• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

August 17, 2022 by s p


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit të kombit, Sali Çekaj, të cilin ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2005.

Në një ceremoni me familjarë të heroit Sali Çekaj, Presidentja Osmani ka theksuar se kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe shtrihej në shumë kohë e drejtime.

“Një jetë e tërë në shërbim të kombit dhe atdheut. Sali Çekajn e gjejmë në ballë të betejave për organizimin e jetës institucionale dhe rezistencës ndaj pushtimit të Kosovës gjatë fillimit të viteve të 1990-ta. Pas largimit nga Kosova për t’i shpëtuar arrestimit nga regjimi pushtues i Serbisë, Sali Çekaj dha një kontribut të pashoq në organizimin e diasporës shqiptare dhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Evropën Perëndimore”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, ai ka pasur rol qendror në organizimin e rezistencës së armatosur për liri dhe pavarësi të Kosovës, që në fillet e para të organizimit institucional të formacioneve të armatosur të Republikës së Kosovës dhe në organizimin dhe shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sali Çekaj ka organizuar dhe drejtuar me shkathtësi dhe trimëri disa nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në rënien e tij heroike, në betejën e Koshares”, theksoi Presidentja Osmani.

Ndërkaq familjarë të heroit Sali Çekaj falënderuan Presidenten Osmani për respektin jo vetëm ndaj heroit, por edhe të luftës çlirimtare.

Filed Under: Rajon

MIKU I MIRË NË DITË TË VËSHTIRA

July 26, 2022 by s p

Më 26 korrik të këtij viti bëhen 59 vjet nga tërmeti katastrofal që e goditi Shkupin, që la pas vetes më shumë se 1.000 viktima, diku 4.000 të tjerë të lënduar, ndërsa 200.000 njerëz i la pa kulm mbi kokë. Përnjëherë, nga një dridhje e tokës, që zgjati 20 sekonda, Shkupi u gdhi mbi rrënoja, dhimbje e vaj. Gati 80% e qytetit ishte rrënuar. Pamjet që janë ruajtur, disa nga të cilat do t’i shihni edhe në këtë ekspozitë, dëshmojnë për një hapësirë gërmadhë.

Por, në çastet e dhimbjes dhe rënies, gjithnjë qëllon edhe një dorë e solidaritetit, për të na dëshmuar se megjithatë ne nuk jemi të vetmuar dhe të braktisur. Kështu, kur Shkupi dhe shkupjanët po e vajtonin atë që e kishin humbur, u ngrit pjesa më e madhe e botës për ta dëshmuar solidaritetin dhe humanizmin në vepër. Deri atëherë shkupjanët kishin pasur përshtypjen se a thua e di bota se ata ekzistojnë, por vera e vitit 1963 dhe disa vite më vonë ishin dëshmi se bota kishte respekt të veçantë për këtë qytet dhe për banorët e tij. Madje, Shkupi u bë pikëtakimi i botës bipolare, duke i bërë të ndihmojnë pranë njërit-tjetrit edhe kundërshtarët e Luftës së Ftohtë. Siç duket, ngrohtësia shpirtërore që fle në këtë qytet i zbuti edhe ato dallime, sepse në Shkup të gjithë filluan të ndjehen si shkupjanë. Shkupi po ribëhej. Dhe, vërtet, përveç angazhimit të shtetit në të cilin atëherë bënim pjesë, e rëndësishme ishte edhe ndihma që rrodhi gjithandej në Shkup, qoftë ndihmë në ushqime, në veshmbathje ose në ndërtimtari, duke bërë që në Shkup plot kombe ta lënë gjurmën e tyre të bamirësisë.

Në këtë kontekst pa dyshim ndër ndihmat më të mëdha që Shkupi i pranoi atëbotë ishte ndihma amerikane, që erdhi pas letrës së Kabinetit të Presidentit Kennedy, ndërsa bëri që Shkupi ta ndjejë se edhe Amerika e largët, me të cilën ishim ndarë pas Luftës së Dytë Botërore, përsëri na kujtuaka. Shkupjanët për herë të parë panë qumësht në pluhur, që ata e quanin “qumësht Amerike”, por pranuan edhe ndihmë mjekësore, veshje e pajisje shtëpiake, ndërsa edhe disa lagje e ndërtesa, që sot i gëzon Qyteti, janë pikërisht në saje të kësaj ndihme amerikane.

Duke qenë në këtë përvjetor të tërmetit dhe të solidaritetit, por duke pasur edhe një arsye tjetër, atë të ftesës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, që sigurisht erdhi pas ndihmës dhe mbështetjes amerikane, Shkupi ka të drejtë ta regjistrojë proverbin “Miku i mirë – në ditë të vështirë”. Atëherë kur rrezikohej mbijetesa fizike e Shkupit ishin amerikanët ata që erdhën përtej Atlantikut për të na ndihmuar dhe përsëri sot, kur Shkupi ishte në udhëkryqin e ri historik, u shfaq përsëri dora amerikane për të na dhënë mbështetje drejt perspektivës, stabilitetit dhe mirëqenies. Mund të jetë koincidencë, por gjërat e mira nuk janë vetëm koincidencë.

Të gjendur në këtë përvjetor, duke gjurmuar në Arkivin e Qytetit të Shkupit, kemi gjetur dokumente dhe fotografi të vlefshme që e dokumentojnë ndihmën amerikane para 59 vjetëve, ndërsa janë freski e kujtesës kolektive, se jorastësisht SHBA-të edhe sot janë në anën tonë. Nga ky material është krijuar edhe ekspozita e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me titull “55-vjetori i ndihmës amerikane për Shkupin”.

Le të jetë kjo ekspozitë falënderimi që po e bëjmë ne në emër të Shkupit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e para gjysmëshekullit, por edhe për atë që e bën sot ky vend mik për ne!

Dr. Skender Asani,

drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve

Shkup, 26 korrik 2022

Filed Under: Rajon

Datë historike-22 Korrik 2010: Kosova e pavarur fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas ankesës së Serbisë

July 22, 2022 by s p

 -Para 12 viteve, në 22 Korrik 2010, Kosova shtet doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008/

-Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni fliste në telefon nga Haga: Sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën…/

 Kalandar-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 21 Korrik 2022/ Kosova fituese përballë Serbisë doli para 12 viteve, kur Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë, para 12 vitesh, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

ARKIV, 22 KORRIK 2010 – INTERVISTA QË KAM ZHVILLUAR NË DITËN E VENDIMIT TE GJND – MINISTRI HYSENI FLET NGA HAGA: ME BEOGRADIN NUK DO TË KETË BISEDIME PËR STATUSIN E KOSOVËS, NDARJE APO SHKËMBIM TERRITORESH

 -Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)  para 12 viteve: Marrëdhëniet e mira me Serbinë, interes i përbashkët për integrim në BE e NATO/

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) tregoi qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor, deklaronte ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar para 12 vitesh për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. “Opinioni këshilldhëns i GJND-së, tregoi qartë se pavarësia e Kosovës, nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hyseni, në intervistë telefonike nga Haga.

Ministri Hyseni në 22 Korrik 2010 ishte i pranishëm kur GJND dha mendimin këshillimor në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se, “ne e dimë që Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen e tyre në BE dhe NATO, e për këtë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme”. Ai nënvizoi se “këtë fakt, e kemi përcaktuar qartë prej kohësh, tani është në dorën e Serbisë që të tregohet në nivelin e përgjegjësive të duhura”.

 Hyseni vuri në dukje se “nga vendimi i GJND-së, nuk ka asgjë që do të mund linte mundësi sado të vogla që të hidheshin dilema rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Ministri pohoi se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi varet ekskluzivisht nga Serbia. “Kemi shprehur vullnetin për raporte të mira fqinjësore me Serbinë, sikurse i kemi ndërtuar me të gjithë fqinjët e tjerë por ky rast është interes i përbashkët”, tha ai.

 Hyseni rithekson faktin se me Beogradin nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ndarje apo shkëmbim territoresh, ide rreth të cilave është spekuluar muajt e fundit. “Kosova dhe Serbia janë fqinjë të përhershëm dhe si të tillë, sot apo nesër, pas një kohe apo pas shumë kohësh, do duhet të bisedojnë për çështje të natyrës praktike që i lidhin këto vende të pavarura dhe sovrane”, tha Hyseni.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni, u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën pasi ka një numër vendesh që janë zotuar për këtë ndërsa u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende, e veçanërisht atyre vendeve që kanë pritur opinionin këshilldhënës të GJND-së, që ta bëjnë këtë sa më parë.

Kosova shpalli pavarësinë në 17 Shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete, theksohej në fund të intervistës së 22 Korrikut 2010.

Ndërsa, deri tani – 12 vjet pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Kosova është njohur nga 117 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS  RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

  Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Rajon

Parlamenti shqiptar, rezolutë kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

July 21, 2022 by s p

  • ZERI I AMERIKES – Armand Mero / https://www.zeriamerikes.com/a/6668174.html

Parlamenti shqiptar
Parlamenti shqiptar

Në Shqipëri parlamenti diskutoi sot për miratimin e një rezolute të propozuar nga shumica, që i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Europës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet deklaruan se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë. Seanca e parlamentit u shoqërua me debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes shumicës dhe opozitës për qëndrimet e palëve ndaj zhvillimeve të ndryshme në Kosovë

Raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty ishte zanafilla që çoi më pas në ngritjen e një Gjykatë të Posaçme për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë. Mes akuzave të shumta raporti ngrinte pretendime për përfshirjen e drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafik organesh njerëzore, të shtrirë deri dhe në Shqipëri.

Pas 11 vitesh, parlamenti shqiptar, në një rezolutë të posaçme, vlerëson se pretendimet e ngritura, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare dhe se vetë aktakuza e ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimitare, ishte një provë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Rezoluta kërkon që Këshilli i Evropës të rishikojë aktin e miratuar prej tij në 2011, dhe kryeministri Edi Rama tha se këtë Shqipëria do ta kërkojë me ngulm në Strasburg. “Shqipëria do të merret me reputacionin e cenuar të popullit shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë dhe do ta bëjë këtë me dinjitet deri në fund me aq sa ka mundësi. Zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg për këtë çështje dhe Dick Marty sot nuk më anëtar i Asamblesë. Ne s’e kemi fare me Dick Martyn tani, ne e kemi me reputacionin dhe dinjitetin e një asambleje të Këshillit të Evropës që është çuar dhe e ka votuar”, deklaroi zoti Rama.

Kryeministri mbizotëroi skenën e diskutimeve mbi këtë çështje duke ushqyer polemika të ashpra me opozitën e cila nga ana e saj ka propozuar paralelisht dhe dy rezoluta të ngjashme për dënimin e genocidit serb në Kosovë. Të dyja palët akuzuan njëra tjetrën se e kanë përdorur Kosovën për lojërat të politikës së brendshme.

“Varret masive dhe gjaku dhe nderi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë menu ku fut hundët gjenerali juaj i ushtrisë së vdekur që do të mbledhë këtu të tëra kockat e Ballkanit, për ti bluar me demek në emër të kombit dhe të dinjitetit kombëtar”, u shpreh zoti Rama dukje ju drejtuar opozitës.

Akuzat e shumta të tij sollën dhe momente tensioni në sallë, mes tij dhe ish kryeministrit Sali Berisha. Më pas zoti Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike, e quajti të turpshëm qëndrimin e shumicës ndaj rezolutës së opozitës kundër gjenocidit serb në Kosovë: “Ky akt është çnjerëzor, është antikombëtar. Me asnjë lloj qëndrimi, me asnjë lloj rrugaçerie e shpërfytyrimi që kreu i juaj bën këtu në platformë, nuk mund të mbulojë këtë qëndrim çnjerëzor para së gjithash, pale pastaj antikombëtar”.

Por sipas shumicës, parlamenti shqiptar ka miratuar disa rezoluta e deklarata që nga viti 1998 për këtë çështje.

Filed Under: Rajon

HISTORIA  E  ARSYETUAR

July 21, 2022 by s p

Nga EUGJEN MERLIKA/

Debati i ditëve të fundit tek Bota Shqiptare, në sajë të prirjes së dukshme të studjuesit Ardian Vehbiu për të trazuar ujrat e ndenjura të mendimit shumëplanësh shqiptar, sjell para opinionit këndvështrime interesante e të hapura për t’u tfilluar jo vetëm në rrahje mendimesh por dhe në kujtesën historike e ndërgjegjen e shqiptarëve.

Në përgjigjen “Arsyeja historike”, studjuesi në fjalë shtron disa pyetje të karakterit historik e mundohet t’u japë shpjegime mjaft dukurive që kanë përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve të qindvjetës së shkuar jo vetëm në fushat politike e shoqërore. I nisur në kuadrin e mendimrrahjes mjaft të shtrirë në shtypin e shkruar e jo vetëm në të, në lidhje me gjuhën standarte dhe problemet e saj të së shkuarës, së sotmes e së ardhmes, objekti i diskutimit zhvendoset në një plan tjetër dhe rrok një sferë të gjërë të jetës politike, kulturore, shoqërore e institucionale të Kombit shqiptar në shekullin që lamë pas, me ngjarjet e tij të dëndura e të një peshe të pazakontë.

Z. Vehbiu, në qendër të idesë që shtjellon në shkrimin e tij, vë ndryshimet ndërmjet Gegërisë e Toskërisë në një vështrim shumëplanësh që i lejon atij të arrijë në një përfundim, që le shteg për diskutime të thella e të hapura. Ai është i kënaqur, me të drejtë, që temat dhe konceptet që shtron krijojnë terren për diskutime. Këto, në kornizën e debatit të qytetëruar në formë e të argumentuar në kërkim të së vërtetës në përmbajtje, nuk mund veçse t’i sjellin dobi jetës intelektuale të shqiptarëve në atdhe e jashtë tij.

Një kundërvënie toskë-gegë në planin shoqëror e kulturor të jetës së shqiptarëve, si një mjet për të shpjeguar dukuri të përmasave të mëdha të rrjedhës së saj, nuk më duket aspak bindës e ndoshta as edhe shumë i përshtatëshëm për interesat e Shqipërisë. Por, pavarësisht nga kjo konsideratë, duke dalë jashtë skemave të njohura e të trashëguara të dogmave të “unitetit” të shqiptarëve dhe interesave kombëtare të tyre, nëse dukuria ka një themel në të vërtetën e mira është që të dalë në logun e bisedave.

Mendoj se ka ardhur koha që historia tek ne të fillojë udhën e gjetjes së tempullit të saj si shkencë, pa u kushtëzuar nga politika dhe interesat e saj, pa u paragjykuar nga konsiderata ideologjike të rrënjosura në kohë të ndryshme që përcaktonin vlerësime të parafabrikuara, të kthyera në dogma. Shkenca e historisë duhet të njohë vetëm një kriter, atë të së vërtetës objektive. Në këtë këndvështrim, çdo lloj rrahje mendimi që kryhet mbi dukuritë dhe ngjarjet e saj të mëdha e të vogla, është e pranueshme, madje e kërkuar. Duke u nisur nga këto kritere a ka qënë i pranishëm një hendek në Shqipëri mes Veriut e Jugut të saj e deri në ç’masë ndryshimi ka ndikuar në ngjarjet madhore dhe fatet e Kombit?

Z. Vehbiu në arsyetimin e tij arrin në një pohim origjinal, për mua të padëgjuar:

“…në kuadrin e këtij debati vetë regjimi i Hoxhës duhet konsideruar si produkt i zhvillimeve sociale në Shqipëri të nisura që me Naum Veqilharxhin, Lidhjen e Prizrenit dhe Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, në 1912…”. Para këtij pohimi ai shtron disa pyetje që janë të prirura të shkaktojnë diskutime edhe të forta n’opinionin publik shqiptar: “….Pse komunizmi dhe në përgjithësi antifashizmi i patën rrënjët kryesisht në Toskëri e ndër toskë, në një kohë që gegët gjatë Luftës së Dytë mbetën në pozicione më prudente, për të mos thënë pasive e pa folur për ato raste kur bashkëpunuan hapur me palët humbëse ( italianët dhe gjermanët)?Pse edhe gjatë kohës së mbretërisë ishte elementi tosk që tregoi gjallëri më të madhe në kulturë- po të shihet numri i faqeve të librave dhe të gazetave të botuara- dhe në ekonomi? Pse Rilindja Kombëtare, që politikisht dhe ushtarakisht dukej e rrënjosur mirë në Gegëri, përfundoi kulturorisht në duar të Toskëve?…”

Më duket se pyetjet meritojnë vëmëndje e vlejnë të shtjellohen gjërësisht.  Sigurisht, siç thotë edhe autori, këto presin një debat në nivel akademik. Por, në pritje të tij, që po le shumë për të dëshëruar, mbasi ende nuk duket në horizont objektiviteti  shkencor, mendoj se biseda mund të zhvillohet lirshëm edhe në nivele më të ulta.

Ndërtesa e arsyetimit të autorit mbështetet mbi një themel, që për të është i fortë e i qëndrueshëm, mbi “epërsinë” kulturore e sociale të një të tretës së shqiptarëve, banorë të Jugut të Vendit, të quajtur toskë, mbi dy të tretat që gjenden në veri të Shkumbinit e që njihen me emrin gegë. Themeli i tij është mjaft i diskutueshëm e, për pasojë, edhe kulla e arsyetimit që ngrihet mbi të është mjaft e luhatëshme. 

Pa vënë në dyshim veçori të ndryshme, rrjedhojë e proçesit gjeohistorik të ecjes në shekuj, nuk më duket shumë e saktë ideja e “epërsisë” së madhe të Jugut ndaj Veriut. Nëse si njësi matëse merret zhvillimi i pakët i disa krahinave malësore të tilla gjënden në Veri po ashtu si në Jugë. Nëse njësi matëse është zhvillimi social e kulturor i qyteteve, gjatë gjithë rrjedhës së historisë deri në ditët e sotme, jam i bindur se, edhe në këtë drejtim, gjëndja është e barazpeshuar. Në do të gjykojmë për përfaqësuesit e elitës kulturore të Kombit, fatmirësisht ata kanë dalë nga të gjitha trevat shqiptare dhe një numurim i thjeshtë matematik nuk është tregues epërsie i një pale apo i një tjetre. Ndoshta, në nivel mase, Jugu i prirur më shumë për mërgimin e, për pasojë, i ballafaquar më shumë me botën e huaj, ka fituar më shpejt disa shprehi të qytetërimit; por që këtu të flitet për një epërsi që arrin të përcaktojë dukuri historike me përmasa të mëdha, më duket diçka e nxituar.

Fatmirësisht kundërvënia Jugë-Veri nuk ka patur kurrë përmasa dramatike në historinë shqiptare. Kanë ekzistuar rivalitetet e zakonëshme, në nivel prijësash por, në çastet vendimtare të jetës së Kombit, pesha e tyre nuk ka arritur të përcaktojë ngjarjet e vendimarrjet. Është e vërtetë se na ndjek prej shumë qindvjetësh mallkimi i paaftësisë për t’u organizuar në bashkësi të qëndrueshme me rregullat e Shtetit, por kjo i detyrohet natyrës sonë krenare deri në arrogancë e të prirur më shumë për të urdhëruar e sunduar se sa për t’u bindur e për të dëgjuar arsyet e të tjerëve.

Ngjarjet madhore të historisë sonë që nga Lidhja e Prizrenit deri në Shpalljen e Pavarësisë janë zhvilluar kryesisht në Veri, por janë farkëtuar në kudhrën e inteligjencës mbarëkombëtare e kanë patur ndihmesën e  përfaqësuesve më në zë të saj. Madje dhe Qeveritë e Shtetit shqiptar të pavarur, duke filluar nga e para, e kryesuar nga Ismail Qemali, kanë patur si kriter themelor e të dorës së parë barazpeshën mes krahinave e besimeve të ndryshme. Ky ishte tregues urtije i asaj klase drejtuese, por edhe dëshmi e faktit se nuk kishte një krahinë apo një trevë që të kishte epërsinë mbi të tjerat e, për pasojë, të drejtën e udhëheqjes së padiskutueshme.

U ndryshuan stili e kriteret e drejtimit të Vendit kur në fuqi erdhën komunistët që, të paisur me armën famëkeqe të “luftës së klasave”, shkatërruan nga themelet kodin etiko-politik të deriatëhershëm, duke bërë dhunën të vetmin motor lëvizës të jetës së Vendit. Komunistët në Shqipëri nuk erdhën në pushtet si pasojë e një evolucioni të “ zhvillimeve sociale” të një qindvjetori që sillte si “domosdoshmëri” sprovën marksiste-leniniste në brigjet e Adriatikut. Komunizmin e solli lufta e dytë botërore, kompromiset e fituesve të saj mbi  fatet e popujve, por edhe papërgjegjshmëria e miopia politike e pjesës më të madhe të politikanëve shqiptarë që, në rrethanat e krijuara, nuk patën aftësinë të shmangnin katastrofën e pritme.

Evolucioni i shqiptarëve në dy qindvjetat e fundit pati si bosht drejtues vetëm idenë kombëtare. U luftua nga njerëzit e ditur në Veri e në Jugë me të gjitha mundësitë për të formuar ndërgjegjen kombëtare, aq shumë të domosdoshme n’atë kohë ballafaqimesh të kombeve e aq shumë të drobitur nga katër shekuj pushtimi osman e mungese të shkrimit e shkollave shqipe. Mbas fitores së Pavarësisë të tjera probleme të krijimit e të forcimit të Shtetit e të ndërgjegjes qytetare, së bashku me zhvillimin ekonomik e kulturor të Vendit, ishin përparësitë e shoqërisë shqiptare. Me Mbretin Zog Shqipëria filloi ecjen e ngadaltë por të sigurtë drejt një shoqërie të qytetëruar dhe, në atë kohë nuk kishte një mbizotërim të toskëve ndaj gegëve e anasjelltas. Sikur të mos kishte qënë pushtimi italian e lufta e dytë botërore komunistët në Shqipëri nuk do të kishin qënë në gjëndje as të krijonin një parti që të merrte pjesë në lojën demokratike, jo më të fitonin qeverisien e Vendit.

Mendoj se pohimi i z. Vehbiu, i cituar më sipër, nuk më duket i bazuar. Po ashtu sikurse edhe pyetjet që ai shtron nisen nga premisa jo të sakta e përmbajnë në vetvete kundërshti të dukshme.

Nëse komunizmi, duke gjykuar nga përvoja e sendërtimit të tij gjysëm shekullor, ishte rreziku më i madh që i kanosej Shqipërisë në atë kohë, përkrahja e tij a duhet quajtur një tregues urtije, zhvillimi e largpamësie politike? Është e vërtetë se një pjesë e Toskërisë u tregua më e gatshme të përqafonte idetë e mbjella nga Miladini dhe Enver Hoxha, po ashtu sikurse popullsia e Veriut dhe Kosovës, për arsye që dihen, nuk i pranoi me dëshirë ato në pjesën e saj më të madhe. Nëse do të bëhej fjalë për “epërsi”, në kuptimin e plotë të fjalës, në këtë rast ajo është në anën e atyre që nuk i besuan sirenave të komunizmit, që ditën të dallojnë në atë kohë të turbullt cili ishte interesi i vërtetë i shqiptarëve, që ditën të ndajnë grurin e antifashizmit nga egjra komuniste, që iu kundërvunë me të gjitha mjetet “murtajës së kuqe”, edhe nëse dolën të mundur nga beteja e tyre.Të tillë pati në të gjithë Shqipërinë e z. Vehbiu është i pasaktë kur i atribuon luftën civile vetëm “arealit tosk”. Ndoshta ai nuk e din se rezistenca antikomuniste me armë, në malet e Shqipërisë së Veriut u zgjat edhe disa vite mbasi ishte instaluar në Tiranë “guberna”  e Enver Hoxhës. Ai kundërshton veten kur pohon se “elitat katolike gege…nuk arritën dot të pikasin natyrën e vërtetë të dinamizmit tosk në ekonomi, në kulturë dhe në politikë, njëlloj sikurse nuk mundën të kuptonin shkallën e rrezikut komunist për një vend si Shqipëria” . 

Ngushtimi i termit Gegë vetëm në Shkodër dhe në sferën katolike, megjithëse pjesa më përfaqësuese e elitave veriore, nuk e jep të plotë kuadrin, për të cilin flitet, përgjithësimi i dukurive në stil bardh e zi i heq objektivitetin gjykimit. Nga një anë pretendohet se “..gegët gjatë Luftës së Dytë mbetën në pozicione më prudente, për të mos thënë pasive e pa folur për ato raste kur bashkëpunuan hapur me palët humbëse (italianët dhe gjermanët)”, ndërsa nga ana tjetër pohohet se “nuk mundën të kuptonin shkallën e rrezikut komunist për një vend si Shqipëria.” Nëse një pjesë e klasës politike,  kryesisht gege por edhe toske në përqindje më të vogël, nuk iu bashkua luftës me armë kundër pushtuesve por bëri me ta marrëveshje në dobi të Vendit, pati vetëm një arsye madhore. Ajo ishte përpjekja për të shmangur rrezikun që Shqipëria të bëhej pre e sllavo-komunizmit. Pikërisht sepse e kishin kuptuar se çfarë i kanosej shqiptarëve, nëse Vendi i tyre do të bëhej pjesë e Perandorisë së Kremlinit, në kushtet e pushtimit të huaj dhe të luftës që kishte përfshirë gjithë kontinentin, pushtim dhe luftë që nuk i deshi asnjë shqiptar, ata pranuan bashkëpunimin me dhimbje për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Në atë strategji hynte ruajtja e Vendit nga shkatërrimi dhe sigurimi i tërësisë tokësore të shqiptarëve të vetadministruar, një projekt që kishte mbetur një ëndërr që nga 1913 e që ende sot vazhdon të quhet një “mëkat” i madh” e një “rrezik” nga Evropa demokratike.

Qëndrimi i “mefshtë”, për të cilin pa të drejtë akuzohen gegët, ishte antikomunizmi i tyre. Nëse komunizmi i solli Shqipërisë lirinë, mirëqënien dhe përparimin, ata që luftuan atë duhet të vihen edhe post mortem në bangën e t’akuzuarve nga historia, ashtu siç u vunë në gjyqet dhe institucionet e terrorit të Shtetit të Enver Hoxhës. Në të kundërt ata meritojnë piedistalin, edhe nëse historiografia evropiane ende sot nguron t’u njohë meritat. Historiografia shqiptare, në analizën e saj të ftohtë të së shkuarës së Vendit të saj, duhet të mbajë parasysh të veçantën që e karakterizonte, specifikën e kuadrit gjeografik e historik që kishte përcaktuar, në mijëvjeçarin e fundit, rrjedhën e ngjarjeve. Një analizë shabllone, e bazuar në kritere të përgjithëshme e në tabu të së shkuarës, tashmë të diskredituara plotësisht, nuk mund të japë ndihmesën e saj në zbulimin dhe interpretimin e të vërtetave historike, do të thotë të vazhdojmë të ecim nëpër mjegull, pa sqaruar idetë, pa nxjerrë mësimet e duhura nga e shkuara jonë e dhimbshme.

Filed Under: Rajon Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 207
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT