• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani në Dejton: NATO është garanci e paqes dhe e së ardhmes sonë

May 27, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj para Asamblesë Parlamentare të NATO-s, theksoi se aleanca euro-atlantike ka qenë dhe mbetet shtylla kurrizore e sigurisë sonë kolektive dhe e shpresës për gjeneratat e ardhshme.

Duke kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999 dhe vendosmërinë në Dejton më 1995, ajo tha se aleanca e ka përmbushur misionin e saj atëherë kur njerëzit përballeshin me orët më të errëta.


“Nga frika për të shkuar në shkollë te rinia që sot studion në universitetet më të mira në botë; nga prindërit e përzënë nga puna te gjyshërit krenarë që shohin një brez të ri të begatë; nga rrugët e rrezikshme për jetë te qytetet e mbushura me muzikë, art dhe jetë kulturore”, theksoi Presidentja Osmani, teksa foli për rezultatin e ndërhyrjes së NATO-s, në Kosovë.

Sipas Presidentes Osmani, paqja nuk është vetëm heshtja e armëve, por vullneti për të jetuar bashkë.

Duke shprehur vendosmërinë e Kosovës për të kontribuar në sigurinë euro-atlantike, Presidentja  Osmani theksoi se Kosova tashmë ka ndarë 2% të GDP-së për mbrojtje, me synimin për ta dyfishuar këtë në vitet e ardhshme.

“Ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë. Tani është radha e NATO-s, t’i hapë dyert”, theksoi Presidentja Osmani.

Filed Under: Rajon

Kur SHBA flet për Kosovën pa folur me Qeverinë

May 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Nuk është hera e parë që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kalojnë nëpër sprova. Por, është hera e parë që kjo marrëdhënie vihet në pikëpyetje jo për shkak të ndonjë ndryshimi në orientimin strategjik të SHBA-së, por për shkak të perceptimit se Qeveria e Kosovës po vepron e izoluar, pa koordinim të duhur, dhe nganjëherë në kundërshtim me partnerin e saj më të rëndësishëm. Në këtë kontekst, edhe pse nuk ka një deklaratë zyrtare që shpall ndonjë udhëheqës apo institucion si “persona non grata”, kemi hyrë në një fazë që shumë analistë në Prishtinë dhe jashtë saj e përshkruajnë si një “non grata në heshtje” – një formë izolimi diplomatik të pashpallur, por real.

Marrëdhënie që kanë formuar shtetin

Që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008, SHBA-të kanë qenë sponsori më i rëndësishëm i shtetndërtimit të Kosovës. Ndihma amerikane në proceset e çlirimit, sigurisë, njohjes ndërkombëtare, krijimit të institucioneve demokratike dhe mbështetjes për zhvillim ka qenë vendimtare. Kjo ka ndërtuar një marrëdhënie besimi që është konsideruar model në diplomacinë ndërkombëtare.

Por, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, ky besim ka pësuar tronditje serioze.

Shkëndija e parë: Veriu dhe zgjedhjet e kontestuara
Në prill 2023, zgjedhjet komunale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës u bojkotuan nga komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politikë. Megjithë thirrjet ndërkombëtare për shtyrje të procesit dhe krijim të kushteve për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, Qeveria vendosi të vazhdojë me zgjedhjet, duke instaluar kryetarë shqiptarë në komuna pa legjitimitet lokal.

Reagimi i SHBA-së ishte i paprecedent. Ambasadori Jeffrey Hovenier deklaroi më 30 maj 2023:Pasojë direkte ishte pezullimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet e përbashkëta ushtarake – një sinjal i qartë se mbështetja amerikane nuk është e pakushtëzuar.

Rrënja e përplasjes: Asociacioni i Komunave Serbe

Çështja më e ndjeshme mbetet refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të paraparë me Marrëveshjen e Brukselit (2013) dhe të konfirmuar me marrëveshjet e vitit 2023 në Bruksel dhe Ohër. Kryeministri Kurti ka kundërshtuar versionin aktual të asociacionit, duke e konsideruar si kërcënim për funksionalitetin e shtetit dhe rrezik për krijimin e një entiteti destabilizues.

Në vend të tij, është propozuar një draft-statut nga vetë Qeveria, pa koordinim me SHBA-në apo BE-në – i cili u refuzua menjëherë nga ndërmjetësit ndërkombëtarë.

Ndihmëssekretari amerikan, James O’Brien, deklaroi në mars 2024:

Kjo deklaratë u përjetua në Prishtinë si një ultimatum i paprecedent amerikan ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Një ftohje institucionale dhe strategjike
Pas deklaratave, kanë ndodhur veprime konkrete:

-Nuk ka ftesa për liderët kosovarë në vizita zyrtare në Uashington.

-SHBA nuk e përmend më Kosovën ndër prioritetet strategjike për Ballkanin.

-Mbështetja për anëtarësime në organizata ndërkombëtare është ngrirë.

-Është shtuar koordinimi me Serbinë dhe zbehur kritika ndaj Beogradit.

Në të njëjtën kohë, ambasada amerikane në Prishtinë ka shtuar kontaktet me opozitën politike, shoqërinë civile dhe median – një qasje që zakonisht paraprin ndryshimet politike të mbështetura nga jashtë.

A është kjo një “non grata” e mirëfilltë?

Ligjërisht, jo. Asnjë zyrtar i Kosovës nuk është shpallur “persona non grata” nga SHBA. Por diplomatikisht, distanca aktuale e përmbush përmasat e një “non grata në heshtje”:

-Mungesë takimesh të nivelit të lartë,

-Refuzim i bashkëpunimit në projekte strategjike,

-Mospërfshirje në planifikime rajonale,

-Paralajmërime të hapura për pasoja politike dhe financiare.

Ky është një refuzim i heshtur – por serioz. Dhe për një shtet të vogël si Kosova, ky izolim është thellësisht rrezikshëm.

Një moment kritik për Kosovën

Kosova ndodhet në një moment të brishtë: përballë një Serbie që armatoset, një BE-je të lodhur, dhe një bote që përballet me tensione të reja globale. Në këtë klimë, aleanca me SHBA-në nuk është luks, por domosdoshmëri.

Qeveria e Kosovës duhet të kuptojë se retorika nacionaliste nuk është zëvendësim për strategji shtetformuese, se bashkëpunimi me aleatët nuk është garë për rezistencë, por provë për besueshmëri. Dhe mbi të gjitha, se një “non grata në heshtje” është më e rëndë se një shpallje zyrtare – sepse ftohja ndodh pa paralajmërim dhe pa rrugë të qartë për rikthim.

Heshtja si alarm

Kur SHBA nuk flet më me ty, por flet për ty – dhe shpesh kundër teje – atëherë nuk je më partner. Je kthyer në subjekt shqyrtimi. Kosova duhet të dalë sa më shpejt nga kjo zonë e ftohtë dhe të rikthejë besimin që u ndërtua me mund dhe përkushtim ndër vite. Sepse fati i shtetit të Kosovës nuk mund të ndërtohet në vetmi, por vetëm në partneritet të ngushtë me ata që ishin aty në fillim – dhe duhet të jenë aty edhe në fund.

Filed Under: Rajon

Maqedonia e Veriut dhe oligarkia në ekonomi, media, religjion dhe siguri

May 19, 2025 by s p

Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të shqyrtojë seriozisht idenë e një protektorati funksional në fushën e drejtësisë – jo si akt ndërhyrjeje, por si masë mbrojtëse për vetë investimin që është bërë ndër vite. Një sistem i qartë dhe i detyrueshëm llogaridhënieje për fondet, programet dhe mbështetjen e dhënë do të ishte në përputhje me vlerat evropiane të transparencës dhe drejtësisë.

Prof.dr. Skender ASANI

Në shikim të parë, duket se Maqedonia e Veriut po përjeton një fazë të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të harmonizimit të brendshëm politik. Megjithatë, pas kësaj fasade optimiste, vazhdon të shfaqet një realitet më kompleks, i cili kërkon një vëmendje të kujdesshme dhe një lexim të nuancuar të zhvillimeve të fundit. Kjo është një periudhë ku maturia politike dhe pjekuria diplomatike janë më të nevojshme se kurrë, për të mbajtur balancën e brishtë mes shumicës dhe bashkësive të tjera përbërëse të shtetit.

Gjatë viteve të fundit, Maqedonia e Veriut ka treguar përpjekje për të ruajtur stabilitetin ndëretnik, por këto përpjekje nuk janë përkthyer gjithnjë në barazi reale në terren. Retorika e bashkëjetesës dhe e integrimit është e pranishme në diskursin politik, por shpesh mbetet e kufizuar në deklarata, ndërsa në praktikë, strukturat vendimmarrëse dhe përfaqësimi institucional vazhdojnë të reflektojnë një disproporcion që nuk përputhet me realitetin demografik dhe kontributin historik të të gjitha komuniteteve.

Përveç pengesave politike të dukshme, ekzistojnë struktura të thella që minojnë çdo përpjekje për një rend të ri demokratik. Një ndër to është sistemi gjyqësor, i cili për dekada me radhë ka qenë në fokus të reformave të sponzorizuara nga partnerët ndërkombëtarë – përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Megjithëse janë investuar fonde të konsiderueshme për ta bërë drejtësinë vendore kompatibile me standardet perëndimore, në realitet, shumë nga këto përpjekje janë devijuar nga elitat politike vendore që kanë synuar ta mbajnë sistemin gjyqësor nën kontroll.

Në mënyrë të veçantë, vlen të theksohet praktika e rotacionit politik që, në vend se të garantojë pluralizëm institucional, është shndërruar në një instrument për ta riinstaluar ndikimin mbi drejtësinë. Çdo qeveri e re nuk kufizohet vetëm në riformësime formale, por shkon përtej, duke dirigjuar thellësisht sistemin gjyqësor nëpërmjet mekanizmave të fshehtë të ndikimit dhe ndërhyrjeve selektive. Shembulli më ilustrues është rasti i Prokurorisë Speciale, e cila nisi me ambicie për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, por përfundoi duke u shkatërruar nga brenda, përmes aferave të fabrikuara dhe korruptimit sistematik të figurave kyçe. Në prapaskenë të këtij dështimi qëndroi një strukturë e përhershme oligarkike, e kamufluar mjeshtërisht me petkun e partive politike dhe retorikën e reformave.

Nuk mund të anashkalohet as roli gjithnjë e më problematik i Gjykatës Kushtetuese, e cila në raste të përsëritura është instrumentalizuar politikisht për të legjitimuar vendime që prishin balancat e brendshme etnike, fetare dhe ndërshtetërore. Në vend që të shërbejë si gardiane e kushtetutshmërisë dhe si garantuese e barazisë mes qytetarëve, kjo gjykatë ka vepruar shpesh si katalizator për tensione të reja, duke interpretuar ligjin sipas vullnetit të mazhorancës dhe jo në funksion të bashkëjetesës së ndjeshme që kërkon vendi. Kjo qasje ka nxitur dyshime të thella në opinionin publik dhe ka minuar besimin në drejtësi si një hallkë e pavarur e shtetit.

Në këtë kontekst, ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të shqyrtojë seriozisht idenë e një protektorati funksional në fushën e drejtësisë – jo si akt ndërhyrjeje, por si masë mbrojtëse për vetë investimin që është bërë ndër vite. Një sistem i qartë dhe i detyrueshëm llogaridhënieje për fondet, programet dhe mbështetjen e dhënë do të ishte në përputhje me vlerat evropiane të transparencës dhe drejtësisë.

Një tjetër pengesë madhore për një qasje të re në bashkëjetesë dhe për një integrim të sinqertë në strukturat euroatlantike është oligarkia e formuar gjatë katër dekadave të fundit. Kjo klasë e konsoliduar politike dhe ekonomike ka ndërtuar një sistem të mbyllur, që pengon çdo tentativë për reforma të mirëfillta shtetërore. Në vend të transformimit, kemi pasur vetëm adaptim sipërfaqësor, ku interesat private fshihen pas retorikës publike. Kjo oligarki, përmes ndikimit në ekonomi, media, religjion dhe siguri, e ruan me fanatizëm strukturën unitariste të shtetit, duke e përjetuar çdo hap drejt barazisë reale si kërcënim për privilegjet e saj.

Në mënyrë subtile, por të qëllimshme, kjo strukturë saboton balancat etnike, fetare dhe socio-ekonomike, duke e paraqitur çdo kërkesë për më shumë përfshirje si tendencë për destabilizim. Kështu, pengesat për integrimin evropian nuk burojnë vetëm nga jashtë, por janë të brendshme, sistematike dhe të mirëorganizuara.

Është e rëndësishme që në këtë fazë të vendit, të gjitha palët politike të angazhohen në një reflektim të thellë rreth modelit të bashkëqeverisjes që ka funksionuar deri më tani. A ka ardhur koha që ky model të evoluojë nga një bashkëjetesë e toleruar drejt një partneriteti të sinqertë dhe funksional? A është momenti që vetë struktura e shtetit të rikonceptohet mbi bazën e besimit të ndërsjellë dhe jo mbi ruajtjen me çdo kusht të një status quo-je të padrejtë?

Sepse historia nuk fal stagnimin, dhe brezat që vijnë do të gjykojnë mbi bazën e asaj çfarë u trashëguam e çfarë guxuam të ndryshojmë. Koha e llogaridhënies ka trokitur. Është momenti për të ndërtuar një rend të ri politik – jo mbi themelet e frikës dhe kontrollit, por mbi besimin, drejtësinë dhe barazinë. Në këtë rrugëtim, heshtja nuk është më neutralitet: është bashkëpjesëmarrje në dështim. Dhe kush hesht sot, s’mund të thotë nesër se s’dinte.

Filed Under: Rajon

“Dialogu Kosovë–Serbi”, një interpretim politik

May 18, 2025 by s p

Nga Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Që nga fillimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2011, Kosova ka dëshmuar angazhim të palëkundur për të gjetur rrugë të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky proces ka qenë i mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e vizionit për stabilitet dhe paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Por ndërkohë që Kosova ka zbatuar pjesën dërrmuese të marrëveshjeve të arritura, Serbia ka zhvilluar një strategji të qartë të moszbatimit, bllokimit dhe sabotimit, duke dëmtuar besimin në proces dhe duke përçuar mesazhin se mund të përfitohet edhe pa përmbushur detyrimet ndërkombëtare.

Çfarë ka ndodhur që nga Marrëveshja e Brukselit?

Në vitin 2013, u arrit Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve. Ajo parashihte shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë së Serbisë në veri të Kosovës, integrimin e policisë, drejtësisë dhe administratës brenda institucioneve të Kosovës dhe krijimin e një forme bashkëpunimi për komunat me shumicë serbe, por gjithmonë në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës.

Por çfarë ndodhi?

Serbia nuk integroi realisht policinë paralele, përkundrazi strukturat e sigurisë të financuara nga Beogradi vazhduan aktivitetin ilegal në veri, shpesh në bashkëpunim me grupe kriminale.

Financimet ilegale dhe kontrolli politik i Beogradit mbi komunat veriore nuk u ndërprenë asnjëherë, përkundër obligimeve për normalizim.

Marrëveshja për njohjen e diplomave, e nënshkruar qysh në 2011, nuk është zbatuar as në vitin 2025 – një pengesë e madhe për të rinjtë kosovarë që studiojnë jashtë ose kërkojnë punësim në rajon.

Marrëveshja e Ohrit – një marrëveshje në letër, e shkruar për të mos u zbatuar

Në mars 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, me një aneks të qartë për zbatim. Marrëveshja parashihte:

Njohje de facto të dokumenteve të shtetit të Kosovës.

Mospengim të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Zbatim të ndërsjellë të obligimeve ndërkombëtare.

Në vend të kësaj, çfarë pamë?

Serbia loboi hapur kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me pikën 4 të Marrëveshjes së Ohrit.

Asnjë dokument zyrtar i Kosovës – as leternjoftimet, as diplomat, as targat – nuk pranohen ende nga Serbia.

Çdo diskutim për zbatim është kthyer në një mjet për të ushtruar presion mbi Kosovën, kryesisht për çështjen e Asociacionit, i cili po përdoret si shantazh politik.

Rasti Banjskë – prova e drejtpërdrejtë e agresionit të organizuar

Më 24 shtator 2023, në Banjskë ndodhi një akt i rëndë: një grup i armatosur paramilitar sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Hetimet, përfshirë edhe raportimet e mediave ndërkombëtare si New York Times dhe BBC, konfirmuan se grupi ishte i lidhur me strukturat e sigurisë të Serbisë dhe se operacioni kishte përkrahje të organizuar nga Beogradi.

Përgjigjja ndërkombëtare ishte e vakët. Përkundër një akti të qartë agresioni, Serbia nuk u sanksionua, ndërsa Kosova u nxit të mos “provokojë” më shumë tensione. Kjo qasje, e cila shpërblen agresorin dhe qorton viktimën, është thellësisht e padrejtë dhe dëmton themelet e dialogut të sinqertë.

Koha për një rishikim të thellë: Dialogu nuk mund të vazhdojë si më parë

Kosova duhet të artikulojë një qëndrim të qartë dhe të fuqishëm:

Dialog po – por me kushte të qarta dhe zbatim të obligimeve ekzistuese nga Serbia.

Asnjë kompromis i ri pa llogaridhënie për marrëveshjet e mëparshme.

Asnjë hap përpara, përfshirë për Asociacionin, pa njohje të ndërsjellë të dokumenteve dhe respekt të sovranitetit të Kosovës.

Kosova nuk mund të jetë palë që “lëviz gjithmonë e para”. Ky model e ka dëmtuar legjitimitetin e institucioneve të saj dhe ka krijuar një asimetri të rrezikshme në raportin me Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndalë së trajtuari këtë dialog si proces ku njëra palë mban përgjegjësi, ndërsa tjetra – Serbia – vetëm përfiton.

Filed Under: Rajon

VATRA në krah të liderëve të UÇK-së: procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë dhe i paanshëm

May 13, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra qëndron në krah të liderëve të UÇK-së dhe shpreh besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë e i paanshëm. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha deklaroi pas takimit me deputetin e Parlamentit të Kosovës z. Artan Behrami. “Sot prita në një takim të veçantë z. Artan Behrami, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për procesin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave të lirisë që udhëhoqën një luftë të drejtë për çlirimin e popullit të Kosovës nga një regjim shtypës dhe kriminal.

Federata VATRA, si zëri historik dhe institucional i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë, i paanshëm dhe të garantojë transparencën që meriton historia jonë kolektive.

VATRA qëndron krah liderëve të UÇK-së që sot padrejtësisht po mbahen larg atdheut, me bindjen se drejtësia do të triumfojë dhe do të vulosë edhe një herë legjitimitetin e luftës sonë për liri” deklaroi kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT