• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Haradinaj: Nuk po kërkoj unë spastrim etnik, por Beogradi

April 11, 2017 by dgreca

1 HaradinajDeputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se ishte keq-interpretuar për deklaratën e dhënë ditë më parë në lidhje me reagimet që mund të pasojnë nëse Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi.

Ai ka thënë se ka folur me vetëdije të plotë, por se deklarata e tij, siç ka thënë ai, është interpretuar më pas “ashtu siç i ka konvenuar dikujt”.

Sipas Haradinajt, lidershipi në Beograd po tenton ta destabilizojnë Kosovën, por siç u shpreh ai ‘ata duhet ta dinë se Kosova nuk do të lëshoj më pe’.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që e kanë interpretuar dhe e kanë kapur për bishti një deklaratë timen se asnjëherë nuk kam thënë se do të ketë spastrim etnik, por në rast se mendojnë që përmes një njeriu ose me transferimin e tij në Beograd, atëherë duhet t’ia venë gishtin kokës dhe të kenë kujdes”.

“Ata po duan të tentojnë ta spastrojnë Kosovën. Beogradi zyrtar donte ta spastronte Kosovën etnikisht, jo Daut Haradinaj, jo shqiptarët… po nëse duan të luajnë me zjarr puna e mbarë u qoftë”, tha Haradinaj të martën gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i AAK-së tha po ashtu se deklarata e tij e bërë ditë më parë në RTV Dukagjini ishte interpretuar ashtu siç u ka konvenuar personave të caktuar.

“Është shumë e vërtetë se që ajo deklaratë është kapur për bishti, e kujt i ka konvenuar ajo le ta mbajnë përgjegjësinë vet”, tha Haradinaj.

Sipas tij, nuk duhet pasur dilema se në Beograd ka tendenca të hapura për ta destabilizuar Kosovën.

“Ata që sot po krekosen për serbët e Kosovës është mirë të na tregojnë neve hapur se si ndodhi vrasja e pandave në Pejë, e fëmijëve të Pejës, për t’i fajësuar shqiptarët e Kosovës. Unë kam folë dhe e përsëris edhe njëherë që të kihet kujdes se nuk luhet më me kombin tonë”, u shpreh Harandinaj.

Deputeti Haradinaj ka theksoi se me ndalimin e Ramush Haradinajt po mundohet të destabilizohet Kosova.

“Këtë duhet ta dinë edhe përfaqësuesit diplomatik se po e mbajnë një njeri peng për qëllime të caktuara dhe e kanë shumë gabim. Askush më shumë se unë vet nuk e do paqen dhe stabilitetin e Kosovës. Asnjë nga qeveritaret serb nuk i kanë ruajtur as serbët e Kosovës as monumentet historike e kulturore, i kemi ruajtur vet se e kemi kulturë si shqiptar”, ka thënë ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia së cilës i takon deputeti, Haradinaj tha të hënën në mbrëmje se deputeti i saj Daut Haradinaj, nuk ka bërë asnjëherë thirrje për spastrim etnik, por ka ngritur alarmin për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Në një emision televiziv në RTV Dukagjini, Haradinaj kishte deklaruar se “në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, [që Ramush Haradinaj të ekstradohet nga Franca në Serbi] atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare me Ramushin”.

Pas kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta nga përfaqësues vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, në një komunikatë të lëshuar të hënën tha se “deklarata e kësaj fundjave e një deputeti të parlamentit të Kosovës që përdori gjuhën e urrejtjes duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe shkakton shqetësime serioze”.

Zyra e Bashkimit Evropian, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se “dënon deklaratat kërcënuese ndaj komuniteteve dhe etnive të tjera. Ato nxisin gjuhën e urrejtjes te pakicat, pengojnë pajtimin si dhe dialogun”…

Më herët gjatë fundjavës, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kishte shkruar në Twitter se “kjo është një gjuhë e rrezikshme dhe nuk ka vend në Evropë”.

Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se “për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur. Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vënë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumetnike. Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron”.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb.

Seanca gjyqësore, 6 Prill - Colmar

Seanca gjyqësore, 6 Prill – Colmar

Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi. Në seancën e fundit u caktua 27 prilli si datë për vendimin e mundshëm për të.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin. (Arton Konushevci- REL)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Beogradi, Haradinaj, pastrami etnik

Sizifi, Shqipëria dhe fati i saj i rrokullisur

April 10, 2017 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Popujt e hershëm që në agim të jetës njerëzore kanë sendëzuar ndërgjegjen e tyre primitive në konturet e miteve, në magjen e të cilave janë formësuar e kanë marrë jetë idetë, ndjenjat, iluzionet, shpresat, dashuritë, urrejtjet, gëzimet, dëshprimet, fatkeqësitë, torturat, humbjet, arritjet. Çuditemi sot kur endemi në botën e miteve dhe stërçuditemi, kur përpiqemi të zgjidhim enigmat e tyre domethënëse, të hedhim dritë mbi brendësinë e tyre, të stisim disesi mesazhet e tyre.

Ja Sizifi në mbretërinë e errët të Hadit, duke bartur e ribartur shkëmbin rrokullisës. Në atë gollen stërmadhe, ku errësira është e pamatë dhe koha e pafund, rrokulliset e rrokulliset edhe Sizifi mbas fatit të tij.

Kjo figurë sa heroike aq mëkatare, që ka joshur e turbulluar mendjet njerëzore, sidomos të filozofëve, të shkrimtarëve, të piktorëve, të skulptorëve (Eskili, Euripidi, Sofokliu e kanë futur në tragjeditë e tyre, Ticiani e përjetësoi në një tablo, Alber Kamy në një ese, për të përmendur vetëm disa), veças ka tallazitur mendjet e shqiptarëve. Edhe pse shqiptarët nuk i kushtuan ndonjë vepër arti, ata i janë mishëruar fatit të tij, tek i cili kanë parë të përsëdytet, si në një pasqyrë të mjegulluar, fati i kombit të tyre. Ndoshta, kjo ka ndodhur sepse Sizifi, mbreti i Korintit, ishte me prejardhje pellazge, dhe për ne shqiptarët shkenca hamendëson se jemi bij pellazgësh, banorë të parë të Greqisë, të trojeve tona, të Gadishullit Ballkanik dhe të një pjese tëë mirë të brigjeve të Mesdheut.

Të çmeritur prej ndëshkimit, rrallë kujt i shkon mendja të pyesë pse e dënuan Sizifin. Një dënin i tmerrshëm vjen pas një faji të kobshëm. Mbasi Sizifi pati ngjallur urrejtjen e Olimpit për shumë gjynahe e faje që kishte bërë, Zeusi i tërbuar i çoi Tanatosin, Perëndinë e Vdekjes, për ta vdekjesuar, por Sizifi guximtar dhe i paepur e lidhi atë. Lidhja e Vdekjes: një ëndërr e përhershme e njerëzimit, që shkenca e sotme nuk e ka arritur. Sa kohë qëndroi e lidhur Vdekja, njerëzit u barabitën me Perënditë. Si Perënditë edhe njerëzit: dashuroheshin dhe urreheshin, më së tepërmi urreheshin; punonin dhe luftonin, më së tepërmi luftonin; duheshin dhe grindeshin, më së tepërmi grindeshin; por mbi të gjitha jetonin dhe nuk vdisnin.

Megjithëse Perënditë e plotfuqishëm e çliruan vdekjen dhe e ndëshkuan Sizifin, njerëz dhe popuj mbijetuan. Edhe shqiptarët mbijetuan. Dënimi i Sizifit qe tepër i rëndë, sa rëndësia e veprës së tij prometeane në dobi të njerëzimit. Ngritja dhe ringritja pa pushim tej kufijve të kohëve e një shkëmbi të rëndë. Nga maja e kodrës në rrëzë të saj, nga rrëza e kodrës, rishtas në majë. Një punë e pafund, gjithnjë e pakryer dhe pa kurrfarë rezultati, një punë e padobishme. “Perënditë kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë”, ka thënë Alber Kamy.

*          *          *

Në ç’kushte dhe pse mendësia mitologjike e ka krijuar Mitin e Sizifit, a mos e ka parandjerë ajo ndërgjegjja pellazge fatin e stërnipërve? A mos e ka parandjerë ajo që Shqipëria – mbetja e fundit gjeografike e pellazgëve – do të dënohej të jetojë e copëtuar, sepse ajo “e lidhi Vdekjen”, mbijetoi duke kapërcyer të gjitha kohët? Dhe për këtë, ajo do të bartë e ribartë shkëmbin e çështjes së saj të pazgjidhur, shkëmbin e gjendjes së saj të copëtuar?

Shqipëria disa herë e ka ngritur shkëmbin e saj në majë të kodrës, por ai është rrokullisur përsëri. Dhe vazhdon të rrokulliset edhe sot e kësaj dite. Ajo e ka ngritur atë në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kur për afro një viti e gjysmë Qeveria e Përdorme e saj sundoi mbi katër vilajetet shqiptare; ajo e ka ngritur gjithashtu më 28 Nëntor 1912, kur delegatët nga të gjitha trevat shqiptare e shpallën atë të lirë e të mosvarme, por shkëmbi është rrëzuar dhe rrëzuar. Si më 1878 në Berlin, si më 1913 në Londër, si më 1920 në Paris, si më 1944 në Tiranë e Prishtinë. Dhe Shqipëria ka mbetur po ajo, në udhëtimin e saj të përjetshëm me shkëmbin e çështjes së saj mbi shpatulla.

A nuk u rrukullis para syve tanë edhe më 1997, kur me dorën tonë vramë vetën, demokracinë dhe kombin?

*          *          *

Megjithkëtë, është një moment në kohë, një pikë në hapësirë, ku fatet e Sizifit e të Shqipërisë skajohen nga njëri-tjetri. Dhe ky moment, kjo pikë qëndron në kufirin e shpresës. Sizifi e bart dhe e ribart shkëmbin pa pasur asnjë shpresë se një ditë ai do të qëndrojë në majë të kodrës. Ndërsa Shqipëria e ka bartur e ribartur atë gjithnjë me shpresë. Dhe shpresa është një nga vlerat më të mëdha të njeriut. Eshtë fija që e mban atë të lidhur me jetën. Në çdo situatë, në çdo fatkeqësi, në çdo udhëkryq.

Shqipëria shpreson dhe ka të drejtë të shpresojë, ndoshta sepse atë nuk e ka dënuar Olimpi, por e dënoi bota; e dënuan ato që populli si me mospërfillje i quan Fuqitë e Mëdha. Dhe Fuqitë e Mëdha, sado të fuqishme të jenë a sado të mëdha të jenë, ato nuk kanë forcën e madhërinë e Pushtetit Olimpik. Ato nuk mund të nëpërkëmbin gjithmonë popujt, aq më tepër popullin tonë, i cili si popujt e tjerë të stërlashtë, i ka kthyer mitet në histori dhe kështu është bërë i pavdekshëm. Sado që pavdekësi e dhimbshme e një trupi të copëtuar.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Cefa, dhe fati i saj i rrokullisur, shqiperia, Sizifi

Sikur Artani të ishte sot në detyrë

April 9, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në vendin tonë një ish polic duhet të mos jetë asgjë. E kam fjalën për ndonjë meritim statuti të veçantë. Si mbrojtja. Sidomos kur ka drejtuar poste kyçe për vite me radhë. Por edhe moralisht duket se është prapë asgjë. Pasi veç shtypit që e jep si lajm, a ndonjë indinjate me të drejtë të shokëve. Të cilët ndihen të braktisur. Një pjesë e tyre janë edhe ata isha. Një pjesë u kanë shpëtuar reformave të ”dinjitetit” që qeveria Rama u dha në këto katër vjet, në kanabisimin e vendit. Tjetër asgjë. Nga institucionet e shtetit. Si Ministria apo Drejtoria e Policisë së Shqipërisë. Asgjë. Veç heshtje. Klikova në webet e tyre. Vetëm arritjeve u jepej vend …, asgjë-je tjetër. Lajmet kishin mbetur tek e premtja. Dt 7 prill. Data ironi. Sidomos kur kujton 7 prillin e vitit 1939. Si na erdhën italianët neve atëhere. Sa të armatosur. Dhe si u shkuan ne, në prillin e vitit 90-të. Të çarmatosur dhe i pushtuam si na desh qejfi.
U kujtova që e shtuna dhe e djela janë pushim absolut.
Megjithatë sikur Artani të ishte sot në detyrë. Do kishin ushtuar veglat bandave frymore. Tapeti i kuq do shtrihej tej e tej. Nga Ministria deri tek varrezat e dëshmorëve të kombit.
Statutet e kryeministrit, ministrit të brëndshëm, drejtorit të policisë së shtetit. Deputetëve të ”devotshëm” a sekretarëve politikë…, do vlonin me lavdërata plot dhimbje.
Të jeni të sigurt se kryeministri do dilte live dhe do thoshte që sado, sado, krimi nuk na mposht dot. Përkundër atyre që thotë opozita. Kjo vrasje dëshmon luftën pa komprimis që ne u kemi shpallur kriminelëve etj.
Mirëpo Artani është një ish polic. Ndaj sot do përcillet si një qytetar normal. Pa merita shteti. Dhimbja i përket vetëm familjes. Asaj nëne. Dhe atyre fëmijëve. Të afërmeve. Dhe ndonjë shoku nga detyra e dikurshme. I cili me të drejtë ndihet i alarmuar. I kërcënuar. Dhe frymëmarr lutet që partitë e vendit të kthehen në bina. Të mos jenë më kurva, siç thotë ai. Por t’i mbrojnë.
Pra Artani është një ish. Kësisoj nuk ka banda frymore. Jo polic në detyrë. Eshtë një i shkarkuar në bazë të reformave efikase, shkurtim vendi pune për 1 javë. Pasi javës tjetër. Drejtoria do hapet prapë, por sigurisht me emër tjetër.
Dhe në detyrë do vi ai komisioneri i qëndrës numër aq e kaq. Pasi ruajti votat me heroizëm. Ashtu siç ndodh rëndom tek ne. Ashtu siç është bërë gangrene kjo mode e fëlliqur meritash partiake.
Megjithatë është një moment kur si këta në detyrë. Ashtu edhe ishët. E kam fjalën për oficerët e karrierës. Pasi shoh që paskan edhe një shoqatë. Të reflektojnë. Në kuptimin e ekzistencës së tyre si qytetarë dhe kuadro të rëndësishëm të një vendi demokratik. Të paktën sot duhet të ishin në protestë.
Të drejtat nuk dhurohen. Po as nuk fitohen duke ndenjur kafeneve. E me gazetë në dorë. Duke u shkelur syrin sa të majtëve. Sa të djathtëve etj. Duke u atashuar në një komision zgjedhor etj. Aq sa i mire është njëri nga ata për ju. Aq i keq është për kolegun tuaj. Që bëhet ish. Që vritet. Që humb veç jetës edhe dinjitetin profesional. Ndërsa ju, të hutuar pyesni veten se kujt do i shkoni në varrim ditën a javën tjetër.
Një ish koleg, është koleg, ndaj respektojeni.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, sikur Artan Coku, te ishte gjalle

Edhe Koço na mungonte

April 8, 2017 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

E kam fjalën për Koço Kokëdhimën. Dhe nuk e di përse na duhet. Pasi sistematikisht ka qënë objekti ynë.
Skandali i Sarandës në gushtin e 2014 me sekretarin e tij që terrorrizoi një nënë duke i kërkuar seks me të bijën katërmbëdhjetëvjeçare etj. Me tentativat e tia në 2015-tën për tua bërë të vështirë xarriotëve bujqësinë, agrikulturën. Me qëllim që tu marri tokat. Plantacionet me agrume.
Me ndërtimet pa leje në Qeparo.
Apo tenderat e fituara padrejtësisht.
Sistematikisht i jemi referuar në luftën kundër korrupsionit dhe të tjera. Dhe me të drejtë. Dhe fituam disa beteja. Mjaft të përmendin zbythjen nga Kuvendi. Me heqjen e mandatit të deputetit në majin e vitit të kaluar. Një fitore e madhe e jona karshi vdekjes së shtetit të së drejtës. Dhe të drejtës qytetare.
Një fitore si ajo karshi sivllaut Beqja.
E sivëllezërve të krimit dhe drogës.
E kemi pasur model të oligarkisë shtetare. Klasave shoqërore të ndara në grupe interesash. Dhe që mezi presin tu vi në pushtet krahu i tyre.
Kanë qënë fitoret tona të mëdha. Të cilat do na i kishte zili çdo opozitë. Dhe nëse vërtetë sot. E kemi future këtë, koalicionin qeverisës në krizë politike. Eshtë arritje, arritje opozitare. Por nëse synimi ynë kaq është. Atëhere me të vertetë jemi kaluar. Le të gëzojmë që i morëm Edit këtë apo atë pasha. A shushunjë fondesh publike. Dhe ia hodhëm.
Le të kënaqemi me veten tone. Se e nxorrëm kallp qeverinë.
Fitore që ia vlejti.
Por nëse mendojmë tu ofrojmë shqiptarëve. Një sistem zgjedhor më efikas. Ku të përfshihet numërimi elektronik. Një sistem zgjedhor i besueshëm, më përfaqësues për ta në Kuvendin e vendit. E për rrjedhojë .., një qeverisje më të mire se kjo e tërmeteve dhe e drogës. Atëhere ta themi që tani, me Koçon e aleatë si ai.., kjo nuk ka për të ndodhur.

Filed Under: Politike Tagged With: edhe koco Kokdhima, Ilir Levonja, mungonte

Politikanëve nuk u konvenon Ligji “anti-mafia”

April 8, 2017 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti/ Një ligj i quajtur anti – mafia, përmes së cilit do të rregullohej çështja e përfitimeve të pasurisë në mënyrë të paligjshme dhe rrjedhimisht do të luftohej korrupsioni dhe krimi i organizuar, ka vite që është iniciuar, por i njëjti, thonë njohës të rrethanave, nuk është hartuar pothuaj asnjëherë.

Ligji anti-mafia u iniciua rreth shtatë vjet më parë nga kryeministri atëhershëm Hashim Thaçi, por nuk u jetësua asnjëherë. Autoritetet në Prishtinë thonë se Kosova ka ligje, përmes së cilëve “bëhet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”.

Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se “çështja e konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, do të adresohet në kuadër të Kodit Penal”.

“Ju njoftojmë se Grupi Punues është dakorduar që dispozitat, të cilat adresojnë çështjen e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, do të adresohen në kuadër të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale”.

“Aktualisht, grupi punues është duke punuar në Kodin Penal dhe pastaj do të vazhdohet me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, të zyrës për media të Ministrisë së Drejtësisë.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile japin vlerësime të ndryshme për nevojën e miratimit të këtij ligji, përderisa anëtarë të Komisionit për Legjislacion e konsiderojnë të domosdoshëm, siç thonë, për dekriminalizimin e Kosovës.

Pal Lekaj, anëtar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duke marrë parasysh nivelin e lartë të korrupsionit, përvetësimin e pronës dhe mosfunksionimin në nivel të duhur të sistemit të drejtësisë, një ligj i tillë është i domosdoshëm dhe jetik për dekreminalizimin e Kosovës.

Por, mungesa e vullnetit politik dhe pasuria e pajustifikueshme e disa personave, thotë ai, ka ndikuar që autoritetet kompetente t’i “neglizhojnë procedurat e hartimit të Ligjit “anti-mafia”.

Lekaj sqaron se disa herë është menduar të procedohet në Komision, por është tërhequr nga rendi i ditës.

“Janë të gërshetuara interesat e pushtetarëve dhe në këtë drejtim, meqë njerëzit kanë prona mjaft dhe nuk e kanë të sqaruar prejardhjen e pasurisë se tyre, ndodh kjo. Pra, interesi është kryekëput politik”, thotë Lekaj.

Në anën tjetër, përfaqësues nga Institutit I Kosovës për Drejtësi, konsiderojnë se miratimi i këtij ligji mund të keqpërdoret politikisht. Betim Musliu nga ky institut, shprehet se ata që janë pushtet do të mundohen t’i ndjekin qytetarët që janë të rreshtuar në opozitë, për të bërë, siç thotë ai, “luftë shtrigash”

“Po në asnjë mënyrë nuk besojmë që kjo politikë dhe ky sistem i drejtësisë i kapur nga politika, do të shfrytëzojë ligjin për të bërë ndjekje të kriminelëve dhe t’ua konfiskojnë pasurinë. Por, do të bëjë veprim që do t’u shërbejë interesave ditore të politikës”, vlerëson Musliu.

Përfaqësues nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, e konsiderojnë të domosdoshëm miratimin e këtij ligj.

Arton Demhasaj thotë se pasuria e pajustifikueshme, së pari e zyrtarëve të lartë shtetërorë, ka bërë që të mos miratohet ky ligj.

Objekt i parë i hetimit, pas miratimit dhe zbatimit të ligjit, do të duhej të ishte prejardhja e pasurisë së zyrtarëve shtetërorë dhe pastaj konfiskimi, thotë Demhasaj duke shtuar se për këtë arsye, ky ligj po heshtet.

“Një ligj i tillë, nëse fillon të zbatohet do të cenonte pasurinë e politikanëve, pasi të gjithë jemi dëshmitarë, se kur shohim formularët e deklarimit të pasurisë së tyre, shumica nga ta janë milionerë, kanë pasuri milionëshe. Dhe, është shumë vështirë të bindemi se ajo pasuri milionëshe e tyre, është krijuar me pagat e tyre që i marrin. Dhe, kjo sjell si përfundim që këto pasuri mund të jenë të fituara në mënyra të ndryshme të paligjshme”, shprehet Demhasaj.

Për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht që nuk ekziston ligji “anti-mafia”, një “Ligj për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale”,siç thonë, kryen funksionin njëjtë

Filed Under: Politike Tagged With: : Politikanët, Kosove, Ligji antimafie

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 561
  • 562
  • 563
  • 564
  • 565
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT