• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Intelektuali…

February 7, 2026 by s p

Ermal Hasimja/

Intelektuali nuk është thjesht dikush me diplomë universiteti. Është dikush që ofron ide dhe mban qëndrime. Koha do të tregojë nëse qëndrimet që ai mban janë të drejta apo jo, por është më mirë të kesh qëndrime të sinqerta e të gabuara, sesa të kesh qëndrime e t’i mbash për vete sepse nuk ke guximin t’i bësh publike.

Qëndrimet për të mirën e vendit, sidomos qëndrimet e drejta që kanë edhe kosto personale, janë ato që dallojnë intelektualin nga armata e të diplomuarve. Nëse ke ide e zgjidhje, por i thua vetëm në kafe nuk ke asnjë dallim nga një i diplomuar te Kristali qe punon kamarier (me respekt per kamarieret). Idetë dhe zgjidhjet kanë vlerë në publik, jo në kafe. Dhe, të paktën, nëse nuk doni të bëni asgjë, mos e përligjni dobësinë me shprehjen “nuk bëhet, është e pamundur”. Nëse është e pamundur, është sepse nuk punohet.

Dukuni, flisni, guxoni! Nuk kemi Shqipëri rezervë. Vetëm një kemi.

Filed Under: Sociale

Polikrizat e shoqërisë në optikën e sociologut Gëzim Tushi

February 6, 2026 by s p

Albert Z. ZHOLI/

Këto ditë doli nga botimi dhe është në qarkullim libri “Polilikrizat sociale dhe shoqëria” e autorit Gezim Tushi. Ai është sociolog i njohur me kontribute teorike e mediatike, tejet I angazhuar si qytetar dhe intelektual me analiza të gjithanshme sociale dhe studimet sistematike mbi dinamikat e zhvillimet sociale dhe problemet që e shqetësojnë shoqërisë shqiptare në tërsi. Diapazoni tematik i librave të tij ka në fokus veçoritë e tranzicionit, familjen, martesën, shkollën, kulturën moralin publik, problemet sociale me ndikim konsistent dhe rezonancë bashëkohore në jetën e shoqërisë dhe individit.

Libri “Polikrizat sociale dhe shoqërisa” është I njëzet e gjashti I Tushit. Në të përmes treqind faqeve dhe katër kapitujve, ai I sjell lexuesit të zakonshëm por edhe studentëve, gazetarëve dhe qytetarëve një gamë të gjërë interpretimesh sociale, që janë kontribut serioz që ndihmon në procesin e diagnostikimit të hollësishëm të problemeve që shqetësojnë ekzistencialisht jetën e shoqërisë shqiptare të postranzicionit, e cila reflektohet në mënyrë gjërësisht kontekstuale në patologjitë, anomalitë dhe në jetën e individit. Të cilat realisht dhe sociologjikisht ndihen të reflektuara si fenomenologji të një krize sociale, morale e individuale evidente, e cila nuk është thjesht një patologji individuale, por dukuri strukturore, që prek themelet ekzistenciale të jetës tonë shoqërore.

Autori tërë gamën e analizave sociale dhe interpretimeve sociologjike, e ka ndërtuar mbi bazën e një uniteti teorik, duke bashkuar në mënyrë harmonike dijet konceptuale të sociologjisë postmoderne dhe idetë e fuqishme të autorëve më të shquar të kësaj fushe (citohen rreth 40 autorë të shquar të sociologjisë bashkëkohore), por ato të “përthyera” në ndihmë të interpretimeve elokuente për interpretimin e tipologjisë dhe fenomenologjinë së dukurive dhe shfaqjeve konktere, që janë tipike në realitetin kontekstual të jetës sociale të shoqërisë tonë.

Kjo sintezë teorike e praktike është baza e tërë arkitekturës së librit, i ndërtuar në katër kapituj, të cilët janë të lidhur nga uniteti i brendshëm social dhe tematik. Autori synon të hedhë dritë, të ndihmojë në konceptimin realist dhe jo utopik të të vërtetave të realitetit tonë, duke dashur të evidentojë lidhjen midis dialektikës së jashtme të shoqërisë, e cila duket sikur është në “udhëkryq” social dhe moral dhe nevojës për të gjetur një bosht të ri moral që t’i përshtatet kohës, shoqërisë postmoderne shqiptare me natyrë të qartë liberale, individualiste apo likuide, sikurse e sintetizon këtë realitet bashkëkohor sociologu i shqyar Zygmunt Bauman.

Autori evidenton natyrën e kësaj shoqërie, e cila duke qënë moderne nuk është gjithnjë e sigurt, nga që sipas tij, ka rënë “fuqia integruese e shoqërisë”, është zbehur humanizmi, sociadariteti dhe socialiteti që ai i konsideron si “çimento sociale” për të garantuar një nivel normal të kohezionit të shoqërisë por pa cënuar dinjitetin, pavarësinë dhe personalitetin e njeriut si qytetar. Ai evidenton disa dukuri që janë bërë problematike, sikurse është zgjerimi i sjelljeve egoiste, narcistike, egocentrike, madje e sociopatike e kriminale, të cilat po shfaqen si simtoma të një sëmundje e rëndë, sikurse është procesi i dehumanizmit të lidhjeve sociale e marrëdhënieve shoqërore, që shumë shpesh e kanë vënë jetën tonë shoqërore të përballet me “njeriun irracional”. Nuk mund ti shpëtonte optikës së sociologut Gëzim Tushi disa dukuri, sikurse janë shfaqjet e bujshme të një lloj “pornografizimi” të jetës shoqërore që burojnë në mënyrë të rëndomtë nga perceptimet banale e perverse të lirisë individuale apo shfaqjeve të bujshme të perversitetit social.

Problemet e natyrës, qëndrimit social dhe komportimit të individit në raport me veten dhe shoqërinë, përfshihen në një kpitull më vete. Esenca e shqetësimit është rregullimi i normave të sjelljes individuale të njeriut për të patur të siguruar statusin e qytetarit, që respekton sistemin e vlerave morale dhe mekanizmin e përbashkët të jetës sociale. Sipas tij qytetërimi nuk mund të ndërtohet me parimet e deformuara të “njeriut vulgar” apo devijancat e njeriut asocial, që po dëmtojnë sitemin e vlerave morale, duke e thelluar “hemoragjinë vlerore” në përmasa kritike. Sipas autorit tendenca regresive e zgjerimit të individualizmit pa cak, konceptimi anarkist i lirisë, mungesa e përgjegjësisë sociale të individit, jo vetëm po ndikon sikurse thotë ai, në dobësimin e “bërthamës sociale” por edhe në shfaqjen e një lloji shqetësues të “infarktit social”. Autori mendon se është koha kur të gjithë si shoqëri, institucionet sociale dhe të sigurisë morale (familja, shkolla, media, politika, shteti, etj) të angazhohen në ndërtimin e një “Projekti Qytetarie”, si mënyra e vetme e mundshme për të përballuar sfidat e përmirësimit të “shëndetit të shoqërisë” shqiptare. E cila sipas Gëzim Tushit është detyrë madhore, integrale dhe e lidhur në mënyrë kompakte me veprimtarinë e gjithë faktorëve dhe aktorëve politikë e sociale, shoqëror dhe individual…

Filed Under: Sociale

Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror

February 3, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Shtypja serbe në Kosovë përfaqësonte një regjim të ndërthurur hegjemonik, kolonialist të brendshëm dhe shovinist, i cili kulmoi në represion të hapur  shtetëror dhe spastrim etnik, veçanërisht gjatë viteve 1990.

Filatelia, ndonëse shpesh trajtohet si një veprimtari koleksionuese, përbën një burim të rëndësishëm për studimin e historisë politike, veçanërisht në kontekste pushtimi, sundimi dhe asimilimi kombëtar e kulturor. Pullat postare dhe zarfat e ditës së parë të emetimit (FDC), të krijuara formalisht për komunikim postar ose për përdorim koleksionist, në rrethana të caktuara shndërrohen në mjete të bartjes së ideve politike, nacionaliste dhe racore. Në rastin e Kosovës, filatelia serbe dhe jugosllave ofron shembuj domethënës të përdorimit të simboleve postare për legjitimimin e pushtimit dhe për përhapjen e ideologjisë serbomadhe.                                                        

Ky shkrim analizon tre objekte filatelike të vendosura në vijë kronologjike, me synimin për të kuptuar mënyrën se si filatelia është përdorur për të ndërtuar, forcuar dhe radikalizuar pamjen politike serbe mbi Kosovën.

Fig.1 (1939)  

Zarfi perkujtimor dhe njeheresh i qarkulluar i vitit 1939 ne fig.1, i lëshuar me rastin e 550-vjetorit të Betejës së Kosovës, i përket fazës kulmore të filatelisë së Mbretërisë së Jugosllavisë. Përvjetori lidhet me Vidovdanin, një datë e shume vlersuar historike dhe fetare në kulturën politike serbe, ku beteja e vitit 1389 interpretohet jo si humbje ushtarake. Beteja e humbur kundër Perandorisë Osmane, e zhvilluar nga një koalicion ballkanik, përbën një rast pothuajse unik ne bote, ku humbja ushtarake është mitizuar dhe shndërruar në vlerë morale dhe shpirtërore, e kultivuar për shekuj në diskursin shtetëror serb. Historikisht, rikthimi te ky mit në prag të Luftës së Dytë Botërore synonte krijimin e një ndjenje vazhdimësie dhe stabiliteti simbolik në një Evropë të thellësisht të trazuar. Historia mesjetare u përdor për të justifikuar pushtimin dhe kontrollin shtetëror mbi Kosovën, duke e paraqitur atë si hapësirë “historikisht serbe”. Politikisht imazhi ne fig.1 është produkt i ideologjisë shtetërore të kohës, e cila kërkonte të konsolidonte unitetin e brendshëm përmes një historie të vetme, të dominuar nga elementi serb. Titulli “Kosovska proslava”, përdorimi ekskluziv i gjuhës cirilike dhe ikonografia heroike përjashtojnë çdo prani tjetër historike dhe kulturore, duke e zhveshur Kosovën nga realiteti i saj shumetnik. Nga ana filatelike, objekti është një emetim zyrtar me funksion të plotë postar dhe koleksionues, por ngarkesa nacionaliste dhe raciste e shndërron atë në dokument politik, ne te cilen vulat përkujtimore, shenjat e regjistrimit dhe ikonografia fetare e kthejnë zarfin si mjet i shtypjes nacionaliste përmes simboleve historike. 

Fig.2 (1989)  

Zarfi i vitit 1989, i lëshuar me rastin e 600-vjetorit të së njëjtës betejë, shfaq një fazë të re dhe më agresive të përdorimit politik të filatelisë. Ndryshe nga viti 1939, ky përvjetor përkon me shpërbërjen e Jugosllavisë socialiste, rritjen e nacionalizmit serbomadh dhe krizën e thellë politike në Kosovë. Historikisht, beteja e Kosovës riaktivizohet jo më si kujtesë e largët, por si mit mobilizues, i lidhur drejtpërdrejt me ngjarjet e Gazimestanit dhe me politikat shtypëse ndaj shqiptarëve të Kosovës, ne te cilen e kaluara përdoret për të justifikuar veprime konkrete pushtuese në të tashmen. Politikisht fig.2 përfaqëson një shkallëzim të instrumentalizimit të histories, ne te cilen miti shërben për të forcuar pushtimin, për të nxitur ndjenja nacionaliste dhe për të legjitimuar një rend përjashtues, të mbështetur në racizëm dhe dominim etnik. Ikonografia e betejës, gjuha cirilike dhe përzgjedhja e Prizrenit si vend simbolik për vulën postare krijojnë hapësirë ku realiteti historik dhe shumetnik i Kosovës fshihet qëllimisht. Nga këndvështrimi filatelik, fig.2 është një zarf përkujtimor zyrtar (FDC), i pajisur me pullë prej 500 dinarësh, vulë speciale dhe ilustrime të monumenteve fetare, megjithatë, funksioni i tij kryesor nuk është qarkullimi postar, por shërbimi i drejtpërdrejtë i propagandës politike dhe i një interpretimi të shtrembëruar të historisë.Krahasimi me fig.1 tregon një vijimësi ideologjike të qartë, në vitin 1939 miti shërben për konsolidim identitar te rreme, ndërsa në vitin 1989 ai shndërrohet në instrument mobilizimi dhe përgatitjeje për konflikt.

Fig.3  

Fig.3 paraqet një variant me mbishtypje të pullës së vitit 1989, mbi të cilën është shtuar shprehja “Kosova është Serbi” dhe është ndryshuar vlera nominale nga 500 dinarë në 15,00. Ky objekt nuk është më produkt i drejtpërdrejtë i postës shtetërore, por rezultat i ndërhyrjeve private ose politike jashtë institucioneve zyrtare. Nga ana filatelike, fig.3 nuk ka status postar,sepse nuk ekziston dokumentacion zyrtar per kete mbishtypjeje. Për rrjedhojë, ai klasifikohet si variant jozyrtar, pa vlefshmëri postare, por me interes të lartë studimor, per te arritur ne perfundimin, qe pikërisht kjo mungesë zyrtarizimi tregon se filatelia mbetet e ekspozuar ndaj manipulimit ideologjik edhe pas daljes nga kontrolli shtetëror. Historikisht, ndryshimi i vlerës lidhet me hiperinflacionin ekstrem të Jugosllavisë në vitet 1990–1994, duke e kthyer pullën në dëshmi të kolapsit ekonomik dhe institucional të shtetit serb. Politikisht, slogani i drejtpërdrejtë “Kosova është Serbi” përfaqëson një radikalizim të plotë të diskursit nacionalist serb. Ndryshe nga fig.1 dhe fig.2, ku pretendimi territorial maskohet përmes mitit historik dhe simbolikës fetare, këtu ai shfaqet hapur, si pohim përjashtues dhe racist. Ky kalim dëshmon se nacionalizmi serbomadh, në kushte krize politike dhe shoqërore, braktis gjuhën e tërthortë simbolike dhe kalon në deklarata të drejtpërdrejta, të zhveshura nga çdo përpjekje për legjitimim diplomatik. Analiza e fig.1, fig.2 dhe fig.3 tregon se filatelia nuk është një fushë neutrale, por një hapësirë ku historia, politika dhe pushteti ndërthuren. Nga përkujtimi ceremonial i vitit 1939, te mobilizimi nacionalist i vitit 1989 dhe deri te ndërhyrjet propagandistike te nacionalizmit ekstrem të viteve ’90, këto objekte filatelike, dëshmojnë vijimësinë e një ideologjie pushtuese dhe asimiluese ndaj Kosovës. Në këtë kuptim si dokumente te prekshme te nacionalizmit dhe racizmit serbomadh dhe politikave te tij per dominim kulturor i lejon studiuesit të zbërthejnë dhe të denoncojnë mekanizmat simbolikë të pushtimit dhe përjashtimit.

Filed Under: Sociale

Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët

January 31, 2026 by s p

Intervistë e gazetarit Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

1. Cili është qëndrimi juaj për kodin e ri penal të miratuar së fundmi sa i takon dekriminalizimit të fyerjes dhe shpifjes? Përpos kërkesës për dekriminalizim të plotë, fyerja mbetet ende vepër penale.

Për të qenë korrekt duhet thënë se dekriminalizimi i fyerjes dhe shpifjes është kryer 14 vite më parë, pas disa ciklesh konsultimesh dhe dialogimesh me grupe interesi dhe me strukturë tjetër përfaqësimi parlamentar mes pozitës dhe opozitës politike në vend.

UGSH ka qenë një aktor i përfshirë në dialogim, konsultim dhe recencë drejtformuluese. Në sipërmarrjen e tanishme UGSH nuk është përfshirë. Ka refuzuar për shkak të shpërfilljes dhe përdorimit formal nga Komisioni Parlamentar për Edukim dhe Informim.

Për mendimin tonë edhe disa organizata apo individë që pretendojnë se përfaqësojnë netëorke organizatash rajonale, kanë gabuar në mënyrën e qasjes së tyre ndaj procesit të iniciuar nga shumica politike parlamentare.

Dekriminalizimi I fyerjes dhe shpifjes i kryer nga Kuvendi si amendim ligjor 14 vite më parë nuk parashikonte dënim me burgim. I quante edhe shpifjen edhe fyerjen vepër penale, por të dënueshme vetëm me gjobë. Nëse do të ishin hequr nga Kodi Penal, atëhere mund të përdorej vetëm termi depenalizim. Por ai amendim u krye në përputhje me realitetin dhe qëndrimet juridike në bashkësinë europiane.

Me ndryshimet aktuale ne mendojmë se është rënduar penalizimi i shpifjes dhe kjo ndoshta si reagim ligjbërësish nga kërkesa populiste dhe prej disa OJQ-sh, për depenalizim dhe kjo sjell risqe veçanërisht për gazetarin dhe freelance-n, sidomos ndaj kërkesave të organit të akuzës ose gjyqësorit për verifikimin e burimeve.

Legjitimimi juridik I depenalizimit të shpifjes, me këtë amendim të 21 janarit 2026 jo vetëm që nuk është kryer, por ka sjellë risk posaçërisht për gazetarin raportues e sidomos atë investigues.

2. Sipas kodit të ri penal, edhe dekriminalizimi i shpifjes vjen i kufizuar për gazetarët, pra bazuar në status, vetëm për gazetarë të regjistruar dhe të njohur. A e shihni këtë si një tentativë për të rregulluar profesionin e gazetarit?

Personalisht kam qenë dhe jam pro nenit të mëparshëm të Kodit Penal. Ishte një garanci kryesisht për shprehjen e lirë, për dinjitetin e individit profesional dhe pse jo edhe për median në tërësi. Tashmë me ndryshimin risku i penaliteteve është i lartë. Pas amendimit të tanishëm, organet e drejtësisë kanë legjitimitet për të depërtuar nëpër thellësitë e procesit vetiak të reporterit, kryesisht reporterëve investigativë etj.

Ndryshimet e miratuara nuk e kanë dekriminalizuar tërësisht shpifjen dhe fyerjen për të gjithë personat, por vetëm për një mënyrë të kufizuar sipas statusit profesional.

Në nenet e amenduara lihet ambigue çështja e regjistrit për regjistrimin e gazetarëve, duke mos përcaktuar se nga kush dhe me cilat atribute?!

Dhe ky amendim imponohet në kushtet e një vakumi tronditës inekzistent të strukturave dhe mekanizmave ekzekutivë vetërregullues.

Kush i çertifikon? Kush u njeh kualifikimin? Kush u konfirmon meritokracinë profesionale dhe u vlerëson karrierën gazetarëve, sidomos aftësinë dhe kualifikimin? Cili është ai organ, institucion apo organizëm vetërregullues që e ka kryer në mënyrë të unifikuar për gjithë komunitetin e gazetarëve këtë? etj…etj..

Ju përdorni termin “status”, cili është ky status? Kush e ka përcaktuar? Në ç’dokument zyrtar dhe të pranuar unifikisht ekziston?!

Në ligj nuk ka vlerë nënkuptimi.

3. Neni nuk e përcakton se cili institucion do të regjistrojë gazetarët, por thotë sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa jemi në kushtet që nuk kemi një ligj që rregullon profesionin apo regjistron gazetarët. Pra, duket i pazbatueshëm në këtë pikë. A e shihni këtë si një kornizë konceptuale që kanë institucionet për ta çuar në të ardhmen në një format ligjor për të rregulluar profesionin e gazetarit?

Së pari profesioni ynë nuk konsiderohet ligjërisht profesion. Deontologjikisht ky është term i mbetur në diskutim të hapur.

Mediologjia njeh dy përcaktime: zanat dhe profesion. Nuk ka se si dhe nuk mund ta ketë atributin “çertifikues” për gazetarët një institucion publik e aq më keq shtetëror, qoftë ky edhe ent.

Në komunitetin tonë prej 35 vitesh ka dy qasje antagoniste për rregullimin:

Ka dominuar refuzimi kategorik për mospërfshirjen e gazetarisë në legjislacionin e profesioneve të rregulluara dhe opcioni tjetër përmes Urdhrit të paqenë të Gazetarit në Shqipëri.

Natyrisht e shoh premisën për domosdoshmërinë e një formatimi ligjor për rregullimin e statusit social të gazetarit në vend.

Por jo për këtë shkak që lidhet me amendimin e fundit të Kodit Penal.

Personalisht dhe organizata ku jam pjesë, kemi bindjen se vetëm Vetërregullimi i strukturuar dhe me gjithëpërfaqësim është alternativa e duhur dhe projekti i vyer për ta realizuar këtë rregullim.

4. Në gjykimin tuaj, statusi i gazetarit i shërben apo jo gazetarit? Çfarë sjell për sektorin?

Statusi i gazetarit është një nocion disi abstrakt.

Në diskutimin prej gati 35 viteve për këtë çështje në vend, janë ballafaquar dy modele: modeli italian i Urdhërit të Gazetarëve dhe modelet europiane të vetërregullimit përmes mekanizmave ekzekutivë vetërregullues, ku përgjithësisht nënkuptohet trinia e Kodit Etik-Këshilli Vetërregullues dhe Bordet Ekzekutivë Vetërregullues.

Ne nuk kemi patur dhe nuk kemi asnjë prej tyre.

Këto dy modele mund të sjellin statusin e gazetarit, i cili natyrisht u shërben gazetarëve dhe mediave si pushtet në një shoqëri.

Nëse strukturohen dhe vihen në veprim këto, qoftë modeli i pari apo i dyti, atëhere në sektorin mediatik do të kemi padyshim shumë, shumë ndryshime dhe dalje nga krizat që e kanë shembur dhe e mbajnë në kënetizim besueshmërie, ndikimi, veprimi, mosmëvetësie dhe keqpërdorimi funksionin e medias dhe dinjitetin e gazetarit në këtë vend.

5. A përjashton ky status gazetarët e pavarur (freelance)? Çfarë pasojash ka për pluralizmin e medias dhe lirinë e shprehjes?

Çdo status i munguar dhe sidomos i papërcaktuar, përjashton.

Ky amendim i sapokryer i Kodit Penal në nenet që lidhen me mediat dhe fyerjen dhe shpifjen për organizatën tonë UGSH është; i paplotë dhe me vakume, me hallka të paqena në zinxhirin e legjislacionit dhe sidomos në atributet ekzekutive të cilat janë të papërcaktuara në këtë Kod Penal.

Pasojat janë në disa plane: mbi pluralizmin e shprehjes dhe raportimit, mbi lirinë vetiake të shprehjes dhe raportimit prej individit profesional në gazetari, mbi mediumet dhe sidomos mbi editorin,( i cili në Shqipëri ka varësi totale për çensurim dhe vetëçensurim, por asnjë status dinjiteti apo editorimi mbi kritere profesionale, por pendul në varësi të urdhëruesit pronar apo administratorit të medias).

Freelanc-a në Shqipëri nuk ka status, nuk ka përcaktueshmëri dhe nuk njihet si kategori profesionale. Përderisa nuk njihet, jeton totalisht në pambrojtje dhe në realitet informal.

6. Organizatat e medias në vend i mëshojnë vetërregullimit dhe mbikëqyrjes së pavarur dhe jo krijimit të mekanizmave të varura nga shteti për njohjen e gazetarëve apo rregullimin e profesionit? Si e shihni këtë dhe sa mendoni se do të ndikojë aspekti politik në këtë proces?

Ky është mëshim pa ndikim dhe pa impakte potenciale vetëvepruese. Organizatat e gazetarëve, duhet thënë se proceset e përbashkëta dhe të unifikuara të vetërregullimit në Shqipëri, i kanë një betejë vijueshmërisht të humbur. Ka aktorë që kanë suksese të pjesshme apo edhe kampionë historie suksesi për donatorë apo projekte të financuara sikundër është Këshilli Shqiptar i Medias. Por nuk kemi një arritje të përbashkët dhe gjithëpranuese në këtë proces. Nuk kemi një histori suksesi, por përkundrazi një histori dështimi për krejt realitetin dhe skenën multimediale aq inflacioniste që ka ky vend.

Për mendimin tim, por edhe sipas pikëpamjes që ndan UGSH, problemi është tek mungesa e një strukture unifikuese(!).

Ne nuk kemi gjetur përkrahjen, as refuzimin e as pohimin, për propozimin e ripërsëritur dhe të publikuar, sipas të cilit nevoitet një strukturë e tillë:

Mbajtja e Kongresit Kombëtar të vetërregullimit mediatik.

Ky kongres zgjedh Këshillin Kombëtar Vetërregullues.

Këshilli Kombëtar zgjedh dy mekanizmat ekzekutivë vetërregullues si Këshillin dhe Bordin Ekzekutiv Vetërregullues.

Kjo arkitekturë përfshin çdo organizatë, çdo entitet dhe grup interesi, përfshi edhe ente apo struktura monitoruese që ka skena e shoqërisë sonë dhe i japin vullnet, legjitimitet dhe forcë vepruesese strukturës profesionale kombëtare vetërregulluese.

Por diversiteti dhe sidomos tendencat për protagonizëm vetiak ndër të tjerash e pengojnë këtë realizim dhe procesin që kemi kohë që e humbasim.

P.S: Kjo intervistë iu dha koleges Erisa Kryeziu, pranë medias online Citizens.al, e cila u botua në pazazhe në këtë media. Po e publikojmë të plotë si një arsyetim më të plotësuar të pikëpamjes që ndajmë për kolegët dhe publikun në kuadër të debatit dhe diskutimeve që pasuan

Filed Under: Sociale

Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

January 20, 2026 by s p

Mihal Ciko

Gazetar/

Pjesa II e trilogjisë mbi gjuhën dhe diasporën shqiptare/

Në një kohë kur shqipja po zbehet gjithnjë e më shumë në diasporën shqiptare, ekziston një përjashtim domethënës që nuk mund të injorohet: diaspora kosovare. Në shumë vende të Europës dhe më gjerë, kosovarët vazhdojnë ta flasin, ta transmetojnë dhe ta mbrojnë shqipen edhe te brezat e rinj.

Kjo nuk është rastësi. Është pasojë e historisë.

Për kosovarët, gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë e vetëkuptueshme. Ajo është ndaluar, përjashtuar dhe përndjekur. Ka qenë shenjë identiteti, por edhe arsye ndëshkimi. Pikërisht për këtë arsye, shqipja nuk u përjetua si diçka që “do të ishte aty gjithmonë”.

Kur një komunitet e kupton se gjuha mund t’i merret, ai mëson edhe ta ruajë.

Diaspora kosovare nuk e mori shqipen me vete si element folklorik, por si vijë mbrojtjeje.

Familja si bastion i shqipes

Në diasporën kosovare, familja mbetet hapësira kryesore e gjuhës. Shqipja flitet në shtëpi, në komunikimin e përditshëm, në marrëdhënien prind–fëmijë. Kalimi në gjuhën e vendit pritës ndodh, por jo duke zëvendësuar shqipen.

Kjo nuk është thjesht zgjedhje personale. Është normë e heshtur komunitare. Prindi që nuk ua transmeton fëmijëve shqipen nuk shihet si “modern”, por si i shkëputur.

Në këtë kuptim, familja kosovare në diasporë funksionon si institucion gjuhësor, jo si hapësirë e paqëndrueshme.

Komuniteti që e mban gjuhën gjallë

Ndryshe nga shumë pjesë të diasporës shqiptare, diaspora kosovare ka ndërtuar struktura reale: shkolla shqipe, shoqata aktive, media komunitare, aktivitete të rregullta kulturore dhe fetare.

Shqipja nuk mbetet vetëm brenda mureve të shtëpisë. Ajo dëgjohet, përdoret dhe normalizohet në hapësira publike. Kjo i jep gjuhës funksion shoqëror dhe e bën pjesë të jetës së përditshme të fëmijëve.

Një gjuhë që ka hapësirë publike, ka të ardhme.

Ideologjia e rezistencës

Në thelb të këtij modeli qëndron një ideologji e qartë: shqipja nuk negociohet. Nuk justifikohet, nuk relativizohet, nuk shtyhet për më vonë.

Mesazhi është i thjeshtë:

“Nëse humbim gjuhën, humbim veten.”

Kjo vetëdije nuk është produkt i fushatave apo strategjive shtetërore. Është përvojë e jetuar. Dhe pikërisht për këtë arsye është e fortë.

Shembulli i diasporës kosovare rrëzon një nga justifikimet më të përdorura: se asimilimi gjuhësor është i pashmangshëm. Nuk është.

Dallimi nuk qëndron te vendi ku jeton diaspora, por te mënyra si e koncepton gjuhën: si barrë, apo si vijë mbrojtjeje.

Diaspora kosovare tregon se ruajtja e shqipes është e mundur edhe larg atdheut, edhe nën presion të fortë integrimi. Kërkon vetëdije, strukturë dhe bindje.

Në një kohë kur flitet shumë për diasporën shqiptare, ndoshta është momenti të shikojmë aty ku gjuha nuk po humbet – dhe të pyesim veten pse.

Sepse një diasporë që mbron gjuhën, mbron edhe të ardhmen e saj.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT