Përgatiti: Eneida Jaçaj/
Diktaturat mund të mbretërojnë, por jo në përjetësi!
Sa më i paditur, i paarsimuar, i varfër të jetë një popull, aq më të lehtë do ta ketë diktatori të ushtrojë kultin e individit, të mbajë shoqërinë nën tutel, duke zbatuar propagandën e shtypjes dhe mjerimit! Kjo është motoja e sistemeve diktatoriale, e cila u zbatua për 45 vite edhe në Shqipërinë komuniste.
Gjendjes së mjerimit, varfërisë së tejskajshme, shtypjes të të gjitha të drejtave dhe lirive, pushtetit të padiskutueshëm të diktatorit, i kishte ardhur fundi edhe në Shqipëri. Populli, i revoltuar, nga skamja dhe propaganda e kalbur komuniste, guxoi të ngrihej për të rrëzuar sistemin dhe për t’u drejtuar drejt “Portës së Lirisë”. Ky popull i nënshtruar pati kurajën të hidhte tej “lëvozhgën” e kalbur të një mentaliteti të cunguar, të prapambetur, që e la Shqipërinë të “verbër” për shumë vite, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.
Nga një diktaturë e egër, ishte shdërruar tashmë në një diktaturë të brishtë që dita-ditës po shembej nga themelet. Revolta apo kryengritja e popullit arriti kulmin kur qeveria i pakësoi ushqimin dhe i ndërpreu ujin në ditët e nxehta.
Më 2 korrik 1990, shqiptarët mësynë drejt ambasadave të huaja, duke mbartur mbi vete “çelësin e fitores” kundër regjimit, me dëshirën e madhe se do të sillnin shpresën, mirëqënien, rritjen ekonomike, begatinë për Shqipërië në çdo aspekt të jetës.
Kjo datë historike është quajtur eksodi i shqiptarëve, si pikënisja e rrëzimit të regjimit komunist, e cila u pasua me Lëvizjen e Dhjetorit 1990, që i dha goditjen e fundit. Të huajt e cilësonin Shqipërinë si një “Kubë e Vogël” në Ballkan, por shqiptarët me aktin e tyre treguan se ishin të aftë të merrnin në dorë fatet e tyre.
Burra, gra dhe fëmijë lanë familjet për t’u drejtuar kryesisht në vendet e Europës Perëndimore, për arsye ekonomike, për të gjetur një punë që do t’u siguronte të ardhura, me të cilat do të ndihmonin edhe familjet në Shqipëri. 2 korriku 1990 është një ditë po aq e gëzueshme, por e dhimbshme për familjet shqiptare. Në dyert me kangjella të ambasadave, gra, burra, e të moshuar, me lot në sy nuk e pranonin ndarjen me familjarët e tyre, të cilët do të ndërmerrin rrugën e së panjohurës, rrugën e kurbetit. Ato kangjella dukeshin aq të frikshme, të ftohta; si kangjellat e burgut të dhimbjes, ku loti nuk do të thahej dhe brenga e shpirtit nuk do të shuhej derisa të larguarit do të bashkoheshin sërish me pjesën tjetër të familjes.
Largimi
Pas lajmit të largimit të 4795 shqiptarëve, shteti komunist i cilësoi këta shqiptarë të thjeshtë dhe të varfër, kriminelë, huliganë dhe njerëz të çoroditur. Mendësia komuniste vijonte përpjekjet e saj për shtypjen e popullit, duke orvatur të përndiqte këta shqiptarë. Nëse sistemi komunist do të vijonte të mbretëronte, shqiptarët e ambasadave do të përndiqeshin nga spiunët dhe së bashku me familjet e tyre do të internoheshin apo pushkatoheshin.
Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dosjen e datës 19 korrik 1990, ku shihet qartë plani i qeverisë për të kthyer mbrapsht të larguarit. “Largimi i menjëhershëm i 4795 qytetarëve shqiptarë, të futur në ambasada në Tiranë, në vende të ndryshme të botës, është një akt shumë i rëndë dhe i dënueshëm. Duke parë kurdoherë parasysh faktorët që çuan në një situatë të tillë, zhvillimet politike ndërkombëtare jo të favorshme dhe qëndrimet e reagimet e shteteve të ndryshme ndaj vendit tonë, del e domosdoshme të përcaktohet një qëdrim i qartë që do të mbahet ndaj tyre në vendet ku do të ndodhen”, thuhet në dosje.
Për të gënjyer opinionin publik, shteti komunist i cilëson të larguarit njerëz të degjeneruar, pa integritet. “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i Partisë së Tiranës, do të nxjerrin të dhëna të sakta, por nga një shqyrtim paraprak i kontigjentit të personave të larguar, duke u mbështetur në formularët individualë dhe nga disa të dhëna që u morën në kontaktet e pakta të shokëve tanë që patë rast të futen në ambasadë, të larguarit mund të ndahen në këto grupime:
Njerëz të degjeneruar, vjedhës e aventurierë, huliganë e vagabondë, që janë dënuar apo burgosur disa herë. Njerëz të papunë e me mendimin për t’u punësuar jashtë shtetit;
njerëz me pakënaqësi politike e me pikëpamje kundër pushtetit popullor; njerëz të pakënaqur nga të ardhurat ekonomike dhe të prirur nga mendimi se do të fitojnë më shumë jashtë shtetit”, thuhet në dosje.
Shumë shqiptarë që u larguan jashtë kufirit në korrik të 1990, të cilën morën me vete vetëm rrobat e trupit, sot kanë arritur majat në vendet ku kanë ndërtuar jetët e tyre. Në çdo cep të botës gjenden ata shqiptarë të ambasadave të korrikut, që kanë triumfuar jo vetëm kundër regjimit, por kanë triumfuar edhe me sukseset e tyre.