PAÇ KUJT IA LENË PUSHKËN!…/
Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
Tungjatjeta, Sali Shar Ibra i vllaznisë Haxhaj të Hotit të Vendit, burrë me traditë, shpirt e kostum kombëtar, po sa hije simbolike po të ka pushka histori ndritur në duart e tua të gishtit e të lapsit.Nuk e di saktësisht se ku ke dalë në këtë foto: në shtetin ma demokratik të botës–në Amerikë, në “Hotin e Dytë” të mërgimit apo në shtetin tejet shovinist e pafundësisht kundërshqiptar në Malin e Zi, në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, në të bekuaren vendlindje tande. Veçse dije: Jam ka ta njoh pushkën, o burrë i maleve të Hotit. Qebesa, kjo është pushka e trojeve të Shar Ibrës së Hotit. Pushkë e urtisë dhe e trimnisë. Ndër breza pushkë e krismave të ndershme e të jehonshme në emën të Zotit e të Hotit.
Më gëzo ajo pushkë e pafjetur, me fishekë në gojë, teksa e mban në prehnin tand o Sali Shari, teksa mbahet në shekuj në prehnin e kullës së Shar Ibrës, teksa jeton e ndriçon në prehnin e Hotit. Jetë e mote kanë këndue nanat në djepe e pleqnue burrat në kuvende: Paç kujt ia lenë Pushkën! Nuk është çështja me u përcjell si stafetë apo dorëzue me ceremonial, po me kanë pushkë me histori e me ra në dorë trimash, me i pasë amanetet e eposet e veta. O Sali Shari Ibra, ju jeni “Shtëpi Pushke”, siç janë në breza shtëpijat e Hotit të Vendit, (sipas rendit alfabetik) edhe të Haxhajve, Hysenajve, Mehjave, Mujajve, Sinanajve. Trimi i Hotit dhe i Historisë Shqiptare, Shari Ibra, që e ka vra vet i tretë një nga kundërshqiptarët ma të mëdhenj, prefektin e Plavë-Gucisë me rrethina, të pabesin e të pashpirtin Stanisha Turkoviq, ta la pushkën ty. Baba ia la pushkën djalit. Kit’ pushkë nderi e mori edhe Cen Haxhaj, djali yt, që si luftëtar i lirisë shqiptare veshi uniformën e UÇK e me Batalionin “Atlantiku” shkoi nga Amerika në Kosovë, bashkë me Sadri Xhemë Mehaj të Hotit, derisa trimat e Shqiptarisë e të NATO-s hynë triumfalisht në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit të ri euro-atlantik të Kosovës. Prapë baba ia përcjell pushkën djalit. Kjo simbolikë e pushkës është realitet jetik e bohemik i Hotëve të Vendit e të mërgimit, ashtu sikurse i krejt Shqiptarisë.
“PUSHKA E MENDELEJEVIT”
Kurrgja mos më thuej o Sali Shari i Hotit se u morëm vesh pa folë ndërveti. Bana me të dvet: çka i duhet pushka mësuesit të kimisë?! – dhe kur fjala më doli prej shpirtit e ndala në grykë të fytit. Kah me i dhanë udhë, bre burrë i Malësisë? E ma dhe vetë përgjigjen: Me atë pushkë të ndershme në prehën. Me ato dy duar që kapin lapsin dhe po e shtrengojnë fort edhe pushkën. Me atë kostum kombëtar na jep simbolikën e kombit. Shqiptarisht: me mendje ditunie si mësues kimie, me pushkë trimnie Hoti, me veshje malësore kombëtare.
Edhe Ibër Hoti ia vnoi djalit të vet emnin Shar, me kuptimin “dituri”, po nuk lanë luftnat me sllavët ardhacakë e pushtues, nuk lanë Stanisha Turkoviqët, për me i ndjek shkollat e ditunisë e me u ba mësues i kimisë. Edhe ju, o Sali Shari i Hotit u batë mësues kimie po nuk të lanë sllavët e tipit Gjukanoviç, ky “diktator modern” e kundërshqiptar bio-politik, për me u dhanë mësim fëmijëve të Hotit të Vendit e të krahinës etno-historike e komunare të Plavë-Gucisë.
O Sali Shari, e di se nuk jep mësime kimie, po veç kisha me thanë: shpjegoju brezave të rinj të Hotit të Vendit e të Plavë-Gucië për Tabelen e Mendelejevit. Shpjegoju atyne siç e din ti. Shqiptarisht. Në vend të elementëve kimik të Gjithësisë, në ato kuadrate të kësaj Tabele, vendosi simbolet e Hotit të Vendit: Vendose martirin e Luftës së Nokshiqit, Murat Osmanin e Mahmudëve të Hotit që u farue krejt në luftna me mashkuj të trollit të vet. Vendose Alush Smajlin me gjashtë vllaznit e vet në Luftën e Nokshiqit që i piedestalon edhe Fishta i Madh në monumentin e tij e të kohës” Lahuta e Malësisë”. Vendose mendjendriturin kombëtar, Ukshin Hotin e pavarr e plot lavdi, Vendosi …..deri tek dëshmori ma i fundit i Hotit të Vendit, i vllaznisë Sinanaj, Avni Bali Zeka i cili u vra në Qafë të Morinës në luftë për çlirimin e Kosovës nga sllavët e Millosheviçit.
Na duhet Tabela e Mendelejevit me simbolet e Hotit të Vendit, me simbolet e Nokshiqit, Arzhanicës, Pepaj; me simbolet e Vuthajve, Martinajve, me simbolet e Gucisë, Plavës…
Ashtu sikurse kimia nuk ban pa Tabelen e Mendelejevit, njisoj edhe Shqiptaria nuk ban pa Tabelën e Simboleve të Saj Shqiptare, aq ma shumë në Hotin e Vendit e në Plavë-Guci që me sllavët e Beogradit e të Çetinës po përjetojnë shekullin e dytë ma të zi në historinë e jetën e vet. Dituria dhe Pushka na kanë mbajt gjallë mbi dhe, pa u hsue si komb. Prandaj edhe mue, ajo pushkë e jotja o Sali Shari, mësuesi i kimisë, m’u duk si “Pushka e Mendelejevit”, në kuptimin e caktuar, si një nga Pushkët në Tabelën e Simboleve Shqiptare të Hotit të Vendit skej liqenit të Plavës e Hotit të Rrafshit skej liqenit të Shkodres.
PA E DITË SE KUSH ËSHTË SHAR IBRA I HOTIT NUK MUND TA DIJMË KUSH ËSHTË STANISHA TURKOVIQI I MALIT TË ZI
Diçka po duhet me i thanë kohës e brezave: Pa e mësue mirë se kush është Shar Ibra i Hotit të Vendit e kena disi të vështirë me e ditë se kush është Stanisha Turkoviqi i Malit të Zi.
Në koft se flasim për kundërshqiptarë bio-politik, të atillë që nuk ua duan shqiptarëve etnikë as kockat në truallin e vet shqiptar, këta janë edhe Turkoviqët në Plavë-Guci. Një i pari i tyne, Stanisha Turkoviq, në kohën e pas Luftërave Ballkanike, në kohën e pushtimit e aneksimit ushtarak të përgjakshëm me masakra genocidiale si Masakra e Previsë, u emnue prefekt me pushtët në Plavë, Guci, Murinë, Andrijevica. Përzgjedhja e tij kishte dy arsye madhore: ishte kriminel ndaj shqiptarëve dhe mik i krajl Nikollës së Malit të Zi.
Një herë, përgjatë luftërave të malësorëve shqiptarë për Pavarësi nga otomanët e sllavët, kah vitet 1910-1911, kryengritësit shqiptarë deshtën me i djegë tri shtëpijat e Turkoviqëve e me ua vra mashkujt kundërshqiptarë, po iu ranë në besë derës së Curranëve, me të cilët kishin një farë lidhje të afërt. Shpeshherë ka ndodh kësisoj. Po Turkoviqët nuk kthyen mendje, nuk ndrruan rrugë. Ka dy shekuj që i luftojnë shqiptarët më të gjitha forcat e mjetet, duke i vrarë, burgosë, internue, marrë tokat, etj. Plavë-Guciasit i mbajnë mend barbaritë e Llukës së Turkoviqëve edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe Turkoviqët e fundshekullit XX, që kanë pozita politike-ekonomike-ushtarake deri në piramidën e shtetit të Malit të Zi, nuk ndryshojnë aspak nga të parët e vet. Përkundrazi: kanë marrë pjesë në luftra kundër shqiptarëve të Kosovës, kundër boshnjakëve në Bosnje-Hercegovinë, etj. As Millo Gjukanoviçi, kryeministri me shtatë mandate qeverisëse, sikurse edhe Krajl Nikolla, është mik i fortlidhun me Turkoviqët, saqë më rastisi një herë në një elektoriadë ta shoh me eskortën e tij për drekim edhe kundrashqiptarë tek Turkoviqët, në breg të liqenit të Plavës.
Stanisha Turkoviq nuk po i ndahej Hotit të Vendit, pasi donte me e nënshtrue nën pushtetin e tij, nën Malin e Zi. Iu ka qëllue forcave të tij me u kthye edhe tek Shkambi i Koromanit. S’kanë mujt me hy në Hotin e Vendit. Zyrtari i lartë Stanisha Turkoviqi me forcat të shtetit të tij, përndryshe: shteti i Stanisha Turkoviqit, e rrethoi Hotin e Vendit e, kësaj kohe, e vranë Cen Ibrën në Osonja, tek Ura e Bekës, teksa ishte tue kullotë bagëtitë e kullës së vet. Nuk ishte vrasje aksidentale, po e qëllimtë: Stanisha Turkoviq donte të vriste një hotjanë, po nuk e dinte çka e gjente ma mbrapa.
Shar Ibra i Haxhajve të Hotit të Vendit po don me marrë hak. Edhe për krimet e tij të përgjakshme në Plavë-Guci, edhe për vrasjen e të vllait, Cen Ibrës. U ba vetë i tretë: me Nasin e Sejdit të Hysenajve të Hotit dhe me Mujë Alinë e Mustafaliajve (banor të atyshëm, nipa bije të Hotit), dolën në bjeshkën e Treskavaçit. Kjo bjeshkë në afri gjeografike kapej me Hot. Në kit’ bjeshkë kishte dalë edhe Stanisha Turkoviq, me do roje mbas vetit. Për me e garantue vrasjen e Stanishën e lanë me gjuejt të tre: në mos e vraftë i pari, ta vrasin i dyti e, në mos i dyti, atëherë i treti. Krisma e pushkës së Sharit sinjalizoi breshërinë e kryqzueme të plumbave mbi trupin e antishqiptarit Turkoviq, i cili gjeti vdekjen e merituar. (Ma gjanësisht kam me fol në një libër për Plavë-Gucinë e Hotin e Vendit).
Luftëtari i trojeve të veta, i kombit të vet, i lirisë shqiptare, Shari Ibra me dy bashkëluftëtarët e tij ikën përkohësisht, po u kapën hjeksisht dhe u prangosen në burgjet sllave. Shari me 20 vjet, ndërsa Nasi e Muja nga 17 vjet burg, të cilët, këta dy të fundit, ia mbrrinë me dalë nga burgu e me u rikthye në vendin e vet etnik, në Hotin e Vendit. Shari jo. Ai kur i bani vitet e burgut në Kotorr të Malit të Zi po kthehej në kambë për në shtëpinë e vet, ndali në një kafe në Andrejavicë. Aty ish kanë një Turkoviq tjetër, kapiten i klasit të parë Veshi Turkoviqin me mustaqe vesh më vesh, i cili rrinte me kapuç të bardhë. E çoi dorën drejt tij dhe e dveti rrmisht:
-A je ti Shari Ibra?
-Po, unë jam.
-Ku je ka shko?
-E kam krye burgun e po shkoj në shpinë teme.
-Tek shtëpia jote ti kurrë nuk shkon ma!
Pas kësaj fjale me dorë në allti i thirri policët, të cilët e lidhën kambë e duar dhe çuan prapë në Kotorr. Nuk e la me e pi asnjë gotë ujë. Asnjë kafe. Kështu ta bajnë shkijet, malazezët e serbët.
Atje në burgun e Kotorrit vdiq (apo e vdiqën) Shari Ibra dhe kurrkund vorri s’ju ka gjetë.
O Sali Shari i Hotit të Vendit, ajo kuti duhani dhe ajo xhaketë (setër) Shari Ibres së Hotit të Vendit, të vetmet relike të tij nga koha e burgut, ruajini në kullat tuaja në Hotin e Vendit apo në Nju Jork të Amerikës. I duhen historisë, e cila ka me folë më shumë e ma mirë për Shari Ibrën e historisë, për Shari Ibren e Hotit të Vendit.
Ç’KA E KIE GJITHË KËTË DRITË, O SALI SHARI I HOTIT TË VENDIT?!
A je ka e shihni çka a ka ba Sali Shari i Hotit të Vendit: E ka kap një degë Pranverë. Bash në vendlindje, në krahinën e Plavë-Gucisë. E ka kap atë pemë në lulim, një nga degët e shumta e të bukura të saj. Sa shumë e don ky burrë Pranverën e Hotit të Vendit e të Plavë-Gucisë nën Malin e Zi.
Një nga djemtë e fismë të Mehajve të Hotit të Vendit, Imer Sinan Mehaj, djalosh i virtytshëm dhe energjik, shqiptaro-amerikan i dhanun pas vendlindjes së tij – Plavë-Gucisë, më krijoi mundësinë e mirë t’i kem nkëto dy foto të Sali Shari Ibrës të Haxhajve, të cilat më frymëzuan për këtë esse, për të cilat edhe e falenderoj publikisht.
Edhe vetë Sali Shari i Hotit të Vendit, në këtë foton e dytë, ka dalë i qeshur. I qesh shpirti. I qeshin sytë. Sa shumë dritë ka ky burrë në fytyrën e tij. Thonë se i ka kalue 70 vite, e ka mujt me e mbajt një fytyrë kaq të qeshur, me kaq të dritë. Më kuptoni: Është drita e Sali Sharit dhe jo vetëm e tij. Mos harroni: Është dhe drita e Shari Ibrës, e jetës së tij me trimni e sakrifica për kombin e vet. Më besoni: Është edhe drita e djalit të tij, Cen Sali Shari (Cen Hoti) luftëtar i lirisë e pavarësisë së Kosovës, tashti qytetar i nderuar në Shtetet e Bekuara të Amerikës, një shqiptaro-amerikan i denjë, një hotjan dinjitar. Më mirëkuptoni: Është edhe drita e trojeve të Shar Ibrës, drita e Hotit të Vendit, drita e Plavë-Gucisë, drita e Shqiptarisë.
Sot dhimbja e ka emnin e Sali Shari Ibrës të vllaznisë Haxhaj në Hotin e Vendit mbi liqenin e Plavës. Ai iku, ndrroi jetë, në këtë ditë dimri me Pranverë në shpirt, në sy, në duar… Ai e donte Pranverën – përndryshe: jetën e tij të brezave Pranverë, se e donte Hotin e Vendit Pranverë, se e donte Plavë-Gucinë Pranverë.
Dr. Din Krasniqi says
I nderuari Ramiz Lushaj, ju i bete nder vetes dhe kombit, njeherit edhe Sali Sharit te Hotit, por mos harroni edhe Eshtrat e sali Sharit per ti kerkuar nga Kotorri dhe per ti sjelle aty prane Liqenit ku uz lind dhe u rrit ai djal Hotian.Sepse edhe eshtrat tij e dridhin Malazezin siq e dridhen ne shum Beteja si ne Previ, si te Limi Jakup Ferri dhe Qel Shabani qe vrap asqerin ja kan ndjekur Mark Milanit Kapidanit shu trim por aty ishin edhe Djemt e Hotit e Gucis.Aty ishin Peje E Dugagjin dhe ,Lapp Gollak dhe Kabash, aty ishin edhe Trimat e Kelmendit, .Me nderime Dr Din Krasniqi Austri
Dr. Din Krasniqi says
Ajo pushk e Sali Sharit te Hotit ndrite Plave e Guci Hot Deri ne Qameri dhe deri Tek Molla e Kuqe, ku Zeqir Llausha edhe i vdekur nu eleshoj Bajrakun per te ne Dhe.Poe nje Obligim Shtetror dhe Kombetar e kane dy Qeverit per tia sjell eshtrat e Trimit dhe te Patriotit Sali Shari ne Vendlindje per te revorosu me nderime Kombetare.Ato lufta te pergjakeshme si ne POrevi ,Azhanic dhe te lumi Lim Jakup Ferri dhe Qel Shabani ja futen tmerrit ushtrise se Markmilanit. i cili donte ta hane Sillen ne Plave, u the turperisht ne Cetinj te Krajl Nikolla,. Me respekt Dr .Din Krasniqi nga Austria