
Nga Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/
Që nga fillimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2011, Kosova ka dëshmuar angazhim të palëkundur për të gjetur rrugë të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky proces ka qenë i mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e vizionit për stabilitet dhe paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Por ndërkohë që Kosova ka zbatuar pjesën dërrmuese të marrëveshjeve të arritura, Serbia ka zhvilluar një strategji të qartë të moszbatimit, bllokimit dhe sabotimit, duke dëmtuar besimin në proces dhe duke përçuar mesazhin se mund të përfitohet edhe pa përmbushur detyrimet ndërkombëtare.
Çfarë ka ndodhur që nga Marrëveshja e Brukselit?
Në vitin 2013, u arrit Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve. Ajo parashihte shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë së Serbisë në veri të Kosovës, integrimin e policisë, drejtësisë dhe administratës brenda institucioneve të Kosovës dhe krijimin e një forme bashkëpunimi për komunat me shumicë serbe, por gjithmonë në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës.
Por çfarë ndodhi?
Serbia nuk integroi realisht policinë paralele, përkundrazi strukturat e sigurisë të financuara nga Beogradi vazhduan aktivitetin ilegal në veri, shpesh në bashkëpunim me grupe kriminale.
Financimet ilegale dhe kontrolli politik i Beogradit mbi komunat veriore nuk u ndërprenë asnjëherë, përkundër obligimeve për normalizim.
Marrëveshja për njohjen e diplomave, e nënshkruar qysh në 2011, nuk është zbatuar as në vitin 2025 – një pengesë e madhe për të rinjtë kosovarë që studiojnë jashtë ose kërkojnë punësim në rajon.
Marrëveshja e Ohrit – një marrëveshje në letër, e shkruar për të mos u zbatuar
Në mars 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, me një aneks të qartë për zbatim. Marrëveshja parashihte:
Njohje de facto të dokumenteve të shtetit të Kosovës.
Mospengim të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
Zbatim të ndërsjellë të obligimeve ndërkombëtare.
Në vend të kësaj, çfarë pamë?
Serbia loboi hapur kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me pikën 4 të Marrëveshjes së Ohrit.
Asnjë dokument zyrtar i Kosovës – as leternjoftimet, as diplomat, as targat – nuk pranohen ende nga Serbia.
Çdo diskutim për zbatim është kthyer në një mjet për të ushtruar presion mbi Kosovën, kryesisht për çështjen e Asociacionit, i cili po përdoret si shantazh politik.
Rasti Banjskë – prova e drejtpërdrejtë e agresionit të organizuar
Më 24 shtator 2023, në Banjskë ndodhi një akt i rëndë: një grup i armatosur paramilitar sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Hetimet, përfshirë edhe raportimet e mediave ndërkombëtare si New York Times dhe BBC, konfirmuan se grupi ishte i lidhur me strukturat e sigurisë të Serbisë dhe se operacioni kishte përkrahje të organizuar nga Beogradi.
Përgjigjja ndërkombëtare ishte e vakët. Përkundër një akti të qartë agresioni, Serbia nuk u sanksionua, ndërsa Kosova u nxit të mos “provokojë” më shumë tensione. Kjo qasje, e cila shpërblen agresorin dhe qorton viktimën, është thellësisht e padrejtë dhe dëmton themelet e dialogut të sinqertë.
Koha për një rishikim të thellë: Dialogu nuk mund të vazhdojë si më parë
Kosova duhet të artikulojë një qëndrim të qartë dhe të fuqishëm:
Dialog po – por me kushte të qarta dhe zbatim të obligimeve ekzistuese nga Serbia.
Asnjë kompromis i ri pa llogaridhënie për marrëveshjet e mëparshme.
Asnjë hap përpara, përfshirë për Asociacionin, pa njohje të ndërsjellë të dokumenteve dhe respekt të sovranitetit të Kosovës.
Kosova nuk mund të jetë palë që “lëviz gjithmonë e para”. Ky model e ka dëmtuar legjitimitetin e institucioneve të saj dhe ka krijuar një asimetri të rrezikshme në raportin me Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndalë së trajtuari këtë dialog si proces ku njëra palë mban përgjegjësi, ndërsa tjetra – Serbia – vetëm përfiton.