• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Federata Pan-Shqiptare e Amerikes “VATRA” mbajti Kuvendin Vjetor në Jacksonville – Florida

May 4, 2015 by dgreca

Kryetar u ri-zgjodhë me aklamacion Dr. Gjon Buçaj/
Nga Beqir SINA-nga Jacksonville, Florida/
JACKSONVILLE FL : Kuvendi Vjetor i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA, u mbajt kësaj radhe për herë të parë pas çerek shekulli, jashtë Nju Jork-ut, shtetit ku është aktualisht edhe qendra e Vatrës, prej transferimit të saj nga Bostoni Nolian. Ky kuvend për koicindencë, u mbajt në qytetin Jacksonville të Floridës, jo shumë larg vendit, ku është edhe sot shtëpia, ku mbylli sytë imzot Nolit në Fort Lauderdale të Florida-s, shtëpi që Federata Pan Shqiptare “Vatra”, i pat blerë si dhuratë peshkopit shqiptar më 1954.
Në këtë Kuvend, morën pjesë rreth 100 delegatë dhe të ftuar, nga Nju Jorku, dhe zona e “Tri Shteteve”< NJ, CT, Detrioiti, Uashingtoni, Florida, Bostoni, Çikago, Toronto, Pensillvenia, dhe Karolina e Veriut. Kuvend i 2 Maj 2015, në Jacksonville (Ramada Jacksonville/Baymeadows Hotel & Conference Center ), u mbajt në një frymë tejet demokratike, ku nuk munguan edhe debatet e forta konstruktive, nga ana e kryetarëve të degëve dhe disa delegatëve. Kuvendin e dretojë në cilësinë e Kryetarit të këtij Kuvendi profesor Mithat Gashi me dy ndihmësit e tij, zoterinjte Ali Lushnja, e Kujtim Porja. Kuvendi i Vatrës, i nisi punimet në orën 9-të mëngjesit, simbas rregullores së përcaktuar nga Kanunorja- (Kushtetuta) e saj. Mbas zgjedhjes së Komisionit, prej tre vetësh, për verifikimin e kredencialeve të delegatëve, Kryetari i Kuvendit të Vatrës, u votua professor Mit'hat Gashi, sekretarë u zgjodhën Merita Bajraktari-McCormack, dhe Naze Veliu, të cilët ndoqën dhe procedurën e këtij Kuvendi në bazë të Kanunores së federatës VATRA. Më pas u kënduan Hymnet kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë nga këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci. Kurse, udhëheqësi i këtij Kuvendi, kryetari, Profesor Mit'hat Gashi, kërkoi që me një minutë heshtje të pranishmit të nderonin të gjithë të rënët e Kombit amerikan dhe të Shqipërisë. Anëtari i kryesisë së Vatrës, zoti Zef Bala, një veprimtar i njohur, dhe anëtari i Bordit të Drejtorëve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, solli një përshëndetëje të veçantë në këtë Kuvend, drejtuar punës së Kuvendit Kombëtar të Vatrës, në emër të presidentit të saj ish kongresitit Joe DioGuardit, i cili udhëheq lobin e parë shqiptar në Amerikë, dhe të vetëmit dedikuar çështjes kombëtare shqiptare në SHBA. "Ju lutem përcillni urimet e mia më të mira, për Vatrën dhe kryetarin e saj dr Bucaj si dhe anëtarët e tjerë të Bordit të Vatrës me rastin e Kuvendit që po mbahet në Florida, duke ju uruar punë të mbarë, thuhej në mesazhin e DioGuardit. " Ne së bashku kemi shumë për të bërë, theksohej në mesazh, për të ndjekur atë rrugën historike të kombit shqiptarë. Luftën për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar, 15.000.000 shqiptarëve në botë, duke përfshirë 7.000.000 në Ballkan, 3.500.000 në Shqipëri dhe 750.000 në SHBA, dhe le të mos harrojmë 250,000 arbëresh në Itali, që prej nga koha e Skënderbeut, të cilët presin ma shumë nga kombi shqiptarë, deri në bashkimin tonë kombëtarë". Punimet e Kuvendit të Vatrës, nisen me raportin e kryetarit dorëheqës, Dr. Gjon Buçaj, duke vijuar me raportin mbi gjendjen financiare nga Arkëtari i deritanishëm, z. Marjan Cubi, i cili foli edhe për raportin e Fondacionit "Vatra Foundation, Inc.". Raportii i Fondit të Studentave "Vatra Educational Foudation", u mbajt nga z. Mithat Gashi dhe së fundi ka qenë raporti i Editorit të gazetës "Dielli", z. Dalip Greca. Më pas kryetarët e Degëve të Vatrës- folën mbi aktivitetet e degeve, cilat ishin arritjet e degëve gjate mandatit që shkoi dhe cilat janë objektivat e degëve të tyre deri në kuvendin e ardhshëm. Më pasë ata kaluan në diskutimet e tyre duke dhanë dhe disa propozime për propozimet në ndryshimet në Kanunoren e Vatrës. Propozimet të gjitha kaluan me votimin nga delegatët e rregulltë, ashtu, siç i parasheh Kanunorja e vjetër, të shoqëruara me pyetje, spjegime dhe rekomandime mbi raportet dhe aprovimi i tyre. Në pika mjaft të rëndësishme e morën fjalën Kryetarët e Degëve të Vatrës në të gjithë territorin e SHBA, duke filluar nga : Dega Washington DC, Znj. Merita Bajraktari-McCormack, Dega Michigan, z. Alfons Grishaj , Dega South Florida, z. Kolec Ndoja, Dega Hudson Valley, z. Pashko Camaj, Dega Jacksonville, Florida, z. Adriatik Spahiu, Dega Hartford, CT, prof. Prend Çeta, Dega Orlando, Fl. znj. Florisiana Ahmetaj-Metollari, Dega Tampa, Fl., z. Tasim Ruko Seanca e parë e Kuvendit të Vatrës, vazhdoi punën e saj, me mesazhe përshëndetëse nga dy veteranët e Vatrës, Zef Përndocaj, dhe Zef Balaj, z. Asllan Bushati, Naze Veliu dhe Adriatik Zoto. Një përshendetje majft të ngrohtë, u solli vatranëve në këtë kuvend, Dr Ana Kohen Presidente e organizatës së Gruas Shqiptare Motrat Qiriazi" Gjatë senacave çdo propozim për ndryshim në Kanunore, dhe vendosjen e rregullores së re, u votua dhe kaloi me shumicë votash. Propozimet e degeve kalaun nëpër një proces të shoqëruar jo vetëm nëpërmjet debatesh të forta - por edhe kundërshtive -"përlasjeve", deri në atë të gjetjes së konsuesit në disa raste. Mbasi ishte bër më parë dorëheqja, u vazhdua me shpalljen e kandidaturave(propozimeve), pas asaj të kryetarit të dorëhequr, dr Gjon Buçaj, duke nisur edhe proceduara e zgjedhjes së kryetarit. Gara për kryetar të Vatrës, nisi me vetëm një kandidat – Dr Gjon Buçaj, të propozuar, nga veterani i Vatrës, anëtari i kryesisë zoti Zef Përndocaj, mbasi nuk pati asnjë kandidatur tjetër të paktën të shpallur në Kuvend. Kryetari i mandatit të kaluar, Dr Gjon Buçaj, u zgjodh me aklamacion - duke zgjedhur më pas sipas Kanunores, edhe drejtuesit e lart të Vatrës për një mandat të dytë dhe të fundit.Në këtë mynyrë Kuvendi i Vatrës, votoi unanimisht dr. Gjon Buçajn si kryetar të Vatrës, deri në Kuvendin e ardhshëm.. Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj me këtë rast shpalli edhe listën e zyrtarëve të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, e cila organizoi Kuvendin më 2 Maj 2015 në Jacksonville - Florida. Pas nisjes së konsultimeve, dr. Bucaj tha se lisa e zyrtarëve të lart që i përkasin strukturave të Vatrës, vazhdon me dy nën kryetar : zotin Agim Rexhaj, dhe Asllan Bushati, secretar i Përgjithëshëm: Nazo Veliu, sekretar i thesarit (arkatari) Marjan Cubi, President of Vatra Foundation, Inc. Dr. Nexhat Kalici, President of Vatra Educational Foundation Prof. Mithat Gashi dhe Editor i gazestës “Dielli” Dalip Greca. Dr. Gjona Buçaj, mbasi ri-mori detyrën e kryetarit, shpalosi pikpamjet e tij për Vatrën, duke u folë gjerësisht për të ardhmen e Vatrës, në kushtet e një zhvillimi dhe përparimit të saj, me qëllim, intensifikimin e përpjekjeve për gjallërimin e aktivitetit të Federatës më të vjetër të shqiptarëve në diasporë., Me këtë rast Kuvendi i Vatrës, vlerësoi kontributin e dr. Gjon Buçaj, i cili realisht ka qenë një ndihmës i afërt i kryetarit Karagjozi, dhe ka kryer disa vite detyrën e nën/kryetarit të Vatrës, dhe është treguar i palodhur dhe i përkushtuar. Kryetari i ri-zgjedhur për edhe një mandat të dytë, i cili sipas Kanunores është i fundit për Dr. Gjon Bucaj,në fjalën përmbyllëse falënderoi të gjithë vatranët për besimin që i dhanë, duke e ngarkuar me drejtimin e Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm dhe përfundimin e mandatiti të tij. “I vetëdijshëm për përgjegjësinë e rëndë të kësaj detyre,” shtoi ai, ” e pranoj duke u mbështetur në besimin e të gjithë Vatranëve se do të punojmë edhe më shumë së bashku për realizmin e të gjtiha premtimeve që dhamë për Vatrën“. Ky Kuvend si në të kaluarën ka shprehur edhe një her një vlerësim të merituar për z. Agim Karagjozi, i cili e ka nderuar dhe e ka udhëhequr me përkushtimin e tij atdhetar dhe kombëtar Vatrën e kolosëve të kombit shqiptarë. Zoti Karagjozi është President Nderi i Vatrës, për dy dekada ka qenë kryetar historik i Vatrës, dhe për 55 vjet një vatran, i flakët duke ia kushtur gjithë jetën çështjes Kombëtare, kujtohet më dashuri dhe respekt në rradhët e vatranëve bashkë luftëtarve të tij. Për nder të mbylljes me sukses të punës së Kuvendit të Vatrës, në lokalin e bukur Ramada Jacksonville/Baymeadows Hotel, u shtrua një darkë. Gjatë darkës iu dha çmimi“AWARD OF MERIT” kryetarit të degës së Jacksonvillit zotit Adriatik Spahiu dhe disa vatranëve, të dalluar për merita në vitet e fundit.Me këtë rast duhen thënë fjalë miradie për mikëpritësit e këtij Kuvendi, të cilët ishin Vatranët e Degës Jacksonville, për organizmin mjaft të bukur dhe dinjitoz .

Filed Under: Vatra Tagged With: Beqir Sina, dr, Gjon Bucaj, Jacksonville, Kuvendi i Vatres

NJE JETE E NDARE ME DYSH

May 4, 2015 by dgreca

Nga Avdulla Kenaci/
Portret/
Një bashkatdhetar i përkushtuar pas Shoqatës, Tasim Ruko në Florida, punëtor i palodhur, bujar dhe zemërhapur që nuk bën hije vetëm për vete. Dëshira e tij më e madhe; t’i shikojë shqiptarët të bashkuar. Zjarri i “Vatrës” të qëndrojë përjetësisht i ndezur. – thotë ai.
Eshtë një burrë trupngjeshur, energjik dhe i qeshur, biond si një skandinav i thekur që kurrë nuk ta mbush mendjen për 55 vitet që ka mbi shpatulla. Quhet Tasim Ruko dhe është me origjinë nga Picari i Gjirokastrës. E kam njohur në rininë e tij të hershme dhe asnjëherë nuk do të ma priste mendja të takoheshim në New Port Richey të Floridës. Kisha marrë aeroplanin nga Toronto për të asistuar në 103-vjetorin e “Vatrës”. Dega e Tampa Bay është ndër më të rejat, as tre muaj jetë. Promotori dhe kryetari i kësaj dege është bashkëvendasi im, Tasim Ruko. Takohemi përzemërsisht e nisim të kujtojmë njerëzit dhe ngjarjet e së kaluarës, por unë nuk jam shumë i përqendruar në bisedë nga që për herë të parë vizitoj Floridën dhe mbetem i habitur nga gjiret me ujë të kthjellët, lartësinë e drurëve që me kurorat e tyre gjigande ndërpresin nxehtësinë e diellit tropikal dhe harlisjen e bimësisë, që nga lulet e deri tek bimët kacavjerrëse. Nuk kam parë bregdet aq të kthjellët e miqësor që kalon pranë pyjeve e shtëpive, tek këmbët e urave e themelet e restoranteve. Jemi përballë Gjirit të Meksikës, aty ku lindin rrymat e ngrohta detare dhe erërat e stuhishme kontinentale. Jemi në anën e kundërt të shtëpisë së Fan Nolit në Fort Lauderdale që Federata ”Vatra” ia bleu si dhuratë.Toka është e rrafshtë, e ndërprerë herë pas herë nga oazet me ujë të ëmbël. E kjo panoramë nuk më pëlqen vetëm mua, por edhe banorëve fillestarë që i kanë emëruar vendet me emra të tillë si Lumi Kristal, fshati Pranvera, Ujët e kthjellët, Kopshti, Liqeni Portokalle, Qyteti Diell, etj. Është një vendbanim i krijuar jo më shumë se një shekull më parë, i projektuar për shtëpitë e artistëve të mëdhenj, projekt që dështoi për shkak të depresionit të madh që nisi në vitin 1920, por nga viti 1960 e këtej, e tërë kjo zonë ka marrë një zhvillim të paparë.
E kishim fjalën tek Tasimi; ai emigroi këtu së bashku me të bijën dhe bashkëshorten, Xhinën. Amerika e tërhoqi duke kërkuar gjurmët e gjysh Imerit, i arratisur nga Shqipëria me 1945. Bashkëshortja iu bashkua në udhëtim nga që edhe ajo vinte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Ishin të dy plot ëndërra dhe dëshira për t’u bërë të pasur. Por duhej punë dhe ata nuk iu kursyen asaj. Tasimi dinte të shtronte pllaka e të suvatonte, por i duhej një ndihmës dhe zgjodhi pikërisht bashkëshorten e tij. Xhina është një labe me karakter të fortë, e heshtur, por rezistente. Mësoi gjuhën angleze, makinën dhe të shoqit shumë shpejt i vodhi profesionin. Tashmë, pas 23 vjetësh punë, ajo është bërë një mjeshtre e vërtetë. Qeshim të dy me Tason kur një kliente e merr në telefon dhe i thotë se nuk dua të më shtrojë pllakat një grua, më dërgo një burrë.
– Çudi, thotë Tasimi i menduar, është hera e parë që më ndodh kjo. Realisht këtu nuk ka paragjykime, ka gra treniste, shofere traku, police, çfarë nuk ka?! Do shkoj vetë ta shoh në vend si qëndron puna…
Ata të dy së bashku kanë krijuar një kompani të vogël ndërtimi. Njihem me punëtorët të cilët sillen shpenguar në sytë e tyre, shumica janë shqiptarë nga Kosova. Përparim Murati ka më shumë se tre vjet që punon në këtë kompani, ai dhe Bashkimi i zotërojnë gjithë zanatet që kërkon një shtëpi për t’u rinovuar apo ngritur nga themelet.
– Ndjehemi mirë duke punuar me Tason – thotë Përparimi i cili ka mbaruar në Kosovë shkollën për jurist – ai është njeri i drejtë dhe i arësyeshëm, mikut i thotë mik me plot kuptimin e fjalës. Ka rreth të madh shoqëror, e respektojnë të gjithë dhe pranë tij kurrë nuk mbetesh pa punë.
Një fakt interesant; Llukan e Marika Dashi, me profesion rrobaqepës, të dy me origjinë nga Fieri, në asnjë rast, në asnjë sebep familjar, nuk e lënë pa ftuar Tasimin dhe bashkëshorten e tij, Xhinën. Ata lanë shumë punë që kishin nëpër duar dhe morën pjesë në gëzimin e tyre, në ditëlindjen e Llukanit që u festua këto ditë. Por jo vetëm ata….
Shtëpia bujare e Tasimit është e madhe dhe e bollshme, me shumë tokë rrotull, me pishinë, pemë, lule e bar, por aty sipër në një kënd janë rrethuar me rrjetë teli pulat dhe lepujt. Më tej jeshilon kopështi nga ku merren zarzavate të freskëta. E çfarë nuk bën toka e Floridës e cila mund të mbillet dy herë në vit.
– Kjo shtëpi kurrë nuk mbetet pa miq. Mikpritja nuk është vetëm traditë, por edhe kënaqësi. – thotë nusja e djalit, Rrezarta e cila është banorja më e re e New Port Richey. Ajo ka mbaruar juridikun në Shqipëri, por ende nuk është integruar sa duhet sepse kujdeset për bebin e vogël i cili ka lindur në një kohë me krijimin e Shoqatës “Vatra” këtu në Tampa Bay.
Përpara shtëpisë së Tasimit, çdo mëngjes unë shikoja një veturë që ka të stampuar nga të dy anët me shkronja të mëdha fjalën Sherif.
– Është makina e tim biri, qëlloi që punon natën dhe kthehet afër mëngjesit. – më spjegon Tasimi – I thashë të merrej me drejtimin e kompanisë, por atij i pëlqen ky profesion. Ka bërë shkollë pas shkolle. Është profesion i nderuar, por me rreziqe. Para ca kohësh banditët e vranë një polic. Ai ishte i vjetër e me përvojë, por shkeli rregullat, shkoi vetëm në vendngjarje.
Unë ia them këtë ngjarje edhe të birit, por Elvini buzqesh e më thotë:
– Jo, nuk ka asnjë rrezik, gjithëçka bën vaki, por ka rëndësi të njohësh terrenin dhe me kë ke të bësh. Kriminelët nuk janë aq trima sa ngjajnë në filma. Bota e tyre është ndryshe nga ajo e njerëzve normalë, por ne pikërisht për këtë trainohemi. – flet ai me një shqipe të rrjedhëshme edhe pse ka ikur shumë i vogël nga Shqipëria, ndrysha nga e motra, Lorena, infermjere që e ka ka shumë të lehtë të shprehet në anglisht.
Rrotullohemi nga rrotullohemi e përsëri flasim për Shqipërinë. Gjysma e jetës së Tasimit ka kaluar pikërisht aty. Ka kujtime, por edhe shumë brenga. Familja e tij ishte e cilësuar armike e pushtetit popullor. Tasimi, djalë energjik, plot ëndërra, i kishte rrugët të mbyllura. Shkruheshin kundër pushtetit parrulla në mure, pemë apo fletushka dhe sigurimi dyshimin e parë e kishte ndaj tij. U largua nga fshati dhe për gjashtë vjet punoi në punët më të vështira, në Ndërmarrjen e Bonifikimit. Aty, edhe pse flinte keq, në çadra dhe ushqehej në menca kolektive, njohu shumë shokë e miq, të persekutuar edhe ata si ai. Por çdo e mirë, ka edhe një të keqe, u bë mjeshtër në ndërtim. Ishte e vetmja rrugë për mbijetesë. Kështu u bashkua edhe me Xhinën familja e së cilës shikohej me dyshim për “lidhje me armikun e klasës”.
Amerika është plotësimi i dëshirave, të kesh një shtëpi, një makinë dhe ato i bëri shumë shpejt, por kishte ndërmend një ëndërr të madhe, të parealizuar: Një shtëpi për prindërit dhe vëllezërit më të vegjël në vendlindje. Në se ju bie rruga për në Gjirokastër, sa dilni në fushë të hapur në luginën e Drinos, aty tek kthesa e Picar- Golëmit, do të shikoni një vilë të bukur tre katëshe, mbi një kodër. Ajo është ndërtuar me shpërblimin e djersës së derdhur në Amerikë. Rrotull saj, në ngritje e sipër janë hardhi dhe pemë frutore. Gjithë sa shkojnë, pyesin dhe vendasit u thonë: “Shtëpia e amerikanit”. Me të drejtë, 23 vjet nuk janë pak në emigracion.
– Njeri i zoti është jo vetëm ai që bën hije për vehte, por edhe për tjerët – thotë Tasimi – e kam ëndërr t’i shikoj bashkëatdhetarët e mi të bashkuar, komunitet të vërtetë, ashtu si shumë të tjerë këtu. E ndezëm zjarrin e “Vatrës” edhe këtu në Tampa Bay ku jetojnë e punojnë rreth 20 mijë shqiptarë. Jam apo s’jam unë, dëshëroj që zjarri i “Vatrës” të jetë përjetësisht i ndezur.
Jo vetëm për mua, por për këdo shqiptar është kënaqësi të takosh njerëz si Tasim Ruko dhe të njohësh familjen e tij, të prekësh vlerat që ata mbartin. Ai ka ditur më së miri të orientohet në Kontinentin e madh që quhet Amerikë, ka ditur se si të ruajë e të transmetojë tek të tjerët vlerat e shqiptarit të vërtetë. Dhe nuk bën hije vetëm për vehte….

Tampa Bay, 28 prill 2015

Filed Under: Vatra Tagged With: Avdulla Kenaci, me dysh, Nje jete e ndare, Tasim Ruko

KUVENDI I VATRËS NË JACKSONVILLE U DHA FUND ME SUKSES PUNIMEVE, KRYETAR U RIZGJODHI DR. GJON BUCAJ

May 4, 2015 by dgreca

Kuvendi i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës i zhvilloi punimet të shtunën me 2 Maj në qytetin Jacksonville të Floridës. Në orën 9 të mëngjesit delegatët e zgjedhur nga kuvendet e degëve kishin zënë vend në sallën e konferencave të hotlelit Ramada.
Kryetari i degës pritëse Adriatik Spahiu ka hapur Kuvendin duke iu uruar mirëseardhjen delegatëve.
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, dr. Gjon Bucaj, përshëndeti delegatët dhe propozoi si kryetar te Kuvendit pedagogun Mithat Gashi, anëtar i kryesisë së Vatrës dhe President i Fondit të Studentëve. Emri i z. Gashi u miratua unanimisht.
Z. Mithat Gashi zgjodhi dy ndihmës, dy nënkryetarë,Kujtim Porja dhe Ali Lusnja dhe dy sekretaret e Kuvendit, sekretaren e Vatres Nazo Veliu dhe kryetaren e deges se Washington DC, Merita Bajraktari, për ta ndihmuar në mbarvajtjen e punimeve.
Këngëtari Frederik Ndoci ka kënduar Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë.
Me një minut heshtje është nderuar kujtimi i Dëshmorëve të Kombit.
Dr. Gjon Bucaj ka dhënë raportine veprimtarisë së Vatrës mes dy Kuvendeve të Vatrës. Kyretari bëri një prezantim të veprimtarive të Federatës Vatra, u ndal në bashkëpunimin me degët, veprimtaritë në qendër, fushatat e ndryshme, promovimet dhe parashtroi synimet e së ardhmes. Pas paraqitjes së raportit, sipas Kanunores së Vatrës, dr. Bucaj, deklaroi dorëheqjen nga posti i kryetarit.
Arkëtari i Federatës Vatra, njëkohësisht anëtar i Kryesisë, z. Marjan Cubi paraqiti raportin e arkës së Vatrës mes dy Kuvendeve, ku solli shifrat e të ardhurave dhe shpenzimeve, duke përfshirë dhe Gazetën Dielli.
Në mungesë të presidentit të VATRA FOUNDATION INC. Dr. Nexhat Kaliqi, ka folë Marjan Cubi.
Një raport të shkurtër për “Vatra Educational Foundation” ka paarqitur presidenti këtij Fondi, z. Mithati Gashi.
Editori i Diellit Dalip Greca ka paraqitë raportin e Gazetës Dielli mes dy Kuvendeve.
Më pas e kanë marrë fjalën kryetarët e degëve për të paraqitur veprimtaritë e degëve të tyre. Për degën e Washingtonit ka paraqitë raportin kryetarja Merita Bajraktari McCormack, për degën e Michiganit – kryetari Alfons Grishaj, për degën South Florida, kryetari Kolec Ndoja, për degën Hudson Valley dr, Pashko Camaj, për degën e Queensit editori Dalip Greca, për degën Newburgh Marjan Cubi, për degën e Torontos informoi kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i cili ishte pjesmarrës në takimin e asaj dege, për degën e Hartfordit kryetari Nesim Mecollari, për degën e Orlandos –kryetarja Florisiana Ahmetaj-Metollari, për degën Tampa FL-kryetari Tasim Ruko.
Në seancën e tretë , me propozime nga salla dhe me votim , u zgjodh sekretaria për verifikimin e kredencialeve të delegatëve. U zgjodhën: Kujtim Qafa, Marjan Cubi dhe Dalip Greca.
Sekretaria verifikoi të vlefshëm 52 kredenciale, ku cdo delegat është zgjedhur në raportin një delegate për cdo 10-15 vatranë.
Me anë të votimit të hapur , sic e parashikon Kanunorja e Vatrës, iu dha e drejta e votimit edhe delegatëve që kanë më pak se dy vjet anëtarësim .
Më pas, u ftuan delegatët që të paraqesnin propozimet e tyre. Pas këaj u kalua në pyetje rreth raporteve të paraqitura në Kuvend. Më pas u kalua në një pushim, ku Organizatorët kishin shtruar një drekë. Për delegatët.
Në seancëne katër u hodh në votim Kanunorja me amendamentet përkatëse.
Kanë vazhduar diskutimet për efektin e veprimtarisë së Vatrës gjatë vitit të shkuar dhe propozimet për format e organizimit dhe synimet e Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm. Propozimet e ndryshme u votuan.
Një përshëndetje speciale ka ardhe nga Presidentja e Grave Shqiptaro-Amerikane, Dr. Anna Kohen qe kishte udhetuar 6 ore per te ardhë ne Konventën e Vatrës.
Në seancën e fundit, Kryetari i Kuvendit, z. Mithat Gashi, iu drejtua dr. Gjon Bucaj, nëse donte të rikandonte për një mandat tjetër? Ai iu përgjigj”PO”.
Sërish Drejtuesi i Kuvendit, iu drejtua sallës: ka ndonjë kandidat që do të kandidojë për kryetar? Nuk pati kandidatura të tjera.
U votua kandidatura e dr. Gjon Bucaj dhe u pranua në mënyrë unanime.
Sipas Kanunores Kryetari Bucaj paraqiti Listën e bashkëpunëtorëve, e cila, mes debateve u votua. Në listën e paraqitur nga kryetari binte në sy një emër i ri, dr. Pashko Camaj, ndërsa emrat e tjerë ishin të njëjtë. Me propozim nga salla u kërkua që kryesisë t’i shtohen dy emra të tjerë. Propozimi u pranua pasi u votua më parë për një ndryshim në Kanunore, ku numri i kryesisë ishte i përcaktuar me 9 anëtarë. Për dy emrat e tjerë u bënë propozime konkrete, por vendimi iu la kryetarit.
Në mbrëmjë është organizua një darkë me muzikë, këngë e valle. Kryetari ka vlerësuar me cmimine meritës, kryetarin e degës së Jacksonville, z. Adriatik Spahiu dhe veprimtarë të tjerë të dalluar.(Dielli)

PS:Kjo ishte kronika e Kuvendit. Më gjërsisht do të lexoni në Gazetën e printuar.

Filed Under: Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, Jacksonville, Kuvendi i Vatres, rizgjidhet

JOSIF PANI-NJË NACIONALIST ME NDJENJA TË KTHJELLTA

May 4, 2015 by dgreca

Nga Fuat Memelli/
Kështu e ka përcaktuar Faik Konica patriotin dardhar, Josif Pani. Me veprimtarinë e tij , ai ka lënë gjurmë të pashlyera për çështjen kombëtare, sa në Amerikë, aq edhe në Shqipëri. Sivjet më 17 maj, mbushen 81 vjet nga ndarja e tij nga jeta. Le të jenë këto rradhë, një homazh për Josif Panin.
Pas fëminisë së shkuar në vendlindje dhe disa viteve emigrimi në Greqi, stacioni i tretë i jetës së tij , u bë Amerika, të cilën e shkeli në vitin 1903, kur ishte 35 vjet. Kontributet e para të Josifit, tok me dardharë të tjerë që kishin emigruar këtu, ishte për Dardhën. “Nuk duhet të harrojmë fshatin ku pamë për herë të parë dritën e diellit” theksonte ndër të tjera Josifi në gazetën “Kombi”, e para gazetë shqiptare në Amerikë , që nxirte patrioti tjetër dardhar, Sotir Peci. Josifi ndihmonte këtë gazetë, jo vetëm me shkrime, por edhe me shpërndarjen e saj , si dhe me leximin te shqiptarët që nuk dinin shkrim e këndim. Rrethi i tij shoqëror, sa vjen e zgjerohet. Në Boston ai njihet me Fan Nolin, Paskal Aleksin, Kristaq Kirkën, Petro Nini Luarasin, Bahri Omarin, Naum Ceren, Faik Konicën, Llambi Çitozin, Kolë Tromarën, etj. Ky grup , tok me shqiptarë të tjerë, luftonin për t’i dalë zot kombit, i cili ende nuk kishte fituar pavarësinë. Në vitin 1910, Josifi zgjidhet kryetar i Shoqërisë” Besa-Besën”, një nga shoqëritë kryesore të shqiptarëve të Amerikës, e cila ishte krijuar në vitin 1907. Në shtypin e kohës, , si gazeta “Dielli” “Kombi”,etj, Josifi boton mjaft shkrime, ku bie në sy theksi i tij kritik e ironik ndaj grekomanëve, sidomos atyre të fshatit të tij.”Zotërinj! Ne jemi shqiptarë e nuk bëhëmi grekë. Dhe vazhdonte:”Unë s’jam doç greku e gjakpirës. Kur i shkruaj ndonjë armiku të kombit shqiptar, ve nënëshkrimin se e kam faqen të bardhë si një shqiptar i kulluar”. Ai u dërgon letra bashkëfshatarëve të tij për të vendosur mësues shqiptar në shkollën greke të Dardhës. Me përpjekjet e Josifit e patriotëve të tjerë dardharë, anëtarë të Klubit “Përparimi”, në vitin 1917 , u çel shkolla e parë shqipe në Dardhë, me mësues patriotin, Leonidha Çika.
Duke luftuar për çështjen shqiptare, ai shkon tok me Faik Konicën në disa qytete të Amerikës, për të mbledhur të holla për gazetën “Dielli e flamuri” ( kështu quhej atëherë) si dhe për Shoqërinë”Besa-Besën”. Pas katër vjet mërgimi, ai kthehet në Shqipëri. Në këtë udhëtim qëndron në Korçë e takohet me miqtë e tij, patriotët Mihal Grameno e Themistokli Gërmenji. Sipas Skënder Luarasit,”Josif Pani tërhoqi pas Mihal Gramenon e Jorgji Sevon e mund të themi se ata plotësonin trion shqiptare në rrethin e social demokratëve të emigruar në Amerikë”. Pasi ndenji tre muaj në Dardhë, Josifi kthehet përsëri në Amerikë , ku mer me vete edhe djalin e tij, Vasilin, i cili atëhere ishte 12 vjet. Në takimet me shqiptarët e Amerikës si dhe në artikujt që botonte në shtyp, ai flet për gjendjen e Shqipërisë dhe rezikun e coptimit të saj nga fqinjët. Ai jo vetëm shkruante bukur, por edhe kishte një oratori të veçantë.”Shqiptari e ka prej natyre që t’i shkëlqejnë armët e t’i thyej kokën çdo armiku” theksonte ai. Kur Shqipëria rezikohej të cptohej, me nismën e Shoqërisë “Vatra”, u krijua një komision për dërgimin e vullnetërëve në Shqipëri.Në këtë komision, bënte pjesë edhe Josifi. Në vitin 1912, ai e nisi djalin e tij, Vasilin, atëhere 19 vjet, për të shkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare.. Atëherë Naum Cerja, shkruante te gazeta “Drejtësia”: “Josifi nuk e kurseu djalin e tij ,për ta bërë theror në altarin e Atdheut”.(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori, Vatra Tagged With: Fuat Memeli, Josif Pani, nacionalist

LIBRI” PER VATRËN DHE VATRANËT” I IDRIZ LAMATJ, HISTORIA REALE E VATRES PER TRI DEKADA

April 29, 2015 by dgreca

Në takimin përkujtimor që mbajti Vatra me rastin e 103 Vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës dhe nderimi i martirëve të Vatrës, me shkas 6 vjetorine shuarjes së bashkëthemeluesit Kristo Kirka në burgun famkeq të Burrelit, u promovua dhe Libri i studiuesit Idriz Lamaj, ish gazetar i Zërit të Amerikës”, anëtar i këshillit të VATRES, “Për Vatrën dhe Vatranët.
Editori i Diellit, Dalip Greca, në paraqitjen e librit tha: Sot, në 103 vjetorin e ditëlindjes së Federatës Pan-Shqiptare Të Amerikës VATRA, promvojmë edhe librin e gazetarit, studiuesit, Kujtesës së Diasporës Shqiptare në Amerikë, anëtarit Të Këshillit të Vatrës, z. Idriz Lamaj” PER VATREN DHE VATRANET”. Ashtu sic urojmë për cdo ditëlindje, urojmë edhe për lindjen e një libri. Këtë promovim në fakt po e bëjmë pa shumë dëshirë nga autori, studiuesi Idriz Lamaj. Arsyeja mosdakordësisë së autorit qëndron në faktin se ai ka një tjetër projekt për ta ribotuar librin në një formë më të kompletuar. Por fundja ne këtu jemi, e promovojmë sërish kur autori ta botojë librin e ri.
Libri me titullin simbolik”Për Vatrën dhe Vatranët” merr përsipër të hedhë në shinat e Historisë së munguar të Vatrës, një historik të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA për tri dekada, nga vitet 1925 deri në vitet 1955. Janë vite interesante të historisë së Vatrës, kur kanë ndodhë shumë ngjarje. Natyrisht kanë shkuar vitet më të mira të Vatrës, sic ishin ato të Fushatave të mëdha Kombëtare si:”Për Shpëtimin e Shqipërisë”, ka mbetur pas roli i madh i Vatrës në Ruajtjen e Pavarësisë së Shqipërisë, Konferenca e Paqes, Kongresi i Lushnjës, Huaja Kombëtare,ka mbetur pas Carja e parë serioze ajo që udhëhoqi ish Kryetari i Vatrës Kristo Dako, lindja e Partisë Politike, madje edhe prova e Qeverisjes përmes Nolit, c’ka qe qe një zhgënjim edhe nga vetë Kryeminsitri Noli, gjë që ka sjellë një tërmet tjetër në radhët e Vatrës, përballjen e dy miqëve, dy arkitektëve themelues të VATRËS, Fan S. Nolit dhe Faik Konicës. Pikërisht aty e merr fillesën Libri historik i studiuesit Idriz Lamaj”Për Vatrën dhe Vatranët”.
Në fakt e tërë lënda e librit përbëhet nga trajtesa historike që gazetari dhe studiuesi Lamaj i ka përgatitur në konferencat dhe veprimtaritë e ndryshme të Vatrës apo enkas për Gazetën Dielli. Referncat e shumta që ai përdor, mënyra se si e shtron lëndën historike, pa marrë anë, por vetëm informim i lexuesit, është një shembull që ia vlen si referencë në këto kohë të tejzgjatura të tranzicionit shqiptar për rishkrimin e Historisë sonë Kombëtare të deformuar dhe keqshkruar nga historianët e politizuar apo të zënë peng nga politika e djeshme dhe e sotme.
Sic thotë kolegu i tij, z. Frank Shkreli: Lamaj kryesisht ka përdorur gazetën Dielli si burim kryesor por edhe gazeta dhe botime të tjera, si “Albania” e Konicës, “Emigranti” për të dokumentuar historikun e Vatrës për periudhën që mbulon. Z. Lamaj përshkruan një periudhë të vështirë për Vatrën, sidomos për periudhën e para Luftës së Dytë botërore, kjo sipas autorit, për arsye të krizës ekonomike në Shtetet e Bashkuara por edhe më tepër për arsye të konflikteve dhe ngatrresave të brendshme të organizatës Vatra, përfshirë sidomos grindjet midis Faik Konicës dhe Fan Nolit, por edhe si rrjedhojë e të rolit përçarës që luante Konsullata e Shqipërisë në Boston. Megjithëse dy protagonistët kryesorë të asaj që autori cilëson si “lufta klasike e mendimit të lirë të vatranëve” të asaj periudhe, ishin natyrisht Noli e Konica, autori i librit “Vatra dhe Vatranët” thotë se duhet të merret parasyshë gjithashtu edhe roli që kanë luajtur, ndër të tjerë, Refat Gurrazezi, dishepull i Konicës, Qerim Panariti, dishepull i Nolit, Peter Kolonja e shumë të tjerë. Por, autori thotë se ndonëse “fërkimet politike” midis tyre ishin mjaft serioze, Lamaj nënvijon se dokumentat provojnë se megjith kundërshtimet politike midis tyre, ata në të vërtetë e ruajtën miqësinë dhe respektin për njëri tjetrin në çdo kohë dhe deri në vdekje.
Për ta vërtetuar këtë përfundim, Z. Lamaj sjellë një pjesë të fjalimit të Nolit me rastin e varrimit të Faik Konicës në dhjetor 1942, ku ai shpreh respektin e tij të madh duke thënë se vdekja e Konicës, ishte sipas Nolit, “….Humbje me të vërtet’ e tmerruar, se sot po bëjmë nderimet e funtme dhe i themi lamtumirë njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë. Se Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë nga çampionët më të mëdhënj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skëndërbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër….”, ka thënë Fan Noli për Faik Konicën, me rastin e varrimit të tij.
Në të vërtetë, megjithë grindjet e këtyre kolosëve, mosmarrveshje që autori i cilëson si “fërkime politike”, ndonëse nga njëherë të ashpëra, ajo që vihet re në dokumetacionin e këtij libri është se këta kolosa më në fund, kur vinte puna tek interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve ata prap se prap, punuan së bashku për të mirën e Atdheut. Është ky një mësim dhe shembëll i mirë për politikanët e të gjitha kohërave, ka shkruar gazetari i njohur, ish drejtor per Europen dhe Azine ne Zerin e Amerikes, Frank Shkreli.
Shkreli arrinë në përfundimin se në librin e Idriz Lamajt, është provuar se Faik Konica nuk ishte shërbëtor i Ahmet Zogut dhe as Fan Noli nuk ishte shërbëtor i Enver Hoxhës, duke hedhur poshtë pretendimet e tilla gjysëm shekullore të regjimit komuniste.
Duke iu drejtuar vatarnëve pjesmarrës në veprimtari Editori i Diellit ka apeluar: Unë do t’ua rekomandoja ju miq vatranë që ta lexoni librin e z. Lamaj”Për Vatrën dhe vatranët”, për shumë arsye.
Së pari të shuani kuriozitetin tuaj historik
Së dyti, të merrni një informacion të paanshëm për historinë e Vatrës dhe përballjen e Kolosëve Konica-Noli.
– Së treti të krenoheni për luftën pa kompromis për ceshtjen Kombëtare që kanë bërë paraardhësit tanë vatranë.
Së katërti rikthehem tek përfundimi i z. Shkreli, që të merrni mesazhet e qarta rreth përfoljeve të argumentuara për shërbesën e Nolit ndaj Enver Hoxhës dhe pavarësisë së shërbesës së Konicës ndaj Mbretit. Të dy kishin për Kuran e Bibël: Cështjen Kombëtare. Kjo është e argumentuar në dritën e fakteve në librin e z. Lamaj.
Për kurreshtarët që nuk e kanë kalaur nëpër duar librin, po bëj nëj shfletim ët shpejtë:
Libri sjell para lexuesit historinë interesantë rreth Vatrës dhe diellit në gati tri dekada.
Në mënyrë telegrafike, editori bëri një kalim të përmbajtjes së librit duke u ndalur në:
– Tablonë e qartë të trajtimeve të Historisë së Vatrës, vecanërisht në vitet ’30, por edhe më pas deri në 1955.
– Pasqyrimi në libër i një historie të detajuar për atë cfarë ndodhi në gjirin e Vatrës, rreth Kuvendit XXI të Vatrës dhe Nadrjen e saj më dyshë.
– Kuvendi i Bashkimit sjell një tjetër faqe interesante në Historinë e Vatrës, kur cështja Kombëtare dominon mbi ndarjet e egot individuale.
– Për qëndrimet e Vatrës gjatë luftës së II Botërore, trajtesa është interesante.
– Sic dihet Vatra ka kryer shërbim diplomatik për Shqipërinë edhe kur nuk kishim shtetet. Libri i z. Lamaj sjell shembullin e vecantë të një patrioti të madh, familja e të cilit ishte përgjakur nag shovinsitët Grekë. Ky është Petro Kolonja.
Petro Kolonja, vijoji ta kryejë detyrën e përfaqësuesit diplomatik i emëruar nga Mbreti Zog me 15 Janar 1943. Historia, që paraqet studiuesi Lamaj, është vërtetë interesante dhe plot episode. Lexojeni informacionin që sjell z. Lamaj në librin e tij rreth”Veprimtarisë Diplomatike të “Një ambasadori pa kredenciale” dhe do të bindeni më shumë për serizozotetin dhe përkushtimin me të ciliin e kreu detyrën Petro Kolonja.
– Libri pasqyron edhe faqe të ndritshme të Historisë së Vatrës për cështjen Kombëtare:- Fedearta Vatra, ka bërë luftë të vazhdueshme për cështjen Kombëtare, vecanërisht kundër fqinjëve Jugorë që nuk i kanë rreshtur pretendimet për Shqipërinë e Jugut. Trajtesa e z. Lamaj sjell informacione të detajuara përmes trajtesës: “Vatra përballë Pretendimeve Territoriale Greke ndaj Shqipërisë në Përfundimtë Luftës së Dytë Botërore”, apo trajtesa tjetër”Vatra në ankthin e pretendimeve Greke”.
– Një kapitull më vete përbën” qëndrimi i gazetës Dielli ndaj Qeverisë Komunsite të Shqipërisë dhe Qeverisë Amerikane gjaët viteve 1945-1955.
Editori Greca tha se në librin e Lamjat, të rëndësishme janë edhe trajtesat për:- Charls Ericson dhe Vatra në vitin 1945.
– Panariti dhe Noli 1945-55
– Manipulimi ideologjik Marksist me veprimatrinë Letrare dhe Politike të Nolit.
– Faik Konica në Interpretimin e Historisë Marksiste Leniniste.
– Për Konicën do të gjeni shumë materiale që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tij publicistike, gjuhësor, letrare rreth revistës së Tij Albania, merita në përcaktimine Alfabetit ët përbashkët, , letra…etj.
Editori vecojë edhe portretet e vecanta që sjell Libri i Lamajt për disa nga figurate Vatrës si: Petro Kolonja, Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Kostë Cekrezi, Nelo Drizari etj….
Editori do ta përfundonte paraqitjen e librit të Idiz Lamajt me thirrjen: “Miq, lexojeni librin”Për Vatrën dhe Vatranët” dhe do të më jepni të drejtë se ai është një libër që na duhet shumë ne vatranëve.

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Idriz Lamaj, Per Vatren dhe Vatranet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • …
  • 150
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT