86 vetë u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme turke./
Në Ankara, pati sot dy shpërthime të mëdha, që ndodhën në fillim të një mitingu për paqen në kryeqytetin turk. 86 vetë u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme turke.
Pas shpërthimeve që ndodhën pranë stacionit të trenit në Ankara, ndërsa njerëzit po vinin të merrnin pjesë në miting, shpërtheu kaosi.
Mintingu ishte planifikuar për të bërë thirrje që t’i jepet fund konfliktit mes forcave turke të sigurisë dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK.
Analistët thonë se sulmet mund të jenë organizuar nga grupi Shteti Islamik, ose nga grupe nacionaliste turke, që janë kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është nxjerrë jashtë ligjit në Turqi.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se shpërthimet ishin “një sulm i urryer ndaj unitetit dhe paqes në vendin tonë”.
Ai tha se do t’i anulojë takimet e planifikuara për tre ditët e ardhshme, për t’u fokusuar tek sfidat e sigurisë me të cilat përballet Turqia.
Zyrtarët e sigurisë thanë se nuk është e qartë, në se sulmet u kryen nga autorë vetëvrasës.
Zyrtarët turq i kanë cilësuar shpërthimet “sulme terroriste”. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet.