Princi Leka II dhe nga sot Princeshë Elia Leka u lidhën në martesë në një ceremoni madhështore që u mbajt në Pallatin Presidencial që filloi të ndërtohej nga gjyshi i Princit Leka, Mbreti Zog & në vitin 1936.Rreth orës 11:00 në Sallën e Fronit është zhvilluar ceremonia e celebrimit të martesës nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Më tej krerët e të gjitha komuniteteve fetare në vendin tonë, atij mysliman, katolik, ortodoks dhe bektashi kanë bekuar lidhjen mes Princit Leka dhe Elia Zaharia në martesë.
Pas ceremonisë së celebrimit, gjithë të ftuarit do të zhvendosen për në mjediset e Rezidencës pranë Galerisë së Arteve ku do të mbahet një koktej që do të zgjasë rreth dy orë. Në qendër të vëmendjes së organizatorëve të këtij eventi dhe dëshirë parësore e Familjes Mbretërore dhe çiftit, është promovimi i traditës, artit, kulturës, veshjeve, kulinarisë, pijeve, muzikës dhe valleve shqiptare të cilat do të shoqërojnë etapat e kësaj dasme.
Pas një pushimi disaorësh, pas koktejit, dasma do të vazhdojë me darkën që do të mbahet në Pallatin e Brigadave me rreth 300 të ftuar, 150 përfaqësues të familjeve të rëndësishme mbretërore, Lartësitë e tyre, të ftuar të huaj dhe 150 të afërm dhe miq të ngushtë të çiftit.
Do të jenë edhe shumë përfaqësues të familjeve të mëdha mbretërore të Evropës dhe më gjerë si princesha e Spanjës, Sofi, Princi i Luksemburgut, Princët nga Lihtneshtejni, LSM Princesha Lalla Salma e Marokut, LSP Farah Diba etj.
Gjithashtu, të ftuar do të jenë edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti i Republikës,Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ministra të Qeverisë etj.