• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër

February 10, 2026 by s p

Vjosa Osmani/

Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.

Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri.

Filed Under: Rajon

LIRIA KISHTE EMËR? PO HAGA E DREJTËSISË PSE S’ËSHTË ME DREJTËSINË?

February 10, 2026 by s p

Nga Visar Zhiti/

Tani nga Haga erdhi një pretencë nga më të rëndat, jo vetëm për drejtësinë ndërkombëtare, por edhe për kujtesën historike të luftës çlirimtare të një populli në Europë, të shqiptarëve në Kosovë. Prokuroria kërkoi 45 vjet burg për Hashim Thaçin, 45 vjet burg Kadri Veselin, 45 vjet burg për Rexhep Selimin dhe 45 vjet burg për Jakup Krasniqin. 189 vjet burg. Nuk është ende një vendim gjykate, por prokuroi e hagës është çmendur, vetëm pesha simbolike e kësaj kërkese rëndon si një verdikt paraprak jo vetëm mbi kronikën e kohës, mbi të tashmen dhe historinë, por e pëson e ardhmja.

Dhe kronika e historisë nuk është thjesht dosje juridike. Ajo është dhimbje, gjak, shpërngulje, varre pa emër, por edhe qendresë, sacrifice, ëndërr dhe ringritje, etj, etj. Kam shkruar dikur: jo Kosova në Hagë, por Haga në Kosovë. Dhe më pas: po për gjyqin e Hagës a ka tjetër gjyq? Sot ato më duket më aktuale se më parë.

Gjykimi i historisë apo historia e gjykimit?

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u krijua si krim, por si përgjigje krimit. Ajo lindi nga një terr represioni shtetëror, nga një realitet ku shqiptarët e Kosovës përjetuan përjashtimin sistematik, burgosje, dhunë dhe spastrim etnik. Në një rrethanë të tillë, qendresa mbijetesë dhe kushtrim brezash, të atyre që kishin ikur dhe të atyre që do të vinin.

Të gjykosh sot drejtuesit e saj duke e shkëputur luftën nga koha e saj, nga ai kontekst historik, është një operacion që rrezikon të prodhojë një drejtësi pa kujtesë. Dhe drejtësia pa kujtesë shpesh shndërrohet në krim tjetër, në formalizëm të një politike çnjerëzore.

Ajo po vepron për të gjykuar ekskluzivisht një strukturë të vetme të konfliktit. Pyetja që lind natyrshëm është: a mund të jetë drejtësia e plotë kur është e njëanshme?

Krimet e dokumentuara të aparatit shtetëror serb janë të njohura nga bota. Masakrat, deportimet masive, dhuna sistematike janë pjesë e arkivit të ndërgjegjes europiane. Por historia duket se po futet në një ekuilibër artificial, ku kërkohet një simetri faji edhe aty ku realiteti historik nuk e njeh atë.

Teatri absurd dhe turpi i kohës

Kryeministri i Shqiperisë, Edi Rama, e quajti këtë proces “një teatër absurd të turpit”, duke shtuar se historia nuk rishkruhet me pranga për ata që sollën lirinë.” Nuk është teatër absurt, – shtoj unë, ësht:e absurdi teatral i një krimi tjetër. Ndërsa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se UÇK ishte mburoja e popullit dhe se asnjë gjykatë nuk mund ta njollosë luftën çlirimtare. Nuk janë deklarata politike, por shprehje e një ndjeshmërie të gjerë të një populli në Europë, me histori europiane, “mbrojtëse e qytetërimit europian”. Në këtë proces në Hagë, nuk gjykohen vetëm 4 persona në krye të UÇK- së, por një epokë, një kujtesë kolektive (europiane) dhe një identitet

Rreziku i zhvendosjes morale

Kur viktima dhe agresori vendosen në të njëjtën peshore, te ajo klasikja e Drejtëisë, historia fillon të humbasë drejtimin moral. Drejtësia nuk është thjesht përgjigje juridike; por dhe dallim mes shkakut dhe pasojës. Nëse lufta çlirimtare reduktohet nga kjo Hagë në episod kriminal, atëherë rrezikojmë të krijojmë një narrativë ku popujt që mbrohen dënohen, ndërsa strukturat shtetërore që ushtruan dhunë shpëtojnë në mjegullën e relativizmit po nga kjo Hag:e a si kjo.

Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të ruajnë maturinë dhe unitetin. Mbrojtja e luftës çlirimtare nuk do të thotë mohimi i drejtësisë, por kërkesë për drejtësi të plotë, jo selektive.

Ç’është kjo, drejtësi ap gjykim i një anshëm politik?

E pabesueshme! Kërkesa e Prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik shqiptar. Duket si rast unik në drejtësinë ndërkombëtare një gjykatë e krijuar posaçërisht për të gjykuar vetëm një palë të konfliktit, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në asnjë tribunal tjetër nuk është ndërtuar një mekanizëm i tillë selektiv, ku agresori shtetëror, Serbia, me krimet e saj të dokumentuara, mbetet jashtë këtij gjykimi.

Drejtësia që zgjedh vetëm njërën palë, nuk është neutrale, por as drejtësi, guxoj të them se është vazhdim i krimeve të atyre që nuk i kanë në bankën e të akuzuarit.

Pavarësisht që e dimë se në praktikën e gjykatave ndërkombëtare, kërkesa për dënime maksimale përdoret shpesh si instrument presioni politik dhe psikologjik, jo domosdoshmërisht si reflektim i peshës reale të provave, por këtu kemi diçka më shumë, ndërtimin e një narrative ku lufta çlirimtare trajtohet sikur të ishte projekt kriminal. Kjo zhvendosje e fajit nga struktura shtetërore që ushtroi dhunë, te ata që i bënë ballë asaj, është e rrezikshme dhe me pasoja.

UÇK-ja, zonja Hagë, nuk ishte një ushtri që lindi në paqe. E përs;erisim, ajo lindi nga mohimi i të drejtave të njeriut dhe të një populli, nga dhuna shtetërore, u mbyllën shkolla, u burgosën prindër, qytetarë, u masakrua dhe po dëbohej masivisht jeta shqiptare nga trualli i vet. Të gjykosh jashtë këtij realiteti, do të thotë të kryesh jo vetëm padrejtësi juridike, por dhe të bësh falsifikim moral të historisë.

Sipas meje ka disa lexime të mundshme kjo prapaskenë në teatrin absurd të Hagës:

– Krijimin artificil të përshtypjes se “të gjitha palët janë njësoj fajtore”.

– Lehtësim diplomatik për Serbinë dhe jo vetëm duke relativizuar

përgjegjësinë e saj shtetërore.

– Një drejtësi formale, mënjanëse, që mbyll kapituj, pa i zgjidhur realisht.

Çfarë duhet bërë?

` – Transparencë e plotë dhe debat publik i vazhdueshëm, jo heshtje.

– Mbështetje institucionale dhe shoqërore për të akuzuarit, pa paragjykuar, por duke mbrojtur parimin e drejtësisë së barabartë.

– Kundër-narrativë historike dhe morale, e artikuluar qartë në arenën ndërkombëtare.

– Refuzim i barazimit moral mes agresorit dhe viktimës.

Drejtësia nuk është thjesht zbatim ligji, por edhe kujtesë, ndërgjegje dhe përgjegjësi historike. Kur këto mungojnë, ligji kthehet në antiprocedurë të ftohtë, në “banalizim të së keqes”. Mos duhet në Hagë duhet të postojmë “Procesin” e Franc Kafkës?

Pyes prapë: për gjyqin e Hagës a ka tjetër gjyq?

Filed Under: Rajon

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut: E drejtë e pafundme e shqiptarëve – përdorimi i gjuhës shqipe si shtyllë kushtetuese dhe standard ndërkombëtar

February 9, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Profesor i së drejtës publike, i cili për vite me radhë ka kontribuar në mbajtjen e ligjëratave që nga fillimi i konstituimit të Universitetit Publik të Tetovës.

Në historinë e kombeve, ka momente kur kërkesat për të drejta elementare nuk janë thjesht kërkesa të një komuniteti, por bëhen çështje të drejtësisë, të rendit kushtetues dhe të stabilitetit të shtetit. Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike të Maqedonisë së Veriut është një nga këto çështje. Ajo nuk përbën privilegj, por është një e drejtë e sanksionuar qartë nga Kushtetuta, ligji dhe dokumentet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, si dhe nga Marrëveshja e Ohrit (2001), që përmban detyrime konkrete për barazi gjuhësore dhe zbatim të saj në institucionet shtetërore.

Marrëveshja e Ohrit – themeli juridik i barazisë gjuhësore

Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 është një dokument themelor juridiko-politik i Maqedonisë së Veriut moderne. Ajo nuk ishte thjesht një marrëveshje për ndërprerjen e konfliktit, por prodhoi obligime konkrete kushtetuese dhe ligjore. Nga këndvështrimi i së drejtës kushtetuese, Marrëveshja e Ohrit:imponoi ndryshime të rëndësishme në Kushtetutë;vendosi parimin e barazisë reale ndërmjet komuniteteve;sanksionoi përdorimin e gjuhëve në institucionet publike;krijoi obligime pozitive për shtetin që të sigurojë zbatimin praktik të këtyre të drejtave.

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike nuk është çështje interpretimi politik apo mirëkuptimi, por detyrim juridik që rrjedh drejtpërdrejt nga rendi kushtetues. Çdo devijim nga ky parim cenon themelet e barazisë dhe stabilitetit institucional.

Gjuha shqipe – obligim kushtetues dhe ligjor

Ndryshimet kushtetuese pas vitit 2001 përcaktuan qartë se gjuha shqipe, si gjuhë amtare e një pjese të konsiderueshme të qytetarëve, ka statusin e gjuhës zyrtare në administratën shtetërore dhe institucionet publike përkatëse. Doktrina e së drejtës publike e klasifikon këtë të drejtë si të drejtë me efekt të drejtpërdrejtë, që obligon:administratën publike;organet e drejtësisë;institucionet arsimore;ndërmarrjet dhe agjencitë publike;komunikimin dhe dokumentacionin zyrtar.

Ligji për përdorimin e gjuhëve konkretizon këtë obligim, duke përcaktuar përdorimin e shqipes në komunikimin administrativ, dokumentet zyrtare dhe procedurat institucionale. Çdo moszbatim i këtyre parimeve nuk është thjesht shkelje administrative, por cenim i rendit kushtetues dhe i besimit qytetar.

Roli historik i kërkesave studentore

Lëvizjet studentore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sidomos ato për Universitetin e Tetovës gjatë viteve 1994–1997, përbëjnë shembuj të qartë se si kërkesat intelektuale dhe akademike mund të ndikojnë në transformime kushtetuese. Ligjëratat në kushte të vështira, mobilizimi intelektual dhe presioni publik, së bashku me mbikëqyrjen ndërkombëtare, krijuan një realitet që u reflektua më vonë në Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese. Historia dëshmon se të drejtat e mëdha shpesh fillojnë si kërkesa studentore dhe përfundojnë si norma kushtetuese-ligjore.

Standardet ndërkombëtare të të drejtave gjuhësore

E drejta për përdorimin e gjuhës amtare mbështetet gjithashtu nga instrumentet ndërkombëtare:Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike;Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;Dokumentet e OSBE-së për të drejtat arsimore dhe gjuhësore.

Këto norma përbëjnë standarde të detyrueshme për shtetet demokratike, sidomos për shtetet multietnike. Në këtë kuadër, përdorimi i gjuhës shqipe është:obligim kushtetues;detyrim ligjor;angazhim ndërkombëtar;standard demokratik i shtetit multietnik.

Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë të drejtë është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Gjuha shqipe nuk është luks kulturor, por themel i barazisë, identitetit dhe demokracisë. Respektimi i saj është përgjegjësi kushtetuese, obligim ligjor dhe standard ndërkombëtar. Të gjithë aktorët politikë dhe institucionet duhet ta bëjnë zbatimin e saj prioritet të përditshëm, për të garantuar stabilitetin, harmoninë multietnike dhe shtetin ligjor.

Filed Under: Rajon

Shtylla kushtetuese e unitetit kombëtar dhe prova vendimtare e pjekurisë politike

February 6, 2026 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës përfaqëson një nga shtyllat themelore të rendit kushtetues. Ai nuk është vetëm një figurë protokollare, por një aktor kyç institucional që garanton unitetin e popullit, ruan stabilitetin demokratik dhe funksionimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën. Në vitin 2026, zgjedhja e Presidentit ka marrë një peshë të veçantë për shkak të kontekstit të brendshëm politik, tensioneve rajonale dhe kërkesave ndërkombëtare për konsolidim të shtetit dhe pjekuri demokratike.

Kjo analizë ka për qëllim të evidentojë parimet kushtetuese dhe praktikat krahasimore që lidhen me procesin e zgjedhjes së Presidentit, të theksojë nevojën për konsensus të gjerë dhe të ofrojë rekomandime për një proces që garanton legjitimitet, unitet dhe stabilitet institucional.

I. Roli kushtetues i Presidentit dhe parimi i unitetit

Sipas Nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe garanton funksionimin demokratik të institucioneve. Ky rol ka disa dimensione kushtetuese:

Dimension institucional: Presidenti ka kompetenca të sanksionuara ligjore për dekretimin e ligjeve, emërimin e kryetarit të Qeverisë, shpalljen e zgjedhjeve dhe funksione të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në ekuilibrin e pushteteve.

Dimension politik: Ai është faktor balancues midis shumicës parlamentare dhe opozitës, duke mbajtur një rol gjithëpërfshirës dhe neutral.

Dimension moral dhe shtetëror: Legjitimiteti i tij buron nga pranueshmëria shoqërore dhe konsensusi politik, jo vetëm nga procedura formale e zgjedhjes.

Doktrina ndërkombëtare e së drejtës kushtetuese thekson se institucionet që përfaqësojnë unitetin kombëtar, si Presidenti, duhet të kenë bazë legjitime të gjerë, sepse roli i tyre shtrihet përtej ciklit politik afatshkurtër dhe përfshin ruajtjen e stabilitetit të brendshëm dhe pozitës ndërkombëtare të shtetit.

II. Konsensusi politik si domosdoshmëri kushtetuese

Sistemi parlamentar i Kosovës e kërkon shpesh një shumicë të kualifikuar për zgjedhjen e Presidentit. Ky mekanizëm ka qëllim kushtetues dhe funksional:Parandalon dominimin e një partie të vetme.Detyron dialog dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse.Garanton legjitimitet të brendshëm dhe pranueshmëri ndërkombëtare.

Në mungesë të konsensusit, zgjedhja e Presidentit mund të prodhojë një figurë të kontestuar që nga dita e parë e mandatit, duke dobësuar rolin e tij integrues dhe autoritetin moral, siç është evidentuar në përvojat historike të Kosovës.

III. Ilustrim krahasimor me vende të tjera demokratike

Analiza krahasimore tregon se legjitimiteti i Presidentit lidhet ngushtë me mekanizmat e zgjedhjes dhe konsensusin politik:

Vendi

Mekanizmi zgjedhor

Parimi kryesor

Efekt mbi unitetin

Gjermania

Kolegium Federal (Bundestag + Parlamente landeve)

Dialog gjithëpërfshirës

Presidenti përfaqëson unitetin federal dhe nuk është i polarizuar politikisht

Italia

Parlament (shumicë e kualifikuar në raundet e para)

Kompromis ndërpartiak

Legjitimitet moral dhe politik i Presidentit

Kroacia

Zgjedhje direkte nga qytetarët

Legjitimitet publik i lartë

Presidenti ka autoritet moral mbi partitë, pavarësisht përkatësisë politike

Austria

Zgjedhje direkte, procedurë transparente

Konsensus publik dhe politik

Presidenti stabilizon institucionet dhe përfaqëson unitetin shtetëror

Kosova (2026)

Parlament (shumicë e kualifikuar)

Krahasimet tregojnë qartë se përvoja ndërkombëtare mbështet idenë e konsensusit të gjerë si domosdoshmëri për funksionimin e Presidentit si faktor unifikues.

IV. Dimensioni institucional dhe ndërkombëtar në Kosovë

Presidenti i Kosovës nuk është vetëm një figurë e brendshme; ai është fytyra e shtetit në botë. Në vitin 2026, roli i tij bëhet kritik për:Dialogun Kosovë–Serbi;Procesin e njohjeve ndërkombëtare;Integrimin euroatlantik;Sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Një President pa konsensus politik nuk arrin të ndërtojë autoritet të besueshëm në këto dimensione dhe rrezikon të minojë pozicionin strategjik ndërkombëtar të shtetit.

V. Rekomandime për procesin e vitit 2026

Dialog gjithëpërfshirës politik: Marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës për të siguruar legjitimitet të plotë.

Kandidat me profil shtetëror: Integritet institucional, jo afilacion partiak i ngushtë.

Transparencë dhe përfshirje qytetare: Legjitimiteti i figurës presidenciale vjen edhe nga perceptimi publik.

Përshtatje me standarde krahasimore: Marrë parasysh praktikat e Gjermanisë, Italisë, Austrisë dhe Kroacisë për legjitimitet dhe unitet.

VI. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës në vitin 2026 nuk është vetëm një akt parlamentar. Ajo është provë historike për pjekurinë kushtetuese dhe demokracinë e vendit. Vetëm një zgjedhje konsensuale mund të prodhojë një President që:Përfaqëson unitetin e popullit;Ruhet stabiliteti institucional;Siguron besueshmëri ndërkombëtare;Përforcon pozicionin strategjik të shtetit.

Kosova ka nevojë për President të unitetit, jo për President të shumicës minimale. Ky është momenti që klasa politike të tregojë përgjegjësinë e saj ndaj shtetit dhe jo ndaj interesave të ngushta partiake.

Filed Under: Rajon

SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

January 26, 2026 by s p

Unitarizmi i aplikuar në Maqedoninë e Veriut nuk përfaqëson një formë moderne të organizimit shtetëror, por një mbetje të logjikës centraliste që bie ndesh me frymën e integrimit evropian. Për shqiptarët, përvoja me unitarizmin ka qenë e shënuar nga një kontrast i vazhdueshëm ndërmjet barazisë formale dhe përjashtimit real.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Debati mbi unitarizmin në shtetet me përbërje të theksuar multietnike nuk përbën thjesht një çështje kushtetuese apo organizative, por një problem themelor të filozofisë politike, të legjitimitetit shtetëror dhe të qëndrueshmërisë demokratike. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, ky debat merr një dimension të veçantë për shkak të ndërthurjes së trashëgimisë së konfliktit, procesit të papërfunduar të ndërtimit të shtetit dhe sfidave të integrimit evropian. Brenda këtij konteksti, unitarizmi ka kaluar nga një koncept juridik në një dogmë politike, e cila përdoret selektivisht për të ruajtur status quo-në dhe për të delegjitimuar çdo përpjekje reformuese që cenon strukturat ekzistuese të pushtetit. Në këtë mënyrë, ai ka pushuar së qeni instrument funksional i shtetit dhe është shndërruar në mekanizëm vetëmbrojtës të një rendi politik të mbyllur.

Një analizë e thelluar kërkon dallimin e qartë midis unitarizmit territorial dhe atij institucional. Ndërsa i pari përfaqëson një realitet të konsoliduar dhe të garantuar ndërkombëtarisht, i dyti mbetet burim tensionesh të brendshme dhe pengesë serioze për demokratizimin e shtetit. Integriteti territorial i Maqedonisë së Veriut nuk përbën më një çështje reale politike apo juridike, pasi ai është i mbrojtur nga rendi ndërkombëtar dhe nga anëtarësimi në NATO. Në këtë kuptim, instrumentalizimi i frikës nga rrezikimi i kufijve shfaqet si narrativë artificiale, e ndërtuar për konsum të brendshëm dhe për të shmangur debatin mbi reformimin e brendshëm institucional.

Problemi thelbësor shfaqet në dimensionin e unitarizmit institucional, i cili në praktikë ka prodhuar centralizim të tepruar, uniformizim politik dhe dobësim të mekanizmave të përfaqësimit. Ky model bie në kundërshtim të hapur me parimet mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Evropian, i cili promovon qeverisje shumënivelëshe, decentralizim funksional, ndarje të pushteteve dhe përfshirje gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër, unitarizmi i aplikuar në Maqedoninë e Veriut nuk përfaqëson një formë moderne të organizimit shtetëror, por një mbetje të logjikës centraliste që bie ndesh me frymën e integrimit evropian.

Rezistenca ndaj reformimit të këtij modeli nuk është pasojë e shqetësimit për stabilitetin e shtetit, por reflektim i interesave të një oligarkie politike dhe ekonomike, e cila funksionon më së miri brenda një sistemi të mbyllur dhe të kontrolluar. Integrimi evropian, me kërkesat e tij për transparencë, sundim të ligjit, kontroll të kapitalit dhe institucione të pavarura, perceptohet nga kjo elitë si kërcënim ekzistencial. Për këtë arsye, ruajtja e unitarizmit institucional shndërrohet në strategji mbijetese politike dhe ekonomike, ndërsa retorika për mbrojtjen e shtetit shërben si mbulesë ideologjike.

Historia politike e Maqedonisë së Veriut dëshmon se ideja e ndarjes territoriale nuk ka qenë vetëm spekulim periferik. Disa eksponent akademik maqedonas kishin ofruar projekte konkrete për ndarjen e shtetit, gjë që është konfirmuar publikisht edhe nga Ali Ahmeti, i cili ka deklaruar se një projekt i tillë i ishte ofruar personalisht. Refuzimi i këtij projekti nga lidershipi i atëhershëm i UÇK-së ishte një akt politik për ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e konfliktit.

Megjithatë, ajo që nuk u realizua si ndarje e drejtpërdrejtë territoriale, u rikonceptua në formë inxhinierie zgjedhore, përmes ndarjes së vendit në gjashtë njësi zgjedhore. Kjo ndarje nuk ishte neutrale teknikisht, por e dizajnuar me logjikë politike afatgjatë. Njësia e gjashtë zgjedhore u ndërtua pothuajse identikisht me kufijtë e projektit të ndarjes territoriale, duke prodhuar shumicën e deputetëve shqiptarë pikërisht nga ajo zonë.

Ky dizajnim krijon një precedent të rrezikshëm: deputetët e kësaj njësie mund të instrumentalizohen politikisht për të legjitimuar ndarje të ardhshme, duke e paraqitur atë si rezultat të “vullnetit demokratik”.

Në këtë kontekst duhet lexuar propozimi i VMRO-DPMNE-së në programin zgjedhor të vitit 2024 për uljen e numrit të deputetëve nga 120 në 90 dhe shpalljen e vendit si një njësi e vetme zgjedhore. Ky propozim nuk përfaqëson reformë demokratike, por strategji të qartë për reduktimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve, duke synuar reduktimin e tyre nga  5 deri në 10 mandate parlamentare.

Kjo iniciativë vjen pas një procesi të qëllimshëm të dobësimit dhe deatomizimit të subjektit politik shqiptar, proces i cili u intensifikua nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 e deri te zgjedhjet lokale. Vetëm pasi u krijua ky disbalancim politik, u artikulua hapur ideja e një njësie zgjedhore, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me projekt pushteti, jo me reformë sistemike.

Nëse synohet stabilitet i qëndrueshëm dhe perspektivë reale evropiane, ndarja zgjedhore rajonale në tetë njësi zgjedhore paraqitet si alternativa më racionale dhe më përfshirëse. Ky model do të siguronte përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet etnike, do të zvogëlonte polarizimin etnik dhe do të krijonte kushte për zhvillim ekonomik rajonal.

Një sistem i tillë do ta zhvendoste konkurrencën politike nga identiteti etnik drejt programeve zhvillimore, duke e harmonizuar Maqedoninë e Veriut me praktikat evropiane të demokracisë funksionale.

Në shoqëri multietnike, demokracia konsensuale nuk është alternativë fakultative, por domosdoshmëri strukturore. Ajo nuk e mohon unitaritetin e shtetit, por e bën atë funksional dhe legjitim përmes barazisë reale dhe përfshirjes. Marrëveshja e Ohrit dhe parimi i Badenterit përfaqësojnë pikërisht këtë logjikë të balancimit demokratik, duke garantuar që vendimmarrja për çështje vitale të mos bëhet në dëm të komuniteteve joshumicë. Çdo tentativë për t’i relativizuar këto mekanizma në emër të efikasitetit shtetëror përbën në thelb rikthim drejt një unitarizmi përjashtues.

Për shqiptarët, përvoja me unitarizmin ka qenë e shënuar nga një kontrast i vazhdueshëm ndërmjet barazisë formale dhe përjashtimit real. Përballë kësaj gjendjeje, përgjigjja nuk mund të jetë as refuzimi i shtetit dhe as radikalizimi politik, por ndërtimi i një projekti shtetformues të bazuar në demokraci konsensuale, barazi substanciale, përfaqësim real dhe orientim të qartë euroatlantik. Vetëm një qasje e tillë mund ta shndërrojë faktorin shqiptar nga objekt politik në subjekt aktiv të ndërtimit të shtetit.

Unitarizmi në një shtet multietnik nuk mund të mbijetojë si koncept i ngurtë dhe ekskluziv. Ai ose reformohet në funksion të barazisë, pluralizmit dhe konsensusit, ose shndërrohet në burim përçarjeje dhe destabiliteti. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, sfida reale nuk është ruajtja e kufijve, por demokratizimi i brendshëm i shtetit. Pa këtë transformim, integrimi evropian mbetet një projekt deklarativ, ndërsa shteti rrezikon të mbetet peng i një elite që i frikësohet së ardhmes. Vetëm një unitarizëm i reformuar, gjithëpërfshirës dhe i ndërtuar mbi barazi reale mund të garantojë stabilitet afatgjatë, kohezion shoqëror dhe perspektivë evropiane të qëndrueshme.

Shkup, 26 janar 2026

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT