• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen solemne të Seminarit të 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

August 19, 2025 by s p

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të Seminarit të 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës – Instituti i Historisë.

Para të pranishmëve të shumtë, akademikë e shkencëtarë, profesorë, drejtues të seminarit, seminaristë e studentë, në fjalën hyrëse, kryeministri potencoi se në kalendarin e jetës kulturore të Kosovës, Seminari është ngjarja kulturore më jetëgjatë, derisa theksoi se ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara edhe sivjet vjen me kënaqësi në hapjen e edicionit të 43-të të tij.

“Shumë studiues, shkencëtarë dhe akademikë, të cilët vijnë me dijet dhe përvojat e gjuhës së tyre, do të flasin këtu për gjuhën e kulturës shqiptare dhe për kulturën e gjuhës shqipe. I përmbahem gjithnjë asaj thënies në hapje të seminarit këtu e katër vite më parë, kur pata theksuar që: intimiteti i pazgjidhshëm i marrëdhënies mes mendimit dhe gjuhës do të mbetet përherë çështje e njerëzimit, pra edhe e formimit tonë kulturor. Vetë kultura është kjo pazgjidhshmëri e kamotshme dhe e përjetshme”, tha kryeministri Kurti.

Më tej ai tha: Çdo seminar ndërkombëtar për gjuhën, edhe ky seminar i 43-të, ka një rol të madh në llogaritjen më të rëndësishme të bazës që i shërben mendimit deri madje edhe me kushtëzim të tij. Sepse, siç e dimë, te raporti midis mendimit dhe gjuhës, vijnë e ngatërrohen mundësimi dhe kushtëzimi. Në një farë mënyre, studimi gjuhësor përqendrohet në llogaritjen e racionalitetit të mënyrës së mirëfilltë të mendimit. Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i subjektivitetit, i kujtesës dhe i imagjinatës, dhe i kulturës, pra është komunikimi qenësor. Në kushtet e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës dhe imagjinatës njerëzore e natyrore.

Kryeministri Kurti theksoi se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për forcimin dhe promovimin e gjuhës shqipe në Kosovë e në mërgatë. Siç tha ai, kjo është arritur përmes: bursave vjetore për studentët e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në vlerë prej 1000 euro dhe mbështetjes së stafit akademik, si dhe bashkëpunimit me Shqipërinë për përgatitjen e teksteve të unifikuara për nxënësit shqiptarë jashtë vendit. Ai shtoi se gjithashtu, është forcuar tradita e garave dhe Olimpiadës së Gjuhës Shqipe për nxënësit parauniversitarë, duke nxitur drejtshkrimin, leximin dhe mendimin kritik. Për dy vite me radhë, ministria ka mbështetur edhe Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Krahas kësaj, ka mbështetur edhe Seminarin Mbarëkombëtar të Diasporës, që lidh institucionet arsimore me komunitetet shqiptare jashtë vendit. Se ne tashmë në diasporë, edhe Kosova edhe Shqipëria i kemi shumë studentë të dalluar, profesorë të shkëlqyeshëm edhe autorë të famshëm, gjithnjë e më të famshëm. Këto nisma krijojnë bazë të qëndrueshme për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, duke e vënë atë në qendër të edukimit dhe identitetit tonë kombëtar.

“Qasja jonë si qeveri është serioze edhe në mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike. Asaj i kemi përcaktuar një përkushtim të veçantë në ruajtjen dhe zbulimin e historisë së popullit tonë. E mua nuk më duket që ka vend me të përshtatshëm të flasim për këtë sesa pikërisht te ky seminar që i dedikohet gjuhës, sepse ne jemi para së gjithash e mbi të gjitha komb i gjuhës, i gjuhës tonë të bukur shqipe. Por, edhe lashtësia jonë është ajo e cila lidhet pikërisht me këtë që është tipari ynë themelor, por në të njëjtën kohë edhe vetë faktori qenësor i lashtësisë sonë”, tha kryeministri Kurti, duke ju uruar punë të mbarë në këtë seminar të bashkëpunimit ndërkombëtar mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Filed Under: Rajon

Gjykata Speciale dhe distanca nga juridiksioni kosovar

August 15, 2025 by s p

Sylë Ukshini/

Rrethanat e krijimit të Gjykatës Speciale

Pas publikimit të raportit të Dick Martyt, i cili përfshinte gjetje sensacionale të bazuara pjesërisht në librin e ish-prokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës insistuan që vetëm një hetim i pavarur ndërkombëtar dhe krijimi i një gjykate të themeluar nga institucionet e Kosovës mund të hiqte “rejën e zezë” mbi vendin. Ndryshe, ekzistonte rreziku që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të ndërhynte për të formuar një gjykatë ndërkombëtare, duke interpretuar se Kosova mund të përpiqej të fshehë elemente të raportit. Në këtë kuadër, Kosova nuk kishte alternativë tjetër përveçse të pranonte themelimin e Gjykatës Speciale, i njohur me një emër sui generis Dhomat e Specializuara të Kosovës, një institucion që sot rezulton të ketë ngarkuar rëndë kapacitetet e shtetit të ri dhe të ketë sjellë pasoja të pallogaritshme për imazhin dhe funksionimin institucional të tij.

Duhet pranuar se themelimi i kësaj gjykate është ndërtuar edhe mbi një pritshmëri – në thelb iluzore – se ajo do të trajtonte çështjen e trafikimit të organeve, një akuzë jashtëzakonisht e rëndë, si dhe do të hetonte vrasjet politike të periudhës pasluftës. Këto ngjarje, edhe sot, mbeten objekt interpretimesh kontradiktore në diskursin publik dhe jo rrallë shërbejnë si katalizatorë për thellimin e ndarjeve të brendshme shoqërore.

Një element tjetër përcaktues në procesin e themelimit ishte presioni me karakter të qartë shantazhi diplomatik, sipas të cilit Perëndimi do të mbështeste një gjykatë të themeluar nën ombrellën e OKB-së, me praninë e pashmangshme të ndikimit rus dhe kinez. Megjithatë, objektivat e përmendur jo vetëm që nuk janë adresuar, por as nuk figurojnë në agjendën aktuale të gjykatës. Në këtë kontekst, dhe duke iu referuar raporteve të saj periodike, bëhet e qartë se Gjykata Speciale është, në thelb, më shumë një institucion me karakter të OKB-së sesa një gjykatë e Kosovës.

Raportet periodike të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi misionin e UNMIK-ut, të paraqitura në kuadër të zbatimit të Rezolutës 1244 (1999), përfshijnë Gjykatën Speciale në kuadrin e institucioneve që raportojnë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo ndodh pavarësisht faktit se, në diskursin zyrtar, Gjykata Speciale paraqitet si institucion juridik i Republikës së Kosovës, duke krijuar kështu një mospërputhje ndërmjet statusit të saj formal dhe mekanizmave të saj realë të llogaridhënies.

Për më tepër, pranimi dhe përdorimi i materialeve arkivore të ish-UDB-së serbe si prova në proceset gjyqësore kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një skandal të veçantë juridik e politik, me implikime serioze për besueshmërinë dhe legjitimitetin e procedurave.

Kërkesa fillestare e bashkësisë ndërkombëtare ishte që “më mirë të formohet një gjykatë vendore sesa të kërkohet ndërhyrja e Këshillit të Sigurimit, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtë vetoje”. Megjithatë, misionet ndërkombëtare si KFOR-i, EULEX-i dhe UNMIK-u funksionojnë mbi bazën e së njëjtës Rezolutë 1244, e cila është miratuar me votën e Rusisë dhe Kinës.

Precedenti i Gjykatës Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (ICTY) tregon se ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të përfshirë në procedura gjyqësore ndërkombëtare më parë, shpalleshin të pafajshëm (Limaj, Haradianj), dhe trajtimi i tyre gjatë paraburgimit përputhej në masë të madhe me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kjo është në kontrast të dukshëm me procesin aktual kundër ish-liderëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim për një periudhë prej pesë vitesh, duke ngritur shqetësime mbi respektimin e të drejtave procedurale dhe standardeve ndërkombëtare gjatë qëndrimit në paraburgim.

Anomalia kryesore është se, edhe pse Gjykata Speciale prezantohet si institucion i Kosovës, nuk mbikëqyret nga institucionet vendore, nuk i raporton Kuvendit dhe nuk kontrollohet nga gjyqësia kosovare. Raportimi i saj përfshihet në dokumentet e UNMIK-ut për KS të OKB-së, duke krijuar një neutralitet institucional ndaj statusit të Kosovës dhe duke legjitimuar bypass-in e sovranitetit.

Ky format raportimi ka pasoja të drejtpërdrejta:

Neutralitet institucional – Gjykata trajtohet si strukturë ndërkombëtare neutrale, pavarësisht se formalisht konsiderohet e Kosovës.

Legjitimim ndërkombëtar – Përjashtimi i kontrollit vendor tregon një pranim të heshtur të një modeli që BE dhe OKB mund ta ripërdorin.

Në raportet e UNMIK-ut (31 janar 2018; 5 tetor 2023; 14 tetor 2024) Gjykata Speciale paraqitet si mision ndërkombëtar, në të njëjtin nivel me EULEX-in, duke raportuar arrestime dhe veprime në të njëjtën gjuhë zyrtare. Kjo qasje kontradiktore nga BE-ja e rrit pasigurinë mbi legjitimitetin dhe dialogun ndërkombëtar.

Analiza e trajtimit të krimeve të luftës tregon një zbrazëti institucionale dhe juridike, jo nga paaftësia e gjyqësisë vendore, por nga kompetencat e UNMIK-ut dhe më pas EULEX-it.

Proceset ndërkombëtare prodhuan një bilanc disproporcional ku shqiptarët u dënuan më shpesh se serbët, duke sfiduar parimin e universalitetit dhe duke krijuar perceptimin e një standardi selektiv.

Krijimi i Gjykatës Speciale, i fokusuar ekskluzivisht në hetimin e një etnie, ngre pyetje për legjitimitetin e drejtësisë tranzicionale dhe për aftësinë e saj për të siguruar drejtësi të paanshme dhe pajtim, në vend që të riprodhojë ndarje dhe të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Sipas intervistave të tij, John Clint Williamson, udhëheqësi i task-forcës speciale të hetimit (TFHS), e cila u krijua për të trajtuar akuzat për krime të pretenduara nga ish-UÇK-ja, do të konfirmonte se presioni kryesor për krijimin e Gjykatës Speciale erdhi nga Rusia dhe Serbia, të cilat kërkonin themelimin e një gjykate të re të OKB-së. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të u angazhuan për të mbikëqyrur procesin hetues dhe gjyqësor, duke krijuar task-forcën speciale të hetimit (TFHS), e cila u drejtua nga Williamson. Ky proces u përdor gjithashtu si instrument politik për të ushtruar presion mbi udhëheqësit kosovarë në dialogun Kosovë–Serbi, veçanërisht për çështje të ndërlikuara si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Reagimi i ngadalshëm i Kosovës ndaj akuzave të Dick Marty

Në hapësirën shqiptare, dhe veçanërisht në Kosovë, reagimi ndaj akuzave të paraqitura nga Dick Marty u karakterizua nga një pasivitet i dukshëm dhe mungesë vendosmërie institucionale. Në vend që të ndërmerreshin hapa proaktivë, përmes lobimit të strukturuar apo përfshirjes së agjencive ndërkombëtare të komunikimit strategjik, institucionet e Kosovës adoptuan një qëndrim mbrojtës dhe pritës. Ky qëndrim pasiv u shfaq në një moment kritik, kur Serbia ndërmori një kundërfushatë të koordinuar dhe të gjerë, me qëllim të sfidonte dhe të përmbysë narrativën ekzistuese mbi ngjarjet e luftës.

Siç ka vënë në dukje Ismail Kadare, për këtë situatë të heshtjes dhe të mungesës së reagimit nuk mund të lihet jashtë përgjegjësisë klasa politike, si në Shqipëri ashtu edhe, në mënyrë të veçantë, në Kosovë. Përgjegjësia shtrihet gjithashtu mbi historianët, akademikët, publicistët dhe institucionet përkatëse, të cilët në masë të madhe mbajtën një qëndrim të heshtur.

Kosova u përball me këtë situatë në mënyrë të papritur dhe pa një strategji të parapërgatitur. Një element i rëndësishëm që nuk duhet neglizhuar është edhe ekzistenca e zërave mohues brenda radhëve shqiptare, të cilët shfaqeshin të gatshëm të akuzonin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në disa raste, qytetarë të Kosovës ofruan informacione që më pas u referuan në organizata ndërkombëtare, duke kontribuar kështu në pikënisjen e procesit akuzues. Në këtë kontekst, udhëheqja politike e Kosovës nuk kishte alternativë tjetër përveçse të lejonte nisjen e hetimeve të menjëhershme. Megjithatë, mënyra e publikimit të raportit të Dick Marty, e karakterizuar nga senzacionalizmi, paragjykimi dhe një përqasje selektive, ngre pyetje serioze mbi objektivitetin dhe motivet e tij. Akuzat e paraqitura ishin të rënda, duke nxitur kërkesa për krijimin e një gjykate ndërkombëtare. Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës ushtruan presion mbi elitën politike vendore, duke deklaruar se nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të formonte Gjykatën Speciale, atëherë kjo do të bëhej nga OKB-ja, me pasoja juridike dhe politike ndërkombëtare më të rënda për Kosovën.

Roli politik i Gjykatës Speciale në dialogun Kosovë–Serbi

Gjykata Speciale, edhe pse formalizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, u themelua në një kontekst të fortë presioni ndërkombëtar, pas publikimit të raportit të diskutueshëm të Dick Marty. Ky raport, i bazuar kryesisht në burime të dyshimta dhe pa prova konkrete, nuk është konfirmuar nga ndonjë trup ndërkombëtar i pavarur. Evidencat më të vonshme sugjerojnë se ai kishte karakter politik, duke ndjekur linjën e promovuar fillimisht nga Carla Del Ponte dhe më pas nga figura të lidhura me shërbimin inteligjent rus, si Konstantin Kosachev, ndërsa u riaktualizua nga Dick Marty pas njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Rindërtimi kronologjik i ngjarjeve tregon se akuza për “trafikim organesh” u artikulua për të krijuar një balancë politike pas fitoreve të Kosovës në vitet 2008 dhe 2010 dhe për të kontrolluar afrimin e Serbisë me Perëndimin, një strategji e ngjashme me praktikat evropiane ndaj Serbisë në vitet 1990. Miratimi i shpejtë i Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbi raportin e Marty-t, pa një verifikim të hollësishëm të fakteve, reflekton një qëndrim të njëanshëm dhe një disponim të dukshëm antishqiptar dhe anti-Kosovë nga disa vende kyçe evropiane.

Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se qeveria e Kosovës ishte e gatshme të bashkëpunonte me partnerët ndërkombëtarë, duke respektuar juridiksionin vendor dhe duke ruajtur imazhin e luftës së drejtë të Kosovës. Megjithatë, ngjarjet e mëvonshme treguan një rrjedhë të ndryshme, pasi hetimet dhe presioni ndërkombëtar u intensifikuan.

John Clint Williamson, i emëruar kryeprokuror i ekipit hetues të EULEX-it në gusht 2011, kryesoi hetimet mbi akuzat për trafikim organesh dhe konstatoi se të gjeturat nuk ishin të mjaftueshme për përdorim në gjykatë, duke vënë në dukje se hetimet duhet të vazhdonin. Raporti i tij i publikuar në korrik të vitit 2014 konstatoi ekzistencën e provave të mjaftueshme vetëm për krime të tjera të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të kryera nga disa ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, raporti theksonte se pikënisja e procesit që çoi në krijimin e kësaj gjykate mbështetej kryesisht në informacione të siguruara nga qytetarë shqiptarë të Kosovës.

Në thelb, Gjykata Speciale u imponua si një mjet balancimi politik pas suksesit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik 2010. Ajo u përdor si levë presioni mbi udhëheqësit politikë të Kosovës për të bërë koncesione në procesin e dialogut me Serbinë, duke reflektuar jo vetëm dimensionin juridik, por edhe atë politik të funksionimit të saj.

Një ilustrim domethënës i ndërthurjes së dinamikave politike me zhvillimet gjyqësore është ngritja dhe konfirmimi i aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, në një periudhë kur ai kishte sinjalizuar heqjen dorë nga ideja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe po kundërshtonte rifillimin e diskutimeve mbi këtë çështje, të cilën e konsideronte si një kërcënim serioz ndaj sovranitetit të Kosovës. Kjo ndodhi gjithashtu në një kohë kur në diskursin politik po shfaqej, ende e paqartë në përmbajtje dhe implikime, ideja e ashtuquajtur e “korrigjimit të kufijve”.

Raportimi në OKB dhe bypass-i i sovranitetit

Edhe pse në mënyrë zyrtare Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës u prezantua si një institucion i sistemit të drejtësisë së Kosovës – shpesh e cilësuar si një gjykatë “hibrid” kosovaro-evropiane – shumë shpejt u bë e qartë se veprimtaria e saj kishte lidhje të kufizuar ose minimale me institucionet vendore, përveç faktit që të paraburgosurit ishin shtetas të Kosovës. Kjo situatë, e favorizuar nga një besim naiv ndaj institucioneve ndërkombëtare, mungesa e përvojës institucionale dhe rivalitetet politike të brendshme, krijoi një terren të përshtatshëm për funksionimin e Gjykatës pa asnjë mekanizëm efektiv mbikëqyrës nga autoritetet kosovare. Siç vë në dukje ish-presidenti Hashim Thaçi në një intervistë për TV Klan Kosova, “hendikepi i kësaj gjykate është mungesa e një mekanizmi kujdestarie legjislativ, që do të orientonte procesin drejt fakteve reale dhe jo pretendimeve apo spekulimeve”.

Nëse Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës, një status i pamarrë deri më sot, trupi i avokatëve do të kishte mundësinë të adresonte shkeljet dhe vendimet e Gjykatës Speciale përpara Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Në mungesë të kësaj, Gjykata filloi të konsolidojë fuqinë e saj, ndërkohë që EULEX-i, i shndërruar de facto në një degë ekzekutive të saj, adoptuan një qasje të ashpër dhe frikësuese gjatë bastisjeve dhe intervistimeve të individëve të lidhur me të paraburgosurit, përfshirë familjarë (ndalimi prej gati një vit i vizitave të birit të Fazli Fazliu!) të dhe ish-bashkëpunëtorë. Transmetimi publik i seancave shpesh e paraqiste në mënyrë të deformuar realitetin, duke e reduktuar kompleksitetin e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë në një “karikaturë” të ngjarjeve reale. Alarmues është fakti se disa dëshmitarë të prokurorisë ishin pjesëtarë ose bashkëpunëtorë të strukturave të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, institucioni përgjegjës për krime të rënda kundër civilëve, të cilat nga studiues dhe organizata ndërkombëtare janë vlerësuar si ndër më të rëndat në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo gjendje shton dyshime mbi objektivat reale të gjykimit, duke lënë hapësirë për politizim të procedurave dhe rekrutimin e dëshmitarëve të diskutueshëm.

Një tjetër element i rëndësishëm është mungesa e transparencës dhe shmangia e raportimit të Gjykatës ndaj institucioneve vendore. Edhe pse themeluar nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale i raporton aktivitetet e saj Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përmes Sekretarit të Përgjithshëm António Guterres dhe Këshillit të Sigurimit, duke përfshirë edhe shtete si Serbia. Çdo raport përfshin aneksin e përbashkët të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, zakonisht për një periudhë gjashtëmujore. Raportet shqyrtohen në kuadër të mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit, ku Kosova përfaqësohet në nivel ministri të Jashtëm, Kryeministri ose President. Praktika e raportimit përmes OKB-së vendos Gjykatën Speciale jashtë kontrollit të sovranitetit të Kosovës, duke krijuar një paradoks institucional: një organ që zyrtarisht është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, i raporton një institucioni ndërkombëtar që nuk e njeh shtetin kosovar, për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës, dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe aleatë të Serbisë.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të konsultuar rezulton se raportet lidhur me veprimtarinë e Gjykatës Speciale i paraqiten Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në formë aneksi, si pjesë përbërëse e raporteve periodike të Sekretarit të Përgjithshëm për Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), në përputhje me dispozitat e Rezolutës 1244 (1999).

Në këto raporte:

Aneksi përfshin raportin e përbashkët të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për një periudhë të caktuar gjashtëmujore.

Raporti përshkruan zhvillimet në procedurat gjyqësore, përfshirë çështjet ndaj të pandehurve specifikë, aktivitetet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vizitat zyrtare, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Përmban informacion mbi komunikimet me palët e interesit (shoqëria civile, mediat, institucionet e Kosovës, përfaqësues të BE-së dhe shteteve sponsore).

Nuk ka detyrim për raportim ndaj institucioneve të Kosovës; raportimi bëhet drejtpërdrejt në OKB përmes kanaleve të UNMIK-ut.

Analiza e dokumenteve tregon se raportet periodike për Gjykatën Speciale dorëzohen si aneks i raporteve për UNMIK-un, sipas Rezolutës 1244 (1999), duke përfshirë informacion mbi aktivitetet gjyqësore, bashkëpunimin ndërkombëtar, vizitat zyrtare dhe komunikimet me palët e interesit, pa detyrim për raportim ndaj institucioneve të Kosovës. Raporti i datës 5 prill 2023, për shembull, dokumenton periudhën 16 shtator 2022 – 18 mars 2023, duke evidentuar akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-liderëve politikë të UÇK-së, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, si dhe vendimin e parë penal ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së Sali Mustafa. Raporti përfshin gjithashtu informacion mbi ecurinë e çështjeve gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, vizitat dhe takimet me përfaqësues të BE-së dhe shteteve sponsore, si dhe situatën e sigurisë dhe bisedimet në Kosovën Veriore.

Ky mekanizëm raportimi, i cili vendos Gjykatën Speciale në një pozicion të jashtëm ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, shfaq një anomalitet të dukshëm në të drejtën ndërkombëtare. Në raportet zyrtare mungojnë çdo simbol apo referencë ndaj shtetit të Kosovës, ndërkohë që zyrtarët më të lartë të institucioneve vendore nuk përmenden fare. Një trajtim i tillë jo vetëm që cënon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, por tregon edhe nevojën e një reagimi të vendosur nga elitat politike dhe institucionet vendore për të kërkuar llogari nga Gjykata Speciale dhe për të mbrojtur tërësinë e sovranitetit dhe kredibilitetit ndërkombëtar të shtetit kosovar.

Përdorimi i dosjeve të UDB-së

Një nga devijimet më të rëndësishme të Gjykatës Speciale në procesin gjyqësor kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është përdorimi i materialeve arkivore dhe dosjeve të ish-Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB). Ky institucion, në proceset kundër liderëve serbë të zhvilluara në Tribunalin e Hagës për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, është identifikuar si strukturë përgjegjëse për krime të luftës dhe spastrime etnike në Kosovë. Në vendimet gjyqësore të Tribunalit, UDB-ja është konsideruar pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, e cila synonte ndryshimin me forcë të strukturës etnike të Kosovës.

Sipas dëshmive të shumta të protagonistëve ndërkombëtarë të kohës, vetë Sllobodan Millosheviqi e kishte artikuluar hapur synimin për një “zgjidhje përfundimtare” në Kosovë, duke iu referuar modelit të përdorur nga autoritetet komuniste jugosllave në vitin 1945, kur dhjetëra mijëra shqiptarë u ekzekutuan pa proces gjyqësor.

Fakti që një gjykatë e themeluar në emër të drejtësisë së Kosovës po përdor dokumente të siguruara nga UDB-ja — një aparat shtetëror i cili gjatë gjithë shekullit XX ka ushtruar represion sistematik dhe politikë armiqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës — përbën një paradoks të thellë juridik dhe moral. Ky veprim është i krahasueshëm me hipotetizimin absurd të gjykimit të kundërshtarëve të Adolf Hitlerit në Nuremberg duke u bazuar në dokumentacionin e Gestapos.

Për shqiptarët e Kosovës, UDB-ja ka një ngarkesë simbolike dhe historike të krahasueshme me atë që kishte Gestapoja për popullin hebre dhe shtetet aleate pas Luftës së Dytë Botërore. Ashtu si Gestapoja u shpall organizatë kriminale nga Gjykata e Nurembergut për rolin e saj në krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj hebrenjve, edhe UDB-ja dhe strukturat e policisë serbe u shpallën përgjegjëse nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës, përfshirë spastrimin etnik në Kosovë dhe mizoritë e kryera gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi.

Përgjegjësia institucionale dhe rruga përpara

Duke qenë se Gjykata Speciale është themeluar nga institucionet e Republikës së Kosovës, mbetet e paqartë nga buron e drejta e saj për t’i raportuar Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një organ ku Kosova nuk është anëtare dhe i cili, për shkak të kundërshtimit të disa shteteve, nuk e njeh shtetësinë e saj. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në ushtrim të përgjegjësive të tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duhet të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme ligjore që do të përcaktonin Gjykatën Speciale si një subjekt raportues para Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në cilësinë e organit kompetent kombëtar për mbikëqyrjen e gjyqësorit. Njëkohësisht, është e domosdoshme që me anë të dispozitave të posaçme ligjore të vendoset kufizimi i përdorimit të provave të siguruara nga organet e Beogradit, duke marrë parasysh historikun e tyre të komprometuar dhe lidhjet e dokumentuara me struktura të cilat janë shpallur përgjegjëse për kryerjen e krimeve të luftës.

Gjithashtu, mandati i Gjykatës duhet të zgjerohet për të përfshirë hetimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe në Kosovë, për të garantuar një qasje të paanshme dhe gjithëpërfshirëse ndaj drejtësisë tranzicionale. Në të njëjtën kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni themelues i Gjykatës Speciale, ka përgjegjësinë të përcaktojë një afat të qartë kohor brenda të cilit kjo gjykatë duhet të ngrejë aktakuzat dhe të përmbyllë veprimtarinë e saj. Gjithashtu duhet ta detyrojë këtë institucion që të dorëzojë një raport zyrtar mbi gjetjet lidhur me pretendimet për trafikim të organeve – çështje e cila nuk mund të mbetet pa epilog. Nëse Gjykata Speciale dështon të ndërmarrë këto hapa, ajo dëshmon se nuk e ka zbatuar në mënyrë të plotë mandatin për të cilin është themeluar.

Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë pa dallime partiake, në të cilën të evidentohen qartë shkeljet faktike të parimeve bazë demokratike dhe të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës. Në këtë dokument, duhet të theksohet se të drejtat e ish-liderëve të UÇK-së, të izoluar për një periudhë të gjatë, janë cenuar në mënyrë serioze, duke krijuar një precedent shqetësues për respektimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Pohimi se epilogu i proceseve gjyqësore në Gjykatën e Hagës nuk ka ndikim mbi shtetin e Kosovës është i dyzuar dhe duhet analizuar me kujdes. Një deklaratë e tillë mund të interpretohet ose si shprehje e një naiviteti të thellë, ose si një formë e vetëdijshme e tendencës për të minimizuar ose relativizuar rëndësinë e një momenti kyç historik. Çdo individ që pretendon se rezultatet e proceseve në Hagë nuk kanë implikime për shtetin e Kosovës ose nuk ndikojnë në perceptimin dhe legjitimitetin e tij ndërkombëtar, bie në një prej dy kategorive: ose mungon plotësisht sensi kritik dhe kuptimi i realitetit institucional dhe historik, ose ka një qëllim të qëllimshëm për të zhbërë dhe relativizuar një pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të historisë së Kosovës. Në këtë kontekst, proceset gjyqësore ndërkombëtare nuk mund të konsiderohen të izoluara nga shteti; ato, përkundrazi, reflektojnë dhe ndikojnë në narrativat politike, juridike dhe historike që lidhen me ndërtimin e subjektivitetit dhe legjitimitetit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Rajon

Filatelia e Kosovës: Identiteti i një shteti të ri nëpërmjet pullës postare

August 9, 2025 by s p

Besnik Fishta 

Pullat e para postare të Postës së Kosovës u emetuan më 15 mars 2000, dhe tematika e parë që u përzgjodh ishte “Paqja” (fig. 1), një zgjedhje e ngarkuar me simbolikë për një vend që sapo kishte dalë nga një konflikt i rëndë. Ky emision përbëhej nga pesë pulla me pamje dhe vlera të ndryshme nominale, të shprehura në markën gjermane (DM), që në atë periudhë ishte valuta e përkohshme në përdorim në Kosovë. Më 12 nëntor 2001, u lëshua në qarkullim emisioni i dytë i pullave postare (fig. 2), sërish me pesë pulla, por me një karakteristikë të veçantë: vlerat nominale ishin të shënuara në dy valuta , marka gjermane dhe euro,  për shkak të procesit të kalimit gradual në monedhën europiane. Pas këtij momenti, të gjitha emisionet pasuese të pullave janë shënuar vetëm në euro, duke reflektuar qasjen e Kosovës drejt institucioneve dhe simboleve perëndimore. Një kthesë e rëndësishme në zhvillimin e filatelisë ndodhi pas vitit 2004, kur Posta e Kosovës u konsolidua më tej dhe filloi të lëshojë një numër më të madh emisionesh me tematika të larmishme: histori, art, figura kombëtare, sport, biodiversitet, trashëgimi kulturore, roli i gruas në shoqëri, flora dhe fauna, ngjarje kombëtare dhe përvjetorë të rëndësishëm. Këto emisione morën përmasën e komunikimit kulturor dhe edukativ. Një moment historik në filatelinë kosovare ishte emetimi më 7 mars 2008 i pullës për Ditën e Mësuesit, ku për herë të parë figuroi teksti “Republika e Kosovës” (fig. 3). Më pas, më 19 mars 2008, emetimi për Ditën e Pavarësisë shënoi jo vetëm një përvjetor, por edhe afirmimin e identitetit të ri të shtetit të pavarur. Këto ngjarje e vendosën filatelinë kosovare në një stad të ri, ku ajo shërbente si dëshmi e shtetformimit dhe e aspiratave politike e kulturore.  Pavarësisht përparimit, filatelia e Kosovës është përballur me disa sfida të mëdha. Mungesa e njohjes së gjerë ndërkombëtare, veçanërisht në fazat e para, ka ndikuar që pullat kosovare të kenë përhapje të kufizuar në tregun ndërkombëtar të filatelisë dhe në katalogët kryesorë botërorë. Po ashtu, infrastruktura filatelike mbetet e brishtë, për shkak të mungesës së muzeve, ekspozitave të qëndrueshme, shoqatave aktive, literaturës filatelike dhe katalogëve të specializuar. Edhe ndikimi i dobët në edukimin dhe kulturën masive ka bërë që filatelia të mbetet e kufizuar në një rreth të ngushtë njohësish dhe koleksionistësh. Megjithatë, vitet e fundit kanë sjellë një larushi tematike dhe një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë vizuale të pullave. Janë përfshirë figura të grave të shquara (si Shote Galica, Nexhmije Pagarusha, Nekibe Kelmendi), trashëgimi kulturore (si Xhubleta apo Fibulat ilire), ngjarje sportive, personalitete botërore me origjinë kosovare (Rita Ora, Dua Lipa) dhe tematika sociale si mbështetja për gjidhënien, dhuna ndaj grave etj. Kjo dëshmon për një vetëdije të re mbi rolin e filatelisë, jo vetëm si përkujtim i së kaluarës, por edhe si mjet komunikimi për vlerat shoqërore aktuale. Është për t’u theksuar edhe fakti se, në arenën ndërkombëtare, pullat e Kosovës kanë marrë disa herë vlerësime dhe çmime, si për paraqitjen e tyre artistike, ashtu edhe për përmbajtjen identitare. Për shembull, në konkursin “WIPA Grand Prix”, pulla me mineralet e Kosovës u përzgjodh mes nëntë pullave më të bukura të Europës për vitin 2009. Po ashtu, blloku filatelik “Mendo gjelbër” u rendit në vendin e pestë në grupin e dhjetë pullave më të bukura të vitit 2016.           

 Fig 1 Emisioni i parë i 15 marsit 2000 me temën “Paqja”

           

Fig 2 Emisioni I dyte me vlera ne marka dhe euro me 12 Nendor 2001

                                                                               

Fig 3 Emisioni i 7 marsit 2008, ku për herë të parë figuroi teksti “Republika e Kosovës”

Krahasuar me Kosovën, filatelia shqiptare ka një histori më të hershme, duke nisur në vitin 1913 me emetimin e pullës së parë më 5 maj. Ajo ka zhvilluar natyrshëm një komunitet të konsoliduar koleksionistësh nga e gjithë bota. Në Shqipëri ka ekzistuar një lëvizje e organizuar filatelike që prej vitit 1947, fillimisht në Shkodër, më pas në Korçë (1949) dhe në Tiranë (1959). Janë zhvilluar veprimtari cilësore, kryesisht në formën e konferencave dhe ekspozitave filatelike. Pas viteve ’90, janë shënuar edhe zhvillime të tjera pozitive. Ndërkohë, filatelia e Kosovës ndodhet ende në fazën e ndërtimit të përvojës së saj, por po njeh një zhvillim të vrullshëm, falë punës profesionale dhe përkushtimit të punonjësve të Postës së Kosovës. Një sukses i rëndësishëm është krijimi vitet e fundit i Klubit Filatelik Kosovar, i cili po njeh rritje të qëndrueshme dita-ditës. Në shumë aspekte kemi progres cilësor: pullat kosovare, krahasuar me ato të Shqiperise, janë më ekspresive dhe më bashkëkohore, duke reflektuar nevojën për afirmim ndërkombëtar dhe ndërveprim me botën. Kështu, Kosova sjell freski dhe një qasje më të guximshme vizuale dhe tematike, krahas traditës së pasur të Shqipërisë. Në rastin e Kosovës, filatelia ka luajtur një rol të veçantë në ndërtimin e identitetit shtetëror dhe në prezantimin e tij në arenën ndërkombëtare. E ndikuar nga rrethanat historike dhe politike, por edhe nga nevoja për përfaqësim simbolik dhe afirmim kulturor, filatelia e Kosovës është zhvilluar nga një praktikë e thjeshtë postare në një mjet të rëndësishëm të kujtesës kombëtare dhe të diplomacisë kulturore.

Filed Under: Rajon

GJYKATA SPECIALE – NJË GJYKATË JASHTË KONTROLLIT TË KOSOVËS, ME PASOJA TË RËNDA PËR DREJTËSINË DHE SOVRANITETIN

August 7, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Ekspert i së drejtës publike, të drejtave të njeriut dhe drejtësisë tranzicionale/

Themelimi i Gjykatës Speciale në vitin 2015 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës përfaqëson një ndër vendimet më të kontestuara në historinë kushtetuese dhe institucionale të shtetit të Kosovës. Në thelb, kemi të bëjmë me një gjykatë e cila është krijuar me akt formal nga institucionet e Kosovës, por që funksionon jashtë çdo mekanizmi të kontrollit institucional, demokratik dhe kushtetues të vetë shtetit që e themeloi. Kjo përbën një paradoks juridik dhe politik me pasoja serioze për shtetin e së drejtës, sovranitetin dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës.

1. Legjitimiteti i fragmentuar i Gjykatës Speciale: Themelohet nga Kuvendi, por s’i jepet mbikëqyrje

Në korrik 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën presion të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian dhe disa shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, miratoi ndryshimin kushtetues nr. 24/2015 dhe ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky vendim u mor në një atmosferë politike tejet të tensionuar, me një diskurs publik të mbushur me skepticizëm, frikë dhe trysni diplomatike.

Deputetët që votuan në favor të kësaj gjykate e justifikuan votën me bindjen se:

-pretendimet e Raportit të Dick Martyt (2010), mbi trafikimin e organeve dhe krime të supozuara të UÇK-së, ishin të pabazuara,

-se asnjë prej figurave udhëheqëse të luftës çlirimtare nuk kishte për të rezultuar fajtor, dhe

-se Kosova duhej të bashkëpunonte me drejtësinë ndërkombëtare për të ruajtur imazhin e shtetit të ri.

Mirëpo, në momentin që u votua, Kuvendi i Kosovës e dorëzoi krejtësisht kompetencën për mbikëqyrjen, rregullimin dhe funksionimin e kësaj gjykate.

Asnjë nen i ligjit për Dhomat e Specializuara nuk parashikon mekanizma të mbikëqyrjes nga Kuvendi, Qeveria, apo ndonjë organ i drejtësisë në Kosovë. Në vend të kësaj, gjykata u vendos fizikisht dhe juridikisht në Hagë, e ndarë nga sistemi gjyqësor i Kosovës, por me pretendimin që vepron “në emër të Republikës së Kosovës.”

2. Një rast unik në të drejtën ndërkombëtare: Gjykata që i shmanget çdo përgjegjësie ndaj shtetit që e ka krijuar

Ky është një fenomen i paprecedentë në jurisprudencën ndërkombëtare: asnjë tjetër shtet në botë nuk ka krijuar një gjykatë që nuk ka asnjë kontroll mbi të.

Për krahasim:

-Tribunali për ish-Jugosllavinë (ICTY) u themelua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në bazë të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara – ishte qartazi gjykatë ndërkombëtare.

-Gjykata Speciale për Sierra Leonen u krijua me marrëveshje ndërkombëtare midis Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë së Sierra Leones – por mbeti nën mbikëqyrje të përbashkët.

-Dhomat e Posaçme në Kamboxhia janë krijuar nga parlamenti i Kamboxhias në partneritet me OKB-në, por kamboxhianët kanë rol vendimtar në strukturën dhe funksionimin e saj.

Në rastin e Kosovës, ndonëse themelimi është formalisht vendor, funksionimi është tërësisht jashtë juridiksionit të Kosovës, dhe kjo krijon një gjykatë hibride anormale: pa autoritet shtetëror mbi të, pa llogaridhënie, dhe pa standard të përbashkët drejtësie.

3. Raste konkrete të shkeljeve të parimeve të së drejtës dhe procedurave të rënda të kontestuara

a) Rasti Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi

Aktakuza u ngrit në mënyrë të befasishme në vitin 2020, vetëm pak orë para një takimi të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë – një akt me qartësisht pasoja politike.

Në këtë rast:

-U ngrit një aktakuzë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” – një koncept që ka rënë në sy si shumë i diskutueshëm që nga koha e ICTY-së, sepse zëvendëson provën konkrete me strukturë hipotetike kolektive.

-U ndaluan katër liderë pa prova të drejtpërdrejta individuale për krime personale, por mbi bazën e pozitës së tyre politike apo ushtarake.

-Janë mbajtur në paraburgim prej më shumë se 4 vitesh, pa përfunduar procesi gjyqësor – një shkelje e rëndë e së drejtës për gjykim të shpejtë dhe të drejtë, të garantuar nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

b) Rasti i dëshmitarëve dhe trajtimi i tyre

Një numër i madh dëshmitarësh janë mbajtur në kushte të izolimit, janë trajtuar pa qartësi juridike për statusin e tyre dhe shpesh janë ekspozuar ndaj procedurave traumatizuese. Për më tepër, mospublikimi i shumë pjesëve të dosjeve dhe mungesa e transparencës procedurale kanë krijuar përshtypjen se kemi të bëjmë më shumë me një gjykatë me objektiva të parapërcaktuara, sesa me një proces të pastër të së drejtës.

4. Pasojat politike dhe historike të veprimit të njëanshëm të Gjykatës Speciale

-Delegjitimimi i luftës së UÇK-së në diskursin ndërkombëtar është pasojë e drejtëpërdrejtë e veprimit të kësaj gjykate. Ajo nuk ka hetuar asnjë krim serb, duke e vendosur konfliktin në një paradigmë fiktive të simetrisë, ku pala e agresuar gjykohet, ndërsa agresori lihet jashtë çdo përgjegjësie.

-Zhbërja e konsensusit politik brenda Kosovës për drejtësinë ndërkombëtare. Qytetarët dhe institucionet po humbasin besimin në drejtësinë ndërkombëtare, për shkak të selektivitetit dhe mungesës së ndjeshmërisë ndaj historisë së konfliktit.

Koha për një rishikim të thellë institucional dhe ndërkombëtar

Shteti i Kosovës duhet të kërkojë rishikimin e mandatit, juridiksionit dhe mbikëqyrjes ndaj Gjykatës Speciale.

Ka ardhur koha që të parashtrohet pyetja thelbësore:

A është kjo gjykatë ende në funksion të drejtësisë dhe të shtetit të Kosovës, apo një instrument i pamatur politik që po dëmton themelet e shtetësisë sonë?

Institucionet e Kosovës, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe faktori politik duhet të kërkojnë raportim, përgjegjësi dhe transparencë nga kjo gjykatë. Drejtësia nuk mund të funksionojë në errësirë institucionale, pa kontrolle, pa barazi, pa standarde dhe pa sens për të vërtetën historike.

Filed Under: Rajon

Njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia – Kushti i vetëm themelor për paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të barabarta ndërmjet dy shteteve sovrane

August 2, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

(Ekspert i së drejtës publike)/

I.Përtej dialogut – drejt një arkitekture të re të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

Dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga SHBA-të, ka hyrë tashmë në dekadën e dytë pa prodhuar as zgjidhje përfundimtare, as transformim real në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo është pasojë direkte e faktit se nuk është trajtuar çështja themelore: njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i barabartë në sistemin ndërkombëtar.

Pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, të gjitha marrëveshjet tjera – qofshin për energjinë, për lëvizjen e lirë, për njohjen e targave apo për të zhdukurit me dhunë – mbeten teknikalitete të brishta mbi një themel të paqëndrueshëm juridik dhe diplomatik. Njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia nuk është çështje formale apo simbolike, por është kriter i domosdoshëm për vendosjen e paqes, përparimit dhe stabilitetit rajonal të qëndrueshëm.

II. Njohja – një akt i drejtësisë historike, jo vetëm i realizmit politik

Republika e Kosovës është rezultat i një procesi të gjatë, të dhimbshëm dhe historik të dekolonizimit nga Serbia. Lufta çlirimtare e viteve 1998–1999, pas dekadash shtypjeje, spastrimi etnik, aparteidi institucional dhe shkeljeje sistematike të të drejtave të njeriut, përfundoi me ndërhyrjen humanitare të NATO-s dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ky ndërkombëtarizim i statusit të Kosovës ishte një akt tranzicioni drejt shtetësisë, i formalizuar më 17 shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë, një akt që u vlerësua nga GJND si i përputhshëm me të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, njohja nga Serbia nuk është kompromis politik, por është një detyrim historik për të pranuar realitetin juridik që ka lindur si pasojë e një lufte çlirimtare dhe të një akti të drejtësisë ndërkombëtare.

III. Qasja e gabuar e “neutralitetit statusor” dhe pasojat për sigurinë rajonale

Politika e Bashkimit Evropian për “neutralitet ndaj statusit” ka prodhuar një asimetri të rrezikshme: Kosova trajtohet si palë e barabartë në dialog, por jo si shtet i barabartë në marrëdhënie ndërkombëtare. Ky pozicion nuk është neutral – është i njëanshëm në favor të Serbisë, sepse legjitimon një pozicion mohues, kolonial dhe destruktiv ndaj ekzistencës së një shteti të ri.

Kjo qasje ka pasoja të thella:

-Inkurajon Serbinë të mos e njohë realitetin e pasluftës, duke e përdorur dialogun si mjet për të kontestuar shtetësinë e Kosovës, jo për të ndërtuar marrëdhënie fqinjësore.

-Destabilizon Ballkanin Perëndimor, duke mbajtur hapur një konflikt të ngrirë që mund të shpërthejë në çdo moment.

-Minon besueshmërinë e BE-së si ndërmjetëse, pasi tregon paaftësi për të imponuar parime të së drejtës dhe barazisë ndërkombëtare.

IV. Marrëdhëniet Kosovë–Serbi nuk janë çështje e brendshme, por raport ndërmjet dy shteteve të veçanta

Serbia vazhdon të pretendojë se Kosova është “krahinë autonome” sipas Kushtetutës së saj të vitit 2006. Kjo është një konstruksion juridik i dështuar dhe një shkelje flagrante e realitetit politik dhe të drejtës ndërkombëtare. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë marrëdhënie të një shteti me një territor të vetin, por janë marrëdhënie ndërmjet dy shteteve që kanë ndarë historinë e dhunës dhe të luftës, dhe që tash kërkojnë të jetojnë si fqinj të pavarur, në paqe dhe me sovranitet të plotë.

Çdo zgjidhje që e nënkupton “autonominë” e Kosovës brenda Serbisë është jo vetëm politikisht e pamundur, por edhe moralisht e papranueshme pas gjenocidit dhe shkatërrimeve që Serbia i ka shkaktuar popullit shqiptar të Kosovës.

V. Pa njohje, nuk ka vullnet të mirë në zbatimin e marrëveshjeve

Të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel e në Ohër mbeten në letër për shkak të mungesës së njohjes:

-Serbia refuzon ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit sepse e interpreton atë si marrëveshje politike dhe jo juridikisht të detyrueshme.

-Nuk pranon as të hapë mision diplomatik të përhershëm në Kosovë, as ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

-E instrumentalizon çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si një mjet për të krijuar struktura paralele që minojnë sovranitetin e Kosovës, jo si mekanizëm për integrimin e komunitetit serb brenda rendit kushtetues të Kosovës.

Pa njohje, Serbia nuk ka as motivim, as detyrim të sinqertë për të respektuar asnjë marrëveshje, sepse nuk e njeh subjektin me të cilin po nënshkruan.

VI. Rekomandime strategjike për diplomacinë e Kosovës

  1. Ndryshim paradigme – Nga qasja e menaxhimit të dialogut drejt qasje strategjike për arritjen e njohjes, përmes presionit të partnerëve ndërkombëtarë mbi Serbinë.
  2. Vendosja e njohjes si kriter për integrimin e Serbisë në BE – Ashtu siç është kërkuar njohja e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës për proceset e kaluara të anëtarësimit.
  3. Ndërtimi i një diplomacie të re agresive, jo mbrojtëse, që e vë në plan të parë drejtësinë e luftës çlirimtare, të drejtën për vetëvendosje dhe shtetësinë e pakthyeshme të Kosovës.
  4. Mobilizimi i diasporës dhe komunitetit akademik ndërkombëtar për të rrëzuar narrativat serbe në forumet ndërkombëtare.
  5. Intensifikimi i bashkëpunimit me SHBA-të, si garanci e vetme për të çuar përpara një marrëveshje historike që përfshin njohjen e ndërsjellë si përfundim i dialogut.

VII. Njohja nuk është çmim për Kosovën, por detyrim për Serbinë

Kosova nuk kërkon më njohje si akt lëmoshe apo kompromisi. Kosova kërkon njohje si akt të drejtësisë ndërkombëtare, si pranim i një realiteti të pamohueshëm politik dhe juridik.

Serbia duhet të përballet me të kaluarën, të distancohet nga projektet gjenocidale, dhe të pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe i pakthyeshëm.

Vetëm atëherë mund të flitet për paqe të qëndrueshme, fqinjësi të mirë dhe një të ardhme evropiane të Ballkanit.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM
  • NJË PIKTURË SI E PIKASOS…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT