryshimeve demokratike. Kam vizituar dy herë Këshillin e Evropës, institucionin që u bë garancia e mbrojtjes së të drejtave e lirive të njeriut të shqiptarëve që u ishin mohuar, dhunuar e nëpërkëmbur për afro 5 dekada nga regjimi komunist. Po ashtu kam vizituar dy herë Selinë e NATO-s në Bruksel, të Aleancës më të madhe politiko-ushtarake të planetit në takime të rëndësishme me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës. Deri 27 vite më parë Shqipëria ishte një vend ekstremisht i izoluar, ndërsa sot, anëtare e NATO-s dhe pjesë e hapësirës së saj të sigurisë. Dhe po ashtu kam vizituar dy herë institucionet evropiane, si Këshillin dhe Parlamentin Evropian, dhe jam takuar me drejtuesit e këtyre institucioneve, Presidentin Tusk, Presidentin e Parlamentit Shulc si dhe lidershipin e BE-së, si pjesë e agjendës evropiane të vendit dhe garancisë për standarde dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Takimet e shpeshta nuk kanë munguar as me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së dhe përfaqësues të tjerë të kësaj organizate.

Gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare, një vëmendje të veçantë i kam kushtuar edhe bashkëpunimit me Vendet e Lindjes së Mesme dhe ato Arabe të Gjirit, vende që i kanë dhënë një ndihmesë të vyer e bujare Shqipërisë dhe shqiptarëve, për kapërcimin e vështirësive ekonomike veçanërisht pas rënies së regjimit diktatorial, por edhe për angazhimin në investime të ndryshme zhvillimore. Kam pasur nderin të shkëmbej vizita zyrtare në Tiranë dhe Aman me Madhërinë e Tij, Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, si dhe të vizitoj Shtetin e Katarit me ftesë të Emirit të Katarit. Së fundmi, pata rastin që me ftesë të veçantë të Mbretit të Arabisë Saudite dhe Kujdestarit të dy Xhamive të Shenjta të vizitoj vendet e shenjta në Mekë dhe Medina. Sigurisht që kam pasur dhe raste të tjera që të vizitoj edhe Emiratet e Bashkuara Arabe e të takohem me personalitete e drejtuesit e këtij shteti.

Lidhur me axhendën ndërkombëtare, kam pasur nderin t’i adresohem tri herë në emër të Shqipërisë, Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (67-të, 69-të dhe 71-të, respektivisht 2012, 2014 dhe 2016), si dhe të marr pjesë në tre Samite të organizuara me iniciativë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara e shumë të rëndësishme për fatet e njerëzimit. Samiti i Parisit për Klimën, i Stambollit për krizën humanitare të refugjatëve dhe ai i Kankunit për Reduktimin e Rrezikut të Katastrofave, kanë nxitur më shumë solidaritetin dhe bashkëpunimin mes vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara për t’i përballuar këto sfida afatgjata.

Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,

Sigurisht, që jo gjithçka ka shkuar ashtu siç do të dëshiroja dhe siç do ta kërkonte dhe meritonte interesi më i mirë i përfaqësimit të vendit dhe shqiptarëve jashtë. Me gjithë vullnetin e dëshirën time, Shqipëria ka mbetur fatkeqësisht peng i interesave meskine deri diku dhe ende e papërfaqësuar në nivel ambasadori në Selinë e Shenjtë në Vatikan, OSBE dhe në Këshillin e Evropës, tri seli shumë të rëndësishme për Shqipërinë. I kam siguruar drejtuesit dhe përfaqësuesit e këtyre selive se mungesa e përfaqësimit në rang ambasadori nuk lidhet aspak me një qëndrim politik të Shqipërisë ndaj tyre, por thjesht me aspekte të brendshme institucionale shqiptare. Shpresoj dhe besoj se kjo çështje do të trajtohet seriozisht nga Qeveria e re shqiptare që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit dhe pasardhësi im në detyrën e Presidentit të Republikës.

Zonja e Zotërinj!

Realizimi i shkëmbimit të vizitave të përmendura më lart, por jo vetëm, krahas bashkëpunimit shumëplanësh diplomatik të përfaqësive tuaja me Qeverinë shqiptare, nuk do të kishte qenë i mundur të realizohej suksesshëm pa një bashkëpunim intensiv e shumë efiçent me Ambasadorët e përfaqësuesit e këtyre vendeve, por edhe me Konsujt e Nderit të këtyre vendeve në Shqipëri.

Gjithashtu, një ndihmesë të veçantë kam pasur edhe nga konsultat shumë të mira e profesionale me një pjesë të mirë të ish-Ambasadorëve dhe diplomatëve shqiptarë, që kanë shërbyer prej vitesh denjësisht për Shqipërinë në vende e organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke më ofruar ndihmën me ekspertizën e tyre.

Ndaj dhe përfitoj nga rasti që t’ju falënderoj e shpreh të gjithëve mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur e më keni ofruar gjatë këtyre viteve, si dhe njëkohësisht t’ju uroj gjithsecilit prej jush personalisht, familjeve tuaja, që ju ndjekin e mbështesin në misionet tuaja, që të keni çdo të mirë në jetë, në familje, në karrierën tuaj të suksesshme dhe në bashkëpunimin e mëtejshëm midis Shqipërisë me vendet dhe organizatat tuaja.

Ju faleminderit edhe njëherë! Kënaqësi e veçantë që pata në bashkëpunimin me ju dhe njëkohësisht ju falënderoj për praninë tuaj sonte!

Filed Under: Politike Tagged With: presidenti Nishani, takim Lamtumire

PRITJET E KOSOVËS PAS ZGJEDHEVE

June 12, 2017 by dgreca

-Kosova pas zgjedhjeve, rezultatatet nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë. Ka parashikime të ndryshme se kush me kend do formojë qeverinë e re të Kosovës me koalicione paszgjedhore dhe pikëpyetje se a do mund të formohet qeveria…/

1 Zgjedhje KosoveKryetituj të shtypit kosovar: “Fitorja e Pirros”, “Dy palë fitues për një qeveri”, “Kosova vetëvendosi, LDK-VV bashkë kundër koalicionit PAN”,  “Një koalicion i ri paszgjedhor, i pashmangshëm”, “PAN del e para, por…Zgjedhjet i takojnë VV-së, dyfishohet”/2 Zgjedhje
 
PRISHTINË,  12 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të djeshme të parakohshme parlametare në Kosovë, me pjesëmarrje të votuesve 40,01%, dhe as përfundimtaret që priten, nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme. Ka parashikime të ndryshme se kush me kend do formojë qeverinë e re të Kosovës me koalicione paszgjedhore dhe pikëpyetje se a do mund të formohet qeveria…
Sipas 91,00% të vendvotimeve të procesuara nga KQZ, koalicioni i 13 partive shqiptare – Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 të tjerave ka 34,60% të votave, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme ka 26,75%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të riut drejt regjistrimit si parti – Alternativa e të Lëvizjes për Drejtësi ka 25,81% të votave.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti vota- 5,54% ka Iniciativa Qytetare Lista Serbe (Građanska Inicijativa Srpska Lista).
“Fitorja e Pirros”, është një kryetitull në shtypin e sotëm Kosovar. “Koalicioni PDK-AAK-NISMA ka arritur të fitojë më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës, por njëkohësisht ka shënuar humbje të madhe, në raport me votat që kishin fituar veç e veç në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Tri partitë politike parlamentare që u bënë bashkë me koalicion parazgjedhor nuk arritën të marrin më shumë vota se PDK-ja që kishte marrë para tri vjetëve. Revolucion elektoral ka shënuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila pa asnjë koalicion ka arritur t’i dyfishojë votat. LDK-ja doli më së keqi nga këto zgjedhje”, thekson gazeta “Zëri” në ballinë.
Ndërsa, kyetituj tjerë në ballinat e gazetave të sotme në Kosovë janë: Te “Koha Ditore” -“Dy palë fitues për një qeveri”, te “Bota Sot” – “Kosova vetëvendosi, LDK-VV bashkë kundër koalicionit PAN”,  te “Kosova Sot” –
“Një koalicion i ri paszgjedhor, i pashmangshëm”, te “Epoka e Re” – “PAN del e para, por…Zgjedhjet i takojnë VV-së, dyfishohet”.
Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve poashtu të parakohshme të para 3 viteve, të 8 qershorit 2014, koalicioni i PDK-së kishte 30,38 % të votave – 37 deputetë ,  ndërsa LDK 25,24 % – 30 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 13,59 % – 16 deputetë, AAK 9,54% – 11 deputetë,  Nisma për Kosovën 5,15% – 6 deputetë. 
Nga subjektet e komuniteteve pakicë,  Lista Srpska (Srpska Lista) kishte 5,22%  të votave – 9 deputetë,  Partia Demokratike Turke e Kosovës (Kosova Demokratik Türk Partisi) 1,02% – 2 deputetë, Koalicioni Vakat i komunitetit boshnjak (Koalicija Vakat) 0,89% – 2 deputetë.
Partia shqiptare AKR me 4,67 % të votave nuk kaloi pragun 5% për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.
 
Para një muaji, në 10 maj 2017,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve. Dje u votua  pasi sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Ndërsa, zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 25 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit nga regjimi i dhunës serbe.
***
Komunikatë për media/

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi

Pas zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë e vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor.
Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi.
Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja.
LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet. Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion.

Zyra për Informim e LDK-së/

***

Ambasada e SHBA në Kosovë: Bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re

-Deklarata e amabasadës amerikane për Zgjedhjet e 11 qershorit-

PRISHTINË, 12 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet demokratike të mbajtura dje.

“Me interesim të lartë presim raportimet e misionit zyrtar vëzhgues. Përderisa jemi të shqetësuar nga disa raportime për prezencën e listave të vjetra të votuesve, votimeve të dyfishta dhe parregullsive tjera sporadike, përgëzojmë Komisionin Qendror Zgjedhor, Komisionerët nëpër vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet tjera monitoruese dhe vëzhguese për punën e tyre të jashtëzakonshme”, thekson deklarata e dërguar. Gjithashtu, vijon Ambasada e SHBA, zotohemi për mbështetjen tonë të vazhdueshme gjatë tërë kohës sa zgjat procesi i certifikimit të votave dhe të gjitha raportimet mbi parregullsi të jenë hetuar hollësisht dhe zgjidhur në përputhje me ligjet e Kosovës.“Votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar. Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, përfundon deklarata.

***

12 June 2017

U.S. Embassy Statement on June 11th Elections

The United States Embassy congratulates the people of Kosovo on their democratic elections yesterday.  We await with interest the report of the official observation mission.  While we are concerned by some reports of outdated voter registries, double-voting and other sporadic irregularities, we commend the Central Election Commission, the Polling Commissioners, the OSCE and all of the monitoring and observation teams for their hard work.  We also pledge our continued support as the process of vote certification continues and as all reports of irregularities are thoroughly investigated and resolved in accordance with Kosovo law.

The voters of Kosovo have spoken, and now the critical process of forming a new government must begin.  We look forward to working closely with whomever forms the new government.  We hope that all of Kosovo’s newly elected officials, regardless of party affiliation, will commit to taking action for the common good of all citizens of Kosovo.  Kosovo has the support of the United States as you continue to move forward on your path to full Euro-Atlantic integration.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova paszgjedhore, NE PRITJE TE REZULTATIT

PERSE HARADINAJ?

June 10, 2017 by dgreca

HaradinajNga Dr. Hasan Ademaj/1 HaradinajPërse Haradinaj …/

Ndër emrat që qarkullojnë si kandidatë të mundshëm për të kryesuar qeverinë e ardhshme të Kosovës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është padyshim më i kompletuari. Kjo pasi ai, në ndryshim prej dy të tjerëve ka dhe një farë eksperience në problemet e qeverisjes duke qenë kryeministër i Kosovës, ndonëse për një periudhë të shkurtër.

Kur vihet në diskutim emri i zotit Haradinaj, zakonisht përmendet periudha e luftës për çlirimin e Kosovës, ku ai duke qenë një nga komandantët kryesorë të UÇK-së u bë për herë të parë i njohur për masat e popullit duke krijuar në këtë mënyrë autoritet dhe simpati të padiskutueshme tek një pjesë e madhe e njerëzve. Mirëpo, duke qenë se lufta ka kohë që ka mbaruar do të ishte gabim që meritat dhe aftësitë e treguara në luftë të përdoreshin si kritere vlerësimi për t’i besuar kujtdo një post drejtues në administratën shtetërore. Pra dhe për zotin Haradinaj ato ç’ka ka bërë gjatë luftës duhen parë vetëm për të evidentuar përkushtimin e tij dhe devotshmërinë për t’i shërbyer atdheut.  Në këtë rast gatishmëria për të kontribuar për vendin, duke i dhënë gjithçka, mund të thuhet se është pak a shumë e njejtë si në kohë lufte ashtu dhe në paqë. Dhe këtë, Ramush Haradinaj e tregoi edhe pas çlirimit të Kosovës, kur vullnetarisht hoqi dorë nga posti i kryeministrit të vendit për të shkuar në Gjykatën e Hagës, me qëllim kryesor të zhvlerësonte përpjekjet e qarqeve të caktuara serbe për të njollosur luftën për liri të popullit të Kosovës.

Dhe, pikërisht sot Kosova ka nevojë të ngutshme të ketë në krye të qeverisë një figurë me autoritet e prestigj, një personalitet të vendosur i cili duke pasur në plan të parë parimin “Kosova mbi të gjitha”, jo vetëm të jetë i përkushtuar për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve, por edhe të jetë në gjendje të refuzojë  çdo propozim a ofertë kur gjykon se cënohet sovraniteti dhe e ardhmja e vendit.

Zhvillimet e pasluftës në Kosovë kanë treguar se Haradinaj, ka preferuar deri dhe duke  “u thyer zemrën” dhe miqve të rëndësishëm të Kosovës, kur ka konstatuar se mund të cënohen interesat e vendit. Megjithatë, kryesorja për t’i besuar drejtimin e qeverisjes një individi duhet vlerësuar në bazë të vizionit të tij për të ardhmen, sidomos kur është fjala për një vend si Kosova, ende i pakonsoliduar, sidomos në aspektin ekonomik duke qenë se ekonomia është motori i cili ve në lëvizje gjithë mekanizmat e tjera.

Duke u njohur me ato ç’ka premton lideri i AAK-së, Haradinaj, nuk ka si të mos krijohet një farë optimizmi për të ardhmen e Kosovës. Nuk është aspak vështirë të konstatosh se ai e njeh mirë gjendjen e vendit dhe si ai mjeku i cili ka përcaktuar saktësisht diagnozën gjen dhe medikamentet e duhura për ta shëruar një gjendje të tillë edhe pse për disa duket si e pashpresë.
Konkretisht, një vend të rëndësishëm në programin e tij i kushtohet ndërtimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të asaj ekzistuese, kryesisht ndërtimit të rrugëve. Në mungesë të një infrastrukture bashkëkohore nuk mund të pretendohet zhvillimi ekonomik i vendit. Sa më i zhvilluar të jetë komunikacioni aq më i madh bëhet dhë zëllimi i shkëmbimeve midis subjekteve të biznesit kosovar por edhe ai midis trevave të ndryshme të vendit. Gjithashtu, një infrastrukturë e zhvilluar nxit dhe hapjen e bizneseve të reja duke kontribuar kështu në hapjen e vendeve të reja të punës, gjë e cila do të zvogëlonte dukshëm përmasat e hemoragjisë së largimit të rinisë kosovare nga vendi.

Haradinaj premton për një shpërndarje uniforme të investimeve në të gjithë vendin, gjë që sjell një zhvillim të të gjitha trevave, duke bërë që të nxitet iniciativa e sa më shumë qytetarëve në fushën e biznesit. Në kuadër të reformave në ekonominë e vendit kandidati për kryeministër, premtoi dhe për një rifillim të aktivitetit në gjigandin e Trepçës, gjë e cila do të sillte dhe një rritje të ndjeshme të kapacitetit ekonomik të Kosovës.

Por, Haradinaj është i ndërgjegjshëm se zhvillimi ekonomik i vendit është i lidhur ngushtë me largimin e influencës së Serbisë në jetën e vendit. Një zhvillim i gjithanshëm i ekonomisë kosovare do të paksonte ndjeshëm nevojën për prodhimet serbe gjë që mbyll shtigjet për presione të formave të ndryshme nga Beogradi. Por ai, lidhur me këtë u kujton bashkëqytetarëve të tij se pas mënjanimit të influencave nga Serbia, nuk do të kenë më mundësinë që për mosrealizimet e tyre të justifikohen me “pengesat” nga “influencat serbe”, por do të mësohen të analizojnë vetë punën e tyre.

Si një politikan tashmë me eksperiencë, i cili e njeh mirë mënyrën e funksionimit të shtetit lideri i AAK-së e ka të qartë se asgjë nuk mundë të bëhet pa një shtet ligjor ku ligji të zbatohet në mënyrë rigoroze.
Prandaj, gjatë fushatës ai premton dhe një fuqizim të ndjeshëm të rendit në Kosovë dhe rritjen e sigurisë. Në këtë kuadër ai paralajmëroi dhe krijimin e “Byrosë Nacionale të Hetimeve” për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Që është një poltikan realist, Ramush Haradinaj e pasqyron kur  si partner kryesor ekonomik të Kosovës vendos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hedhur idenë e krijimit të një zone ekonomike të veçantë ku të operojnë investitorët amerikanë. Një ide e tillë mbështetet në faktin se ishin SHBA-të vendi që kontribuoi më shumë se kushdo në çlirimin e Kosovës, logjikisht janë dhe më të interesuarit që shteti i Kosovës të funksionojë sa më mirë, në radhë të parë në aspektin ekonomik; shtoji këtyre dhe faktin që amerikanët kanë dhe një bazë ushtarake në Kosovë. Ndër të tjera, nuk mund të mos merret në konsideratë dhe kontributi i biznesit shqiptaro-amerikan dhe i diasporës në zhvillimin e ekonomisë kosovare.  

Përsa i përket realizimit të premtimeve të mësipërme të zotit Haradinaj, duhet pasur parasysh se ai nuk i përket asaj klase politikanësh të cilët kanë vetëm fjalë, por është shquar si njeri i fjalës së dhënë, si njeri i besës.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Hasan Ademaj, Kryeministri i Kosoves, Perse Ramush Haradina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 546
  • 547
  • 548
  • 549
  • 550
  • …
  • 671
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!
  • Lideri i opozitës në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha u takua me shqiptarët e Amerikës
  • Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
  • Një udhëtim në kohë me Rita Orën
  • Labor Day në shekullin XXI: Punëtori amerikan përballë frikës nga AI
  • SHKOLLA SHQIPE NË WUPPERTAL, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI
  • E mira dhe e keqja…
  • Legacy of Light: Commemorating Mother Teresa’s Spirit of Humanity
  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT