• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare dhe beteja për sovranitet në rendin ndërkombëtar

December 31, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Një shtet që u ndërtua me rezistencë, jo me favore

Republika e Kosovës nuk është produkt i rastësisë historike, as rezultat i një vendimi të izoluar politik. Ajo nuk u dhurua, por u ndërtua me rezistencë të organizuar, sakrificë të lartë dhe një proces të gjatë legjitimimi juridik, politik dhe ndërkombëtar. Historia e saj është histori e një populli që refuzoi zhdukjen politike dhe juridike, duke zgjedhur rrugën më të vështirë: ndërtimin e shtetit përballë mohimit, represionit dhe indiferencës globale.

Çdo përpjekje për ta fragmentarizuar këtë proces – duke mohuar njërën fazë apo duke relativizuar tjetrën – përbën deformim të së vërtetës historike dhe relativizim të vetë shtetësisë së Kosovës. Pa rezistencën paqësore, Kosova nuk do të kishte legjitimitet moral; pa luftën çlirimtare, nuk do të kishte çlirim; pa ndërhyrjen e NATO-s, nuk do të kishte shpëtim nga spastrimet etnike; dhe pa pavarësinë e vitit 2008, nuk do të kishte subjektivitet ndërkombëtar.

1. Autonomia e mohuar dhe kolonializmi i brendshëm (1989)

Heqja e autonomisë kushtetuese të Kosovës nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në vitin 1989 ishte akti kryesor i shkatërrimit të rendit kushtetues jugosllav. Ky veprim shkelte Kushtetutën e vitit 1974, shfuqizonte parimin e barazisë federative dhe instalonte një regjim represiv mbi shumicën shqiptare.

Kosova u transformua nga një njësi konstituive de facto në një territor të administruar me forcë, duke krijuar elemente të qarta të kolonializmit të brendshëm – fenomen i njohur edhe në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore. Populli i Kosovës u përball me zgjedhjen historike mes zhdukjes politike dhe rezistencës. Ky moment shënoi fillimin e një epoke të re të organizimit shoqëror dhe politik të shqiptarëve në Kosovë.

2. Gandizmi kosovar: rezistenca paqësore si arkitekturë shtetërore (1989–1997)

Strategjia e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Dr. Ibrahim Rugova ishte rezistencë e menduar dhe e strukturuar. Ajo synonte: mbijetesën kombëtare, ruajtjen e institucioneve sociale, dhe fitimin e mbështetjes ndërkombëtare.

Institucionet paralele, referendumi i vitit 1991, zgjedhjet e brendshme dhe diplomacia rugoviane krijuan një realitet politik paralel që i dha Kosovës legjitimitet moral, identitet politik dhe subjektivitet embrional ndërkombëtar. Ky model u krahasua me rezistencën indiane të Gandit, lëvizjen anti-apartheid në Afrikën e Jugut dhe disidencën paqësore në Evropën Lindore. Pa këtë fazë, Kosova nuk do të kishte asnjë bazë morale për të kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare më vonë.

3. UÇK-ja dhe e drejta për vetëmbrojtje (1997–1999)

Kur u shterën të gjitha mjetet paqësore dhe represioni u shndërrua në spastrim etnik, u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Lufta e saj ishte reagim ndaj dhunës shtetërore, shprehje e së drejtës natyrore për vetëmbrojtje, dhe komponent i domosdoshëm i çlirimit.

Krimet masive serbe në Reçak, Mejë, Krushë e Izbicë dhe eksodi i mbi 800 mijë shqiptarëve e bënë të qartë se Kosova nuk ishte më çështje e brendshme e Serbisë, por krizë ndërkombëtare humanitare. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u bë precedent ndërkombëtar për ndërhyrje humanitare, duke shpëtuar popullsinë nga shfarosja.

4. Administrimi ndërkombëtar dhe rruga drejt pavarësisë (1999–2008)

Administrimi ndërkombëtar i UNMIK-ut solli stabilitet, por edhe kufizime të sovranitetit. Megjithatë, kjo periudhë krijoi Kornizën Kushtetuese (2001), institucione vendore dhe negociata diplomatike në Vjenë. Plani i Martti Ahtisaarit ishte kompromisi maksimal midis realitetit politik dhe së drejtës për vetëvendosje, duke krijuar bazën për shpalljen e pavarësisë.

5. Pavarësia dhe legjitimiteti ndërkombëtar (2008–2010)

Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 ishte akt juridik, politik dhe ndërkombëtar. Vendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (2010) konfirmoi se shpallja e pavarësisë nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Kosova u vendos në binar me raste si Timori Lindor, Sudani Jugor dhe proceset e dekolonizimit modern, duke forcuar legjitimitetin e saj ndërkombëtar.

6. Sovraniteti i kufizuar dhe sfidat e funksionalitetit (2008–2020)

Edhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova u përball me sfida serioze: mungesa e anëtarësimit në OKB, mosnjohja nga disa shtete të BE-së, dialog i vështirë me Serbinë, dhe korrupsion strukturor. Shteti ekzistonte juridikisht, por shpesh jo funksionalisht.

7. Lëvizja Vetëvendosje: nga kundërshtimi në përgjegjësi shtetërore

VV u formua si reagim ndaj elitave postluftës dhe administrimit ndërkombëtar. Fitorja elektorale e saj përfaqëson një zhvendosje të besimit qytetar drejt diskursit sovranist, anti-korrupsion dhe të drejtës për vetëvendosje reale. Sfida e saj është të transformojë energjinë protestuese në institucione funksionale dhe politikat e konsolidimit shtetëror.

8. Sovranizimi: sfida e shekullit XXI

Sovranizimi i plotë i Kosovës nënkupton: anëtarësim në OKB, Këshillin e Evropës, NATO dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Kjo kërkon diplomaci të mençur, unitet politik, respekt të plotë kushtetues dhe partneritet strategjik me SHBA dhe BE.

Është sfida kryesore e shekullit XXI për Kosovën: të shndërrohet nga një shtet i njohur pjesërisht në një shtet plotësisht funksional dhe sovran, me institucione që punojnë për qytetarët dhe jo për interesat e ngushta politike.

9. Nga historia te përgjegjësia

Kosova është ndërtuar nga mendja e Rugovës, gjaku i UÇK-së, fuqia e NATO-s dhe vullneti i popullit. Sfida e sotme nuk është më rezistenca, por shtetësia funksionale, sovraniteti i plotë dhe lidershipi përgjegjës. Nuk ka nevojë për mite të reja politike, por për institucione të forta. Nuk ka nevojë për heronj të rinj, por për shtetarë të përgjegjshëm

Filed Under: Rajon

Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë

December 30, 2025 by s p

Nga Kadri Dauti/

Bashkimi (ribashkimi) kombëtar është një aspiratë shumëshekullore dhe e pashuar e kombit tonë. Është një e drejtë historike dhe legjitime e një populli të lashtë, autokton në trojet e veta. E një populli fisnik, liri e paqedashës, që meriton respektin e popujve të tjerë dhe mbarë Evropës për të kaluarën dhe vlerat e tij ndaj identitetit, qytetërimit dhe kulturës evropiane. Asaj Evrope që dikur i ka bërë padrejtësinë më të madhe, duke e ndarë në copa-copa për interesat e saj. 

Ndarja e trojeve shqiptare si prikë fqinjëve tanë ardhacakë, pushtues, nuk mund të mbetet përjetësisht kështu. Nëse në kohën e ndarjes, të Kongresit të Berlinit 1878 dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër 1913, e më pas, sundonin pikëpamje politike fashiste, sot flitet për rend demokratik, për liri e paqe, për drejtësi e sovranitet. Por këto nuk mund të arrihen duke mbuluar padrejtësitë e mëdha që u janë bërë popujve. Konkretisht, pa korrigjuar vendimet e ndarjes së trojeve etnike shqiptare. Se si e kur kjo varet, por jo kurrë. 

Realiteti i sotëm gjeopolitik, me dy shtete shqiptare dhe pjesë të tjera të trojeve shqiptare në Greqi, Maqedoni, Serbi e në Mal të Zi është i hidhur, i padrejtë dhe i papranueshëm për shqiptarët. Përse duhet të jetë e ndarë Kosova nga Shqipëria?! Opinioni evropian e më gjerë e ka të qartë se shqiptarët duan e kërkojnë të jetojnë bashkë në një shtet të vetin kombëtar. Shqiptarët nuk kanë pasur e nuk kanë përse të kenë strategji nacionaliste për “Shqipëri të Madhe”, sikurse Serbia me “Nacertanie-n” dhe Greqia me “Megaliidhe-në”, por kërkojnë vetëm trojet e veta etnike (natyrale) në një shtet kombëtar. Dhe kjo është aspiratë shumëshekullore, një e drejtë e tyre, e cila kurrsesi nuk lidhet me cenimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Përkundrazi, do ndikojë vendosmërisht për stabilitet e paqe, siç e ka dëshmuar përgjatë historisë së tij kombi jonë dinjitoz.  

Legjitimiteti i bashkimit të Kosovës me shtetin amë, Shqipërinë.

Sot Kosova është një shtet i pavarur, falë luftës së tij dhe angazhimit të madh të diplomacisë evropiane, veçanërisht SHBA-së dhe ndihmës së tyre e të NATO-s. U zgjidh një padrejtësi e madhe historike. Se “gjaku i Shqipërisë ka forcuar kombet e tjerë”. Evropa reagoi pozitivisht për fajin e saj të dikurshëm. U çlirua një popull nga një regjim fashist, barbar, i Serbisë, që ka ndjekur një politikë shtypëse, shkombëtarizuese, shfarosëse e ka kryer masakrat më çnjerëzore mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe atë të Bosnjë-Hercegovinës. Por ironia është se përse Kosova të jetë një shtet i ndarë nga trungu amë? Përse të jenë dy shtete shqiptare? Përse populli i Kosovës nuk është i lirë të vendos vetë për fatin e tij? Në dinamikën gjeopolitike dhe gjeostrategjike sot, Evropa nuk mundet të lëngojë më nga plagët e vjetra. Aspirinat e diplomacisë nuk i shërojnë dot. 

Para objektivit tonë politik, anëtarësimi në BE, duhet të qëndrojë aspirata jonë kombëtare: bashkimi i trojeve etnike shqiptare. Para se Shqipëria të anëtarësohet në BE, duhet të bashkohet Kosova me Shqipërinë në një shtet dhe të futen si një trup i vetëm në BE. Sepse jemi një komb, kemi një identitet. Nuk ka komb kosovar, historikisht ka vetëm një komb: komb shqiptar.

Nuk ka kuptim që në BE, në NATO, në OKB një komb të përfaqësohet me dy shtete, me një flamur kombëtar.  A ka në BE, në NATO dy shtete me një identitet, me një flamur, gjuhë e himn? Përndryshe, nesër, kur Shqipëria e Kosova të jenë në BE, në parlamentin Evropian do jenë deputet shqiptarë të dy vendeve, plus deputetët shqiptarë të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, për shkak përfaqësisë së minoriteteve atje. Për shqiptarët kjo do ishte një e mirë për të ndikuar në vendimmarrjet e institucioneve evropiane me votat e deputetëve shqiptarë, por kjo nuk qëndron përpara idealit kombëtar.   

Bashkimi i Kosovës me shtetin amë, Shqipërinë, nuk është vetëm në interesin tonë kombëtar, por është edhe në interes të drejtësisë, paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit. Sepse një shtet shqiptar më i fortë, do luaj një rol vendimtar në ruajtjen e ekuilibrave gjeopolitik të rajonit, të paqes e stabilitetit në Ballkan. Do ndikonte në politika më të mira mirëkuptimi mes fqinjëve, duke ndikuar më shumë zhvillimin ekonomik dhe lehtësimin edhe të BE nga ana diplomatike, politike e ekonomike. Flasim për Evropë të Bashkuar, për kombe të bashkuara dhe jo më për një komb të bashkuar. 

Korrigjimi i padrejtësisë së ndarjes së Kosovës nga trungu amë, sikurse edhe pjesët e tjera të trojeve tona Çamëria, Sanxhaku, Shkupi, Plava, Gucia etj., është kërkuar pareshtur. Rezoluta e Konferencës së Bujanit (31.12.1943 – 2.01.1944), me  përfaqësues të dy kombësive (shqiptarëve dhe serbëve), bazuar në parimin e vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, thoshte: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë. … edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Kjo rezolutë doli në mes zjarrit të luftës për liri kundër nazifashistëve. Garant për këtë ishte UNÇ e Jugosllavisë dhe UNÇSH e Shqipërisë. Për këtë garantonin edhe aleatët e mëdhenj të luftës antifashiste: Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit). Por kjo aspiratë edhe sot nuk është realizuar, për shkak të politikës shoviniste, gllabëruese të Serbisë, që riokupoi në 1945 Kosovën.  

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do ishte thjesht një akt korrigjimi i padrejtësisë së Konferencës “kazino politike” të Ambasadorëve në Londër 1913. Fundja a nuk mbahet Evropa e bota sot mbi tre shtyllat: drejtësi, paqe e stabilitet? Këtë kërkojmë edhe ne. Dhe kurrsesi nuk jemi kundër interesave strategjike të miqve tanë. 

Kush e çfarë e pengon bashkimin?

Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mund dhe po e pengojnë sot për sot, por askush nuk mund ta pengojë përjetë. Sepse jemi vëllezër, kemi një identitet, jemi një komb. Ne, populli me shpirt e me zemër jemi të bashkuar dhe askush nuk na pengon dot. As propaganda antishqiptare për një identitet dhe komb kosovar e sajuar në kuzhinat e Serbisë fashiste, që akoma vazhdon me egërsinë e saj kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. 

Politikisht na pengon politika shqiptare dhe gjeopolitika e diplomacia evropiane. Hipokrizitë e politikanëve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë duhet të marrin fund. Me interesat e aspiratat tona kombëtare nuk mund të bëjnë tregti për pushtet politikanët amoralë. Ata e premtojnë në fushata elektorale bashkimin kombëtar, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por e harrojnë sa vijnë në pushtet, se janë të ligj. Fatkeqësisht partitë shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri janë të ndarë e të përçarë egërsisht dhe nuk pritet të punojnë për këtë qëllim madhor kombëtar. Pavarësisht se deklarojnë: “Duam që Kosova të jetë sovrane [dhe] të ketë … të drejtën për t’iu bashkuar Shqipërisë, sepse vetëm kështu do të bëhemi të barabartë me kombet dhe me shtetet e tjerë të zhvilluar demokratikë e përparimtarë të botës”.

Populli shqiptar e do Evropën, se është evropian, por nuk mund të pranojë të jetojë si komb i ndarë në shtete. Nuk mund të pranojë më diskriminimin, asimilimin, mosnjohjen e të drejtave etnike dhe qytetare të vëllezërve tanë në Çamëri, Manastir, Gostivar, Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Bujanoc, Metvegjë, Sanxhak, Plavë e Guci. Se kjo është një vetëvrasje politike, një shkatërrim i kazus sonë kombëtare. 

Politika e mos ndryshimit të kufijve nuk është parim universal, nuk është e përjetshme. Një ditë do shuhet. Por në rastin e Kosovës nuk është e qëndrueshme. Sepse, së pari kufijtë u ndryshuan për ish-Jugosllavinë, dhe së dyti, u ndryshuan edhe për Kosovën që u shkëput nga Serbia. 

Problemi është vetëm te Paketa Ahtisari, e cila ndalon bashkimin me Shqipërinë. Por kjo paketë, e padrejtë në shumë anë, një “Kushtetutë antidemokratike edhe shumë diskriminuese për popullin shqiptar të Kosovës” e ka përfunduar qëllimin e saj. Padrejtësia ndaj popullit shqiptar të Kosovës nuk mund të vazhdojë më. Ka ardhur koha të revokohet Pakoja Ahtisari. Me të drejtën ndërkombëtare, është koha që populli i Kosovës të vendos vetë ardhmërinë e tij, sipas parimit të vetëvendosjes të përcaktuar në pikën 2 të Rezolutës 1514 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, datë 14 dhjetor 1962: “Të gjithë popujt kanë të drejtë që të vetëvendosin lirshëm; në përputhje me këtë të drejtë ata përcaktojnë lirshëm statusin e tyre politik dhe ndjekin në mënyrë të lirë zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor.” Për këtë luftoi populli i Kosovës në 1998-1999. Kosova nuk ka përse të jetë më peng i dialogut me Serbinë, kur ajo është rreshtuar qartë me BE-n, SHBA-në dhe NATO-n. Për këtë mjafton vullneti i diplomacisë evropiane. Ne besojmë se ka kaluar koha kur “Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë” – siç tha ish-ambasadori fisnik amerikan G. F. Williams më 15 nëntor 1915 në Boston në tubimin e shqiptarëve. Diplomacia evropiane duhet ta dijë që, ne kemi etje për liri dhe jemi racë e fortë. Sakrificat, gjakun dhe amanetin e të parëve tanë kurrë nuk do i harrojmë. Kurrë!

Evropa sot e di që ne, populli, jemi të bashkuar shpirtërisht e kulturalisht. Kufijtë mes nesh janë thjesht gjeografik. Piramidat kufitare të vendosura nga Komisioni i Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë ne i kemi hequr tashmë. Pengesat për këtë vullnet të shqiptarëve janë subjektive, politike. Na pengon vetëm vullneti politik i Evropës. Evropa e pranon tashmë se ne, populli shqiptar jemi më të dëshirueshmit e më të dashurit, sepse kemi “në të njëjtën kohë elementët e forcës, burrërinë, kurajën, të lidhura me devotshmërinë më të butë dhe më të ligjshme.” Edhe ne jemi Evropa. Nuk jemi as lindje e as perëndim, por jemi Perëndim, identiteti i Evropës.

Vetëvendosje!

Padyshim vetëvendosje. Sepse parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje është parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, që në shtëpinë e vetë secili vendos sipas vullnetit të tij. Vetëvendosja e lirë e gjithë shqiptarëve në një Evropë të lirë duhet të sjellë bashkimin tonë. Ne vendosim se çfarë do bëjmë: do bashkohemi një ditë politikisht. Hapësirat shqiptare në Greqi, Maqedoni, Serbi e në Mal nuk mund të mbeten nën kolonializmin e tyre. Kur dhe si do e vendosim bashkë me diplomacinë evropiane dhe amerikane. 

Ne nuk kemi asnjë plan të fshehtë bashkimi dhe as nuk e kemi të fshehur qëllimin tonë për tu bashkuar si komb. Se nuk shquhemi për plane të fshehta e djallëzore. Por kemi një qëllim madhor si komb i lirë e demokratik: bashkimi me demokracitë perëndimore. 

Logjika e ftohtë e pranon që, nesër, në BE në NATO apo në OKB nuk ka përse të jenë dy shtete shqiptare, me dy flamuj, me dy himne, me dy vota, kur kanë një identitet, një rrënjë, një histori dhe një kulturë. Që Shqipëria dhe Kosova do të jenë një shtet dhe kombi shqiptar do jetë një entitet politik kjo është thjesht çështje kohëzgjatje procesi, jo qëllimi në vetvete. Kur flitet të bashkohemi në BE, përse të mos bashkohemi më parë si entitet politik! 

Ne jemi popull sovran dhe kemi vullnetin tonë: bashkimi kombëtar. Populli shqiptar e ka deklaruar hapur dhe me vepra verdiktin e vetë për bashkim dhe nuk ka nevojë për referendum. Pritet verdikti diplomatik e politik. 

………..

Tiranë, më 23 dhjetor 2025.

Filed Under: Rajon

SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?

December 24, 2025 by s p

Deklarata e Brukselit dhe paralajmërimi amerikan krijojnë një kuadër të qartë veprimi: mosveprimi nuk është neutralitet, por vetëshkatërrim institucional. Pa ndryshime kushtetuese të thella, rivendosje të plotë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe rikthim të orientimit euroatlantik, perspektiva e integrimit evropian shndërrohet në një iluzion, ndërsa shteti ngelet i ngrirë në një tranzicion të pasigurt dhe të rrezikshëm.

Nga Prof. Dr. Skënder Asani

Deklarata e Brukselit e Samitit BE–Ballkani Perëndimor të 17 dhjetorit përfaqëson një pikë kthese historike për Maqedoninë e Veriut, një moment kritik ku të ardhmen e vendit nuk e përcaktojnë më vetëm retorika politike apo premtime boshe, por aftësia reale institucionale, vizioni politik dhe respekti ndaj integritetit kushtetues. Ky dokument nuk është thjesht një instrument diplomatik, por një paralajmërim strategjik dhe një ultimatum i qartë: elita politike e vendit është vënë përballë përgjegjësisë historike për të garantuar stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike. Fundi i epokës së iluzioneve integruese është këtu; koha e solidaritetit simbolik dhe stagnimit procedural ka mbaruar. Integrimi i Maqedonisë së Veriut rikthehet në logjikën e ftohtë të përgjegjësisë shtetërore dhe juridike: progresi matet tani me reforma të verifikueshme, konsolidim institucional, respekt rigoroz të standardeve demokratike dhe barazisë ndëretnike, si dhe me implementimin e domosdoshëm të ndryshimeve kushtetuese që regullojnë kontekstin maqedono-bullgar. Mosveprimi ose vonesa nuk janë vetëm gabime politike; ato janë kërcënime reale për stabilitetin, integritetin dhe perspektivën e vendit në skenën euroatlantike.

Ky paralajmërim nuk vepron në izolim. Ai lidhet ngushtë me rezonancën transatlantike, të artikuluar në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së, të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump, ku theksohet se stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Ballkanit Perëndimor janë interes strategjik amerikan. Në këtë kuadër, Maqedonia e Veriut nuk është më një aktor i brendshëm i pazgjedhur, por pjesë e një arkitekture sigurie ndërkombëtare ku çdo devijim nga kursi euroatlantik, çdo flirtim me agjenda lindore dhe çdo dobësim i kohezionit të brendshëm nuk përbëjnë më thjesht çështje politike e brendshme, por kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal dhe besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit. Çdo shmangie nga Marrëveshja e Ohrit dhe Marrëveshja e Prespës nuk është vetëm shkelje ligjore, por akt destabilizues që minon themelet e bashkëjetesës etnike, besueshmërinë ndërkombëtare dhe perspektivën euroatlantike të vendit. Respektimi i këtyre marrëveshjeve është jo vetëm detyrim ligjor dhe politik, por edhe provë e qartë e përkushtimit të Maqedonisë së Veriut ndaj rendit demokratik dhe sigurisë rajonale, duke treguar se shteti është i aftë të qëndrojë fort në arkitekturën e stabilitetit ndërkombëtar.

Kronologjia e zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, kur krahasohet me Deklaratën e Bashkimit Evropian dhe dekretin e Presidentit Trump, zbërthen një realitet shqetësues dhe të qëllimshëm: dobësimi i Marrëveshjes së Ohrit, fragmentimi i faktorit shqiptar, eliminimin e subjektit politik i dalur nga kompromisi i vitit 2001 dhe shpërndarja e premtimeve financiare jorealiste, së bashku me hapjen e pa matur ndaj ndikimeve serbe dhe ruso-kineze, kanë zhvendosur orientimin strategjik larg Perëndimit dhe e kanë ekspozuar vendin ndaj rreziqeve ekstreme politike, ekonomike dhe institucionale; këto nuk janë devijime spontane, por projeksione të qëllimshme që minojnë themelet e shtetit, komprometojnë besueshmërinë e tij rajonale dhe rrezikojnë çdo perspektivë euroatlantike, duke e vendosur Maqedoninë e Veriut në një moment historik kritik, ku çdo heshtje, çdo vonesë dhe çdo devijim shtesë mund të shndërrohet në pasoja të pariparueshme për stabilitetin, identitetin dhe orientimin strategjik të vendit.

Pasojat e këtyre devijimeve janë dramatike dhe të dukshme. Keqmenaxhimi financiar, zbrazja e buxhetit, rënia e standardit jetësor, rritja e tensioneve ndëretnike dhe degradimi i pozitës kushtetuese të shqiptarëve nuk janë më indikacione të izoluar; ato përbëjnë një spirale krize që ushqehet nga paaftësia për vendimmarrje strategjike dhe mungesa e vizionit shtetëror. Marrëveshjet e improvizuara mbi sistemimin e emigrantëve, të hartuara pa transparencë dhe debat institucional, nuk mund të konsiderohen më politika migratore, por akt i hapur destabilizues që ushqen ndarjet e brendshme dhe erozionin e institucioneve shtetërore.

Deklarata e Brukselit dhe paralajmërimi amerikan krijojnë një kuadër të qartë veprimi: mosveprimi nuk është neutralitet, por vetëshkatërrim institucional. Pa ndryshime kushtetuese të thella, rivendosje të plotë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe rikthim të orientimit euroatlantik, perspektiva e integrimit evropian shndërrohet në një iluzion, ndërsa shteti ngelet i ngrirë në një tranzicion të pasigurt dhe të rrezikshëm.

Në këtë kontekst, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë instrument formal politik, por domosdoshmëri strategjike për rivendosjen e legjitimitetit, ekuilibrit dhe orientimit shtetëror. Për faktorin politik shqiptar, përgjegjësia nuk është dilemë taktike, por test i aftësisë për të ruajtur rolin shtetformues dhe stabilitetin rajonal. Vetëm një qasje e bashkuar, e bazuar në vizion të qartë dhe strategji të konsoliduar, mund të rikthejë peshën institucionale të shqiptarëve si shtyllë e integrimit euroatlantik dhe garantues të stabilitetit rajonal.

Ky është moment historik ku Maqedonia e Veriut duhet të zgjedhë midis stagnimit të dëmshëm dhe veprimit të vendosur strategjik. Orientimi drejt Perëndimit dhe konsolidimi i integrimit euroatlantik nuk janë opsione, por imperativ historik; çdo devijim nga stabiliteti, çdo fragmentim i brendshëm dhe çdo tolerim i improvizimeve politike shndërrohet në kërcënim të drejtpërdrejtë për të ardhmen e shtetit. Për shqiptarët dhe të gjithë aktorët e vendit, kjo është thirrja për unitet, vizion dhe përgjegjësi: ndërtimi i një shteti funksional, me institucione të forta, barazi kushtetuese dhe pjekuri politike, që garanton paqe, zhvillim të qëndrueshëm dhe besueshmëri ndërkombëtare.

Heshtja dhe pasiviteti nuk mund të jenë më zgjidhje; veprimi i guximshëm, i menduar dhe i koordinuar me partnerët euroatlantikë është e vetmja rrugë për të transformuar krizën në pikë kthimi historik, për të rikthyer stabilitetin rajonal dhe perspektivën e sigurt të Maqedonisë së Veriut si aktor i fuqishëm dhe i përgjegjshëm në arkitekturën euroatlantike.

Në këtë moment të ndërlikuar historik, çdo vendim i drejtuesve politikë shqiptarë dhe maqedonas nuk është më çështje taktike, por vendos për të ardhmen e një shteti, për rolin e tij në rajon dhe për besueshmërinë e tij ndërkombëtare. Ky është çasti ku historia dhe politika bashkohen në një pikë kritike, ku veprimi i vendosur dhe strategjik mund të transformojë krizën në një mundësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar një shtet modern, funksional dhe euroatlantik.

Filed Under: Rajon

ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË

December 22, 2025 by s p

Prend Ndoja, SHBA/

Në hapësirën politike mediat shpesh janë të mbushura me ankesa, kritika të ashpra dhe zhgënjime drejtuar udhëheqësve politikë në trojet shqiptare. Por, kësaj radhe, ndihem i gëzuar të shkruaj për meritat e presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila ka fituar respektin me punën e përkushtimin e saj. Ajo po triumfon mbi sfidat dhe po shkëlqen në skenën politike dhe diplomatike të vendit. Pas vdekjen se presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës, akrepat e orës politike në vendin tonë e humbën ritmin për një kohë të gjatë. Me inkuadrimin e znj. Vjosa Osmani në skenën politike, akrepat e kësaj ore u akorduan dhe filluan sërish të lëvizin sipas akordeve të arkitektit e themeluesit të shtetit të Kosovës, presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës. Zonja Osmani në çdo hap synon rikthimin e energjisë së humbur politike, në një frymëmarrje të re që i përshtatet ritmit të kohës.

Zbërthimi nga një atmosferë që e rrethonte, nuk ishte i lehtë; nuk ishte e lehtë të ndërtonte një diplomaci të drejtë dhe parimore, në një mjedis ku rrjetet korruptuese kishin pllakosur vendin dhe pengonin depërtimin e çdo përpjekjeje të sinqertë për reforma dhe transparencë. Për t’i realizuar aspiratat e saj, ajo ishte e detyruar të largohej nga kështjella që po rrënohej nga brenda, nga një strukturë që asokohe nuk e mbante më dot peshën e parimeve thelbësore të saj. Gjatë udhës së progresit, ajo gjithmonë i kujton me nostalgji rrënjët dhe gurët e kështjellës që Rugova i kishte themeluar me durim, mençuri dhe vizion. Largimi nuk ishte arratisje, por një akt i domosdoshëm diplomatik, për të ndërtuar një strategji të re dhe të realizueshme, një strategji që, në veçanti, synonte ruajtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të përhershme me SHBA-në dhe BE-në.

Presidentja Osmani, sot, vlerësohet nga shumë njerëz si figurë me peshë në arenën globale, një zë që rezonon me arsye përtej kufijve të Kosovës dhe që kontribuon në rivendosjen e dialogut dhe besimit me qartësi, vendosmëri dhe vizion. Falë angazhimit të saj në takimet e shumta me njerëzit e duhur, e sidomos kohëve të fundit, ajo arriti të projektojë një imazh të Kosovës që kërkon stabilitet, partneritet dhe respekt të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare. Përmes angazhimit të saj diplomatik, Komisioni Europian më në fund ndryshoi mendimin, vendosi të nisë heqjen e masave shtrënguese ndaj Kosovës. Këto masa, të vendosura në korrik të vitit 2023, kishin kufizuar bashkëpunimin financiar dhe institucional me Kosovën, duke krijuar një barrë të rëndë politike dhe ekonomike. Ato masa u panë nga shumëkush si një formë paralajmërimi se politika kosovare nuk ishte më në udhën e duhur. Ato nuk përfaqësonin vetëm një ndëshkim ekonomik; ishin një sinjal i fortë se Kosova duhej të rishikonte strategjinë e saj diplomatike, të rikthente besimin, stabilitetin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me botën – veçanërisht me SHBA-në dhe BE-në.

Nga kjo rrjedhë diplomatike e znj. Presidente, filloi besimi dhe stabiliteti diplomatik për Kosovën. Kjo atmosferë e re u pasqyrua menjëherë në arenën ndërkombëtare, ku filluan të shfaqen njohje dhe mbështetje të reja për shtetësinë e Kosovës. Ky ndryshim shënon jo vetëm një hap para në politikën e jashtme, por edhe një dëshmi se, kur hapet dera e besimit, hapen edhe burimet ekonomike për Kosovën që ishin të ngrira për një kohë të gjatë. Ky besim, hap dritën e gjelbër për qindra milionë euro projekte zhvillimore që BE-ja ka nisur t’i lirojë e të cilat do të reflektojnë drejtpërdrejt jo vetëm në stabilitetin ekonomik të Kosovës, por edhe në fushën e integrimeve euro-atlantike.

Filed Under: Rajon Tagged With: prend ndoja

Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar

December 15, 2025 by s p

31 Vjet Ndërtim Institucional, Ekselencë Akademike dhe Mision Kombëtar

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Në shënimin e 31-vjetorit të themelimit të tij, Universiteti Shtetëror i Tetovës paraqitet si një nga arritjet më të rëndësishme institucionale të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Ky universitet nuk është vetëm një institucion i arsimit të lartë; ai përfaqëson një paradigmë të dijes shqiptare, një projekt historik, akademik dhe kombëtar që ka luajtur rol vendimtar në formimin e elitës intelektuale dhe profesionale shqiptare.

I lindur nga nevoja për barazi arsimore, dinjitet akademik dhe afirmim të gjuhës shqipe, Universiteti Shtetëror i Tetovës është shndërruar në një tempull të dijes, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke dëshmuar se arsimi i lartë është një instrument themelor i emancipimit shoqëror, vazhdimësisë kulturore dhe ndërtimit intelektual të shtetit.

Kam pasur nderin dhe privilegjin të jem pjesë e këtij institucioni që në fillimet e tij, duke ligjëruar lëndë themelore si “Fillet e së Drejtës / Hyrje në të Drejtë”, të cilën e konsideroj si “Alfabetin e Jurisprudencës”, si dhe lëndë nga e drejta kushtetuese, administrative dhe Administrata Publike. Përmes këtyre disiplinave, universiteti ka ofruar jo vetëm dijen profesionale, por ka ndërtuar edhe vetëdijen juridike, qytetare, etike dhe institucionale të studentëve.

Sot, brezat e dalë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës përbëjnë një elitë të gjerë dhe multidisiplinare profesionale: juristë, ekonomistë, inxhinierë, arkitektë, mjekë, pedagogë, edukatorë, artistë, profesionistë të kulturës, studiues dhe specialistë të ndryshëm në fushat shkencore, teknike, artistike, pedagogjike dhe humane. Ata kontribuojnë në ndërtimin e institucioneve funksionale, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën moderne, planifikimin urban, sistemin shëndetësor, reformën e edukimit, krijimtarinë kulturore, artin dhe mirëqenien shoqërore – duke dëshmuar se ky universitet prodhon kapital njerëzor strategjik për kombin shqiptar.

Një nga shtyllat kryesore të këtij suksesi ka qenë bashkëpunimi ndëruniversitar dhe kontributi i profesorëve nga universitetet shqiptare dhe ndërkombëtare, që kanë ndërtuar një kulturë akademike të bazuar në standarde të larta, kërkim shkencor, krijimtari artistike, inovacion pedagogjik dhe multidisiplinaritet funksional. Ky ambient intelektual i integruar e ka pozicionuar Universitetin Shtetëror të Tetovës si një aktor të respektuar dhe konkurrues në hapësirën akademike rajonale, evropiane dhe transatlantike.

Universiteti Shtetëror i Tetovës ka shërbyer gjithashtu si urë akademike, kulturore dhe shpirtërore për diasporën shqiptare, veçanërisht në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes edukimit, artit, kulturës dhe kërkimit shkencor, universiteti ka forcuar lidhjet mes atdheut dhe diasporës, duke krijuar një ndjenjë të përbashkët identiteti, përgjegjësie dhe vizioni të përbashkët. Edhe pse aktualisht gjendem në një angazhim profesional ndërmjet Evropës dhe SHBA-së, lidhja ime akademike dhe shpirtërore me këtë institucion mbetet e pandashme, duke e bërë atë pjesë të pandashme të identitetit tim akademik dhe kombëtar.

Shënimi i 31-vjetorit nuk është vetëm një festë jubileu, por një thirrje për vizion të ri: avancim të kërkimit shkencor dhe artistik, forcim të ekselencës pedagogjike, zgjerim të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe formim të breznive të reja të liderëve akademikë, kulturorë dhe profesionalë. Universiteti Shtetëror i Tetovës mbetet një pasuri kombëtare, një gurthemeli i dijes, edukimit, kulturës dhe krijimtarisë, si dhe një burim frymëzimi të pakapërcyeshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Faleminderim i veçantë i drejtohet Rektorit Prof. Dr. Jusuf Zejneli për ftesën zyrtare dhe për udhëheqjen e jashtëzakonshme institucionale. Universitetit Shtetëror të Tetovës i uroj suksese të mëtejshme dhe një rrugëtim të ndritur në shërbim të dijes, shkencës, edukimit, kulturës dhe kombit shqiptar.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM
  • NJË PIKTURË SI E PIKASOS…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT