• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Congressmen Self and Subramanyam Call on Serbia to Address the Real Problems Facing Albanians in the Presheva Valley

May 26, 2026 by s p

AFA/

The bipartisan delegation of the United States Congress, composed of Congressmen Keith Self and Suhas Subramanyam, visited the Presheva Valley today. The congressmen met with Albanian political and institutional representatives to gain firsthand insight into the position and challenges faced by Albanians in Presheva, Bujanoc, and Medvegjë.

During the visit, the American congressmen held meetings with Albanian representative in the Serbian Parliament, Shaip Kamberi, the Mayor of Bujanoc, Arbër Pajaziti, and the Mayor of Presheva, Ardita Sinani.

The discussions focused on the challenges faced by Albanians in the Presheva Valley, including the passive deregistration of residential addresses, lack of integration into Serbian state institutions, non-recognition of diplomas issued in Kosovo, restrictions on the use of the Albanian language, shortages of school textbooks, and inequalities in economic and institutional development.

Congressman Keith Self emphasized the importance of fair treatment of minorities and underlined that stability and prosperity in the region are closely linked to respect for human rights and minority communities.

“We have seen that there are real issues between Albanians and Serbia, as we already knew. However, we will also travel to Kosovo to learn about the Serbian minority there. So, we are visiting both places to understand how minorities are treated and what rights they have,” Self stated to the media following the meeting.

Meanwhile, Congressman Suhas Subramanyam stressed that issues such as education, unequal development, and the passive deregistration of addresses require serious institutional attention, emphasizing that Serbia must confront these problems if it aims to advance on its Euro-Atlantic path.

Representative Shaip Kamberi assessed that the visit by the American delegation represents an important step toward the internationalization of the issues affecting Albanians in the Presheva Valley, highlighting the lack of Albanian representation within state institutions and citizens’ mistrust toward those institutions.

During the meetings, appreciation was expressed for the continued support of the United States toward the Presheva Valley over recent decades, as well as for the engagement of American congressmen regarding initiatives in the U.S. Congress addressing the rights of Albanians in Serbia.

In this context, participants also referred to the legislation initiated by Congressman Keith Self in the House Foreign Affairs Committee, which calls for comprehensive reporting on the condition of minorities in Serbia, with a particular focus on Albanians in the Presheva Valley.

Those involved in the discussions emphasized that American presence and support remain essential for preserving stability, advancing democracy, and guaranteeing equal rights for all citizens in the region.

——

Kongresistët Self dhe Subramanyam kërkojnë që Serbia t`i adresojë problemet reale te shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Delegacioni bipartizan i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përbërë nga kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam, zhvilloi sot vizitë në Luginën e Preshevës. Kongresistët u takuan me përfaqësues politikë dhe institucionalë shqiptarë për t’u njohur nga afër me pozitën dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Gjatë vizitës, kongresistët amerikanë zhvilluan takime me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Në fokus të diskutimeve ishin sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, mungesën e integrimit në institucionet shtetërore të Serbisë, mosnjohjen e diplomave nga Kosova, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe, mungesën e teksteve shkollore dhe pabarazinë në zhvillimin ekonomik e institucional.

Kongresisti Keith Self theksoi rëndësinë e trajtimit të drejtë të pakicave dhe nënvizoi se stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë të lidhura ngushtë me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë.

“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, ka deklaruar Self për media, pas takimit.

Ndërkaq, kongresisti Suhas Subramanyam potencoi se çështje si arsimi, zhvillimi i pabarabartë dhe pasivizimi i adresave kërkojnë adresim serioz institucional, duke theksuar se Serbia duhet të përballet me këto probleme nëse synon të ecë përpara në rrugën euroatlantike.

Deputeti Shaip Kamberi vlerësoi se vizita e delegacionit amerikan paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe mosbesimin e qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.

Gjatë takimeve u shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Luginës së Preshevës gjatë dekadave të fundit, si dhe për angazhimin e kongresistëve amerikanë lidhur me iniciativat në Kongresin amerikan që trajtojnë të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

Në këtë kontekst u përmend edhe projektligji i iniciuar nga kongresisti Keith Self në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kërkon raportim gjithëpërfshirës mbi gjendjen e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Bashkëbiseduesit theksuan se prania dhe mbështetja amerikane mbeten thelbësore për ruajtjen e stabilitetit, avancimin e demokracisë dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët në rajon.

Filed Under: Rajon

Shtetformimi maqedonas dhe ingjinjeringu politik ndaj shqiptarëve

May 25, 2026 by s p

Në periudhën e ASNOM-it, shqiptarët u përjashtuan sistematikisht nga procesi real i shtetformimit, ndërsa pas pavarësisë u përballën me margjinalizim institucional. Faza aktuale rrezikon t’i reduktojë ata në një subjekt formal, pa peshë reale kushtetuese. Pikërisht këtu qëndron thelbi i projektit që shumë shqiptarë e perceptojnë si “Maqedoni Evropiane pa shqiptarët”. Çdo përpjekje për relativizimin e statusit kushtetues të shqiptarëve në emër të “kompromiseve evropiane” rrezikon të prodhojë jo integrim, por krizë të re.

