• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët e Maqedonisë, shtetformësia përballë zgjedhjeve dhe procesit të integrimit

September 15, 2025 by s p

Është përgjegjësi historike e subjekteve politike shqiptare që pas zgjedhjeve të hartojnë një platformë gjithëpërfshirëse për çështjet madhore të komunitetit. Një platformë e tillë duhet të përfshijë objektiva të qarta: zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, avancimin e të drejtave kolektive dhe individuale, garantimin e përfaqësimit të drejtë në institucionet shtetërore dhe koordinimin e veprimeve për integrimin e shpejtë të vendit në BE.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Zgjedhjet e 19 tetorit nuk janë një garë e zakonshme për pushtet; ato përbëjnë një provë historike për fatin e Maqedonisë së Veriut dhe rolin e shqiptarëve në proceset shtetformuese dhe integruese të vendit. Edhe pse formaliteti i tyre është lokal dhe duhej të fokusoheshin në problematika komunale, realiteti është tjetër: retorika dhe ngjarjet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar kanë humbur destinacionin, duke u shndërruar në çështje që rrezikojnë sigurinë e shtetit, orientimin strategjik dhe marrëdhëniet ndëretnike. Në këtë kuadër, faktori shqiptar mbetet shtylla pa të cilën arkitektura shtetërore nuk mund të qëndrojë. Por a e kupton politika shqiptare peshën e saj historike?

Fatkeqësisht, fushata ka nxjerrë në pah retorikë të ashpër, përplasje personale dhe përçarje të brendshme që minojnë besimin e qytetarëve dhe unitetin shqiptar. Kjo gjuhë e nxehtë nuk i shërben askujt tjetër përveç atyre që synojnë dobësimin e faktorëve vendimmarrës shqiptarë. Përçarja, shpesh e ushqyer edhe nga faktorë të jashtëm që ndjekin logjikën “fituesi merr gjithçka, humbësi humbet gjithçka”, është një tentativë për të kufizuar ndikimin historik të shqiptarëve në proceset shtetformuese dhe integruese.

Historia na kujton se shqiptarët shpesh janë cenuar më shumë nga brenda sesa nga jashtë. Tentativat për të minuar Marrëveshjen e Ohrit, relativizimi i parimit të Badinterit dhe përdorimi i kapitalit oligarkik për të ndarë subjektet shqiptare janë prova të qarta të një strategjie që synon dobësimin ekstrem të faktorit shqiptar. Kjo sjellje përngjan me instrumentet historike të fuqive që kanë shfrytëzuar ndarjet brenda komuniteteve të brishta për të kontrolluar destinacionin e tyre.

Në horizontin politik të Maqedonisë po shfaqen zhvillime që në pamje të parë duken si lëvizje të zakonshme të skenës politike, por në thelb mbartin një tendencë të rrezikshme për ardhmërinë e pozitës kushtetuese të shqiptarëve. Degradimi i skajshëm i çështjes shqiptare, i ndërlidhur me përplasjet dhe fragmentimet e kampit politik shqiptar, e dobëson fuqinë përfaqësuese dhe e bën të brishtë vendimmarrjen kolektive. Paralelisht, oligarkia dhe partia maqedonase që menaxhon qeverinë tashmë për më shumë se një vit duket se po tentojnë të relativizojnë apo edhe të grabisin vetë kauzën shqiptare, duke projektuar skenarë që mund të çojnë deri në zhvendosjen ose fshirjen e Marrëveshjes së Ohrit nga preambula kushtetuese.

Investimet e kësaj oligarkie, përmes mekanizmave të partisë në pushtet, synojnë ta copëzojnë faktorin politik shqiptar, në mënyrë që në momentin kritik të ndryshimeve kushtetuese, zëri i shqiptarëve të jetë i zbehur dhe reagimi i tyre i kufizuar, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare do të përballej me faktin e kryer. Ky skenar, përveçse rrezikon themelet e funksionimit shtetëror, defaktorizon aktorët politikë shqiptarë dhe hap terren për lindjen e subjekteve të reja, qoftë politike apo shoqërore, që do të artikulojnë platforma alternative mbi pozitën kushtetuese të shqiptarëve.

Në këtë kontekst, një vëmendje e shtuar e faktorit ndërkombëtar bëhet domosdoshmëri, pasi dimensioni i involvimit të botës serbe dhe ndikimeve ruso-kineze në devijimin e orientimit euroatlantik të Maqedonisë është më i madh se kurrë. Nëse këto skenarë do të realizoheshin, pasojat do të ishin të rënda dhe të shumëfishta: shqiptarët në Maqedoni do të humbnin një prej garancive kryesore të barazisë kushtetuese, duke u rikthyer në një pozitë të margjinalizuar dhe të brishtë politike; Marrëveshja e Ohrit, si themel i stabilitetit shumëetnik, do të shndërrohej në një dokument të arkivuar dhe jo në një realitet funksional, çka do të nxiste tensione të reja shoqërore e politike. Për më tepër, zbehja e rolit të faktorëve politikë shqiptarë do të hapte terren për radikalizim diskursesh dhe fragmentim të mëtejshëm të përfaqësimit, duke rrezikuar stabilitetin e shtetit në tërësi.

Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, realizimi i këtij projekti do të forconte ndikimin serbo-rus e kinez, duke zbehur orientimin euroatlantik të Maqedonisë dhe duke krijuar një precedent të rrezikshëm për destabilizimin e rajonit. Prandaj, mosreagimi ndaj këtyre prirjeve nuk do të ishte thjesht një problem i brendshëm i Maqedonisë, por një goditje ndaj arkitekturës së sigurisë dhe paqes në Ballkan.

Megjithatë, 19 tetori mbetet një mundësi vendimtare. Dy sfida kryesore i presin shqiptarët: së pari, finalizimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese, pa të cilat nuk hapet rruga e integrimit në Bashkimin Evropian; së dyti, konsolidimi dhe avancimi i shtetformësisë, ku Marrëveshja Ohrit nuk do të ishte mbyllja por hapja e një procesi të ri. Këto procese nuk janë vetëm marrëveshje formale; ato janë kontrata historike që kërkojnë respektim të plotë dhe zbatim të barabartë për të gjithë qytetarët.

A do të kalojnë partitë shqiptare nga retorikat e nxehta drejt një platforme të përbashkët kombëtare? A do të tregojnë pjekuri për të ulur në një tryezë të vetme, ku interesi i përgjithshëm të peshojë më shumë se kalkulimet e ngushta?

Është përgjegjësi historike e subjekteve politike shqiptare që pas zgjedhjeve të hartojnë një platformë gjithëpërfshirëse për çështjet madhore të komunitetit. Një platformë e tillë duhet të përfshijë objektiva të qarta: zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, avancimin e të drejtave kolektive dhe individuale, garantimin e përfaqësimit të drejtë në institucionet shtetërore dhe koordinimin e veprimeve për integrimin e shpejtë të vendit në BE. Ky unitet do të ishte sinjali më i qartë për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë se faktori politik shqiptar është jo vetëm i gatshëm të marrë përgjegjësi, por edhe një faktor përcaktues në stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Subjektet politike shqiptare duhet të tregojnë mençuri dhe maturi strategjike, duke shmangur retorikën e ashpër parazgjedhore që vetëm u shërben planeve për t’i dobësuar dhe fragmentuar në momentet vendimtare. Vetëm përmes uljes së tensioneve dhe ndërtimit të një gjuhe të përgjegjshme politike mund të krijohet terreni për konsensus të brendshëm. Ky konsensus është i domosdoshëm për t’u përballur me procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe për të penguar çdo tentativë për zbehjen e Marrëveshjes së Ohrit, e cila mbetet themel i barazisë dhe stabilitetit në vend.

Ky është momenti për një “pakt kombëtar” që do të ruajë të arriturat, të forcojë unitetin brendashqiptar dhe ta bëjë faktorin shqiptar jo vetëm garanci të barazisë dhe të drejtave, por edhe faktor kyç për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët nuk mund të jenë spektatorë në zhvillimet që përcaktojnë fatin e tyre; ata duhet të jenë aktorë të bashkuar, të vendosur dhe të mençur, duke treguar se janë faktor përcaktues në vendimmarrjen strategjike të shtetit.

Vetëm përmes unitetit, koordinimit dhe respektit ndaj marrëveshjeve që kanë garantuar barazinë dhe stabilitetin, shqiptarët mund të mbrojnë të arriturat, të avancojnë drejt barazisë së plotë dhe të sigurojnë një të ardhme evropiane. Historia do të gjykojë jo mbi ashpërsinë e fushatës, por mbi aftësinë për t’u bashkuar në momentet vendimtare.

Kjo është ora e vërtetë e përgjegjësisë politike dhe kombëtare: ora për të ndërtuar një “pakt kombëtar” që do të garantojë shtetformësinë shqiptare, integrimin evropian dhe stabilitetin afatgjatë të Maqedonisë së Veriut. Vetëm kështu shqiptarët do të tregojnë se janë jo vetëm faktor i rëndësishëm politik, por edhe garanci e paqes, e demokracisë dhe e së ardhmes evropiane të vendit.

Filed Under: Rajon

Revolucioni i dronëve në luftën e shekullit XXI: Ndërtimi i kapaciteteve dhe trajnimi

September 12, 2025 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Ky studim shqyrton ndikimin thelbësor të dronëve autonomë me inteligjencë artificiale në transformimin e doktrinave ushtarake të shekullit XXI. Ai analizon përdorimin e avancuar të tufave të dronëve në konflikte të fundit, duke marrë shembuj si Ukraina dhe incidenti i sulmit me dronë mbi Poloninë. Metodologjia project mbështetet në analizë krahasuese të raporteve ushtarake, burimeve akademike dhe dokumentacionit publik nga viti 2022 deri në 2025. Gjetjet tregojnë ndryshimin rrënjësor të fushës së betejës dhe nevojën për integrimin sistematik të trajnimit me dronë në programet bazike ushtarake, të ilustruar nga iniciativa “500,000 luftëtarë me dronë” e Koresë së Jugut. Përfundimet theksojnë rëndësinë e këtij kombinimi teknologjik dhe edukativ për forcimin e kapaciteteve operative dhe reziliencës strategjike të ushtrive moderne në epokën digjitale.

Shekulli XXI ka rikrijuar paradigmën e luftës përmes futjes së teknologjive të avancuara, duke theksuar veçanërisht rolin e dronëve autonomë me inteligjencë artificiale si elementë kryesorë të transformimit të strategjive ushtarake. Historikisht, dronët kanë pësuar një evolucion të jashtëzakonshëm nga mjete të kontrolluara manualisht për zbulim dhe goditje të saktë, te sisteme autonome që mund të ndërveprojnë në grup dhe të marrin vendime taktike të pavarura. Ky studim merr në konsideratë ndryshimet teknologjike në konflikte të fundit, sidomos në Ukrainë, dhe sfidat e reja që paraqet sulmi i dronëve rusë në Poloni më 2025, i cili ka vënë në pah kufizimet e sistemeve tradicionale mbrojtëse. Qëllimi kryesor i hulumtimit është të analizojë këtë ndryshim të paradigmes ushtarake dhe të propozojë integrimin e trajnimit për përdorimin dhe mbrojtjen nga dronët brenda programeve bazike të stërvitjes ushtarake, duke pasur si shembull praktik programin ndërkombëtar të Koresë së Jugut. Ky studim ka rëndësi akademike dhe praktike të madhe, pasi adreson sfidat kryesore të sigurisë rajonale dhe globale në epokën e luftërave digjitale dhe automatizimit strategic[¹][²][³].
Pjesa Kryesore:

1. Transformimi Teknologjik dhe Përdorimi i Dronëve Autonomë me Inteligjencë Artificiale

Në dekadat e fundit, teknologjia e dronëve ka kaluar një revolucion të thellë, që konsiston në automatizimin dhe pajisjen me inteligjencë artificiale për veprime autonome në fushën e betejës. Sistemet si “Swarmer”, të zhvilluara nga Ukraina, janë shembuj praktikë të tufave që veprojnë të koordinuara, merr vendime taktike dhe rrisin efektivitetin operacional, duke minimizuar ekspozimin e forcave njerëzore ndaj rreziqeve të drejtpërdrejta. Ky model i ri ka revolucionarizuar mënyrën se si zhvillohen operacionet ushtarake dhe ka nxitur ndryshime të thella në doktrinat e shumicës së ushtrive bashkëkohore[¹¹][¹²].

2. Lufta Hibride dhe Transformimi i Fushëbetejës në Dimensione të Reja

Lufta hibride përfshin ndërthurjen e elementeve konvencionale, digjitale dhe propagandistike, ku fushëbeteja tradicionale shtrihet edhe në hapësirën e perceptimeve dhe informacioneve. Dronët autonomë përdoren jo vetëm për goditje, por edhe për krijimin e presionit psikologjik dhe për manipulimin e opinionit publik përmes transmetimit të pamjeve në kohë reale. Në këtë mënyrë, forca strategjike e dronëve nuk qëndron vetëm në kapacitetin e zjarrit, por edhe në ndikimin e tyre mbi narrativat globale të konfliktit[⁶][⁹][¹⁰].

3. Sulmi me Dronë mbi Luftën dhe Sigurinë Kolektive: Rasti i Polonisë

Sulmi i dronëve rusë mbi territorin e një anëtari të NATO-s, Poloninë, përbën një precedent të rëndësishëm në sfidimin e sigurisë kolektive evropiane. Ngjarja theksoi boshllëqet në sistemet mbrojtëse ndaj kërcënimeve të teknologjisë së lartë dhe bëri të domosdoshëm rishikimin e protokolleve të reagimit urgjent. Ky incident nxiti reagime politike dhe ushtarake të forta që nënvizojnë nevojën për inovacion dhe përforcim të kapaciteteve mbrojtëse të aleancës[⁸][⁹][¹⁰][¹⁵].

4. Shembulli i Koresë së Jugut: Integrimi i Trajnimit me Dronë në Programet Bazike Ushtarake

Programi “500,000 luftëtarë me dronë” i Koresë së Jugut është model i jashtëzakonshëm i integrimit të teknologjisë së avancuar në stërvitjen e përgjithshme ushtarake. Ky program ambicioz, me investim mbi 14 milionë euro dhe mbi 11,000 dronë të dedikuar për trajnim, garanton që çdo rekrut të fitojë aftësi praktike në përdorimin e dronëve dhe në mbrojtjen kundër tyre. Kjo qasje synon jo vetëm përmirësimin e gatishmërisë ushtarake, por edhe ndërtimin e një baze teknologjike dhe njerëzore që ofron përfitime edhe në nivelin civil dhe ekonomik pas përfundimit të shërbimit ushtarak.

5. Sfida Etike dhe Ligjore në Përdorimin e Dronëve Autonomë

Përdorimi i dronëve me inteligjencë artificiale ngre pyetje thelbësore mbi etikën dhe përgjegjësinë ligjore në konfliktet ushtarake. Vendimmarrja automatike që përfshin jetën dhe vdekjen kërkon norme të reja ligjore dhe mekanizma të rreptë mbikëqyrës, duke shmangur keqpërdorimet dhe minimizuar rreziqet për civilët. Për më tepër, zhvillimi i këtyre teknologjive duhet të bashkërendohet me reflektimin në normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe standardet ushtarake[¹⁴].

Përfundimi dhe Rekomandimet

Ky studim tregon se dronët autonomë me inteligjencë artificiale janë faktor kyç në revolucionin e mënyrës së zhvillimit të konflikteve moderne. Për t’u përballur me këto sfida dhe për të shfrytëzuar avantazhet teknologjike, integrimi i trajnimit praktik për përdorimin dhe mbrojtjen ndaj dronëve në programet bazike ushtarake është i domosdoshëm. Shembulli i Koresë së Jugut ofron një model të suksesshëm që duhet marrë si standard për ushtritë që dëshirojnë të mbeten relevante dhe efektive në këtë epokë të re të luftërave digjitale.

Rekomandohen masa të mëtejshme për zhvillimin e kuadrove ligjore dhe etike ndërkombëtare, si dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe global në fushën e mbrojtjes kundër kërcënimeve teknologjike. Kërkimet e ardhshme duhet të fokusohen në integrimin më të thellë të teknologjive autonome në doktrinat ushtarake, menaxhimin e projekteve të trajnimit të avancuar, si dhe në rregullimin e përdorimit të dronëve për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Literatura e Shfrytëzuar:

¹ Singer, P. W. (2009). Wired for War: The Robotics Revolution and Conflict in the 21st Century.
² Boot, M. (2006). War Made New.
³ Lambeth, B. S. (2000). Air Power Against Terror.
⁴ O’Hanlon, M. (2022). How Ukraine’s Ground Forces Are Winning the War.
⁵ Friedman, N. (2018). The Future of Air Power in the Age of Advanced Air Defenses.
⁶ Defense Intelligence Agency (2024). Ukraine Military Assessment Report.
⁷ NATO (2024). Enhanced Forward Presence: Factsheet.
⁸ Ukrainian Intelligence (2025). Map of Air Strikes Against Poland.
⁹ Podoliak, M. (2025). Statements on Russian Drone Strategy.
¹⁰ Rojansky, M. (2023). The Ukraine Conflict: Military Lessons and Implications.
¹¹ The Wall Street Journal (2025). Ukraina, AI drones debut in war.
¹² Ibid.
¹³ Ibid.
¹⁴ Friedman, N. (2018).
¹⁵ NATO (2024).

Filed Under: Rajon

Bashkimi Evropian dhe heshtja strategjike ndaj sulmit të Banjskës: Diplomaci selektive dhe standardet e dyfishta në Ballkan

September 3, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ndodhi një sulm i organizuar terrorist kundër Policisë së Kosovës, që rezultoi me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe krijoi një situatë të ngarkuar sigurie. Hetimet dhe faktet e publikuara konfirmuan se ky sulm u organizua dhe u mbështet drejtpërdrejt nga struktura të sigurisë së Serbisë, duke dëshmuar elemente të qarta të agresionit të sponsorizuar nga shteti.

Megjithatë, reagimi i Bashkimit Evropian (BE) ishte i zbehtë dhe shpesh i relativizuar. BE nuk e trajtoi ngjarjen si një akt agresioni shtetëror, por e përshkroi si një “incident të izoluar”, duke shmangur gjuhën e qartë që do të nënkuptonte përgjegjësi ndërkombëtare për Serbinë.

Arsye gjeopolitike: Serbia si “faktor kyç”

Serbia shihet nga Brukseli si aktori më i rëndësishëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Për BE-në, Beogradi është një “portë” për menaxhimin e ndikimeve të Rusisë, Kinës dhe Turqisë në rajon.

-Një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Serbisë do të kishte rrezikuar ta shtyjë atë edhe më afër Moskës dhe Pekinit.

-Në këtë kuptim, interesat strategjike të BE-së fituan epërsi ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Dialogu Kosovë–Serbi dhe kriza e ndërmjetësimit

BE është ndërmjetësi i vetëm i pranuar në dialogun Kosovë–Serbi. Nëse Brukseli do ta pranonte publikisht se Serbia kreu një akt agresioni, atëherë:

-Procesi i dialogut në Bruksel do të dështonte,

-BE do të ekspozohej si i paaftë për të garantuar paqe dhe siguri,

-Do të dilte në pah se Kosova është viktimë e agresionit të përsëritur shtetëror serb, gjë që do ta ndryshonte balancën e procesit të negociatave.

Për të shmangur këtë, BE aplikoi një diplomaci të heshtur: duke mos e mohuar sulmin, por as duke mos ia adresuar përgjegjësinë Serbisë.

Standardet e dyfishta në të drejtën ndërkombëtare

Nëse një sulm i ngjashëm do të ndodhte kundër një shteti anëtar të BE-së, reagimi do të ishte i menjëhershëm: sanksione, izolim diplomatik dhe thirrje për përgjegjësi ndërkombëtare.

-Shembull: Reagimi i BE-së ndaj agresionit rus në Ukrainë ishte i menjëhershëm dhe i ashpër.

-Krahasim: Ndaj Kosovës, një shteti jo-anëtar dhe të brishtë ndërkombëtarisht, BE aplikoi një standard më të butë, duke e trajtuar ngjarjen si çështje bilaterale Kosovë–Serbi.

Ky është një rast i qartë i standardit të dyfishtë në zbatimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimit të sovranitetit shtetëror.

Frika nga përshkallëzimi dhe mungesa e gatishmërisë për masa

Një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Serbisë do të nënkuptonte obligim për BE-në të ndërmerrte masa konkrete:

-ngrirje të negociatave për anëtarësim,

-pezullim të fondeve IPA,

-masa ndëshkuese diplomatike.

Meqenëse BE nuk kishte gatishmëri për t’i zbatuar këto, zgjedhi rrugën më të lehtë: heshtjen dhe relativizimin.

Roli i lobimit serb dhe ndikimi rus

Serbia ka investuar prej vitesh në një diplomaci aktive dhe lobim të fuqishëm në Bruksel.

-Ajo prezantohet si “garantuese e stabilitetit rajonal”, duke manipuluar perceptimin e disa shteteve anëtare të BE-së.

-Rusia, përmes Serbisë, e përdor Ballkanin si zonë ndikimi për ta sfiduar BE-në dhe NATO-n.

-Në këtë kontekst, Brukseli shmangu çdo hap që mund të përshkallëzonte tensionet me Serbinë dhe, indirekt, me Rusinë.

Pasojat për Kosovën dhe rajonin

Kosova mbeti e pavendosur në pozitën e viktimës së neglizhuar.

-BE humbi kredibilitetin si ndërmjetës neutral.

-Serbia mori mesazhin se mund të përdorë dhunën e sponsorizuar shtetërore pa pasoja serioze ndërkombëtare.

-Ky precedent e bën më të brishtë sigurinë në Ballkan dhe dobëson mekanizmat e së drejtës ndërkombëtare.

Heshtja e BE-së ndaj sulmit të Banjskës nuk ishte rastësi, por një strategji e vetëdijshme politike:

-për të ruajtur Serbinë si partner,

-për të shpëtuar nga dështimi dialogu i Brukselit,

-për të shmangur përballjen me detyrime ndërkombëtare.

Kjo qasje është dëshmi se parimet themelore të BE-së shpesh në Ballkan lihen mënjanë në emër të stabilitetit afatshkurtër politik, ndërsa viktima reale – Kosova – mbetet pa mbrojtje të barabartë.

Filed Under: Rajon

Shqipëria dhe Kosova – diplomacia e një kombi me dy shtete dhe një diasporë të përbashkët

September 1, 2025 by s p

Nga  Dr.Davida Marku/

Historia e shqiptarëve është një udhëtim i gjatë drejt lirisë, dinjitetit dhe bashkimit shpirtëror. Sot, Shqipëria dhe Kosova përfaqësojnë dy shtete të pavarura, por të lidhura ngushtë nga një gjuhë, një kulturë dhe një identitet kombëtar i pandashëm. Diplomacia mes tyre nuk është thjesht një marrëdhënie shtetesh fqinjë, por shprehja e gjallë e një kombi që jeton në dy shtete, por frymon me një zemër.

Dy shtete, një mision kombëtar

Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar nëpër sfida të mëdha historike, por sot qëndrojnë krah për krah, duke ndërtuar marrëdhënie të reja në bazë të respektit dhe interesit kombëtar. Marrëveshjet e bashkëpunimit, mbështetja reciproke në organizata ndërkombëtare dhe synimi për integrim të përbashkët në Bashkimin Evropian janë dëshmi se diplomacia shqiptare është e orientuar drejt një qëllimi madhor: forcimit të kombit në të gjitha dimensionet e tij.

Diplomacia e përbashkët – zëri i unitetit

Diplomacia nuk është vetëm instrument politik, por edhe një formë moderne e atdhedashurisë. Kur Shqipëria dhe Kosova flasin me një zë, ato tregojnë se fuqia e kombit shqiptar shumëfishohet. Në tryezat ndërkombëtare, uniteti mes dy shteteve shqiptare është garanci për mbrojtjen e interesave kombëtare, për paqen rajonale dhe për forcimin e identitetit tonë në botë.

Diaspora – pasuria e tretë e kombit

Në këtë mozaik diplomatik, diaspora shqiptare është ura që lidh Tiranën dhe Prishtinën me botën. Miliona shqiptarë që jetojnë në Evropë, SHBA dhe kudo nëpër botë, përfaqësojnë një forcë të jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe kulturore. Ata kanë qenë gjithmonë promotorë të çështjes shqiptare  nga pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, te pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

Diaspora nuk është thjesht kujtesë e së kaluarës, por një aktor i gjallë i së tashmes dhe i së ardhmes. Ajo është diplomacia jonë e heshtur, por gjithnjë e pranishme, që përçon vlera, ndërton ura miqësie dhe fuqizon kombin.

Një horizont i përbashkët

Shqipëria dhe Kosova, së bashku me diasporën, përbëjnë një trekëndësh të artë të kombit shqiptar. Ky trekëndësh mund të sigurojë zhvillim, stabilitet dhe prestigj ndërkombëtar, nëse është i bazuar mbi unitet, vizion dhe përkushtim.

E ardhmja jonë është më e ndritur kur kujtojmë se jemi një komb me dy shtete dhe me një diasporë të përbashkët që na mban gjithmonë të lidhur me botën.

Diplomacia shqiptare është sot më shumë se një politikë: ajo është pasqyrë e një ideali të përbashkët, e një dashurie të përhershme për atdheun dhe e një misioni që tejkalon kufijtë shtetërorë.

Filed Under: Rajon

ARNAUTËT NË LINDJEN E MESME

August 23, 2025 by s p

Historia dhe e tashmja e arnautëve të Sirisë. */

Prof.Mohamed Mufaku

Historin/orientalist shiptaro- amerikan

Në shek.XV ishin në luftë për dominim dy sultanata në Lindjen e mesme, sultaniti i ri osman dhe sultanati i mamlukëve (1250-1517) me seli në Kajro, i cili përfshiu Egjiptin, Arabinë, Sirinë dhe një pjesë të Anadolit. Ndonëse në Kajro sundonin dy sulltanë arnautënë gjatë shek.XV, me pushitimin osman të këtij sultanati më 1516-1517 morën pjesë komandantë e shumë ushtarë shqiptarë, kurse gjatë sundimit osmane në këto pjesë të Lindjes së mesme (1517-1918) u paraqen shumë valinj shqiptarë prej Mehmet pashë Dukagjini e deri te Ismail Qemali.

Mirëpo, për praninë e aranutëve si koloni duhet pritur ardhjen e Mehmet Ali pashës në Kajro, përkatësisht emërimi i tij si vali i Egjiptit më 1805, që ishte një vit kthese të madhe në historinë e rajonit. Me këtë kthesë Egjipti u paraqit si vend i fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht duke shkatërruar disa herë ushtrinë e sultanit osman gjatë 1831-1840. Ndërkohë, Egjipti u zgjerua duke përfshirë Sudanin, Arabinë, Sirinë dhe një pjesë të Anadolit. Mirpo, ndërhyrja e Fuqive të mdha e detyroi M.Ali pashën të tëhiqet e të kufizohet në Egjipt me të drejtë të një dinastie trashiguese.

Si pasojë, Egjipti u bë vend tërheqës për ardhjen e shqiptarëve (kryesisht nga jugu i Shqipërisë) dhe paraqitjen e një nga qëndrat e Rilindjes kombëtare shqiptare. Mirëpo,me grushtshtetin e 1952 dhe shpalljen e Rupblikës më 1953, si dhe me fushatën kundër “kolonive evropiane” (kolonia shqiptare ishte e pasta nga numri) gjatë 1952-1962, prania e aranautëve u zvogëlua dukshëm deri në fillim të shek.XXI, kurse tani kemi ndonjë familje atje këtu.

Në krahsim me Egjiptin në Siri kanë ardhur disa valë shqiptarësh dhe u krijua një koloni që tani po lufton për mbijetesë.

Vala e parë, kryesisht ushtarë të Mehmet Aiut, erdhi gjatë 1831-1833, pra gjatë asaj kohe kur Siria ishte nën sundimin e Mehmet Aliut. Me tërheqjen e shpejtë të ushtirisë së Mehmet Aliut nën presion të Fuqive të mëdha më 1840, një pjesë e ushtarëve mbeti në Siri dhe u njohen si Arnautë(edhe me mbiemër), që janë më shumë të përqëndruar në veri dhe në përendim të Sirisë (Halep, Menbexh, Latakia etj.).

Vala e dytë erdhi pas Luftës Ballkanike 1912-1913 dhe pas Luftës së parë botërore, përkatisht gjatë mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1941). Kjo pjesë erdhi kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia Perëndomore, e me disa familje nga Shkodra, dhe u bë bërthamë e kolonisë shqiptare që u kurorëzua me formimin e shoqërisë së parë shqiptare në Damask më 1947. Me ndonjë përjashtim nga Prishtina, Peja e Shkodra, shumica e tyre ishin nga fshatra që vuanin nga presion i pushtetit serb. Po ashtu, shumica e shqiptarëve që erdhën atëherë u njohen se Arnautë (edhe me mbiemër) pasi që morën nënshtetësinë siriane, kurse disa familje mbajtën mbiemrat e vjetra të tyre (Ajdini, Junuzi, Zeqerija etj).

Vala e tretë ishin emigrantët politikë e ushtarakë që erdhën në Damask gjatë 1947-1948, me të cilët Damasku u gjallërua si qëndër e opozitës kombëtare antikomuniste me disa parti (Legaliteti, Balli Kombëtar, Blloku Kombëtar Indipendent e Grupi Kosovar), e me nxjerrjen e revistës “Flamuri Kombit” në gjuhën shqipe. Mirëpo, si pasojë e luftës arabe-israelite më 1948 dhe ardhja e refugjatëve palestinezë në Damask, jeta u vështirsua dhe shumica e kësaj elite civili-ushtarake (Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrivica,Tahir Zaimi, Kadri Cakrani etj.) u detyrua të kalojë në Perendim.

Me mbylljen e Shoqërisë shqiptare më 1949, kur edhe filloi seria e grushteteve ushtarake në Siri, kolonia e mbetur në Siri me nja 5 mijë vetë atëherë, mbeti e izoluar (me ndonjë përjashtim) nga trungu shqiptar qoftë në Kosovë ose në Shqipëri, që ndikoi në fillimin e asimilimit. Mirëpo, me fillimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturën Shqiptare për të Huaj në Prishtinë më 1974 (tani SNGJLKSH), filloi një ngjallje në mesin e gjeneratës së re që rrezikohej me asimilim. Me këtë ngjalje u bë autmatizimi i gjendjes civile në Siri , me çka doli më 2010 se nja 7 mijë shqiptarë mbajnin mbiemrin Arnaut, kurse me mbiemra tjera mund të shkojë numri deri në 10 mijë.

Mirëpo, me shpërthimin e revolutës popullore kundër regjimit diktatorial të Asadit më 2011 miliona sirianë u bënë refugjatë në Turqi e Evropë, në mesin e tyre edhe shumë arnautë. Ndërkohë, me shpalljen e Pavarësisë më 2008, u ashpërsua proçesi i vizave për sirianët, kështu që u pengua ardhja e arnautëve për në Seminar deri më 2024. Ndërkohë, me rrëzimin e diktaturës 55 vjeçare në Siri më 8.12.2024 u paraqit në Damask Vala e katërt me ardhjen e luftëtarëve shqiptarërë nga Kosova e Maqedonia në krye me komandantin Abdyl Jasharin (i lindur në Shkup më 1975 me prejardhje nga Kosova) që formuan një grup në vete (xhemati alban/batalioni shqiptar) që ishte pjesë e Frontit të Nusrës ,e themelluar më 2012. Kjo organizatë u shndërua më vonë (2017) në Frontin për Çlirimin e Sirisë. Komandanti Jashari ishte i afërtë me udhëheqisin e Nusrës Abu Muhammad al-Golantani (tani Presidenti sirian Ahmad al- Shar’), të dytë të shapallur “terroristë” prej administrata amerikane me 2016. Mirëpo,me përkrahjen amerikane regjimit të ri në Siri që u kurorëzua me takimin e presidentit Trump me presidentin sirian al-Shar’ në Rijad më 24 maj 2025, u hoqën shumë sankcione amerikane dhe trajtimet e komandantëve si “terroristë”, komandanti Jashari u gradua në kolonel në bërthamën e ushtrisë e re siriane dhe tani ky grup i ri shqiptar (nja 50 luftëtarë, me familje e fëmijë deri në 250 vet) do të gëzojë nënshtetësinë siriane e do vendoset në Siri duke zënë poste të ndryshme. Nga ky post i ri, koloneli Jashari tregoi interesim për arnautët e Damaskut duke u takuar disa herë më ta, gjë që e ngjali një frymë të re në mesin e tyre,pasi arnautët tani ndiejnë për herë të parë që kanë dikend në pushtet.

Tani, më rrëzimin e diktaturës dhe kontakti i parë diplomatik midis Kosovës e Sirisë (takimi i dy kryetarëve Osmani dhe al-Shar’ në Antali më 11.4.2025), u ngjallë përsëri shpresa për mbijetesë te gjenerata e re e arnautëve me demokratizimin e vendit (që do të lejonte rihapjen e shoqërisë shqiptare) si dhe me normalizimin e pritur të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Sirisë, që do ta hapte rrugën për një pjesëmarrje më të madhe të arnautëve në Seminar dhe rilidhjen me trungun kombëtar. Nga ana tjetër, kjo ngjalje e kolonisë në Siri do të ishte urë e Kosovës për atë rajon, ku priten shumë investime për rindërtimin e Sirisë që do vazhdojë disa dekada me shuma të mëdha (300-500 milardë dollarë).

*Fragmente nga një kumtesë e mbajtur në tryezën shkencore “Arnautët në Lindjen e mesme” më 22 gusht 2025 në kuadër të Seminarit 43 ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Universitetin e Prishtinës.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM
  • NJË PIKTURË SI E PIKASOS…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT