Nga Ilir Levonja/
Në vendin tonë një ish polic duhet të mos jetë asgjë. E kam fjalën për ndonjë meritim statuti të veçantë. Si mbrojtja. Sidomos kur ka drejtuar poste kyçe për vite me radhë. Por edhe moralisht duket se është prapë asgjë. Pasi veç shtypit që e jep si lajm, a ndonjë indinjate me të drejtë të shokëve. Të cilët ndihen të braktisur. Një pjesë e tyre janë edhe ata isha. Një pjesë u kanë shpëtuar reformave të ”dinjitetit” që qeveria Rama u dha në këto katër vjet, në kanabisimin e vendit. Tjetër asgjë. Nga institucionet e shtetit. Si Ministria apo Drejtoria e Policisë së Shqipërisë. Asgjë. Veç heshtje. Klikova në webet e tyre. Vetëm arritjeve u jepej vend …, asgjë-je tjetër. Lajmet kishin mbetur tek e premtja. Dt 7 prill. Data ironi. Sidomos kur kujton 7 prillin e vitit 1939. Si na erdhën italianët neve atëhere. Sa të armatosur. Dhe si u shkuan ne, në prillin e vitit 90-të. Të çarmatosur dhe i pushtuam si na desh qejfi.
U kujtova që e shtuna dhe e djela janë pushim absolut.
Megjithatë sikur Artani të ishte sot në detyrë. Do kishin ushtuar veglat bandave frymore. Tapeti i kuq do shtrihej tej e tej. Nga Ministria deri tek varrezat e dëshmorëve të kombit.
Statutet e kryeministrit, ministrit të brëndshëm, drejtorit të policisë së shtetit. Deputetëve të ”devotshëm” a sekretarëve politikë…, do vlonin me lavdërata plot dhimbje.
Të jeni të sigurt se kryeministri do dilte live dhe do thoshte që sado, sado, krimi nuk na mposht dot. Përkundër atyre që thotë opozita. Kjo vrasje dëshmon luftën pa komprimis që ne u kemi shpallur kriminelëve etj.
Mirëpo Artani është një ish polic. Ndaj sot do përcillet si një qytetar normal. Pa merita shteti. Dhimbja i përket vetëm familjes. Asaj nëne. Dhe atyre fëmijëve. Të afërmeve. Dhe ndonjë shoku nga detyra e dikurshme. I cili me të drejtë ndihet i alarmuar. I kërcënuar. Dhe frymëmarr lutet që partitë e vendit të kthehen në bina. Të mos jenë më kurva, siç thotë ai. Por t’i mbrojnë.
Pra Artani është një ish. Kësisoj nuk ka banda frymore. Jo polic në detyrë. Eshtë një i shkarkuar në bazë të reformave efikase, shkurtim vendi pune për 1 javë. Pasi javës tjetër. Drejtoria do hapet prapë, por sigurisht me emër tjetër.
Dhe në detyrë do vi ai komisioneri i qëndrës numër aq e kaq. Pasi ruajti votat me heroizëm. Ashtu siç ndodh rëndom tek ne. Ashtu siç është bërë gangrene kjo mode e fëlliqur meritash partiake.
Megjithatë është një moment kur si këta në detyrë. Ashtu edhe ishët. E kam fjalën për oficerët e karrierës. Pasi shoh që paskan edhe një shoqatë. Të reflektojnë. Në kuptimin e ekzistencës së tyre si qytetarë dhe kuadro të rëndësishëm të një vendi demokratik. Të paktën sot duhet të ishin në protestë.
Të drejtat nuk dhurohen. Po as nuk fitohen duke ndenjur kafeneve. E me gazetë në dorë. Duke u shkelur syrin sa të majtëve. Sa të djathtëve etj. Duke u atashuar në një komision zgjedhor etj. Aq sa i mire është njëri nga ata për ju. Aq i keq është për kolegun tuaj. Që bëhet ish. Që vritet. Që humb veç jetës edhe dinjitetin profesional. Ndërsa ju, të hutuar pyesni veten se kujt do i shkoni në varrim ditën a javën tjetër.
Një ish koleg, është koleg, ndaj respektojeni.