-Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës shqiptare, Këngëtarja e Shekullit, Artiste e Merituar, Nderi i Kombit, janë disa prej epiteteve dhe dekoratave për këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha/
-Para 6 viteve, pikërisht në 7 Shkurt 2014, Nexhmije Pagarusha qante per shuarjen e Vaçe Zeles “Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të do jetojë derisa të shkojë edhe unë te ajo…” Fliste e qante këngëtarja për këngëtaren, e pyetur nga korrespondenti në Kosovë tani i Gazetës DIELLI/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 7 Shkurt 2020/ Bilbili i Kosovës, këngëtarja Nexhmije Pagarusha, e lindur në 7 Maj 1933 në fshatin Pagarushë, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare, njoftohet sot.
Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës shqiptare, Këngëtarja e Shekullit, Artiste e Merituar, Nderi i Kombit, janë disa prej epiteteve dhe dekoratave për këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, për të cilën vlerësimet më të larta shprehen edhe në mesazhet e shumëta të ngushëllimit.
E vlerëson lart edhe media, duke theksuar se “Nexhmije Pagarusha, ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit” dhe se “mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë”.
7 SHKURT 2014: QANTE KËNGËTARJA PËR KËNGËTAREN
Pikërisht para 6 viteve, në 7 Shkurt 2014, kam shkruar se Bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha qante për Vaçe Zelen që u shua një ditë më parë në Basel të Zvicrës në moshën 75 vjeçare:
PËR VAÇE ZELEN SOT QANTE EDHE BILBILI I KOSOVËS
Prishtinë, 7 Shkurt 2014-Behlul Jashari/ Për Vaçe Zelen sot qante Nexhmija Pagarusha, u përgjigj me shumë lotë kur e pyeta si ndihet Bilbili i Kosovës në këtë ditë lamtumire nga Prishtina të Ikonës dhe Mbretëreshës së Këngës Shqiptare.
“Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të do jetojë derisa të shkojë edhe unë te ajo…”, flet këngëtarja për këngëtaren.
Dhe, si ta ngushëllojë veten vazhdon: “Është me mua Vaçja.Vetëm trupi i saj nuk është, se shpirti i saj është me mua…”
“E takimi i parë ju kujtoht sot?”, e pyesim Nexhmijen.
“Takimi i parë ishte në Shqipëri në vitin 1971. E kam parë në skenë, nuk më ka ndodhë kurrë në jetë dikush të shkëlqejë si ajo, shkëlqente njerëzimi, e mira e saj, shpirti i saj i shëndritshëm…Edhe kur e kam takuar nga afër më është dukur ashtu, më e bukura, më e mira…Unë kam takuar shumë njerëz, kam parë botën, por si Vaçja që më ka hyrë në shpirt nuk kam parë”, shprehet Nexhmija.
Dhe vijon gjithnjë mes lotëve: “I dua të gjithë njerëzit, më duan…Po ajo, Vaçja, është imja, dhe unë ate e mbajë në shpirt. Trupi i saj shkoi, por shpirti i saj është te unë. Ngushëllime gjithë Shqipërisë, gjithë Kosovës, gjithë kombit dhe gjithë njerëzve…”, shprehet Bilbili i Kosovës.
Nexhmija kujton komunikimin e saj të fundit me Vaçen. “Tash kur kishte dalë prej spitalit, që ishte katër muaj, bisedova edhe u gëzova shumë se më tha ishte më mirë…”
Nexhmije Pagarusha, mes shumë artistëve, shumë njerëzve të pikëlluar kishin ardhur pasditen e sotme në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë për të pritur mbërritjen e trupit të pajetë të këngëtares së njohur shqiptare, Vaçe Zela, dhe për lamtumirën artistes së madhe.
Mes tyre ishte, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, i cili tha se këtu në Prishtinë plotësohej amaneti i fundit i Vaçe Zelës. “Siç më thanë edhe motrat e saj, ka kërkuar vetë Vaçja që të kalojë nëpër Kosovë, drejt Shqipërisë… Me zërin e saj, me shpirtin e saj, i ka kënduar këtij vendi, i ka kënduar kombit tonë…”, tha ambasadori shqiptar Lauka.
Si një yll, Vaçe Zela, u shua dje në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 75 vjeçare.
NGA ARKIVI
4 Maj 2010: KOSOVË – NEXHMIJE PAGARUSHA DEKOROHET ME ÇMIMIN “ARTISTE E MERITUAR”
PRISHTINË, 4 Maj 2010- B.Jashari/.- Nexhmie Pagarusha, e njohur edhe si “Bilbili i Kosovës”, u dekorua sot nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.
Dekorata u dorëzua sot solemnisht në ambientet e zyrës së Presidentit të Kosovës.
Në arsyetimin e dekorimit të znj. Pagarusha, Presidenti Sejdiu theksoi se “kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme”.
“E përkushtuar gjithë jetën për të ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, theksohet në arsyetim.
Po ashtu vlerësohet se Nexhmije Pagarusha “është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”.
Presidenti Sejdiu e dekoroi znj. Pagarusha në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre.
27 Nëntor 2012: “NDERI
I KOMBIT” PËR NEXHMIE PAGARUSHËN
TIRANË, 27 Nëntor 2012/ATSH/.-
Presidenti Bujar Nishani nderoi të martën me Urdhrin “Nderi i
Kombit” këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmie Pagarusha, me
motivacionin: “Artistes së shquar me zë të rrallë dhe interpretim virtuoz, që i
dha shpresë dhe besim popullit shqiptar të Kosovës në vitet e vështira të
pushtimit serbomadh dhe që i shtoi vlera dhe cilësi të reja kulturës shqiptare,
duke u bërë pikë e rëndësishme referimi në historinë e saj”.
Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë,
ku ishin të pranishëm personalitete të artit dhe kulturës shqiptare,
Presidenti vlerësoi veprën e madhe kulturore dhe artistike të zonjës së
madhe shqiptare, Nexhmie Pagarusha.
“Gjatë 100 viteve, ne shqiptarët kemi
qenë të pushtuar e të ndarë, por kulturën e këngën kurrë
nuk mundën ta izolojnë, ta pengojnë, apo ta ndrydhin. Për ne është fat
që, veçanërisht në momentet e vështira të izolimit, mesazhi
përmes artit, përmes shpirtit të zonjës së madhe Nexhmie Pagarusha,
ishte ndër gjërat e pakta që na mbante gjallë shpesën për të qenë një ditë
pranë njëri-tjetrit”, u shpreh Nishani.
Artistja e madhe, me fjalët e saj
i emocionoi të pranishmit, ndërsa përcolli urimet më të mira për
ditën e gëzueshme të 100-vjetorit të Pavarësisë. /a.s/ /m.m/
PRESIDENTI I KOSOVËS, HASHIM THAÇI: NDARJA NGA JETA E NEXHMIJE PAGARUSHËS ËSHTË NJË HUMBJE
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan:
Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.
Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.
Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës! HTH
KRYEMINISTRI I KOSOVËS, ALBIN KURTI: SOT PËR TY TË GJITHË I KEMI SYTË E NJOMË!
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar sot:
Sot për ty të gjithë i kemi sytë e njomë!
Bilbili na la. Këngët e saj po më sillen nëpër kokë. Zëri i saj s’pushon. Mes pak minutave të lirë nga takimi në takim, që po i kam, po e gjej veten duke menduar rreth këtyre këngëve.
Nexhmije Pagarusha, talentja e papërsëritshme muzikore, vdiq sot në moshën 86 vjeçare. La pas vetes plot 5 albume e 88 këngë. Më shumë vepra se vite jete. Secila këngë më e mirë se tjetra.
Ngushëllime të gjithë artdashësve. Kjo është humbje e madhe për gjithë popullin e për muzikën.
KRYETARJA E KUVENDIT TË KOSOVËS, VJOSA OSMANI: KËNGËT E NEXHMIJE PAGARUSHËS DO TË MBETEN VLERË E PATJETËRSUESHME E IDENTITETIT TONË
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, i ka dërguar këtë telegram ngushëllimi familjes Pagarusha, miqve të saj dhe gjithë popullit të Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha.
“Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha. Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj.
Nga “Baresha” te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.
Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Pavarësisht që prej vitesh ajo nuk ishte pjesë e skenës, ikja fizike e saj nga kjo botë, lë boshllëk të madh në muzikën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.
Shëmbëlltyra e Nexhmije Pagarushës do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa zëri unik e i papërsëritshëm dhe këngët që ajo i këndoi, do të jenë gjithëherë të pranishme në kujtesën e brezave.
Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e kryetares së Kuvendit, dr. Osmanit.
TELEGRAM NGUSHËLLIMI I MINISTRES SË KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT VLORA DUMOSHI
E nderuara familje Pagarusha,
Me dhimbje dhe pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të dashurës
suaj dhe këngëtares sonë të madhe, Nexhmije Pagarushës.
Ndarja nga jeta e Nexhmijes është një humbje e madhe për ju, për miqtë e saj dhe kulturën shqiptare, të cilës ajo i dha shumë vlera dhe dinjitet.
Nexhmije
Pagarusha me artin e saj muzikor, ka dhënë shumë për kulturën shqiptare, duke e
ngritur në një nivel të lartë. Dhe kështu, ajo u bë ikonë e Kosovës moderne,
duke u bërë edhe burim frymëzimi për breza të tërë.
Prandaj, ajo do të mbetet përgjithmonë bilbili i këngës shqipe në Kosovë dhe
kudo ku ka shqiptarë.
Kujtimi
për Nexhmijen do të jetë i përhershëm për ne, dhe një shembull fisnik për
brezat e ardhshëm.
Nexhmija ka lënë pas vete një trashëgimi të pasur, ndaj të cilës jemi
falënderues dhe përballë së cilës kemi përgjegjësi. Shumë këngë të saj janë
shndërruar në himn jete për familjet e Kosovës.
Ajo me punën dhe kontributin e saj ka sjellë një epokë identitare në fushën e këngës dhe të muzikës shqipe, duke përfituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre të botës muzikore, por edhe më gjerë. Këngët e saj, veçmas “Baresha”, janë kryevepra të artit muzikor.
Ne jemi
brez me fat që u rritëm me këngët e saj.
Sinqerisht,
Vlora Dumoshi,
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit