• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe Gazeta ‘Dielli’ e SHBA-së (1981-2008)”

May 17, 2026 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Sot, në sallën e “Teatrit Kamertal” në Kolegjin AAB në Prishtinë, para studentëve dhe profesorëve të kolegjit tonë, promovuam librin e Prof. Roland J. Gjini : Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe Gazeta ‘Dielli’ e SHBA-së (1981-20008).

Ky libër sjell në vëmendje rolin historik dhe kombëtar të Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe gazetës “Dielli” për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dy nga institucionet më të rëndësishme të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për dekada kontribuan në ruajtjen e identitetit kombëtar, forcimin e çështjes shqiptare dhe ndërkombëtarizimin e saj.

Prof.Roland Gjini është një studiues i njohur në fushën e historisë, me një kontribut të veçantë në studimet historike dhe kërkimin shkencor. Ai ka shërbyer për 8 vite si dekan i Fakultetit të Historisë në Universitetin e Elbasanit dhe për rreth 40 vite si profesor, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme në jetën akademike dhe formimin e brezave të rinj.

Promovimi u shoqërua me diskutime mbi librin më të ri të Prof.Roland Gjinit dhe kontributin e mërgatës shqiptaro-amerikane në periudha të rëndësishme historike, si dhe mbi rëndësinë që vazhdon të ketë angazhimi intelektual dhe kombëtar i shqiptarëve në SHBA.

Një falënderim i veçantë për Prof.Ramë BUJA dhe Prof.Mustafa Kadzadej për fjalët e tyre për librin. Gjithashtu një falënderim për Akademik Beqir META për fjalën e shkruar që e kishte nisur për këtë promovim, si dhe Akademik Lulzim Tafa, drejtuesit dhe profesorët e Kolegjit AAB për pjesëmarrjen.

Në menyrë të veçantë falënderoj studentët, profesorët dhe dekanin e Fakultetit të Administratës Publike dhe Diplomacisë në Kolegjin AAB Prof. Vrullim Buja, për ndihmën në organizimin e këtij promovimi të rëndësishëm kulturor dhe akademik.

Promovimi i këtij libri u zhvillua me studentët e Fakultetit të Administratës Publike dhe Diplomacisë, në kuadër të lëndës “Media dhe Politika”, të cilën kam kënaqësinë ta ligjëroj për studentët e kolegjit tonë.

Përgëzime për autorin e librit Prof.Roland Gjini, për këtë vepër me vlerë të madhe studimore!

Filed Under: Rajon

Kosova dhe NATO: udhëheqja strategjike e SHBA-së dhe kufizimet e politikave të kushtëzimit brenda Aleancës Veriatlantike

May 14, 2026 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Në rrafshin e analizës strategjike dhe diplomatike, fjalia “Në SHBA riafirmohet mbështetja për Kosovën në NATO – dështon kushtëzimi i Greqisë për mosnjohje” reflekton një realitet të qartë të funksionimit të brendshëm të Aleancës Veriatlantike, ku hierarkia e ndikimit, konsensusi politik dhe logjika e sigurisë kolektive ndërthuren në mënyrë të pandashme.

Në këtë arkitekturë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësojnë promotorin kryesor, lokomotivën strategjike dhe boshtin udhëheqës të NATO-s. Që nga themelimi i Aleancës, SHBA ka qenë faktori përcaktues i drejtimit të saj gjeopolitik, i zgjerimit të saj dhe i definimit të interesave të sigurisë euroatlantike. Prandaj, çdo riafirmim amerikan për një shtet aspirant, si Republika e Kosovës, nuk është deklaratë protokollare, por sinjal strategjik që orienton qëndrimin e të gjithë sistemit të Aleancës.

Pas këtij boshti udhëheqës, rreshtohen aleatët kryesorë të NATO-s, të cilët në mënyrë të koordinuar kontribuojnë në ndërtimin e konsensusit kolektiv. Ky proces përfshin shtete me peshë të madhe politike dhe ushtarake në Evropë, të cilat, edhe kur kanë nuanca të ndryshme në qasje, në fund harmonizojnë qëndrimet e tyre me linjën strategjike të Aleancës, veçanërisht kur ajo artikulohet qartë nga SHBA.

Në këtë kontekst, shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – si Greqia dhe disa vende të tjera anëtare – mbajnë një qasje të kujdesshme diplomatike, e cila shpesh shfaqet në formë të rezervave politike ose tentativave për kushtëzim të procesit të integrimit me çështjen e statusit. Këto qëndrime burojnë nga nevoja për të ruajtur koherencën e politikës së tyre të brendshme dhe nga shmangia e krijimit të precedentëve në të drejtën ndërkombëtare.

Megjithatë, në praktikën funksionale të NATO-s, këto qëndrime nuk arrijnë të prodhojnë efekt bllokues mbi orientimin strategjik të Aleancës. Kjo për arsye se NATO nuk funksionon mbi bazën e dominimit të qëndrimeve individuale, por mbi bazën e konsensusit të ndërtuar rreth interesave të përbashkëta të sigurisë, ku roli i SHBA-së mbetet përcaktues.

Kur thuhet se “dështon kushtëzimi”, nënkuptohet pikërisht fakti se:përpjekjet për të lidhur procesin e integrimit të Kosovës me mosnjohjen e saj nuk kanë arritur të ndryshojnë drejtimin strategjik të Aleancës;çështja e Kosovës po trajtohet gjithnjë e më shumë në dimensionin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, jo vetëm në prizmin juridik të statusit;dhe se orientimi i përgjithshëm i NATO-s mbetet i pandryshuar në mbështetje të zgjerimit dhe stabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Në plan krahasues ndërkombëtar, kjo logjikë nuk është e panjohur. Në proceset e zgjerimit të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore, janë evidentuar raste ku shtete të veçanta anëtare kanë shfaqur rezerva politike, por drejtimi strategjik i Aleancës është përcaktuar nga qendra e saj politike dhe ushtarake – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në koordinim me aleatët kryesorë evropianë. Me kalimin e kohës, këto rezerva janë integruar në konsensusin përfundimtar.

Në këtë kuadër, Kosova pozicionohet si një partner strategjik i NATO-s dhe një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Riafirmimi amerikan e forcon këtë pozicionim, duke e vendosur Kosovën në orbitën e proceseve të avancuara të bashkëpunimit euroatlantik dhe duke e mbajtur të hapur perspektivën e saj afatgjatë në strukturat e Aleancës.

Në përmbledhje, ky zhvillim pasqyron një realitet të konsoliduar diplomatik: SHBA mbetet lokomotiva e NATO-s dhe garantuesi kryesor i drejtimit të saj strategjik, aleatët rreshtohen rreth këtij boshti udhëheqës, ndërsa politikat e kushtëzimit nga shtetet mosnjohëse nuk arrijnë të ndryshojnë orientimin themelor të Aleancës ndaj Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Filed Under: Rajon

Transformimi operacional i UÇK-së, doktrina, planifikimi dhe sfidat e fushëbetejë

May 13, 2026 by s p

Hisen Berisha/

Lufta nuk fitohet me formula të gatshme, por me vendimmarrje të guximshme në momentin e duhur. Lufta nuk është laborator teorik. Ajo është përballje vullnetesh, inteligjence dhe vendimmarrjeje nën presion ekstrem.

Doktrina e orienton mendjen, por realiteti i fushëbetejës e teston karakterin, intuitën dhe guximin e komandantit.

Me oficerët e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, zhvilluam ligjëratën përfundimtare me tematikë nga procesi i vendimmarrjes për luftë, operacionet luftarake dhe rolin ushtarak, politik e diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të vizitës studimore të programit akademik të Kolegjit, duke ndërthurur analizën teorike me përvojën praktike nga lufta e viteve 1998–1999, me fokus të veçantë në Betejën e Koshares, si një nga momentet më të rëndësishme operacionale dhe strategjike të luftës çlirimtare të Kosovës.

Në këtë kontekst u trajtua rëndësia që kanë përvojat direkte nga fushëbeteja në zhvillimin e doktrinave moderne të luftimit dhe në formimin profesional të oficerëve. U theksua se teoritë ushtarake marrin kuptim real vetëm atëherë kur testohen në kushte të vërteta lufte dhe kur përballen me presionin, pasigurinë dhe dinamikën e terrenit operacional.

Beteja e Koshares nuk ishte vetëm një fitore taktike në terren, por një zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë operacional dhe strategjik. Hapja e frontit dhe heqja me forcën e armës të integritetit territorial të ish-Jugosllavisë dhe APJ duke i marë kazermat ushtarake në vij të kufirit, ndryshoi raportin operacional me forcat serbe, duke i detyruar ato të zhvendosin kapacitete dhe armatime të rënda në zonë. Kjo ekspozoi objektiva të rëndësishme ushtarake, të cilat më pas u bënë pjesë e goditjeve ajrore të Aleancës Veriatlantike, duke rritur efektin e ndërhyrjes së NATO-s në thellësi të sistemit ushtarak serb.

Në këtë kuptim, Kosharja ishte jo vetëm simbol i vendosmërisë dhe sakrificës, por edhe faktor real në dinamikën strategjike të luftës për lirinë e Kosovës.

Në ligjëratë u trajtuan faktorët kyç që bëjnë diferencën mes fitores dhe humbjes në luftë: edukimi ushtarak, trajnimi për mision, vetëbesimi profesional, fleksibiliteti në vendimmarrje, autonomia në veprim, disiplina operative, organizimi i njësive të vogla luftarake dhe aftësia për të vepruar jashtë shablloneve.

U theksua se lufta reale nuk ndjek skema të ngrira teorike e shabllone sterile. Asnjë plan nuk i mbijeton plotësisht kontaktit me armikun. Për këtë arsye, fleksibiliteti, leximi i drejtë i terrenit dhe vendimmarrja e shpejtë mbeten elemente vendimtare në suksesin operacional të çdo ushtrie.

Trajnimi, edukimi, disiplina dhe vetëbesimi profesional janë shtyllat e një ushtrie funksionale, por ato marrin vlerë reale vetëm kur kombinohen me kreativitetin operacional, improvizimin dhe guximin për të vepruar në momentin e duhur.

Në luftë, shpesh grupet e vogla dhe komandantët në vijën e parë bëjnë diferencën strategjike. Disiplina nuk është vetëm bindje ndaj urdhrave, por aftësi për të ruajtur rendin, kohezionin moral dhe fokusin operacional në situata ekstreme, aty ku presioni psikologjik është po aq i fortë sa zjarri armik.

Historia ushtarake dëshmon se ushtritë janë të mëdha kur fitojnë, por bëhen të vogla kur humbin. Numri nuk është gjithmonë vendimtar. Vendimtare mbeten morali, organizimi, vendosmëria dhe drejtësia e kauzës.

UÇK – fitoi – zotroi fushëbetejen.

Kjo ligjëratë ishte një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash profesionale me oficerët e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë nga Tirana, si dhe për të rikujtuar se përvoja shqiptare e luftës për liri mbetet një shkollë e rëndësishme studimi në aspektin ushtarak, strategjik dhe historik.

“Të ngritemi në nivelin e standardeve, e jo ti zbresim ato në nivelin tonë.”

Një Ushtri ka të ardhme kur ka oficer me nivel të lartë profesional siç treguar gjatë kësaj ligjërate akademike.

“Mospajtimi s’do të thotë mosrespekt.”

Filed Under: Rajon

Përdorimi i termit “Kosova” dhe “Republika e Kosovës” si domosdoshmëri juridiko-kushtetuese dhe identitare në afirmimin e subjektivitetit shtetëror ndërkombëtar

May 12, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Ky punim trajton në mënyrë të thelluar aspektet juridike, kushtetuese, gjuhësore dhe ndërkombëtare të rëndësisë së përdorimit të termave “Kosova” dhe “Republika e Kosovës” në vend të formës “Kosovo”, duke argumentuar se kjo çështje nuk është vetëm terminologjike, por përbën një element thelbësor të afirmimit të identitetit shtetëror dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Analiza mbështetet në parimet e së drejtës kushtetuese, të së drejtës ndërkombëtare publike dhe në praktikën bashkëkohore diplomatike të shtetndërtimit.

1. Gjuha si instrument i sovranitetit shtetëror

Në teorinë moderne të shtetit dhe të së drejtës ndërkombëtare, gjuha nuk konsiderohet vetëm si mjet komunikimi, por edhe si instrument i rëndësishëm i sovranitetit simbolik dhe institucional. Emërtimi i një shteti përbën një nga elementet themelore të identitetit të tij juridik, politik dhe diplomatik në sistemin ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, përdorimi i emërtimeve “Kosova”, “Republika e Kosovës” dhe “Kosovo” nuk është çështje neutrale, por lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e perceptimit ndërkombëtar të shtetësisë dhe subjektivitetit juridik të Republikës së Kosovës.

2. Dimensioni gjuhësor dhe standardizimi onomastik

Nga këndvështrimi i gjuhësisë normative shqipe, forma “Kosova” përfaqëson standardin e pranuar gjuhësor, kulturor dhe institucional. Ky emërtim është i rrënjosur në traditën historike, letrare dhe kombëtare shqiptare.

Forma “Kosovo”, e përdorur në disa gjuhë të huaja dhe në komunikime të caktuara ndërkombëtare, nuk pasqyron strukturën fonetike dhe morfologjike të gjuhës shqipe. Për rrjedhojë, ajo nuk mund të konsiderohet pjesë e standardit të brendshëm gjuhësor të shtetit.

Prandaj, përdorimi i formës “Kosova” në diskursin akademik, institucional dhe publik është jo vetëm gjuhësisht korrekt, por edhe i domosdoshëm për ruajtjen dhe afirmimin e identitetit gjuhësor kombëtar.

3. Dimensioni kushtetues dhe juridik i emërtimit shtetëror

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartë emërtimin zyrtar të shtetit si “Republika e Kosovës”. Ky emërtim ka karakter detyrues juridik dhe përbën bazën e identitetit institucional dhe kushtetues të shtetit.

Në këtë kontekst:çdo akt zyrtar shtetëror duhet të përdorë emërtimin kushtetues;çdo devijim terminologjik mund të krijojë pasaktësi juridike dhe institucionale;standardizimi i emërtimit është pjesë integrale e rendit kushtetues të brendshëm.

Emërtimi i saktë i shtetit nuk është vetëm formalitet administrativ, por element thelbësor i sovranitetit juridik dhe institucional.

4. Dimensioni ndërkombëtar dhe e drejta e njohjes së shteteve

Në të drejtën ndërkombëtare publike, emërtimi i shtetit përbën pjesë të identitetit të tij si subjekt juridik ndërkombëtar. Njohja e një shteti nënkupton jo vetëm pranimin e ekzistencës së tij politike dhe juridike, por edhe pranimin e emërtimit të tij zyrtar.

Praktika diplomatike ndërkombëtare dëshmon se:përdorimi i emrit kushtetues përbën standard në marrëdhëniet ndërkombëtare;ndryshimet terminologjike ndikojnë në perceptimin politik dhe juridik të shtetësisë;konsistenca në përdorimin e emërtimit forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit.

Në këtë kuptim, përdorimi i emërtimit “Republika e Kosovës” paraqet element të rëndësishëm të afirmimit të plotë të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

5. Dimensioni politik i identitetit shtetëror

Emërtimi i shtetit është instrument politik i identitetit dhe sovranitetit. Ai nuk është vetëm shenjë gjuhësore, por simbol i ekzistencës dhe legjitimitetit shtetëror.

Në rastin e Kosovës, përdorimi i saktë i emërtimit:forcon identitetin institucional të shtetit;konsolidon legjitimitetin shtetëror;ndikon në perceptimin ndërkombëtar të shtetësisë;shmang relativizimin politik të statusit shtetëror.

Në këtë mënyrë, gjuha shndërrohet në pjesë të rëndësishme të diplomacisë dhe të vetë procesit të shtetndërtimit.

6. Dimensioni diplomatik dhe praktika ndërkombëtare

Në praktikën bashkëkohore të marrëdhënieve ndërkombëtare, shtetet i kushtojnë rëndësi të veçantë mënyrës së përfaqësimit të emrit të tyre në dokumente zyrtare, organizata ndërkombëtare dhe komunikim diplomatik.

Shembujt ndërkombëtarë dëshmojnë se:emrat kushtetues respektohen në organizatat ndërkombëtare;përdorimi i standardizuar i emërtimit është pjesë e protokollit diplomatik;devijimi nga emri zyrtar konsiderohet çështje sensitive politike dhe diplomatike.

Prandaj, përdorimi i emërtimit “Republika e Kosovës” në diplomaci nuk është vetëm çështje formale, por edhe strategjike.

7. Dimensioni identitar dhe kombëtar

Emërtimi i shtetit përbën pjesë të identitetit kolektiv të një populli. Ai reflekton historinë, kulturën dhe aspiratat politike të tij.

Në këtë kontekst, përdorimi i formës “Kosova”:ruan vazhdimësinë historike dhe kombëtare;forcon identitetin kulturor shqiptar;lidh shtetin me bazën e tij historike, shoqërore dhe etnike.

Ndërkaq, forma “Kosovo” mbetet kryesisht një variant i huaj i përdorur në disa kontekste ndërkombëtare, pa reflektuar plotësisht realitetin gjuhësor dhe kulturor vendor.

8. Roli i akademisë dhe mediave në standardizimin e emërtimit

Institucionet akademike dhe mediat luajnë rol kyç në standardizimin dhe konsolidimin e terminologjisë shtetërore.

Në këtë drejtim:akademia duhet të përdorë terminologji të unifikuar dhe kushtetutshmërisht korrekte;mediat duhet të respektojnë emërtimin zyrtar të shtetit;diskursi publik duhet të kontribuojë në afirmimin e identitetit shtetëror dhe institucional.

9. Analizë kritike e përdorimit të termit “Kosovo”

Përdorimi i termit “Kosovo” në disa kontekste ndërkombëtare shpesh është rezultat i traditave të huaja gjuhësore dhe jo i realitetit kushtetues dhe institucional të shtetit të Kosovës.

Ky përdorim:mund të krijojë konfuzion terminologjik;mund të zbehë identitetin gjuhësor vendor;mund të ndikojë në perceptimin politik dhe juridik të shtetësisë.

Për këtë arsye, standardizimi i përdorimit të emërtimit “Kosova” dhe “Republika e Kosovës” mbetet domosdoshmëri në të gjitha nivelet e komunikimit institucional dhe ndërkombëtar.

Përdorimi i formave “Kosova” dhe “Republika e Kosovës”, në vend të termit “Kosovo”, nuk është thjesht çështje gjuhësore apo stilistike, por një domosdoshmëri e mirëfilltë juridiko-kushtetuese, shtetërore, diplomatike dhe identitare.

Ky përdorim:afirmon sovranitetin shtetëror;forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës;konsolidon identitetin kombëtar dhe institucional;standardizon përfaqësimin e shtetit në arenën globale.

Në këtë kuptim, gjuha bëhet pjesë e pandashme e shtetndërtimit, e sovranitetit juridik dhe e diplomacisë moderne të Republikës së Kosovës.

Prandaj, në përfundim mund të theksohet se emërtimi “Kosovo” duhet të eliminohet edhe në raportet dhe komunikimet zyrtare të shtetit të Kosovës me jashtë, duke u zëvendësuar me emërtimin kushtetues dhe juridikisht korrekt “Republika e Kosovës” ose “Kosova”. Ky standardizim nuk paraqet vetëm korrektësi gjuhësore, por edhe afirmim të sovranitetit shtetëror, të identitetit kombëtar dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Rajon

SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT PËRBALLË SFIDAVE SERIOZE EUROINTEGRUESE

May 11, 2026 by s p

Pyetja themelore nuk është vetëm nëse Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës, por nëse elitat e saj politike do ta kuptojnë se e ardhmja evropiane ndërtohet mbi dialog gjithëpërfshirës, kompromis demokratik, bashkëjetesë dhe përgjegjësi historike ndaj qytetarëve të saj. Historia nuk do t’i kujtojë ata që vendosën “vija të kuqe” ndaj së ardhmes, por ata që patën guximin politik të ndërtojnë ura mbi krizat dhe ndarjet.

Nga Prof. dr. Skender Asani

Përkushtimi ndaj eurointegrimit ka qenë një nga prioritetet më të larta politike dhe qytetare të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që nga themelimi i shtetit në vitet ’90. Për dekada me radhë, qytetarët kanë investuar besimin, durimin dhe optimizmin e tyre në bindjen se projekti evropian do të garantojë stabilitet, demokraci funksionale, barazi ndëretnike dhe avancim institucional. Kjo rrugë tregon se pothuaj çdo hap drejt strukturave euroatlantike është shoqëruar me pengesa të reja, herë të nxitura nga faktorë të jashtëm me agjenda gjeopolitike dhe herë të gjeneruara nga dinamikat e brendshme politike që kanë frenuar reformat dhe konsensusin shtetëror.

Procesi i integrimit evropian është shndërruar në një përpjekje të zgjatur, të karakterizuar nga vonesa, pasiguri dhe kriza të përsëritura, ku idealet qytetare shpesh bien ndesh me kalkulimet afatshkurtra politike. Aktualisht, ky proces ndodhet në një pikë kthese, e cila do të ndikojë jo vetëm drejtimin strategjik të shtetit, por edhe identitetin e tij demokratik, karakterin multietnik dhe besueshmërinë e projektit evropian në rajon.

Zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, të reflektuara në deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetërorë lidhur me refuzimin e ndryshimeve kushtetuese dhe përcaktimin e “vijave të kuqe”, sinjalizojnë fillimin e një faze të re tensionesh institucionale dhe diplomatike, me pasoja të mundshme afatgjata për stabilitetin e brendshëm dhe orientimin strategjik euroatlantik të vendit. Deklarata e ministrit të Jashtëm Timço Mucunski, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, se shteti “nuk është i gatshëm për ndryshime kushtetuese”, nuk duhet parë vetëm si qëndrim politik i zakonshëm apo si pjesë e një debati të brendshëm procedural. Përkundrazi, ajo sinjalizon një ndryshim të qartë në diskursin zyrtar, i cili po largohet gradualisht nga paradigma integruese dhe po hyn në një fazë të retorikës më konfrontuese ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Kjo ndodh në prag të debatit të rëndësishëm që pritet të zhvillohet në mesin e qershorit në Parlamentin Evropian, ku eurodeputeti Thomas Waitz do të paraqesë raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut. Ky debat vlerësohet si një nga më të ndjeshmit dhe më të diskutueshmit në vitet e fundit, sipas analizave diplomatike dhe politike. Fokusi i tij do të përfshijë jo vetëm bllokimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese, por edhe shqetësimet mbi funksionimin demokratik, respektimin e standardeve evropiane dhe ruajtjen e karakterit multietnik të kornizës kushtetuese. Vendimi i ardhshëm i Parlamentit Evropian mund të marrë një ton paralajmërues dhe kritik politik, duke sinjalizuar se procesi i eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut ndodhet në një fazë vendimtare, potencialisht në një nga etapat përmbyllëse të izolimit të zgjatur institucional dhe diplomatik.

Një aspekt shqetësues i situatës aktuale është perceptimi në rritje në qarqet ndërkombëtare se esenca e Marrëveshjes së Ohrit po zbehet gradualisht, si pasojë e politikave të centralizimit institucional, relativizimit të të drejtave kolektive dhe rritjes së tensioneve ndëretnike. Marrëveshja e Ohrit, e konsideruar historikisht si themel i stabilitetit dhe bashkëjetesës në vend, duket se po humb peshën e saj politike, ndërsa çështje si përdorimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi institucional dhe balanca ndëretnike po trajtohen gjithnjë e më shumë si tema të zakonshme politike, e jo si parime të pandryshueshme të rendit kushtetues. Kjo krijon paqëndrueshmëri politike dhe psikologjike, veçanërisht tek shqiptarët që e shohin Marrëveshjen e Ohrit si garanci për ekzistencën e tyre politike dhe institucionale.

Nga këndvështrimi i analizës së komunikimit politik, retorika aktuale qeveritare përfaqëson një model tipik të ndërtimit të narrativës së “rrethimit politik”, ku përgjegjësia për krizën zhvendoset jashtë dhe aktorët ndërkombëtarë paraqiten si pengesë për sovranitetin dhe identitetin kombëtar. Ky model përdoret zakonisht nga qeveritë që përballen me krizë legjitimiteti ose vonesa reformash, duke synuar mobilizimin e opinionit të brendshëm përmes diskursit emocional dhe nacionalist. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, kjo qasje mbart rrezik serioz politik, pasi mund të thellojë polarizimin ndëretnik, të rrisë tensionet me partnerët euroatlantikë dhe të minojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

Komuniteti ndërkombëtar duhet ta trajtojë këtë moment politik me seriozitet të shtuar, duke mos e reduktuar situatën vetëm në çështje teknike të ndryshimeve kushtetuese apo mosmarrëveshjeve bilaterale. Kriza aktuale ka marrë karakter strukturor dhe ndikon drejtpërdrejt në drejtimin strategjik të shtetit. Çdo vonesë në angazhimin diplomatik dhe politik mund të ketë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin rajonal, veçanërisht duke pasur parasysh ndjeshmërinë gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor.

Mungesa e një angazhimi të qartë dhe transparent ndërkombëtar për të garantuar standardet demokratike, për të mbrojtur Marrëveshjen e Ohrit dhe për të ruajtur procesin e integrimit evropian rrit rrezikun që Maqedonia e Veriut të hyjë në një cikël të ri krize politike dhe institucionale, me pasoja afatgjata për të gjithë rajonin.

Kjo analizë synon të shërbejë si një paralajmërim politik dhe diplomatik për opinionin vendor dhe ndërkombëtar, duke theksuar se debati i qershorit në Parlamentin Evropian nuk duhet parë si një formalitet parlamentar, por si një moment vendimtar për të ardhmen demokratike, multietnike dhe evropiane të Maqedonisë së Veriut. Nëse proceset aktuale vazhdojnë me të njëjtën dinamikë polarizimi politik dhe retorikë përjashtuese, rreziku i izolimit politik dhe krizës së brendshme bëhet gjithnjë e më real, me pasoja që tejkalojnë diskursin politik dhe prekin stabilitetin institucional dhe kohezionin shoqëror të shtetit.

Diskursi mbi krizën aktuale politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut ka tejkaluar debatet procedurale mbi ndryshimet kushtetuese dhe tashmë prek çështjen thelbësore të orientimit historik të shtetit dhe aftësisë së tij për të ruajtur identitetin demokratik, multietnik dhe evropian. Eskalimi i diskursit politik, relativizimi gradual i standardeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe krijimi i një atmosfere konfrontuese me partnerët ndërkombëtarë rrezikojnë jo vetëm procesin e integrimit evropian, por edhe besimin qytetar dhe kohezionin institucional.

Prandaj, momenti aktual kërkon maturi qeveritare, vizion strategjik dhe rikthim të kulturës së dialogut politik si kusht thelbësor për shmangien e izolimit dhe ruajtjen e orientimit evropian të vendit.

Pyetja themelore nuk është vetëm nëse Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës, por nëse elitat e saj politike do ta kuptojnë se e ardhmja evropiane ndërtohet mbi dialog gjithëpërfshirës, kompromis demokratik, bashkëjetesë dhe përgjegjësi historike ndaj qytetarëve të saj.

Historia nuk do t’i kujtojë ata që vendosën “vija të kuqe” ndaj së ardhmes, por ata që patën guximin politik të ndërtojnë ura mbi krizat dhe ndarjet.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 218
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË
  • Për Bujar Alimanin, “Virgjereshën” dhe kinematografinë shqiptare
  • PETRO NINI LUARASI NË AMERIKË 1904-1908 — NJË MISION PATRIOTIK
  • KOSOVA MES KONSOLIDIMIT KUSHTETUES DHE AFIRMIMIT NDËRKOMBËTAR
  • NËSE UASHINGTONI MBRON SOVRANITETIN E VET PËRBALLË NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE, KOSOVA DUHET TË KETË TË DREJTËN TË HAPË DEBATIN E VET KUSHTETUES PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA
  • Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror
  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…
  • Shqiptarët dhe Europa…
  • SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE IDENTITETI SI PJESË E VLERAVE TONA KOMBËTARE
  • ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT