• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË

December 22, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

(Rreth librit “Shkrepje të rralla fotografike”)

   Plot 58 vjet më parë, djegia e një filmi celuloid, më dha mundësinë që për t`u justifikuar, t`i shkruaj një vajze, e cila sapo kishte nisur gjimnazin dhe që priste fotografitë që kisha bërë me disa të afërm, ku ishte dhe ajo, një letër prej katër faqesh, çka u bë edhe shkaku që prej kohësh që s`mbahen mend, Tatjana të jetë gruaja ime. Çfarë nuk do të jepja, sikur në albumet e shumta që kam, të ishin dhe ato fotografi fatkeqe. Kjo më ngjau edhe një herë tjetër, kur tek unë erdhën një natë Ismail Kadareja me Helenën dhe njërën vajzë. Unë, mesa duket isha një fotograf i pazoti, prandaj gjithmonë më vjen ndërmend thënia e shkrimtares Suzan Sontag se “…fotografët janë promovuesit aktivë të nostalgjisë”, kështu që jo vetëm nxorra mësimet e duhura, por edhe mësova të kem respektin më të madh për fotografët dhe artin e tyre. U bëra manjak i fotografive, aq sa nuk besoj se ka në Durrës një të dytë klient te “Foto Venecia” që t`i bëjë si unë paratë fotografi, sikurse më thonë miqtë me shaka. Kuptohet që dashje pa dashje u bëra ndjekës i këshillës së gazetarit fiorentinas Tiziano Terzanit: “Bëj vetëm foto, lër vetëm gjurmët e tua”. Kam nderimin dhe vlerësimin më të madh për fotografët dhe nuk lë ekspozitë apo album të tyre pa parë. 

Prandaj, sa herë miku im i dashur, teoricieni ynë i historisë së fotografisë, intelektuali i klasit të parë Qerim Vrioni, që ashtu siç e thotë nga arabishtja edhe emri i tij, është sa zemërgjerë aq dhe fisnik, më sjell librat e tij për këtë art magjik, i cili sipas producentit Andy Warhol, “…nuk ndryshon kurrë, edhe kur njerëzit që janë në të ndryshojnë”, ndihem i lumtur. Dje, teksa isha në Tiranë, ku më kishte ftuar “Nderi i Kombit” Bujar Kapexhiu për të marrë pjesë në promovimin e dy librave të tij, u takova me Qerimin i cili më dhuroi librin e botuar tash së fundi, me titull “Shkrepje të rralla fotografike”. Sapo mbërrita në shtëpi, nisa ta lexoj dhe ashtu vazhdova derisa e mbarova, dhe pa e zgjatur fillova të shkruaj diçka rreth emocioneve dhe përshtypjeve që më la. Me thjeshtësinë e tij karakteristike, Qerimi ka vendosur si nëntitull fjalët “Sprova dhe artikuj për fotografinë”, por kushdo që e lexon këtë libër, lehtësisht vëren se ai me kulturën e tij dhe pasionin që ka për ata që e konfiguruan këtë art, që përmes çastit mund të arrijë përjetësinë (Bresson), e paraqet veten si një autor jo vetëm me kulturë të madhe, me njohuri historike, me aftësi analitike, por edhe si një psikolog i vërtetë që arrin të futet në brendësi të gjendjeve shpirtërore si të personazheve, qofshin ata dhe anonimë, ashtu edhe të atyre burrave e grave që i realizuan ato foto. Ky libër nga ana e tij është edhe një shembull se si duhen mbledhur si gurë mozaiku artikujt e shkrimet e botuara aty – këtu, në një libër të vetëm.                        

                                                                                                                                          Autori Qerim Vrioni, duke folur për fillesat e fotografisë në Shqipëri shkruan me të drejtë se “Fotografët me intuitë, e kuptuan se arti i tyre komunikonte më lehtë me publikun sesa piktura dhe skulptura. Për këtë qëllim, fotografët shfrytëzuan fotografinë, këtë demokrate të madhe e të heshtur, për të ngritur lart frymën atdhetare”. Demokrate e madhe dhe e heshtur – a ka definicion më domethënës se ky i Qerimit, i cili ka zgjedhur ta nisë librin e tij me kartolinën e krijuar nga vepra e Theohar Gjinit kushtuar heroit tonë Gjergj Kastriotit, të cilin e kanë quajtur piktor mëmëdhetar dhe për të cilin Faik Konica dhe Fan Noli nga ana e tyre e kanë quajtur respektivisht “shqiptar të kulluar, atdhetar të vërtetë” dhe “Piktor të Parë të Shqipërisë”. Janë shumë domethënëse edhe diçiturat që korçari Vani Burda e shkodrani Kel Marubi i shoqërojnë fotot e tyre për t`i shpërndarë në popull, ku ky i fundit i dhuron nëpërmjet Kryqit të Kuq 500 nga kartpostalet e tija shqiptarëve të Amerikës. Të gjithë ata që kanë folur për rëndësinë që ka fotografia, kanë qenë në një mendje se duhet të jetë në radhë të parë zemra e jo syri që e përcaktojnë atë më objektivisht. Dhe po t`i shohësh me kujdes, në të gjithë shkrimet e këtij libri, e kupton se fotografët tanë, duke parë më shumë se fitimin, kanë pasur si qëllim ndikimin te njerëzit për zgjimin e vetëdijes kombëtare, për krenarinë e të qenit shqiptar. Mjafton fotua e rrallë për nga pjesëmarrja dhe kompozimi i fotografit Thimi Raci, lindur 1886, me titull “Dhjetë çifte dardhare” emigrantësh të ardhur pranë familjeve për Krishtlindje, Vitin e Ri dhe Ujin e Bekuar, që rreshtohen me veshje sa qytetare aq edhe tradicionale, në një ditë me dëborë, për të kuptuar se sa të lidhur ishin ata me atdheun dhe fshatin e tyre. 

Burrat të veshur me kostume allaevropiançe e gratë me xibun, ka kuptimin që kudo që ata shkojnë, kokën këtu e kanë dhe gjithçka të mirë marrin andej e sjellin këtu. Në këtë foto që aso kohe duhet të ketë ngjallur diskutime, autori i librit pasi na përshkruan vendosjen e zgjuar, planin e parë, sfondin, dritën me merakun që t`u bjerë në fytyrat e pashme, sikur na kujton se sa bukur e kishte përcaktuar fotografi Marco Scataglini se “Je ti që e bën foton, e jo aparati fotografik”. Dhe rezultat i kësaj është fakti se puna e këtij fotografi dardhar që kish mësuar nga mjeshtri Pero Kaçauni, jo vetëm që e paraqiti Dardhën në albume e ekspozita, aq sa thanë për të se “Dardha ka qenë brenda Europës”, por edhe i jep asaj një vend nderi në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Në faqet e këtij libri, janë përfshirë me veprën e tyre edhe dy gra të famshme: Edith Durham dhe Margaret Hasluck, njëra angleze dhe tjetra skoceze, por që ne shqiptarët u detyrohemi aq shumë, sa për të parën, pasi ia kushtoj një librin tim, them se i duhet ngritur një statujë floriri për atë që ka bërë për ne. Nga Durhami ai ka zgjedhur foton romantike “Një barkë (me velë të hapur shën. im) në lumin Buna” dhe e analizon atë me të vërteta, duke vënë në lëvizje edhe fantazinë, dhe duke mos iu shmangur koniukturës ekonomike që kalonte vendi e sidomos Shkodra dhe lidhjeve tregtare që ajo kishte me Malin e Zi. E gjithë smpatia e autorit kalon te zonja Durham e cila ka në fondin e saj rreth 450 foto të Shqipërisë dhe shqiptarëve të fillimit të shekullit të kaluar, ku trajton peizazhin, portretin, historinë, dokumentin, etnografinë, gjeografinë, jetën sociale, etj. Si të tillë, ai ndihet mirë kur huazon për të fjalët e ish Presidentit Alfred Moisiu se ajo ishte “Një nga pesonalitetet më të shquara të Botës shqiptare…” 

Nga zoja Hasluck, Qerimi ka marrë në analizë kryesisht gjashtë foto mjaft interesante të saj, edhe ato të shkrepuara në çast, sipas parimit snapshot, ku dallon mirditori para kullës në Kthellë, banorë nga Shqipëria e Mesme, kala dibrançe në Burrel, baresha e re në krye të tufës etj. Këto foto janë mjaft mbresëlënëse, por akoma më mbresëlënëse janë komentet e autorit të librit i cili nuk mjaftohet te teknikat e përdoruar gjatë fotografimit, por na jep edhe një tabllo të besueshme rreth momentit kur ato janë krijuar. Duke u ndalur te foto e bareshës, nuk mund të mos e citoj komentin e tij: “Në foton Nr. 6 paraqitet një bareshë e re në krye të tufës së dhive, duke ecur në një rrugë automobilistike, ndoshta duke u kthyer në shtëpi pas kullotës ditore të tyre. Pranë saj duken edhe dy qentë që mbrojnë bagëtinë nga egërsirat. Në fund të kopesë duket edhe një burrë, me shumë gjasë, i ati i vajzës. Nga sa dallohet, baresha ka një fytyrë të hijshme dhe trup të rregullt. Ndoshta në një prej udhëtimeve të skocezes nëpër fshatra, vajza me kopenë e saj i ka prerë rrugën makinës, e ajo ka zbritur dhe me kënaqësi e ka fotografuar atë bashkë me dhitë. Dy qentë kanë kthyer kokat nga vajza si për t`a pyetur se si të sillen me udhëtarët përballë tyre”. Kuptohet që ky autor, falë talentit, hera – herës kalon në pasazhe letrare dhe kjo ia shton hijeshinë artikujve në veçanti e librit në përgjithësi. Më tutje renditen fotografët me emër si ish oficeri kriminalist i Pogradecit Ardjan Fezollari, liriku i peizazhit fotografik, Filip Vito, ikona e fotografisë gjirokastrite, peizazhet e të cilit për nga gjeometria i krahason me fotografin e famshëm francez,  Naun Vruho i cili “do të nëpërkalonte brenda objektivit të aparatit të tij edhe simbolet e veçanta vendore të qytetit, të cilat i kanë dhënë gjithmonë Beratit një status të epërm”, Kol Idromeno me atë foton në kishë, titulluar herë “Falja” e herë “Pendimi i një mëkatari”, Dedë Jakova që e njihte mirë përdorimin e perspektivës, Ernest Baba, fituesi i konkursit ndërkombëtar të fotografisë me atë foton e paharruar “Prek me sy” (Tuch with eyes), Ilia Xhimitiku që ndofta pa e njohur fare pikturializmin e fotografoi Urën e Goricës, sipas shijeve estetike të kësaj rryme, Stefan Kaçulini i Durrësit me “Kthimi i barkës në port”, e deri te ajo fotoskulptura “Ndezja e cigares” ku njihen personazhet: Musto Gugaj e Abaz Haxhiaj, por thuajse jo, autori i fotografisë, etj. 

Përmenden në libër edhe shumë fotografë të mirënjohur nga publiku me studiot e tyre, ku pak a shumë të gjithë e kemi nga një kujtim prej tyre, por që gjerë e gjatë për ta, historiani i fotografisë tonë, ka folur në libra të tjerë. Qerim Vrioni nuk lë pa shpjeguar edhe teknikën që fotografët kanë përdorur, pra si aparatet fotografike të kohës, ashtu edhe mënyrat e larjes, solucionet, stampimin e filmave në dhomën e errët që nga pllakat e xhamit, te filmat celuloid apo ato dixhitalet e sotme. Tregon vështirësitë me të cilat fotografët ndesheshin gjatë punës së tyre dhe bën krahasimet midis fotove bardh e zi dhe atyre me ngjyra. Na sjell edhe kuriozitete nga jeta personale e personazheve të tij dhe kjo i ngulit akoma më mirë ata në kujtesën e lexuesve. Dhe ata me punën e tyre plot ndërgjegje kombëtare, ndershmëri e pasion e shkruan historinë e fotografisë shqiptare, ashtu sikurse bën edhe fisniku Qerim Vrioni pa u lodhur, i cili sikur na thotë se ata patën si moto porosinë e gjermano – australianit Helmut Newton që thosh: “Dëshira për të zbuluar, vullneti për të emocionuar, kënaqësia për të kapur çastin, këto janë tre konceptet që përmbledhin artin e Fotografisë”.        

Filed Under: Reportazh

U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti

December 19, 2025 by s p

#AShSh

#SSHSHA/

Veprimtaria u zhvillua më 17 dhjetor 2025 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Komisioni i përhershëm i gjuhësisë dhe i letërsisë dhe Komisioni i përhershëm i historisë.

Prof. dr. Anila Omari, Kryetare e Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe të letërsisë, në fjalën e hapjes theksoi se Peter Prifti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në njohjen e Shqipërisë së viteve ‘70-‘80 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botën perëndimore, por në atdheun e tij nuk është dhe aq i njohur. Kjo konferencë do të ndriçojë jetën, veprën dhe kontributin e tij.

Prof. dr. Paskal Milo, Kryetar i komisionit të përhershëm të historisë, e vlerësoi Peter Priftin si një nga figurat më të shquara të historisë së diasporës shqiptare dhe nga më pak të njohurat në Shqipëri. Kjo dilemë historike rreth personalitetit të Peter Priftit ka ardhur për arsye specifike, për shkak të situatës në marrëdhëniet shqiptaro – amerikane të kohës dhe për shkak të mbylljes që ka patur Shqipëria, përfshirë këtu edhe shkencën shqiptare. Ai vlerësoi veçanërisht veprimtarinë e Peter Priftit si aktivist kombëtar, intelektual dhe krijues, një personalitet që është përpjekur të jetë i baraslarguar nga politika duke ruajtur një identitet vetjak.

Julika, mbesa e Peterit dhe vajza e shkrimtarit Naum Prifti, lexoi përshëndetjen e kryetarit të Federatës Vatra, dr. Elmi Berisha. Ai e vlerësoi Peter Priftin si shpirt rilindës dhe atdhedashës, një bashkëpunëtor i besuar i Fan Nolit dhe ithtar i idealeve të larta kombëtare. Vlera e veprës së tij qëndron në ndërtimin e themeleve të studimeve shqipe në Amerikë e më gjerë, duke i dhënë historisë së shqiptarëve hapësirë të dëgjohej dhe respektohej në mbarë botën. Në fund të fjalës, shpreheshin falënderime për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që po e respekton studiuesin e gjuhës shqipe dhe të albanologjisë.

Akad. Hamit Kaba në kumtesën “Politika shqiptare e pasluftës në studimet e Peter Priftit” e vlerësoi personalitetin e studiuesit të shquar shqiptaro-amerikan dhe veprimtarinë komplekse në disa fusha të shkencës dhe filologjisë. Ai bëri një pasqyrë të plotë të krijimtarisë shkencore të Peter Priftit, të arkivave të pasura dhe studimeve të tij mbi historinë e Shqipërisë, që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Akad. Kaba prezantoi punën kërkimore dhe frytet e saj në qendrën e studimeve ndërkombëtare pranë Institutit të Teknologjisë në Kembrixh, në Maçasusets, të cilin Peteri e vazhdoi deri në vitin 1976.

Akad. Kristina Jorgaqi, në kumtesën me titull “Interesat gjuhësore të poliedrikut Peter Prifti” vuri në dukje morinë e interesave kërkimore të Peter Priftit për Shqipërinë e shqiptarët dhe veçoi kontributin e tij për ruajtjen dhe njohjen e gjuhës shqipe në SHBA, për përhapjen e njohurive mbi historinë e saj, si dhe për mbështetjen e përkrahjen koherente të shqipes standarde. P. Prifti ishte pjesë e një ekipi, që merrte përsipër hartimin e teksteve për mësimdhënien e shqipes për anglishtfolësit. Produkti i një projekti trevjeçar ishte trilogjia për mësimin e shqipes, që përbëhet nga 3 tekste: Spoken Albanian , Standard Albanian, Reference Grammar for Students, si dhe një antologji me tekste leximi në gjuhën shqipe, Readings in Albanian. Paralelisht ai u angazhua edhe në mësimdhënien e shqipes dhe ka redaktuar të gjithë lëndën në librat “Shqipja e folur” dhe “Lexime në shqip”, duke ruajtur kriteret e gjuhës së njësuar letrare. Akad. Jorgaqi foli më tej për hartimin e metodave, fjalorët dygjuhësh dhe gramatikave për mësimin e shqipes nga P. Prifti etj.

Prof. dr. Arben Cici në kumtesën “Fan Noli dhe Peter Prifti- nga fryma e rilindjes tek mendimi modern shqiptaro amerikan” e vlerësoi Peter Priftin si një nga personalitetet më përfaqësuese të kulturës shqiparo-amerikane të shekullit të 20-të. Ai punoi për t’i sjellë çështjet shqiptare në qendër të vëmendjes akademike dhe politike në SHBA. Peter Prifti ishte vazhdim i drejtpërdrejtë i traditës së Fan Nolit, mendimtarit, përkthyesit dhe dijetarit, që besonte në fuqinë e arsimimit dhe të kulturës për të ndriçuar kombin.

Prof. dr. Rami Memushaj mbajti kumtesën “Polemika Prifti – Pipa për problemin e gjuhës letrare të njësuar”. Duke vlerësuar jehonën e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) në botën shqiptare, ku vendimet e tij u zbatuan me vullnet të lirë në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në mërgatat, prof. dr. Memushaj nga debati mes intelektualëve ka veçuar përgjigjet e Peter Priftit për gjashtë argumentet e Arshi Pipës kundër gjuhës së njësuar letrare. Ndër to, për argumentin se gjuha letrare u krijua për të nënshtruar gegët, Petri shpjegon se nevoja për një gjuhë letrare për tërë kombin qe artikuluar nga tri emra të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare: Konstandin Kristoforidhi, Sami Frashëri dhe Faik Konica, dhe se Komisia Letrare e Shkodrës shënon përpjekjen e parë në këtë drejtim. Punën e papërfunduar të Komisisë e përfundoi Kongresi i Drejtshkrimit, arritjet e të cilit, shkruan Petri, “përbejnë një gur nishan në historinë e gjuhës shqipe”.

Biografja e Peter Priftit, znj. Eleni Karamitri, në kumtesën “Kujtesë bibliografike për portretin enciklopedik të Peter Priftit” renditi një sërë kontributesh: si anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane; në fushën e gazetarisë; në arte e letërsi e më gjerë. Peter Prifti publikoi artikuj në enciklopedi serioze si: Encyclopedia Britannica, Compton’s Encyclopedia, Encyclopedia Americana, Collier’s Encyclopedia, World Book Encyclopedia, etj. Është kontribuuesi i parë shqiptar në prestigjiozen Encyclopedia Britannica, pasi artikujt e tij janë me shumë vlerë për historinë e Shqipërisë dhe letërsinë shqipe. Emri i tij gjendet në serinë e librave “Shkrimtarë ndërkombëtarë”, ku në vëllimin “Shkrimtarë nga Europa Lindore” (Londër 1991) shënohet: “Peter Prifti është një konsulent për shqipen në Departamentin e Linguistikës në Universitetin e Kalifornisë, në San Diego. Ai shkruan rregullisht për tema të ndryshme lidhur me Shqipërinë, kryesisht mbi historinë, literaturën dhe çështjet aktuale.”.

Dr. Ermira Alija në kumtesën me titull “Një shikim komplementar në Shqipërinë komuniste nëpërmjet krahasimit të Priftit dhe Ypit” paraqiti nëpërmjet një analizë shteruese filozofike personalitetin e Peter Priftit, duke e vendosur në mesin e personaliteteve më me ndikim në zhvillimin kulturor të komunitetit dhe vendit të tij.

Konferenca u mbyll me diskutime dhe konkluzione për figurën shumëdimensionale të Peter Priftit me kontribute në krijimtari, në historinë bashkëkohore, në gjuhësinë dhe gjuhën shqipe, në fushën e publicistikës, por edhe si aktivist kombëtar e më gjerë.

www.akad.gov.al

Filed Under: Reportazh

UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”

December 17, 2025 by s p

Tiranë më 16.12.2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi edicionin e shtatëmbëdhjetë të ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarët. Veprimtaria e organizuar në Ambasadën Gjermane në Tiranë dhe e mbështetur nga Programi Rajonal i GIZ #SustainMedia: bashkëfinancuar nga BE.

Gazetarët e ekonomisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pjesëmarrës në konkursin “Vangjush Gambeta”, u njohën me fituesit për vitin 2025.

Ndërkohë që u shpallen edhe fituesit e çmimeve:

” Karriera”,

“Reporteri i Vitit 2025”,

“Raportimi më i mirë i Vitit 2025”

“Ismet Bellova” për gazetarët sportivë.

Në këtë aktivitet të fundvitit, ishin të pranishëm kolegë nga krejt hapësira shqiptare, organizata gazetarësh, personalitete të larta shtetërore, diplomatike dhe nga fusha të ndryshme shoqërore dhe institucionale nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Juria e konkursit “ Vangjush Gambeta” Tiranë 2025 e përbërë nga kryetare gazetarja Oljana Maloku dhe anëtarë; Kreshnik Kucaj, Lorenco Rabeta,, Vedat Memedalija Shkup dhe Agon Sinani Kosovë vlerësuan me çmimet “ Vangjush Gambeta” gazetarët e ekonomisë:

Çmimi “ Vangjush Gambeta”: Gazetarët Eliza Gjediku, Ilda Hoxha nga Shqipëria, Uran Haxha nga Kosova dhe Anëmsha Shabani nga Maqedonia e Veriut.

Bordi i çmimeve të UGSH për vitin 2025 i kryesuar nga kryetari i Unionit Gazetari Aleksandër Çipa vlerësuan me çmimet vjetore emra të njohur dhe me kontribute në gazetarinë bashkëkohore dhe raportimin informues për periudhën një vjeçare. Me çmimet “Karriera” për vitin 2025 u vlerësuan:

Gazetari Artur Zheji (pas vdekjes) me motivacionin: “Gazetari që në aktivitetin shumëvjeçar solli një nivel të cilësishëm raportimi si në mediat kombëtare edhe në ato rajonale. Artur Zheji drejtoi dhe organizoi media audiovizive dhe redaksi kombëtare të debatit dhe diskutimeve publike. Ndau dhe e lartësoi suksesin profesional si në mediat klasike ashtu edhe në ato të reja. Kultura raportuese, thellësia analizuese dhe formimi intelektual e shquan gazetarin dhe publicistin Zheji, në momente të rëndësishme zhvillimesh kombëtare dhe shoqërore, si analist dhe polemist me ekuilibër dhe peshë mendimi.

Aftësia e tij prej moderuesi në studio dhe panele radiotelevizive përbëjnë një model profesionisti erudit.” , si dhe gazetari Nazim Rashidi nga Shkupi, me motivacionin: “Gazetar me përvojë dhe karrierë shumëvjeçare në media vendore, kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.

Jeta dhe kontributi i gazetarit Rashidi spikasin si model i reporterit dhe redaktorit me kulturë dhe ndërgjegje të lartë etike. Historia profesionale e këtij gazetari, përbën një model të cilësive të larta qytetare në shërbim dhe inkurajim të bashkëjetesës ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Aftësitë vetiake në përvojën e gjatë, si gazetar dhe në pozicione të ndryshme redaksionale, janë shembull i profesionistit që reflekton besnikërinë ndaj profesionit dhe përgjegjësinë e misionarit informues të publikut.”

UGSH ndau për herë të parë “Çmimi Special” për gazetarin Besim Dybeli, me vlerësimin: “Gazetar që iu përkushtua raportimit dhe punës në media për disa dekada resht, duke plotësuar më së miri cilësitë specifike të raportuesit mediatik. Puna ei tij në mediat e shkruara dhe ato audiovizive e kanë bërë një emër të njohur në hapësirën shqiptare.

Drejtues i degës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë qarku i Elbasanit për shumë vite dhe aktivist i shquar i komunitetit profesional të gazetarëve në nivel vendor dhe kombëtar. Kontributi i tij në mbështetje të reporterëve të rinj, përbën modelin mentorues për mediat vendore dhe gazetarët e brezit rë ri.”

Çmimin “Reporter i Vitit 2025” e mori gazetari Eraldo Harlicaj, me vlerësimin si:” Gazetar i përkushtimit për raportim këmbëngulës dhe me ndjeshmëri të lartë humane. Raportimi vijues dhe në thellësi për rastin e vrasjes së vogëlushit Martin Cani, solli ndikim për drejtësidhënie, në procesin juridik që pasoi.

Ndjekja vijuese e çështjes nxiti qëndrimet e duhura dhe shtoi vëmendjen publike ndaj rastit.” Ndërsa çmimi “Raportimi më i mirë i vitit 2025” iu nda fotoreporterit Florion Goga, i cili përmes Rojterit, përcolli në mediat kombëtare dhe ato ndérkombëtare raportimin me:” Imazhet fotografike të raportuara nga zjarret masive në periferi të qytetit të Delvinës, shkaktuan reagime dhe ndjeshmëri të lartë institucionale dhe qytetare. Ky raportim ngjalli ndjenjë të fuqishme solidariteti qytetar dhe mediatizim ndërkombëtar.”

Për të pestin vit, UGSH përmes degës së Unionit të Gazetarëve Sportivë Shqiptarë ndau çmimin “ Ismet Bellova”, i cili për këtë vit iu nda gazetarit Saimir Demi (Pas vdekjes), me motivacionin:” Për profesionalizmin e treguar ndër vite me shkrimet dhe emisionet e tij, duke i dhënë sportit më shumë vlerë, personalitet dhe vërtetësi. Gazetari Saimir Demi do të mbetet një emër i nderuar në gazetarinë sportive, në kujtesën e disa prej redaksive më të njohura të profilit në hapësirës shqiptare. Kontributi i tij vlen si model frymëzimi për gazetarët e rinj të sotëm dhe ata që do të vijnë.”

Në veprimtarinë me emocione të shumta, të cilën e çeli Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Shkëlqesia e Tij zoti Karl Bergner, përshëndetën gjithashtu kryetari i Kuvendit të Shqipërisë zoti Niko Peleshi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij zoti Skënder Durmishi, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mediat, zonja Jorida Tabaku si dhe përcollën mesazhe emra të nderuar të mediave dhe jetës publike në vend.

Kryetari i UGSH Aleksandër Çipa, e konsideroi veprimtarinë dhe aktivizmin e organizatës më të madhe të gazetarëve profesionistë shqiptarë si një vlerë dhe zë të fuqishëm të identitetit dhe entitetit profesional brenda komunitetit. Vijimi i kësaj veprimtarie në harkun kohor të gati dy dekadave, përbën një model të aktivizmit vullnetar dhe përgjegjësisë për të qenë një organizëm i strukturuar në mbrojtje të lirisë dhe bashkimit të gazetarëve.

Aktiviteti u moderua prej kolegeve të njohura Suela Demiri dhe Loneda Progni.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Reportazh

MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES

December 16, 2025 by s p

DR. EDUARD A. SKUFI 

ATHINE/

Përjetim

Gjurmat e pelegrinazhit të Bajronit, në qytezën e Vironas, në Athinë  më ngacmuan  muzën  dhe  rrjedhja e saj lindi fjalët. Mora me vete nipin tim Kristin, gjimnazist e  një tip interesant, i hipëm makinës dhe u nisëm për në gjimnazin e Vironas. Me ftesën e znj.Areti, pedagoges së fizikës dhe pacientes time, po shkoja për një leksion, mbi “syrin si sistem optik dhe profilaksinë e tij”. Gjatë rrugës nipi im ishte fiksuar në Iphone dhe lexonte për Aretinë, “filozofen e parë të antikitetit”, i intriguar nga emri i pedagoges. Mandej nga celulari i tij, u dëgjua  shpërthimi i çjerrë, në  kakofoni i një muzike xhazi. Unë u rrudha në fytyrë, kjo bëri që Kristi ta ulte volumin e zërit, duke  më thënë se  ishte  muzike Barrelhouse. Atë moment nuk fola, mora një  CD, që kisha aty pranë dhe e vendosa të luaj. Tingujtë jehuan  mes  harmonisë, virtuozitetit  dhe  pasazheve të shpejta,  të Villiam Telit, heroi legjendar zviceran, nga uvertura e G.Rossinit, e na  mbushën me hare. (E zgjodha atë në përshtatje me temperamentin dhe moshën e tij). Më pëlqeka shumë, më tha ai, por nuk e kam dëgjuar kurrë . “Që të shkosh atje, duhet më parë të njohësh diamantet e kulturës dhe të perceptosh diferencën mes tyre”, e këshillova me takt..Vazhdonim udhëtimin dhe mendimet e mia shkuan, në anketimin me disa të rinj, publikuar në gazetën amerikane American Journal of Cultural Sociology, mbi vlerat e “Three Bs“ klasike, që e përbënin Bach, Beethoven, Brahms. Pjesa dominuese e të rinjve  mes  ironisë, përgjigjeshin me tre BBB modernen, e tyre, duke preferuar, Barrelhouse, Boogie Woogie dhe Blues music, në piano perkusive… ”E kuptoj, se muzika që ti vendose është argëtuese për adoleshencën, por kjo nuk mund të jete mohim i kulturës së vërtetë muzikore. Kur të kthehemi në shtëpi do të spjegoj me argumenta, mbi kulturën dhe hijet e antikulturës. Ndërsa ky libër, ”Inteligjenca Emocionale”, të cilin  enkas e porosita, për  vlerat e tij  të  veçanta është për ty, aty do  të  informohesh, sesi  duhet  të  disiplinosh  emocionet”…

                            Skicë  mbi  konceptimin  jetik “modern” 

Ndërkaq mbërritëm në shkollë, aty pranë bustit të Bajronit, na priste pedagogia me nxënësit, të cilët na drejtuan në një sallë, në formën e një amfiteatri të vogël. Unë fillova spjegimin duke e ilustruar me figura e video, në  laptop. Pjesa më e madhe e   nxënësve  kishin   fiksuar  shikimin  dhe më  ndiqnin  me kureshtje, por disa të tjerë klikonin në celularet e tyre, pa u shkëputur nga bota e iluzioneve. Më dukeshin si në një pantomim, kjo më dha pasën që ta shtrija bisedën, mbi përdorimin e tepruar të Iphonit dhe pasojat e tij…Shikoja ata të rinj me një dhimbje që të frenon dhe me kujtohej  rinia ime, kur të etur kërkonim si dhuratë ndonje libër dhe kohën e lirë e ndanim në rrethet e shtëpisë së pionerit, mes recitimeve dhe këngëve. Ndërsa sot serviret si kulturë, antikulura dhe interesat e të rinjve jane të vendosura,  në  një  interval  sa  të  kufizuar, po  aq  dhe  modest… 

Kur mbritëm në shtëpi, mbeta i heshtur në mendime. Kristi mu afrua, mbështeti  kokën  në  supin  tim, duke  pritur retorikën  time… “Problemi për të cilën do të flas, nuk të përket vetëm ty, por është një çështje e ndjeshme, që ka të bëjë me të ardhmen. Kultura është një pasuri e madhe që  rritet mes shekujve, e nuk mund të reduktohet në  një ekran celulari dhe televizori, apo rreth një kutie Coca Cola, i mbetur mes një guacke etikoestetike  të  zbrazët. Nuk jemi në  vitin zero, që  të na  frymëzoj  starti i  zhvillimit  të  kulturës  moderne,  si  bazë  e  asaj  “universale”!

                 Akstraksioni dhe “casual dress code “ në  artin skenik

Sot  kur shpërbërja  kulturore e izolimi social po rriten, duhet të studjohen  dhe të ruhen  elementët  jetik  të  trashëgimisë  kulturore. Mjafton të futesh në Spotify, e të krahasosh klikimet e të famshmes, Simfonisë së pestë të Bethovenit, interpretuar nga filarmonia e Berlinit, në dirigjimin e H.V.Karajan, ndaj Driver’s Licence, performancë e të dalluarës në muzikën pop, Olivia Rodriguez, ku befasohesh negativisht për supermacinë e të dytës. Ky është të paktën, një nga indekset e inklinacionit “antikuturor”… Kristi më dëgjonte i koncentruar në monologun tim dhe si pakuptuar, “audienca” u shtua me vajzën time, një shoqen e saj sociologe, e kritike arti, Katerinën dhe bashkëshorten  time, që e braktisën “tea time”-in. Kështu, vazhdova bisedën,..“Antikultura nga mjet për një qëllim, po shndërohet si një qëllim në vetvete. Çuditërisht publiku preferon “kultin masiv”, ndaj kulturës të nivelit të lartë, pasi  rezulton  viktimë  e  indoktrinimit  të “industrisë së kulturës” moderne. Unë do të preferoja F.Sinatrën, me jazzin emocional ndaj L.Gagës të muzikës pop, kur vet ajo i bëri homazh madhështisë së tij. Megjithatë flladi i kulturës autentike, sot dëgjohet si një flaut, në vibrim  tingujsh, veçse në tonet e  një  melodie  bass”. Katerina  në  atë  moment nuk u përmbajt, dhe pasi dakortoi me mua shtoi:“Ndodhesha në Hamburg, për një seminar të kulturës, ku shkuam me kolegët të ndjekim spektaklin modern, të “Traviatës” së mirënjohur.Por u befasuam me versionin “neoterik” të saj. Një abstraksion,          

                            Metamorfoza “moderne” e  Mona Lizës

skenik i shëmtuar, që shoqërohej me stil veshjeje laicistike, me  xhins  dhe  atlete, rezultat  i  shkëputjes  të  artit, nga realizmi, në një stili vizual të panjohur që mbetej tronditës, sepse sfidonte  estetikën  tradicionale. Më pas shkuam në një shkollë, ku gjatë bisedës pyetëm nxënësit për E.Heminguein, I.Turgenievin, D.Shostakovich dhe ata  ngrinin supet, të mbetur në padije, ndërsa M.Jacksonin të gjithë e njihnin. Të vret nostalgjia  për  kulturën  e  lartë  me  sarkastikën  e  antikulturës ”. Fjalët e fundit  i  shqiptoi  në  breshëri , duke  mos e përmbajtur  tonin  e  revoltës. Para pak kohësh, ndërhyri vajza ime esteticiene, lexova rastësisht në The Guardian, “Mbi misterinë e artit kontemporan”: Mona Lisa kundrejt monstruozitetit, groteskut dhe anës shokante, ndaj asaj kryevepre, që mbetet pjesë e kulturës dominante. Evolucioni social dhe ai estetik  nuk  duket  të përkojnë  me “dizmorfinë” kulturore, por gjithashtu nuk duhet të ndikojnë mbi  orientimin  e  duhur  kulturor  individual. Sfida më e madhe e kohës solli si surprizë, vendosjen e antikulturës  në  pozitë  dhe  kulturës  së  vërtetë   në  opozitë…..                            

Kristi  kishte  mbetur  mes  habisë  dhe vëzhgimit, ai here pas here pyeste nënën e vet, që të shuante kureshtjen  dhe  diçka shkruante. “ Vetëm duke i njojtur dimensionet e kulturës do ta vlerësosh atë”, i spjegoi e ëma, dhe      “në dinamikë kultura do të bëhet pjese e identitetit dhe e DNA tënd”.  Mandej ai doli në ballkon dhe klikoi në Iphone “My Way”, për tu takuar me F.Sinatrën…Ajo bisedë si leksion jete, do ti rishqyrtonte  shumë  pikëpamje. Atë dilemë do ta gjente përpara, se “kultura  është  për  njerëzit  si uji për peshqit ”…Ndërkaq  pikat e shiut filluan të trokisnin mbi tendë  në  një  perkusion  melodik, që e shtonte  romantizmin  dhe  nostalgjinë. 

…Ndërsa  unë mes asaj melodie, shtegëtoja  në  impresionet  që më  kishin  lënë, fragmentet e librit “Kultura dhe Anarkia”, me pikëpamjet e “mendimtarit  të mënçur” M.Arnold:” Kultura përshkruhet me të drejtë si dashuri për perfeksion”, duke preferuar “demokracinë në kulturë”. Nuk mund të angazhohesh në një kulturë pa baza kulture, duke e shkëputur  të tashmen nga e kaluara, e cila mbetet si kometë. Kjo reflekton në të gjitha fushat, me një etikë  dhe estetikë “perverse”, larg  arsyes. Kështu në vend të ndjenjës së përbashkët të përkatësisë që ofronte dikur kultura, ndajmë një sentiment universal privimi, në një tolerim të pa spjegueshëm…         Kristi me preokupimin që i zhbironte në sy me pyeti: “Doktor, i dashur , me se do ta krahasoje kulturën ?. “Me dritën e diellit që ndriçon gjithçka, ditën dhe natën”, fillova komentin, “pasi dhe natën reflekton dritën mbi hënën dhe konstelacionet e yjeve, duke i bërë të ndritshëm, dhe duke zbehur erresirën e natës. Pra kultura të ndriçon jo vetëm vizionin, mendjen por dhe shpirtin, duke të rikthyer shpresën. Unë do të thosha se “kultura është  arti i “leximit”  dhe i  interpretimit  të  mendjeve  të  shquara”… Kristi i mbushur plot kënaqësi dhe mes emocioneve, më përqafoi fort. “Sa shumë dua të jem pranë teje, papu…po shokëve të mi  kush do tju a thotë”.                                                                                                                Për fat të keq, shtova me mllef duke ju drejtuar të tjerëve,…“ Idea e një vetëdije kulturore false, i dha dekadave të fundit të shekullit të XX, iluzionin  si kthesë drejt një ideje “iluminante”, të ndritshme, se kultura e re, ”moderne” me “fandomin” entuziast, do të ishte therapia efikase, ndaj  difekteve të kohës. Atë e veshën me një trend pikant për ti maskuar nëntekstin. Por, kultura  klasike brilante, me impaktin e saj të zhvendos  nga e përditshmja, në një  botë vlerash drejt një qytetërimi ambicioz, si i vetmi antidot ndaj  antikulturës, veçse e kufizuar në një duet “të pamundur”, ndaj   asaj   ndjenjë  intriguese  dhe  tinëzare ”!

Filed Under: Reportazh

Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

December 15, 2025 by s p

Jacqueline Kapaj-Vieira
President
Albanian American Educators Association/

Yonkers, NY – December 13, 2025 – The Albanian American Educators Association (AAEA) presented an unforgettable evening of cultural celebration last night entitled Igli & Friends featuring a dynamic fusion of ballet, traditional Albanian music, contemporary dance, and American jazz that left audiences uplifted and inspired.

The high-energy variety performance was led by distinguished clarinetist Igli Tuga and an ensemble of elite musicians and vocalists. The evening showcased the extraordinary talents of vocalist Xhoana Bejko, along with vocalists Kreshnik Zhabjaku and Jeta Sheholli-Tuga, pianist Altin Shehu, Violinist Alban Tahiri, guitarist George Theka, and drummer Vince Ciafa.

Among the many highlights of the evening were the stunning ballet performances by professional Arbreshe dancer Antonio Fini and his partner Nina Chong-Jimenez, who brought beautifully choreographed Albanian compositions to life. Their artistry captured the spirit of Albanian culture while adding a whimsical contemporary flair that enchanted the audience.

The concert took attendees on a musical journey through different regions of Albania, presenting traditional melodies alongside modern interpretations. The seamless blend of classical Albanian heritage with American jazz influences created a unique cross-cultural experience that resonated deeply with the audience.

In a special moment during the evening, the AAEA presented Mr. Igli Tuga with its Arts Enrichment Award in recognition of his dedication to teaching and his unwavering commitment to the arts. The honor celebrated Tuga’s significant contributions to fostering artistic excellence and cultural preservation.

Audience members left the venue with hearts full of happiness and a renewed appreciation for the rich tapestry of Albanian artistic traditions.

The AAEA continues its mission to celebrate and preserve Albanian culture while fostering connections within the community through world-class artistic presentations.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 177
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA LONG ISLAND DHE SHKOLLA SHQIPE “GJERGJ FISHTA” FESTUAN 18 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS
  • 17 Shkurti 2008 – Tetëmbëdhjetë vjet shtet: Pavarësia e Kosovës si realitet i konsoliduar juridik dhe ndërkombëtar
  • 18 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS, MIRËNJOHJE SHBA-SË DHE BRITANISË SË MADHE
  • “Drejtësi, jo politikë”, mijëra qytetarë në Prishtinë tubim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • ADEM JASHARI – FLAMURI I GJALLË I QËNDRESËS DHE THEMELI I LIRISË SË KOSOVËS
  • VATRA TELEGRAM URIMI PËR 18 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS
  • Ambasadori Blerim Reka dha një pritje ceremoniale në Manhattan në vigjilje të 18 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
  • Një shekull i ri perëndimor pa Evropën?
  • Sot, Dita e Presidentëve Amerikanë
  • 17 SHKURTI – PAVARËSIA E KOSOVËS DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS
  • Presidenti Trump uron Presidenten Osmani: Mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës
  • “Mos harroni nga keni ardhur, punoni për çështjen kombëtare”, emocione e lot nga DioGuardi në Harvard
  • Drejtësi pa barazi: Pse Dhomat e Specializuara e kanë humbur legjitimitetin?!
  • 117 VJET DRITË KOMBËTARE – VATRA DHE “DIELLI” NË THEMELIMIN, MBROJTJEN DHE LEGJITIMIMIN NDËRKOMBËTAR TË SHTETIT SHQIPTAR DHE TË KOSOVËS
  • Dita e Presidentëve dhe kuptimi aktual i saj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT