• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit

July 6, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Në orën 21.00 trageti mbëriti në portin e Brindizit dhe ngadalë iu afrua molit që të ankorohej. Pasagjerët nisën qysh më parë që të lëviznin drejt derës kryesore të hekurt, me qëllim që të mos vonoheshin në dalje. Bashkë me djalin beratas u gjendëm të parët tek shkallët, pasi në atë orë nuk është e lehtë të gjesh tren apo autobus për të shkuar në Leçe. Dera e tragetit u hap dhe njerëzit vraponin për tek dogana. Tek dera e hyrjes disa policë na ftuan që të prisnim derisa gjithçka të ishte gati. Më pas u gjendëm në brendësi të godinës ku kontrolloheshin dokumentat. Për pak minuta kontrolli përfundoi, ashtu dhe meraku i bashkëudhëtarit tim që në çastin e kontrollit, ia përktheja bisedën midis tij dhe policit. Një lloj konfuzioni i paqtë mbizotëroi disi në kërkim të njerëzve dhe dokumentave përkatëse dhe më pas dolëm për t’u drejtuar tek hyrja e portit ku na priste i vëllai i bashkëudhëtarit. Pasi u prezantuam, më ftuan që ta bëja bashkë me ta rrugën deri në Leçe. Një kortezi që në atë orë të vonë të natës vështirë se e gjen mes qytetarëve të huaj që nuk i ke njohur kurrë. Gjaku nuk bëhet ujë – thonë. Pas nja 45 km mbërritëm në qytetin e Leçes dhe gati në qendër ishte hoteli ku do të qëndronim disa ditë, bashkë me të gjithë anëtarët e tjerë të Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve Letrarë. Pasi bëra regjistrimin dhe mora celësin, vrapova për në dhomën time ku surprizat nuk mungonin. Hoteli ishte i një klasi të lartë dhe sapo hyra, mbi tryezën e dhomës, një letër që më uronte mirëseardhjen në konferencë. Ndeza televizorin sepse kishte ndeshje, luante Italia dhe Spanja. Pas një dushi të domosdoshëm në ato momente, rruga e gjatë nga Korça deri në Brindizi, sado e lehtë që të jetë, e kërkon një çlodhje dhe nuk ka më mirë sesa një banjë. Kur mbërrin në qytetin për ku je nisur dhe pasi i zgjidh disa probleme emergjente të strehimit dhe akomodimit, edhe mendja sikur qetësohet. Ndjen një relaks të këndshëm, pas stresit të rendjes deri fundin e aventurës së udhëtimit, kur bagazhet pushojnë në një hotel dhe zemra fillon të rrahë normalisht, e lehtësuar nga të papriturat e panjohura të vendit ku ke shkuar.

Të nesërmen në mëngjes, pasi u takova me miqtë e ardhur nga shumë vende dhe pas një mëngjesi bujar në hotel, u drejtuam për në qendrën historike të qytetit, një perlë e gërshetimit të disa kulturave, me emrin Barok,  ku do të zhvillonte punimet konferenca dy ditore me temë : Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit. Na pritën drejtues të Agjensisë së Trashëgimisë kulturore euromesdhetare të Leçes, kryetari i Provincës së Leces, zv/kryebashkiakja, zv/rektorja e universitetit e të tjerë. Presidentja e Agjensisë znj. Bortone na uroi mirëseardhjen dhe foli për rëndësinë e këtij bashkëpunimi në evidentimin e traditave të kulturës kombëtare në kuadrin mesdhetar dhe përpjekjet që kultura të jetë urë lidhëse për të gjithë popujt. Më tej u ndal edhe tek bashkëpunimi i disa institucioneve që bëri të mundur realizimin e konferencës. Përshëndetën autoritetet lokale të cilat e vunë përsëri theksin tek roli i madh i kulturës dhe mundësisë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse dhe tërheqëse për popujt, si dhe inkuadrimin e politikave të drejta për promovimin e saj. Një përshëndetje e këndshme që dua ta nxjerr në pah, ishte edhe e zv.rektores që e vlerësoi këtë takim, duke theksuar se edhe universiteti që përfaqësonte kishte kontributin e vet.

Por në këtë kohë krize edhe kultura po vuan nga mungesa e fondeve, por gjithësesi duhen gjetur rrugë që promovimi të mos e cënojë apo shkatërrojë ndihmën ndaj saj. Ideja dhe propozimi i zv/kryebashkiakes Tessitore, për një dhuratë, libër, të lënë për miqtë, do të ishte një nismë që mund të shtrihej kudo. Dihet se vera është stina më e mirë për të lexuar, por leximi duhet të jetë pjesë e jetës në të gjitha stinët. Nismë që shumë mirë mund ta adoptojmë edhe tek ne, duke parë rënien e interesit total për leximin. Besoj se avangarda e kësaj nismë kanë qënë dhe do të jenë poetët dhe shkrimtarët të cilët janë dhuruesit më të mirë të librit.

Presidentja e Shoqatës De Giovanni pasi i falenderoi të gjithë faktorët që ndihmuan në organizimin e konferencës, u ndal tek mesazhi që kjo veprimtari përcjell, atë të njohjes së letërsive respektive, të autorëve të Mesdheut, të kulturave që e gjallojnë atë dje dhe sot me të gjitha vargjet e bukura që lexojmë. I falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, edhe ata që erdhën nga larg, shumë larg, deri dhe nga Japonia, pasi e tillë është natyra e shoqatës.

Më pas filloi punimet konferenca dy ditore me një temë tepër interesante dhe të gjerë që kishte në qendër detin, udhëtimin, krahinat që lagen nga Mesdheu, autorë dhe autore, epoka, histori, mite. Ditën e dytë të punimeve më takoi të flisja për Letërsinë shqiptare, pikërisht për poezinë që nga viti 1944 e deri në vitin 1990 dhe për autorin dhe lirikun më të madh shqiptar të asaj periudhe, gjeniun dhe mjeshtërin e vargut, Dritëro Agollin. Nuk mund ta ndash atë nga poetët e tjerë të mëdhenj të Mesdheut, nga deti, edhe pse nuk e ka njohur që në vogëli, nga udhëtimi që ka emrin jetë, nga të gjitha udhëtimet që Shqipëria përshkoi në mbi 45 vjet të historisë së saj, nga libri i madh Udhëtoj i menduar, që çdo autor do ta meritonte ta shkruante. Në thelb udhëtimi është një filozofi më vete që, nëse shkenca e mendjes dhe arsyes nuk e ka marrë shumë në konsideratë, janë poetët ata që i japin frymëmarrje gjithë filozofisë së udhëtimit. Konferenca i mbylli punimet në një abaci, kishë, ku ende dukeshin gjurmët e traditave ortodokse të ndërtimit dhe afreskeve. Ndoshta midis piktorëve të asaj kohe ka patur edhe shqiptarë të cilët si kurdoherë kanë lënë gjurmët e tyre të gjalla në kulturën e vendit fqinj.  Në fund një recital me poezi të autorëve pjesëmarrës në konferencë dhe disa çmime për kontributet në kulturë. Gjatë qëndrimit tonë në Leçe patëm mundësi që të shijonim edhe kuzhinën e pasur të Salentos, krahinë që mbi 22 vjet më parë hapi dyert e saj për të pritur me mijëra emigrant Shqiptarë. Asgjë nuk kishte ndryshuar nga mikpritja e tyre fisnike dhe e dashur. Kanë ndryshuar vetëm kohët.

Ditën e dielë 30 qershor rruga e kthimit për në atdhe ndalet në Brindizi, një qytet ku deti është kryefjala e ditës, ku vera edhe pse disi e freskët, kishte hapur zemrën dhe pushues të shumtë shëtisnin mbrëmjeve buzë detit, përgjatë shëtitores së saporestauruar. 5 orë më tutje, drejt lindjes, përballë, ndodhej atdheu im.

Nga njëra Itakë tek tjetra

Ai rrip toke mbi të cilin

Hodha hapat e fundit në tokën amëtare

Për të hipur lart në anijen “Shuttle”,

Po largohej gjithnjë e më shumë

Dhe mjegulltazi po zhdukej në det.

Valët e bardha shkumbonin

Si të zemëruara me ndarjen:

Kush është ai njeri që nuk derdh lot,

Kur diçka të dashur e humbet !…

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, Mesdheu, origjina e leterersise, se udhetimit

Kur nisesh për udhë

July 4, 2013 by dgreca

Reportazh Arjan Th. Kallço/

Kur mendon Vlorën, qyteti që është simboli i stinës së verës, ashtu si dhe disa qytete të tjera detare, mendja të shkon tek e kaluara jo fort e largët, kur për 15 ditë endeshim në krahët e detit, rërës dhe bukurive natyrore të rivierës sonë. Pas disa dekadash në të njëjtën stinë, por në rrugëtim krejt ndryshe, përtej brigjeve shqiptare, në Itali. Rruga për në Vlorë nisi mëngjesin herët të datës 27 qershor nga Korça, në një klimë më shumë vjeshte sesa vere dhe shiu që nga qafa e Pllocës deri në të dalë të Pogradecit, që kishte rënë, ta shtonte bindjen se po na ngatërrohen stinët. Si kudo në orët e para të mëngjesit heshtja është bashkëudhëtarja jote më e mirë. Ngadalë rruga kombëtare po gjallohej dhe deri në Elbasan dita merrte një ngjyrë krejt të dallueshme: nga shiu tek ajo me diell. Tek rrethrrotullimi në afërsi të rrugës për në metalurgjik, fillon pjesa e dytë e rrugës me një pjesë që ende nuk i gëzohet tërësisht kushteve të infrastrukturës sonë. Për çudi është lënë pasdore një aks që është plot trafik në drejtim të jug-perëndimit të vendit. Rruga zgjatet përmes qyteteve, shumë e ngushtë, saqë nëse dikush hap derën për të dalë nga shtëpia, ka rrezik të përplaset me makinat që kalojnë aty. Për të mos folur për kushtet e higjenës, pluhuri është zot i aksit, që me të drejtë lënë për të dëshiruar, për më tepër kur në këtë stinë kërkohet sa më shumë kujdes për ajër të pastër. Pasi kaluam edhe Rrogozhinën rruga kalon në autostradën qëndrore që lidhet me Vlorën. 85 km e fundit dhe udhëtimit po i vinte fundi. Kudo në qytete ndihej ende jehona e zgjedhjeve, pasi reklamat e pafund ende qëndronin në këmbë si për të na thënë se do të duhej edhe pak kohë që vendi të pastrohej prej tyre. Diku pranë portit u ndalëm dhe tashmë Vlora ishte një realitet i prekshëm. Pasi mbarova disa porosi të vogla aty përreth, iu drejtova biletarisë së trageteve që ta merrja në dorë dhe t’i drejtohesha doganës. Agjensitë janë të shumta dhe secila të ofron një çmim të ndryshëm nga konkurrenca. Në hyrje të portit pasi bisedova me disa punonjës, mora rrugën drejt doganës. Përballë anija e ankoruar të jepte përshtypjen se, nga çasti në çast do të nisej. Në terminalin e kalimit kufitar pas ndonjë paqartësie të vogël dhe disa pyetjeve disi të çuditëshme, sapo isha kthyer nga një konferencë në Banja Lukë ku ndodhi të tilla nuk ndodhën, iu drejtova anijes Shuttle që po mbushej me njerëz dhe mjete. Kaluan disa orë të mira në pritje të nisjes dhe rreth orës 16.00 anija u nis nga porti i Vlorës me destinacion Brindizin. Rruga e gjatë pa biseda me njerëzit që ulen rrotull sikur nuk shkon. Pranë kishte pasagjerë të shumtë që po shkonin në Itali për punë dhe halle të ndryshme. Biseda e parë nisi tek dritaret e tragetit me disa vlonjatë ndonjë me origjinë çame, që tek fliste me pasion për detin, të kujtonte peshkatarët e filmave apo këngëve të shumta. Njerëzit e detit – ishte e para këngë që m’u kujtua në atë fill të shkurtër kohe. Bisedat rrodhën me tej tek njerëzit e afërm, tek qytetet nga vinim dhe tek e pashmangshmja, ëmbëlsira e përditëshme, politika. Rezultati i zgjedhjeve duket se kishte marrë konsensusin e të gjithëve të cilët shpreheshin se pas 8 vjetësh, duhej një ndryshim, ndryshe demokracia do të bukosej fare, nuk do të merrte frymë lirisht dhe për të gjithë. Më tej zinxhirri i njohjeve u shtri më tej, me njerëz të pjekur dhe me plot halle që, pavarësisht jetës, u pëlqente ta ruanin atë pakëz humor të përditshëm. Një i ri më tej po shkonte me pushime tek familja e tij diku afër Leçes, por meraku e hante tek dogana italiane, se mos i nxirrnin problem dhe e kthenin prapa. I premtova se në doganë do ta ndihmoja që t’ia përktheja bisedat, pasi nuk e njihte gjuhën. Më tej ndonjë dorë me domino, sikur e shtyu edhe disa kohë udhëtimin. Shprehja thotë se gjuha vete ku dhëmb dhëmbi dhe për disa çamë aty, nuk mund të mos hapej biseda e një pjesë të popullsisë shqiptare që u detyrua të shpërngulej me forcë drejt Shqipërisë. Por pas viteve ’90 përsëri shumë familje morrën rrugën e dhimbshme të kurbetit me shqetësimin e madh se a do të gjente zgjidhje problem i tyre. Mbetëm nga një shtet tek tjetri dhe asgjë nuk e kemi të sigurtë – thoshin ata. Nëse punët nuk do të shkojnë mirë edhe në Itali, kriza po i vinte në vështirësi edhe emigrantët, do të ktheheshin përsëri në Shqipëri, por përsëri do të mbetetn të ardhurit e përjetshëm. Një plagë që rrezikon të mbetet gjithmonë e hapur për një komb që gjatë gjithë historisë së vet nuk iu ndanë padrejtësitë. E natyrisht problemi ekonomik i bën edhe ata që dikur e kishin një shtëpi apo një copë tokë, të mos rrëeshtinin së medituari për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Ndonjëherë mundohesh ta kapërcesh situatën edhe me ndonjë batutë që sikur ta lehtëson përsëri dhimbjen, por ajo ka zënë vend thellë në shpirtin e përdhosur të një kombi dhe rrënjët e shtrira larg vendlindjes, nuk do të jenë kurrë të fuqishme që t’i mbajnë të lidhur fort me origjinën. M’u kujtua një fabul e përkthyer disa vite më parë, tek e cila do të gjesh filozofinë e një populli : pse po ikin të gjithë nga ky vend? – ishte pyetja më tragjike e saj. Përgjigjia kishte të sintetizuar mençurinë e kohës : sepse nuk hodhën dot rrënjë. Por historia dihet tashmë dhe në atdheun mëmë, ata e gjetën mikpritjen dhe bashkëjetesën, por në mendjen e tyre është vendlindja e të parëve dhe e pasardhësve. Ballkani është vendi i paradokseve të mëdha të historisë që kurrë nuk morën përgjigjen e duhur dhe të drejtë. Të dorëzuar dukeshin edhe vetë ata që ndoshta nuk do të mund të jetojnë dot më në tokën e të parëve. Gabime fatale, kaos i pandreqshëm ballkanik, dihet se si u gatua në shekuj, që mbajnë vulën e marrëzisë së fuqive të mëdha të kohës së djeshme dhe të sotme.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, kur nisesh per udhee, reportazh

Midis Shqipërisë, Kanadasë dhe Amerikës

July 4, 2013 by dgreca

Nga Ajet Nuro/Montreal, Kanada/

Në ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës/Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!/

Unë e dua Shqipërinë, thotë nëna ime, tek e ka lënë mbrapa para rreth 9 muajsh. Pasi ka vizituar Kanadanë, i gjen fjalët më të bukura për t’i bërë elozhe këtij vendi që e ka vizituar të paktën 4 herë. Dhe kuptohet, çfarë mund të thotë për Amerikën?   Nëna ime, dy nga katër djemtë, i ka përtej Atlantikut. Por historia e kalimit të oqeanit Atlantik prej familjarëve të saj fillon një shekull më parë, kur babai i saj me dy vëllezër do të kalonin Oqeanin për shkuar në Amerikën e ëndrrave ku do punonin për vete por sidomos për Shqipërinë. I vendosur në Boston, babai i nënës sime do të bëhej anëtar i VATRËS dhe flamurtar i saj. Madje para disa ditësh, më kontaktoi një i ri tepelenas në facebook dhe ngaqë ishte nga Salaria, i thash se dhe unë jam nip në Dukaj, jam nipi i Jaho Sinanit. –Oh, më tha, – ti qenke nipi i flamurtarit…Ndoshta, paratë që bëri për vete, u harruan, por ajo që gjyshi im bëri për Shqipërinë (ndonëse komunizmi bëri të pamundurën për t’ia mohuar…) nuk u harrua dhe nuk do të harrohet

Nëna ime, shembulli tipik i dashamirësve të Amerikës   Në nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nëna ime u ndodh këtu në Montreal dhe e festuam së bashku festën e madhe. Dhe, kuptohet, atdheu duket ndryshe kur je larg, u dashka edhe më shumë. Ose, largësia dhe malli përzihen në mënyrë të tillë që edhe deklaratat e dashurisë ndaj dheut të mëmës tingëllojnë edhe më të ëmbla se deklaratat e bëra pikërisht në Shqipëri. Nga ky ritual nuk bënë përjashtim as nëna ime.

Por, në datën një korrik është festa e Kanadasë dhe tre ditë më vonë festa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, puna e do të urojmë njëri-tjetrin ne të Amerikës së Veriut. Por nëna ime, si nënë që është, nuk do që t’na e prish qejfin ne të Kanadasë dhe,  pasi na uron për festën, nuk harron të lëvdoj vendin që na është bërë atdhe  i dytë.

Po, Amerikën nuk e do, – e ngacmojmë ne?

-Po si nuk e dua Amerikën, fillon mamaja ime. Po Amerika na ka mbrojtur në ditë të vështira, po në Amerikë po jetojnë e përparojnë kaq e kaq shqiptarë, po nga Amerika merr shembull gjithë bota, po Amerika është vendi i demokracisë. Babai im më tregonte qysh atehere (fillim-shekulli i kaluar…) se sa e zhvilluar ishte Amerika… Dhe tregimet e legjendat për Amerikën dhe ëndrrat që ka ushqyer ky vend emigrantësh nuk mbarojnë. Sepse i madh është ndikimi i Amerikës dhe amerikanëve në jetën e shqiptarëve. Prandaj edhe ata e duan aq shumë sa që një fakt i tillë  cudit edhe tek vet amerikanët.

Pas disa ditësh, nëna ime do të largohet nga Amerika për në Shqipëri. Në ditën e lindjes së Amerikës ajo ndihet e emocionuar që do lëri vendin e  ëndrrave dhe realiteteve të mëdha që për të kanë nisur një shekull më parë dhe që vazhdojnë edhe sot … e që do të vazhdojnë edhe nesër …

Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!(Kortezi:Tribuna)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ajet Nuro, Gezuar festen Amerike

” DASEM RUGOVASE “NE MALET E NEW YORKUT

June 26, 2013 by dgreca

Pikniku dhe aktivitetet e tjera kan bërë që numri i anëtarëve të kësaj shoqate të vijë duke u rritur dita ditës, duke i shtyrë Rugovasit në Amerikë, drejt organizimeve edhe më të mëdha…..!/

Nga Beqir SINA/- Në Taconic State Park – Rudd Pond – shtetin e New Yorkut, të dielën, në mjediset piktoreske të parkut natyror “Franklin D. Roosevelt State Park”, me një natyrë shumë të ngjashme me bjeshkët e krahinës së Rugovës, Shoqata dhe Ansambli artistikë “Rugova” nga New Yorku, organizoi piknikun e saj vjetor.

Pikniku i rugovasve për të gjithë pjesmarresit ka qenë një ditë e veçant. Në në parkun rekreativë vërshuan familjet rugovase, që nga orët e para të mëngjesit, duke u mbledhur si në një dasëm të madhe vëllazërore , me dëshirën për t’u takuar që nga me të vegjëlit(fëmijët e shkollës) të rinjët e të reajt deri tek më të moshuarit, kudo vrehej një gëzim i pa përshkruar.
Në këtë aktivitet kishin ardhur pothuajse të gjithë rugovasit me familjet e tyre, për të kaluar së bashku një ditë të gëzuar, ku ata shpalosën disa nga vlerat karakteristike të krahinës. Një nga pikat më kulminante të këtij pikniku, ishte dhe shfaqja i improvizuar në mënyrën më origjinale të Dasmës Rugovase.

Një dasmë, kjo, që të krijonte përshtypjen se me të vërtet po bëhej dasmë Rugovase në Amerikë, e kompletuar ajo me të gjitha elementët e saj. Duke filluar nga përgatitjet e të dyjave palëve, dasmorët dhe kanegjeqi, nuses, dhe kalit të shalës i bardhë, deri tek atmosfera e gëzimit që mbizotronte me këngët e vallet, doket dhe zakonet Rugovase, të cilat ishin mbresalënëse, tek sa tërhoqën vëmendjen e familjeve rugovasve me gjithë fëmijët e tyre

Ky piknik tradicional, argëtues, kulturorë dhe sportivë, u organizua nga Shoqata dhe Ansambli ” Rugova”, në New York, nën kujdesin e kryetarit të kësaj shoqate, zotit Adem Muriqi, z. Ramiz Mujaj, Idriz Çelaj, Florim Lajçi, Isuf Rexhaj etj.

Kan qenë më shumë se 300 – 400 rugovas të emigruar nga kjo krahinë në Amerikë në periudha të ndryshme, që u ngjitën të dielën në lartësitë e New Yorkut, për t’u relaksuar nën ajrin e freskinë si dhe bukurinë e maleve të Taconicut – të cilat ndodhen në pjesën veriore të New Yorkut.. Gjithçka, ishte e përgatitur për bukuri në pajtim me zakonet dhe traditën e kësaj krahine. Ku përveç një dasme të madhe rugovase të improvizuar, janë mbajtur edhe garat sportive për fëmijë, të rinjë e të reja dhe moshat e tjera, siç ishin vrapimi dhe kërcimi së gjati për fëmijët, tërheqja e litarit, hedhja e gurit, volejbolli dhe shahu për të rriturit, si dhe lojrat e fatit.
Në fillim të piknikut foli për rëndësinë e tij, Vjosa Mujaj – Nikqi, e cila i dha fjalën zotit Idriz Çelaj për të lexuar materialin “Dasmën Rugovase”, të përgatitur nga zëdhënsi i Shoqatës dhe Ansamblit Rugova, zoti Ramiz Mujaj .

“Këtu në këtë vend ku ne jetojmë, thuhej në fillim te këti materiali, i cili është një vend pishtar i kulturave të njerëzimit dhe demokracisë boterore, natyrisht, që është kënaqësi dhe privilegj që kemi mundësinë të bashkohemi dhe t’a zhvillojm traditën e kulturës sonë këtu në Amerikë”.

“Ne sot kemi dasëm! thuhej ndër të tjera , këtë dasëm e bëjmë për fëmijët tanë që t’u tregojmë atyre se si prindërit dhe gjyshërit e tyre, dhe tanët natyrisht, i bënin dasmat në vendëlindjen e tyre dhe në të njëjtën kohë të shpalosim një pjesë të kulturës sonë, në këtë vend ku lulëzojnë të gjitha kulturat e botës.”

Në materialin e përgatitur enkas nga Ramiz Muja, tregohej se sa të lashta janë Këngët dhe vallet Rugovase, sa të lashta janë kostumet tradicionale të kësaj krahine. “Plotë artë janë veshja kombëtare e burrave, tregon ai, ato janë të punuara me dorë nga vet vendasit . Po ashtu shumë të bukura janë edhe veshjet e femrave me plot ngjyra , janë njësoj të lashta dhe tradicionale autoktone , edhe ato janë të punuar nga grat vendase , ku veshia e qiknisë është e veçantë dhe po aq autoktone.”

Më tej në materialin të përgatitur nga zëdhënsi i shoqatës dhe ansamblit Rugova, zoti Ramiz Mujaj, thuhej se:” Në këtë dasëm ne jemi përpjekur, që sa do pak t’a vëmë në skenën natyrore nëpërmjet improvizimit të dasmës tradicionale Rugovase, me të gjitha elementët e saj.”

Pikniku nisi me Dasmën Rugovase – Nusja në kalë! Familja e Zhuke Haxhisë nga Stankajt e Rugovës u miqësua me familjen Hasan Nikqit nga Rugova . Idriz Çelaj nga kjo familje ju dha vajzën Gretën për një djalë të familjes Nikqi ( improvizimi).

Më pasë atmosfera argëtuese në piknikun e rugovasve, u “ndez”, kur filloj kënga dhe vallja popullore të këndohej nga këngëtarët Dile Geci, Besim Muriqi dhe këngëtarët Entela Iliriani, Bekim Jahjaga, në shoqërimin e muzikantit Nexhmedin Bakraqi, të cilët i futën të gjithë pjesëmarrësit në valle, të rinjë e të reja, burra e gra, me repertorin e tyre argëtues.
Gjatë programit të këtij pikniku u zvilluan dhe aktivitete të ndryshme sportive, si gara vrapimi për fëmijët, ndeshje Volejbolli, Tërheqja e litarit, Hudhja e gurit, dhe loja e Shahut, etj.

Në këto aktivitete, sipas sporteve u arritën këto rezultate: Tërheqja e litarit, vendi i parë i takoi ekipit të përbërë nga : Flamur Husaj, Ukë Qorraj, Isuf Rexhaj, Jashar Lajqi, Besim Lajqi dhe Arif Rexhaj.
Hudhja e Gurit: – vendi i parë: Fadil Dembogaj, në të dytin Leotrim Dembogaj dhe i treti Agim Mujaj.
Në Volejboll: – në vend të parë skuadra e Rexhë Avdia – Shkrel në vend të dytë Mujajt – Dugaive dhe të tretë Çelë Shabani – Stankaj. Në garat e volejbollit duhet cekur se me shumë sukses keto gara u drejtuan nga referet Idriz Çelaj dikur volejbollist nga Universiteti i Prishtinës dhe Florim Lajqi.
Ndërsa në lojën e Shahut: – vendi i parë i takoi Isuf Rexhajt, dhe ai i vendit të dytë Esat Rexhaj.
Njëri prej këtyre organizatorëve, zoti Idriz Çelaj, tha se me këtë rast dëshirojë të faleminderoj, në mënyrë të veçantë, në emër tim, dhe të Ansamblit Rugova, të Shoqatës dhe të gjithë Rugovasve për kontributin që kan dhënë të gjithë; prej nga i palodhshmi, vallëtari, instrumentisti, solisti, lahutari kostumografi dhe kryetari i Ansamblit Artistik ” Rugova ” ketu ne Amerike, i madhi z. Sylë Nikqi, i cili bëri aq shumë që ” Dasma Rugovase”, të shkëlqejë edhe këtu në Amerikën e largët!
Çelaj, vijojë duke thënë se : “Edhe një herë i them të faleminderit Daja Sylë! ndërsa faleminderoj edhe vajzën tij Gretën, e lindur në Amerikë, që pa kurrfarë frige, u shpreh ai hipi në kalë, si dikur Nora e Kelmendit! I faleminderoj për së fundi tha Çelaj të gjithë Rugovasit për pjesmarrjen e tyre, dhe ju premtojmë, që sebashku me organizatorët, në vitin tjetër – 2014 do jetë edhe pikniku Rugovas më madheshtor!

Gazetës tonë, në fund Kryetari i Shoqatës, Adem Muriqi, tha se ky piknik synon që të shpalos traditat shqiptare që mbart këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ansambli dhe Shoqata Rugova. Edhe pse një ditë relativisht e nxehtë, Ansamblii këngëve dhe valleve Rugova”, nuk hoqi dorë nga interpretimi i valleve të bukura rugovase në lëndinën e bukur pranë pyllit. Të veshur me kostumin karakteristik rugovas valltarët dhanë një spektakël të duartrokitur. Ndërkohë, që fëmijët, djemtë dhe vajzat tona, burrat e gratë e bënë si një festë bënë të improvizuar një dasmë të madhe Rugovase në Amerikë”

 

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, dasma rugovase, ne malet e Nju Jorkut

U zhvillua në New York Parada e 28-të Ndërkombëtare e Emigrantëve

June 24, 2013 by dgreca

Simbolet tona kombëtare, bluzat e kuqe me hartën e Shqipërisë Etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat i dhanë sheshit America një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm/

Nga Beqir SINA/

AMERICA AVENUE – NEW YORK CITY : Është një traditë për rreth katër dekada, që në javën e fundit të qershorit në qytetin e Nju Jorkut, bulevardin e saj kryesorë “America”, për çdo vit të zhvillohet Parada Ndërkombëtare e Emigrantëve – International Immigrants Parade. Organizatori i kësaj parade, është një organizatë joqeveritare në Kombet e Bashkuara, me president zotin Edward Juarez-Pagliocco. Tema e Paradës ishte: “Festimi i Unitetit Nëpërmjet Diversitetit”.

Kjo, Paradë, është themeluar 40 vjetë më parë (1973). Kësaj rradhe ajo e kishte edicionin e 28-të vjetore të saj dhe është të mbajtur të shtunën në mesdrekë, e përfaqësuar nga kuadratet e grupeve të emigrantëve nga Shqipëria, Gjeorgjia, Kina, Tibeti, Meksika, Karaibet, Amerika latine dhe Vietnami. Grupet pjesmarrrëse marrshuan në bulevardin America Avenue në mes të rrugëve 43 street dhe 58 street. Parada zgjati më pak se një orë e gjysmë parakalim,

Marshuesit kuqezi – shqiptarët, ishin kësaj rradhe më të shumtit në numër. Qindra shqiptarë nën entuziazëmin dhe demostrimin e simboleve dhe ngjyrave tona kombëtare, parakaluan plot krenari. Parada u Organizua nga organizata Rrënjët Shqiptare, dhe u mbështet pa rezerva nga Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, presidenti i saj Joe DioGuardi, Shoqata Ana e Malit, Fondacioni Plavë dhe Guci, Shoqata KOMBI, dhe organizata e shoqata të tjera të komunitetit.

Në marshin e shqiptarëve ishin të rreshtuara tre të ashtuquajtura “parade float – rimorkiot e paradës” të tërhequara nga kamionat, të “veshur” në të gjitha anët me flamuj kombëtarë – kuq e zi, dhe të gjitha ngjyrat e veshjeve folklorike. Me banneret “Rrënjët Shqiptare”, fondacioni Plavë e Guci dhe shoqata Ana e Malit, si dhe me të rinjë e të reja veshur me kostumet popullore, duke vallëzuar dhe kënduar shqip ato parakaluan përmes bulevardit,.

Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë paradë, tha presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, është një çështje shumë e rëndësishme, ne jemi shumë të lumtur dhe krenar që po përfaqësohemi për çdo vit në këtë marrshim të vetëm të shqiptarëve deri tani në mes të New Yorkut.

Në këtë Paradë, shqiptarët erdhën më të organizuar se heret e tjera. Me pjesmarjen e shumë grupeve dhe organizatave të tjera shqipëtare, që operojnë jo vetëm në New York, por në gjithë SHBA-të, si grupi i të rinjëve nga Detroiti(dega Rrënjët Shqiptare me kryetar Endrit Topalli), grupi i Teksasit ( me kryetar Besmir Hoxha), Bostoni, dhe New Jersey, duke promovuar të gjitha vlerat tona kulturore dhe folklorike të tilla si kostumet, vallet dhe këngët tona nga treva të ndryshme shqipëtare.

Presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, në fillim të fjalës së tij, i është falenderuar organizatave dhe shoqatave të komunitetit, për gjithë mbështetjen e dhënë në të gjitha aktivitetet, e kësaj organizate. Me këtë rast ata nderuan me çmimin “Nëna Terese”, Ambasadorin Dr. Waheed Waheedullah, për shkrimet e tij kushtuar figurës së Nëna Tereses dhe luftës në Kosovë kur ai ishte ambasador në Kombet e Bashkuara. Ndërsa me çertifikatën e lart të “Mirënjohjes”, për kontributin e madh që kan dhënë në komunitet ata nderuan kryetarin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Ana e Malit, zotin Ismet Kurti, si dhe Top Modelen e njohur shqiptare në New York, Lola Luma, “ambasadoren” shkodrane të bukurisë dhe artit, si dhe disa veprimtarë e lider të tjerë të komunitetit.

Kepi, i cili drejtojë ceremoninë e hapjes, ftojë të këndoi hymnin Amerikan sopranon Lindita Lole. Paradën e përshëndetën presidenti i Lidhjes Qytetare Joseph DioGuardi dhe Këshilltaria e Çështjeve Ballkanike, Shirli Cloyes – DioGuardi, Konsulli i Përgjithshëm të Shqipërisë, Dritan Mishto, kryetari i shoqatës Plavë e Guci, Esad Gjonbalaj, gazetari shqiptaro amerikan Mike Adams, ish -kampioni i boksit “Kosova Kid” Elvir Muriqi, këngëtaria kosovare e spektaklit American Idol – talenteve të reja në SHBA, Melisa Ademi, Dj Edih, kampionin e notit Sidni Hoxha, baritonin e talentuar Bledar Maqellara, dhe kryetarin e shoqatës Kombi, Artur Vrekaj, Paradën e shqiptarëve e nderuan me pjesmarrjen e tyre dhe përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës, konsujt Fatmir Zajmi dhe Ymer Berisha, si dhe veprimtar e lider të komunitetit.,

Pas përshëndetjeve presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, ftojë të gjithë pjesëmarrësit, shumica e tyre të rinjë e të reja shqipëtare, nxënës dhe studentë, aktivistë dhe veprimtarë të komunitetit, nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Çamëria, që edhe në këtë aktivitet, ata të ishin promotorë dhe udhëheqësit e vërtetë të Paradës së Shqiptarëve. “Ne sot ndihemi krenarë tha Kepi në fund të fjalës së tij që jemi shqiptarë dhe le të parkalojmë në këtë paradë, me plot dinjitet dhe krenari të gjithë së bashku – pa dallim feje bindje apo krahine nën sloganin, JEMI NJË”, tha ai.

Një grup vallëtarësh kishte ardhur me veshjet popullore të krahinës së Çamërisë dhe Malësisë. Grupi i djemëve të Çamërisë marrshoi krenarë, ata mbanin në duar pankarta për të drejtat e tyre, dhe dënonin genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Kudo në shesh shikoje vetëm simbolet tona kombëtare; bluzat e kuqe me hartën etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat, që i dhanë sheshit America, një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm, shqiptarë, përgjatë segmentit që ndanë rrugët 43 street dhe 58 street. Një grup prej tyre mbante, pankartat e kandidatit shqiptarë, për në Këshillin e Bashkisë së qytetit të New Yorkut, Ken Biberaj.

Në paradë ke qenë edhe një grup të rinjësh që ka prekur zemrat e shumë shqiptarëve, por edhe të atyre që qëndronin spektatorë në dy anët e sheshit Amerika, përgjatë marshimit në sheshin ku u zhvillua parada. Ai ishte i atyre të rinjëve që mbanin në duar pankarta të mëdha ku shkruhej : “Ethnic Albania – Shqipëria Etnike – Shkupi – Ulqini, Çamëria Kosova” dhe një tjetër në të cilën ishte pikturuar një hartë e Shqipërisë Etnike si dhe : “Malësi, Çamëri, Mitrovicë, Lugina e Preshevës, Sanxhaku, Dardania – Iliria – Arvanite”, Chameria,. Tre banner të mëdhenjë prinin marshimin shqiptarëve në sheshin në zemër të New Yorkut America, : Chamëria – Jemi Një dhe Albanian Roots, ndërsa përrreth tyre dy flamurë kuq e zi gjigandë, qëndronin në mes të pjesmarrëseve. Kurse grupe djemësh e vajzash, veshur me bluza të kuqe, kërcenin dhe këndonin në shesh me një performancë të veçantë.Joe DioGuardi dhe bashkëshortia e tij Shirli Cloyes – DioGuardi bënë paraqitjen e tyre me një autoveturë klasike Cadillac, në xhamin e parë të së cilës ishte vendosur një rug me portretin e Nëna Tereses, në dy krahët e automjetit qëndronin flamuri amerikan dhe ai shqiptarë. DioGuardi, kësaj rradhe demostroi edhe një herë një flamur të kuq me vija të bardha, për të cilin tha ai përfaqëson të shtatë milion shqiptarët në Ballkan.

Një nga pjesët më mbresëlënëse të kësaj parade, së organizuar nga organizata Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots, me përkrahjen e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe presidentit të saj Joe DioGuardi, Shoqatës Ana e Malit, Fondacionit Plavë dhe Guci, Shoqatës KOMBI, nga Bostoni, dhe organizata e shoqata të tjera të komunitetit, ishte kontigjenti i fëmijëve, me prindërit e tyre, djemeve dhe vajzave të bukura shqiptare, në “marshimin i tyre me bluzat e kuqe dhe me flamujt kuq e zi, plot me krenari, përgjatë parakalimit një orësh në sheshin America, në zemër të qytetit të New Yorkut.

 

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, e emigranteve, ne New York, Parada e 28-te

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 174
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT