• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Leka III Dukagjini dhe roli i tij në luftën kundër Perandorisë Osmane”

November 3, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Pinjolli më i shquar i familjes më të lashtë fisnike të Arbërisë, Leka III Dukagjini, i biri i Palit II Dukagjinit, i njohur edhe si “Pali i Urtë”, dhe nipi i Gjergj Arianit Komnenit, mendohet të ketë lindur në vitin 1410 në “Vulpiano” ose “Ulpiana.” Ky qytet nuk dihet me siguri se ku ndodhej, pasi historianët janë të ndarë në mendime të ndryshme, midis Prizrenit, Lipjanit dhe Pjanit të Krasniqes, në Tropojë. Po ashtu, ekziston edhe një variant i katërt, që vendlindjen e tij e vendos te “Kodra e Lekës” në Velekincë të Anamoravës (Gjilan). Në mënyrë të ngjashme me figurën e Gjergj Kastriotit, vitet e para të jetës së Lekës III Dukagjinit, që përfshijnë fëmijërinë dhe rininë e tij, përbëjnë segmentin më pak të ndriçuar të biografisë së tij. Kjo periudhë karakterizohet nga një mungesë e theksuar e burimeve të shkruara, të cilat kanë mbërritur deri tek ne të fragmentuara dhe të ndërprera, duke e bërë të pamundur rindërtimin e plotë të saj.

Shkaqe të tilla si shkatërrimi i arkivave mesjetare, rrallësia e dëshmive të kohës dhe mbështetja kryesisht në traditën gojore, kanë ndikuar që kjo fazë e hershme e jetës së Lekës III të mbetet e mbuluar nga mjegulla e historisë. Me siguri mund të pohohet se Leka III e kaloi fëmijërinë e tij në qytetin e fortifikuar të Vulpianos ose Ulpianës, ku i ati, Pali II Dukagjini, kishte rezidencën e tij princërore. Gjatë rinisë së tij, Leka u formua nën frymën humaniste të Rilindjes Europiane, pasi u edukua në dy qendra kulturore shumë të rëndësishme siç ishin Venecia dhe Raguza. Më 2 mars 1444, tashmë në moshën 34-vjeçare, Lekë Dukagjini (Lecchas Ducaginus) del në burimet historike si pjesëmarrës në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ku u shfaq në kryeqytetin e vjetër të Dukagjinëve së bashku me të atin, Palin II, dhe me të afërmin e tij, Nikollën. Si bashkëluftëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës dhe anëtar i Lidhjes së krijuar pas këtij Kuvendi, Pali II Dukagjini gëzonte jo vetëm respektin e princave të tjerë arbër, por sidomos një vlerësim shumë të lartë nga vetë Kryeheroi, i cili shprehej se: “Nëse Arbëria do të kishte më tepër princa kaq të zotë dhe kaq bujarë si Pal Dukagjini, ajo do të bëhej shumë shpejt vendi më i lulëzuar i botës.” Gjatë kohës së sundimit të Palit II, mbështetja e tij ndaj Gjergj Kastriotit-Skënderbeut u shfaq e pakushtëzuar, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë financiar, duke u dalluar ndër të gjithë princat e tjerë të Lidhjes së Lezhës.

Megjithatë, akti i rëndë i vrasjes së Lekë Zaharisë, më vonë vdekja e Palit II dhe ngjitja në fron e Lekës III, ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve, duke përmbysur ekuilibrat politikë dhe ushtarakë në Arbëri. Duke nisur nga muaji nëntor i vitit 1447 dhe deri në muajin shkurt të vitit 1459, pra për gati 12 vite me rradhë, marrëdhëniet midis Lekës III Dukagjinit dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut karakterizohen nga një rivalitet i hapur, tension konstant dhe deri në konflikt të armatosur. Ndërkohë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke kaluar nga një fitore në tjetrën, u shndërrua në udhëheqësin ushtarak më të famshëm të Kontinentit Europian dhe u bë një figurë qendrore në arenën ndërkombëtare, Leka III Dukagjini, i pozicionuar midis tij, Republikës Veneciane, Despotatit serb të Rashës dhe Perandorisë Osmane, u gjend i përfshirë në një luftë të vazhdueshme në disa fronte njëherësh, çka solli humbjen e sipërfaqeve të mëdha territoriale, sidomos në Dardaninë Perëndimore ose Rrafshin e Dukagjinit.

Pas pushtimit të Artanës ose Novobërdës më 1 qershor 1455, forcat e armatës sulltanore të udhëhequr nga vetë Mehmeti II Fatih, vërshuan edhe kundër qyteteve të tjera të Kosovës, duke pushtuar Prishtinën, Vuçitërnën, Janjevën, Lipjanin, Trepçën, Bellasicën dhe Klinën. Po ashtu, në disa burime flitet edhe për rënien e Prizrenit, qytet, i cili u pushtua prej turqve osmanë më 21 qershor të vitit 1455. Pushtimi i Prizrenit u realizua nga komandanti i njohur i kalorësve akinxhinj, Ahmed Beg Evrenoszade. Mirëpo, sipas një versioni tjetër, rënia definitive e qytetit të Prizrenit në duart e turqve osmanë u bë më 1456, kurse sipas burimeve osmane kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1459. Me sa duket, Prizreni është pushtuar disa herë nga osmanët dhe më pas është çliruar nga arbërit, të cilët e kanë dëbuar garnizonin armik me forcën e armëve deri sa qyteti u pushtua përfundimisht më 1459. Ndërsa Peja mbeti e lirë dhe nën kontrollin e Dukagjinëve deri në vitet 1462-1463, ndërkohë që në vitin 1455 sulltan Mehmeti II Fatih, duke lënë Pejën të papushtuar, u nis drejt Serbisë dhe gjatë marshimit pushtoi territorin e Kapaonikut.

Humbja e qyteteve dhe territoreve të lartpërmendura, prej të cilave një pjesë e konsiderueshme i përkisnin zotërimeve të Lekës III Dukagjinit dhe sidomos Prizreni, ku asokohe ai kishte rezidencën e tij, e detyroi këtë të fundit t’i nënshtrohej vasalitetit ndaj Mehmetit II Fatih. I gjendur në këto kushte, Leka III, së bashku me të shoqen, Teodora Muzaka, dhe me oborrtarë besnikë, si dhe qytetarë të ndryshëm nga Ulpiana, Prizreni, Peja e qytete të tjera, u detyruan të tërhiqeshin në malësi, ku ndërtuan rezidenca dhe kështjella së bashku me banorët e lirë të këtyre viseve. Në këto vende, kryezoti i tyre dukagjinas, së bashku me bijën e Muzakajve të Beratit dhe të gjithë të ardhurit, u rrethua me mikpritje dhe respekt të madh nga malësorët vendas. Në të njëjtën kohë, Leka III u përqendrua në sulmet kundër Arbërisë Veneciane, me qëllim të vendosjes së kontrollit mbi Danjën dhe Sapën. Danjën e mori me përkrahjen e Spanëve, më 4 nëntor të vitit 1456, gjatë një aksioni luftarak që u zhvillua natën dhe më pas e humbi pak kohë më vonë. Edhe pas marrjes së Sapës në vitin 1458, e cila njihet si qyteti më i vjetër i Dukagjinëve, ai nuk i shijoi gjatë frytet e fitores.

Duke qenë se Leka III akuzohej për bashkëpunim me osmanët dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu gëzonte mbështetjen e plotë të Selisë së Shenjtë për çdo lloj sipërmarrje të vetën, ky i fundit mobilizoi ushtrinë dhe sulmoi zotërimet e Dukagjinëve në trevën e Zadrimës. Në fillim të vitit 1459, gjatë një aksioni të fuqishëm, e dëboi Lekën III nga Kështjella e Sapës (Nënshat), të cilën e mori sa hap e mbyll sytë dhe bashkë me të edhe disa vende të tjera. I gjendur në këto kushte, Leka III e zhvendosi selinë e tij në qytetin e lashtë iliro-arbnor të Sardës (Ishulli i Shurdhahut), ku do të qëndrojë bashkë me familjen dhe oborrtarët e tij deri në vitin 1479. Duhet theksuar se konflikti midis Gjergjit dhe Lekës nuk shkaktonte pasoja të dëmshme vetëm brenda kufijve të Arbërisë, por në kontekstin më të gjerë të “Luftës së Shenjtë” kundër Perandorisë Osmane, kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në skenën politike dhe ushtarake europiane. Prandaj, çdo përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit çonte në dobësimin e frontit antiosman në Arbëri, duke dëmtuar shumë rëndë “Kauzën e përbashkët të Botës së Krishterë.” Për të mundësuar me çdo kusht pajtimin midis “2 monarkëve të fuqishëm arbër”, vetë Selia e Shenjtë në Romë ndërmori dy përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim.

Më 13 gusht 1452, Papa Nikolla V i ngarkoi ndërmjetësuesit të tij, imzot Pal Dushit (Paolo Dussus), krijimin e një komisioni të posaçëm me detyrën për të organizuar një takim pajtues midis palëve kundërshtare. Asokohe Leka III ishte një nga të dyshuarit kryesorë për organizimin e atentatit të dështuar kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Pyllin e Krrabës, në vitin 1451. Takimi sqarues dhe pajtues u zhvillua në qytetin e Durrësit më 25 tetor të vitit 1452. Mirëpo, siç u trajtua pak më lart, marrëdhëniet midis tyre u acaruan sërish në vitin 1458, pasi përflitej sikur Leka III kishte bashkëpunuar me osmanët në dëm të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Republikës Veneciane. Nëpërmjet Bulës Pontifikale që Papa Piu II shpalli në Siena, më 10 shkurt 1459, Dukagjinët kërcënoheshin me çkishërim nëse ata nuk do të shkëpusnin lidhjet me osmanët dhe të pajtoheshin me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun brenda 15 ditëve. Personi që u caktua për ta kryer këtë mision shumë të vështirë dhe që e finalizoi atë me sukses, ishte imzot Pal Ëngjëlli, një figurë e jashtëzakonshme dhe me shumë autoritet.

Marrëdhëniet delikate midis Dukagjinasit dhe Kastriotit pësojnë sërish një krisje tjetër në pranverën e vitit 1462 për t’u sheshuar një herë e përgjithmonë në muajin tetor të vitit 1463. Tashmë, Leka III, nga rivali kryesor i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Arbëri, kthehet në njërin prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Gjatë zhvillimit të Betejës në Fushën e Sfetigradit (korrik-1465) kundër ushtrisë osmane të komanduar nga renegati arbër, Ballaban Pashë Badera, në një moment të caktuar, ushtarët osmanë e rrethuan Gjergj Kastriotin-Skënderbeun nga të gjitha anët, duke i ngushtuar rrezen e veprimit. Njëri prej tyre iu hodh mbi trup, e kapi për qafe sa desh e shtriu përtokë, duke përdorur peshën e vet trupore dhe inercinë e lëvizjes, por në këtë moment kritik besohet se ishte pikërisht Leka III Dukagjini, i cili arriti ta vrasë ushtarin armik duke ia kaluar shpatën tej për tej në trup dhe e shpëtoi udhëheqësin e vet nga rreziku. Sa hap e mbyll sytë dhe pothuajse në të njëjtën kohë, u copëtuan edhe pesë ushtarë të tjerë osmanë që ndodheshin aty pranë, ndërsa në rradhët e luftëtarëve arbër nuk mbeti asnjë i plagosur.

Mirëpo, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u hodh përsëri si i tërbuar në mes të skuadronit armik dhe mbeti për disa kohë krejt i vetëm, pa e ditur askush se çfarë po bëhej me të. Gjatë këtij sulmi u përpoq rastësisht me vetë Ballaban Pashën dhe në atë çast, në inat e sipër, e ngriti shpatën me të dy duart për ta goditur atë sa më fort mbi helmetë, por duke qenë se lëshoi frenat, kali i tij ra në gjunjë dhe u godit për vdekje nga ushtarët osmanë. Më pas, kali i plagosur e vijoi ecjen, duke përfunduar i përplasur mbi trungun e një peme të vjetër dhe aty ra përdhe. Bashkë me të u rrëzua edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili u përplas me forcë në trungun e lisit dhe më pas përtokë me kokë e me shpatullën e djathtë, duke mbetur i shtrirë dhe pa lëvizur, sikur të kishte vdekur. Kalorësit osmanë, duke menduar se tashmë kishte vdekur, zbritën menjëherë nga kuajt që t’i prisnin kokën. Në këto çaste kaq kritike, kalorësit e Gardës Pretoriane, që e kishin parandjerë rrezikun, u vërsulën kundër ushtarëve armiq, por i pari që shkoi me shpejtësi pranë tij ishte Tanush Dukagjini, i cili u vërsul si i çmendur në mesin e ushtrisë osmane për të shpëtuar kryekomandantin e vet. Gjatë fushatës së madhe sulltanore të vitit 1466, ndërkohë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu luftonte me masën kryesore të armatës perandorake osmane të udhëhequr personalisht nga Mehmeti II Fatih, Leka III Dukagjini u mbrojt heroikisht në malet e tij të papushtueshme përballë ushtrisë osmane të komanduar nga nipi i vezirit të madh, Mahmut Pasha Angeloviç (serbo-bizantin), duke e detyruar atë të tërhiqej me humbje të mëdha në njerëz.

Në malësitë e Veriut të Arbërisë, njësoj si në Krujë, forcat osmane dështuan plotësisht në përpjekjet e tyre përballë Lekës III, i cili, duke bashkëpunuar ngushtë me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe nipin e tij, Ivan Cernojeviçin (Gjon Gjurashin), princ i Zetës së Sipërme (Mali i Zi), shpëtuan jo vetëm zotërimet e tyre, por edhe qytetet e rëndësishme të Arbërisë Veriperëndimore të kontrolluar nga Republika Veneciane, si: Shkodra, Lezha, Danja, Drishti dhe Ulqini. Roli vendimtar i Lekës III Dukagjinit spikat edhe gjatë luftimeve të përgjakshme për çlirimin e Kështjellës së Krujës nga rrethimi i dytë më 23 prill 1467, kur mbeti i vrarë vetë komandanti osman dhe renegati famëkeq arbër, Ballaban Pashë Badera. Gjatë këtij sulmi asgjësues të ushtrisë arbëre të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Leka III komandonte një grupim të rëndësishëm të ushtrisë arbëre që ishin mobilizuar në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat. Kjo fitore u arrit falë koordinimit të shkëlqyer midis Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Lekës III Dukagjinit, Nikollës II Dukagjinit dhe Nikollë Monetës, të cilët komanduan forcat arbëre që sulmuan kampin osman dhe trupave të garnizonit të Kështjellës së Krujës të komanduar nga Tanush Topia dhe veneciani, Baldassare Perducci. Kontributi i Lekës III ka qenë i shënuar edhe gjatë zhvillimit të Betejës së Krrabës më 27 prill 1467, gjatë rrethimit të kështjellës osmane të Elbasanit dhe më pas në luftimet për çlirimin e disa kështjellave atërore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, si ajo e Stellushit në trevën e Matit dhe e Çidhnës në Dibrën e Poshtme, më 30 prill 1467.

Përballë goditjes kataklizmike që pësoi Arbëria në verën e vitit 1467 si pasojë e fushatës së madhe sulltanore të udhëhequr nga Mehmeti II Fatih, ushtria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me rradhët e saj thellësisht të dëmtuara gjatë viteve të fundit, triumfoi me sukses kryesisht në sajë të përforcimeve me luftëtarë nga malësitë e Veriut, që ishin nënshtetas të Lekës III Dukagjinit. Po ashtu, vlen për t’u theksuar se më 14 korrik 1467, pasi kishte pushtuar Kështjellën e Petralbës në Mat, sulltan Mehmeti II Fatih nisi drejt Veriperëndimit të Arbërisë vezirin e madh, Mahmud Pasha Angeloviç, me një ushtri që përbëhej nga 60.000 kalorës të zgjedhur. Mahmud Pasha u vërsul me tërbim kundër Lezhës, Zadrimës dhe Shkodrës, ku për tri ditë me rradhë ai u ngop duke vrarë, plaçkitur e shkatërruar çdo gjë që i doli përpara syve. Gjatë luftimeve që u zhvilluan me trupat shkodrane, u dogj edhe pjesa e poshtme e qytetit, por kështjella Rozafa mbeti e paprekur. Më 17 korrik 1467, veziri i madh u largua nga qyteti i Shkodrës dhe ushtria e tij, pasi kaloi lumin Drin, u shfaq pranë Danjës. Nga aty, Mahmud Pasha Angeloviç marshoi në malet e Lekës III Dukagjinit.

Asokohe, ky i fundit, ndodhej në pozita mjaft të vështira, sepse e kishin tradhtuar Nikolla II dhe Progon Dukagjini, që tashmë ishin bashkuar me turqit osmanë. Megjithatë, pavarësisht tradhtisë në gjirin familjar, Leka III i bëri ballë me shumë sukses ushtrisë armike, duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme. I gjendur në këto rrethana, Mahmud Pashë Angeloviç nuk vazhdoi më tej, por u detyrua të tërhiqet dhe u nis drejt qytetit të Krujës për t’u bashkuar me forcat kryesore të sulltan Mehmetit II Fatih. Ndërsa në Betejën e Kirit, më 14 janar 1468, ndërkohë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu po lëngonte në shtrat i mbërthyer nga ethe të tmerrshme, ai ia besoi komandën e Gardës Pretoriane dhe të gjithë ushtrisë arbëre pikërisht Lekës III Dukagjinit, i cili i shkaktoi ushtrisë osmane të udhëhequr nga Ahmet Pasha, një disfatë katastrofike. Vdekja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut tri ditë më vonë, më 17 janar 1468, pasi i sollën në Lezhë lajmin e shumëpritur të fitores së Kirit, pati një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën politike të Arbërisë, sepse përveç Lekës III Dukagjinit, asnjë përfaqësues tjetër i fisnikërisë vendase nuk mund t’i bënte ballë furisë së sulltan Mehmetit II Fatih.

Gjithashtu, duhet theksuar se Leka III iu ndodh te koka Gjergj Kastriotit deri në çastin e fundit të jetës dhe pas kalimit të tij në amshim, e vajtoi sipas zakonit të lashtë të “Gjâmës së Burrave”, duke ngritur zërin e vajit dhe duke çkulur mjekrën e flokët, si shenjë dhimbjeje dhe nderimi. Historiani i mirënjohur tirolez (gjermano-austriak), Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861), vëren se: “Në kujtimet e varfëra të kohës, qoftë për besnikërinë e qëndrueshme ndaj çështjes së përgjithshme, qoftë për arsye të kontingjenteve të tij të shumta, nga krerët arbër shprehimisht përmendet vetëm princi i Dukagjinit.” Menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, aristokracia arbëre u gjend në një udhëkryq të madh ekzistencial, sepse përfaqësuesit e saj, me qëllim për të mbijetuar përballë “Kolosit turk”, duhej të zgjidhnin njërën nga tri rrugët. Një pjesë e fisnikëve arbër parapëlqyen të tërhiqeshin në male për të ruajtur lirinë, pavarësinë, dinjitetin, besimin e Krishterë dhe kujtimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke luftuar deri në vetëmohim.

Të tillë ishin Leka III dhe Nikolla II Dukagjini së bashku me nipin e Kryeheroit, Ivan Cernojeviçin (Gjon Gjurashin). Një pjesë tjetër, zgjodhën rrugën e kompromisit, duke u vënë në shërbim të turqve osmanë dhe shpejtuan të marrin në dorë disa nga zotërimet e vjetra feudale të familjeve të tyre, duke “mohuar” besimin e të parëve dhe përqafuar besimin e pushtuesit. Ndërsa, pjesa e mbetur, në pamundësi për të rezistuar, vendosën të mos poshtërohen dhe zgjodhën të braktisin atdheun, duke ikur në drejtim të brigjeve të shteteve italike. Bashkë me ta, nga Arbëria u largua edhe një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish, duke shkaktuar një katastrofë demografike dhe hemoragji të tmerrshme kombëtare. Vdekja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, e cila shkaktoi një hidhërim të thellë në popullin arbër, nuk ia dobësoi dëshirën për të mbrojtur lirinë, por lufta për pavarësinë e Arbërisë, të cilës Kryeheroi i dha forcën, talentin politik dhe gjenialitetin ushtarak, vazhdoi të jetojë nën udhëheqjen e Lekës III Dukagjinit. Në këmbim të gatishmërisë ushtarake, Leka III u garantoi malësorëve të Principatës së Dukagjinëve, si dhe të gjithë atyre që iu bashkuan për mbrojtje, lirinë brenda organizimit të tyre fisnor.

Në kushtet e reja, kjo liri u institucionalizua përmes riorganizimit të Pleqve mbi bazë fshati dhe krahine, duke ruajtur kështu strukturën fisnore brenda rendit të ri politik. Në këto kushte, mijëra banorë të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Ultësirës Perëndimore vërshuam drejt zonave malore nën kontrollin e Lekës III, ku gjetën një strehë të sigurtë. Për fatin e mirë të Arbërisë, në periudhën 1468–1473, sulltan Mehmeti II u angazhua në fronte të tjera ushtarake (Karamani, Negroponte dhe Anadolli Lindor), çka i dha vendit tonë një periudhë relative qetësie. Megjithatë, në vitin 1474 turqit osmanë ndërmorën një ekspeditë të madhe kundër qytetit të Shkodrës, ku u angazhuan rreth 80.000 trupa, përfshirë 8.000 jeniçerë dhe pajisje të rënda artilerie. Rrethimi i Shkodrës (15 korrik – 28 gusht 1474) përfundoi me dështimin e plotë të turqve osmanë falë qëndresës titanike të garnizonit të Rozafës prej 2.500 luftëtarësh dhe 4.000 civilëve, të mbështetur nga repartet e Lekës III Dukagjinit dhe Ivan Cernojeviçit, që vepronin jashtë mureve të kështjellës. Më 6 shtator 1477, Leka III Dukagjini së bashku me proveditorin venecian, Francesco Contarini, arrijnë të çlirojnë Kështjellën e Krujës nga rrethimi i ngritur prej një viti nga Ahmed Bej Evrenozi. Mirëpo, fitorja e arritur përmbyset shumë shpejt dhe përfundon në disfatë si rezultat i pakujdesisë së forcave arbëro-veneciane, të cilët u shpërndanë mbas plaçkës. Repartet e mbijetuar të ushtrisë osmane u hodhën në kundërsulm dhe në këtë betejë Leka III mbeti i plagosur rëndë, aq sa disa autorë e kanë bërë atë të vdekur.

Leka III Dukagjini ka dhënë një kontribut të shënuar edhe për mbrojtjen e Shkodrës gjatë rrethimit të Kështjellës së Rozafës nga armata perandorake osmane në vitet 1478-1479. Pasi më 25 prill 1479 u ratifikua në Venecia marrëveshja e paqes së nënshkruar në Stamboll më 25 janar 1479 midis Perandorisë Osmane dhe Republikës Veneciane, dorëzimi i Shkodrës shënon edhe ikjen e Lekës III në Venecia së bashku Nikollën II, Ivan Cernojeviçin dhe shumë arbër të tjerë. Mirëpo, më 15 qershor 1481, në kohën kur turqit osmanë kishin përqendruar forca të mëdha në qytetin e Vlorës për t’i dërguar në ndihmë të ushtrisë që mbante të pushtuar Otranton, në Puglia, Leka III dhe Nikolla II Dukagjini së bashku me nipin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ivan Cernojeviçin e Malit të Zi, kthehen në zotërimet e ish-principatave të tyre. Fatkeqësisht, pas njoftimit të fundit që na ofrojnë burimet dokumentare raguzane (15 qershor 1481), të dhënat mbi fatin e mëtejshëm të Lekës III Dukagjinit pas kthimit të tij në atdhe mungojnë plotësisht! Të vetmet dëshmi që hedhin dritë mbi ditët e fundit të jetës së tij mbeten legjendat dhe gojëdhënat e shumta, të cilat janë ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi deri në ditët e sotme.

Menjëherë pas kthimit nga Venecia, sipas traditës gojore, Leka III u vendos fillimisht në kështjellën e Drishtit, ku vazhdoi luftën kundër turqve osmanë. Më pas ai u tërhoq në “Shkambin e Rajës”, në Tropojë, duke vijuar në “Gurin e Lekës” në Shosh të Dukagjinit, më tej në Dukagjinin e Vjetër (Pukë-Mirditë) dhe përfundimisht u tërhoq në “Fushën e Kosovës”, ku pas një betimi solemn të mbajtur së bashku me krerët e vendit për të mos rënë të gjallë në duart e turqve, ai zhduket në mënyrë misterioze. Ky itinerar sugjeron mundësinë që Leka III të ketë ndërruar jetë në mes bashkëluftëtarëve dhe popullit që ai udhëhoqi dhe të cilët e deshën aq shumë, duke i qëndruar besnikë deri në fund. Data e pranuar për vdekjen e tij është viti 1481, por burimet historike nuk ofrojnë hollësi mbi vendin dhe as mbi rrethanat e vërteta të ngjarjes. Meqenëse burimet historike heshtin, rrethanat mbeten tërësisht të panjohura. Po ashtu, as tradita gojore nuk jep të dhëna lidhur me kohën dhe vendin e vdekjes së Lekës III, njësoj siç nuk disponohet asnjë informacion për vendvarrimin e tij. Sipas traditës gojore, ai u largua duke dhënë bekimin e tij për lirinë e trojeve arbëre dhe duke mallkuar çdo robëri që do t’i rëndonte ato, deri në çastin kur zotërit e vërtetë të këtyre viseve të riktheheshin në atdheun e tyre. Sipas një gojëdhëne që At Marin Sirdani O.F.M. ka shënuar në Pecaj të Shalës, të kallëzuar prej Prêkë Sokol Bashës, në çastet e fundit përpara se të largohet nga kjo botë, Lekë Dukagjini, në praninë e krerëve të vendit në Fushën e Kosovës, ka nxjerrë shpatën dhe duke ngritur sytë lart nga qielli e ka ngulur atë në dhé, duke thënë: “O Zot, merrem shpirtin, por mos premto të bij në dorë të Turkut”! Këto kanë qenë fjalët e fundit të pinjollit më të shquar të Dukagjinëve dhe princit të lavdishëm të paraardhësve tanë.

Në një relacion të vitit 1637, ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, Imzot Frang Bardhi, shkruan se në Pukë: “Në rrugë e në punë këndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj dhe sidomos të të pathyeshmit Zot Gjergj Kastriotit, të quajtur Skanderbeg (invitiss.o Sig.r Giorgio Castriota d.o Scanderbegh) dhe të të përshëndritëshmit Zot Lekë Dukagjinit (Ill.mo Sig.r Lecha Ducagino), princit dhe zotërisë së tyre.” Kujtimin e gjallë të këtij udhëheqësi të madh të paraardhësve tanë, figura e të cilit lidhet kryesisht me “Kanunin”, sot e gjejmë kudo, në hapësirën e gjerë që shtrihet nga Lezha, Zadrima dhe Shkodra deri në Gjilan të Anamoravës, ku emri i tij ruhet në legjenda, gojëdhëna, këngë dhe tregime popullore, por mbi të gjitha në toponime. Nëpër shekuj, figura e Lekës III Dukagjinit ka ruajtur rolin e saj si një emblemë e shquar e trimërisë dhe drejtësisë arbërore. Ai nuk përfaqëson vetëm një luftëtar të fuqishëm dhe princ të mençur, por edhe një udhëheqës politik e ushtarak të talentuar dhe një simbol të bashkimit të malësorëve gegë përballë presionit osman.

Përmes sakrificës së tij, e cila shërbeu ndër shekuj si model frymëzimi, bërthama e zotërimeve të Dukagjinëve arriti të ruhej kryesisht e pavarur deri në vitin 1912. Burimet tradicionale, përfshirë legjendat, gojëdhënat dhe këngët, që janë transmetuar brez pas brezi, nuk pasqyrojnë vetëm veprimtarinë ushtarake dhe politike të Lekës III Dukagjinit, por edhe një paradigmë të qëndrueshmërisë dhe trimërisë së pandalshme. Figura e tij nuk kufizohet vetëm në ngjarjet historike të Shqipërisë së Veriut dhe Rrafshit të Dukagjinit, por ajo jeton përmes Kanunit dhe çdo rrëfimi, anekdote apo kënge, që e kujton në shumë treva të Gegnisë. Emri i tij përfaqëson qëndresën kundër Perandorisë Osmane, ndërsa trashëgimia që ka lënë pas mbetet një thirrje e vazhdueshme për guxim, dinjitet, mbrojtje të identitetit kombëtar dhe përkushtim ndaj atdheut, deri në vetëmohim.

Filed Under: Reportazh

POEZIA SHQIPE PUSHTON ZEMRAT E PUBLIKUT RUMUN NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TË RUMANISË

October 30, 2025 by s p

Antologji e përgatitur nga Dr. Luan Topçiu dhe Renata Topçiu-Melonashi.

Më 28 tetor 2025, në sallën Doina Cornea të Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë, u zhvillua një mbrëmje e jashtëzakonshme kushtuar poezisë dhe muzikës shqiptare, me rastin e promovimit të antologjisë “Păpușile-n concediu/Kukullat në pushim – Një antologji e poezisë shqipe nga fillesat deri në ditët tona”, përgatitur nga Dr. Luan Topciu dhe Dr. Renata Topciu-Melonashi.

Në këtë veprimtari morën pjesë Radu-Dumitru Antohi, zëvendësministër i Arsimit të Rumanisë, deputetët e Parlamentit rumun Bogdan Alin Stoica dhe Iulius Marian Firczak, si dhe anëtarë të Komunitetit të Shqiptarëve të Rumanisë.

Për rëndësinë e këtij botimi folën prof. Aristotel Spiro, gjuhëtar, poet dhe përkthyes nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Radu-Cosmin Săvulescu, kryetar i ALAR, si edhe autorët Dr. Luan Topciu dhe Dr. Renata Topciu-Melonashi.

Publiku rumun e priti me entuziazëm dhe vlerësim të veçantë këtë vëllim, që përfshin 83 poetë nga të gjitha hapësirat shqiptare, në një botim prej 730 faqe). Mbrëmja u pasurua me recitime poetike nga aktori i Teatrit Kombëtar “Marin Sorescu”, Angel Rababoc, dhe me një mini-koncert nga flautistja shqiptare Majlinda Spiro, duke krijuar një atmosferë të veçantë artistike e miqësore.

Recitimet e poezive shqiptare, momentet muzikore dhe prezantimi i antologjisë u pritën me entuziazëm dhe vlerësim nga publiku rumun, duke e kthyer këtë ngjarje në një festë të kulturës dhe të miqësisë shqiptaro-rumune.

Zyra e shtypit

ALAR

Bukuresht, 29 tetor 2025

Filed Under: Reportazh

MË I BUKUR NË VLORË KY TETOR, SI MUAJ I LETËRSISË DHE ARTIT

October 25, 2025 by s p

Albert HABAZAJ/

Kumtesë në aktivitetin letrar “Eklipsi i fjalës”, organizuar nga Qendra Kulturore e fëmijve “Barjam Tushi” Vlorë në kuadrin e muajit Tetor si muaj i Letërsisë dhe Artit

Së pari, falënderoj Qendrën Kulturore të Fëmijve “Barjam Tushi” Vlorë, drejtuesen Albana Tushe Curo për këtë organizim të veçantë e simbolik në vijim të stafetës së dritës së ngrohtë e të shndritshme të librit tek brezat, tek yllkëzat, gonxhet e jetës që rriten shëndetshëm dhe miredukohen për të qenë të denjë për vete, për familjen, Shqipërinë e Atdheun. Po aq, i shpreh mirënjohjen poetit të ri Shoni Malaj për këtë nismë domethënëse dhe ftesën për të marrë pjesë me një poezi timen në veprimtarinë letraro-kulturore “EKLIPSI I FJALËS”, si dhe me këtë kumtesë të thjeshtë për tetorin si muaj i letërsisë në Vlorë.

Mrekullia janë këta fëmijë kaq të bukur, të mirë dhe të ëmbël, që këndojnë si zogj me cicërima e recitojnë kaq lirshëm, natyshëm e me dëlirësi poezitë tona. I falënderoj me zemër, se ata na fusin në botën e tyre të ëndrrave, na marrin në moshën e tyre lulëzimtare, na japin aromën e tyre të këndshme, si aroma e gonxheve tek çelin lule…

Nuk mund të kuptohet tetori pa poezinë. Nuk mund të kuptohet poezia pa Vlorën. Nuk mund të kuptohet Vlora pa Fatos Arapin. Nuk mund të kuptohet Fatos Arapi pa muzikantët e shpirtit, pa lajmëtarët shenjtorë midis qiellit dhe tokës, pa magjistarët e  fjalës së artë poetike në Shqipërizën tonë të shtrenjtë e të shenjtë.

Jemi mësuar dhe është kthyer traditë e mirë tek ne, që ta quajmë, ta cilësojmë dhe ta shndërrojmë muajin tetor në muajin e letërsisë dhe artit, pasi është kthyer tashmë në një muaj festiv, ku lexues të ndryshëm dhe shkrimtarë takohen në veprimtari të  larmishme, në mjedise të qendrave të kulturës dhe artit, në biblioteka, në auditore universitare, gjimnazesh apo shkollash 9-vjeçare, në panaire librash, apo në qendrat kulturore të fëmijëve si kjo folezë e ngrohtë dhe simpatike e qytetit tonë të dashur, Vlorës, ku vendin kryesor e zë poezia.

***

Tetori, në rrafshin e kulturës letrare dhe kombëtare, është një muaj i shenjtë për shqiptarët sepse pikërisht në tetor kanë lindur shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe si: Gjergj Fishta (23 Tetor 1871-30.12.1940), Migjeni (13.10.1911-26.08.1938) dhe Dritëro Agolli (13.10.1931-3.02.2017).

Muaji i letërsisë ka synim të orientojë shoqërinë drejt kulturës së të lexuarit. Ky muaj mbart në vetvete vlera të çmuara që luajnë rol të rëndësishëm në jetën tonë. Libri është çelësi i mendjes dhe çdo lexues i vëmendshëm i tij mund të jetë çelësi i një bote të mirëfilltë. Letërsia është ajo që i pasuron njerëzit në shprehje, në ndjenjë, në artin e të folurit, të menduarit, të kuptuarit, të emocioneve njerëzore. Letërsia na karakterizon ne si njerëz e na bën të hyjmë në një botë tjetër, duke dëgjuar melodi ritmike, që nuk i dëgjon askush tjetër. 

Jo vetëm gjatë muajit të letërsisë, por çdo muaj të vitit e çdo vit të jetës, ne shprehim nderim për të gjithë shkrimtarët që kanë dhënë dhe japin kontribute në literaturën shqiptare, sidomos në letërsinë për të rritur. 

Libri është ai që vesh mjediset e shkollës, universiteteve apo institucionet letraro – artistike e kulturore me plot ngjyra, ide dhe imazhe.

Edhe ne, si Vlorë letrare, kemi bërë mjaft përurime librash (diskutime më pak) jo vetëm të autorëve vlonjatë, sidomos kemi pasur synim letërsinë femërore në qytet e më gjerë, por kemi mikpritur edhe autoritete letraro-kulturorë nga Tirana, Shkodra, Lezha, Gjirokastra, Tepelena, Fieri, Lushnja, deri dhe nga Tuzi (shqiptarët e Malit të Zi), Kosova, Çamëria etj. Është interesante se në tetor kanë vdekur edhe dy poetë, ndër më të shquarit e letërsisë shqipe: Naim Frashëri (Frashër – Përmet, 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900), poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, hartues tekstesh, përkthyesi i parë i pjesëve të Kur’anit në gjuhën shqipe dhe veprimtar i shquar i arsimit kombëtar shqiptar. Është quajtur Bilbili i Gjuhës shqipe, Po ashtu Fatos Arapi ynë (Zvërnec, 19 Korrik 1929 – Tiranë, 11 Tetor 2018), është ndër poetët më në zë të Shqipërisë, krenari për Vlorën dhe Shqipërinë.

Dy fjalë për poetët e lindur në tetor:

Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) ka qenë frat françeskan, arsimtar, poet, shkrimtar, përkthyes, akademik, dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë “Përmeti” në Konferencën e Versajës, zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921 si dhe përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar ndër disa konferenca ballkanike gjatë viteve ’30. Pas pushtimit italian u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë, që e priti ngrohtësisht ardhjen e “Perandorisë Romake” në Shqipëri në veprën e fundit të jetës së tij, shkrime të cilat më pas u përdorën nga regjimi fashist për qëllime propagandistike. 

Ka shkruar mbi 50.000 vargje në lirikë, në epikë, dramatikë, satirë, agiografi, etj.

Pas dekadës së dytë të shekullit XX, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për një gjysmëshekull, ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje sa ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Për kontributet e tij u nderua me urdhëra nderimi dhe dekorata nga autoritetet osmane, austro-hungarezët, grekët, kleri katolik dhe italianët. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e tij u ndalua dhe qëndroi e tillë deri kur ra diktatura komuniste

Veprat e Fishtës (pa përfshirë përkthimet):

1. Lahuta e Malcis (poemë) – 1937, me15.613 vargje tetërrokëshe, me 511faqe, për të cilën iu deshën 32 vjet për ta nxjerrë në dritë kryeveprën epike të literaturës shqipe, për të cilën u cilësua Homeri i Shqipërisë;

2. Anzat e Parnasit (satirë) – 1907

3. Vallja e Parrizit (me përmbajtje fetare) -1909

4. Shen Francesku i Asizit (vëllaznia) -1909

5. Shqyptari i gjytetnuem (melodrama) – 1911

7. Juda Makabè (tragjedi) – 1920

8. Gomari i Babatasit (satirë) – 1923

9. Mrizi i Zanave (me subjekt kombëtar) – 1924

10. Baritë e Betlemit (melodrama baritore) – (1925)

11. Sh. Luigji Gonzaga (melodramë) – 1927

12. Shna Ndou i Padues (e vetmja vepër e Fishtës, që fund e majë ka karakter fetar) – 1927

13. Shqyptarja e gjytetnueme (melodramë) – 1929

14. Ifigenija n’Aulli (tragjedi) – 1931;

15. Odiseja, (me subjekt fetar dhe kombëtar) -1931

16. Jerina ose mbretnesha e luleve (melodramë) – 1940

17. Taralloqja e Ballkanit (satirë), botim postum – 1944.

Migjeni (Shkodër, 13 Tetor 1911 – Torre Pellice Torino, 26 Gusht 1938). Sipas studuesit Robert Elsie, me Migjenin nis rrugën poezia bashkëkohore shqipe dhe ai mund të quhet poet universal. Ai së bashku me Lasgush Poradecin janë lajmëtarët e bashkëkohësisë.

Para se të shpreh dy fjalë për biografinë e tij, dua t’ju kujtoj thënien e shndritshme të prof. Skënder Luarasit për të: “Me Migjenin u pa se në qiellin e Shqipërisë, ku dukej se qenë shuar yjet letrarë, po lindte një diell” (Tiranë, më 26 Gusht 1956)

– Millosh Gjergj Nikolla është emri i tij i vërtetë, pasi Migjeni është emri i tij i pendës. Ishte poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të.

Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj.

Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

– Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar. Pasi përfundoi semi-maturën më 1927 me rezultate të mira, për vitin shkollor 1927-1928, kundër dëshirës së tij, e regjistruan në Seminarin ortodoks “Jan Shën Teologu” po në atë qytet. Në pasaportën që pati marrë në Manastir prej konsullatës shqiptare lexohen shënimet e titullarit: “Shtati i lartë, balli i rregullt, sytë gështenjë, hunda e rregullt, goja normale, flokët gështenjë, mjekra e mustaqet e rruara, ngjyra e bardhë, shenja të veçanta s’ka”. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë (23 prill1933), Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat “Iliria”, “Bota e re” etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”, të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Takon Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me rioshin Lazër Radi, gjë që do frymzonte këtë të fundit t’i kushtonte një libër kujtimesh. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për t’u shëruar nga sëmundja e mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

– Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm. Në themel të veprimtarisë së Migjenit qe një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija’, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Të famshmet “Vargjet e lira” migjeniane janë të gjithëkohëshme dhe rrokin tërë hapësirat, ato nuk vyshken kurrë, nuk perëndojnë asnjëherë. Në “Vargjet e lira” përfshihen 44 poezi në 6 sytha: Kangët e ringjalljes, Kangët e mjerimit, Kangët e Përndimit, Kangët në vete, Kangët e rinisë dhe Kangët e fundit. Në prozë, po ashtu Migjeni ka lënë visare me “Novelat e qyetit të Veriut” me 29 skica e proza rrëqethëse deri në tronditje, si dhe 5 shkrimet e fundit. Në kaq pak faqe libri Mësuesi i popullit, Poeti i Shqipërisë Migjeni na la vepër të madhe, shumë të madhe dhe të fuqishme.

Vepra e tij e botuar nis me “Vargjet e lira”; Tiranë: Gotenberg, 1936 dhe ribot. “Ismail Mal’Osmani”, 1944; “Veprat”, mbledhur e përgatitur nga Skënder Luarasi, Tiranë, “Naim Frashëri, 1957; “Vepra1-4”, Prishtinë, Rilindja, bot. 2 , 1980 etj.

Tema kryesore e librit “Vargjet e lira”, si dhe e prozës së Migjenit, është mjerimi dhe vuajtjet. Ajo është poezia e një dëshpërimi dhe vetëdije sociale e mprehtë.

Dritëro Agolli

– Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Dritëro Agolli hyri në letërsinë shqiptare në fillim të viteve 60’, duke u bërë shpejt një nga figurat më të rëndësishme të saj. Ai është autor i një krijimtarie të gjerë e të larmishme. Një poet me individualitet të rrallë, një lirik i madh, sa popullor në dukje, po aq edhe meditativ dhe filozofik. Ai me vargun e tij solli risi në poezinë shqipe, por duke e parë gjithmonë letërsinë popullore si një model. Poezia e tij karakterizohet nga spontaniteti, gjallëria dhe prania e ngjyrave.

– Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, atdhetaria dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë. 

Vepra letrare e Dritëro Agollit:

1. “Në rrugë dola”: vjersha dhe poema, 1958

2. Poemë për babanë dhe veten,1962

3. Hapat e mija në asphalt: vjersha dhe poema, 1961

4. Zhurma e erërave të dikurshme: tregime, 1964

5. Shtigje malesh dhe trotuare: vjersha dhe poema, 1965

6. Mesditë: vjersha dhe poema, 1969

7. Komisari Memo: roman, 1969

8. Pleshti: poemë satirike, 1971

9. Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo: roman, 1973

10. Njeriu i mirë: tregime (Prishtinë), 1973

11. Nënë Shqipëri: poemë, 1974

12. Mosha e bardhë: dramë me tri akte (Prishtinë), 1975

13. Njeriu me top: roman, 1975

14. Devoll, Devoll. Bababallët: poema, 1976

15. Fjala gdhend gurin: vjersha dhe poema, 1977

16. Të pagjumët: poezi të zgjedhura (Prishtinë), 1980

17. Trëndafili në gotë: roman, 1980

18. Arti dhe koha: artikuj kritikë, 1980

19. Vepra letrare: 11 vëllime, 1980-1987

20. Dhjetë sy: vjersha dhe poema, 1984

21. Udhëtoj i menduar: poezi, 1985

17. Jeta në letërsi: artikuj e shënime, 1987

18. Dështaku: roman, 1991

19. Pelegrini i vonuar: poezi, 1993

20. Çudira dhe marrëzi: fabula, epigrame, 1995

21. Lypësi i kohës: poezi, 1995

22. Njerëz të krisur: novela, tregime, 1995

22. Kalorësi lakuriq: roman, 1996

23. Vjen njeriu i çuditshëm: poezi, 1996

24. Shpirti i gjyshërve: 101 këngë, 1996

25. Arka e djallit: roman, 1997

26. Baladë për tim atë dhe për vete, 1997

27. Teshtimat e lirisë: njeriu, politika dhe kultura, 1997

28. Kambana e largët: poezi, 1998

29. Fletorka e mesnatës: poezi, 1998

30. Këngët e buzëqeshjes: poezi, 1998

31. Shtigje dhe trotuare: poezi, 1998 

32. Lutjet e këmbanës: poezi të zgjedhura, 1998 

33. Gdhihet e ngryset: poezi, 2000

34. Në MackaShtet: fabula, 2001

35. Tre qeshin – një inatoset: letërkëmbim me Gaqo Veshin, 2001

36. Poezi të zgjedhura, 2001

37. Lirikat e vjeshtës: poezi (Prishtinë), 2002

38. Fytyra e dytë. Mosha e bardhë. Baladë për një grua: tri drama, 2016

39. Prit edhe pak: poezi, 2016

40. E bukura, lozonjarja, tokësorja grua: poezi, 2017

41. Dashuri në moshën e Krishtit: letërkëmbim 1964-1965 [me Sadijen, të shoqen], 2018

42. 10 vjet oratori dhe gazetari politike, 2021

etj., pa u shprehur për ribotimet, botimet e zgjedhura, botimet e plota, mbi përkthimet që ka bërë ai apo përkthimet e veprës së tij në gjuhë të huaj. Ai është poet i tokës, i cilësuar poet kombëtar, ndër më shquarit shkrimtarë shqiptarë dhe më i dashuri në popull, sidomos për poezinë e tij. “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është një vepër satirike shumë interesante, për të cilën kritikët kanë hequr paralele nga Daniel Defo dhe “Revizori” i Nikollai Gogolit deri tek Franc Kafka dhe “Zëri” i Milan Kunderës.

***

Kur shqyrtojmë letërsinë artistike, parë me lentet artistike të shekullit të ri, në qoftë se letërsinë shqiptare të shekullit XX e cilësojmë një rrokaqiell (ndërtesë shumëkatëshe) të qytetit të mrekullueshëm të letërsisë universale, Vlorës i takon nderi të ketë katër kate, si dhe shumë dhoma të tjera të bukura, me hapësirë, me dritë e me ajër. Katër janë shkrimtarët vlonjatë të nivelit kombëtar, pa të cilët letërsia shqipe do të ishte e paplotë, e cunguar, pa këtë formatim harmonik që njohim sot. Këta shkrimtarë sipërorë janë: Ali Asllani, Petro Marko e Shevqet Musaraj, që spikatën me brezin e artë të krijimit të viteve ’30-të, tok me Migjenin, Mjedën, Lasgushin, Kutelin, Konicën, Nolin, Fishtën, Koliqin etj. 

I katërti është Fatos Arapi (19.07.1929-11 Tetor 2018), poeti i Zvërnecit, i Vlorës, i luftës, i lirisë, i detit, i dashurisë, që i përket letërsisë së pasluftës, modernatori i vërtetë i letërsisë shqipe, sidomos i poezisë, të cilin studiuesi i njohur gjeromano-kanadez Robert Elsie e ka cilësuar  “më të mirënjohurin ndër poetët e sotëm shqiptarë”.

Sidomos me ju, fëmijë të dashur, që jeni pranvera e çdo stinshme e jetës sonë, me rastin e muajit të letërsisë, ne këtu në Vlorë, mund dhe duhet të njohim dhe të vlerësojmë shkrimtarët vlonjatë të letësisë për fëmijë. 

Nga Vlora evidentohen dhe pesë shkrimtarë të shquar për fëmijë në rang kombëtar. Po i paraqes sipas rendit alfabetik: 

Bardhosh Gaçe me magjinë e ëmbël të fjalës për vogëlushët, ndërkohë dhe studiues me vullnet balzakian për kulturën vlonjate e më gjerë; 

Ferhat Çakërri, ose “xhaxhi Ferati”, siç i thërrisnin në Vlorë mikut të Dritëroit të madh e fëmijëve të vegjël;  

Odhise Grillo – lëvrues i madh i letërsisë moderne shqipe për fëmijë, autor i mbi 120 librave dhe fitues i 30 çmimeve të para; 

Tasim Gjokutaj, poet origjinal në humorin dhe satirën e tij; 

Skënder Hasko që i ka sjellë frymëzime të thella botës letrare fëminore. 

Është mirë që, edhe ju, fëmijë të dashur të njihni dhe të mbani mend autorët nga Vlora për ndihmesën e dukshme në letërsinë për fëmijë. Mund t’ju përmend edhe poetin e mirënjohur në letërsinë shqipe Hiqmet Meçaj, që ka shkruar dhe për fëmijë, shkrimtaren e mbi 50 librave Vilhelme Vranari Haxhiraj e “Amantit të Arbërisë” me kontribut të veçantë në edukimin artistik, didaktik dhe atdhetar të fëmijve, të talentuarin Aleksandër Babe, Aqif Malaj, Fadil Zeqiri, Kastriot Mahilaj, Andera Petromilo, e shumëkërkuara sot dr. Shpresa Fundo Gjergji me “Familjen e Rosmakëve”, fabulistët Luto Memokondi e Pëllumb Velo, Natasha Fejzaj Limaj, Zamira Hysenaj Agalliu etj. Edhe unë (Albert Habazaj) kam botuar 2 libra për fëmijë, por pasi u bëra gjysh, i pari titullohet “Perla dhe Princi i Gjyshit” (2021), i dyti “Princeshat dhe princi” (2023) .

Filed Under: Reportazh

MONUMENTI I SKËNDERBEUT VENDOSET NE KOMUNËN ARBËRESHE URURI (RURI) NË ITALI

October 24, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Me  daten 19 Tetor 2025 në Komunën arbëreshe Ururi në rajonin e Molizes në Itali, u inagurue monumenti i ri i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Presidenti i Republikës Z.Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në komunat arbëreshe të Rajonit Molizës në Itali, ku u prit nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore të këtij rajoni.(1) Në komunën arbëreshe Ururi(Ruri) Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në fjalën e tij, Presidenti Bajram Begaj theksoi:  “Skënderbeu nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe vizionar e bashkues, pararendës i Shqipërisë evropiane, që ka mbetur përherë e lidhur me qytetërimin perëndimor. Sot, ai flet me ne përmes frymës së bashkimit dhe vetëdijes kombëtare që na la trashëgimi”.(1,3)

Komunën e Ururi është një vendbanim arbëresh, me rreth 3000 banorë, që ndodhet në Molizen e Ulët, në një kodër jo larg nga brigjet të detit  Adriatikut.

Kjo Komunë (Uuri-Ruri) kufizohet në veri dhe në lindje nga Komuna e San Martino in Pensilis, në perëndim nga Komuna e Larinos dhe në jug nga Komuna e Montorio nei Frentanit dhe Komuna e Rotellos.

Me pushtimin e Arbërisë nga pushtuesit otoman,shqiptarët emigruan në Italia,sidomos  pas vdekjes heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe sidomos pas rënies së Kalasë së Krujës dhe kalasë Shkodres në duart e pushtuesve otoman, në prill të vitit 1479. Shtegtimi i arbëreshëve filloi nga viti 1460, për të vazhduar në vitet 1468, 1479, 1488 , 1500, 1583 dhe më vonë. Ndër familjet e para arbëreshe që u vendosën janë familjet: Pleshia, Muzaka, Peta, Likursi , Gllava, Syziu, Intrevado, Vasili , Koka,  që edhe sot janë të pranishëm në këtë vendbanim.(5)

Arbëreshët e këtij venbanimi kanë ruajtur mrekullisht për mbi 550 vite, nga emigrimini tyre në Itali  gjuhën ,kulturen ,letersinë gojore,veshjet dhe traditat e lashta shqiptare.(1.2,6)

Studjuesi i njohur i komunitetit arbrëshë në Itali Z.Fatmir Toçi, autor i dy librave kushtuar arbëreshve në Itali thekson:

“Arbëreshët, këta shqiptarë të Italisë kanë mundur të mbajnë dhe ta përcjellin brez pas brezi, për më shumë se 6 shekuj, identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj.

Qëndresa e vetëdijshme dhe krenare e tyre i kanë bërë ata si një nga rastet unikale në botë e në të gjitha kohërat, që një sfond historik i një shoqërie të tërë në periudhën e Mesjetës të sillet e konservuar deri në ditët tona, si një relike dhe njëkohësisht si një pasuri e rrallë, jo vetëm për historiografinë dhe albanologjinë shqiptare, por edhe për trashëgiminë kulturore botërore.

Sot, në të gjithë Italinë, njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe apo shqiptarë të Italisë, siç njihen ndryshe. Nga këto 41 komuna dhe 9 fraksione (qendra të vogla banimi), të shpërndara në 7 qarqe (regioni) të Italisë së Jugut dhe ishujve në Jug rezultojnë që jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë.

Sipas censusit të vitit 1921 rezultonin mbi 82.000 arbëreshë, sipas atij të vitit 1997 rezultonte një popullsi shqiptare prej 197.000 banorësh, edhe pse në vitin 1998 Ministria e Brendshme e Italisë e ka përcaktuar minorancën shqiptare në Itali në 98.000 vetë.”(5)

Duhet të theksuar se në Itali në bazë të studimeve të autorit njohur Z,Fatmir Toçi mbi ngulimet arbërshe në Itali,janë  më shumë se tridhjetë fshatra të lashta shqiptare që kanë humbur,identitetin e tyre kombëtarë në periudha të ndryshme historike dhe për arsye të ndryshme, sidomos mos përdorimin i gjuhës shqipe në shkolla, kështu ata kanë humbur  trashëgimininë historike dhe kulturore shqiptare-arbëreshe.(2,3,6)

Prandaj sot është detyrë e rëndësishme e Ministrisë Arsimit dhe Ministrisë Kulturës e shtetit në Shqipëri dhe Kosovë, që ti japin rëndësin e duhur , studimit njohjes shkencorë dhe mbrojtjes e ruajtjes të gjuhës e traditave kulturore të komunitetit shqiptarë-arbëreshë që sot jeton në Itali dhe kudo nëpër botë.

Literatura:

1.www.presidenti.al

2.Fatmitr Toçi: Arbëreshët midis ralitetit dhe mitit ,Botimet “Toena”,Tiranë ,2022. 

3.Fatmitr Toçi: Arbëreshët e Italisë  ,Botimet “Toena”,Tiranë, 2024

4-www.topchanal .al

5-Fatmitr Toçi :www.ballkanweb.com ,datë,12 dhjetor 2016

6.www.infoarbresh.it

7.www.toena.al

Filed Under: Reportazh

Breast Cancer Awareness Webinar – AMFE-USA Branch

October 22, 2025 by s p

Our AMFE-USA branch proudly hosted an inspiring and informative Breast Cancer Awareness Webinar.

Together, we explored crucial topics — including risk factors, screening tests, hormonal therapy, genetic testing, and the often-overlooked psychological and emotional barriers to getting screened.

A heartfelt thank you to Dr. Evia Nano and Renina Varfaj for their comprehensive presentations and their visionary ideas on how to raise awareness and bring real, community-based programs to the Albanian population in Kosovo and Albania.

We also extend our special thanks to Dr. Aurora Dollenberg, President of AMFE, and to the AMFE-USA Board — Dr. Zana Nikolla, chair and moderator of the event, vice chairs- Dr. Shpresa Xhakli, and Dr. Ermal Zatriqi — for their leadership and dedication in advancing health education and awareness within our community.

💗 Together, we educate, empower, and inspire change. 💗

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 174
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT