GREQIA NË ALARMIN E SHPËRBËRJES DHE RRËNIMIT…/
Shënime në ditën e parë të kapitullimit të Greqisë/
Nga Abdurrahim ASHIKU-ATHINE/
Banka Evropiane vendosi për të ngrirë fondet drejt bankave të Greqisë ku sistemi financiar grek gjendet pranë rrënimit…
Sot në mëngjes qepenat e hekurt të të gjitha bankave në Greqi kanë rënë përtokë si në një ditë të madhe zie.
Flitet që kështu do të qëndrojnë deri më 6 korrik, të hënën pas referendumit popullor të nxitur nga Qeveria Cipras.
Radhë të gjata pranë bankomateve në shpresë të tërheqjes së “bukës së ditës”, vetëm 60 euro. Kjo në rastin e lumtur kur në sirtarët e bankomatit ka para…
Në disa bankomatë radha ishte shthurur, ishin mbaruar paratë…
Radhë të gjata për karburant në të gjitha pikat e shpërndarjes. Ke të drejtë të marrësh vetëm 20 euro benzinë, me para të thata në dorë. Kartat e kreditit nuk kanë vlerë…
Dyndje në aeroporte nga turistët në kthim urgjent drejt vendbanimit të tyre në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian…
Alarm në sistemin zyrtar të turizmit. Zëdhënës deklarojnë se për turistët nuk ka kufi pagesash nga bankomatët…
Greqia është në kolaps. Greqia është deklaruar e rrënuar ekonomikisht.
Po kush paguan për këtë gjendje të Greqisë?
Pamja që zotëronte sot Athinën (dhe të gjithë Greqinë), nga vëzhgimi i thjeshtë me sy, tregon se ata që e paguajnë janë njerëzit e thjeshtë, ata që rrinë në radhë për “bukën e ditës”, për “benzinën e ditës”, për shpenzimet për energjinë elektrike, ujin, qiranë…
Në radhë për 60 euro-t e “bukës së ditës” nuk sheh ata që e iniciuan dhe e çuan në këtë derexhe Greqinë, që ia ulën kokën dhe ia thanë të ardhmen.
Greqia nuk sheh të ardhme. Ajo është në kaos. Është para një referendumi ku sido që të votojë, t’i thotë “JO” apo “PO” shpresat i ka të shuara.
Evropa, nëpërmjet “zërave të kamur” është e pranishme në të gjitha dritaret e vogla të televizioneve greke.
Tjerr lesh për të nxjerrë fill në furkë pa bashkë.
Gjendja e tanishme në Greqi, rrënimi ekonomik e shpirtëror i saj, është në baraspeshe midis politikës greke dhe evropiane, midis marrësve dhe dhënëseve të parave, të miliardave.
Evropa kërkon paratë që ka dhënë. Greqia refuzon që t’i japë. Nuk ka ku t’i marrë. Taksat, uljet e pagave dhe të pensioneve, rritja e TVSH për produktet e domosdoshme që mbajnë jetën gjallë kanë një kufi prekjeje. Evropa këmbëngul që këto të ulen, që populli të paguajë dhimbshëm ndërkohë që ata që e çuan Greqinë në këtë derexhe, të pasurit, miliarderët, paratë e krimit dhe të korrupsionit, të vjedhjes së madhe të fondeve akorduar ndër dhjetravjeçarë, janë ngrirë në banka të njohura për hermetikshmërinë e tyre dhe dyert e dritaret e mbyllura.
Evropa i ka dhënë paratë por nuk ka kontrolluar kurrë ku shkuan dhe si u përdorën, nuk ka kontrolluan se si ato u rikthyen në bankat nga ishin marrë në llogari private të pushtetarëve. Nuk kontrolloi se në Greqi djali apo vajza, për 15-20 vjet nga vdekja e prindit merrte pensionin e tij. Nuk kontrolloi se në Greqi askush nuk paguante taksë për shtëpinë, për pagën që merrte, për sipërfaqet e mbjella me ullinj, vreshta, drithëra, pambuk, duhan, agrume…
Ishte jashtë vëmendjes së donatorëve evropianë kontrolli ndaj parave në adresë të zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë ku një pronar me 10 ullinj shkruante se ka njëmijë, një blegtor me 10 dele shkruante se ka pesëqind…
Evropa që këto në vendet e veta i mat këto me mikrometër nuk e kërkoi dhe nuk e kontrolloi që kjo gjë të bëhet edhe në Greqinë anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e Evropës së Bashkuar, pjesë e të njëjtit sistem monetar, euros.
Greqia livadhisi si deshi, shiu në lëmë pa grurë, mori dhe nuk dha, vodhi ditën me diell…
Populli grek ka hyrë në një tunel pa grykë dalje, udhëton në errësirë pa një qiri të ndezur.
Evropa, nga sa shoh e dëgjoj nga zërat që më vijnë në ekranin e vogël nga Brukseli, është në alarm.
Një personalitet i saj fton popullin grek të votojë “PO” ?!
Njëqind vjet të shkuara një filozof botonte një libër, librin me titullin “Mbi parullën e Shteteve të Bashkuara të Evropës”. Konkluzioni i tij ishte se një Evropë e Bashkuar në kushtet e kapitalizmit është utopi…
Evropa u bashkua…
Evropa po shpërbëhet…
Greqia është hallka e parë e zinxhirit të saj të dobët bashkues…
Mbas saj mund të këputen hallka të tjera…
Mbase hallkën greke, në ditët në vijim, Evropa e pasur do të mundohet ta saldojë me një pikë çeliku apo bronzi.
A do të mbajë?
Dyshoj…
Shpresoj…
Shpresa është e vetmja dëshirë njerëzore që nuk vdes…
Ndërsa ndjek fytyrat dhe zërat në ekranet e vegjël të televizioneve grek mendimi më ndalet tek një e katërta e shqiptarëve, tek mërgimtarët që në këtë rrënim të Greqisë e ndjejnë veten si “kalit kur e godasin në kokë”. Nuk di nga të shkojë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 29 qershor 2015
Dhimiter says
500 milion euro Papa Ndreu i ka te fshehura nen emrin e semes ne Zvicer + 500 milion dollare qe Greqia pagoi ne SHBA per 4 aeroplane + plus kursimet e Panajot Barkes dhe ca spiuneve te tjere te Greqise ne Shqiperi = 1 miliard dollare qe i kerkohen Greqise per te paguar borxhin.