• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROJEKTI I PADUKSHËM I SPASTRIMIT ETNIK NËPËRMJET INXHINIERISË SË IDENTITETIT

July 20, 2026 by s p

( Dokumenti diplomatik italian si dëshmi e vazhdimësisë së projektit serbo-bullgar për shkombëtarizimin e shqiptarëve).

Prof. Dr. Skender Asani

Historia e Ballkanit nuk mund të kuptohet vetëm përmes luftërave, ndryshimeve të kufijve dhe përplasjeve ushtarake. Pas këtyre zhvillimeve ka vepruar një mekanizëm shumë më i ndërlikuar, i ndërtuar mbi administratën shtetërore, diplomacinë, propagandën dhe manipulimin juridik të identitetit. Pikërisht në këtë dimension duhet kërkuar një nga projektet më afatgjata të transformimit etnik në Evropën Juglindore: strategjia sistematike për reduktimin e pranisë shqiptare në trojet e veta përmes ndryshimit të identitetit administrativ, përpara se të realizohej shpërngulja fizike e popullsisë. Dokumentet arkivore dëshmojnë se spastrimi etnik nuk fillonte domosdoshmërisht me armë; ai niste shumë më herët në regjistrat civilë, në administratën shtetërore, në institucionet fetare dhe në procedurat burokratike.

Kjo strategji u kodifikua gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore në Mbretërinë e Jugosllavisë përmes marrëveshjeve serbo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve drejt Anadollit.

Në pamje të parë, këto marrëveshje paraqiteshin si instrumente për menaxhimin e migrimit, por në të vërtetë ato përfaqësonin fazën përfundimtare të një projekti shumë më të gjerë shtetëror. Për ta larguar shqiptarin nga vendlindja e tij, më parë duhej t’i mohohej identiteti shqiptar në regjistrat zyrtarë. Përkatësia fetare u shndërrua në instrument për mohimin e identitetit kombëtar. Regjistrimi i shqiptarëve myslimanë si turq krijonte bazën juridike që shpërngulja e tyre të paraqitej si zbatim i një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet dy shteteve dhe jo si dëbim i dhunshëm i një popullsie autoktone.

Kjo doktrinë politike nuk u ndërpre me Luftën e Dytë Botërore. Përkundrazi, dokumentet diplomatike italiane dëshmojnë se, pas pushtimit bullgar të Maqedonisë, administrata bullgare vazhdoi të zbatonte të njëjtën logjikë, duke ndryshuar vetëm instrumentet, por jo objektivin strategjik. Regjimet ndryshonin, por synimi mbetej i pandryshuar: dobësimi gradual i elementit shqiptar përmes manipulimit të identitetit, kontrollit administrativ dhe krijimit të kushteve për shpërngulje. Vazhdimësia e kësaj politike dëshmon se nuk bëhej fjalë për masa të rastësishme apo të izoluara, por për pjesë përbërëse të një koncepti afatgjatë të inxhinierisë demografike.

Një nga dëshmitë më domethënëse për këtë projekt ruhet në fondet arkivore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, veçanërisht në dokumentacionin që lidhet me Bashkësinë Islame në Maqedoni. Raportet diplomatike italiane nuk ishin materiale propagandistike, por burime parësore të hartuara ekskluzivisht për përdorim të brendshëm qeveritar. Pikërisht ky karakter u jep atyre një vlerë të jashtëzakonshme historiografike. Në raportin e Konsullit Mbretëror Italian në Shkup thuhet qartë se autoritetet bullgare kishin filluar regjistrimin sistematik të myslimanëve si turq. Diplomacia italiane theksonte shprehimisht se shumica dërrmuese e tyre ishin në të vërtetë shqiptarë. Ky dokument rrëzon narrativat që për dekada e paraqitën këtë proces si pasqyrim të një realiteti etnik autentik dhe provon se ai ishte rezultat i një ndërhyrjeje të vetëdijshme shtetërore në identitetin kombëtar të komunitetit shqiptar.

Dokumenti italian zbërthen mekanizmin real të funksionimit të këtij projekti. Ai dëshmon se objektivi nuk ishte komuniteti etnik turk, por shqiptarët myslimanë të Maqedonisë, të cilëve duhej t’u hiqej identiteti kombëtar përpara se t’u mohohej e drejta mbi vendlindjen. Në këtë mënyrë, regjistrimi civil pushoi së qeni një instrument statistikor dhe u shndërrua në armë politike. Administrata nuk regjistronte më realitetin, por krijonte një realitet të ri juridik, i cili më vonë përdorej për të legjitimuar transformimet demografike. Shqiptari zhdukej fillimisht si kategori juridike dhe vetëm më pas si prani fizike në trojet e veta.

Paralelisht zhvillohej edhe një goditje sistematike ndaj elitës fetare shqiptare. Burgosja, internimi dhe dëbimi i imamëve dhe myftinjve shqiptarë, si dhe zëvendësimi i tyre me klerikë të afërt me politikat shtetërore, synonte të shkëpuste lidhjen midis Islamit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare. Institucionet fetare u shndërruan në instrumente të inxhinierisë së identitetit. Dobësimi i rolit të tyre kombëtar krijoi terrenin psikologjik dhe administrativ për realizimin e projektit të shpërnguljes.

Po aq e rëndësishme ishte edhe politika ndaj pronës. Siç dëshmojnë dokumentet diplomatike italiane, autoritetet ndërhynin në procedurat noteriale dhe vendosnin kufizime në shitblerjen e pronave të shqiptarëve myslimanë. Këto masa nuk ishin veprime të izoluara burokratike, por pjesë integrale e të njëjtit projekt strategjik. Cenimi i sigurisë juridike mbi pronën dobësonte bazën ekonomike të komunitetit shqiptar dhe e bënte largimin e tij pothuajse të pakthyeshëm. Kështu, identiteti, prona dhe pushteti administrativ u shkrinë në një mekanizëm të vetëm të transformimit etnik.

Në këtë kontekst historik, diplomacia shqiptare mori një rëndësi të veçantë. Hamit Kokallari, konsull i Shqipërisë në Shkup, dhe Xhafer Belegu, konsull i Shqipërisë në Manastir, e tejkaluan funksionin tradicional të përfaqësuesit diplomatik dhe u shndërruan në mbrojtës të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Përmes raporteve diplomatike, ndërhyrjeve pranë autoriteteve kompetente dhe mbështetjes për institucionet arsimore, kulturore e fetare shqiptare, ata iu kundërvunë politikave të shkombëtarizimit dhe dëshmuan se shteti shqiptar nuk kishte hequr dorë nga përgjegjësia e tij morale ndaj shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Konsullatat shqiptare në Shkup dhe Manastir u shndërruan kështu në qendra të rezistencës diplomatike kundër politikave që synonin ta reduktonin shqiptarin në një kategori thjesht fetare, të zhveshur nga identiteti i tij kombëtar.

Rëndësia e dokumentit diplomatik italian e tejkalon historinë shqiptare. Ai ofron një model universal të përdorimit të administratës shtetërore si instrument për transformimin e identitetit etnik.

Në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore, praktika të tilla përbëjnë shkelje serioze të të drejtave kolektive, të drejtës së pronës dhe parimit themelor të mosdiskriminimit. Për këtë arsye, dokumenti duhet të konsiderohet një burim themelor për studimin e fazave fillestare të spastrimit etnik, ku burokracia i paraprin dhunës dhe veprimet administrative hapin rrugën për shpërnguljen me forcë.

Kjo logjikë nuk i përket vetëm së kaluarës. Zhvillimet bashkëkohore tregojnë se mekanizmi themelor shpesh mbetet i njëjtë, edhe pse format e zbatimit ndryshojnë. Rasti i pasivizimit të adresave të banimit të shqiptarëve në Medvegjë është një shembull domethënës se si një procedurë në dukje administrative mund të prodhojë pasoja të thella politike dhe demografike. Humbja e adresës së regjistruar nënkupton kufizime në të drejtën e votës, në të drejtën e pronës, në qasjen ndaj dokumentacionit zyrtar dhe, në fund, dobësimin e lidhjes juridike ndërmjet individit dhe vendbanimit të tij. Nuk bëhet fjalë për një krahasim mekanik të epokave të ndryshme historike, por për ilustrimin e vazhdimësisë së një logjike, sipas së cilës administrata përdoret për të transformuar realitetin demografik.

Reflektime të ngjashme imponojnë edhe zhvillimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfaqëson themelin kushtetues mbi të cilin janë ndërtuar stabiliteti ndëretnik, përfaqësimi i drejtë dhe orientimi euroatlantik i shtetit. Në këtë kontekst, çdo përpjekje për ta relativizuar frymën e saj, për të dobësuar mekanizmat e barazisë ose për të zbehur gradualisht pozitën kushtetuese të shqiptarëve nuk prek vetëm një komunitet etnik, por cenon vetë arkitekturën politike dhe kushtetuese të ndërtuar pas vitit 2001. Pikërisht në këtë prizëm duhet parë edhe ndërhyrja në legjislacionin që ndan popullsinë në kategori rezidente dhe jorezidente, e cila, ndonëse paraqitet si një zgjidhje tekniko-administrative, prodhon pasoja të thella juridike, politike dhe demografike. Në momentin kur kategorizimet statistikore fillojnë të ndikojnë në përmasën e të drejtave kolektive, në përfaqësimin institucional, në zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë e adekuat, në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe në shpërndarjen e burimeve publike, statistika pushon së qeni një instrument neutral administrimi dhe shndërrohet në mekanizëm të sofistikuar të inxhinierisë institucionale të identitetit, përmes së cilit balanca kushtetuese mund të rikonfigurohet pa ndryshuar formalisht rendi juridik.

Njëkohësisht, nëse këto ndërhyrje reflektohen edhe në të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, pasojat mund të ndihen veçanërisht në komunat me shumicë shqiptare, ku diaspora shqiptare përbën një faktor me peshë në strukturën demografike dhe në ekuilibrin elektoral, duke krijuar rrezikun e ndryshimit të balancave të përfaqësimit politik në një numër komunash të Maqedonisë Perëndimore. Për këtë arsye, debati nuk lidhet thjesht me metodologjinë e regjistrimit apo me administrimin teknik të zgjedhjeve, por me ruajtjen e frymës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me garantimin e standardeve kushtetuese e demokratike dhe me pengimin e një forme bashkëkohore të transformimit gradual të realitetit politik dhe identitar përmes mekanizmave statistikorë e institucionalë me legjitimitet të dukshëm formal.

Në këtë kontekst merr rëndësi të veçantë veprimtaria diplomatike e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në mbrojtje të frymës dhe substancës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Një angazhim i tillë nuk duhet të interpretohet si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër, por si vazhdimësi e traditës së diplomacisë shqiptare, e cila në momentet kyçe të historisë është përpjekur të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimit euroatlantik. Edhe pse në rrethana krejtësisht të ndryshme historike, kjo qasje pasqyron të njëjtën filozofi diplomatike që dikur mishëruan Hamit Kokallari dhe Xhafer Belegu.

Ky shkrim nuk synon të ringjallë antagonizma të vjetra. Përkundrazi, ai synon të dëshmojë se mbrojtja e së vërtetës historike të dokumentuar është parakusht themelor për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe të një shoqërie demokratike funksionale. Shoqëritë që nuk analizojnë mekanizmat burokratikë përmes të cilëve janë prodhuar padrejtësitë historike rrezikojnë t’i riprodhojnë ato në forma të reja dhe më të sofistikuara.

Prandaj, ndërkombëtarizimi i dokumentacionit arkivor, botimi shumëgjuhësh i burimeve diplomatike, bashkëpunimi ndërmjet arkivave të Shqipërisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe organizimi i konferencave ndërkombëtare shkencore nuk duhet të konsiderohen thjesht detyrime akademike. Ato janë elemente të domosdoshme të diplomacisë parandaluese, të projektuara për të mbrojtur të vërtetën historike dhe për të parandaluar rikthimin e mekanizmave administrativë të transformimit të identitetit, të cilët kanë shënuar thellësisht historinë e Ballkanit gjatë shekullit XX.

Dokumenti diplomatik italian, fondet arkivore të Bashkësisë Islame, veprimtaria e konsujve shqiptarë Hamit Kokallari dhe Xhafer Belegu, si dhe përpjekjet bashkëkohore te ambasadorit Denion Meidani për ruajtjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit përfaqësojnë hallka të një vazhdimësie të vetme historike. Së bashku, ato dëshmojnë se mbrojtja e identitetit shqiptar nuk është zhvilluar vetëm në fushën e betejës, por edhe në diplomaci, në kërkimin arkivor, në administratën publike dhe në mbrojtjen e rendit kushtetues. Pikërisht kjo vazhdimësi historike e bën mbrojtjen e së vërtetës dokumentare, garantimin e paprekshmërisë së të drejtave kolektive dhe parandalimin e mekanizmave të padukshëm të inxhinierisë së identitetit një përgjegjësi të përbashkët të diplomacisë shqiptare dhe të komunitetit ndërkombëtar, në funksion të një Ballkani demokratik dhe euroatlantik.

Filed Under: Rajon

Serbia, përgjegjëse për krimet dhe dhunën ndaj shqiptarëve 1877–1999: nga dëbimet e Sanxhakut të Nishit te krimet e luftës në Kosovë

July 17, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

Ky studim analizon disa nga periudhat kryesore të marrëdhënieve shqiptaro-serbe nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX, duke u fokusuar në dëbimet e popullsisë shqiptare nga territoret e pushtuara nga Serbia gjatë viteve 1877–1878, politikat shtetërore në periudhën jugosllave dhe krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës (1998–1999). Punimi shqyrton burimet historike, dokumentet diplomatike dhe jurisprudencën ndërkombëtare për të analizuar dallimin ndërmjet përgjegjësisë historike, përgjegjësisë individuale penale dhe përgjegjësisë së shtetit sipas së drejtës ndërkombëtare.

Hyrje

Studimi i historisë shqiptaro-serbe kërkon një qasje të bazuar në burime të shumëfishta, pasi marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve janë formësuar nga përvoja të ndryshme historike, konflikte territoriale dhe projekte kombëtare konkurruese.

Në fundin e shekullit XIX, krijimi dhe zgjerimi i shteteve kombëtare në Ballkan solli ndryshime të mëdha demografike. Rasti i dëbimit të shqiptarëve nga territoret e Sanxhakut të Nishit gjatë viteve 1877–1878 është një nga episodet më të rëndësishme që ndikoi në strukturën etnike të rajonit.¹

Burimet historike dhe dokumentimi i dëbimeve të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit (1877–1878)

1.1. Konteksti historik i zgjerimit territorial të Serbisë

Gjysma e dytë e shekullit XIX u karakterizua nga dobësimi i Perandorisë Osmane dhe nga forcimi i projekteve kombëtare të popujve të Ballkanit. Në këtë periudhë, Serbia zhvilloi një politikë të zgjerimit territorial, e cila synonte përfshirjen e territoreve të konsideruara me rëndësi strategjike dhe historike për projektin kombëtar serb.¹

Lufta serbo-osmane e viteve 1877–1878 u zhvillua në një periudhë kur Rusia kishte hyrë në konflikt me Perandorinë Osmane dhe kur çështja e riorganizimit politik të Ballkanit ishte bërë një çështje ndërkombëtare. Pas operacioneve ushtarake, ushtria serbe mori kontrollin mbi territore të Sanxhakut të Nishit, përfshirë zonat e Toplicës, Jabllanicës, Pustarekës dhe rrethinave të Nishit.²

Këto territore nuk ishin bosh nga pikëpamja demografike. Ato përfshinin një popullsi të konsiderueshme shqiptare myslimane, e cila kishte jetuar aty për breza dhe kishte krijuar struktura ekonomike, shoqërore dhe pronësore.³

1.2. Dëbimi dhe shpërngulja e popullsisë shqiptare

Pas pushtimit serb të këtyre territoreve, një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare u largua drejt territoreve ende nën administrimin osman. Procesi i largimit u shoqërua me humbjen e pronave, braktisjen e vendbanimeve dhe krijimin e një komuniteti të madh refugjatësh të njohur në historiografinë shqiptare si muhaxhirë.⁴

Studiuesi Miloš Jagodić, duke analizuar emigrimin e myslimanëve nga territoret e reja serbe pas viteve 1877–1878, argumenton se ky proces ishte rezultat i kombinimit të faktorëve ushtarakë, politikë dhe administrativë. Sipas tij, ndryshimet territoriale sollën një transformim të thellë demografik në zonat e përfshira.⁵

Raportet diplomatike të kohës dëshmojnë gjithashtu për largimin masiv të popullsisë myslimane nga territoret e pushtuara nga Serbia. Përfaqësues diplomatikë britanikë dhe austro-hungarezë raportuan për numër të madh refugjatësh dhe për pasigurinë e krijuar në mesin e popullsisë së dëbuar.⁶

1.3. Çështja e pronës dhe pasojat sociale të dëbimit

Një nga pasojat më të rëndësishme të këtyre zhvillimeve ishte humbja e pronës. Familjet shqiptare që u larguan nga zonat e Sanxhakut të Nishit shpesh nuk patën mundësi të riktheheshin ose të rimerrnin pasuritë e tyre.

Problemi i pronësisë ishte një element qendror në proceset e ndryshimit demografik në Ballkan. Në shumë raste, largimi fizik i një komuniteti u shoqërua me ndryshimin e strukturës ekonomike dhe me vendosjen e administratave të reja mbi tokat e braktisura.⁷

Këto zhvillime patën ndikim afatgjatë në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe serbe. Kujtesa e humbjes së vendbanimeve të dikurshme u ruajt përmes traditës familjare dhe rrëfimeve të muhaxhirëve që u vendosën në Kosovë dhe në territoret përreth.⁸

1.4. Debati historiografik mbi natyrën e dëbimeve

Në historiografi ekzistojnë qasje të ndryshme mbi interpretimin e këtyre ngjarjeve. Studiuesit shqiptarë zakonisht i kanë trajtuar ato si dëbim të dhunshëm dhe si pjesë të një procesi të spastrimit demografik të territoreve të reja serbe.⁹

Disa studiues ndërkombëtarë i analizojnë këto zhvillime në kuadër të proceseve më të gjera të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan gjatë shekullit XIX, ku zhvendosjet e popullsive ishin dukuri e shpeshtë.¹⁰

Për përdorimin e termit “spastrim etnik” duhet pasur kujdes metodologjik, pasi koncepti juridik dhe politik i këtij termi u zhvillua kryesisht në shekullin XX.

Megjithatë, historianët përdorin shpesh koncepte të tilla për të analizuar proceset e homogjenizimit territorial dhe zhvendosjeve të detyruara.

Shqiptarët në periudhën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe Mbretërisë Jugosllave (1918–1941): reforma agrare, kolonizimi dhe ndryshimet demografike

2.1. Riorganizimi politik pas vitit 1918

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe krijimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në dhjetor të vitit 1918, territoret e Kosovës dhe viset me shumicë shqiptare u përfshinë në një strukturë të re shtetërore. Kjo periudhë shënoi një ndryshim të rëndësishëm politik, pasi administrata e re synonte integrimin e këtyre territoreve në sistemin shtetëror jugosllav.¹¹

Në këtë fazë, çështja shqiptare u trajtua kryesisht përmes politikave të centralizimit shtetëror, reformave administrative dhe masave që synonin kontrollin më të madh mbi territoret kufitare. Studiues të ndryshëm kanë argumentuar se Kosova kishte një rëndësi të veçantë strategjike për elitën politike serbe, si për arsye historike ashtu edhe për arsye gjeopolitike.¹²

2.2. Reforma agrare dhe ndikimi mbi pronësinë shqiptare

Një nga politikat më të rëndësishme të periudhës së parë jugosllave ishte reforma agrare, e cila filloi pas vitit 1919. Zyrtarisht, reforma synonte shpërndarjen e tokës dhe ndryshimin e marrëdhënieve feudale në zonat rurale. Megjithatë, në Kosovë dhe në viset shqiptare ajo pati pasoja të rëndësishme politike dhe etnike.¹³

Një pjesë e pronave të konfiskuara iu shpërndanë kolonëve të ardhur nga pjesë të tjera të Mbretërisë Jugosllave. Ky proces ndryshoi strukturën pronësore dhe demografike në disa zona të Kosovës. Për shumë familje shqiptare, reforma agrare u perceptua jo vetëm si masë ekonomike, por edhe si instrument i dobësimit të pozitës së tyre shoqërore.¹⁴

Historiani Noel Malcolm argumenton se kolonizimi dhe reforma agrare në Kosovë duhet të shihen në kuadrin e përpjekjeve të shtetit jugosllav për të forcuar kontrollin administrativ dhe politik mbi një territor me shumicë shqiptare.¹⁵

2.3. Politika e kolonizimit në Kosovë

Kolonizimi shtetëror i Kosovës gjatë viteve 1920 dhe 1930 ishte një nga çështjet më të debatueshme të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore. Qeveria jugosllave inkurajoi vendosjen e kolonëve, kryesisht serbë dhe malazezë, në zona të ndryshme rurale.¹⁶

Sipas dokumenteve administrative të kohës, kolonizimi lidhej me objektiva ekonomikë dhe të sigurisë kufitare. Megjithatë, studiues të historisë së Kosovës kanë theksuar se ky proces pati ndikim të drejtpërdrejtë mbi ekuilibrat ekzistues demografikë.¹⁷

Politikat e kolonizimit u shoqëruan edhe me përpjekje për ndryshime kulturore dhe arsimore. Kufizimet ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në administratë dhe arsim ndikuan në pozitën kulturore të shqiptarëve brenda shtetit jugosllav.¹⁸

2.4. Shpërnguljet dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave

Gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave pati edhe valë të shpërnguljeve të shqiptarëve drejt Turqisë dhe vendeve të tjera. Një faktor i rëndësishëm ishte marrëveshja jugosllavo-turke e vitit 1938, e cila synonte rregullimin e shpërnguljes së popullsisë myslimane.¹⁹

Historianët kanë debatuar mbi natyrën e këtyre shpërnguljeve: disa i shohin si rezultat të presioneve shtetërore dhe politikave asimiluese, ndërsa të tjerë i analizojnë brenda kontekstit më të gjerë të migrimeve të popullsive myslimane në Ballkan gjatë shekullit XX.²⁰

Megjithatë, është e dokumentuar se këto procese ndikuan në strukturën shoqërore të komunitetit shqiptar dhe krijuan një vazhdimësi të përvojave të shpërnguljes që kishin filluar që nga fundi i shekullit XIX.

Lufta e Dytë Botërore, periudha socialiste dhe ndryshimi i pozitës kushtetuese të Kosovës (1941–1989)

3.1. Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore

Pushtimi i Mbretërisë së Jugosllavisë nga fuqitë e Boshtit në prill të vitit 1941 solli një riorganizim të plotë territorial dhe administrativ të hapësirave shqiptare në ish-Jugosllavi. Territori i Kosovës u nda ndërmjet zonave të administruara nga Italia, Gjermania dhe Bullgaria.²¹

Në zonën e kontrolluar nga Italia, e cila përfshinte pjesën më të madhe të Kosovës, u krijua një administrim që favorizoi përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në arsim dhe administratë. Për një pjesë të shqiptarëve të Kosovës kjo periudhë u perceptua si një ndryshim pozitiv në raport me kufizimet e mëparshme kulturore, ndërsa për strukturat jugosllave dhe serbe ajo u konsiderua si periudhë e copëtimit territorial.²²

Megjithatë, periudha e luftës u karakterizua edhe nga dhunë ndërkomunitare, hakmarrje dhe përplasje politike ndërmjet grupeve të ndryshme. Konfliktet nuk mund të shpjegohen vetëm përmes vijave etnike, pasi ato u ndërthurën me luftën ndërmjet forcave partizane, nacionaliste dhe administratave pushtuese.²³

3.2. Rikthimi i Kosovës në kuadër të Jugosllavisë socialiste

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe fitores së forcave partizane të udhëhequra nga Josip Broz Tito, Kosova u përfshi në Republikën Popullore Federative të Jugosllavisë si pjesë e Republikës së Serbisë.²⁴

Në vitet e para pas luftës, marrëdhëniet ndërmjet pushtetit të ri jugosllav dhe popullsisë shqiptare u karakterizuan nga tensione të konsiderueshme.

Kryengritja e armatosur në Drenicë në vitin 1945 dhe masat represive të ndërmarra nga autoritetet federale shënuan fillimin e një periudhe të vështirë politike.²⁵

Një nga çështjet më të ndjeshme ishte kufizimi i autonomisë politike të Kosovës në dekadat e para të Jugosllavisë socialiste. Në ndryshim nga republikat federale, Kosova fillimisht kishte status më të ulët juridik, si krahinë autonome brenda Serbisë.²⁶

3.3. Ndryshimi i pozitës kushtetuese të Kosovës pas vitit 1966

Pas ndryshimeve politike në Jugosllavi pas vitit 1966, veçanërisht pas largimit nga pushteti të Aleksandar Ranković, filloi një periudhë e re në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe strukturave federale.²⁷

Kjo periudhë solli zgjerimin gradual të të drejtave kulturore dhe politike të shqiptarëve. U rrit përdorimi i gjuhës shqipe në administratë dhe arsim, ndërsa Universiteti i Prishtinës, i themeluar në vitin 1970, u bë një institucion i rëndësishëm për zhvillimin arsimor dhe kulturor të shqiptarëve të Kosovës.²⁸

Kushtetuta jugosllave e vitit 1974 i dha Kosovës kompetenca të gjera autonome. Ajo kishte institucione të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe përfaqësim në institucionet federale jugosllave.²⁹

Megjithatë, statusi i Kosovës mbeti burim debatesh. Një pjesë e elitave politike serbe e konsideronin autonominë e zgjeruar si kërcënim për sovranitetin e Serbisë, ndërsa shqiptarët e Kosovës kërkonin barazi të plotë me republikat e tjera federale.³⁰

3.4. Kriza politike e viteve 1980 dhe heqja e autonomisë

Pas vdekjes së Titos në vitin 1980, krizat ekonomike dhe politike në Jugosllavi u thelluan. Në Kosovë, protestat studentore të vitit 1981 shënuan një kthesë të rëndësishme politike. Fillimisht ato kishin karakter social dhe ekonomik, por më vonë morën edhe dimension kombëtar.³¹

Autoritetet jugosllave reaguan me masa të forta sigurie dhe arrestime masive. Kjo periudhë ndikoi në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve serbe.³²

Në fund të viteve 1980, nën udhëheqjen politike të Slobodan Milošević, Serbia ndërmori ndryshime kushtetuese që reduktuan ndjeshëm autonominë e Kosovës. Në vitin 1989–1990, kompetencat kryesore politike dhe institucionale të Kosovës u kufizuan, duke shkaktuar protesta të gjera shqiptare.³³

Këto zhvillime krijuan bazën politike për krizën e viteve 1990, e cila më vonë do të çonte në konfliktin e armatosur ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga heqja e autonomisë së Kosovës te lufta e viteve 1998–1999: represioni, rezistenca politike dhe përshkallëzimi i konfliktit

4.1. Konsolidimi i kontrollit serb mbi Kosovën pas vitit 1989

Ndryshimet kushtetuese të viteve 1989–1990 shënuan një kthesë të rëndësishme në historinë politike të Kosovës. Me reduktimin e kompetencave autonome, institucionet kryesore të Kosovës kaluan nën kontroll më të madh të autoriteteve serbe.³⁴

Në vitin 1990, Kuvendi i Kosovës u shpërnda pas përpjekjeve për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese. Më 2 korrik 1990, një grup deputetësh shqiptarë shpallën “Deklaratën Kushtetuese” të Kosovës, ndërsa më 7 shtator 1990 u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, e cila shpallte Kosovën njësi të barabartë në kuadër të federatës jugosllave.³⁵

Këto zhvillime u shoqëruan me përjashtime masive të shqiptarëve nga administrata publike, arsimi, policia dhe institucionet shtetërore. Raporte të organizatave ndërkombëtare dokumentuan largimin e mijëra punonjësve shqiptarë nga vendet e tyre të punës dhe kufizimin e përdorimit institucional të gjuhës shqipe.³⁶

4.2. Sistemi paralel institucional shqiptar gjatë viteve 1990

Në kushtet e mungesës së pjesëmarrjes në institucionet zyrtare, udhëheqja politike shqiptare në Kosovë ndërtoi një sistem paralel arsimor, shëndetësor dhe politik. Lëvizja politike e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Ibrahim Rugova mbështeti një strategji të rezistencës paqësore dhe të mosbindjes civile.³⁷

Referendumi për pavarësi i vitit 1991 dhe zgjedhjet e mëvonshme të institucioneve paralele synonin krijimin e një strukture politike shqiptare jashtë kontrollit të administratës serbe.³⁸

Megjithatë, mungesa e një zgjidhjeje politike ndërkombëtare dhe vazhdimi i represionit krijuan një situatë të paqëndrueshme. Në mesin e viteve 1990 filloi të rritej mbështetja për forma më radikale të rezistencës.

4.3. Shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi i konfliktit të armatosur

Në vitet 1997–1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shfaq si një faktor i ri ushtarak dhe politik. Aksionet e saj kundër forcave serbe u pasuan nga operacione të gjera të policisë dhe ushtrisë jugosllave në zona të banuara me shqiptarë.³⁹

Përshkallëzimi i konfliktit u bë veçanërisht i dukshëm gjatë vitit 1998, kur operacionet e forcave serbe në Drenicë dhe zona të tjera shkaktuan viktima civile dhe zhvendosje të popullsisë.⁴⁰

Rasti i Prekazit në mars 1998, ku u vranë anëtarë të familjes Jashari dhe persona të tjerë, u bë një pikë kthese në konflikt dhe ndikoi në rritjen e mbështetjes për rezistencën e armatosur shqiptare.⁴¹

4.4. Dokumentimi ndërkombëtar i shkeljeve të të drejtave të njeriut

Gjatë vitit 1998, organizata ndërkombëtare si OSBE, Kombet e Bashkuara dhe organizatat për të drejtat e njeriut raportuan për rritjen e dhunës ndaj civilëve në Kosovë.

Raportet dokumentuan:

vrasje të civilëve;

shkatërrim të vendbanimeve;

arrestime arbitrare;

dëbime të brendshme;

kufizime të të drejtave themelore.⁴²

Human Rights Watch në raportet e saj theksoi se forcat serbe dhe jugosllave kishin kryer operacione që prekën rëndë popullsinë civile shqiptare, ndërsa njëkohësisht dokumentoi edhe shkelje të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.⁴³

Kjo periudhë u bë objekt i hetimeve të mëvonshme nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).

4.5. Ndërhyrja ndërkombëtare dhe lufta e vitit 1999

Në fillim të vitit 1999, pas dështimit të negociatave në Rambuje, tensionet u përshkallëzuan. Më 24 mars 1999, NATO filloi fushatën ajrore kundër objektivave të Republikës Federale të Jugosllavisë.⁴⁴

Gjatë kësaj periudhe, forcat serbe ndërmorën një fushatë të gjerë dëbimi të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, Maqedonisë së atëhershme dhe vendeve të tjera. OSBE-ja dokumentoi modele të organizuara të dëbimeve, vrasjeve dhe shkatërrimit të pronave.⁴⁵

Pas përfundimit të konfliktit dhe miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova kaloi nën administrimin ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara.⁴⁶

Krimet e luftës në Kosovë (1998–1999), Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe përgjegjësia individuale

5.1. Natyra e krimeve gjatë konfliktit të Kosovës

Lufta në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 përbën një nga konfliktet më të hetuara nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë pas Luftës së Ftohtë. Gjatë kësaj periudhe, forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe strukturat policore serbe u përfshinë në operacione të gjera ushtarake dhe të sigurisë në territorin e Kosovës.⁴⁷

Raportet ndërkombëtare kanë dokumentuar raste të vrasjeve të civilëve, dëbimeve masive, shkatërrimit të vendbanimeve dhe dhunës së kryer ndaj popullsisë civile shqiptare. Në të njëjtën kohë, organizatat ndërkombëtare kanë dokumentuar edhe shkelje të kryera nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçanërisht ndaj personave të konsideruar bashkëpunëtorë ose kundërshtarë politikë.⁴⁸

Një element i rëndësishëm në analizën juridike është dallimi ndërmjet përgjegjësisë së individëve që kryejnë krime dhe përgjegjësisë institucionale të strukturave që i organizojnë, urdhërojnë ose tolerojnë ato.

5.2. Krijimi dhe roli i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) u themelua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 me Rezolutën 827. Mandati i tij ishte hetimi dhe ndjekja penale e personave përgjegjës për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare në territorin e ish-Jugosllavisë.⁴⁹

Në lidhje me Kosovën, ICTY-ja ngriti aktakuza kundër zyrtarëve të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë.

Më 27 maj 1999, Prokuroria e ICTY-së publikoi aktakuzën kundër Slobodan Milošević dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, duke i akuzuar për:

deportim;

transferim të detyruar;

vrasje;

persekutim;

krime kundër njerëzimit.⁵⁰

Kjo aktakuzë ishte historike, pasi ishte hera e parë që një kryetar shteti në detyrë akuzohej nga një tribunal ndërkombëtar për krime të kryera gjatë një konflikti të armatosur.

5.3. Çështja kundër zyrtarëve politikë dhe ushtarakë serbë

Një nga proceset më të rëndësishme për Kosovën ishte çështja Prokurori kundër Nikola Šainović dhe të tjerëve.

Në këtë proces u shqyrtua përgjegjësia e disa zyrtarëve të lartë jugosllavë dhe serbë, përfshirë figura nga udhëheqja politike, ushtria dhe policia.⁵¹

Dhoma e Apelit e ICTY-së konstatoi se disa prej të akuzuarve kishin marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që kishte si pasojë dëbimin dhe zhvendosjen e shqiptarëve të Kosovës nga zonat e tyre të banimit.⁵²

Ky vendim kishte rëndësi të veçantë juridike sepse trajtoi jo vetëm veprimet individuale, por edhe mënyrën se si strukturat shtetërore mund të lidhen me kryerjen e krimeve ndërkombëtare.

5.4. Masakrat dhe rastet e dokumentuara

Gjatë luftës së Kosovës u dokumentuan disa raste të vrasjeve masive të civilëve shqiptarë.

Ndër rastet më të njohura përfshihen:

Reçaku (janar 1999);

Izbica (mars 1999);

Mejë (prill 1999);

Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël (mars–prill 1999).

Këto raste u hetuan nga organizata ndërkombëtare dhe më vonë u përdorën si pjesë e materialeve hetimore në proceset gjyqësore ndërkombëtare.⁵³

Raporti i OSBE-së Kosovo/Kosova: As Seen, As Told përshkroi modele të përsëritura të dhunës ndaj civilëve, duke përfshirë vrasje, dëbime dhe shkatërrim të pronave.⁵⁴

5.5. Dallimi ndërmjet krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit

Në diskutimet publike mbi Kosovën është përdorur shpesh termi “gjenocid”. Megjithatë, në kuptimin juridik ndërkombëtar, ky term ka një përkufizim shumë specifik.

Konventa e OKB-së për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit (1948) kërkon ekzistencën e qëllimit të posaçëm për shkatërrimin e një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, tërësisht ose pjesërisht.⁵⁵

Në proceset ndërkombëtare lidhur me Kosovën, akuzat kryesore janë trajtuar kryesisht në kuadër të:

krimeve kundër njerëzimit;

deportimit;

transferimit të detyruar;

persekutimit;

vrasjeve dhe shkeljeve të ligjeve të luftës.⁵⁶

Kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e vuajtjeve të viktimave, por pasqyron dallimin ndërmjet kategorive historike dhe standardeve juridike.

Përgjegjësia shtetërore e Serbisë sipas së drejtës ndërkombëtare: bazat juridike, mundësitë dhe kufizimet procedurale

6.1. Koncepti i përgjegjësisë ndërkombëtare të shtetit

Në të drejtën ndërkombëtare publike, përgjegjësia e shtetit lind kur një veprim ose mosveprim që i atribuohet një shteti përbën shkelje të një detyrimi ndërkombëtar në fuqi. Kjo përgjegjësi bazohet në parimin se shtetet duhet të respektojnë normat ndërkombëtare dhe të mbajnë pasoja juridike kur i shkelin ato.⁵⁷

Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare i Kombeve të Bashkuara ka kodifikuar këto parime në Projektartikujt mbi Përgjegjësinë e Shteteve për Akte Ndërkombëtarisht të Paligjshme të vitit 2001. Sipas këtyre normave, një shtet është përgjegjës kur:

veprimi i paligjshëm kryhet nga një organ shtetëror;

ekziston shkelje e një detyrimi ndërkombëtar;

ekziston lidhje juridike ndërmjet veprimit dhe shtetit.⁵⁸

Në rastin e konflikteve të ish-Jugosllavisë, çështja kryesore juridike ka qenë nëse veprimet e forcave ushtarake, policore dhe strukturave politike mund t’i atribuohen drejtpërdrejt shtetit serb ose jugosllav.

6.2. Dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe përgjegjësisë shtetërore

Një parim themelor i drejtësisë ndërkombëtare është dallimi ndërmjet përgjegjësisë së individit dhe asaj të shtetit.

Tribunalet penale ndërkombëtare, si ICTY, gjykojnë persona konkretë: udhëheqës politikë, komandantë ushtarakë ose persona që kanë kryer, urdhëruar apo ndihmuar në kryerjen e krimeve.⁵⁹

Ndërsa përgjegjësia e shtetit është një çështje tjetër, e cila shqyrtohet në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe kërkon prova se veprimet konkrete mund t’i atribuohen aparatit shtetëror.⁶⁰

Ky dallim u bë i qartë në çështjen Bosnjë dhe Hercegovinë kundër Serbisë dhe Malit të Zi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

6.3. Praktika e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë: çështja Bosnjë kundër Serbisë

Në vitin 2007, GJND-ja dha vendimin në çështjen lidhur me zbatimin e Konventës për Gjenocidin. Gjykata konstatoi se Serbia kishte shkelur detyrimin për të parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës.⁶¹

Megjithatë, Gjykata nuk arriti në përfundimin se Serbia kishte kryer vetë gjenocidin, pasi nuk u provua standardi i kërkuar juridik për atribuimin e drejtpërdrejtë të veprimeve të autorëve të krimeve ndaj shtetit serb.⁶²

Ky vendim është i rëndësishëm edhe për çdo analizë të mundshme juridike lidhur me Kosovën, sepse tregon standardin shumë të lartë të provës që kërkohet në çështjet ndërmjet shteteve.

6.4. Mundësia e përdorimit të dokumentacionit historik dhe juridik për Kosovën

Dokumentacioni lidhur me Kosovën përfshin një numër të madh burimesh:

raporte të OKB-së;

dokumente të OSBE-së;

materiale të NATO-s;

vendime të ICTY-së;

dëshmi të viktimave;

dokumente ushtarake dhe policore.

Këto materiale kanë rëndësi të veçantë për analizën historike dhe juridike, pasi mund të ndihmojnë në përcaktimin e strukturave komanduese, politikave shtetërore dhe përgjegjësive individuale.⁶³

Megjithatë, për një padi ndërshtetërore kërkohen kushte të veçanta procedurale, përfshirë juridiksionin e gjykatës dhe bazën ligjore mbi të cilën ngrihet çështja.

6.5. Konventa për Gjenocidin dhe çështja e Kosovës

Konventa për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit e vitit 1948 është një nga instrumentet kryesore ndërkombëtare në këtë fushë. Ajo përcakton gjenocidin si akte të kryera me qëllimin e posaçëm për shkatërrimin e një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar.⁶⁴

Në analizën juridike të Kosovës duhet të bëhet dallimi ndërmjet:

dëbimeve masive;

spastrimit etnik si koncept historik dhe politik;

krimeve kundër njerëzimit;

gjenocidit si kategori juridike.

Gjykatat ndërkombëtare kanë kërkuar prova të qarta për ekzistencën e qëllimit specifik gjenocidal, jo vetëm prova për kryerjen e krimeve të rënda.⁶⁵

Nga këndvështrimi juridik, dokumentimi i krimeve ndaj shqiptarëve në periudha të ndryshme historike është një bazë e rëndësishme për studim, kujtesë dhe analizë.

Megjithatë, kalimi nga dokumentimi historik në një proces ndërkombëtar kundër një shteti kërkon:

bazë të qartë juridike;

juridiksion të pranuar;

prova të mjaftueshme për atribuimin shtetëror;

përmbushjen e standardeve të provës sipas së drejtës ndërkombëtare.

Marrëdhëniet parlamentare Serbi–Shqipëri, diplomacia politike dhe debati bashkëkohor rreth deklaratave të Snežana Paunović

7.1. Diplomacia parlamentare si instrument i marrëdhënieve ndërmjet shteteve

Pas përfundimit të luftës së Kosovës dhe ndryshimeve politike në rajon pas vitit 2000, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë hynë në një fazë të re të karakterizuar nga përpjekjet për dialog institucional dhe bashkëpunim rajonal.

Një nga format e këtij komunikimi ishte diplomacia parlamentare, e cila përmes grupeve të miqësisë dhe kontakteve ndërmjet deputetëve synon krijimin e kanaleve të dialogut politik edhe ndërmjet vendeve me histori konfliktesh.⁶⁶

Në Kuvendin e Serbisë, grupet parlamentare të miqësisë me shtetet e tjera janë struktura të krijuara për zhvillimin e kontakteve ndërparlamentare. Këto grupe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrime të unifikuara politike të të gjithë anëtarëve, por shërbejnë si mekanizma komunikimi institucional.⁶⁷

7.2. Roli i dialogut politik pas vitit 2013

Pas vitit 2013, marrëdhëniet Serbi–Shqipëri u përfshinë në një proces më intensiv të dialogut politik.

Takimet ndërmjet udhëheqësve të dy vendeve u paraqitën si pjesë e një përpjekjeje për uljen e tensioneve dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Në këtë periudhë u promovuan iniciativa të ndryshme rajonale, përfshirë edhe projektin e njohur si “Ballkani i Hapur”, i cili u paraqit nga mbështetësit e tij si një mekanizëm për rritjen e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit në rajon.⁶⁸

Megjithatë, iniciativa u shoqërua edhe me kritika politike nga një pjesë e aktorëve në Kosovë dhe në rajon, të cilët ngritën shqetësime për përfaqësimin politik dhe çështjet e pazgjidhura ndërmjet vendeve.⁶⁹

7.3. Snežana Paunović dhe pjesëmarrja në strukturat parlamentare

Sipas dokumenteve zyrtare të Kuvendit të Republikës së Serbisë, deputetët mund të jenë pjesë e grupeve parlamentare të miqësisë me vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë.⁷⁰

Emri i Snežana Paunović është paraqitur në dokumentacionin parlamentar të periudhave përkatëse si pjesë e një strukture të tillë ndërparlamentare. Ky fakt duhet analizuar brenda kontekstit të funksionit të këtyre grupeve: pjesëmarrja në një grup miqësie parlamentare tregon një rol institucional në dialogun parlamentar, por nuk është domosdoshmërisht dëshmi për një qëndrim të caktuar mbi të gjitha çështjet historike ose politike.⁷¹

Në analizën akademike është e rëndësishme të ndahet veprimi institucional nga deklaratat individuale politike të një personi në periudha të ndryshme.

7.4. Retorika politike dhe kujtesa historike

Në shoqëritë me histori konfliktesh, deklaratat politike mbi të kaluarën shpesh bëhen pjesë e debateve të identitetit kombëtar dhe të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.

Përdorimi i historisë në politikën bashkëkohore mund të shërbejë si për pajtim dhe dialog, ashtu edhe për thellimin e ndarjeve, në varësi të mënyrës se si trajtohen faktet historike.⁷²

Për këtë arsye, analizat akademike duhet të mbështeten në:

dokumente të verifikueshme;

kontekst historik;

dallimin ndërmjet opinionit politik dhe faktit të dokumentuar;

standardet e kërkimit shkencor.

7.5. Kujtesa historike dhe kërkimi i drejtësisë

Debati mbi përgjegjësinë historike për krimet ndaj shqiptarëve vazhdon të jetë pjesë e kujtesës kolektive dhe të diskutimeve politike në rajon.

Nga perspektiva akademike, ruajtja e kujtesës së viktimave kërkon dokumentim të saktë, ndërsa kërkimi i drejtësisë kërkon përdorimin e mekanizmave juridikë të njohur ndërkombëtarisht.

Kombinimi i historisë, drejtësisë dhe diplomacisë kërkon një qasje të ekuilibruar: njohjen e vuajtjeve të viktimave, por edhe mbështetjen e argumenteve mbi prova të kontrollueshme.

Përfundime: historia, drejtësia ndërkombëtare dhe sfidat e pajtimit politik në Ballkan

8.1. Historia si bazë e kujtesës kolektive

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe gjatë më shumë se një shekulli është formësuar nga procese komplekse politike, territoriale dhe shoqërore. Dëbimet e popullsive, ndryshimet kufitare, politikat shtetërore dhe konfliktet e armatosura kanë krijuar përvoja të ndryshme historike që vazhdojnë të ndikojnë në kujtesën kolektive të komuniteteve.

Ngjarjet e viteve 1877–1878, kur një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare u largua nga territoret e Sanxhakut të Nishit, përbëjnë një nga episodet më të rëndësishme të historisë demografike të Ballkanit. Ato duhet të studiohen në kuadrin e transformimeve të mëdha politike që shoqëruan krijimin e shteteve kombëtare në Evropën Juglindore.⁷³

Në të njëjtën kohë, historia e shekullit XX, veçanërisht periudha e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe lufta e Kosovës, tregon se konfliktet e pazgjidhura politike mund të prodhojnë pasoja të rënda humanitare.⁷⁴

8.2. Nga dokumentimi historik te përgjegjësia juridike

Një nga përfundimet kryesore të këtij studimi është dallimi ndërmjet tri niveleve të analizës:

kujtesës historike, e cila lidhet me përvojën e komuniteteve dhe ruajtjen e dëshmive;

analizës historiografike, e cila kërkon interpretim shkencor të burimeve;

përgjegjësisë juridike, e cila kërkon standarde të përcaktuara të provës.

E drejta ndërkombëtare njeh përgjegjësinë individuale për krime ndërkombëtare dhe përgjegjësinë e shteteve për shkelje të detyrimeve ndërkombëtare. Megjithatë, këto procese kërkojnë prova konkrete, juridiksion të vlefshëm dhe procedura të përcaktuara.⁷⁵

Për këtë arsye, dokumentimi i krimeve historike dhe i shkeljeve të të drejtave të njeriut mbetet një element themelor, por përfundimet juridike duhet të ndërtohen mbi standarde të njohura ndërkombëtarisht.

8.3. Roli i institucioneve ndërkombëtare

Përvoja e ish-Jugosllavisë tregoi rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare në trajtimin e krimeve të luftës. ICTY-ja kontribuoi në zhvillimin e jurisprudencës ndërkombëtare duke trajtuar përgjegjësinë e individëve për krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve të luftës dhe krime të tjera ndërkombëtare.⁷⁶

Megjithatë, drejtësia ndërkombëtare ka edhe kufizime. Ajo nuk mund të zëvendësojë proceset historike, politike dhe shoqërore të pajtimit. Vendimet gjyqësore trajtojnë përgjegjësi të përcaktuara juridikisht, ndërsa shoqëritë vazhdojnë të përballen me kujtesën dhe interpretimin e së kaluarës.

8.4. Kujtesa, drejtësia dhe e ardhmja e marrëdhënieve rajonale

Njohja e vuajtjeve të viktimave është një element i rëndësishëm për çdo proces pajtimi. Një paqe e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi harresën e historisë, por as mbi instrumentalizimin politik të saj.

Studimi kritik i së kaluarës kërkon:

pranimin e fakteve të dokumentuara;

respektimin e viktimave;

refuzimin e mohimit të krimeve;

shmangien e përgjithësimeve ndaj popujve të tërë.

Në këtë kuptim, drejtësia dhe kujtesa historike duhet të shërbejnë si mjete për parandalimin e përsëritjes së konflikteve.

Përfundim

Ky studim ka analizuar zhvillimet kryesore nga dëbimet e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877–1878, politikat shtetërore në periudhat e mëvonshme, konfliktin e Kosovës 1998–1999 dhe çështjet bashkëkohore politike që lidhen me kujtesën historike.

Analiza tregon se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë ndërtuar mbi një histori të ndërthurur konfliktesh, bashkëjetese dhe rivalitetesh politike. Për një trajtim shkencor të kësaj historie nevojiten burime të besueshme, metodë kritike dhe ndarje e qartë ndërmjet fakteve historike dhe interpretimeve politike.

Kërkimi i drejtësisë për viktimat mbetet një çështje me rëndësi morale dhe juridike, por realizimi i saj kërkon përdorimin e mekanizmave të përcaktuar nga e drejta ndërkombëtare.

Filed Under: Rajon

Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës

July 16, 2026 by s p

Nga Ramiz TAFILAJ

Houston, SHBA/

Historia nuk përsëritet rastësisht. Ajo përsëritet kur harrohen mësimet e saj. Sot, ndërsa Kosova vazhdon të jetë e zhytur në përplasje të pafundme politike, Serbia po dërgon mesazhe që nuk mund dhe nuk duhet të kalojnë në heshtje. Deklarata e ministreshës serbe Snežana Paunović, e cila u raportua gjerësisht në media ndërkombëtare, se po të kishte qenë në vend të Slobodan Miloševićit gjatë luftës në Kosovë do të kishte kryer “spastrimin etnik” të Kosovës, nuk është thjesht një deklaratë e papërgjegjshme. Ajo është një alarm për gjithë rajonin. Është një kujtesë se ende ekzistojnë zëra në politikën serbe që përdorin një retorikë që kujton periudhat më të errëta të Ballkanit.

Nuk mund të ketë pajtim të vërtetë ndërmjet popujve kur një gjuhë e tillë del nga goja e një ministreje në detyrë. Aq më tepër kur mungon një distancim i qartë dhe bindës nga autoritetet më të larta shtetërore.

Shqiptarët nuk kanë nevojë t’u kujtohet se çfarë do të thotë spastrim etnik. Ata e kanë jetuar atë. Mbi një milion shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre. Mijëra civilë u vranë. Mijëra gra e vajza u bënë viktima të dhunës seksuale. Mbi 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Këto nuk janë statistika. Janë plagë që ende nuk janë shëruar.

Prandaj çdo deklaratë që relativizon ose kujton atë ideologji duhet të dënohet pa asnjë mëdyshje.

Por ndërsa në Beograd dëgjohen deklarata të tilla, në Prishtinë vazhdojnë betejat për pushtet. Kjo është tragjedia jonë. Në vend që të flasim me një zë përballë sfidave strategjike, ne vazhdojmë të merremi me luftëra të brendshme. Çdo ditë që kalon pa institucione të konsoliduara dhe pa një unitet minimal kombëtar është një ditë që dobëson pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Asnjë parti politike nuk e ka fituar Kosovën. Kosovën e fituan dëshmorët. E fituan mijëra martirë. E fituan qytetarët që sakrifikuan gjithçka për lirinë. E fituan ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.E fituan familjet shqiptare që mbijetuan dëbimin dhe terrorin.

E fituan miqtë tanë ndërkombëtarë që nuk qëndruan indiferentë përballë një katastrofe humanitare.

Prandaj askush nuk ka të drejtë ta përdorë këtë shtet si mjet për interesat e veta partiake. Historia do të jetë shumë më e ashpër në gjykimin e saj sesa çdo elektorat. Por përgjegjësia nuk mbaron në Prishtinë. Edhe Bashkimi Evropian duhet ta pyesë veten nëse politika që ka ndjekur ndaj Kosovës ka qenë vërtet e drejtë. Nuk mund të kërkohet vazhdimisht kompromis vetëm nga njëra palë. Nuk mund të kërkohet dialog pa fund, ndërsa pesë shtete anëtare të vetë Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Republikën e Kosovës.

Ky është një paradoks që e dëmton seriozisht besueshmërinë e politikës evropiane.

Nëse Bashkimi Evropian beson se Kosova është pjesë e familjes evropiane, atëherë duhet të punojë seriozisht për një qëndrim të përbashkët të të gjitha shteteve anëtare. Njohja e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse nuk duhet të jetë një temë që shtyhet pafundësisht. Ajo duhet të jetë prioritet. Jo për t’i bërë favor Kosovës. Por për t’i bërë drejtësi vetë Evropës.

Edhe NATO ka një përgjegjësi politike. Në vitin 1999 ajo shpëtoi një popull nga një katastrofë humanitare.

Sot vazhdon të garantojë sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it. Megjithatë mbetet e pakuptueshme pse nuk ekziston një angazhim më i fuqishëm politik që të gjitha shtetet anëtare të Aleancës ta njohin Republikën e Kosovës. Nuk është logjike që një aleancë ushtarake të mbrojë një shtet, ndërsa disa prej anëtarëve të saj vazhdojnë të mos e njohin atë. Ky është një paradoks që duhet të marrë fund.

Kosova nuk ka nevojë për mëshirë.

Kosova nuk ka nevojë për lëshime të imponuara.

Kosova ka nevojë për drejtësi.

Ka nevojë për unitet.

Ka nevojë për institucione që vendosin interesin shtetëror mbi çdo interes partiak.

Historia e shqiptarëve ka dëshmuar se armiku i jashtëm ka qenë gjithmonë i rrezikshëm.

Por po aq i rrezikshëm ka qenë edhe përçarja jonë.

Sot Serbia pret pikërisht këtë.

Pret që shqiptarët të lodhen duke luftuar njëri-tjetrin.

Pret që bota të harrojë krimet e së kaluarës.

Pret që koha ta zbehë të vërtetën.

Por ne nuk kemi të drejtë ta lejojmë këtë.

Republika e Kosovës nuk është pronë e asnjë partie politike.

Ajo është amaneti i brezave që sakrifikuan jetën për liri.

Nëse nuk dimë ta mbrojmë me mençuri, me unitet dhe me përgjegjësi, atëherë nuk do të na falë as historia dhe as brezat që do të vijnë.

Sot është koha të zgjohemi.

Jo nesër.

Sepse historia nuk pret askënd.

Filed Under: Rajon

Sotir Gjika, Italia, Fuqitë e Mëdha dhe çështja shqiptare

July 9, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Sotir Gjika (1889–1927), i njohur me pseudonimin “Shkëmb’i Mbletës”, ishte një nga publicistët më të rëndësishëm shqiptarë të fillimshekullit XX, megjithëse emri i tij mbeti për shumë kohë në hije. Në një jetë të shkurtër, vetëm 38-vjeçare, ai zhvilloi një veprimtari të jashtëzakonshme si gazetar, publicist dhe patriot, duke punuar në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara, Rumani dhe Itali.

Kjo letër e panjohur deri më sot për publikun shqiptar përbën një dokument me vlerë të veçantë historike dhe politike. E shkruar nga patrioti dhe publicisti Sotir Gjika në vitet vendimtare pas Konferencës së Paqes në Paris, ajo dëshmon qartë vizionin e tij mbi rreziqet që i kanoseshin shtetit shqiptar nga planet për copëtimin e vendit dhe mbi rëndësinë strategjike të Shqipërisë në ekuilibrin adriatiko-ballkanik. Përtej kontekstit të kohës, letra pasqyron mendimin politik të një prej intelektualëve më të shquar shqiptarë të fillimshekullit XX dhe ndihmon për të kuptuar debatet diplomatike që zhvilloheshin në Evropë rreth fatit të Shqipërisë. Botimi i saj në gjuhën shqipe synon të sjellë para lexuesit një burim autentik historik, duke ruajtur besnikërisht përmbajtjen dhe frymën e dokumentit origjinal. Në kushte të vështira ai kërkonte një mbështetje italiane kundër agresionit sllav dhe grek.

Por Pakti Tittoni–Venizelos, i nënshkruar në korrik të vitit 1919 midis ministrit të Jashtëm italian Tommaso Tittoni dhe kryeministrit grek Eleftherios Venizelos, përbënte një nga marrëveshjet më të rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore. Edhe pse mbahej pjesërisht sekret, ai parashikonte mbështetjen reciproke të Italisë dhe Greqisë për zgjerimin e interesave të tyre territoriale në Ballkan, duke lënë të hapur rrugën për copëtimin e mëtejshëm të shtetit shqiptar. Greqia synonte të siguronte aneksimin e të ashtuquajturit “Vorio Epir”, ndërsa Italia kërkonte të forconte kontrollin mbi Vlorën dhe ndikimin e saj politik në Shqipëri. Për patriotët shqiptarë, kjo marrëveshje ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit, pasi tregonte se fuqitë fqinje ishin të gatshme të vendosnin për fatin e Shqipërisë pa pjesëmarrjen e vetë shqiptarëve. Pikërisht në këtë klimë rreziku morën një rëndësi të veçantë reagimet e elitës kombëtare shqiptare dhe mobilizimi diplomatik që kulmoi me mbrojtjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

S. Gjika karrierën e nisi në Boston me gazetën “Dielli”, ndërsa më vonë bashkëpunoi me një sërë organesh shqiptare dhe italiane, si “Atdheu”, “Përlindja e Shqipënis”, “Liri e Shqipërisë”, “Corriere delle Puglie”, “La Gazzetta di Puglia” dhe sidomos me gazetën “Kuvendi”, të cilën e themeloi në Romë në vitin 1918. Për rreth trembëdhjetë vjet ai mbajti një bashkëpunim të pandërprerë me shtypin italian, duke u bërë ndër të paktët gazetarë shqiptarë që pati një rubrikë të përhershme kushtuar çështjes shqiptare në shtypin e huaj.

Publicistika e Gjikës u zhvillua në vitet vendimtare për fatin e Shqipërisë, nga shpallja e Pavarësisë deri në konsolidimin e shtetit shqiptar. Përmes artikujve të tij ai mbrojti me vendosmëri të drejtat kombëtare, kundërshtoi copëtimin e Shqipërisë dhe kritikoi çdo politikë që cenonte interesat shqiptare, pa bërë dallim mes kundërshtarëve dhe aleatëve. Motoja e tij ishte t’i shërbente atdheut “me besë e me nder”.

Përveç gazetarisë, Gjika mori pjesë edhe në luftën për mbrojtjen e shtetit shqiptar. Në vitin 1914 luftoi në betejën e Rashbullit nën komandën e kolonelit holandez Thomson, ku u plagos dhe u kap rob nga kryengritësit, për t’u shpëtuar më pas nga ndërhyrja e Fuqive të Mëdha.

Një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tij përfshin edhe letërkëmbimet me figura të shquara si Asdreni, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu dhe personalitete të tjera të Rilindjes Kombëtare. Këto dokumente hedhin dritë mbi përpjekjet për organizimin politik të shqiptarëve, autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe mbrojtjen diplomatike të interesave kombëtare.

Falë punës kërkimore të nipit të tij, Eugjen Merlika, artikujt dhe korrespondenca e Sotir Gjikës janë mbledhur në vëllimin “Detyra ime mbaron me jetën time”, duke rikthyer në vëmendje figurën e një gazetari që e konsideroi publicistikën një mision kombëtar. Edhe pse vdiq në varfëri dhe larg atdheut, ai la pas një trashëgimi të çmuar, duke dëshmuar se fjala e lirë dhe ndershmëria mund të jenë armë po aq të fuqishme sa lufta për lirinë e një kombi.

Veprimtaria e Sotir Gjikës në shtypin italian përbën një nga kontributet më të veçanta të publicistikës shqiptare të fillimshekullit XX. Duke filluar nga 6 gushti 1914, ai u bë bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “Corriere delle Puglie” në Bari, ku hapi një rubrikë të posaçme kushtuar Shqipërisë. Për trembëdhjetë vjet me radhë ai shkroi pa ndërprerje në shtypin italian, duke shpjeguar opinionit publik zhvillimet në Ballkan dhe duke mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për një shtet të pavarur e me kufij etnikë. Në një kohë kur propaganda e vendeve fqinje ishte shumë e organizuar, pena e Gjikës u bë zëri më i qëndrueshëm shqiptar në shtypin evropian.

Në vitin 1918 ai themeloi në Romë gazetën “Kuvendi”, një tribunë dygjuhëshe në shqip dhe italisht, e cila u shndërrua në një qendër të rëndësishme të diplomacisë publike shqiptare. Në faqet e saj botuan figura të njohura të jetës politike dhe kulturore shqiptare e arbëreshe, ndërsa vetë Gjika mbrojti me argumente të forta çështjen shqiptare gjatë Konferencës së Paqes në Paris dhe viteve vendimtare të njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar. “Kuvendi” luajti një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e opinionit italian dhe evropian për të drejtat e Shqipërisë.

Megjithëse pati mundësi të ndërtonte një karrierë të suksesshme dhe të siguronte mirëqenie personale, Sotir Gjika zgjodhi t’ia kushtonte jetën idealit kombëtar. I goditur nga një sëmundje e rëndë, ai vazhdoi të shkruante deri në ditët e fundit, madje punoi edhe për zbardhjen e atentatit ndaj gjeneralit Enrico Tellini. Më 12 prill 1927 ai ndërroi jetë në një spital të Veronës, larg atdheut dhe në kushte të vështira ekonomike. Trashëgimia që la nuk ishte pasuria materiale, por një emër i ndërtuar mbi ndershmërinë, besnikërinë ndaj Shqipërisë dhe një publicistikë që mbetet dëshmi e patriotizmit intelektual shqiptar.

***

Ne revistën italiane “Politica 1920” në rubrikën Dokumente Shqiptare gjejmë një letër të Sotir Gjikës drejtuar kryeredaktorit Coppola e cila i sillet lexuesit shqiptar për herë të parë, prej meje.

Një letër e Sotir Gjikës

Nga Sotir Gjika, një prej personaliteteve më të njohura dhe më autoritare të politikës shqiptare, kemi marrë letrën e mëposhtme, të cilën po e botojmë, sepse ajo paraqet me një gjuhë të përmbajtur dhe të saktë situatën që kompromiset e fundit po krijojnë në Shqipëri. Zbulimet e fundit të dokumenteve të politikës franceze dhe jugosllave nxjerrin edhe më qartë në pah rëndësinë që ka Shqipëria për Italinë. Ajo mund të përbëjë një kështjellë mbrojtëse kundër përparimit të sllavëve drejt detit dhe, njëkohësisht, një bazë të fuqisë politike në prapavijën e Mbretërisë S.K.S. (Serbo-Kroato-Sllovene), një bazë jashtëzakonisht e favorshme për një veprim pozitiv të Italisë kundër arrogancës jugosllave.

Ndërkohë që në Adriatik po thuren aleanca kundër Italisë dhe shfaqet synimi për të vazhduar edhe në të ardhmen politikën agresive ndaj saj, është e domosdoshme që shteti S.K.S. të gjendet i rrethuar në krahë nga një Bullgari dhe një Shqipëri të konsoliduara në fuqinë e tyre të plotë. Prandaj, Shqipëria është duke zënë një vend të dorës së parë në planin e përgjithshëm të politikës italiane. Italia duhet të ketë si një politikë të brendshme, ashtu edhe një politikë të jashtme për Shqipërinë. Përballë zhvillimeve të reja dhe kompromisit famëkeq Lloyd George–Nitti, fjalët e patriotit shqiptar marrin një domethënie të veçantë.

“I dashur Coppola,

Për pasojat e rënda që mund t’i vijnë politikës adriatiko-ballkanike të Italisë nga një copëtim ose zvogëlim i Shqipërisë, që në të vërtetë do të ishte i barasvlershëm me shpërbërjen e saj, ka shumë për të thënë. Megjithatë, do ta përmbledh mendimin tim sa më shkurt të jetë e mundur. Greqia dhe Jugosllavia, duke kërkuar aneksime të reja territoriale në Shqipëri, sipas mendimit tim, nuk shtyhen thjesht nga etja për pushtime. Përkundrazi, ato synojnë me çdo kusht të pengojnë krijimin e një shteti shqiptar dhe kërkojnë pikërisht rrëzimin përfundimtar të këtij parimi, të pranuar dhe të sanksionuar nga Traktati i Konferencës së Londrës i vitit 1913.

Për të arritur këtë qëllim, qeveritë e Athinës dhe të Beogradit veprojnë qartazi nën shtysën dhe drejtimin e mbështetësve të tyre të fuqishëm e të vendosur, të cilët, në këtë mënyrë, synojnë gjithashtu dhe në mënyrë të qartë të godasin tërthorazi, nëpërmjet mbrojtjes së interesave absurde jugosllave dhe greke, interesat jetike italiane. Shqipëria, në vetvete, nuk mund të përbëjë një rrezik real as për Greqinë dhe as për Jugosllavinë. Por ajo përbën urën lidhëse të Italisë me Lindjen Evropiane dhe portën natyrore të depërtimit politik e ekonomik italian në Ballkan. Përmes një Shqipërie të pavarur do të mund të realizohej ajo politikë tërthore që u përgjigjet parimeve etnike dhe një paqeje të drejtë ballkanike, politikë që Italia duhej dhe duhet ta ndiqte me vendosmëri.

Pretendimet e reja greke dhe jugosllave për aneksime territoriale në Shqipëri synojnë pikërisht të shembin këtë urë dhe të mbyllin këtë portë.

Fqinjët tanë e ndjekin këtë synim me një metodë të menduar mirë dhe praktikisht të sigurt.

Greqia, sapo të vendoset në provincat tona më të mira jugore, do të fillojë greqizimin e detyruar dhe sistematik të vendit, me qëllim që të pengojë ringjalljen e çdo irredentizmi të ardhshëm shqiptar.

Për më tepër, ajo shpreson se aneksimet e reja arbitrare do të shërbejnë për të forcuar edhe më shumë lidhjen e saj tokësore me shtetin S.H.S. (Serbo-Kroato-Slloven), lidhje kjo që e bën të pamundur kontaktin natyror të Shqipërisë me Bullgarinë.

Nga ana tjetër, Jugosllavia, duke e çuar kufirin deri në Drinin e Zi, jo vetëm që i shkëput shtetit shqiptar të veriut pjesët e tij më jetike, duke ia hequr kështu mundësinë për t’u formuar dhe për të mbijetuar, por vendos gjithashtu nën sundimin e saj të drejtpërdrejtë mbi një milion shqiptarë.

Ndryshe nga Greqia, nuk besoj se Jugosllavia synon të ndërmarrë një sllavizim të detyruar dhe sistematik të provincave tona veriore, jo për ndonjë respekt ndaj parimeve më elementare, por sepse një gjë e tillë do të ishte materialisht dhe praktikisht e pamundur.

Nga Drini deri në Tivar dhe prej andej deri në fshatrat më të largëta të Kosovës, shqiptarët përbëjnë një masë kompakte, të aftë t’i rezistojë çdo propagande për asimilim dhe shkombëtarizim.

Për të gjitha këto qeveria e Beogradit është dhe do të mbetet plotësisht e vetëdijshme, aq më tepër tani që në Jugosllavi janë përfshirë elementë me qytetërim më të zhvilluar se ai serb, politikisht të aftë, pasi kanë qenë funksionarët më të mirë të Austrisë, si kroatët dhe sllovenët, të cilët tashmë drejtojnë politikën e shtetit të ri.

Duke qenë se synimi i saj është të ndjekë me përpikëri gjurmët e politikës ballkanike të monarkisë së shpërbërë danubiane — një politikë që ndiqte vijën vertikale me objektiv të pandryshueshëm Selanikun — Jugosllavia ka shumë gjasa të përpiqet të ndjekë ndaj shqiptarëve që administron një politikë pajtimi, me një synim të qartë: të tërheqë, nëse është e mundur, edhe popullsitë shqiptare të provincave qendrore që do të përbënin shtetin shqiptar, mbi të cilin Italia, sipas kompromisit të Parisit, do të duhej të ushtronte mandatin.

Megjithëse Greqia dhe Jugosllavia pritet të ndjekin në Shqipëri dy drejtime të ndryshme politike, veprimet e tyre do të synojnë megjithatë të njëjtin qëllim: të pengojnë me çdo kusht që shteti shqiptar, i kufizuar midis Matit dhe Vjosës, të bëhet një qendër rrezatimi dhe tërheqjeje për provincat tona të nënshtruara; me pak fjalë, të pengojnë që ky shtet i vogël të bëhet Piemonti i Shqipërisë. Konferenca e Parisit ua ka dhënë bujarisht Greqisë dhe Jugosllavisë mundësinë materiale për ta arritur këtë synim.

A do të kenë sukses? Këtë do ta tregojë e ardhmja.

Nëse po, Italia do të mbetet e mbyllur në Vlorë.

Diversioni politik i zotit Tittoni, i mishëruar në marrëveshjen e tij me Venizellosin, shfaqet kështu edhe më qartë si një veprim i pakuptimtë.

Midis dy rivalëve natyrorë, si Italia dhe Greqia, nuk mund të ketë përputhje dhe aq më pak bashkësi interesash. SOTIR GJIKA”

Filed Under: Rajon

SHBA DHE KOSOVA – NJË ALEANCË E GURTHEMELIT TË LIRISË, PAVARËSISË DHE SOVRANITETIT: DETYRIMI HISTORIK I MIRËNJOHJES INSTITUCIONALE

July 8, 2026 by s p

(Nga mbështetja vendimtare ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, deri te përgjegjësia kushtetuese, diplomatike dhe kombëtare për ruajtjen e partneritetit strategjik me aleatët euroatlantikë)

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

1. Kuptimi i mirënjohjes institucionale në shtetin modern

Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, aleancat ndërmjet shteteve nuk janë ndërtuar vetëm mbi interesa të përkohshme politike, ekonomike apo të sigurisë. Ato janë krijuar dhe janë forcuar mbi bazën e vlerave të përbashkëta, besimit reciprok, respektit institucional dhe kujtesës historike. Në këtë kuadër, mirënjohja institucionale përbën një element të rëndësishëm të kulturës shtetërore dhe të sjelljes diplomatike të një shteti serioz.

Një shtet demokratik nuk e ndërton politikën e tij të jashtme vetëm përmes marrëveshjeve dhe deklaratave politike, por edhe përmes ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerësimit të partnerëve që kanë kontribuar në momente vendimtare të ekzistencës së tij. Mirënjohja shtetërore nuk është një akt formal pa përmbajtje; ajo është një shprehje e vetëdijes institucionale, e përgjegjësisë historike dhe e respektit ndaj parimeve mbi të cilat është ndërtuar një marrëdhënie strategjike.

Në rastin e Republikës së Kosovës, çështja e mirënjohjes institucionale ndaj aleatëve ka një dimension të veçantë historik dhe politik. Rruga e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit është zhvilluar në një kontekst të ndërlikuar ndërkombëtar, ku mbështetja e aleatëve demokratikë ka pasur rëndësi të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, ruajtja e kësaj kujtese dhe shprehja e saj përmes institucioneve shtetërore përbën një detyrim moral, politik dhe institucional.

2. Institucionet funksionale si themel i subjektivitetit shtetëror

Një shtet mund të ushtrojë në mënyrë efektive sovranitetin e tij vetëm atëherë kur institucionet e tij kushtetuese funksionojnë në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme. Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti nuk janë vetëm organe formale të shtetit; ato janë bartësit kryesorë të vullnetit institucional, të përfaqësimit demokratik dhe të orientimit strategjik të Republikës.

Prandaj, konstituimi sa më i shpejtë i institucioneve pas proceseve zgjedhore, në respektim të plotë të Kushtetutës dhe afateve kushtetuese, është një kërkesë themelore e një shteti të së drejtës. Funksionaliteti institucional krijon stabilitet të brendshëm dhe rrit besueshmërinë e shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në veçanti, zgjedhja e Presidentit të Republikës në përputhje me procedurat kushtetuese ka rëndësi të veçantë, pasi Presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe ka rol të rëndësishëm në përfaqësimin ndërkombëtar të shtetit. Një institucion presidencial funksional, së bashku me Kuvendin dhe Qeverinë, i jep Republikës së Kosovës kapacitet më të madh për të zhvilluar një politikë të jashtme të koordinuar, të qëndrueshme dhe të besueshme.

3. Mirënjohja ndaj aleatëve si përgjegjësi shtetërore

Mirënjohja ndaj aleatëve strategjikë nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e individëve, figurave publike apo iniciativave personale. Në një shtet të konsoliduar demokratik, kjo mirënjohje duhet të shprehet përmes institucioneve kompetente dhe në emër të Republikës.

Akte të tilla si deklaratat institucionale, rezolutat, dekoratat shtetërore, aktivitetet përkujtimore dhe komunikimi diplomatik janë instrumente përmes të cilave shteti shpreh vlerësimin e tij ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Për Republikën e Kosovës, ky dimension është veçanërisht i rëndësishëm në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë euroatlantikë. Një marrëdhënie strategjike nuk ruhet vetëm përmes interesave të përbashkëta aktuale, por edhe përmes respektimit të historisë së përbashkët dhe vlerësimit të kontributit të dhënë në momente vendimtare.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 218
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË
  • Për Bujar Alimanin, “Virgjereshën” dhe kinematografinë shqiptare
  • PETRO NINI LUARASI NË AMERIKË 1904-1908 — NJË MISION PATRIOTIK
  • KOSOVA MES KONSOLIDIMIT KUSHTETUES DHE AFIRMIMIT NDËRKOMBËTAR
  • NËSE UASHINGTONI MBRON SOVRANITETIN E VET PËRBALLË NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE, KOSOVA DUHET TË KETË TË DREJTËN TË HAPË DEBATIN E VET KUSHTETUES PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA
  • Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror
  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…
  • Shqiptarët dhe Europa…
  • SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE IDENTITETI SI PJESË E VLERAVE TONA KOMBËTARE
  • ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT