NGA JULIA GJIKA-
Unë jam e gjitha,-
shekujt i lashë të ikin një nga një.-
Herë si retë e bardha, të panumurta, herë të hirta,-
Ngarkuar me furtuna, me stinë të begata.-
Jeta ime ishte e pasur, përderisa isha e lirë.
Vrapoja e lumtur nëpër pyje të virgjër,
anës lumenjve që më gëzonin shpirtin.
Më quajtën hyjneshë e ujrave të kristalta,
mbeta e përqafuar me dritën, e mira e saj,
më dha shkëlqimin, muzikë, jetë.
Kanë shkuar më shumë se tridhjetë shekuj.
Thonë se isha një nimfë e mahnitëshme
në atë botë të lashtë, vrapoja në natyrë,
lirinë kisha në gjak. Gjithcka e imja,
e tërhoqi si me magnet Perëndinë e Diellit,
Apolloni u trullos pas meje, por unë nuk e doja.
Ai ish tallur me Perëndinë e dashurisë, Erosin,
ai i dërgoi një shigjetë me majë të artë,
e goditi në zemër. Mua më dërgoi një tjetër shigjetë
me majë plumbi, e më dha urrejtje për Apollonin.
Më ndiqte, një ditë më ndoqi deri sa më ariti,
më shtrëngoi, të zura më në fund – tha me krenari,
sa nuk më theu kockat!
I ndjeva dihatjen, frymën në flokët e mij,
pastaj gishtërinjtë si gozhdë në mish e kudo.
Sytë e tij më përfshinë të tërën, nga fija e flokut
deri në thonjtë e këmbës.
Zëri i tij ishte urdhër, që nuk ju binda.
Nuk ju dhashë, i thashë jo forcës, jo nënështrimit.
Në ndihmë më erdhi Lutja:
O Atë, të lutem, më shpërbë!
Kështu dashuron dashuria, me forcë?
Si të jap vehten nga dhuna?
Lutja sakaq u dëgjua. Muskujt e këmbëve pushuan lëvizjet.
Nuk do të bëhem gruaja jote! Isha gjahu dhe ti gjahtari,
unë nën harkun e shigjetës, ti gishtin në shqekëz.
Mëma Tokë u hap, këmbët u kthyen në rrënjë, u fundosën.
Duart u bënë degë ,lulezonte gjethnajë e blertë.
Ti do të jesh pema ime!- ai foli me zë të lartë.
Tani, unë pema fisnike, kisha degë, fletë, rrënjë, aromë dafine.
Apolloni këputi një degë dhe e vendosi në kokë si kurorë.
Kështu ai u quajt i kurorëzuar, unë nga lutja e shpëtuar.
Do të të gjej edhe në këtë trung!
edhe në këto degë!- ngulmonte ai.
Nëse nuk do të mbaj në këto krahë, jam i humbur që tani.
Ti më thua se nuk egziston, ti s’më ndalon dot të ëndërroj!
Unë do të provoj të tregoj dashuri, unë kam nevojë për ty.
Nga bukuria e saj kish mbetur vetëm shkëlqimi, blerimi
Dafina e kish mundur Apollonin.
Perënditë e tjera, kishin derdhur një lumë bekimesh mbi të.
Tufa zogjsh uleshin mbi degët i bënin shoqëri.
Jo, kjo nuk është e vërtetë, c’farë mund të bëj? – fliste me vehte ai
Prej asaj bote të lashtë erdhi ajo hyjni, Dafinë e mahnitëshme.
Gjethet e saj vajzat në shekuj i mbajnë nën jastëk
për të parë ëndrra të bukura, kurse gjyshet dhe nënat,
gjethet e gjelbra i përdorën ilace kundër epidemive,
ka një rini të përjetëshme në ato gjethe të blerta.
Në shekuj burrat i dashuruan gratë,
më parë duke u lënë hijen e rrëndë,
pastaj kërkuan t’u jepen nga forca që ushtruan mbi to:
Dafina i tha jo forcës, ajo gëzoi lirinë, mbeti plotësisht e lirë.
Toka e ushqeu me dashurinë e mëmës dhe kjo i mjaftoi
për të qënë në paqen e përjetshme.
erdhi në ditët tona me mbrekullinë e egzistencës së saj,
portreti më i bukur, që ka bota.
në fshehtësi cel në cift lulen e verdhë
ngarkuar me shkëlqim dhe aromën dehëse .
SHTATOR- 2020