Nga Prof.dr Skender Asani

Në historinë bashkëkohore të Ballkanit, vështirë se mund të gjendet një paradoks politik dhe historik aq kompleks sa ai i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: një popull që, në momentet vendimtare të formësimit të shtetit, luajti rol thelbësor në mbijetesën dhe legjitimitetin e tij, ndërkohë që paralelisht u përball me procese sistematike të margjinalizimit, asimilimit gradual dhe zbehjes së identitetit të tij politik, kulturor dhe gjuhësor. Historia e Evropës Lindore njeh shumë raste të “spastrimit të heshtur” të realizuar përmes manipulimeve demografike, juridike dhe kulturore, ndërsa rasti i shqiptarëve në Maqedoni përfaqëson një nga format më të ndërlikuara të këtij fenomeni, të maskuar nën retorikën e stabilitetit shtetëror, integrimit euro-atlantik dhe ruajtjes së unitetit kombëtar.

Ky realitet historik duhet të kuptohet përmes tri fazave themelore të shtetformimit maqedonas: periudha e ASNOM-it dhe krijimi i Republikës Federale të Maqedonisë, periudha e pavarësisë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, si dhe etapa bashkëkohore e rikonfigurimit të shtetit përmes diskursit të “Maqedonisë Evropiane”. Në secilën prej këtyre fazave, shqiptarët fillimisht u përdorën si element legjitimues i shtetit, për t’u trajtuar më pas si pengesë ndaj homogjenizimit kombëtar të tij.

Në fazën e parë, me formimin e Maqedonisë së ASNOM-it, u shpall një shtet kombëtar maqedonas mbi një realitet demografik që nuk përputhej me idenë e homogjenitetit etnik mbi të cilin ndërtohej narrativa shtetformuese. Përfshirja e shqiptarëve në strukturat e para shtetërore nuk buronte nga një ideologji autentike multietnike, por nga nevoja politike për të siguruar legjitimitetin federal në Jugosllavinë e pasluftës. Në këtë kontekst historik, Nexhat Agolli, ministër në administratën e parë federale, u shfaq si figurë paradigmatike që e kuptonte shtetformimin si proces të barazisë reale ndërmjet popujve përbërës. Përmes angazhimit për hapjen e shkollave shqipe, institucionalizimin e gjuhës shqipe në administratë, themelimin e gazetës Flaka e Vëllazërimit dhe përfshirjen e shqipes në radio-televizionin shtetëror, ai promovoi një model federal ku shqiptarët do të njiheshin si popull shtetformues dhe jo si komunitet i toleruar.

Megjithatë, ky vizion binte ndesh me projektin e homogjenizimit etnik të autoriteteve të reja maqedonase. Eliminimi politik i Nexhat Agollit dhe përndjekja e Qemal Agollit nuk përfaqësonin vetëm sulm ndaj individëve, por shkatërrimin e konceptit të shqiptarëve si bashkëthemelues të shtetit. Zhdukja e figurave shqiptare me orientim shtetformues hapi rrugën për realizimin e projektit të ASNOM-it përmes konsolidimit artificial të shumicës maqedonase me anë të proceseve të ndërlikuara të inxhinierisë demografike dhe identitare.

Në këtë periudhë, shqiptarët ortodoksë të Rekës, Ohrit, Manastirit, Prilepit dhe Krushevës iu nënshtruan proceseve të konvertimit identitar në maqedonas, ndërsa shqiptarët katolikë u përballën me presione të ndryshme kulturore dhe institucionale me synim asimilimin. Ata që refuzonin ndryshimin identitar shpesh detyroheshin të shpërnguleshin drejt Kroacisë, Kosovës dhe rajoneve të tjera. Paralelisht, elita kombëtare-demokratike shqiptare me orientim perëndimor u godit sistematikisht. Burgosjet dhe eliminimet e vitit 1946 kundër Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare synonin shuarjen e një alternative politike që e konsideronte identitetin shqiptar pjesë integrale të qytetërimit perëndimor evropian.

Për të fragmentarizuar më tej identitetin shqiptar, u krijuan kategori artificiale identitare si “maqedonas të besimit mysliman”, ndërsa slogani propagandistik “turk alhamdurila” u përdor për të transformuar administrativisht shqiptarët në turq. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare emigroi drejt Turqisë si pasojë e presioneve ekonomike, administrative dhe politikave të vizave. Edhe fatkeqësitë natyrore u instrumentalizuan politikisht. Tërmeti i Shkupit i vitit 1963 nuk mbeti vetëm tragjedi humanitare, por u shndërrua në moment kyç për rikonfigurimin demografik të qytetit dhe shtetit. Mbi 20 mijë shqiptarë u zhvendosën nga Shkupi drejt Kosovës, ndërsa shumë të tjerë emigruan në Turqi dhe Kroaci. Synimi themelor i këtyre proceseve ishte dobësimi i gjuhës shqipe si bosht i identitetit kolektiv shqiptar dhe forcimi gradual i shumicës maqedonase në funksion të projektit kombëtar të shpallur nga ASNOM-i.

Faza e dytë fillon me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë. Në këtë periudhë, shqiptarët mbrojtën shtetin e ri në një moment kur ekzistenca e tij ishte e pasigurt. Kjo mbështetje nuk ishte rastësore, por buronte nga bindja e elitës politike shqiptare se një Maqedoni e pavarur mund të ndërtohej mbi parimet e demokracisë multietnike dhe në përputhje me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon. Megjithatë, pas konsolidimit të shtetit, shqiptarët u përballën me një realitet krejt tjetër. Në vend të ndërtimit të një republike të përbashkët, filloi institucionalizimi gradual i segregacionit politik dhe kulturor.

Gjuha shqipe u privua nga statusi i plotë zyrtar, regjistrimi i emrave shqiptarë hasi pengesa administrative, numri i paraleleve shqipe në arsim u reduktua, ndërsa koncepti i “paraleleve të përziera” u përdor si instrument për zbehjen e identitetit gjuhësor. Në planin simbolik, flamuri shqiptar u trajtua si kërcënim për shtetin, ndërsa tekstet shkollore dhe enciklopeditë prodhuan narrativa që thellonin distancimin historik dhe kulturor të shqiptarëve. Në fushën e sigurisë dhe politikës, procese të organizuara dhe incidente të fabrikuara kontribuan në rritjen e tensioneve ndëretnike dhe krijimin e një klime të përhershme pasigurie.

Presioni i vazhdueshëm çoi drejt konfliktit të vitit 2001, i cili përfundoi me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dokumenti që ndali luftën dhe hapi rrugën e aspiratave euro-atlantike të shtetit. Megjithatë, kontradikta historike qëndron në faktin se deformimi i saj nisi pothuajse menjëherë pas nënshkrimit. Në vend që deri në vitin 2004 të realizohej implementimi i plotë, marrëveshja u shndërrua në një cikël të pafund kompromisesh dhe interpretimesh selektive, duke humbur gradualisht karakterin e saj transformues. Marrëveshja që duhej të garantonte barazinë kushtetuese u reduktua në instrument administrativ për menaxhimin e pakënaqësisë shqiptare, pa materializuar frymën e saj reale.

Faza e tretë lidhet me zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 dhe me artikulimin e një diskursi të ri nacionalist nga Hristijan Mickoski. Ky projekt, në thelb, synon ridizajnimin e shtetit në emër të integrimit evropian, duke reduktuar njëkohësisht rolin kushtetues të shqiptarëve. Shqiptarët paraqiten jo si partnerë shtetformues, por si element negociues në raport me kompromiset rajonale dhe ndikimet ndërkombëtare. Nuk është rastësi që sulmet e para politike dhe juridike u drejtuan pikërisht ndaj përdorimit institucional të gjuhës shqipe. Dobësimi i statusit të saj synon krijimin e një paradigme të re kushtetuese, ku integrimi evropian paraqitet si i penguar nga tensionet etnike, duke transferuar presionin ndërkombëtar mbi faktorët politikë shqiptarë që të pranojnë marrëveshje të reja në emër të stabilitetit.

Në këtë kontekst, protestat e studentëve shqiptarë marrin një domethënie që tejkalon kërkesën akademike për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet juridike. Ato përfaqësojnë një formë rezistence simbolike ndaj një projekti që perceptohet si degradim gradual i statusit kushtetues të shqiptarëve. Për këtë arsye, këto protesta nuk kufizohen vetëm në sferën arsimore, por shndërrohen në mbrojtje qytetare të barazisë politike dhe identitare. Çdo përpjekje për ta kontrolluar ose delegjitimuar këtë revoltë studentore, e cila tashmë është shndërruar në pakënaqësi publike, nuk mund të reduktohet në interpretimet e ngushta politike që kryeministri Hristijan Mickoski përpiqet ta paraqesë si çështje universitare. Përkundrazi, energjia e këtij mobilizimi pasqyron akumulimin e një frustrimi kolektiv ndaj proceseve që perceptohen si rikthim i ideologjive ultra-nacionaliste dhe si tentativë për margjinalizimin kushtetues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë perspektivë, mesazhi politik që del nga kjo klimë është se stabiliteti i shtetit nuk mund të ndërtohet mbi margjinalizimin e njërit prej popujve të tij përbërës. Edhe angazhimi i Denion Meidanit merr rëndësi të veçantë, pasi diplomacia e tij aktive ka kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjeve që lidhen me cenimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kuptim, çdo tentativë për ta larguar atë nga roli i tij diplomatik në Shkup do të perceptohej jo vetëm si dobësim i mbështetjes ndërkombëtare për implementimin konsekuent të marrëveshjes, por edhe si sinjal i rrezikshëm për relativizimin e çështjes shqiptare përballë presioneve të reja politike. Një zhvillim i tillë mund të hapte një cikël të ri pasigurie politike dhe tensioni etnik, me pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin e brendshëm dhe orientimin euro-perëndimor të shtetit.

Në periudhën e ASNOM-it, shqiptarët u përjashtuan sistematikisht nga procesi real i shtetformimit, ndërsa pas pavarësisë u përballën me margjinalizim institucional. Faza aktuale rrezikon t’i reduktojë ata në një subjekt formal, pa peshë reale kushtetuese. Pikërisht këtu qëndron thelbi i projektit që shumë shqiptarë e perceptojnë si “Maqedoni Evropiane pa shqiptarët”. Për këtë degradim dhe cenim të Marrëveshjes së Ohrit, të rrezikuar nga projekti i udhëhequr nga Hristijan Mickoski, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qarqet nacionaliste maqedonase, por edhe mbi disa faktorë politikë shqiptarë që, për interesa të ngushta politike, pranuan projekte që dobësonin statusin kushtetues të shqiptarëve. Po aq përgjegjësi mbajnë edhe segmentet e elitës politike shqiptare që nuk e kuptuan deri në vitin 2004 esencën reale të marrëveshjes, duke e transformuar atë në një proces të pafund kompromisesh dhe negociatash, çka dobësoi integritetin e saj kushtetues.

Kompromiset që gradualisht zbehën karakterin obligativ të marrëveshjes krijuan një gjendje ku popullsia shqiptare filloi të humbasë besimin dhe shpresën tek Marrëveshja e Ohrit si garanci e barazisë dhe stabilitetit. Për këtë arsye, dhe në përputhje me mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e marrëveshjeve strategjike në Ballkan, të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe Donald Trump, çdo figurë politike që minon ose relativizon marrëveshje që kanë garantuar paqen dhe stabilitetin ndëretnik duhet të përballet me pasoja politike dhe diplomatike. Në të kundërt, degradimi i vazhdueshëm i marrëveshjes rrezikon të prodhojë jo vetëm krizë të besimit institucional, por edhe kërkimin e alternativave të tjera politike nga një popullsi që ndien se themeli i barazisë së premtuar po shpërbëhet gradualisht.

Historia e Ballkanit ka dëshmuar vazhdimisht se paqja e ndërtuar mbi pabarazi është vetëm shtyrje e konfliktit. Për pasojë, çdo përpjekje për relativizimin e statusit kushtetues të shqiptarëve në emër të “kompromiseve evropiane” rrezikon të prodhojë jo integrim, por krizë të re të legjitimitetit shtetëror. Nëse Evropa dhe partnerët e saj perëndimorë synojnë vërtet ndërtimin e një Maqedonie autentikisht euro-atlantike, ajo nuk mund të ndërtohet mbi dobësimin e identitetit të popullit të dytë shtetformues të vendit. Një shtet që e percepton barazinë si kërcënim dhe jo si themel të stabilitetit, rrezikon të mbetet i bllokuar në ciklin e krizave të trashëguara nga historia e tij.

Filed Under: Rajon

AMERIKA ZBARKON NE LUGINE TE PRESHEVES!

May 23, 2026 by s p

Dr. Faton Bislimi/

Ka çaste në historinë e një populli që nuk maten vetëm me një vizitë apo një takim diplomatik, por me peshën morale dhe politike që ato bartin për breza të tërë. Java që vjen është pikërisht një moment i tillë për Luginën e Preshevës.

Për herë të parë në histori, një delegacion zyrtar i Kongresit të SHBA-së, i udhëhequr nga Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, do të vizitojë Luginën e Preshevës. Kjo s’ka se si të mos më rikujtoj kohën e vizitës së parë kongresionale në Kosovë në Maj 1990 në krye me asokohe Kongresistin Lantos dhe DioGuardi!

Kjo nuk erdhi rastësisht. Është rezultat i pothuajse dy dekadave punë të pandalshme, takimeve të shumta në Washington DC, letrave nga kongresistë e senatorë amerikanë, brifingjeve në Senat, rezolutave dhe angazhimit të vazhdueshëm për ta ngritur zërin e shqiptarëve të Luginës aty ku merren vendimet më të rëndësishme në botë. Isha vetëm 20 vjeçar kur fillova angazhimin për Luginën nën lidershipin e Joe e Shirley DioGuardit duke aranzhuar takimet e para në Gjilan.

Sot, ajo punë po merr formë konkrete në trojet tona.

Një falënderim i veçantë shkon për miqtë tanë të jashtëzakonshëm në Texas — veçanërisht z. Gino Mulliqi, z. Ceka, z. Smajli, z. Mehmeti, z. Tafilaj, z. Haliti, z. Vranici (Albanians for America) dhe shumë të tjerë — që me përkushtim, sinqeritet dhe dashuri për çështjen kombëtare ndihmuan që kauza jonë për Luginën të bëhet edhe kauzë e z. Self — dhe, kjo vizitë historike të bëhet realitet.

Nën patronatin e Kryetares së Preshevës, znj. Ardita Sinani, Lugina tashmë po vishet me billborde mirëseardhjeje për delegacionin kongresional amerikan. Këto nuk janë vetëm billborde — janë simbol i shpresës, dinjitetit dhe i faktit se Lugina nuk është më e harruar.

Historia po troket në Preshevë!

Dhe këtë herë, ajo po vjen direkt nga Capitol Hill, kupola e demokracisë botërore, në Washington, DC. 🇺🇸🇦🇱

Filed Under: Rajon

Barazia e Vonuar: Çështja Shqiptare dhe e Ardhmja e Maqedonisë së Veriut

May 21, 2026 by s p

Cafo Boga/

“Padrejtësia kudo është kërcënim për drejtësinë gjithkund.”— Martin Luther King Jr.

Pyetja e Papërfunduar Demokratike

Një nga paradokset më të mëdha të Ballkanit modern është fakti se Maqedonia e Veriut mund të jetë anëtare e NATO-s, të synojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe megjithatë të vazhdojë të ketë vështirësi në pranimin e plotë të gjuhës dhe të barazisë qytetare të njërit prej popujve të saj shtetformues.

Më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit dhe mbi njëzet vjet pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me një nga pyetjet themelore të rajonit: a mund të funksionojë një demokraci vërtet shumetnike mbi bazën e barazisë, apo nacionalizmi do të vazhdojë të ndikojë jetën politike dhe sjelljen institucionale të shtetit?

Tensionet e fundit rreth përdorimit të gjuhës shqipe nuk janë thjesht mosmarrëveshje administrative apo polemika të përkohshme politike. Ato zbulojnë një krizë më të thellë që prek barazinë kushtetuese, përfaqësimin politik, kujtesën historike, identitetin dhe procesin ende të papërfunduar të demokratizimit të shtetit.

Protestat e fundit të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkojnë zbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore të garantuara me ligj, kanë nxjerrë sërish në pah sa të brishta mbeten marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse gjuha shqipe gëzon status zyrtar sipas rendit kushtetues të krijuar pas konfliktit të vitit 2001, shumë shqiptarë besojnë se në praktikë të drejtat e tyre vazhdojnë të pengohen nga burokracia, rezistenca institucionale, vonesat dhe zbatimi selektiv i ligjit.

Ajo që e bën situatën veçanërisht shqetësuese është fakti se kërkesat e studentëve nuk janë kërkesa radikale. Ato janë të drejta të garantuara tashmë nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, nga amendamentet kushtetuese të miratuara pas Marrëveshjes së Ohrit dhe nga vetë korniza ligjore mbi të cilën u ndërtua stabiliteti pas vitit 2001.

Prandaj, çështja nuk është më nëse këto të drejta ekzistojnë formalisht. Çështja është nëse shteti është vërtet i gatshëm t’i zbatojë ato në mënyrë të barabartë, të qëndrueshme dhe të sinqertë.

Gjuha, Identiteti dhe Kujtesa Historike

Për shumë maqedonas, veçanërisht në qarqet nacionaliste, përdorimi më i gjerë i gjuhës shqipe ende shihet me dyshim, sikur barazia gjuhësore të cenonte karakterin maqedonas të shtetit. Për shqiptarët, megjithatë, kjo çështje shkon shumë përtej gjuhës. Gjuha shqipe përfaqëson vazhdimësinë historike, identitetin, dinjitetin, kujtesën kolektive dhe të drejtën për t’u ndjerë të barabartë në tokën ku breza të tërë të paraardhësve të tyre kanë jetuar.

Në Ballkan, gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi. Ajo është njohje. Është përkatësi. Është legjitimitet politik.

Pikërisht për këtë arsye debati aktual është kaq emocional dhe politikisht i ngarkuar.

Si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit e konsiderojnë Maqedoninë e Veriut pjesë të atdheut të tyre historik. Shqiptarët shpesh theksojnë vazhdimësinë e popullsive ilire dhe dardane në pjesët perëndimore të vendit, ndërsa maqedonasit e shohin këtë territor si pjesë qendrore të zhvillimit të identitetit të tyre kombëtar ndër shekuj. Historianët mund të vazhdojnë debatet mbi origjinën historike të popujve, por shoqëritë demokratike nuk mund të ndërtohen vetëm mbi interpretime konkurruese të historisë së lashtë.

Pyetja e vërtetë sot është nëse të dy popujt mund të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët demokratike.

Ironikisht, vetë historia dëshmon se bashkëjetesa dhe bashkëpunimi politik ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve nuk janë të pamundura.

Shumë kohë përpara retorikës nacionaliste të ditëve tona, aktorë politikë nga të dy komunitetet kanë përjetuar periudha dialogu dhe koordinimi. Gjatë viteve ndërmjet dy luftërave botërore, përfaqësues revolucionarë shqiptarë dhe maqedonas eksploruan ide që lidhen me bashkëjetesën, vetëvendosjen dhe akomodimin politik. Madje edhe gjatë periudhës jugosllave — pavarësisht padrejtësive dhe kufizimeve të shumta — ekzistonin korniza kushtetuese që, në disa aspekte, garantonin të drejta gjuhësore më të avancuara sesa ato që disa institucione sot duket se janë të gatshme t’i zbatojnë plotësisht.

Kjo krijon një paradoks shqetësues për Maqedoninë e Veriut bashkëkohore.

Një vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian nuk mund të flasë me besueshmëri për standardet evropiane të demokracisë, ndërkohë që të drejtat kushtetuese të njërit prej popujve të tij shtetformues vazhdojnë të zbatohen në mënyrë të pjesshme. Demokracia evropiane nuk matet vetëm me zgjedhje apo aleanca ndërkombëtare. Ajo matet me mënyrën se si qytetarët ndihen të barabartë përballë institucioneve të shtetit të tyre.

Dështimi i Lidershipit Politik

Marrëveshja Kornizë e Ohrit u hartua pikërisht për të parandaluar dominimin etnik dhe për të ndërtuar bashkëjetesën mbi bazën e barazisë politike. Ajo e njohu popullin shqiptar jo si një pakicë të toleruar, por si pjesë integrale dhe shtetformuese të republikës.

Megjithatë, më shumë se dy dekada më vonë, shumë shqiptarë ndjejnë se fryma e Ohrit ende nuk është realizuar plotësisht në praktikë.

Ky frustrim është i kuptueshëm.

Edhe pse partitë politike shqiptare kanë marrë pjesë vazhdimisht në koalicionet qeverisëse, një numër gjithnjë e më i madh shqiptarësh po pyesin hapur nëse përfaqësuesit e tyre politikë kanë mbrojtur vërtet interesat kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve. Është e pamohueshme se partitë shqiptare kanë arritur suksese të rëndësishme: njohjen më të gjerë të gjuhës shqipe, përfaqësim më të madh në institucionet publike, zgjerimin e mundësive arsimore dhe integrim më të plotë në jetën publike. Ato gjithashtu luajtën rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit pas konfliktit të vitit 2001 dhe mbështetën fuqishëm integrimin euro-atlantik të vendit.

Këto ishin arritje të rëndësishme.

Megjithatë, shumë shqiptarë besojnë gjithnjë e më tepër se lidershipi i tyre politik është përqendruar më shumë te marrëveshjet e koalicioneve, rrjetet klienteliste, rivalitetet e brendshme dhe mbijetesa politike sesa te reformat e thella institucionale dhe barazia reale në jetën e përditshme.

Po aq shqetësues është perceptimi në rritje i heshtjes politike. Në momentet kur të drejtat shqiptare janë sfiduar, relativizuar apo dobësuar, shumë shqiptarë kanë pritur reagime më të forta nga përfaqësuesit e tyre politikë. Në vend të kësaj, kalkulimet e ngushta politike shpesh kanë mbizotëruar mbi interesat më të gjera qytetare dhe kombëtare.

Ndërkohë që Maqedonia e Veriut mban përgjegjësinë kushtetuese për të garantuar barazinë e të gjithë qytetarëve të saj, edhe Shqipëria, si shteti amë, nuk mund të mbetet indiferente ndaj të drejtave, dinjitetit dhe së ardhmes së shqiptarëve përtej kufijve të saj. Kjo nuk duhet parë si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër, por si një detyrim legjitim moral dhe kombëtar, shpeshherë i anashkaluar nga Tirana zyrtare.

Ky zhgënjim është veçanërisht i dukshëm tek brezi i ri i shqiptarëve.

Protestat e fundit studentore janë të rëndësishme pikërisht sepse përfaqësojnë një frustrim që po lind jashtë strukturave tradicionale partiake. Shumë të rinj shqiptarë nuk u besojnë më plotësisht elitave politike — jo vetëm në Shkup, por në të gjithë botën politike shqiptare. Gjithnjë e më shumë, ata besojnë se faktorët politikë shqiptarë në rajon kanë dështuar të ndërtojnë një vizion serioz afatgjatë që të mbrojë interesat shqiptare dhe njëkohësisht të promovojë bashkëjetesën demokratike.

Dhe pikërisht këtu qëndron ndoshta problemi më i thellë ballkanik.

Faktori politik shqiptar mbetet i fragmentuar.

Tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria vazhdon të vuajë nga polarizimi i thellë politik, mosbesimi institucional, akuzat për korrupsion dhe konfliktet e pafundme ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Çështjet kombëtare që prekin shqiptarët jashtë Shqipërisë trajtohen shpesh në mënyrë retorike, por rrallëherë përmes një strategjie shtetërore të qëndrueshme, koordinimi institucional apo vizioni afatgjatë diplomatik.

Kosova, pavarësisht sakrificave historike dhe arritjeve të jashtëzakonshme, gjithashtu mbetet politikisht e përçarë dhe nën presion të vazhdueshëm nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare. Në vend që të fokusohet vazhdimisht në koordinimin strategjik të shqiptarëve në rajon, energjia politike shpesh konsumohet nga përplasjet e brendshme dhe krizat e përditshme politike.

Si rezultat, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Preshevë, Mal të Zi dhe Çamëri shpesh ndihen të pambështetur politikisht dhe të ekspozuar strategjikisht.

Nacionalizmi Nuk Është Zgjidhja

Në të njëjtën kohë, nacionalizmi po rikthehet sërish në pjesë të ndryshme të Ballkanit. Narrativat nacionaliste serbe mbi Kosovën vazhdojnë të mbijetojnë në qarqe të rëndësishme politike dhe intelektuale, ndërsa segmente të nacionalizmit maqedonas vazhdojnë t’i rezistojnë barazisë së plotë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Zhvillime të tilla krijojnë pasiguri dhe frustrim të kuptueshëm tek shqiptarët në të gjithë rajonin.

Megjithatë, pavarësisht këtyre tensioneve, ndarja territoriale apo ndarja etnike mund të mos jenë përgjigjja më e mirë.

Herë pas here shfaqen zëra që sugjerojnë se zonat me shumicë shqiptare duhet t’i bashkohen Kosovës ose Shqipërisë, ndërsa maqedonasit duhet të afrohen më shumë me Bullgarinë. Ide të tilla mund të tërheqin emocionalisht qarqe të zhgënjyera nga dekada mosbesimi dhe tensionesh të pazgjidhura. Por Ballkani e ka përjetuar tashmë çmimin tragjik të projekteve territoriale etnike gjatë viteve ’90. Popullsitë mbeten të përziera, historitë të ndërthurura dhe kufijtë e rinj pothuajse me siguri do të prodhonin kriza të reja, jo paqe të qëndrueshme.

Stabiliteti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut nuk varet nga ndarja, por nga barazia reale.

Asnjë shtet demokratik nuk mund të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme nëse një komunitet ndihet dominues ndërsa tjetri vetëm i toleruar. Po ashtu, bashkëjetesa nuk mund të mbijetojë kur garancitë kushtetuese ekzistojnë vetëm në letër, ndërsa realiteti institucional i përditshëm tregon diçka krejt tjetër.

Gjuha shqipe nuk duhet parë si kërcënim për shtetin. Përkundrazi, zbatimi i plotë dhe i barabartë i saj do të forconte legjitimitetin demokratik, do të thellonte besimin ndërmjet komuniteteve dhe do të përforconte stabilitetin afatgjatë të vendit. Demokracitë shumetnike në botë kanë dëshmuar vazhdimisht se shumëgjuhësia nuk është dobësi kur ekzistojnë barazia dhe respekti reciprok.

Rreziku i vërtetë qëndron diku tjetër — te nacionalizmi, mosbesimi, oportunizmi politik, korrupsioni dhe dështimi i vazhdueshëm i lidershipit politik në rajon.

Një Brez i Ri dhe Një Zgjedhje Vendimtare

Ndoshta mësimi më i rëndësishëm që del nga protestat e fundit është se një brez i ri shqiptarësh po artikulon frustrimet e tij në mënyrë të pavarur. Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje. Ata po kërkojnë dinjitet, meritokraci, respekt për Kushtetutën, trajtim të barabartë dhe një të ardhme ku të mos ndihen qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre.

Historia ka treguar vazhdimisht se lëvizjet studentore shpesh bëhen ndërgjegjja e shoqërive në periudha stagnimi politik. Nga lëvizjet demokratike në Evropë deri te transformimet politike në Ballkan, të rinjtë kanë qenë shpesh të parët që kanë sfiduar padrejtësinë institucionale dhe stagnimin politik.

Në shumë aspekte, këta studentë mund të përfaqësojnë fillimin e një vetëdijeje të re politike — më pak të burgosur nga rivalitetet e vjetra partiake dhe më të përkushtuar ndaj të drejtave demokratike, barazisë qytetare, dinjitetit kombëtar dhe bashkëpunimit rajonal.

Maqedonia e Veriut ndodhet sot në një udhëkryq të rëndësishëm historik.

Ajo mund të vazhdojë rrugën drejt një shteti evropian, demokratik dhe shumetnik ku shqiptarët dhe maqedonasit ndihen njësoj të respektuar dhe të barabartë, ose mund të lejojë që nacionalizmi, mosbesimi institucional dhe miopia politike të gërryejnë gradualisht bashkëjetesën e ndërtuar pas vitit 2001.

Dobësimi ose relativizimi i statusit ligjor të gjuhës shqipe nuk do ta forconte shtetin. Përkundrazi, do të dobësonte besimin, do të thellonte polarizimin dhe do të rrezikonte rihapjen e plagëve që Marrëveshja e Ohrit synonte të shëronte.

Pyetja nuk është më nëse shqiptarët dhe maqedonasit mund të jetojnë së bashku. Ata jetojnë së bashku prej brezash.

Pyetja e vërtetë është nëse liderët politikë do të kenë urtësinë dhe pjekurinë demokratike për të ndërtuar më në fund një shtet ku asnjëri popull të mos ndihet mysafir në shtëpinë e vet.

Asnjë shtet nuk dobësohet duke respektuar gjuhën, dinjitetin dhe barazinë kushtetuese të qytetarëve të tij. Shtetet dobësohen vetëm kur u frikësohen atyre.

Filed Under: Rajon

Xhandarmëria si Garant i Sovranitetit, Rendit dhe Sigurisë Shtetërore – Rasti i Kosovës dhe nevoja për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës

May 20, 2026 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Në kushtet e reja të sigurisë globale dhe rajonale, shtetet moderne po përballen me kërcënime të shumëfishta që tejkalojnë format tradicionale të rrezikut. Terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, migrimet ilegale, destabilizimi hibrid, sulmet ndaj rendit kushtetues dhe tensionet kufitare kanë imponuar nevojën për krijimin e strukturave të specializuara të sigurisë, të afta për reagim të shpejtë dhe efikas. Pikërisht në këtë kuadër duhet parë edhe nisma për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, e paralajmëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

Krijimi i një force të tillë nuk duhet parë vetëm si zgjerim institucional i mekanizmave të sigurisë, por si një domosdoshmëri strategjike për forcimin e sovranitetit shtetëror, mbrojtjen e integritetit territorial dhe ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Çfarë është Xhandarmëria?

Xhandarmëria paraqet një forcë të organizuar me karakter ushtarako-policor, e cila funksionon ndërmjet ushtrisë dhe policisë, duke pasur kompetenca të veçanta në ruajtjen e rendit publik, sigurisë kombëtare, kontrollit kufitar, luftimit të terrorizmit dhe reagimit ndaj krizave të sigurisë.

Në shumë shtete demokratike, xhandarmëria konsiderohet shtyllë e rëndësishme e sigurisë kombëtare.

Modelet më të njohura janë:

● Xhandarmëria Turke

● Xhandarmëria Kombëtare Franceze

● Karabinierët Italianë / Xhandarmëria Italiane

Këto struktura kanë dëshmuar efektivitet dhe efikasitet të lartë në menaxhimin e krizave të sigurisë dhe në mbrojtjen e stabilitetit shtetëror.

■ Shembulli i Xhandarmërisë Turke

Turkish Gendarmerie konsiderohet një nga modelet më të organizuara dhe më funksionale në rajon dhe më gjerë. Ajo ka rol kyç në:

● mbrojtjen e rendit kushtetues;

● luftimin e terrorizmit;

● kontrollin dhe sigurinë kufitare;

● mbrojtjen e zonave rurale dhe strategjike;

● reagimin ndaj trazirave dhe krizave;

● luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës;

● mbështetjen e institucioneve shtetërore në situata emergjente.

Xhandarmëria turke vepron me disiplinë të lartë operacionale dhe koordinim të avancuar me ushtrinë, policinë dhe inteligjencën shtetërore. Përvoja e saj dëshmon se strukturat e tilla janë të domosdoshme për shtetet që përballen me sfida të vazhdueshme të sigurisë.

Pse i nevojitet Kosovës Xhandarmëria?

Republika e Kosovës ndodhet ende përballë sfidave të ndjeshme të sigurisë, veçanërisht në veri të vendit dhe përgjatë kufijve shtetërorë. Strukturat ilegale, ndikimet destabilizuese nga jashtë, tensionet etnike dhe aktivitetet kriminale kërkojnë kapacitete shtesë të reagimit institucional.

Themelimi i Xhandarmërisë së Kosovës do të sillte disa përfitime strategjike:

1. Forcimi i sovranitetit shtetëror

Prania e një force të specializuar do të rriste kontrollin institucional në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të fuqizonte autoritetin kushtetues të shtetit.

2. Rritja e sigurisë kufitare

Kosova ka nevojë për mekanizma më të avancuar në kontrollin e kufijve, parandalimin e kontrabandës, migrimit ilegal dhe infiltrimeve destabilizuese.

3. Luftimi i terrorizmit dhe ekstremizmit

Xhandarmëria mund të shërbejë si njësi elitare kundër terrorizmit, radikalizmit dhe kërcënimeve hibride.

4. Reagim i shpejtë ndaj krizave

Në raste trazirash, fatkeqësish natyrore apo kërcënimesh të sigurisë kombëtare, kjo forcë do të kishte kapacitet operacional më fleksibil dhe më të organizuar.

5. Mbështetje për Policinë dhe FSK-në

Xhandarmëria do të krijonte një hallkë koordinuese ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës të sigurisë së Kosovës, duke rritur efikasitetin e përgjithshëm të sektorit të sigurisë.

Dimensioni strategjik dhe politik

Themelimi i Xhandarmërisë nuk duhet kuptuar si militarizim i sigurisë së brendshme, por si standard modern i organizimit shtetëror. Shumë vende anëtare të NATO posedojnë struktura të tilla, të cilat operojnë në përputhje me standardet demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Kosova, si shtet me sfida të vazhdueshme të sigurisë dhe me aspirata euroatlantike, ka nevojë për mekanizma profesionalë dhe të specializuar që garantojnë stabilitet afatgjatë.

Përfundim

Nisma për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës paraqet një hap strategjik në forcimin e arkitekturës kombëtare të sigurisë. Nëse organizohet mbi baza profesionale, ligjore dhe demokratike, kjo forcë mund të shëndërrohet në një garant të fuqishëm të sovranitetit, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe sigurisë së qytetarëve.

Në kohën kur kërcënimet ndaj shteteve nuk janë më vetëm konvencionale, por edhe hibride, informative dhe terroriste, Kosova duhet të ndërtojë institucione moderne të sigurisë, të afta për të mbrojtur shtetin në çdo rrethanë.

Xhandarmëria e Kosovës mund të jetë pikërisht një nga ato mekanizma strategjikë që do ta forcojnë shtetin, do të rrisin stabilitetin institucional dhe do të garantojnë siguri më të madhe për qytetarët dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 218
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË
  • Për Bujar Alimanin, “Virgjereshën” dhe kinematografinë shqiptare
  • PETRO NINI LUARASI NË AMERIKË 1904-1908 — NJË MISION PATRIOTIK
  • KOSOVA MES KONSOLIDIMIT KUSHTETUES DHE AFIRMIMIT NDËRKOMBËTAR
  • NËSE UASHINGTONI MBRON SOVRANITETIN E VET PËRBALLË NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE, KOSOVA DUHET TË KETË TË DREJTËN TË HAPË DEBATIN E VET KUSHTETUES PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA
  • Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror
  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…
  • Shqiptarët dhe Europa…
  • SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE IDENTITETI SI PJESË E VLERAVE TONA KOMBËTARE
  • ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT