Nga Nadie Ahmeti/ Një ligj i quajtur anti – mafia, përmes së cilit do të rregullohej çështja e përfitimeve të pasurisë në mënyrë të paligjshme dhe rrjedhimisht do të luftohej korrupsioni dhe krimi i organizuar, ka vite që është iniciuar, por i njëjti, thonë njohës të rrethanave, nuk është hartuar pothuaj asnjëherë.
Ligji anti-mafia u iniciua rreth shtatë vjet më parë nga kryeministri atëhershëm Hashim Thaçi, por nuk u jetësua asnjëherë. Autoritetet në Prishtinë thonë se Kosova ka ligje, përmes së cilëve “bëhet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”.
Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se “çështja e konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, do të adresohet në kuadër të Kodit Penal”.
“Ju njoftojmë se Grupi Punues është dakorduar që dispozitat, të cilat adresojnë çështjen e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, do të adresohen në kuadër të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale”.
“Aktualisht, grupi punues është duke punuar në Kodin Penal dhe pastaj do të vazhdohet me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, të zyrës për media të Ministrisë së Drejtësisë.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile japin vlerësime të ndryshme për nevojën e miratimit të këtij ligji, përderisa anëtarë të Komisionit për Legjislacion e konsiderojnë të domosdoshëm, siç thonë, për dekriminalizimin e Kosovës.
Pal Lekaj, anëtar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duke marrë parasysh nivelin e lartë të korrupsionit, përvetësimin e pronës dhe mosfunksionimin në nivel të duhur të sistemit të drejtësisë, një ligj i tillë është i domosdoshëm dhe jetik për dekreminalizimin e Kosovës.
Por, mungesa e vullnetit politik dhe pasuria e pajustifikueshme e disa personave, thotë ai, ka ndikuar që autoritetet kompetente t’i “neglizhojnë procedurat e hartimit të Ligjit “anti-mafia”.
Lekaj sqaron se disa herë është menduar të procedohet në Komision, por është tërhequr nga rendi i ditës.
“Janë të gërshetuara interesat e pushtetarëve dhe në këtë drejtim, meqë njerëzit kanë prona mjaft dhe nuk e kanë të sqaruar prejardhjen e pasurisë se tyre, ndodh kjo. Pra, interesi është kryekëput politik”, thotë Lekaj.
Në anën tjetër, përfaqësues nga Institutit I Kosovës për Drejtësi, konsiderojnë se miratimi i këtij ligji mund të keqpërdoret politikisht. Betim Musliu nga ky institut, shprehet se ata që janë pushtet do të mundohen t’i ndjekin qytetarët që janë të rreshtuar në opozitë, për të bërë, siç thotë ai, “luftë shtrigash”
“Po në asnjë mënyrë nuk besojmë që kjo politikë dhe ky sistem i drejtësisë i kapur nga politika, do të shfrytëzojë ligjin për të bërë ndjekje të kriminelëve dhe t’ua konfiskojnë pasurinë. Por, do të bëjë veprim që do t’u shërbejë interesave ditore të politikës”, vlerëson Musliu.
Përfaqësues nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, e konsiderojnë të domosdoshëm miratimin e këtij ligj.
Arton Demhasaj thotë se pasuria e pajustifikueshme, së pari e zyrtarëve të lartë shtetërorë, ka bërë që të mos miratohet ky ligj.
Objekt i parë i hetimit, pas miratimit dhe zbatimit të ligjit, do të duhej të ishte prejardhja e pasurisë së zyrtarëve shtetërorë dhe pastaj konfiskimi, thotë Demhasaj duke shtuar se për këtë arsye, ky ligj po heshtet.
“Një ligj i tillë, nëse fillon të zbatohet do të cenonte pasurinë e politikanëve, pasi të gjithë jemi dëshmitarë, se kur shohim formularët e deklarimit të pasurisë së tyre, shumica nga ta janë milionerë, kanë pasuri milionëshe. Dhe, është shumë vështirë të bindemi se ajo pasuri milionëshe e tyre, është krijuar me pagat e tyre që i marrin. Dhe, kjo sjell si përfundim që këto pasuri mund të jenë të fituara në mënyra të ndryshme të paligjshme”, shprehet Demhasaj.
Për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht që nuk ekziston ligji “anti-mafia”, një “Ligj për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale”,siç thonë, kryen funksionin njëjtë