Anton Quni Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se përballë sakrificës për arritjen e lirisë dhe pavarësisë edhe kësaj radhe është koha që Kosova të përballet me të kaluarën dhe të provojë me fakte dhe prova para drejtësisë ndërkombëtare pastërtinë e luftës për liri dhe pavarësi. Sipas Ministrit të Mbrojtjes z.Anton Quni fatet individuale asnjëherë nuk kanë diktuar fatin historik të Kosovës. Aspiratat për të parë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian dhe anëtare të NATO-s shkojnë përtej fateve individuale. Jemi të gatshëm të vihemi në shërbim të atdheut duke reflektuar se përfaqësojmë vlerat më të larta demokratike që përfaqëson edhe vetë Evropa.
ZOTI MINISTËR, SI PARAQITET SITUATA NË KOSOVË NË ASPEKTIN E SIGURISË KOMBËTARE DHE BETEJA E SHTETIT NDAJ PANDEMISË GLOBALE?
Pandemia Globale COVID-19, ka sfiduar edhe sistemet më të avancuara shëndetësore të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në nivel botëror, prandaj edhe Kosova është përballur me vështirësi për shkak të sistemit të paqëndrueshëm shëndetësor por edhe për shkak të vështirësive ekonomike dhe sociale si dhe një stabiliteti të paqëndrueshëm politik. Në rrethanat e pandemisë, të gjitha aspektet e sipërpërmendura kanë pasur një ndikim negativ edhe në aspektet e sigurisë. Kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe izolimi kanë ndikuar negativisht në aspektet ekonomike, duke shkaktuar rritje të papunësisë dhe thellimit të vështirësive ekonomike. Po ashtu, në këto rrethana, rritja e dhunës, veprave penale të vjedhjeve dhe thyerjeve, rritja e dhunës në familje, kanë ndikuar, sfiduar edhe aspektet e sigurisë; ndërsa paqëndrueshmëria politike, ka ndikuar negativisht kur me vështirësi është arritur konsensusi për miratimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike. Në këto rrethana shumë të vështira, pavarësisht rrethanave politike, është dashur një koordinim i lidershipit, me qëllim të rritjes së besueshmërisë në vend të aplikimit të forcës, rritje e nivelit të reagimit sidomos në raport me grupet vulnerabile (sidomos dhuna mbi baza gjinore); fuqizimin e gjithëpërfshirjes duke balancuar qasjen ndërmjet institucioneve të shtetit dhe shoqërisë civile, integrimin e qasjes së përgjigjes ndaj pandemisë në kuadër të programeve të sigurisë; si dhe fuqizimin e llogaridhënies. Në këtë kontekst, pavarësisht sfidave, institucionet e sigurisë kanë luajtur një rol konstruktiv dhe situata e tillë ka qenë e menaxhueshme.
RRËZIMI I QEVERISË NË KOSOVË NGA GJYKATA KUSHTETUESE, A E KA RREZIKUAR SIGURINË KOMBËTARE DUKE MARRË PARASYSH ETAPAT NË TË CILAT GJENDET SHTETI I KOSOVËS: HAPAT DREJTË INTEGRIMIT EVROPIAN, DIALOGU ME SERBINË DHE LUFTA NDAJ COVID?
Ndërrimet e shpeshta në strukturën udhëheqëse institucionale shtetërore, sigurisht se krijojnë një situatë të paqëndrueshme politike që reflekton në ndërprerje të proceseve, pasiguri në raport me atraktimin e investitorëve të huaj, si ndryshim të qasjes në raport me obligimet shtetërore në proceset politike dhe obligimet ndërkombëtare. Gjithsesi, pavarësisht ndryshimeve të shpeshta, qëndrueshmëria institucionale është ndërtuar në nivelin e administratës. Prandaj, pavarësisht ndryshimeve të shpeshta, viteve të fundit është vërejtur një maturim i institucioneve të administratës shtetërore të cilat pavarësisht nivelit jo të kënaqshëm të profesionalizmit apo edhe politizimit, kanë arritur të ruajnë funksionimin institucional dhe të ruajnë memorien institucionale, duke krijuar vazhdimësi në shumë procese politike dhe shtetërore. Kosova ka vendosur marrëdhëniet kontraktuale me BE-në, përmes MSA-së dhe ka një strukturë institucionale të avancuar që në vazhdimësi monitoron realizimin e detyrave shtetërore, sipas agjendës evropiane. Po ashtu, sa i përket proceseve politike, siç është Dialogu me Serbinë, Kosova ka marrë zotime ndërkombëtare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ligji për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është miratuar nga organi më i lartë i shtetit, prandaj detyrimet ndërkombëtare janë të obligueshme, sepse në këtë mënyrë edhe në raport me aleatët strategjikë, tregojmë përkushtimin shtetëror dhe maturinë institucionale për të marrë përsipër detyrimet tona ndërkombëtare. Modalitetet e implementimit të këtyre marrëveshjeve duhet të realizohen në nivel teknik dhe në konsistencën e veprimeve institucionale dhe profesionale, por edhe koordinimin me partnerët ndërkombëtar, duke respektuar me përpikëri dispozitat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.
SI I KOMENTONI ARRESTIMET E KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS DHE TË LUFTËS SË UÇK NGA PROKURORIA SPECIALE?
Aspiratat shekullore për të realizuar të drejtën për liri dhe pavarësi, gjatë gjithë historisë, kanë pasur çmimin shumë të lartë. Edhe kësaj radhe, Kosova, përmes shprehjes së vullnetit nga institucioni më i lartë i shtetit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ishte e gatshme të përballet me detyrimet ndërkombëtare për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. Rezistenca paqësore e bashkë-dyzuar me luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahjen e pakursyer nga aleatët tanë që na kanë shoqëruar në gjithë rrugëtimin tonë për liri, janë kurorëzuar me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, duke konstituuar për herë të parë shtetësinë e Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht. Në këtë kontekst, ashtu si do herë gjatë historisë kur fati i individëve nuk është konsideruar përballë sakrificës për arritjen e lirisë dhe pavarësisë edhe kësaj radhe, është koha që Kosova të përballet me të kaluarën dhe të provojë me fakte dhe prova para drejtësisë ndërkombëtare pastërtinë e luftës për liri dhe pavarësi.
A PO BËN EVROPA NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS?
Unë besoj fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare. Evropa përfaqëson vlerat më të larta demokratike dhe mbi bazën e këtyre vlerave janë angazhuar edhe në sferën diplomatike; por edhe atëherë kur iu bashkuan SHBA-ve dhe NATO-s në luftën e tyre kundër totalitarizmit dhe diktaturës së Millosheviqit. Prandaj, besoj fuqishëm në vlerat fondamentale demokratike që janë kultivuar në Evropë për shekuj me radhë; dhe njëkohësisht vlerësoj lart edhe kontributin e Evropës në forcimin e shtetit ligjor dhe fuqizimin e qeverisjes demokratike në Kosovë.
SI KOMANDANT DHE LUFTËTAR LIRIE, SI I KOMENTONI AKUZAT E SPECIALES NDAJ UÇK?
Si komandant dhe luftëtar lirie, konsideroj se të gjithë ne që kishim fatin më të madh histori t’i shërbejmë atdheut për të arritur lirinë pas sakrificave shekullore, edhe kësaj radhe secili nga luftëtarët e lirisë është i gatshëm t’i bëjë shërbimin e radhës atdheut dhe t’i përgjigjemi detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës.
A ËSHTË E TURPSHME BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN?
Drejtësia ndërkombëtare e pavarur dhe e paanshme është udhërrëfyes për vlerat demokratike që promovon e drejta ndërkombëtare. Nuk është e rrugës të paragjykojmë proceset gjyqësore të cilat janë në vijim e sipër. Do të presim vendimin përfundimtar të gjykatës mbi këto procese gjyqësore për të bërë konstatimet dhe vlerësimet. Në këtë fazë, në nivel shtetëror dhe institucional do të angazhohemi me të gjitha kapacitetet që në mënyrë profesionale para Gjykatës Speciale, të paraqesim faktet dhe provat kredibile që dëshmojnë kryerjen e akteve gjenocidiale për pasojë shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut të garantuara me aktet më të larta ndërkombëtare, nga ushtria Serbe e udhëhequr nga diktatori Millosheviq. Tani është koha që në mënyrë të koordinuar për një qasje të strukturuar, si institucione shtetërore, të bashkëveprojmë me shoqërinë civile duke u zgjeruar edhe në sensibilizimin dhe shpërndarjen e fakteve të vërteta edhe përmes rrugëve institucionale diplomatike; por edhe duke përdorur edhe mënyrat e reja të komunikimit (përmirësimi i profilit të Kosovës në qasjen në informatat që janë të qasshme në internet; publikimi i video-incizimeve dhe fotografive që argumentojnë me fakte mënyrat brutale të shkeljes së lirive dhe të drejtave elementare njerëzore nga Serbia; si dhe argumentimin për vërtetësinë e fushatave të fabrikuara nga Serbia, për shtrembërimin e fakteve historike). Një aspekt i veçantë i paraqitjes së fakteve që provojnë vërtetësinë e tyre janë edhe kronologjia historike gjatë procesit të rezistencës paqësore, proceset e negociatave ndërkombëtare në Rambuje deri tek lufta për liri e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e mbështetur fuqishëm, nga fushata e sulmeve ajrore nga NATOs; ku për herë të parë qasja për të mbrojtur të drejtat elementare njerëzore dhe për të parandaluar aktet gjenocidale të një sistemi diktatorial, tejkaloi konceptet klasike të së drejtës ndërkombëtare për sovranitetin shtetëror. Të gjitha këto fakte, shteti i Kosovës do të kujdeset t’i paraqesë para gjykatës; prandaj besoj fuqishëm se drejtësia ndërkombëtare do të ri-konfirmojë edhe njëherë pastërtinë e luftës për liri.
NJË NDËR AKUZAT QË “SPECIALJA” I BËN UÇK ËSHTË VRASJA E KATOLIKËVE NË KOSOVË, SI E KOMENTONI KËTË AKUZË? A E KA CENUAR UNITETIN E QYTETARËVE?
Historikisht, harmonia ndër-fetare ndërmjet shqiptarëve të të gjitha besimeve, është ndër vlerat më të larta që ka kultivuar kombi ynë. Vlerat kombëtare kanë determinuar rrugën tonë për liri dhe pavarësi. Pavarësisht se prokuroria ka mundur të ketë në dispozicion informata të pasakta që kanë për qëllim deformimin e fakteve historike, shpreh bindjen time të plotë se gjykata ndërkombëtare do të vendosë sipas parimeve më të larta të drejtësisë dhe kredibilitetit të provave. Dëshmitë historike për harmoninë ndër-fetare janë faktet dhe provat që do t’i shërbejnë një gjykimi të pavarur dhe profesional, prandaj besoj fuqishëm se këto prova të fabrikuara nga Serbia, për qëllime të ndryshimit të rrjedhës së fakteve historike, do të jenë një përpjekje e dështuar e radhës, edhe në sferën ndërkombëtare, ashtu siç ndodhi kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, legjitimoi luftën për liri dhe aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
CILAT KANË QENË DISA NGA REFORMAT KRYESORE NË MINISTRINË E MBROJTJES NËN UDHËHEQJEN TUAJ SI MINISTËR I MBROJTJES.
Në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, kam ndërmarrë veprimet institucionale dhe ligjore në dy drejtime: -Rritja e llogaridhënies në menaxhimin e punëve publike në kuadër të Ministrisë, duke siguruar proces transparent duke respektuar parimin e meritokracisë dhe kompetencës profesionale në të gjitha proceset; si dhe – Fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe rritja e rolit të saj në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kosova arriti për herë të parë në historinë më të re, të bëhet pjesë e misioneve paqeruajtëse ndërkombëtare. Ushtarët e FSK-së të jenë pjesë përbërëse e Ushtrisë Amerikane për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse ndërkombëtare; duke avancuar kështu agjendën e Kosovës në proceset integruese euro-atlantike.
SI E GJYKONI SE DO DALË KOSOVA PAS KËSAJ PËRBALLJE ME DREJTËSINË NDËRKOMBËTARE NË HAGË?
Kosova si çdo herë gjatë historisë, pavarësisht vështirësive gjatë rrugëtimit, për të fuqizuar shtetësinë e saj, edhe në përballje me drejtësinë ndërkombëtare, do të arrijë të konsolidohet dhe së shpejti do të zërë vendin e saj, në proceset integruese përkrah vendeve të rajonit në familjen Evorpiane. Fatet individuale asnjëherë nuk kanë diktuar fatin historik të Kosovës. Aspiratat për të parë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian dhe anëtare të NATO-s shkojnë përtej fateve individuale prandaj, gatishmëria për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare është një ri-konfirmim se secili prej nesh, jemi të gatshëm të vihemi në shërbim të atdheut duke reflektuar se përfaqësojmë vlerat më të larta demokratike që përfaqëson edhe vetë Evropa.